Lajmi i fundit
Tre qytetet “vatra” të nxehta në Shqipëri
Tirana, Shkodra dhe Fieri janë rrethet me numrin më të lartë të vatrave me Covid-19.
Në një intervistë për Televizionin Klan, shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetin Publik, Eugena Tomini tha se vatrat janë kryesisht familjare.
Përhapjen e Covid-19 nëpër fasoneri, Tomini e sheh të lidhur me mungesën e distancimit fizik.
Kjo ka çuar edhe në mbylljen e tyre.
Lidhur me lehtësimin e masave nga qeveria, Tomini tha se janë ndërmarrë pas vlerësimit të kritereve epidemiologjike.Ndërkohë po vijon gjurmimi dhe testimi i kontakteve për personat e rezultuar pozitive me Covid-19.
Të hënën nis testimi i ri për grupet e rrezikuara nga COVID-19/ Manastirliu: Gati testimi serologjik për stafet mjekësore në laboratorin e QSUT
Një testim i ri serologjik do të nisë të kryhet nga java tjetër në laboratorin e dytë që do të jetë gati edhe për testimet për COVID-19, laboratori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Deklarata u bë sot nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të laboratorit mikrobiologjik të QSUT-së, i cili do të kryejë testin e ri për konfirmimin e diagnozës dhe vlerësimin e imunizimit, duke filluar nga grupet e rrezikut.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë për epideminë e koronavirusit, ka vendosur që të përfshijë një testim të ri, që është testimi serologjik, i cili do të nisë pikërisht nga grupet e rrezikuara, siç janë mjekët, por edhe strukturat e policisë. “Janë përcaktuar protokollet dhe nga dita e hënë do të nisë testimi i ri”, tha Manastirliu.
Në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT janë siguruar aktualisht 6 mijë teste, që janë disponibël. E gjithë struktura e laboratorit e certifikuar është e ngritur për të filluar këtë testim të ri.
Duke theksuar se testimi serologjik do të kryhet në QSUT por nën lidershipin e Institutit të Shëndetit Publik, Manastirliu tha se mbetet prioritet mbrojtja e personelit shëndetësor.
“Dua të them që mbetet prioritet për ne mbështetja dhe mbrojtja e stafit tonë të shëndetësisë. Prandaj dhe ky testim serologjik për të vlerësuar krijimin e antitrupave do të fillojë në grupet më të riskuara që janë personeli mjekësor dhe gjithashtu grupet që janë në shërbime siç janë Policia e Shtetit e të tjerë”, tha ministrja.
Dr. Vjollca Duro u shpreh se laboratori i QSUT-së është i ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe stafi që do të punojë është i trajnuar.
“Laboratori i QSUT-së është ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare, niveli i dytë i biosigurisë. Stafi është i trajnuar, do të punojnë tre mjekë dhe katër staf teknik laborator”, tha dr. Vjollca Duro.
Laboratori i QSUT-së, në një fazë të dytë, do të shërbejë edhe për testimin e kampioneve të dyshuara për COVID-19, me metodën e biologjisë molekulare të Real-Time PCR. /atsh
Prodhimet bujqësore shqiptare shënojnë rritje/ Balla: Konsumoni sa më shumë “Made in Albania
Pavarësisht situatës së krijuar nga COVID-19, prodhimet bujqësore shqiptare kanë shënuar rritje.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ftoi sot shqiptarët që të konsumojnë sa më shumë prodhime “Made in Albania”.
Balla tha se “në nivel kombëtar, edhe pse në një situatë të jashtëzakonshme aktiviteti në sektorin bujqësor vijon, madje sipas të dhënave nga Drejtoria e Doganave vetëm gjatë muajit mars 2020 kemi 18% më shumë eksporte të prodhimeve bujqësore krahasuar me marsin 2019”.
Sipas tij, “edhe tre muajt e parë të këtij viti janë me rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar”./atsh
482 viktima në 24 orë, rritet numri i të shëruarve
Numri i vdekjeve gjatë 24 orëve të fundit në Itali ishte 482 personave, kundrejt 575 të ditës së djeshme, për një total që tejkalon 23 000 personat, sipas buletinit të Mbrojtjes Civile italiane.
”Rastet e reja të infektimit janë ‘fotokopje’ të numrave të djeshëm, 3 491 pozitiv në 24 orë dhe një prirje modeste rritjeje prej 2%, shtoi ajo.
Eshtë regjistruar një ”boom” i të shëruarve me 2 200 persona, ndërkohë të izoluar në shtëpi ndodhen mbi 80 000 persona./atsh
482 viktima në 24 orë, rritet numri i të shëruarve Read More »
Profesor Dhimitër Kraja rikthehet në frontin e luftës kundër COVID-19/ Balla: Shembull i shkëlqyer
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka përshëndetur aktin e doktor Dhimitër Krajës, i cili pas shërimit, rikthehet në vijën e parë të luftës kundër COVID-19.
Balla shprehet se “profesor Dhimitër Kraja është rikthyer tek Infektivi për të rifilluar shërbimin ndaj të sëmurëve në luftën kundër COVID-19. Në mars ai u prek nga COVID-19 vetëm pak ditë pasi ishte kthyer nga pensioni, pikërisht për të dhënë kontributin e tij në këtë situatë të jashtëzakonshme”.
Po ashtu Balla tha se akti i doktor Krajës është shembull i shkëlqyer.
“Doktori i nderuar Dhimitër Kraja, i cili e la qetësinë e pensionit për të shkuar pranë pacientëve, është sot i shëruar plotësisht dhe është përsëri në krye të detyrës. Një shembull i shkëlqyer. Shëndet dhe mbarësi doktor! Mirënjohje pafund”, tha Balla./atsh
‘coronavirus.al’/ 5 080 teste, 539 të infektuar, 283 të shëruar dhe 26 viktima
Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 539 të infektuar me COVID-19, 283 të shëruar, 26 të vdekur , ndërsa janë kryer 5 080 teste gjithsej.
Shifrat bëhen të ditura nga adresa zyrtare e platformës “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare, vetëm për situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.
Përmes kësaj platformë qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19./atsh
‘coronavirus.al’/ 5 080 teste, 539 të infektuar, 283 të shëruar dhe 26 viktima Read More »
Shtesat në Kodin Penal me qëllim mbrojtjen e jetës/ Hapja graduale do të shoqërohet me ndëshkime shembullore
Kryeministri Edi Rama siguroi sot se “Kodi Penal për situatën e epidemisë ka vetëm një qëllim, mbrojtjen e jetës e të shëndetit të qytetarëve, familjeve shqiptare dhe të popullit nga abuzimet që mund t’i kërcënojnë e rrezikojnë drejtpërdrejtë”.
Rama tha se “javën e ardhshme, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal për situatën e epidemisë, të gjithë qytetarët pa përjashtim do të startojnë të gjithë të barabartë në fazën e dytë të kësaj lufte, kur hapja graduale do të shoqërohet me ndëshkime shembullore për të cilat nuk do të ketë më asnjë kthim pas”.
“Kush nuk do të dojë të jetë një me interesin e popullit dhe të vendit, le ta paguajë me të gjitha pasojat e rënda ligjore që parashikon Kodi i ri Penal. Sepse asnjë hapje nuk mund të kthehet në hapje rruge për infektimin e njerëzve nga këmbësorë të papërgjegjshëm, nga drejtues të pabindur automjetesh, nga sipërmarrës e dyqanxhinj të pavëmendshëm për shëndetin e personelit apo të konsumatorit”, tha Rama.
Rama reagoi edhe ndaj të gjithë atyre që “‘u hodhën përpjetë’ për të mbrojtur demokracinë nga mbushja e një vakuumi në Kodin tonë Penal, i cili deri dje ishte i vetmi Kod Penal në Europë pa asnjë rresht për një situatë epidemie”. /atsh















