Lajmi i fundit

Ndihma kundër COVID-19/ Mesazhi i doktoreshës shqiptare në Ankona: Shqipëria tregoi virtytet që e karakterizojnë

“Nё kёto ҫaste tё vёshtira Shqipёria e vogёl, por me zemёr tё madhe tregoi edhe njёherё virtytet qё e karakterizojnё si: bujaria, mirёnjohja, gatishmёria dhe mbёshtetja ndaj miqve”.

Kështu u shpreh sot doktoresha Sonila Dhima, drejtuese e SOD ORL, në spitalin Universitar të Ankonës, Itali, përmes një mesazhi drejtuar Kryeministrit Edi Rama.

“Ҫdo ditё mendimet e mia janё per kolegёt, infermierёt, operatorёt sanitarё dhe pёr tё gjithё ata qё janё nё vijё tё parё nё luftёn kundёr Covid-19. Ka shumё masa dhe strategji qё po aplikohen nё kёto momente tё vёshtira nё tё gjithё spitalet e Italisё, por do jetё puna e palodhur, solidariteti dhe ndihma e ndёrsjelltё qё do na lejojnё ta fitojmё kёtё betejё pёrpara sё cilёs ndodhemi tё gjithё ne”, – thekson Dhima.

Doktoresha Dhima shpreh falenderimet dhe mirёnjohjen ndaj kolegёve bashkatdhetarё, tё cilёt po japin kontributin e tyre nё kёto momente brenda dhe jashtё vendit.

“Nё kёto ҫaste tё vёshtira Shqipёria e vogёl, por me zemёr tё madhe tregoi edhe njёherё virtytet qё e karakterizojnё si: bujaria, mirёnjohja, gatishmёria dhe mbёshtetja ndaj miqve. Ndihem krenare si kurrё mё parё! Bashkimi bёn fuqinё! Ju lutem qёndroni nё shtёpi”, – tha Dhima.

Kryeministri Rama duke përcjellë mesazhin e doktoreshë Dhimës shprehet se ata që kanë shkruar janë të shumtë, ”superfaleminderit dhe ndjesë që nuk postoj dot më shumë”./atsh

Ndihma kundër COVID-19/ Mesazhi i doktoreshës shqiptare në Ankona: Shqipëria tregoi virtytet që e karakterizojnë Read More »

Vlorë, Leli për ATSH-në: 1800 familje po mbështeten me pako ushqimore e medikamente

Bashkia e Vlorës po vijon pa ndërprerje operacionin humanitar për mbështetjen e pensionistëve të vetmuar dhe familjeve në nevojë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli në një prononcim për ATSH-në deklaroi se janë 1800 familje në nevojë në bashkinë që ai drejton, që janë mbështetur me pako ushqimore.

1500 familje, tha ai, janë identifikuar se kanë nevojë për tu ndihmuar bazuar në kriteret e vendosura në vendimet e qeverisë të nxjerra përmes Akteve Normative.

Ndërsa 300 familje të tjera që kanë kërkuar ndihmë janë mbështetur me pako ushqimore nga vet kreu i bashkisë si dhe qytetarë të Vlorës, të cilët janë solidarizuar në këtë situatë.

Leli tha se janë 80 punonjës të strukturave të bashkisë si dhe 20 vullnetarë çdo ditë në terren, në mbështetje të kujtdo që ka nevojë.

Po ashtu, ai bëri të ditur se po ndihmohen edhe pensionistët e vetmuar dhe ata që kanë kërkuar ndihmë, duke u dërguar pensionin në banesë, duke kryer pazarin, ose duke u siguruar medikamentet e nevojshme.

“Kushdo ka nevojë të telefonojë në numrin e vënë në dispozicion nga Bashkia dhe do të asistohet menjëherë nga stafi ynë“, bëri të ditur Leli./atsh

Vlorë, Leli për ATSH-në: 1800 familje po mbështeten me pako ushqimore e medikamente Read More »

Mbërrijnë në Rinas 112 shqiptarë të riatdhesuar nga Italia, 14 ditë në vetëkarantinim të monitoruar

Mbrëmjen e së shtunës mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë, fluturimi i parë i riatdhesimit të 112 bashkëqytetarëve tanë nga Roma, të bllokuar në Itali pas ndalimit të hyrjeve daljeve nga vendet e tjera, në Shqipëri si masë kundër përhapjes së COVID-19.

Kristlen Keri, drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil, bën të ditur se, stafi mjekësor në aeroport kreu procedurën e kontrollit të tyre.

“Gjithashtu, secili prej tyre ka plotësuar formularët e vetëdeklarimit dhe do të kalojnë 14 ditë në vetëkarantinim të monitoruar çdo ditë nga Policia e Shtetit. E njëjta procedurë do të ndiqet për të gjithë fluturimet e riatdhesimit”, – shprehet Keri./atsh

Mbërrijnë në Rinas 112 shqiptarë të riatdhesuar nga Italia, 14 ditë në vetëkarantinim të monitoruar Read More »

Lajm i mirë: 7 të shëruar sot

Kryeministri Edi Rama deklaron se edhe 7 persona të tjerë janë shënuar nga COVID-19.

“Lajm i mirë: 7 të shëruar sot”, deklaroi mbrëmjen e së shtunës Kryeministri Rama.

Personat kanë rezultuar negativ pas testeve të bëra, duke e çuar në 40 numrin total të personave të shëruar nga COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 1325 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 197 raste.

Lajm i mirë: 7 të shëruar sot Read More »

e-Albania/ Çfarë duhet të dinë qytetarët për të marrë leje për të dalë nga shtëpia

Përmes portalit e-Albania u është dhënë sot përgjigje pyetjeve më të shpeshta nga qytetarët për lejet që nevojiten për të dalë nga shtëpia gjatë fashës orare 05:00-13:00.

Autorizim për të dalë nga shtëpia mund të marrë vetëm një anëtar i familjes, dhe jo pensionistët.

Këto leje janë për këmbësorët që duhet të dalin nga shtëpia për të blerë ushqime, ilaçe apo shërbesa të tjera.

Leja është për një datë të caktuar dhe zgjat vetëm 1 orë brenda fashës 05:13:00.

Ndërkohë, në portal sqarohet se askush nuk mund të lëvizë me automjetin e tij në këtë leje, sepse ajo është për këmbësorët.

Qytetarët duhet të aplikojnë sa herë që u duhet të dalin për pazar, për të shkuar në farmaci apo çdo shërbesë tjetër.

Ndërsa shtetasit e huaj mund të aplikojnë për një leje për dalje ditore duke dërguar sms në numrin 55155.

Aplikimi nga aplikacioni e-Albania miratohet automatikisht në moment dhe vjen në e-mail-in tuaj dhe në numrin e telefonit nëse keni regjistruar numrin tuaj gjatë aplikimit.

Aplikimi bëhet përmes internetit, ose portalit e-Albania, ose me mesazh të thjeshtë në numrin 55155. /atsh

e-Albania/ Çfarë duhet të dinë qytetarët për të marrë leje për të dalë nga shtëpia Read More »

Ndihma e mjekëve shqiptarë për Italinë tërheq vëmendjen e medias botërore

Nisja drejt Italisë, një nga vendet më të prekura në botë nga pandemia e koronavirusit, e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, ka tërhequr sot vëmendjen e medias ndërkombëtare.

AFP

Shqipëria dërgoi të shtunën 30 mjekë dhe infermierë në Itali, vendi europian më i prekur nga epidemia Covid-19, ku jeton një komunitet i madh shqiptar.

Ekipi mjekësor u shoqërua në aeroportin e Tiranës nga kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ata do të udhëtojnë “për në rajonin e Lombardisë për të ndihmuar kolegët e tyre italianë”, tha Edi Rama në një video të transmetuar drejtpërdrejt nga aeroporti, tha agjencia franceze e lajmeve, AFP.

REUTERS

Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Europë, dërgoi një ekip mjekësh dhe infermierësh në Italinë fqinje për ta ndihmuar për pandeminë e koronavirusit, pasi rastet e veta ende nuk e kanë rrezikuar atë.

Italia e ka ndihmuar Shqipërinë pasi u përball me një numër krizash, pasi rrëzoi komunizmin në fund të viteve 1980, duke përfshirë rrezikun e urisë në fillim të viteve 1990 dhe anarkisë në 1997. Tirana e sheh ndihmën mjekësore si një shans për të shlyer favoret nga ana e Italisë.

Rreth 400 000 shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Itali, duke dërguar para për familjet e tyre, si dhe duke investuar kursime dhe ekspertizë të fituar atje për të ndërtuar biznese, shkruan agjencia britanike e lajmeve, Reuters.

”New York Times”

Ka pasur 197 raste të konfirmuara dhe 10 vdekje në Shqipëri. Në Itali, rajoni i Bergamos është ai që është prekur më shumë nga koronavirusi.

Shqipëria, një nga vendet më të varfra të Evropës, ka dërguar sot një ekip mjekësh dhe infermierësh në Italinë fqinje për të ndihmuar në trajtimin e pandemisë së re të koronavirusit.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama do të paguajë 11 milionë lekë (rreth 90 000 euro) për të paguar 30 vullnetarët që do të punojnë për një muaj në zonën e Bergamos.

Ambasada italiane në Tiranë tha se “falënderojmë qeverinë shqiptare për këtë akt solidariteti dhe dashurie. Përgjithmonë të bashkuar”.

Roma ka ndihmuar Shqipërinë në krizat me të cilat është përballur që nga rënia e regjimit komunist në fund të viteve 1980, dhe Tirana i sheh ndihmat tani si një mundësi për të “shlyer” këtë borxh, edhe pse kontributi i tyre është i vogël.

IBTIMES

Veprimi i Shqipërisë është një gjest miqësor dhe një mënyrë për të shlyer fqinjin e saj gjatë kësaj kohe krize.

Vetë Shqipëria ka raportuar 197 raste të koronavirusit me 10 vdekje. Megjithatë, pavarësisht se është shumë afër Italisë nga rruga ajrore dhe detare, Shqipëria ende nuk është prekur shumë nga shpërthimi i koronavirusit, shkruan agjencia IBTIMES.

Globalnewshut

Mjekët shqiptarë mjekë do të punojnë së bashku me mjekët italianë gjatë disa javëve pasuese, sepse sistemi i kujdesit shëndetësor i Italisë po përballet me rritjen e numrit të vdekjeve që vijnë nga koronavirusi.

Agenzianova

Një avion u ul në Fiumicino me një ekip prej rreth 30 mjekësh dhe infermierësh nga Shqipëria për të mbështetur sistemin shëndetësor italian për t’u marrë me emergjencën e koronavirusit. Për t’i mirëpritur ishte ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Luigi Di Maio, i cili falënderoi kryeministrin Edi Rama dhe gjithë qeverinë dhe popullin shqiptar për “solidaritetin e madh” të treguar, njoftoi agjencia italiane e lajmeve, Agenzianova.

Kathimerini

Roma ka ndihmuar Shqipërinë në krizat me të cilat është përballur që nga rënia e regjimit komunist në fund të viteve 1980, dhe Tirana i sheh ndihmat tani si një mundësi për të “shlyer” këtë borxh, edhe nëse kontributi i tyre është i vogël.

Rreth 400 000 shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Itali, shkruan mes tjerash gazeta më e madhe greke ”Kathimerini”.

Il Messaggero

“Ne nuk jemi të pasur dhe aq më pak të privuar nga kujtesa dhe nuk mund të lejojmë të mos i tregojmë Italisë se shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun e tyre në vështirësi”.

Me këto fjalë kryeministri shqiptar Edi Rama shoqëroi largimin e ekipit prej 30 mjekësh dhe infermierësh për në Itali, shkruan gazeta e njohur italiane ”Il Messaggero”.

time24.news

Shqipëria, e cila ka një mungesë mjekësh, 1,2 mjekë për 1 000 banorë, kundër 4,1 mjekëve në Itali, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) – kohët e fundit u bëri thirrje rreth 2 000 mjekëve në pension të rihynin në shërbimin aktiv dhe të ndihmojnë në ndalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

“Sot ne jemi të gjithë italianë (…) Italia do ta fitojë këtë betejë”, tha Edi Rama, në një ceremoni të shkurtër në aeroport./ /atsh

Ndihma e mjekëve shqiptarë për Italinë tërheq vëmendjen e medias botërore Read More »

30 mjekë dhe infermierë shqiptarë nisen drejt Bergamos/ Rama: Italia është shtëpia jonë dhe sot jemi të gjithë italianë

30 mjekë dhe infermierë shqiptarë u nisën sot drejt Italisë, ku do të luftojnë në vijën e zjarrit me COVID-19.

“Italia është shtëpia jonë dhe sot jemi të gjithë italianë”, tha sot Kryeministri Edi Rama nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit, ndërsa përcolli ekipin e bluzave të bardha drejt Italisë.

“Së pari, ju shpreh të gjithëve mirënjohjen e thellë për gatishmërinë e menjëhershme për të bërë gjënë e duhur në këtë moment kaq të jashtëzakonshëm. E di që disave këtu në Shqipëri do t’u dukej e çuditshme që 30 mjekë dhe infermierë të armatës sonë të vogël të bluzave të bardha nisen sot për në vijën e zjarrit të Italisë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh i vetëdijshëm edhe për faktin se “30 mjekë dhe infermierë nuk e përmbysin raportin mes forcës vrastare të armikut të padukshëm dhe forcave të bluzave të bardha që po luftojnë me të në vijën e zjarrit matanë detit”.

Por di, vijoi ai, “që edhe andej është shtëpia jonë tanimë që kur Italia, motrat dhe vëllezërit italianë, na shpëtuan dhe na mikpritën dhe adoptuan në shtëpinë e tyre kur Shqipëria digjej nga ato dhimbje të papërshkrueshme”.

“Ne po luftojmë me të njëjtin armik të padukshëm dhe mjetet e njerëzit e luftës tonë nuk janë pa kufi, por sot ne nuk mund t’i mbajmë forcat në rezervë në pritje të hyjnë në luftë këtu, kur sot në Itali edhe shqiptarë të plagosur nga armiku po kurohen në spitalet e luftës dhe kanë nevojë për ndihmë”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se është e vërtetë që të gjithë janë mbyllur në kufijtë e tyre dhe edhe vende shumë të pasura u kanë kthyer kurrizin të tjerëve, por mbase pikërisht se nuk jemi të pasur dhe nuk na ka lënë kujtesa akoma, ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos i tregojmë Italisë se shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun në vështirësi.

“Kjo është një luftë ku askush nuk fiton dot i vetëm dhe ju të dashur anëtarë e anëtare të këtij misioni kurajoz për jetën po niseni për një luftë që është edhe e jona. Sot ne jemi të gjithë italianë dhe Italia duhet dhe do ta fitojë luftën edhe për ne dhe gjithë Europën dhe botën. Zoti ju bekoftë të gjithëve!” – tha Rama./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/227847448575281/?t=0

30 mjekë dhe infermierë shqiptarë nisen drejt Bergamos/ Rama: Italia është shtëpia jonë dhe sot jemi të gjithë italianë Read More »

Si aplikohet për të marrë lejen e daljes nga shtëpia në e-Albania

“Përdor teknologjinë, ruaj veten dhe të tjerët”. Ky është mesazhi që ka dhënë sot drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karcanaj.

“Duke nisur nga dita e hënë, përmes e-Albania do disiplinohen daljet nga shtëpia, për të mbrojtur jetët e secilit prej nesh”, ka thënë ajo.

Ajo shpjeguar se si mund të aplikosh për lejedalje. “Konkretisht, qytetari apo biznesi hap faqen e-Albania dhe klikon në shërbimin “Leje për dalje”. Pasi vendos emrin, një person i vetëm i familjes, orën e lëvizjes (1 orë në fashën 05:00-13:00) dërgon kërkesën e cila miratohet menjëherë. Në e-mail do merrni konfirmimin”, ka shtuar ajo.

Për bizneset, Kacanaj ka shpjeguar se, “aplikimi bëhet me numrin e NIPT-it. Administratori përcakton emrat e punonjësve dhe numrat e tyre të telefonit, të cilët do të njoftohen me SMS për lejen e daljes”.

“Shumë më pyesin: po unë që s’kam internet apo smartphone? Qytetarët që nuk aksesojnë dot internetin, mund të bëjnë kërkesën 24 orë para me SMS përmes numrit FALAS 55155. Në mesazh dërgohet numri i kartës së identitetit dhe ora e lëvizjes (p.sh IxxxxxxxxB 10:00) dhe po me SMS, qytetari merr miratimin e lëvizjes”, ka thënë ajo.

“Kujtoj, që vetëm një person në familje mund të aplikojë për “Leje për dalje”. Pensionistët dhe moshat e thyera nuk do pajisen me leje, pasi është jetike që ata të qëndrojnë brenda”, ka shtuar Karcanaj.

“Në telefonat tuaj, ruani e-mail-in apo SMS miratuese e cila duhet t’i tregohet policisë në rast ndalimi. Mungesa e lejës ju penalizon me gjobë”, ka theksuar ajo/atsh

Si aplikohet për të marrë lejen e daljes nga shtëpia në e-Albania Read More »