Epidemiologët në qytetin e Vlorës vijojnë punën për gjurmimin e rasteve me shenja të dyshimta për koronavirus.
Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Vlorë bën të ditur se “Vlora për disa javë radhazi vijon të mos regjistrojë asnjë rast të ri me COVID -19.
Megjithatë stafi i Epidemiologjisë po bën mbikëqyrjen dhe gjurmimin e rasteve me shenja të dyshimta për koronavirus”.
Epidemiologët testojnë orar pa orar edhe në mesnatë, duke bërë të pamundurën për të kapur në kohë rastet dhe për të frenuar përhapjen e epidemisë së COVID-19.
Pandemia e koronavirusit nuk ka kursyer askënd, qofshin të fortë fizikisht apo me probleme ekzistuese të shëndetit.
Një kontigjent mjaft i prekur janë dhe punonjësit e policisë. Materiali në vazhdim sjell historinë e Altin Çeloaliaj, një oficeri policie i cili më 13 prill u diagnostikua me koronavirus.
Ai është vetëm një prej shumë policëve të prekur nga pandemia në shtetin e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, disa prej të cilëve nuk arritën dot t’i mbijetojnë sëmundjes. Në intervistën dhënë koleges Menada Zaimi, 33 vjeçari shqiptaro-amerikan, rrëfen eksperiencën e tij me sëmundjen, që mund të vërë poshtë siç thotë, edhe më të shëndetshmin.
Krahas punonjësve të shëndetit publik që shërbejnë në vijën e parë të frontit kundër pandemisë, një tjetër grup në rrezik janë punonjësit e policisë.
Një prej tyre është oficeri Altin Çeloaliaj, i cili punon për agjencinë ligjzbatuese që mbulon Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, dy shtete të goditura rëndë nga pandemia.
Objekt i punës së tij është anti-terrorizmi dhe zakonisht përfshin pak ndërveprim me publikun. Por në këtë kohë krize misioni i punonjësve të policisë ka qenë edhe më i gjerë, duke i ekspozuar ata jo rrallë herë me persona të prekur nga koronavirusi.
“Iu përgjigja një thirrje për ndihmë ndërsa isha në detyrë, ndihmova dikë. Më tha më fal, por unë jam me koronavirus. Besoj aty e kam marrë virusin, duke punuar. Fillimisht nuk e mendova shumë, pasi nuk iu afrova shumë. Thashë nuk do të jetë ndonjë gjë. Dy tre ditë më pas më filloi kolla dhe simptoma të tjera”, thotë oficeri i policisë Altin Çeloaliaj.
Kolla është një nga simptomat që shoqëron rëndom sëmundjen, e që duket se merr kohë për t’u larguar edhe pas shërimit. Intervista jonë me Altinin ndërpritet disa herë prej kollës…
Por ai thotë se ndihet shumë më mirë sesa dy javë më parë…
“Kisha shumë kollë, mezi flisja dhe kisha dhimbje në gjoks. Pastaj filloi temperatura ajo ishte më e keqja. Sidomos natën bëhej edhe më keq. Ishte e vështirë. Kur ngrihesha nga krevati të shkoja në banjë, më duheshin 20 minuta vetëm të mbushesha me frymë. Prej datës 2 deri në 13 isha keq, tani kam pak kollë, por jam shumë më mirë”, thotë ai.
Altini nuk është i vetmi në departamentin e tij që është prekur nga sëmundja.
“Ka disa të tjerë (kolegë) që janë në shtëpi si unë, që po marrin veten nga sëmundja”, thotë ai.
Kjo ka qenë një periudhë e vështirë në shumë aspekte për 33 vjeçarin. Ka kaluar më shumë se një muaj që ai jeton vetëm në shtëpi pa bashkëshorten shtatzënë e cila po jeton me prindërit e tij. Në një përpjekje për t’i ruajtur ata nga virusi, Altini i kaloi ditët më të vështira të sëmundjes i vetëm. Dhe nuk ishte e lehtë, qoftë edhe për një oficer policie.
“Më e vështirë se të kalosh virusin është ndarja nga familja. Nusja është shtatzënë me binjakë, është shtatë muajshe, ka nevojë të shkojë tek doktori dhe unë nuk jam aty ta ndihmoj, u bë një muaj. Edhe prindërit janë në merak. Kur isha sëmurë vinin çdo ditë dhe më linin ushqim tek dera, por unë nuk ngrihesha dot fare nga krevati për t’i marrë”, shton Altini.
Nisur nga eksperieca e tij oficeri i policisë së Nju Jorkut ka një mesazh për të ndarë.
“Mendova se do të ishte si gripi normal. Thashë do të infektohem e do ta kaloj, nuk është gjë e madhe, por ishte më keq nga sa mendova. Isha me fat që gruaja ime ishte tek prindërit e mi dhe nuk sëmura njeri tjetër. Por do të ishte keq nëse kjo do të kishte ndodhur, pasi është shtatzane me binjakë dhe prindërit e mi janë të moshuar. Babi ka disa probleme shëndetsore.
Ndaj nuk duhet të mendojmë vetëm për veten, por edhe për prindërit e të tjerët. Ne të rinjtë e kalojmë, por disa nuk e kanë kaluar, një polic 34 vjeç vdiq pak ditë më parë”, thotë Altin Çeloaliaj.
Altin Çeloaliaj u testua poziv me COVID-19 më 13 prill. Ai thotë se është shëruar ose të paktën kështu mendon pasi simptomat po i fashiten. Por do të donte që gjithë kësaj historie t’i shtonte dhe një konfirmim zyrtar. Për shkak të volumit të madh të kërkesa ai thotë se nuk ka mundur të ritestohet.
“Tashmë ka kaluar më shumë se dy javë që kur u shfaqën simptomat. Më thanë (mjekët) që nuk përbën më rrezik për ta transmetuar virusin, por më kërkuan të rri edhe një javë tjetër në shtëpi që kjo gjë të jetë e sigurt.
Do të doja ta bëja sërisht testin të dilja negativ dhe të hiqja mendjen, sepse tani jam i izoluar nuk vete në asnjë vend, por më thanë që nuk ma bëjnë dot. Marrja e përgjigjes që isha pozitiv me COVID-19 më mori afërsisht nga 9-10 ditë, nëse e bëj tani sërisht testin, do të më kërkojë po aq, unë në datë 27 duhet të kthehem në punë”, thotë oficeri i policisë.
Sipas të dhënave më të fundit të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut rreth 20 për qind e punonjësve janë prekur nga COVID-19./VOA
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është operuar sot në Klinikën e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Presidenca njofton se operacioni ka kaluar me sukses dhe Thaçi është në kujdesin e personelit mjekësor.
Në njoftimin e presidencës thuhet se Thaçi i është nënshtruar sot një intervenimi endourologjik.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pasdite i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik endourologjik në Klinikën e Urologjisë në Shërbimin Spitalor Kliniko-Universitar të Kosovës.
Sipas personelit mjekësor, operacioni ka qenë i suksesshëm dhe presidenti është nën kujdesin e vazhdueshëm të personelit mjekësor profesional.
Pas përfundimit të këtij intervenimi, presidenti Thaçi është shprehur mirënjohës për profesionalizmin dhe kujdesin e stafit profesional në Klinikën e Urologjisë dhe në tërë SHSKUK-në, thuhet në njoftim./KosovaPress/
Shqiptarja nga Vlora, Etleva Veizaj, e cila prej 20 vitesh jeton në qytetin e Ferentinos, Lazio, ka dhënë ndihmën e saj, duke qepur dhe dhuruar 600 maska për ata që kanë nevojë.
Me përhapjen e shpejt të koronavirusit në shtetin fqinj, Itali, shumë shqiptarë janë përfshirë në nisma të ndryshme për të ndihmuar në komunitet.
Veizaj tregon se mori këtë iniciativë pasi pa që njerëzit në qytetin e saj, po përballeshin me mungesë të maskave, në një kohë kur ato janë kthyer në domosdoshmëri jetike për secilin nga ne.
“Ideja për këtë iniciativë erdhi pasi pashë njerëzit në rrugë pa maska dhe mamaja ime më tha që mund të fillosh dhe ti qepësh maska për njerëzit të cilët kanë nevojë dhe t’i shpërndash ato”, shprehet ajo për gazetën “Diaspora Shqiptare”.
Për vetëm një muaj Veizaj ka qepur mbi 600 maska, të cilat jua ka shpërndarë qytetarëve shqiptaro-italian si dhe qendrave të mbrojtjes civile dhe asistencave sociale në Ferentino.
Maskat e saj janë të punuar nga dy shtresa, me copa të pëlhurës dhe pambukut, ato mund të lahen dhe të dezinfektohen ndërsa tregon se brenda 4 orëve ka arritur të qepë deri në 30 maska.
Veizaj, me dëshirën që ka për për të kontribuar gjithnjë në komunitet, është e angazhuar edhe si vullnetare pranë shoqatës “AIRC” në ndihmë të njerëzve me sëmundje tumoriale.
“Më pëlqen të ndihmojë njerëzit që janë në nevojë, kjo është pasuri më e madhe që mund të bëjmë”, tha ajo.
Gjatë 24 orëve të fundit, 29 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve nga COVID-19, duke e çuar numrin e personave që kanë fituar betejën me këtë sëmundje në 385.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se deri tani rezulton që Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë zona ku të gjithë të prekurit deri tani, janë të shëruar.
Aktualisht në vendin tonë janë 251 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.
“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 26 të shtruar nga të cilët 4 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive, në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavion. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 34 pacientë’, -bën të ditur ministria e Shëndetësisë./atsh
Kuvendi miratoi sot zgjatjen e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Me kërkesë të qeverisë, gjendja e fatkeqësisë është shtyrë deri në datën 23 qershor, teksa vendi ndodhet në vështirësi për shkak të situatës me COVID-19.
Kuvendi u mblodh në një seancë plenare, ku miratoi me 91 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim, projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 64, datë 31.5.2012, “Për peshkimin” të ndryshuar./atsh
Moderatori i emisionit “Stop”, Saimir Kodra, ka pranuar gjatë emisionit të tij se ka rezultuar pozitiv në analizën seriologjike, çka tregon se ai ka qenë i prekur me Covid-19.
Kodra tregoi se mund të ishte infektuar me koronavirus që në muajin janar dhe këtë e kishte vërtetuar analiza e tij.
Megjithatë, ai njoftoi se tashmë e ka mposhtur virusin pa asnje shenje dhe është shëndoshë e mirë.
“Dua t’ju tregoj se kam bërë analizën dhe doli se unë e isha infektuar nga koronavirusi, por e kam kaluar atë, madje që në janar”.
Kodra shtoi se megjithëse ishte infektuar, nuk kishte pasur asnjë simptomë të Covid-19.
Kryeministri Rama ndërsa shpjegoi strategjinë e fazës së dytë të lehtësirave, theksoi se hapja për qytetet nuk do të jetë e njëjtë, por kjo e fundit në varësi të riskut që paraqesin për situatën COVID, lidhur edhe numrin e të infektuave.
Edhe pse sipas Ramës, Shqipëria sot hyn ndër vendet më të suksesshme sa i përket dy parametrave kryesore, fakti i hapjes mund ta kthejë mbrapsht vendin nëse nuk respektohen rregullat e duhura.
Kryeministri tha se për shembull, në Gjirokastër dhe Dibër do të ketë më shumë lehtësim masash, ndërsa në Krujë, Tiranë apo Durrës, lehtësim të moderuar.
“Do të hapemi me kujdes, por ama jo kudo njësoj dhe njëkohësisht. Po ta shohim sot bilancin e Shqipërisë në hartën e Ballkanit, Europës, botës po të doni, ne hymë në grupin e vendeve më të suksesshme aktualish në dy parametrat kryesorë. Të gjitha janë të rëndësishme por dy janë: numri i të vdekurve për 1 milion banorë dhe numri i të sëmurëve në terapi intensive në raport me numrin e të infektuarve, sepse masat e forta shtrënguese kanë funksionuar më së miri deri këtu falë qeverisë që i mori shpejt. Më lejoni ta them që deri këtu ka bërë një menaxhim shembullor, por mbi të gjitha falë jush, falë qytetarëve shqiptarë dhe që në 99% keni qënë engjëj mbrojtës të familjeve tuaja dhe të vetmet për popullin tonë.
Më tej, kryeministri u shpreh se “po të shohim hartën e Shqipërisë kemi një pamje të qartë që vala e goditjes së armikut nuk ka qënë kudo e njëjtë. Kjo do të thotë që nëse hapim kudo njësoj dhe njëkohësisht, ne rrezikojmë ta zgjerojmë dhe jo ta ngushtojmë fushëveprimin e armikut, gjë që do t’u kushtonte padrejtësisht të gjjithëve njësoj në kthim të të gjithëve mbrapa. Sepse numri i të infektuarve dhe për pasojë i pacientëve në nevojë për terapi intensive, duke u hapur të gjithë njësoj kudo rritet niveli përtej një garancie për sistemin tonë shëndetësor. Prandaj ne do të hapim kudo por jo njësoj kudo’.
“Për shembull, në një zonë si Gjirokastra apo Dibra ku risku është sot për sot shumë i ulët, mund të kemi më shumë lehtësim të masave ndërsa në një zonë si Kruja për momentin asnjë lehtësim, apo në një zonë si Tirana dhe Durrësi që kanë intensitet popullate, një lehtësim të moderuar. Këto zona nuk janë një e përgjithnjë, por mund të variojnë në bazë të dinamikës se luftës, shifrave të të infektuarve dhe sjelljes së qytetarëve ne raport me rregullat”, u shpreh Kryeministri.
Sipas Ramës, “kjo qasje taktike do të na mësojë shumëçka gjatë muajit maj por mbi të gjitha do të na garantojë një hapje shumë më të sigurt dhe risk shumë më të ulët, që të mos kthehemi të giithë mbrapsht për shkak se u rrit kudo efekti i valës goditëse. Nga ana tjetër, kjo qasje do të lehtësojë shumë në zona të ndryshme, lëvizje në këmbë apo me automjet brenda përbrenda zonës, pa i detyruar zonat me risk të ulët të rrinë mbyllur në krahasim me një zonë me risk të lartë. Për shkak se një zonë me risk të lartë jashtë kontaktit me ta, ka një zinxhir infeksionesh. Brenda disa bashkive do të lehtësojmë lëvizjen brenda territort përkatës duke hequr atë dhimbjen e kokës së fshatit për shembull për të shkuar në qytet apo të një familje të tërë për të ndenjur brenda sepse vetëm një anëtar i saj mund të dalë. Po ashtu edhe fashat orare, nuk kanë sesi të jenë njësoj si në zonat me risk të ulët ashtu edhe në zonat me risk të lartë. Nga ana tjetër, sjellja e duhur e komunitetit mund ta mbajë zonën në risk të ulët në vazhdimës. Ashtu sikundër masat e shtrënguara në një zonë më risk të lartë dhe respektimi i tyrë nga të gjithë qytetarët mund ta kthejnë atë më shpejt se vonë në një zonë me riskt të ulët. Ky është parimi taktik i fragmentimit të valës goditëse për armikun”./atsh