Lajmi i fundit

“coronavirus.al”/ Shërohen të gjithë të prekurit nga COVID-19 në Mallakastër, Tropojë, Kavajë , Rrogozhinë, Korçë dhe Lezhë

Deri tani janë shëruar 470 persona të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Shifrat bëhen të ditura nga adresa zyrtare e platformës “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare, vetëm për situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.

Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 470.

Nga puna e bërë e mjekëve, rezulton se Mallakastra, Tropoja, Kavaja, Rrogozhina, Korça dhe Lezha janë zonat ku të gjithë të prekurit deri tani, janë aktualisht të shëruar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoj sot se sa i përket të prekurve nga COVID-19 sot rezulton se numri i pacientëve të shëruar është dyfish më i lartë se i qytetarëve që janë prekur nga ky virus.

Po sipas shifrave të publikuar në coronavirus.al, aktualisht në vendin tonë janë 272 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.

Deri në këto momente janë testuar 8253 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 773 raste.

Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 773 të infektuar me COVID-19, 272 raste aktive, 470 të shëruar, 31 të vdekur, ndërsa janë kryer 8253 teste gjithsej.

Përmes platformës coronavirus.al, qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19./atsh

“coronavirus.al”/ Shërohen të gjithë të prekurit nga COVID-19 në Mallakastër, Tropojë, Kavajë , Rrogozhinë, Korçë dhe Lezhë Read More »

Presidenti Thaçi dekreton Avdullah Hotin për kryeministër

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike të Kosovës për të formuar Qeverinë e Kosovës.

Sipas dekretit të nënshkruar nga presidenti Thaçi, Avdullah Hoti i propozohet Kuvendit të Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e re, pas shkarkimit të Qeverisë Kurti me mocion të mosbesimit të iniciuar nga LDK-ja.

Thaçi tha se kandidati nga pika 1 e këtij Dekreti, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, i paraqet Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin e Kuvendit./KosovaPress/

Presidenti Thaçi dekreton Avdullah Hotin për kryeministër Read More »

“Ecuria e epidemisë nën kontroll nga masat dhe respektimi i tyre”, Pipero: E kemi kaluar pikun prej 2-3 javësh

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero tha se nga 700 e ca raste të konfirmuara me COVID-19 në vendin tonë, më shumë se 400 persona janë shëruar. Pipero tha se kemi kaluar prej 2-3 javësh pikun e epidemisë.

Gjithashtu gjatë një interviste televizive mjeku Pipero theksoi se jo të gjithë janë pozitivë aktivë, pasi ata që janë pozitiv janë më pak të rrezikshëm sesa një që nuk e di që pozitiv dhe mund t’ia transmetojë të tjerëve.

“Jo të gjithë janë pozitiv aktivë, ata që janë pozitiv janë shumë herë më pak të rrezikshëm, sesa një që është pozitiv dhe nuk e di, sepse ai mund tua transmetojë të tjerëve. Nga 700 e ca raste, më shumë se 400 e ca janë shëruar tanimë. Kjo lloj shifre nuk na tremb, kjo shifër na dëshmon që virusi është këtu, masat janë adekuade, strategjia është adekuade.

Pipero tha se, “e kemi kaluar prej 2-3 javësh pikun e epidemisë. Sipas studiuesve, piku është kur numri i rasteve pozitive shkon paralelisht me numrin e të shtruarve në spitale. Të gjithë treguesit rikonfirmojnë, se ecuria e epidemisë është nën kontroll, e menaxhuar, edhe referuar masave të qeverisë, dhe respektimit të rregullave të qytetarëve, dhe me këmbënguljen tonë”. /atsh

“Ecuria e epidemisë nën kontroll nga masat dhe respektimi i tyre”, Pipero: E kemi kaluar pikun prej 2-3 javësh Read More »

Çelja e kopshteve private, Rama: Përgjigjja e ekspertëve është “jo”

Çështja e këngëtarëve në dasma si dhe ajo e çeljes së kopshteve private, do të shihet në në vijim në varësi të situatës së koronavirusit.

Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama duke theksuar se përgjigjja e ekspertëve është “jo” për hapjen e kopshteve, duke shtuar se “do të shikojmë në javët në vijim, java apo javët në vijim”.

I pyetur nga një qytetar për çështjen e dasmave, Rama tha se: “Duhet të bësh durim dhe të shpresojmë që më herët se vonë do të lirohet çështja e dasmave, edhe pse kam parë në disa vende që kanë lëshuar dasmat, por jo më shumë se 10 persona. Tani, këtë do ta shikojmë në proces”.

Në lidhje me aplikimin për pasaportat, Rama u shpreh se “e kemi thënë që çështja e dokumentit është një çështje ngrirë dhe çdo dokument që nuk është i ripërtërirë përtej afatit, sot quhet i vlefshëm në këtë moment. Por, ndërkohë është dhënë nga Ministria e Brendshme lajmërimi lidhur me rihapjen e procesit për kartat e identitetit dhe për pasaportat. Kështu që ndiqni përmes Ministrisë së Brendshme procesin. Është me lajmërim dhe kontakt, nuk është me sulemi të gjithë nëpër sportele, sepse do të ishte një katastrofë”./atsh

Çelja e kopshteve private, Rama: Përgjigjja e ekspertëve është “jo” Read More »

Rikthimi i maturantëve në shkolla/ Vrapi shpjegon si do të zhvillohen testimet në kushte pandemie

Pas vendimit të djeshëm të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë lidhur me rikthimin në bankat e shkollave vetëm të maturantëve, përsëritja e temave do të kryhet në klasa me jo më shumë se 15 nxënës.

Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi në një nga mediet e vendit sqaroi edhe mënyrën sesi do të zhvillohen provimet e maturës, në kushtet e një situate jo normale.

Do të jenë 3 javë që do t’i dedikohen përsëritjeve që kanë lidhje me Maturën Shtetërore. Pra, nuk do të marrin tema të reja, tha ajo, ndërsa shtoi lidhur me testin e maturës se ky i fundit do të jetë i thjeshtëzuar. “Testi do të jetë më i thjeshtuar. 80% e testit është në nivelin e parë dhe të dytë dhe vetëm 20% e testit është në nivelin më të lartë. Kjo pikë nuk ka ndryshuar. Ne do të vazhdojmë ta kemi në 25% nivelin e kalueshmërisë”, – tha Vrapi.

Sipas saj, mënyra sesi do të zhvillohet testi i Maturës Shtetërore do të ndryshojë nga vitet e tjera, në kushtet e një pandemie.

“Në kushtet e një pandemie që ende nuk është e përfunduar, Ministria po merr të gjitha masat për të ruajtur jetën e maturantëve, sepse kjo është kryesorja. Në Maturën Shtetërore është e fiksuar distanca 1,5 metra, nuk do të jetë e populluar palestra, siç ka qenë më përpara. Është i detyrueshëm dezinfektimi i ambienteve. Kemi grupe për këtë pjesë dhe do të monitorojnë zbatimin rigoroz të kushteve të higjienës, që nga uji i rrjedhshëm në mjediset e tualeteve, dezinfektantët të cilët do të jenë edhe në tualete, edhe në mjediset e provimit dhe patjetër elementët e tjerë që kanë të bëjnë me maskat që do të mbajnë maturantët. Të gjithë mësuesit do të kenë maska që do të zhvillojnë orët e mësimit, orët e përsëritjes. Klasat nuk do të jenë më shumë se 10 deri në 15 nxënës, pra nuk do të jetë një klasë normale”, sqaroi Vrapi. /atsh

Rikthimi i maturantëve në shkolla/ Vrapi shpjegon si do të zhvillohen testimet në kushte pandemie Read More »

DASH shtyn në 6 qershor përgjigjet për Lotarinë Amerikane

Departamenti Amerikan i Shtetit ka shtyrë nga 5 maji për në 6 qershor datën për përgjigjet e Lotarisë Amerikane.

Me anë të një njoftimi për mediat, thuhet se për shkak të pandemisë së koronavirusit, përgjigjet për fituesit e Lotarisë Amerikane do të shtyhen për një muaj, deri në qershor.

Shpallja e fituesve të Lotarisë Green Card DV-2021 ishte planifikuar fillimisht për të Martën, 5 maj, 2020. Mirëpo, Departamenti i Shtetit në SHBA ka thënë se data do të shtyhet e përgjigjet zyrtare për fituesit do të jepen më datë 6 qershor 2020. Vendimi bazohet nisur nga pandemia aktuale e Covid-19.

Pasojat e shtyrjes së rezultateve të përgjigjeve. Nëse keni marrë pjesë në Lotarinë Amerikane për vitin 2021, për momentin nuk duhet që të bëni asgjë. E vetmja gjë që duhet bërë është që të kryqëzohen duart e të shpresosh se je ndër fituesit, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, KCC (Kentucky Consult Center) do të përdorë kapacitetet e saj dhe do të vazhdojë të punojë për fituesit e vitit të kaluar.

Në rast se ju fitoni në Lotarinë Amerikane të këtij viti, atëherë gjithçka do të jetë normale si më parë, thjesht përgjigja është marrë me vonesë. Nëse jeni fitues, intervistat me ju nisin në gusht të vitit 2020. Intervistat do të bëhen, ashtu siç janë parashikuar brenda periudhës 1 tetor 2020 deri në fund të shtatorit 2021./atsh

DASH shtyn në 6 qershor përgjigjet për Lotarinë Amerikane Read More »

Shpronësimi për Rindërtimin/ Pronarët përfitojnë nga programi në marrëveshje me bashkitë

Kryeministri Rama tha se Plani i Rindërtimit duhet të ecë përpara, pavarësisht masave kufizuese ndaj pandemisë, duke kërkuar që të vijohet me projektet për Thumanën.

Në një bashkëbisedim online ku u paraqit plani i Rindërtimit për Fushë-Krujën, Kryeministri Rama tha se ata që shpronësohen duhet të bëjnë një marrëveshje me bashkinë nëse duan të përfitojnë nga hapësirat që do dhurojë qeveria.

“Duhet bërë e qartë për çështjen e shpronësimit. Mos harrojmë se ata që shpronësohen nuk do të përfitojnë hapësira nga projekti ose mund të bëhet në formë marrëveshje me bashkinë që përkund hapësirës që iu hiqet të marrin hapësirë të kompensuar, por nëse do kërkojnë shpronësimin direkt nuk do jenë përfitues direkt nga hapësirat që do dhurohen nga shteti”, tha Rama.

Kryeministri Rama kërkoi informacion për vazhdimin e punës në Thumanë nëse ka filluar puna e infrastrukturës, apo mbaruan shembjet.

Drejtori i FSHZH-së, Dritan Agolli tha se kanë mbaruar pjesa më e madhe e prishjeve ato që kanë qenë DS4-DS5. “Janë një pjesë të objekteve të cilat janë subjekt i shpronësimit dhe duhet të mbarojë procedura e shpronësimit. Ndërkohë janë bërë rivelimet e duhura topografike në terren dhe së shpejti fillojë përgatitjen e sheshit të ndërtimit. Kjo është faza paraprake t’i hapim rrugë infrastrukturës së kanaleve ujësjellës kanalizimi dhe nga krahu tjetër ndërtimit të banesave individuale të zonës”, u shpreh ai. /atsh

Shpronësimi për Rindërtimin/ Pronarët përfitojnë nga programi në marrëveshje me bashkitë Read More »

Qeveria nuk ka në skenarët e saj prekjen e pagave apo pensioneve

Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaron se qeveria nuk ka në skenaret e saj për përballimin e pasojave të shkaktuara nga infeksioni COVID-19 prekjen e pagave apo pensioneve.

Duke iu referuar një qëndrimi të deputetit socialist, Ilir Beqaj, zv/Kryeministri Braçe theksoi se deputeti Beqaj ka dhënë një mendim të tijin, që është në të drejtën e tij.

“Nuk ka asnjë iniciativë të qeverisë për të prekur pagat e sektorit publik dhe për të ulur pensionet suplementare”, theksoi Braçe.

Sipas Braçes, buxheti i shtetit ka akoma rezerva në shpenzime që mund të administrohen akoma më mirë, të tilla si shpenzimet operative.

Zv/kryeministri, Braçe po ashtu vlerësoi edhe mënyrën se si qeveria ka manaxhuar deri tani situatën për frenimin e përhapjes së COVID-19, si dhe zbutjen e pasojave sociale në disa shtresa që janë më të ekspozuara./atsh

Qeveria nuk ka në skenarët e saj prekjen e pagave apo pensioneve Read More »