Lajmi i fundit

KLGJ vendos rifillimin e punës në sistemin gjyqësor, duke filluar nga 27 prilli

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur që sistemi gjyqësor t’i rikthehet punës në të gjithë vendin duke filluar nga 27 prilli.

Në mbledhjen e tij të radhës, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë,më datë 27 prill 2020.
Veprimtaria e gjykatave do të vijojë sipas kufizimeve të përcaktuara në Aktin Normativ nr.9, datë 25.03.2020, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 16.04.2020.

Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se mbetet i angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë e publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave. Për këtë qëllim, në bashkëpunim me këshillat dhe kryetarët në detyrë të gjykatave, është duke punuar intensivisht për marrjen e masave me karakter organizativ dhe administrativ, në mënyrë që rifillimi i veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në çdo gjykatë të bëhet në përputhje dhe respektim të masave për kufizimin e përhapjes së COVID-19.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi rifillimin e veprimtarisë së tij, në përputhje me rregulloren “Për përcaktimin e masave për kufizimin e përhapjes së COVID-19 gjatë ushtrimit të veprimtarisë së Këshillit të LartëGjyqësor”, si edhe rifillimin e procedurave administrative të pezulluara për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, për ngritjen në detyrë në gjykatat e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar, për komandimin në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për komandimin në Shkollën e Magjistraturës dhe për komandimin në Ministrinë e Drejtësisë, duke zgjatur edhe afatet respektive të kandidimit./atsh

KLGJ vendos rifillimin e punës në sistemin gjyqësor, duke filluar nga 27 prilli Read More »

Edlira Kraja emërohet në krye të Autoritetit të Aviacionit Civil

Këshilli i Ministrave vendosi sot lirimin nga detyra të drejtorit ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil, Krislen Kerit dhe zëvendësimin e tij me Edlira Krajën.

Në vendimin e publikuar thuhet se “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 12, të ligjit nr.10233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi: Edlira Kraja emërohet drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil’.

Me tej thuhet se “Krislen Keri, drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, lirohet nga kjo detyrë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”. /atsh

Edlira Kraja emërohet në krye të Autoritetit të Aviacionit Civil Read More »

Meta dekreton ndryshimet në Kodin Penal: Të nevojshme, iniciativa e Kuvendit dhe e Qeverisë duhet mbështetur

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot ndryshimet në Kodin Penal për COVID-19.

Në një konferencë për mediat, Meta u shpreh se, “si Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, kam dekretuar shpalljen e ligjit nr. 35/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë”.

“Shpallja e ligjit u vlerësua e nevojshme në situatën pandemike që po kalon vendi ynë, për arsye se kohëzgjatja, pasojat, apo mundësia e ripërsëritjes së një situate të tillë, mbeten ende të paparashikueshme”, tha Meta.

“Kam ndjekur nga afër shqetësimet e bëra publike nga aktorë të ndryshëm mbi propozimin dhe miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal. Shmangia e procedurave të përshpejtuara në miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, nuk është një kërkesë vetëm formale kushtetuese, që duhet të respektohet nga komisionet e përhershme parlamentare dhe seanca plenare”, theksoi Meta.

Përkundrazi, shtoi Meta, “është një kërkesë kushtetuese që në thelb kërkon kryerjen e ndryshimeve në ligje të rëndësishme, me një konsultim dhe konsensus të gjerë. Ndaj dhe Institucioni i Presidentit të Republikës, iu përgjigj kërkesës për bashkëpunim dhe konsensus nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë, për ndryshimet në Kodin Penal”.

Meta tha se, “diskutimi i gjerë tekniko- juridik, ka çuar në përmirësime thelbësore të produktit të votuar nga Kuvendi. Nisur nga këto zhvillime, nga kjo gjendje e fatkeqësisë natyrore në të cilën ndodhemi, por mbi të gjitha, për shkak të boshllëkut ligjor që ka Kodi Penal sa i përket trajtimit të veprimeve që kryhen me dashje dhe qëllimin kriminal për përhapjen e sëmundjeve infektive, Presidenti vlerëson se iniciativa e Kuvendit dhe Qeverisë që mbrojtja e shëndetit publik të garantohet edhe nga normat penale, përpos atyre administrative, duhet mbështetur”.

“Presidenti i Republikës konstaton se mes draftit të propozuar nga deputetët, atij të miratuar në Komisionin përgjegjës për çështjet ligjore, dhe përmbajtjes së ligjit nr. 35/2020 të miratuar në seancë plenare, ka ndryshime thelbësore pozitive, të cilat kanë reflektuar një pjesë të sugjerimeve të Avokatit të Popullit, shoqërisë civile, ekspertëve të së drejtës dhe të Institucionit të Presidentit të Republikës, që lidheshin veçanërisht me: Llojin dhe masën e dënimit penal në përputhje me parimin e ligjshmërisë dhe të sigurisë juridike; Qartësimin e veprimeve apo mosveprimeve që ngarkojnë me përgjegjësi penale; Aplikimin e sanksionit penal, në mënyrë të përshkallëzuar, vetëm pasi të jetë aplikuar më parë sanksioni administrativ; Përcaktimin në mënyrë të qartë të përgjegjësisë penale në rastin e përhapjes së sëmundjes infektive të përfshirë në listën e sëmundjeve infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin sipas ligjit të posaçëm, vetëm për veprime të kryer me dashje dhe nga personat e diagnostifikuar si mbartës të saj; Saktësimin e rrethit të subjekteve, duke bërë që norma penale të aplikohet vetëm mbi: personat “që janë paralajmëruar më parë me një masë administrative për respektimin e masave”, personat “e diagnostifikuar si mbartës”, apo për personat “të cilëve u është njoftuar detyrimi i zbatimit të urdhërimeve nga organet kompetente”, tha Meta.

“Këto përmirësime thelbësore të dispozitave, që kanë ulur dukshëm masat e dënimit si dhe evidentuar më qartë elementët dhe format e konsumimit të këtyre dy figurave të veprave penale, respektojnë më shumë parimin e sigurisë juridike dhe proporcionalitetit”, theksoi Meta.

Meta theksoi se “është e domosdoshme që përpara hyrjes në fuqi të këtyre dispozitave të reja në Kodin Penal: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Komiteti i Ekspertëve dhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, duhet të vlerësojnë plotësimin e kuadrit ligjor apo nënligjor që lidhet drejtpërdrejtë me aplikimin e legjislacionit penal, si dhe përcaktimin e qartë dhe shterues sipas ligjit nr. 15/2016 të listës së sëmundjeve infektive të rrezikshme, që lidhen me zbatimin e masave të jashtëzakonshme, procedimin administrativ apo penal”.

“Të gjitha kufizimet, masat e veçanta apo rregullat, shkelja e të cilave sjell sanksione administrative e më pas penale, të nxjerra nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave apo çdo organ tjetër i ngarkuar nga ligji, duhet t`i nënshtrohen një fushate të gjerë e të vazhdueshme informimi publik, përpos botimit të detyrueshëm dhe brenda afatit në Fletoren Zyrtare; Fushata e informimit duhet të përfshijë edhe normat e reja penale. Pushteti vendor dhe Qeveria duhet të rrisin kapacitetet e tyre për t`iu përgjigjur në kohë kërkesave dhe nevojave jetësore të shtresave më në nevojë dhe pensionistëve të cilëve u është kufizuar totalisht liria e qarkullimit si dhe njoftimi i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë i personave të diagnostifikuar, karantinuar apo izoluar, dhe i të afërmve të tyre dhe personave të tyre të kontaktit, duhet të jetë i dokumentuar”, shtoi Meta.

Presidenti u shpreh se, “rritja e numrit të testimeve duhet të jetë qëllim i vazhduar i Qeverisë”.

“Një bashkëpunim midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutit të Shëndetit Publik, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është i domosdoshëm, për hartimin e udhëzimeve integrale që do të orientojnë Policinë e Shtetit, prokurorët dhe gjyqtarët për aplikimin e dispozitave të reja të Kodit Penal, bazur në kritere të qarta teknike dhe aktet ligjore e nënligjore në fuqi”, tha Meta.

“Miratimi i këtyre udhëzimeve dhe publikimi i tyre, duhet t`i paraprijë hyrjes në fuqi të dispozitave të reja të Kodit Penal, për të patur një zbatim objektiv, në përputhje me parimet kushtetuese dhe me rrethanat që kanë diktuar miratimin e këtyre normave të reja penale në këto moment”, tha Meta.

“Presidenti i Republikës mirëpriti edhe ndryshimet e tjera në Kodin Penal që trajtojnë dhunën në familje, në të gjitha format e shfaqjes së saj, ndërkohë që shihet me rezervë riformulimi jo i qartë sa i takon një pjese të rrethit të subjekteve të shtuar në dispozitën e dhunës në familje”, u shpreh Meta.

“Presidenti i Republikës gjen dhe një herë rastin t`u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë me durim dhe përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale. Po kështu, gjej rastin të theksoj rëndësinë e rritjes së transparencës në menaxhimin e pandemisë dhe rëndësinë e përkujdesjes për shtresat më të prekura nga kufizimet dhe pasojat ekonomike e sociale. Vetëm përmes një bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërmjet autoriteteve shtetërore dhe qytetarëve, do të jemi më të suksesshëm në kapërcimin e kësaj fatkeqësie natyrore”, përfundoi Meta./atsh

Meta dekreton ndryshimet në Kodin Penal: Të nevojshme, iniciativa e Kuvendit dhe e Qeverisë duhet mbështetur Read More »

Lehtësim i masave pas 4 majit, Pipero: Ecuria e pandemisë e lejon, për të moshuarit kufizimi të zgjasë më shumë

“Ecuria e deritanishme e epidemisë e lejon Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë të lejojë lirimin e masave shtrënguese”.

Kështu deklaroi sot në një intervistë televizive mjeku i njohur infeksionist Pëllumb Pipero.

“Mendoj se fundi i prillit dhe fillimi i majit na gjen shumë më të lehtësuar edhe nga sa tha Kryeministri jo vetëm lëvizjen e qytetarëve, por edhe gjallërinë e ekonomisë, por duke mos humbur në asnjë moment vigjilencën, sidomos nga bluzat e bardha dhe epidemiologët për të gjurmuar çdo rast të dyshimtë për të parandaluar krijimin e vatrave të reja”, – theksoi Pipero.

Pipero u shpreh se “jam dakord dhe mbështes masat e qeverisë për lehtësimin dhe gjallërimin e jetës qytetare dhe të ekonomisë. Është ende e nevojshme që të moshuarit dhe të sëmurët kronikë të jenë më të kufizuar përtej 4 majit me të tjerët dhe kufizimi i tyre të jetë dhe për një kohë pak më të gjatë e kufizuar dhe të jemi të kujdesshëm. Ne kemi filluar fazën e dytë të epidemisë, që është pak më e gjatë dhe pak më e zbutur dhe në favor të gjallërimit të jetës ekonomike dhe lëvizjes së qytetarëve. Pas majit rastet do të jenë sporadike, gjë që do lejojë lehtësimin e masave”.

Sipas Piperos, edhe plazhi do të mund të shijojet nga qytetarët këtë verë.

Mjeku Pipero tha se “pas çdo rasti të konfirmuar përfshihen 10 apo 15 raste të tjera të pakonfirmuara, ku pjesa më e madhe as nuk ka simptoma. Ritmi i transmetimit të virusit ka qenë i ulët në vendin tonë, ndoshta nën 2 dhe për këtë kurba ka qenë e zbutur dhe pas prillit do të ketë zbritje të qëndrueshme”.

“Kryeministri që nga fillimi i epidemisë ka folur me gjuhën e specialistëve të shëndetësisë dhe jo të politikanit. Më vjen mirë që shumë gjëra që tha Kryeministri sot ne specialistët, ku bëj pjesë edhe unë, i kemi thënë edhe më parë. Unë kam thënë që mesi i majit do të na gjejë më të lirë. Jam përkrahës i lehtësimit gradual në proporcion me epideminë, dhe kjo ecuri e epidemisë deri tani e lejon Kryeministrin të marrë këto masa”, – tha Pipero./atsh

Lehtësim i masave pas 4 majit, Pipero: Ecuria e pandemisë e lejon, për të moshuarit kufizimi të zgjasë më shumë Read More »

Epidemiologët nga veriu në jug, angazhim maksimal për gjurmimin e rasteve të dyshuara me COVID-19

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, falënderoi sot epidemiologët në të gjithë vendin për punën shembullore për gjurmimin e rasteve me COVID-19 dhe izolimin e vatrave në territor.

“Nga veriu, në jug, me vigjilencë e angazhim maksimal epidemiologët e strukturave vendore të shëndetësisë vijojnë punën pa u ndalur, për gjurmimin e rasteve të dyshuara për COVID-19”, – thekson Manastirliu.

Sipas saj, epidemiologët në terren po bëjnë një punë të palodhur,

Përveç mjekëve dhe infermierëve që janë në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19, edhe epidemiologët në qytete të ndryshme të vendit po bëjnë një punë për tu vlerësuar për gjurmimin e rasteve./atsh

Epidemiologët nga veriu në jug, angazhim maksimal për gjurmimin e rasteve të dyshuara me COVID-19 Read More »

Javën e ardhshme zgjerohet orari i daljes për pazar, në 4 maj lehtësohet lëvizja ndërqytetase me taksi

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se javën e ardhshme do të rritet orari i daljes në pazar, do të hapen edhe rrugët ndërqytetase për shërbimet taksi, për të lehtësuar sadopak njerëz që kanë nevojë të lëvizin nga një qytet në tjetrin.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë, Kryeministri Edi Rama tha se “nga e hëna, 4 maj, do ta lehtësojmë shumë lëvizjen ndërqytetase qoftë në këmbë, qoftë në makinë, madje pa e kufizuar vetëm tek makinat, që duan të shkojnë në punë”.

“Situata sot është goxha pozitive, por ju lutem të më kuptoni të gjithë se do të mbajmë mend disa gjëra të thjeshta. Kush është i mërzitur unë e kuptoj plotësisht, por nuk është nevoja të më besojë mua, thjesht të shikojë se ç’bëhet në vende rreth e rrotull nga Anglia, në Itali apo edhe në Amerikë”, – tha Rama.

“Armiku i padukshëm që po luftojmë nuk ikën, për faktin se ne mbyllemi brenda, po nuk doli vaksina, prandaj ne duhet të bashkëjetojmë me të. Kjo do të thotë se hapja do të jetë graduale, vigjilenca e secilit duhet të jetë maksimale dhe imponimi dhe vetimponimi i rregullave duhet të vazhdojë, përndryshe gjithçka që bëmë humbet çdo vlerë dhe kthehemi në pikën zero”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “e di që ju kanë lodhur, mërzitur e stresuar lejet, autorizimet, kufizimet, ndryshimet, por duhet të kuptoni të gjithë se kjo është një dhimbje koke për ju, është një dhimbje koke edhe për ne, edhe për mua që kam një përgjegjësi kaq të madhe, që t’ju mbroj nga e keqja më e madhe”./atsh

Javën e ardhshme zgjerohet orari i daljes për pazar, në 4 maj lehtësohet lëvizja ndërqytetase me taksi Read More »

Pasojat e COVID-19/ Brenda majit plani për turizmin, jetik për ekonominë

“Brenda majit do të kemi planin tonë për turizmin”, – theksoi sot Kryeministri Edi Rama në një komunikim të drejtpërdrejtë.

Kreu i qeverisë tha se “sot fola me Kryeministrin e Kroacisë lidhur me turizmin dhe jemi në kontakt me disa nga vendet që e kanë turizmin si ne jetik për ekonominë e tyre, por edhe pjesë të pandashme të jetës së njerëzve gjatë sezonit të verës”.

“Akoma nuk dihet me siguri asgjë, por gjithsesi falë edhe gjithë edhe ndërveprimeve me të tjerë do ta kemi ne planin tonë për turizim brenda majit. Shpresoj brenda gjysmës së parë të majit duke parë me gjithmonë me vëmendje dinamikën e epidemisë, sepse është shëndeti mbi të gjitha”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “nuk do të lejojmë për asnjë arsye që të degradojë gjendja solide që kemi sot në frontin shëndetësor pavarësisht stresit, stresit që prodhon me shumicë për të gjithë ne për arsye të ndryshme fronti i jetës së përditshme”./atsh

Pasojat e COVID-19/ Brenda majit plani për turizmin, jetik për ekonominë Read More »

“Paga e luftës”/ Nisin sot aplikimet e paketës së dytë financiare, procedura që duhet ndjekur

Të punësuarit aktualë dhe punonjësit e larguar nga puna si pasojë e COVID-19 të cilët përfitojnë nga vendimi i qeverisë pagën e jashtëzakonshme prej 40 mijë lekësh mund të aplikojnë që nga dita e sotme me anë të një formulari “Kërkesë për Përfitim të Ndihmës Financiare 2” tek portal i Tatimeve.

Më herët, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka publikuar mënyrën e aplikimit për pagën e luftës, nga paketa e dytë e ndihmës financiare.

Aplikimi do të kryhet nga subjektet, të cilët do të plotësojnë të dhënat e punonjësve të tyre, përfitues sipas kritereve të përcaktuar në vendimin e qeverisë që janë: Për të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 lekë, të mbyllura sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 lekë; të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS deri në datën 10 prill 2020, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 lekë. Data e dorëzimit të formularit E-sig 027, nuk duhet të jenë më e vonë së 10 prill 2020; të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë që në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 lekë si dhe të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 lekë.

“ Nëse subjekti ushtron disa lloje aktivitetesh, përfitojnë vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese”, thuhet në njoftimi e Tatimeve.

Për të dorëzuar formularin “Kërkesë për Përfitim të Ndihmës Financiare 2”, tatimpaguesit të cilët plotësojnë kriteret e mësipërme, do të njoftohen në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik në e-filing dhe do t’iu jepet mundësia të aplikojnë nëpërmjet kësaj llogarie duke filluar nga data 21 prill e në vijim. Formulari nr. 2 do të plotësohet me të dhënat e kërkuara vetëm 1 herë./atsh

“Paga e luftës”/ Nisin sot aplikimet e paketës së dytë financiare, procedura që duhet ndjekur Read More »