Lajmi i fundit

Komisioni i Ligjeve miraton zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në 23 qershor 2020

Komisioni i ligjeve miratoi sot propozimin për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në 23 qershor 2020.

Në mbledhjen e zhvilluan online dhe të drejtuar nga kryetari i këtij komisioni, Ulsi Manja, ishte i pranishëm edhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Me shumicë votash, komisioni miratoi projektvendimin “Për propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për dhënien e pëlqimit për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të shpallur me vendim nr. 243 datë 24.03.2020, të Këshillit të Ministrave” deri në datën 23.6.2020.

Pro këtij projektligji votuan shumica e deputetëve në Komision, ndërsa deputetët Alban Zeneli dhe Andi Përmeti abstenuan./atsh

Komisioni i Ligjeve miraton zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në 23 qershor 2020 Read More »

Ndërron jetë regjisori dhe aktori i mirënjohur Rikard Ljarja

Ka ndërruar jetë në moshën 77-vjecare aktori dhe regjisori i mirënjohur Rikard Ljarja. Ai u shua në shtëpinë e tij në Tiranë.

Artisti i njohur i filmit raportohet se vuante prej kohesh nga një semundje e rendë. Lamtumira e fundit pritet ti jepet në qytetin e Shkodrës.

Në vitin 1960 mbaroi maturën në Shkodër kurse në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu”, Tiranë.

Për tetë vite, pas diplomimit, punoi aktor i teatrit në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga kinostudiot. Prej 1996 deri 2002, kur doli në pension, ishte drejtor artistik në televizionin publik shqiptar.

Që prej vitit 1973 ka qenë protagonistë në shumë filma kinematografik, si “Fletë të bardha”, “Pesha e kohës” përkrah Kadri Roshit”, por edhe ka qenë regjisor si në filmi “Skëterr 43”, “Në pyjet me borë ka jetë”, e gjithashtu i madh ka qenë kontributi i tij edhe si skenarist edhe njeri i penës, ku gjatë viteve të fundit ka botuar disa libra. Ljarja gjithashtu ka qenë skenarist për filmat e njohur shqiptarë “Pesha e kohës” dhe “Kur hapen dyert e jetës”. Ai ishte bashkëshorti i aktores po të njohur shqiptare Marjeta Ljarja

Ndërron jetë regjisori dhe aktori i mirënjohur Rikard Ljarja Read More »

“coronavirus.al”/ 562 të infektuar me COVID-19, 314 të shëruar, 26 të vdekur dhe 5 542 teste

Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 562 të infektuar me COVID-19, 222 raste aktive, 314 të shëruar, 26 të vdekur, ndërsa janë kryer 5 542 teste gjithsej.

Shifrat bëhen të ditura nga adresa zyrtare e platformës “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare, vetëm për situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.

Përmes kësaj platforme qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19. /atsh

“coronavirus.al”/ 562 të infektuar me COVID-19, 314 të shëruar, 26 të vdekur dhe 5 542 teste Read More »

Kafenetë dhe qendrat tregtare të fundit që do të hapen, pagesat e sigurimeve shoqërore nuk shtyhen

Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur interesit të qytetarëve, deklaroi sot se qendrat tregtare do të hapen të fundit, si edhe kafenetë do të jenë të fundit që do të hapen.

“Insisto sa të duash, por kafenetë do të jenë të fundit që do të hapen. Kështu po bën e gjithë bota dhe ne nuk do dalim jashtë të tjerëve. Nëse ke kafene, je përfituese e pagës së luftës”, – tha Rama, duke iu përgjigjur një qytetareje.

Lidhur me pagesat e sigurimeve shoqërore, Rama shtoi se “nuk ka shtyrje! Me sigurimet shoqërore nuk luhet, janë si fatura e dritave, nuk kanë shtyrje afati. Nëse shtymë afatin e sigurimeve, i bie të mos paguajmë pensionistët, e pamundur!” – nënvizoi Rama.

Sa i takon udhëtimit me makinë private për në punë, Rama nënvizoi se duhet që pasagjeri dhe drejtuesi i mjetit të jenë ulur diagonal.

“Në makinë përpara, gruaja diagonal, pas, sepse po u hap për ty, të gjithë të tjerët do të thonë se ky mbrapa është gruaja ime, dhe pse mund të jetë burrë. Prandaj të gjithë të njëjtin rregull për pak kohë besoj, duke parë sesi do shkojnë gjërat në luftën me armikun e padukshëm”, – tha Rama.

Lidhur me turizmin, Rama tha se nuk ka afate. “Nuk e di të të them se kur, por çështja e turizmit ka mbetur dhe është e hapur nga e gjithë bota dhe deri më sot s’kam dëgjuar asnjë lider nga shumë vende që unë ndjek që të ketë folur ndonjë gjë konkrete. Lokalet e dasmave me prenotime, ose do presin të bëjnë një dasmë të madhe, ose do bëjnë një të vogël online, për të bërë një të madhe më vonë”, – tha Rama. /atsh

Kafenetë dhe qendrat tregtare të fundit që do të hapen, pagesat e sigurimeve shoqërore nuk shtyhen Read More »

Nesër jepet paga 40 mijë lekë për 176 mijë familje

Pagesa për të gjitha familjet që janë në vështirësi ekonomike është dyfishuar.

Kështu u shpreh Kryeministri Rama gjatë komunikimit live mesditën e sotme, ku theksoi se familjet e kanë marrë tashmë ndihmën ekonomike.

“Nuk e di ku e ke dëgjuar që do të dyfishohen pagat, nuk e kam thënë kurrë. Kam thënë që do të dyfishohet ndihma ekonomike, është dyfishuar dhe kanë marrë ndihmën ekonomike dyfish të gjitha familjet që janë me ndihmë ekonomike. Sa i përket pagave, njëra kategori, ajo që hyn në paketën e parë dhe që u mbyll me urdhër qeverie bam-bam dhe u godit bam-bam nga vala e parë, e ka marrë dhe po e merr dhe sot që flasim. Para se të vija këtu, po shkon në 50 mijë numri dhe në 2-3 ditët në vijim përfundon totalisht lëvrimi i atyre pagave prej atyre 60 e kusur mijë njerëz. Ndërkohë që nesër fillojnë pagat 400 mijë lekëshe për 176 mijë vetë. Nëse je një nga këto 176 mijë vetë, do të marrësh. Nëse nuk je në asnjë kategori, atëherë nuk do ta marrësh”, – tha Rama në përgjigje të pyetjeve të ardhura nga qytetarët. /atsh

Nesër jepet paga 40 mijë lekë për 176 mijë familje Read More »

Situata nën kontroll, lehtësohet puna për një pjesë të konsiderueshme të sektorit privat

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendimet që do të merren për të vijuar me hapjen e më tepër aktiviteteve ekonomike do të jenë të udhëhequra nga shifrat dhe situata që do të paraqitet në sistemin tonë shëndetësor.

“Në këtë proces ne udhëhiqemi në radhë të parë dhe pa diskutim nga shifrat në spitalin e Infektivit. Situata në spital është nën kontroll. Kemi vetëm një numër të kufizuar shtretërish të zënë, ndërkohë po përgatisim edhe spitalin tjetër. Kemi një numër minimal personash në terapi intensive dhe kjo na jep mundësi të shikojmë nga ana e hapjes, sepse e gjithë lufta bëhet për shëndetin që të mos mbetet njeri pa marrë kujdesin e duhur shëndetësor”, bëri të ditur Kryeministri, në një intervistë televizive.

Rama tha se me bllokun e parë të lehtësimit që është tanimë në aktivitet dhe me bllokun e aktiviteteve që do të hapen nga data 27 prill, është lehtësuar puna për një pjesë të konsiderueshme të forcës së punës për sektorin privat në Shqipëri.

“Janë 27 589 njerëz që kthehen në punë, ndërsa do të vijojë të mbështeten nga qeveria me “pagën e luftës”. Të gjitha pagat e premtuara do të shkojnë te ata që janë subjekt para dhe pas paketës së zgjeruar. Taksitë do të fillojnë punë, por ata do të vazhdojnë të marrin pagën e luftës sikundër punonjësit e dyqaneve e tregjeve”, siguroi Kryeministri.

Rama tha se sipas të dhënave, të gjithë personat që aplikuan për tu mbështetur nga paketa e parë e qeverisë, por që u refuzuan për shkak të kritereve të përcaktuara, që janë mbi 60 mijë individë, përfitojnë përmes paketës së zgjeruar mbështetëse bonusin prej 40 mijë lekësh, që do ta marrin shumë shpejt./atsh

Situata nën kontroll, lehtësohet puna për një pjesë të konsiderueshme të sektorit privat Read More »

Gati vërtetimi online në e-Albania për të gjitha bizneset që lejohen të hapen nga nesër, merret vetëm një herë

Bizneset e miratuara për hapje nga Ministria e Shëndetësisë duke nisur nga java që vjen (20 – 26 prill), mund të shkarkojnë online në www.e-albania.al vërtetimin.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se ky vërtetim merret vetëm një herë dhe se duhet të jetë i disponueshëm, në mjedisin e biznesit kur zhvillohet një procedurë kontrolli.

“Bizneset e hapura të zbatojnë përpikmërisht protokollin e sigurisë që është i publikuar në www.e-albania.al sipas kategorisë përkatëse”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri publikoi edhe hapat që një biznes duhet të ndjekë për tu pajisur me këtë vërtetim.

Nëse përfaqësuesi i biznesit nuk ka një llogari ekzistuese të biznesit në e-albania, ata mund të kryejnë hapjen e saj duke u identifikuar si “Administrator” me kredencialet e tyre. Më pas klikon butonin “Regjistro” një biznes dhe plotëson të dhënat që kërkohen.

Për të gjeneruar vërtetimin, mjafton të identifikoheni në llogarinë e biznesit në e-Albania me nipt-in tuaj dhe të përzgjidhni shërbimin “Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur”.

Pasi të klikoni butonin “Përdor”, menjëherë në ekran do t’ju shfaqen të dhënat e biznesit tuaj dhe mesazhi nëse subjekti Juaj lejohet ose jo të ushtrojë aktivitetin në këtë periudhë.

Klikoni butonin “Dërgo” dhe vërtetimi do të vijë menjëherë në adresën e email-it të biznesit që është regjistruar në platformën e-Albania.

Para se të mbyllni dritaren e konfirmimit në e-Albania, lutemi të lexoni me vëmendje protokollin e sigurisë, që duhet të zbatojnë bizneset e hapura.

“Ruani veten, punonjësit tuaj dhe konsumatorin. Mosdisponimi i vërtetimit si biznes i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë apo moszbatimi i protokollit përkatës të sigurisë, sjellin pasoja administrative dhe penale”, tha Kryeministri Rama.

Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur

“Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur” është një shërbim elektronik i cili u mundëson subjekteve të aplikojnë online për t’u pajisur me vërtetim që dëshmon se subjekti është i autorizuar të ushtrojë aktivitetin gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të COVID-19, në përputhje me urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Kujdes! Ky vërtetim duhet të mbahet gjatë gjithë kohës në ambientet e subjektit dhe t’i tregohet inspektorëve ose punonjësve të policisë në rast kontrolli.
Ky autorizim është i vlefshëm për mbajtësin, deri në momentin që aktiviteti të cilin ai ushtron është në listën e aktiviteteve të lejuara. Në rast se aktiviteti mund të përbëjë rrezikshmëri për shëndetin dhe futet në listën e aktiviteteve të mbyllura, atëherë autorizimi automatikisht humbet vlefshmërinë e tij, në momentin që njoftohet publikisht ndryshimi i kategorisë së aktivitetit.
Dokumentacioni i nevojshëm
Për këtë shërbim nuk nevojitet dokumentacion shoqërues.

Hapat e procedurës

– Identifikohuni si biznes me NIPT në portalin e-Albania;
– Zgjidhni shërbimin “Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur”;
– Klikoni butonin” Përdor”;
– Në formularin elektronik do të shfaqen të dhënat e biznesit tuaj dhe mesazhi nëse subjekti juaj lejohet ose jo të ushtrojë aktivitetin në këtë periudhë;
– Klikoni butonin “Dërgo” dhe vërtetimi do të dërgohet menjëherë në adresën e email-it te biznesit që është regjistruar në platformën e-Albania.
– Në rast se dëshironi të përdorni një email tjetër, ju duhet ta ndryshoni në rubrikën “Hapësira Ime” duke klikuar: Ndrysho të dhënat e llogarisë.
– Para së të mbyllni dritaren e konfirmimit në e-Albania, lutemi të lexoni me vëmendje protokollin e sigurisë, që duhet të zbatojnë bizneset e hapura.
Vërtetimin e gjeneruar mund ta gjeni gjithashtu në çdo kohë në seksionin “Dokumentet e mia” tek hapësira juaj në portalin e-Albania. /atsh

Gati vërtetimi online në e-Albania për të gjitha bizneset që lejohen të hapen nga nesër, merret vetëm një herë Read More »

Situata e epidemisë e kontrolluar, koha të fillojë lirimi i masave të forta

Ndërsa numri i të shtruarve me COVID në spital është në rënie dhe gjendja e pacientëve të infektuar paraqitet e mirë, këto janë shenja të cilat tregojnë se pas javës së shtatë të epidemisë, masat e ndërmarra nga qeveria do të lehtësohen nga pak.

Kështu u shpreh zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli e cila argumentoi se edhe pas lehtësimit të masave, nëse ndryshon dinamika dhe situata për keq, atëherë mund të ketë edhe tërheqje të lehtësimit të masave.

‘Siç e kanë treguar edhe numrat e tanishëm, situata është e kontrolluar. Asnjëherë jashtë atyre shifrave që na bënin të shqetësoheshim e të ndodheshim përpara një situate që do të sillte një numër të madh të sëmurësh. Pavarësisht luhatjeve të vogla në numër, këto gjëra interpretohen në kuadrin e numrave të mëdhenj, në kuadër të numrit të popullsisë , numrat janë po njësoj. Situata vazhdon të mbetet e kontrolluar. Gjëja që është shumë pozitive është fakti që kemi një rënie të numrit të të shtruarve në spitale. Pra, me këtë që po fillon tani, pra java e 7-të tashmë e pandemisë, me këtë fillon të matet realiteti. Numrat e të shtruarve në spital kanë ardhur vazhdimisht në rënie. Kryesorja është që shumica e të sëmurëve nuk janë të sëmurë në gjendje të rëndë. Vazhdojnë të mbeten në repartet e kujdesit intensiv, vazhdojnë të mbetet një numër jo i madh pacientësh që kanë nevojë për këtë lloj përkujdesje. Pra, shenjat e mira të dominimit të epidemisë janë pikërisht shenjat e numrave të sëmurëve që kanë nevojë për kujdes spitalor.

Rakacolli tha se aktualisht të sëmurë me COVID-19 që janë të intubuar janë vetëm 3 pacientë.

“Numri i qëndrueshëm i të infektuarve të rinj, gjendja pak a shumë e mirë e të infektuarve dhe numri i ulët nëpër spitale janë premisa që tregojnë që masat mund të fillojnë të lirohen.

Ajo tha se do të gjykohet situate në varësi të dinamikës së situatës, ku mund të ndodhë që pas lehtësimit të masave për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve mund edhe të rikthehen masat e izolimit.

“Nga analizat e hollsishme që është bërë, është koha t’i propozohet, pra të fillojmë lirimin nga këto masa kaq të forta që janë marrë’.

E pyetur mbi rastet në një fasoneri në Krujë, Rakacolli u shpreh se “në çdo lloj aktiviteti të mbajtur hapur si në spitale dhe aktivitete të tjera që janë gjykuar që mund të jenë të hapura, janë propozuar dhe kontrolluar marrja e mjeteve mbrojtëse. Pra, çdo punë që është bërë në lidhje me përdorimin e mjeteve mbrojtëse personale siç janë distancimi fizik, përdorimi i maskave, dorezave dhe gjithçka tjetër që lidhet me procesin e punës” ndërsa shtoi se “po bëhet një hetim i hollësishëm epidemiologjik si në fasoneri, ashtu edhe nëpër shtëpia. Ashtu siç po bëhet në familje, ashtu siç po bëhet në çdo vend në të cilin vlerësohet një person i infektuar me koronavirus’./atsh

Situata e epidemisë e kontrolluar, koha të fillojë lirimi i masave të forta Read More »