Lajmi i fundit

Njihuni me Yuri Kim, ambasadoren e re amerikane në Shqipëri

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi vendimin e tij për të emëruar Yuri Kim of Guam në pozicionin e rëndësishëm të administratës së tij si ambasadore të Jashtëzakonshme dhe të Plotëfuqishme në Republikën e Shqipërisë, njofton Shtëpia e Bardhë në faqen e saj në internet.

Kim është një diplomate karriere pranë Shërbimit të Jashtëm Amerikan, me gradën Konsull dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si drejtoreshë e Zyrës për Çështjet të Europës Jugore.

Ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës për Studime në Diplomaci në Departamentin e Shtetit, kryetare e stafit për zëvendëssekretarin e Shtetit dhe drejtoreshë e Zyrës për Sigurinë Europiane dhe Çështjet Politiko-Ushtarake.

Gjithashtu, ajo ka shërbyer si asistente speciale për ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet në Azinë Lindore dhe Paqësor, si dhe ka qenë anëtare e delegacionit të SHBA-së në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Ajo gjithashtu ka shërbyer si këshilltare politike në Ambasadën e SHBA-së në Bagdad, Irak si dhe në ambasadën e SHBA-së në Ankara, Turqi.

Kim është shkolluar në Universitetin e Pensilvanisë dhe atë të Kembrixhit.

Ajo flet gjuhët koreane, kineze (mandarin), japoneze dhe turke. /atsh

Njihuni me Yuri Kim, ambasadoren e re amerikane në Shqipëri Read More »

Shkarkohet kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës/ Rama: Do ndiqet penalisht

Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj djegies me molotov të godinës së KZAZ-së së Bushatit në Shkodër dhe materialeve zgjedhore duke theksuar se ” kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës Zef Hila, jo vetëm u shkarkua, por do të ndiqet penalisht”.

Kreu i qeverisë tha se kush do ta ndjekë shembullin e tij do të përballet me drejtësinë.

“Zef Hila, haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, jo vetëm u shkarkua po do të ndiqet penalisht, për aktin barbar të djegies së shkollës dhe djegies së materialeve zgjedhore! Kush do ta ndjekë shembullin e tij, do të ketë të njëjtin fat dhe do të përballet me drejtësinë”, tha Rama./atsh

Shkarkohet kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës/ Rama: Do ndiqet penalisht Read More »

SHBA, Italia dhe Britania me vëzhgues për 30 qershorin

Ambasada Amerikane në Tiranë, Ambasada Britanike, Ambasada Italiane i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri për akreditimin e vëzhguesve të tyre për zgjedhjet e 30 qershorit.

Kërkesa e përfaqësive diplomatike të Amerikës, Italisë dhe Britanisë, drejtuar KQZ-së për akreditimin e stafit të tyre vëzhguesve mban datën 26 qershor.

Duke përgëzuar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mbarëvajtjen deri më tani të këtij procesi të rëndësishëm zgjedhor, selitë diplomatike në vendin tonë, kanë dërguar edhe listat me emrat e personave vëzhgues.

“Ju lutem më lejoni t’iu dërgoj anëtarët e stafit të Ambasadës për akreditim si vëzhgues dhe përkthyes afatshkurtër për zgjedhjet lokale të 30 qershorit në Shqipëri. Faleminderit për punën që ju dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bëni përpara këtyre zgjedhjeve të rëndësishme”, thuhet në kërkesën zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Më herët, konkretisht më datë 19 qershor edhe OSBE, si institucioni i vetëm që merret me cerfifikimin e zgjedhjeve, ka kërkuar nga KQZ akreditimin e vëzhguesve të tyre për zgjedhjet që mbahen më 30 qershor. /atsh

SHBA, Italia dhe Britania me vëzhgues për 30 qershorin Read More »

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se pasnesër do të jetë në Vlorë për takimin e ditës së fundit të fushatës zgjedhore të 30 qershorit

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se pasnesër do të jetë në Vlorë për takimin e ditës së fundit të fushatës zgjedhore të 30 qershorit. Ai ui referua takimit me pjesëmarrje të gjerë në Elbasan, duke thënë se edhe në Fier pret të njëjtën gjë.

“O vlonjatë o ju bëfsha kurban, këta elbasanllinjtë më thonë e bëmë fora si s’e bën dot as Vlora! Ata në Fier më çojnë mesazhe që nesër Fieri do ta bëj si Vlora!”, tha kryeministri Rama.

“Tani ju si do ta bëni ju pyes unë, se pasnesër më keni në Vlorë dhe mezi pres t’ia vemë aty buzë detit, vulën e zjarrit 30 QERSHORIT”, tha kryeministri Rama. /atsh

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se pasnesër do të jetë në Vlorë për takimin e ditës së fundit të fushatës zgjedhore të 30 qershorit Read More »

Procedura e regjistrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”

Regjistrimi në portalin “Mësues për Shqipërinë” ka nisur për të gjithë ata që kanë dorëzuar dosjet pranë drejtorive rajonale në Lezhë, Durrës, Fier e Korçë dhe si afat i fundit aplikimi mbetet 28 qershori.

Çdo aplikant është i detyruar që të bëjë regjistrimin në portal, në mënyrë që të bëhet pjesë e fazës së dytë, atë të testimit të informatizuar.

Ministria e Arsimit ka ndarë një video-udhëheqëse ku nënvizohet se në rast aplikimi për herë të parë në portal, duhet patur kujdes që të vendoset numri personal/numri i pasaportës që aplikanti ka deklaruar në formularin e pranimit dhe një e-mail i vlefshëm.

Për sa i përket mbartjes së pikëve të portalit 2018-të, aplikanti duhet gjithsesi të logohet me kredencialet e mëparshme për të hedhur preferencat e 2019-tës. Njëkohësisht, nëse aplikimi është bërë në vitin 2018-të dhe dëshiron të mbart pikët, aplikanti duhet të informojë DRAP-in në mënyrë që të pasqyrojë mbartjen e pikëve gjatë vlerësimit.

Në rast të modifikimit të aplikimit, aplikanti ka të drejtë të modifikojë zgjedhjet e tij/saj deri në datën e mbylljes së regjistrimeve.

Pas datës së mbylljes së regjistrimeve, është e pamundur që të modifikohen preferencat e zgjedhura. Për procedurën e plotë mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

https://www.youtube.com/watch?v=NlUQc5NqKSE&feature=youtu.be /atsh

Procedura e regjistrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë” Read More »

Çuçi me blegtorët e Nivicës: Jemi në bisedime me investitorë nga Arabia Saudite dhe Irani

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ishte në Nivicë një prej fshatrave që bën pjesë në programin ‘100 fshatrat’. Ai zhvilloi një bashkëbisedim me blegtorë të zonës përreth, për të diskutuar me ta mundësinë e zgjerimit të tufave të mbarështimit të të imtave për mish. Aktualisht Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është në bisedime me investitorë në Arabinë Saudite dhe Iran, të cilët janë të interesuar të blejnë nga Shqipëria mish qingji dhe dele.

Vlora, Tepelena dhe Gjirokastra që kanë numrin më ta madh të krerëve do të jenë të parat që do të përfitojnë nga kjo mundësi nëse gjenden termat e bashkëpunimit mes investioreve dhe blegtorëve të këtyre tre qarqeve. Veç kësaj mundësie, ministri Çuçi diskutoi me blegtorët edhe një paketë të re mbështetje që Ministria e Bujqësisë do të ketë për blegtorinë. Do të ketë subvencione direkt për tufat e blegtorëve, në mënyrë që ky sektor të zhvillohet paralelisht me sektorin e prodhimeve bujqësore.

Ministri vizitoi edhe baxho të zonës, të cilat grumbullojnë qumështin e blegtorëve për prodhimin e djathit dhe nënprodukteve të tij. Ai u ndal gjithashtu edhe në dy bujtina të zonës, të cilat mirëpresin turistë. Të tjera bujtina janë në ndërtim e sipër. Nivica dhe fshatrat përreth kanë potenciale të shumta për zhvillimin e agroturizmit.

“Ky fshat dhe e gjithë zona përreth do të shndërrohet në një pol të rëndësishëm të turizmit malor në jug të vendit. Nuk është fare rastësi që sot në Nivicë takon edhe turistë, të cilët qëndrojnë aty për disa ditë për të shijuar natyrën dhe ushqimet tradicionale, mes të cilave spikat mishi dhe djathi me shije karakteristike”, është shprehur ministri Çuçi.

Një lajm i mirë për banorët e gjithë kësaj zone, tha ministri Çuçi, është miratimi i fondit për ndërtimin e lotit të dytë të rrugës që të çon drejt Nivicës. 8 milionë euro do të përdoren për segmentin Bënçë-Lekdush. Ky investim shkurton kohën për të shkuar në Nivicë dhe krijon një perspektivë të re për zhvillimin e kësaj zone./atsh

Çuçi me blegtorët e Nivicës: Jemi në bisedime me investitorë nga Arabia Saudite dhe Irani Read More »

Balluku: Vendimi i Kolegjit i pakontestueshëm, zgjedhjet në 30 qershor

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh sot se “vendimi i Kolegjit Zgjedhor për të lënë në fuqi 30 qershorin si datën e zgjedhjeve vendore, është i pakontestueshëm dhe zgjedhjet do të zhvillohen të dielën e 30 qershorit”.

Në një intervistë televizive të hënën, Balluku theksoi se, “rëndësi kanë vendimet kushtetuese, vendimi i Kolegjit është i pakontestueshëm. Ne ndodhemi në fushatë zgjedhore të dekretuar nga Presidenti Meta.

Në këtë rast mund të ishte dhe Gjykata Administrative, por Kolegji mendoj se ka të drejtën të shprehet në raste të tilla.

E gjitha amullia e ngritur nga data e dekretit të Metës sot është larguar dhe kemi një vendim të qartë se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor. Interpretimi i këtij vendimi është i pavend nga të gjithë ne”.

Sa i takon aksionit opozitar, i cili do të vijojë gjatë kësaj jave në të gjithë Shqipërinë, ministrja Balluku deklaroi se opozita prej muajsh po bën kërcënime, por duhet të bëjnë kujdes se po nxisin luftë dhe veprime jodemokratike.

“Zgjedhjet më 30 qershor nuk i vendosi qeveria Rama dhe as Partia Socialiste, janë zgjedhje brenda afateve kushtetuese të dekretuara nga Presidenti i Republikës. Se çfarë do bëjë deputeti i opozitës Dashamir Shehi, nuk është në kuadër të një diskutimi serioz. Kërcënime të tilla janë bërë prej muajsh. Shehi apo kushdo tjetër nuk i ka seriozisht këto bërjet e luftës, duhet të kenë kujdes kur nxisin luftë dhe veprime jodemokratike”- deklaroi Balluku./atsh

Balluku: Vendimi i Kolegjit i pakontestueshëm, zgjedhjet në 30 qershor Read More »

Zgjedhjet më 30 qershor, Kolegji Zgjedhor rrëzon dekretin e Metës

Kolegji Zgjedhor vendosi sot rrëzimin e padisë së kryetarit të Partisë Uniteti Kombëtar, për t’u çregjistruar nga zgjedhjet e 30 qershorit dhe sipas Idajet Beqirit, ky vendim do të thotë që më 30 qershor ka zgjedhje.

Me shqyrtimin e kërkesës së bërë nga Idajet Beqiri, i cili kërkoi që partia e tij të ç’regjistrohet nga zgjedhjet e 30-qershorit, Kolegji lë në fuqi vendimin e KQZ-së, që do të thotë se dekreti i Metës për anulimin e zgjedhjeve është i paligjshëm dhe zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.

Kolegji Zgjedhor, me trupë gjykuese të përbërë nga Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj, shqyrtoi kërkesën e kryetarit të partisë së Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri, për t’u çregjistruar nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Gjatë seancës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se i qëndron vendimit të marrë për të mos pranuar kërkesën e Beqirit. KQZ tha se dekreti i presidentit është i pavlefshëm dhe në shkelje të ligjit.

“Partia Uniteti Kombëtar është regjistruar, kemi miratuar fletët e votimit dhe renditjen e partive në këto fletë. Fletët janë printuar. PUK renditet në fletë aty në ato bashki ku ka marrë pjesë. Kërkesa e Beqirit është e pabazuar në ligj dhe duhet rrëzuar. Legjislatori nuk e ka parashikuar tërheqjen me ligj. Heqja e një partie automatikisht do sillte asgjësimin e fletëve të votimit. Ky precedent do të banalizonte zgjedhjet”, u shpreh përfaqësuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Olsi Peto.

Nga ana e tij, Beqiri tha se dekreti i Presidentit ka çuar në një përplasje institucionale të cilën duhet ta zgjidhë Kolegji. Kreu i PUK-së tha se elektorati është vënë në pozitë të vështirë me KQZ-në që vazhdon procesin zgjedhor dhe me presidentin që i ka anuluar me direkt ato.

“Kërkesa jonë është të hiqemi nga fletët e votimit. Por KQZ pasi shqyrtoi kërkesën tonë u mor me shkakun përse ne bëmë padi. Shkaku i vetëm është dekreti presidentit. Është i vlefshëm apo jo ky dekret, deri sa Kushtetuesja e ka dhënë njëherë një vendim. Në këto kushte ne nuk kishim zgjidhje tjetër dhe e sollëm këtu. KQZ na thotë dekreti i presidentit është absolutisht i pavlefshëm. Presidenti thotë që këto janë zgjedhje moniste por në fletë ka 50 parti politike. Kolegji zgjedhor duhet të zgjidhë ngërçin e krijuar midis institucioneve “, tha Beqiri gjatë seancës në Kolegj.

Në përfundim të paraqitjes së argumenteve gjatë kësaj seance nga Idajet Beqiri dhe përfaqësues të KQZ-së, Kolegji Zgjedhor vendosi të hedhë poshtë vendimin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve dhe të lërë në fuqi vendimin e KQZ-së që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor.

Njëjtë e përktheu këtë vendim edhe Idajet Beqiri menjëherë sapo u shpall vendimi i Kolegjit Zgjedhor.

“Është një vendim i formës së prerë dhe ne të drejtë ankimimi nuk kemi më. Jemi të detyruar ta zbatojmë këtë ligj. Do të thotë që më 30 qershor ka zgjedhje. Duke respektuar këtë vendim të Kolegjit, do t’i nënshtrohemi të gjithë rregullave për të vijuar garimin për kaq ditë sa na kanë mbetur”, tha ai.

Beqiri shtoi se “thelbi i vendimit është që përsa kohë rrëzohet kërkesa jonë do të thotë që më 30 qershor shqiptarët do të shkojnë në zgjedhje”.

Avokati Beqiri i kërkoi fillimisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve çregjistrimin e Partisë së Unitetit Kombëtar nga zgjedhjet. Beqiri e argumentoi kërkesën dërguar KQZ-së, se zgjedhjet janë anuluar me dekret të presidentit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi. Por kërkesa u rrëzua nga KQZ-ja, me argumentin se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor./atsh

Zgjedhjet më 30 qershor, Kolegji Zgjedhor rrëzon dekretin e Metës Read More »