Lajmi i fundit

Ministria e Shëndetësisë: 15 raste të reja, shkon në 1136 numri i të prekurve

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid-19 dhe janë konfirmuar 15 raste pozitive.

Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik tha në komunikimin e përditshëm se “shpërndarja e rasteve të reja pozitive është si vijon: 11 raste në Tiranë, 3 në Krujë, dhe 1 rast në Kamzë. Nga totali i të prekurve të identifikuar në 24 orët e fundit, 11 janë kontakte të rasteve të mëparshme të konfirmuara pozitive, ndërsa për 4 raste po vazhdon hetimi epidemiologjik”.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 35 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar pozitive 2 raste. Është rritur numri i të shtruarve në Spitalin Infektiv. Aktualisht po trajtohen 31 të prekur, nga të cilët 4 janë në terapi intensive, njëri prej të cilëve është i intubuar”, – tha Qirjako.

Në lidhje me vdekjen e një 82-vjeçareje në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, e cila vuante nga fibroza pulmonare, stadi i fundit, insuficienca kardiake, fibrilacion atrial, diabet mellitus dhe HTA, Qirjako sqaroi se “me gjithë ndihmën e dhënë, 82-vjeçarja ka jetuar vetëm disa orë. Analiza për koronavirus ka rezultuar pozitive pas vdekjes. Por shkaku i vdekjes, nëse ka qënë koronavirusi përgjegjegjës, po analizohet nga stafi mjekësor i spitalit ”Shefqet Ndroqi””.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë qytetarët të tregohen të kujdesshëm. “Ruani distancimin fizik, higjienën personale dhe lani duart sa më shpesh. Evitoni ambientet e mbyllura dhe grumbullimet me shumë njerëz”, u shpreh Qirjako.

Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (31 Maj 2020)
Testime totale 16175
Testime molekulare 14723
Testime serologjike 1452
Raste pozitive 1136
Raste të shëruara 872
Raste Aktive 232
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 148
Durrës 27
Krujë 17
Shkodër 10
Kamëz 10
Mat 8
Lushnje 6
Berat 2
Fier 2
Korçë 1
Librazhd 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 15 raste të reja, shkon në 1136 numri i të prekurve Read More »

Nga nesër hiqen kufizimet e lëvizjes në çdo zonë/ Manastirliu: Mos ulni vigjilencën, zbatoni disatnacimin social

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka kujtuar sërish të gjithë qytetarët se duke filluar nga nesër hiqen kufizimet e lëvizjes në çdo zonë, por sipas saj duhet vëtëndërgjegjësim për të mos e ulur vigjilencën dhe për të zbatuar distancimin social.

“Ja çfarë do të hapet nga data 1 Qershor! Hiqen kufizimet e lëvizjes në çdo zonë por kërkohet vetëndërgjegjësim për të mos e ulur vigjilencën, për të zbatuar distancimin social dhe për të ruajtur higjienën vetjake”,- shprehet Manastirliu.

“Plani i masave lehtësuese nga data 1 Qershor: Hiqen kufizimet e orareve për qytetarët dhe bizneset në të gjithë vendin. Hapen kufijtë tokësorë, pa detyrim vetëkarantinimi, përveç rasteve kur vendoset nga autoritetet shëndetësore. Hapen plazhet vetëm për strukturat akomoduese. Ndërsa me 6 qershor hapen plazhet për të gjithë qytetarët. Hapen kopshtet dhe çerdhet. Hapen, parqet, këndet e lojërave, palestrat, qendrat e interentit. Hapet kampionati, i futbollit, pa spektatorë. Hapen kurset profesionale, edukative, argëtuese, konkurset e punësimit”,- tha Manstirliu./atsh

Nga nesër hiqen kufizimet e lëvizjes në çdo zonë/ Manastirliu: Mos ulni vigjilencën, zbatoni disatnacimin social Read More »

Urdhri i plotë për lehtësimin e masave/ Lejohet qarkullimi për këmbësorë dhe makina brenda “zonave të kuqe” në fundjavë, por jo jashtë tyre

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale ka lëshuar sot urdhëresën në lidhje me lëshimin e masave në fazën dy të pandemisë për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e COVID-19.

Në këtë urdhëresë të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se “lejohet lëvizja në të gjithë vendin për të gjitha kategoritë (këmbësorë, biçikleta, ciklomotorë dhe mjete) pa kufizim orari. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm për datën 30-31 maj 2020, ku ndalohet lëvizja nga ‘zonat e kuqe’ në ‘zonat jeshile’ dhe anasjelltas. Lejohet të kryejnë veprimtarinë e tyre të gjithë aktivitetet e nomenklaturës së aktiviteteve ekonomike, duke respektuar protokollet e sigurisë dhe rregullat e miratuara nga distancomi social dhe masat higjieno-sanitare. Përjashtim nga rregulli i përcaktuar në pikën 1 dhe 2, të urdhrit, bëhet për aktivitete e mëposhtme: klubet e natës, aktivitete kulturore, teatrot, kinematë, pishinat”.

Po ashtu, MSHMS thekson se ndalohen grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, konferencat, tubimet, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej familjarëve të ceremonisë mortore deri në një urdhër të dytë.

“Hapen pazaret dhe ‘zonat e gjelbra’, duke filluar nga data 01.06.2020. Hapen kurset e formimit profesional, edukimit dhe argëtimit, këndet e lojërave për fëmijë në ambiente të hapura, palestrat e internetet, sipas protokollit të miratuar dhe rregulloret e miratuara për distancat sociale dhe masat higjieno-sanitare, duke filluar nga data 01.06.2020″. Lejohet kryerja e konkurseve për punësim të personelit, konkurset e shkollimit dhe specializimit duke filluar nga data 01.06.2020 sipas protokolleve të miratuara dhe rregulloret e miratuara për distancim social dhe masat higjieno-sanitare. Hapen plazhet vetëm për strukturat akomoduese nga data 01.06.2020. Plazhet publike do të hapen më datë 06.06.2020, duke respektuar protokollet e miratuara dhe rregulloret e miratuara për distancim social dhe masat higjieno-sanitare. Lejohet lëvizja me mjetet e transportit për udhëtarët në hyrje dhe dalje në pikat e kalimit tokësor. Personat që do të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë në pikat kufitare tokësore nuk do të kenë detyrim për vetëkarantinim 14-ditor, me përjashtim të rasteve të veçanta, që do të përcaktohen me urdhër të autoriteteve shëndetësore. Ndalohet transporti publik i udhëtarëve qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas deri në një urdhër të dytë. Çdo parashikim tjetër që bie në kundërshtim me këtë urdhër shfuqizohet”, shprehet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale./atsh

Urdhri i plotë për lehtësimin e masave/ Lejohet qarkullimi për këmbësorë dhe makina brenda “zonave të kuqe” në fundjavë, por jo jashtë tyre Read More »

OSBE mbështetje në fushën e antitrafikimit/ Borchardt: Shqipëria vendi i parë në rajon në gjendje të ndërmarrë një qasje re

OSBE-ja mbështet zyrtarët shqiptarë në fushën e antitrafikimit për të hartuar trajnimin e parë simulues.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm dhe Koordinatorit të OSBE-së Kundër Trafikimit njohën grupin shqiptar të ekspertëve që do të hartojë trajnimin specifik për Shqipërinë me metodologjinë e kësaj përqasjeje të veçantë të OSBE-së për rritjen e kapaciteteve në këtë fushë.

Trajnimi do të ketë ushtrime reale, praktike dhe ndërdimensionale simuluese, që do të përmirësojnë aftësitë e punonjësve që luftojnë trafikimin për të identifikuar viktimat, për të hetuar rastet e dyshuara të trafikimit dhe për të ndjekur penalisht trafikantët.

“Shqipëria vijon të përballet me sfida të shumta në trajtimin e trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht në lidhje me identifikimin e viktimave, hetimin dhe ndjekjen penale të autorëve. Përmes këtij trajnimi, Shqipëria bëhet vendi i parë në rajon që do të jetë në gjendje të ndërmarrë një qasje krejtësisht të re për ngritjen e kapaciteteve në luftën kundër trafikimit të personave”, tha Bernd Borchardt, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Nga ana e saj, Rovena Voda, zëvendësministre e Brendshme dhe Koordinatore Kombëtare Kundër Trafikimit, tha se Shqipëria është angazhuar që, gjatë Kryesimit të OSBE-së në vitin 2020, të forcojë luftën kundër trafikimit të personave, një sfidë që është e ndjeshme në të gjithë OSBE-në. Duke u mbështetur në instrumentet ekzistuese, siç është ky trajnim simulues i krijuar nga Zyra e Koordinatorit të Posaçëm të OSBE-së Kundër Trafikimit, Kryesia shqiptare do të mbështetë praktikat zhvilluese për të parandaluar dhe luftuar trafikimin e personave”, tha Voda.

Grupi i ekspertëve – i përbërë nga një gamë e gjerë profesionistësh nga agjencitë ligjzbatuese, Inspektorati Shtetëror i Punës, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Universiteti i Tiranës dhe shoqëria civile – do të punojë gjatë muajve në vijim për të hartuar një trajnim ku profesionistët antitrafikim në Shqipëri do të punojnë në ekipe për të hetuar raste të simuluara të punës dhe shfrytëzimit seksual mes migrantëve, përfshirë fëmijët viktima të trafikimit.

“Trajnimet me bazë simulimin ofrojnë një mundësi unike për pjesëmarrësit që të praktikojnë dhe zotërojnë aftësitë e tyre në një mjedis të sigurt mësimi dhe të marrin reagime të menjëhershme nga profesionistë të tjerë”, tha Val Richey, Përfaqësuesi i Posaçëm dhe Koordinatori i OSBE-së për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Gjatë tetë trajnimeve me bazë simulimin të kryera që nga viti 2016, Zyra e tij ka trajnuar 529 ekspertë nga mbi 54 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së, 7 Partnerë për Bashkëpunim dhe 6 vende të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore.

Trajnimi është pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Veprim kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Shqipëri”, i cili financohet nga UNICEF-i, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar. /atsh

OSBE mbështetje në fushën e antitrafikimit/ Borchardt: Shqipëria vendi i parë në rajon në gjendje të ndërmarrë një qasje re Read More »

Vlorë/ Gjobiten dy subjekte për krim mjedisor

Policia e Vlorës vijon operacionin për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Sipas njoftimit për mediat, Policia e Vlorës gjatë ditës së enjte janë evidentuar dhe gjobitur dy subjekte për shkelje në zonën e Bunavisë, Vlorë.

Dy subjektet e Impianteve të Përpunimit të Inerteve, me administratorët përkatës F. H. dhe V. D., në zonën e quajtur Bunavi, Vlorë, kanë përpunuar dhe transportuar inerte në mënyrë të paligjshme, pasi iu është pezulluar leja e shfrytëzimit të aktivitetit të tyre, dhe pa leje mjedisore.

Në vijim të veprimeve, Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Vlorë, ka nisur procedimin penal ndaj administratorëve të këtyre subjekteve, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”.

Gjithashtu, IKMT ka ndëshkuar subjektet në fjalë me masë administrative, në total 4.000.000 lekë të rinj, për veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, konkretisht: Subjekti i Impiantit të Përpunimit të Inerteve, me administrator F. H. ka marrë masë administrative 2.000.000 lekë të rinj; Subjekti i Impiantit të Përpunimit të Inerteve, me administrator V. D. ka marrë masë administrative 2.000.000 lekë të rinj. /atsh

Vlorë/ Gjobiten dy subjekte për krim mjedisor Read More »

Aplikimi online për pasaportë dhe kartë ID/ Hapat që duhet të ndjekin qytetarët

Pajisja me pasaportë biometrike tashmë bëhet online nëpërmjet e-Albania. Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda shpjegoi hapat që duhen kryer për një aplikim të suksesshëm.

Qytetari pasi hyn te e-Albania klikon fillimisht në opcionin “Aplikim i formularit për lëshim ose rinovim pasaporte” dhe vijon procedurat. Ai duhet të zgjedhë, nëse do të aplikojë për vete, apo për fëmijë nën moshën 16 vjeç.

Pas këtij hapi, ai plotëson çdo kuti me të dhënat personale, si emër, mbiemër, atësi, vendlindje dhe vendbanimin përkatës, Bashki, fshat apo njësi administrative ku jetojnë.

“Së pari aplikohet tek një formular, që është formulari i Policisë së Shtetit. Qytetari hedh të gjitha të dhënat personale. Brenda 7 ditësh qytetarit i vjen një përgjigje, konfirmim për formularin e Policisë së Shtetit. Me ardhjen e këtij njoftimi, me e-mail apo me SMS nuk duhet të printojnë asgjë, sepse kemi pasur edhe keqkuptime nga qytetarët, por duhet të aplikojë në hapin 2, që është linku ku rezervohet aplikimi te zyra e aplikimit. Duhet të kenë kartën e vjetër të identitetit dhe kuponin e blerë në zyrat postare”, u shpreh Voda.

Ndërsa për aplikimin për një kartë ID në portalin e-Albania paraqitet një dritare ku aplikanti, pasi shkruan të dhënat personale, lë ditën dhe orarin kur do të paraqitet në zyrat e ALEAT, në mënyrë që të shmangen pritjet e gjata në radhë dhe grumbullime para këtyre zyrave.

Në ditën e caktuar aplikanti shkon aty për të vendosur shenjat e gishtave, së bashku me kuponin e blerë në postë dhe për të ofruar foton digjitale për këtë dokument.

Kjo metodë e aplikimit online do të funksionojë edhe pas pandemisë, duke reduktuar radhën e gjatë në komisariate apo zyrat e aplikimit.

Momentalisht shërbimi online nëpërmjet e-Albania funksionon vetëm për qytetarët që jetojnë brenda territorit shqiptar. Me hapjen e kufijve kjo metodë do të jetë funksionale edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit./atsh

Aplikimi online për pasaportë dhe kartë ID/ Hapat që duhet të ndjekin qytetarët Read More »

Hiqen kufizimet e orareve në fundjavë, por nuk lejohet dalja nga zonat e kuqe

“Duke filluar nga nesër, gjatë fundjavës e në vijim hiqen kufizimet e orareve për qytetaret dhe bizneset në zonat e kuqe dhe të gjelbra”.

Kështu informoi sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu, e cila theksoi se “edhe këtë fundjavë, në kuadër të monitorimit të situatës dyjavore, nuk do të lejohet lëvizja nga zonat e kuqe për rezidentët e këtyre zonave”.

“Po përmbyllim javën e 12 nga fillimi i epidemisë së COVID-19 në vendin tonë. Pas disa javësh masash kufizuese të marra në kohën e duhur, pas gjithë përpjekjes tuaj për zbatimin e tyre dhe rezistencës së secilit prej jush, ja dolëm që të kemi kufizim të përhapjes së infeksionit. Edhe pse deri më sot kemi një ecuri të qëndrueshme të epidemisë, nuk duhet harruar se rihapja që ka filluar me faza para dy javësh, kërkon disiplinë dhe një sjellje individuale korrekte që i përshtatet normalitet të ri”, tha Ministrja.

Ajo tha se këto dy javë të fundit kemi vijuar punën me intensifikimin e hetimit epidemiologjik.

“Rastet e katër ditëve të fundit tregojnë vatra të reja të infeksionit, të cilat po ndiqen. Analiza e situatës deri më sot na lejon hapjen, por kjo situatë do kërkojë gjithnjë e më shumë vigjilencë, distancim fizik dhe higjienë personale”, tha Manastirliu.

Ajo tha se nëse zbatojmë masat, protokollet e sigurisë gjatë punës, në aktivitetin tonë të përditshëm, do të mundemi të ecim përpara me planin e rihapjes. Manastirliu paralajmëroi se nëse analiza epidemiologjike dhe kriteret do të na thonë se do duhet të tërhiqemi, do duhet të ngremë frenat e emergjencës.//atsh

Hiqen kufizimet e orareve në fundjavë, por nuk lejohet dalja nga zonat e kuqe Read More »

Shtyrja e re 3-mujore për këstet e kredisë/ Përfitojnë të gjithë individët dhe bizneset në vështirësi për shkak të pandemisë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot se, “të gjithë individët, bizneset dhe SME-të, përfitojnë nga shtyrja e dytë e pagesës së kësteve të kredisë, në bankat tregtare, deri në afatin e përcaktuar që është data 31 gusht 2020”.

Gjatë një interviste televizive, Sejko tha se, vendimi për një shtyrje të re 3- mujore, për pagesën e kredive, u mor në bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama dhe i vjen në ndihmë, të gjithë kredimarrësve që ndodhen në vështirësi për shkak të situatës së covid-19.

Sejko tha se, individët do të duhet të kontaktojnë me bankën për parashtrimin e vështirësive që kanë në shlyerjen e kredisë dhe në këto raste kredia do të shtyhet. Ashtu sikurse tha ai, ka raste kur klientët nuk kanë vështirësi financiare dhe vijojnë normalisht pagesën e kësteve të kredisë.

“Në total portofoli i kredisë në bankat tregtare është rreth vlerës 4 miliardë euro. Ndërkohë që bankat kanë qenë proaktive dhe portofoli total i kredive të shtyra është 2 miliardë euro. Pra, 50% e të gjithë klientëve kanë pasur nevojë për shtyrjen e pagesës së këstit të kredisë dhe 50% të tjerë kanë vijuar me pagesat. Pra, jo 100% e kientëve kanë pamundësi të pagesave. Procedura e shtyrjes do të jetë njësoj si në shtyrjen e parë të kësteve të kredisë”- tha Sejko.

Guvernatori tha se kjo është shtyrja e fundit që bëhet për kreditë.

“Po, kjo është shtyrja e fundit, është aplikuar si një qasje standarde. Janë marrë edhe vendime të tjera për t’iu mundësuar bankave ristrukturim më të thellë për klientët që kanë vështirësi të mëdha, siç janë fasonët apo sektori i turizmit, apo të tjerë që përballen me më shumë vështirësi dhe që do kenë mundësinë e ristrukturimit të kredisë. Kjo do jetë specifike për secilin rast. Vendimi i djeshëm i ka lehtësuar bankat dhe klientët. Në 3-mujorin e parë përfituan 23 mijë klientë me total portofoli 2 miliardë euro”- tha Guvernatori. /atsh

Shtyrja e re 3-mujore për këstet e kredisë/ Përfitojnë të gjithë individët dhe bizneset në vështirësi për shkak të pandemisë Read More »