Lajmi i fundit

Mësim online deri në 29 maj, provimet e klasës së 5-të dhe 9-të do të anulohen

Mësimi për klasat e 1-11 do të vazhdojë të zhvillohet online deri në 29 maj, ndërsa provimet e klasës së 5-të dhe të 9-të do të anulohen.

Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, në një komunikim të drejtpërdrejtë.

“Klasat 1-11 do të zhvillojnë mësim online deri në fund të majit dhe mësimi online për to do të mbyllet 2 javë më herët. Provimet e klasës së 5 dhe të 9 do të anulohen. Klasa e 9 nuk mban të njëjtën peshë si ato të maturës dhe nuk mund të sigurojmë kushtet për kthimin e nxënësve në shkollë”, – tha Shahini.

Ministrja Shahini u shpreh se “provimet e klasës së 9-të nuk e kanë të njëjtën peshë si provimet e maturës dhe duke marrë parasysh që nuk mund të plotësojmë kushtet për kthimin në shkollë të nxënësve të klasës së 9-të kemi vendosur të marrim këtë vendim për provimet e lirimit”.

“Notat e provimeve të lirimit (klasës së 9-të) kalkulohen duke aplikuar formulën e vlerësimit të notave të shkollës së mesme të ulët, përfshirë edhe klasën e 9-të. Kjo bëhet me komisione lëndore me bazë në shkollë, por për detajet ju njoftojmë në vijim”, – shtoi ministrja.

Nxënësit e tjerë nga klasa 1-11, vijoi Shahini, do të vijojnë mësimin nga shtëpia deri më datë 29 maj 2020 – pra transmetim në RTSH dhe komunikim online mes mësuesve e nxënësve do të vijojë deri në këtë datë.

“Vlerësimet përfundimtare do të mbyllen 2 javët e para të qershorit nga mësuesit nëpër shkolla ku edhe i kanë regjistrat, duke u bazuar në notat që i kanë marrë deri më 9 mars, dhe duke marrë parasysh edhe vlerësimet në kushte shtëpie, por këto të fundit vetëm në qoftë se ndihmojnë dhe jo penalizojnë nxënësit në përmirësimin e notës. Në lidhje me këtë, MASR dhe institucionet e saj të varësisë do të nxjerrin udhëzime më të detajuara mbi vlerësimin e nxënësve. Dhe kjo nuk është vetëm një udhëzim që ndihmon mësuesit për të mbyllur notat, por është edhe një transparencë që ofrojmë për të gjithë nxënësit e prindërit që të kuptojnë se si do të mbyllet ky proces”, – nënvizoi Shahini.

Më vjen mirë, tha ajo, që deri më tani, për sa i përket mësimit të zhvilluar në kushtet e shtëpisë, kemi patur një ecuri pozitive.

“Siç e dini, 97% e nxënësve tanë janë përfshirë në komunikimin online me mësuesit e tyre dhe mësuesit kanë prodhuar 1.2 milion minuta “selfie-video” me shpjegime të mësimeve dhe përgjigje ndaj pyetjeve. Nxënësit që nuk kanë patur pajisje dixhitale për të vijuar mësimin online, jemi në proces të furnizimit me telefona smart dhe tableta, falë një donacioni shumë bujar të Fondacionit “Vodafone Albania””, – tha Shahini.

Ministrj falënderoi çdo mësues, nxënës dhe prind që u angazhua në çuarjen deri në fund të këtij viti shkollor të vështirë.

“Pavarësisht se viti shkollor mbyllet në qershor, puna jonë nuk mbyllet në qershor. Këtë verë po planifikojmë që shkollat t’i vëmë në dispozicion të më të vegjëlve, duke ofruar kurse verore argëtuese apo edhe edukative, që jo vetëm ndihmojnë me mësimin, por edhe me kthimin në normalitet të fëmijëve që kanë ndenjur mbyllur në shtëpitë e tyre për shumë kohë. Për këtë ju njoftojmë në vijim edhe duke parë sigurinë e shëndetit publik”, – bëri të ditur Shahini.

Gjithashtu, vijoi ajo, planifikojmë incizimin e leksioneve me akademi.al dhe partnerët e tjerë, për transmetim në RTSH.

“Shtatori do të na gjejë me një repertor të shtuar të lëndëve që do të mbulojmë. Që kjo të funksionojë siç duhet, edhe në përgjigje të kërkesave tuaja, për vitin 2020-2021 do të hartojmë planprogramet lëndore në mënyrë të qendërzuar, dhe jo me bazë në shkollë, që secili mësues dhe nxënës të mbulojë të njëjtat tema në të njëjtën kohë dhe të mos ketë diskrepanca mes nxënësve e mësuesve që përdorin libra të ndryshëm. Shtatori do të fillojë me përsëritjen e temave që janë zhvilluar nga shtëpia, para se të vijojmë me kurrikulën e vitit tjetër”, – tha Shahini.

Më tej ministrja tha se “siç kam cekur edhe më parë, nëse ka prindër dhe nxënës që ndihen që nuk kanë marrë mjaftueshëm mësim sivjet dhe duan ta përsërisin vitin, kanë të drejtën që të kërkojnë që të përsërisin vitin shkollor, por duhet të na njoftojnë sa më parë që është e mundur. Kjo vlen edhe për maturantët. Mësimi nga shtëpia, definitivisht ka ndikuar në rritjen e kompetencës dixhitale. Ndaj duam ta shfrytëzojmë këtë momentum të përfshijmë këtë formë mësimi (online dhe RTSH) në punën e zakonshme që bëjmë në shkolla”.

Por, tha ajo, më shumë për këtë, si dhe detajet e përfundimit të vitit akademik për arsimin e lartë, do ju njoftojmë në vijim.

Ministrja përsëriti edhe një herë 4 elementët kryesorë të mbylljes së vitit shkollor:

Shkollat hapen për maturantët nga 18 maji deri 5 qershor, nën rregulla strikte të higjienës dhe distancimit social;
Provimet e maturës mbahen mes 8 dhe 18 qershor, më të reduktuara dhe sipas plan-programeve të reja;
Provimet e klasave të 5-ta dhe 9-ta do të anulohen;
Dhe mësimi online vijon deri me 29 maj, pastaj dy javët e para të qershorit shfrytëzohen për mbylljen e vlerësimeve të fundvitit.atsh

Mësim online deri në 29 maj, provimet e klasës së 5-të dhe 9-të do të anulohen Read More »

“coronavirus.al”/ Shërohen të gjithë të prekurit nga COVID-19 në Mallakastër, Lezhë, Rrogozhinë dhe Tropojë

Deri tani janë shëruar 431 persona të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Shifrat bëhen të ditura nga adresa zyrtare e platformës “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare, vetëm për situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.

Gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 431.

Nga puna e bërë e mjekëve, rezulton se Mallakastra, Lezha, Rrogozhina dhe Tropoja janë zonat ku të gjithë të prekurit deri tani, janë aktualisht të shëruar.

Po sipas shifrave të publikuar në coronavirus.al, aktualisht në vendin tonë janë 289 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.

Ndërkaq po vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në Krujë ku kanë gjatë 25 orëve të fundit kanë rezultuar 5 raste pozitive, ndërsa rastet e tjera janë 7 në Tiranë dhe 2 raste në Shkodër. Pra, në total nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 7758 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 750 raste. Mosha mesatare e rasteve të konfirmuara është 46.8 vjeç.

Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 750 të infektuar me COVID-19, 289 raste aktive, 431 të shëruar, 30 të vdekur, ndërsa janë kryer 7758 teste gjithsej.

Përmes platformës coronavirus.al, qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19./atsh

“coronavirus.al”/ Shërohen të gjithë të prekurit nga COVID-19 në Mallakastër, Lezhë, Rrogozhinë dhe Tropojë Read More »

Rregullat për dyqanet e veshjeve, klienti nuk duhet t’i provojë rrobat, maskat e dorezat të detyrueshme

Me hapjen e dyqaneve brenda fashës orare deri në 17:30, bizneset janë të detyruara të respektojnë protokollin e sigurisë të vendosur nga qeveria në kuadër të masave higjieno-sanitare për mbrojtjen nga COVID-19.

Sipas këtij protokolli në dyqanet e rrobave duhet që punonjësit të përdorin në çdo moment dorezat mbrojtëse si dhe të jenë të pajisur me maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën.

Në portalin “e-Albania” është publikuar protokolli i masave higjieno sanitare në dyqanet e tregtimit të rrobave me pakicë, ku theksohet se “në hyrje të dyqanit duhet të ketë higjienizues të duarve për klientët dhe në asnjë rast nuk lejohet kontakti fizik mes punonjësve apo mes palëve të treta furnizues. Klienti duhet të mbajë dorezat dhe maskën mbrojtëse dhe duhet të garantohet e respektohet distanca prej 2 metrash midis klientit dhe personelit të punësuar. Pas veprimeve me cash/karta krediti punonjësit duhet të dezinfektojnë duart”.

“Shitësi i shërben vetëm një klienti në ambient, ndërkohë që të tjerët presin jashtë në radhë me distancë 2 metra nga njëri-tjetri. Po ashtu klienti nuk duhet që t’i provojë rrobat në trup, por mbi rrobat ekzistuese kur është e mundur, e pas blerjes rroba duhet larë fillimisht e pastaj duhet veshur”, theksohet në protokoll.

Po ashtu rekomandohet që subjekti të reklamojë sa më shumë shërbimin “delivery” në adresë.

Ndërsa duhet që të bëhet ajrim i dyqanit sipas mundësisë minimalisht 3 herë në ditë.

“Respektimi i këtyre rregullave është i rëndësishëm në këtë periudhë pandemie botërore dhe duhet që të zbatohet nga shitësi, klienti dhe furnizuesi”, thuhet në protokollin e publikuar në “e-Albania”.

Po ashtu çdo administrator kryen çdo ditë vetëvlerësimin personal dhe të personave të punësuar nëse kanë simptoma të COVID-19. Çdo punonjës/ tregtar është i detyruar të deklarojë nëse ka patur kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitiv me COVID-19./atsh

Rregullat për dyqanet e veshjeve, klienti nuk duhet t’i provojë rrobat, maskat e dorezat të detyrueshme Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 14 raste të reja, shkon në 750 numri i të prekurve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se 24 orët e fundit janë identifikuar 14 raste të reja me COVID-19, duke e çuar numrin e të infektuarve në 431

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico u shpreh se “gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 267 persona të dyshuar me COVID-19.

Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID-19, nga të cilat 7 raste janë në Tiranë, 5 raste në Krujë dhe 2 raste në Shkodër.

Deri në këto momente janë testuar 7758 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 750 raste. Mosha mesatare e rasteve të konfirmuara është 46,8 vjeç./atsh

Ministria e Shëndetësisë: 14 raste të reja, shkon në 750 numri i të prekurve Read More »

9 pacientë të tjerë i shtohen listës së të shëruarve, totali shkon në 431

Gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 431.

Aktualisht në vendin tonë, 289 persona janë aktivë me COVID-19 dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar. 3 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 32 pacientë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se pavarësisht luhatjeve në numra ditorë situata vazhdon të jetë e kontrolluar.

Tregues për këtë janë numri i qëndrueshëm i shtrimeve në spitale dhe numri i ulët i qytetarëve që kanë pasur nevojë për frymëmarrje të drejtuar.

Që kjo situatë të vazhdojë të jetë e kontrolluar dhe në kushtet e lehtësimit të disa masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.

Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID-19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID-19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40″./atsh

9 pacientë të tjerë i shtohen listës së të shëruarve, totali shkon në 431 Read More »

Stadiumi “Air Albania” përzgjidhet për çmimin BigSEE Architecture Award 2020

Air Albania Stadium, investimi më i madh në historinë e sportit shqiptar, vazhdon të prodhojë lajm edhe pas inaugurimit të tij në 17 Nëntor 2019, me ndeshjen kundër Francës, kampione të botës.

Ky investim i Federatës Shqiptare të Futbollit është përzgjedhur për të marrë çmimin BigSEE Architecture Award 2020 dhe për më tepër është nominuar edhe si projekti më i mirë (Grand Prix) në kategorinë publike.

Fituesit e BigSEE Architecture Award do të vlerësohen në festivalin e madh të arkitekturës që do të zhvillohet më datë 16 Tetor 2020 në Qytetin e Dizajnit në Lubjanë të Sllovenisë. Në këtë festival të gjithë projektet do të ekspozohen për të pranishmit nga Shqipëria, Italia, Bullgaria, Bosnje Hercegovina, Qipro, Republika Çeke, Greqia, Kroacia, Italia, Hungaria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali Zi, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Serbia dhe Turqia.

Qëllimi i BigSEE Architecture është ai për të forcuar suksesin dhe atraktivitetin e Europës Juglindore nëpërmjet kërkimit, vlerësimit dhe promovimit të mrekullisë arkitektonike që është në këto vende./atsh

Stadiumi “Air Albania” përzgjidhet për çmimin BigSEE Architecture Award 2020 Read More »

Kur do shohim dritë në fund të tunelit? Rama flet për si do të jetë situata në vazhdim

Kryeministri Edi Rama foli në një lidhje me “Skype” për emisionin “Real Story”, në News24, për rihapjen e jetës, pas mbylljes nga koronavirusi.

Rama tha se kthimi në normalitet do të ndodhë vetëm kur të dalë vaksina dhe se, sipas tij, do të na duhen dy-tre vite të jetojmë me frikën e infektimit.

Sa i takon kohës se kur do të mund të shohim dritë në fund të tunelit, kryeministri u shpreh se 97% e bizneseve i janë rikthyer aktivitetit të tyre normalisht, ndërsa po bëhet edhe hapja e zonave të gjelbërta, ku do të ketë një shtim të tyre në fundjavë.

Pjesë nga intervista:

Kur do të presim një rifillim të lëvizjes së lirë?
Rama: Çështjen e afateve të shkelura e kam shpjeguar, por një lloj i caktuar njerëzish nuk e kanë fare mendjen të lexojnë pesë rreshta. Nuk do të gjobiten për shkelje të afateve, sepse nuk i kanë shkelur me vullnetin e tyre, por janë viktimë e një situate që nuk ka të bëjë fare me to. Nuk ka nevojë të telefonojnë në ambasada, nuk do të gjobiten.

Askush nuk është gjobitur, kemi marrëveshje me qeverinë greke. Sa i përket kufijve, kur ata që janë jashtë të më thonë që lëvizin nga një komunë në tjetrën, atëherë do të flasim për kufijtë e mëdhenj. Sot në Itali nuk ke mundësi të lëvizësh nga një qytet në tjetrin. Këtu nuk ka lidhje me dëshirën, është një hall shumë i madh që na ka zënë secilin, por më në hall është qeverisë që duhet t’iu përgjigjet të gjithëve.

Nëse do më vinte dikush, z. Gjekmarkaj psh, që të thoshte ik ti nga qeveria dhe firmos që s’do merresh kurrë me politikë, do ta firmosja tani live në emision, që të shpëtonte populli nga ky makth. S’kam asnjë dyshimi që kjo që po bëjmë s’ka lidhje me ndonjë palë zgjedhje, se as më shkon në mend, por mendoj vetëm se si do jetë dita nesër.

Po shihet fundi i majit si fundi i makthit, kur po afron kjo drita në fund të tunelit?
Rama: Tani që flasim kemi afër 90% të biznesit në punë. Kështu që hapja jonë në aspektin e rikthimit në vendet e punës është masive, më masive se vendet e tjera. Janë disa aktivitete të tjera që do të happen javën e ardhshme dhe pastaj mbeten disa aktivitete që lidhen direkt me përhapjen e virusit, si qendrat tregtare, lokale, ristorante, përfshirë edhe parukeritë.

Janë shumë të rrezikshme, se mjafton një klient i infektuar, ta transmetojë virusin te parukieret, klientët e tjerë, familjarët, etj. Akoma nuk kemi hapur kufijë mes qyteteve dhe kjo do të ndodhë në javët në vijim, por nuk e dimë akoma kur. Po bëjmë një fragmentim të valës, duke u hapur në zonat e gjelbërta, ku do të shtojmë në fund të kësaj jave disa zona të reja. Por kthimi në normalitet, siç ishte para virusit, do të jetë vetëm kur të gjendet vaksina. Do të jetojmë edhe dy-tre vjet me rrezikun se mund të infektohemi.

Kur do shohim dritë në fund të tunelit? Rama flet për si do të jetë situata në vazhdim Read More »

Katër të vr.arë në pak orë, reagon Rama

Sot Shqipëria u trondit nga dy ngjarje kri minale, duke shkaktuar dy vik tima në Lezhë dhe dy vi ktima në Durrës.

Lidhur me këto ngjarje, ka raguar kryeministri Edi Rama, i cili është shprehur se sot nuk ishte ditë e mirë për rendin dhe sigurinë në vend.

Rama tha se gjithsesi nuk shqetësohet për ecurinë e Policisë pasi është i bindur se ky do jetë viti i një shembulli të madh në betejën e shtetit ndaj krimit.

”Nuk ka qenë ditë e mirë. Por një ditë e pazakontë për ecurinë e Policisë. Nuk kam asnjë shqetësim dhe ky do të jetë viti i një shembulli të madh në betejën e shtetit me kr imin, dhe me operacionin OFL.”- tha Rama./ Opinion.al

Katër të vr.arë në pak orë, reagon Rama Read More »