Lajmi i fundit

Vendimi/ Ndalohen operacionet e planifikuara deri në përfundim të situatës së epidemisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka firmosur sot urdhrin për shtyrjen e ndalimit të ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara deri në përfundim të situatës së epidemisë të shkaktuar prej COVID-19.

Kështu, në pikën 1 të urdhrit nr. 147 datë 09.03.2020 “Për ndërprerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale të planfikuara në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” tofjalëshi “deri në datën 3 prill 2020″ zëvendësohet me togfjalëshin “deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19./atsh

Vendimi/ Ndalohen operacionet e planifikuara deri në përfundim të situatës së epidemisë Read More »

Masat ndaj COVID-19/ Përgjysmohen pagat e kabinetit qeveritar dhe administratës shtetërore

Këshilli i Ministrave vendosi sot që Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat, gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 deri në përfundim të saj, por jo më shumë se tre muaj, përfitojnë page mujore neto në masën 50% të pagës mujore neto aktuale.

Në mbështetje të ligjit “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave vendosi që nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, të bordeve apo të komisioneve të institucioneve të administratës shtetërore, të institucioneve publike të arsimit të lartë, të njësive të fondeve speciale, të ndërmarrjeve shtetërore dhe të shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, për periudhën nga data 1 prill 2020 deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, por jo më shumë se tre muaj, nuk e përfitojnë shpërblimin mujor përkatës.

“Përjashtohen nga zbatimi i pikës 2, të këtij vendimi, nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, bordeve apo komisioneve të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në kuptim të këtij vendimi, institucione të administratës shtetërore janë ato të përcaktuara sipas ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”. Institucionet përkatëse, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, të derdhin shumat e papaguara në buxhetin e shtetit, në fondin anti COVID-19, të miratuar për vitin 2020, në bankën e nivelit të dytë Credins Bank, me numër llogarie në lekë nr. 1348338, me IBAN: AL 152121 1016 0000 0000 0134 8338.6”, – theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Kryeministria, aparatet e ministrive, ndërmarrjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital mbi 50% shtetëror si dhe institucionet e administratës shtetërore, të cilat sipas legjislacionit të tyre specifik, kanë këshilla apo borde drejtuese me të drejtë pagese.
Atsh
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare./

Masat ndaj COVID-19/ Përgjysmohen pagat e kabinetit qeveritar dhe administratës shtetërore Read More »

Indeksimi i pensioneve në masën 2.3%, nga sot realitet për 669 500 pensionistë të çdo kategorie

Nga sot indeksimi i pensioneve në masën 2.3% bëhet realitet për çdo pensionist në vend.

Pavarësisht situatës me Pandeminë COVID19, Qeveria mbetet e angazhuar të bëjë realitet cdo masë për të mbuluar nevojat ekonomike të pensionistëve, prindërve dhe gjyshërve.

Nga vendim i Qeverisë shqiptare për indeksimin e pensioneve përfitojnë 669 500 qytetarë, që marrin pension të çdo kategorie nga shteti shqiptar.

Me indeksimin prej 2.3% e ardhura minimale nga pensioni bëhet 16 219 lekë në muaj, ndërsa ajo maksimale nga pensioni bëhet 28 639 lekë në muaj.

“Ky indeksim favorizon edhe 12 mijë nëna të vetpunësuara në sektorin bujqësor dhe 14 mijë përfitues të ardhshëm të pensioneve, duke e çuar në total numrin e përfituesve në 682 800”, bëri të ditur ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj./atsh

Indeksimi i pensioneve në masën 2.3%, nga sot realitet për 669 500 pensionistë të çdo kategorie Read More »

Riatdhesimi me anije i 99 qytetarëve italianë dhe shqiptarë/ Ambasada e Italisë falënderon institucionet shqiptare

Ambasada e Italisë në Tiranë ka falënderuar sot institucionet shqiptare, GDF dhe kompaninë “Adria Ferries” të cilat në një moment kaq të vështirë kanë bërë të mundur riatdhesimin me anije të 99 shtetasve italianë dhe shqiptarë për në Itali.

Në një deklaratë për mediet, Ambasada e Italisë shprehet se “sot në mëngjes mbërriti në portin e Barit një traget i kompanisë “Adria Ferries”, i cili transportoi 99 persona, shtetas italianë dhe disa qytetarë shqiptarë me leje qëndrimi të rregullt në Itali, të cilët mbetën të bllokuar në Shqipëri”.

“Kjo procedurë u autorizua në mënyrë të jashtëzakonshme nga institucionet dhe autoritetet kompetente shqiptare me qëllim riatdhesimin në Itali të shtetasve te cilët informuan ambasadën italiane se kishin mbetur të bllokuar në Shqipëri me automjetin e tyre, duke dhënë arsye urgjente për kthimin në Itali për nevoja shumë serioze familjare. Midis tyre edhe dy mjekë shqiptarë te cilët iu përgjigjën menjëherë thirrjeve të strukturave shëndetësore në Itali, duke paraqitur kërkesë për kthim të menjëhershëm. Në këtë periudhë te madhe emergjence, shfaqet edhe me më shumë forcë marrëdhënia e veçantë midis vendeve tona dhe solidariteti i madh i një vendi mik si Shqipëria. Duartrokitje të veçanta për dy mjekët shqiptarë, të cilët kanë vendosur t’i përgjigjen menjëherë thirrjeve të strukturave të tyre shëndetësore për të ndihmuar kolegët italianë, duke iu bashkuar grupit të 30 mjekëve dhe infermierëve të dërguar të shtunën e kaluar nga Kryeministri shqiptar Edi Rama”, deklaroi ambasadori italian Bucci.

Ambasada italiane shton se “ për çdo kërkesë për asistencë, të gjithë qytetarët italianë janë të ftuar të përdorin adresën e e-mail-it të veçantë: [email protected]. Të gjithë aplikantët e tjerë të mundshëm janë të ftuar të lexojnë me kujdes urdhrin e fundit të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit të datës 28 mars 2020 – e konsultueshme në faqen e internetit”. /atsh

Riatdhesimi me anije i 99 qytetarëve italianë dhe shqiptarë/ Ambasada e Italisë falënderon institucionet shqiptare Read More »

8 pacientë të tjerë rezultojnë negativë, deri tani 52 të shëruar nga COVID-19

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se 8 persona të infektuar me COVID-19 janë shëruar.

Personat kanë rezultuar negativ pas testeve të bëra, duke e fituar betejën me koronavirusin.

“Lajm i mirë: 8 të shëruar sot”, deklaron Rama.

Edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e ka cilësuar lajm të mirë shërimin e 8 personave.

“Lajm i mirë… Edhe 8 të shëruar sot. Deri tani 52 të shëruar nga COVID-19”, deklaron ministrja.

Deri tani në vendin tonë janë 223 persona të infektuar nga koronavirus, ndërsa 11 raste të reja u shënuan gjatë 24 orëve të fundit./atsh

8 pacientë të tjerë rezultojnë negativë, deri tani 52 të shëruar nga COVID-19 Read More »

Kurba e COVID-19 në Shqipëri / Rama: Sa më fort të rezistojmë sot, aq më e butë do jetë ngjitja

“Sa më fort të shtrëngohemi dhe rezistojmë sot, aq më e butë do jetë ngjitja e shigjetës së kuqe, aq më pak viktima e plagë të rënda do te kemi dhe aq më shpejt mund të fillojmë të dalim, pak nga pak, nga ky rrethim i hekurt në mbrojtje”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama publikoi një grafik që tregon ritmin e përhapjes së COVID-19 në Shqipëri dhe në vende të tjera të rajonit dhe botës.

Rama kërkoi nga qytetarët të bëjnë rezistencë në këtë situatë. “Rezistencë, rezistencë rezistencë”, tha Kryeministri, ndërkohë që autoritetet shtetërore kanë vendosur masa drastike për kufizimin e lëvizjes.

Në grafikun e paraqitur nga Kryeministri duket qartë se deri tani kurba e pandemisë së COVID-19 në Shqipëri po rritet me ritme më të ngadalta se në vendet e tjera./atsh

Kurba e COVID-19 në Shqipëri / Rama: Sa më fort të rezistojmë sot, aq më e butë do jetë ngjitja Read More »

Fico: 4 fëmijët e prekur me koronavirus janë në gjendje të mirë shëndetësore

Katër fëmijët e prekur me koronavirus janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Lajmi u bë i ditur nga drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico.

“Unë do të thosha që fëmijët siç thotë edhe referenca botërore, janë ata më pak të prekurit ose me format më të lehta. Jam e gëzuar t’ju them që deri tani që flasim, gjendja e tyre është e mirë”, – tha Fico.

Lidhur me strukturat e vëna në dispozicion në rast të shtimit të numrit të të prekurve me COVID-19, pra të fëmijëve, është në dispozicion shërbimi Infektiv i Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”./atsh

Fico: 4 fëmijët e prekur me koronavirus janë në gjendje të mirë shëndetësore Read More »

Vetëm një person për familje/ Hapat që duhet të ndiqni për të marrë lejedaljen në “e-Albania”

Duke nisur nga dita e hënë, qytetarët përmes e-Albania do të mund të marrin leje për daljet nga shtëpia për pazar, vetëm një person për familje.

Ju duhet leje për të dalë në pazar, por ja çfarë duhet të dini. Nëse dërgoni SMS, duhet të prisni.

Konkretisht, qytetari hap faqen e-Albania dhe klikon në shërbimin “Leje për dalje”. Pasi vendos emrin, një person i vetëm i familjes, orën e lëvizjes (1 orë në fashën 05.00-13.00) dërgon kërkesën, e cila miratohet menjëherë. Në email do merrni konfirmimin. Por e-albania ka publikuar një listë me shjegime mbi këtë proces.

Ja çfarë duhet të dini:

1. Çfarë lejesh janë këto?

Këto janë leje për këmbësorët, që duhet të dalin nga shtëpia për të blerë: ushqime, ilaçe apo për shërbesa të tjera.

2. Si mund të aplikoj për këtë leje?

Aplikimi nëpërmjet internetit:

Klikoni www.e-albania.al ose nëpërmjet aplikacionit e-albania, të cilin mund ta shkarkoni në smartphone-n tuaj dhe të kërkoni shërbimin: “Leja për Dalje”.

Për të aplikuar për këtë shërbim ju duhet të jeni i identifikuar në portal. (Regjistrohu në portal nëpërmjet të dhënave të kartës suaj të identitetit nëse nuk jeni regjistruar më pare.)

Aplikimi me anë të sms-së në telefon:

Ata qytetarë, që nuk kanë mundësi të aplikojnë në internet, mund të dërgojnë një mesazh të thjeshtë në numrin: 55155 me tekst: Numri i kartës së identitetit dhe orën e daljes.

Psh: J12345678L 0930

3. Kur e marr miratimin e lejes, kur aplikoj nga e-Albania?

Aplikimi nga aplikacioni e-Albania, miratohet automatikisht në moment dhe vjen në e-mail-n tuaj, dhe në numrin e telefonit nëse keni regjistruar numrin tuaj gjatë aplikimit.

4. Kur e marr miratimin, kur aplikoj me sms në 55155?

Kur aplikohet me sms, miratimi për lejen e kërkuar vjen 1 ditë më vonë, pra të nesërmen.

Psh: Nëse dergon një mesazh ditën e hënë, miratimi me sms vjen ditën e martë dhe qytetari mund të dalë ditën e mërkurë.

5. Për sa kohë është kjo leja?

Leja është për një datë të caktuar dhe zgjat vetëm 1 orë, brenda fashës orare: 05.00-13.00.

6. A mund të lëviz me automjetin tim me këtë leje?

Jo, “Leja per dalje” është për këmbësorët.

7. Sa herë që më duhet të dal, duhet të aplikoj?

Po, ju duhet të aplikoni sa herë që ju nevojitet të dilni për të bërë pazar, për të shkuar në farmaci apo shërbesë tjetër. Por, vetëm 1 orë brenda një dite.

8. Shtetasit e huaj si mund të aplikojnë? / How can foreign citizens apply for a permission?

Shtetasit e huaj mund të aplikojnë një leje për dalje ditore, duke dërguar një sms në numrin 55155 me formatin “F IDnumber Time”

Foreign citizens may apply for a one time per day pemission by sending a text message at the number 55155 with the format “F IDnumber Time” (F stands for Foreigner)

Example: F J1234567G 0930

9. Po, për të shkuar në punë duhet të aplikoj?

Jo, për të shkuar në punë si këmbësor nuk nevojitet aplikim për leje-dalje.

10. Po, kur jemi në një certifikatë unë dhe prindërit e mi, por ata jetojnë në një qytet tjetër nga unë si mund të aplikojmë për të dalë të dyja palët?

Në rastet kur disa anëtarë të certifikatës suaj familjare jetojnë në një qytet tjetër dhe ju punoni e jetoni në një qytet të tjetër, të dyja palët mund të aplikojnë për leje duke qenë se verifikohet vendndodhja e ndryshme e punës për anëtarë, që i përkasin së njëjtës certifikatë familjare.

11. Po, për të shkuar në spital vlen kjo leje?

Në rast se ju do të shkoni në këmbë në spital, patjetër që vlen./atsh

Vetëm një person për familje/ Hapat që duhet të ndiqni për të marrë lejedaljen në “e-Albania” Read More »