Lajmi i fundit

Rama, në orën 14:00 konferencë për shtyp në Prishtinë

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se në përfundim të komunikimeve me aktorët politikë në Kosovë, në orën 14:00 do zhvillojë një konferencë për shtyp në Prishtinë.

“Duke i falenderuar gazetarët e Prishtinës e Tiranës për ndjekjen nga afër të takimeve të mia në kryeqytetin tjetër të shqiptarëve, e në pamundësi t’u përgjigjem pyetjeve të tyre përpara përfundimit të komunikimeve me krejt aktorët politikë, do të flas për shtypin në orën 14.00”, tha ai.

Prej ditës së djeshme, Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë, ku ka pasur takime me liderët politikë pas publikimit të aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në ditën e parë të vizitës në Kosovë, Kryeministri Rama zhvilloi dje takime me Presidentin Hashim Thaçi, Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, Kryeministrin, Avdullah Hoti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, me kryetarin e partisë “Nisma Socialdemokrate”, Fatmir Limaj dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ndërsa sot Kryeministri Rama zhvilloi një takim me kreun e LDK-së, Isa Mustafa./atsh

Rama, në orën 14:00 konferencë për shtyp në Prishtinë Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 64 raste të reja me COVID-19, 2 humbje jete dhe 54 të shëruar në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 371 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 64 raste pozitive.

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemik në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini tha sot se “shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 15 raste në Tiranë, 13 në Krujë, 11 në Shkodër, 7 në Durrës, 4 në Lezhë, nga 3 raste në Kukës, Pukë, 2 në Kurbin, dhe nga 1 rast përkatësisht në Korçë, Elbasan, Vlorë, Berat, Mat, Pogradec”.

Në vendin tonë aktualisht janë 970 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

MSHMS apel për bizneset bar-kafe, restorante, zbatoni me rigorozitet protokollet higjieno-sanitare të sigurisë. Kryeni shërbimin vetëm në ambientet e hapura dhe jo të mbyllura, duke respektuar distancimin fizik sipas udhëzimit të autoriteteve shëndetësore.

Tomini tha se “në 24 orët e fundit, referuar shërbimit infektiv, një paciente 78-vjeçare nga Tirana, e transferuar nga një spital jopublik, ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv, megjithë trajtimin intensiv në reanimacion dhe një pacient 83 vjeçar nga Durrësi, në terapi intensive, i cili vuante nga hipertensioni”. “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve”, tha ajo.

Tomini u shpreh se vijon të ketë shtrime në spitalin Infektiv ku aktualisht po trajtohen 84 pacientë, 11 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.

Pavarësisht rasteve ditore të identifikuara pozitivë, lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 54 qytetarë, duke e çuar në 1438 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

COVID-19 – Statistika (29 Qershor 2020)
Testime totale 26663
Raste pozitive 2466
Raste të shëruara 1438
Raste Aktive 970
Humbje jete 58 (Qarku Tiranë 32, Durrës 10, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 7, Kukës 1, Elbasan 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 358
Durrës 198
Shkodër 155
Vlorë 100
Fier 47
Lezhë 39
Korçë 28
Kukës 18
Elbasan 13
Gjirokastër 7
Berat 6
Dibër 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 64 raste të reja me COVID-19, 2 humbje jete dhe 54 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

Aktakuza nga Gjykata Speciale/ Thaçi shtyn për nesër daljen para mediave

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte paralajmëruar për sot daljen e tij të parë para mediave pas propozim-aktakuzës nga Gjykata Speciale ndaj tij dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli për qëllim krime lufte.

Dalja për media ishte pritur sonte, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Kjo pasi Zyra e Presidencës ka njoftuar se adresimi publik i presidentit Hashim Thaçi shtyhet për nesër në orën 20:00./atsh

Aktakuza nga Gjykata Speciale/ Thaçi shtyn për nesër daljen para mediave Read More »

Ndahet nga jeta Besim Zekthi, kërcimtari legjendar që i dha zë e shpirt valles dhe muzikës tonë tradicionale

Besim Zekthi, mjeshtri i valleve popullore, është ndarë sot nga jeta në moshën 84-vjeçare.

Kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të valltarit më të njohur shqiptar që arriti të bëjë për vete për vite me radhë të tri brezat.

“Lamtumirë kërcimtarit legjendar, Besim Zekthi”, – shprehet Rama në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Besim Zekthi lindi më 5 shkurt 1936 në Tiranë, kërcimtar, mjeshtër i valles popullore shqiptare, solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970.

Nga viti 1957 deri në vitin 1990, “Mjeshtri i madh” Besim Zekthi interpretoi në mbi 200 valle si solist, duke realizuar me qindra figura artistike, të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë adhuruesve të tij, në mbarë brezat shqiptarë. Karriera e tij shënon kulme suksesi jo vetëm në trevat shqiptare, por anekënd botës, ku me Ansamblin Popullor të Këngëve e Valleve, Besim Zekthi “i dha zë e shpirt” valles dhe muzikës tonë tradicionale.

Jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën artistike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, jo vetëm si valltar, por një seri vallesh janë krijuar prej tij dhe sot interpretohen me sukses nga artistët e AKVP, si pjesë e fondit të artë të trashëgimisë tone kulturore.

Ndër to mund të përmendim: “Valle me motive të Lapardhasë”, “Valle e Librazhdit”, “Valle e Shëngjergjit”, “Valle e Leskovikut”, “Valle me motive të Çermenikës”, “Valle e Konispolit”, “Valle lave”, :valle e Kuksit”, “Valle me motive të Prizrenit”, “Valle me motive të Krujës”, “Për flamur, për atdhe”, “ Dasma e Rugovës”, “Valle me motive të Drenicës”, “Gju më gju me popullin”, “Valle mzeqare”, “Vjelja e mollëve”, etj.

Në vitin 2017 për të gjithë kontributin e tij artistik, në më shumë se 50 vjet në Ansamblin Popullor të Këngëve dhe Valleve, por dhe më gjerë, Besim Zekthi u dekorua nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, me titullin “Nderi i Kombit”. /atsh

Ndahet nga jeta Besim Zekthi, kërcimtari legjendar që i dha zë e shpirt valles dhe muzikës tonë tradicionale Read More »

Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”, realizohen sot 34 fluturime

Ditën e sotme ka rifilluar operimi i plotë i fluturimeve të rregullta nga aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”. Vetëm sot do të realizohen 34 fluturime, ku 17 janë në arritje dhe 17 fluturime në shkuarje.

Zëdhënësi i ANP “Adem Jashari” Bujar Gashi, tha se i kanë ndërmarrë të gjitha masat për të rifilluar fluturimet.

Të gjithë udhëtarët që do të udhëtojnë nga ky aeroport në hyrje duhet të tregojnë biletën, e që pastaj do të kalojnë përmes tunelit dezinfektues dhe më pas do t’u matet temperatura. Pasi të kalojnë këtë mund të futen në hapësirat e aeroportit.

Në brendësi të aeroportit janë vendosur shenjat për mbajtje të distancës, si dhe dezinfektues për duart.

Gashi tha se nga qytetarët presin që t’i respektojnë të gjitha masat.

“Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës nga sot ka hapur dyert e saj, në fakt kemi qenë gjithmonë të hapur por shkaku i pandemisë kemi funksionuar me staf të reduktuar. Janë disa masa që i kemi ndërmarrë të rekomanduara nga ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, e që ne si aeroport dhe të gjithë udhëtarët duhet t’i aplikojnë ato. Që nga hyrja siç po shihet mbrapa udhëtari duhet të tregojë një biletë e cila është e vlefshme për ditën e sotme, duhet t’i matet temperatura dhe më pastaj të kalojë në kabinën dezinfektuese”, tha ai.

Ai tha se qytetarët gjatë gjithë qëndrimit në hapësirat e aeroportit duhet të bartin maska.

“Sot gjatë gjithë ditës kemi rreth 34 fluturime, do të thotë është 17 janë në arritje dhe 17 do të shkojnë. Kjo është e domosdoshme, secili që nuk i përmbahet këtyre masave nuk do të lejohet të hyjë edhe në terminal, gjë që është e pranueshme për secilin dhe deri më tani gjithçka ka vajtur mirë”, tha ai.

Masat që janë ndërmarrë nga ANP “Adem Jashari”, qytetarët që udhëtonin sot i shihnin si të domosdoshme.

Dionis Canziba, sot po udhëtonte nga Prishtina për në Basel, e që masat e ndërmarra i sheh si të mira për mbrojtje të jetës së qytetarëve.

“Unë udhëtoj për Basel dhe masat janë të mira, mendoj që kanë bërë mirë me këtë dezinfektimin që është duke u bërë para se me hy. Është duke u respektuar distanca dhe mendoj që është në nivel. Kam qëndruar tri javë, kam ardhur me veturë, po kthehem me aeroplan për shkak se pas tri jave do të kthehem prapë”, tha ai.

Edhe qytetarja Shyhrete Morina, sot udhëtonte nga Prishtina për në Zvicër, e që për të janë në rregull masat që janë ndërmarrë nga ANP “Adem Jashari”.

“Për në Zvicër udhëtoj, shumë në rregull janë masat”, tha ajo.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, për më shumë se tre muaj nuk ka pasur fluturime për shkak të masave të ndërmarra nga qeveria e vendit për mbrojtje nga COVID-19. /KosovaPress/

Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”, realizohen sot 34 fluturime Read More »

Dy humbje jete brenda 24 orëve të fundit, shkon në 55 numri i viktimave prej COVID-19

Një 70-vjeçar nga Shkodra dhe një 54-vjeçar nga Tirana, të konfirmuar me COVID-19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, kanë ndërruar jetë në spitalin infektiv, megjithë kujdesin e mjekëve dhe terapinë intensive.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e cila i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve.

Ndërsa ka informuar mbi situatën epidemiologjike, ministria ka bërë të ditur se në vijon të ketë raste të reja por edhe shtrime të reja në spital apo pacientë që kanë nevojë për terapi intensive.

“U drejtohemi me një lutje gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë rigoroz në zbatimin e protokolleve të sigurisë, të vendoset detyrimisht maska në shërbim, edhe nga çdo qytetar kur është e pamundur ruajtja e distancës fizike, si e vetmja mënyrë për kufizimin e përhapjes së infeksionit” tha Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Ndërkohë që numri i rasteve ditorë po vjen gjithmonë e në rritje, Ministria e Shëndetësisë thotë se e vetmja mënyrë për përhapjen e infeksionit është ruajtja e distancës fizike.

“Të nderuar qytetarë, rastet ditore do të vazhdojnë të shfaqen në ndërmarrje biznesi, institucione, nëse ju nuk zbatoni rregullat e vendosura. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike, duke vendosur maskën kur nuk ruani dot distancën, duke ruajtur higjienën personale, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara. Respektimi strikt i masave të vendosura do të ruajnë shëndetin tuaj dhe njerëzve tuaj të dashur. Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton se për sa kohë nuk ka një vaksinë, qytetarët duhet të përshtaten me normalitetin e ri dhe të përshtasin sjelljen e tyre duke u kujdesur për zbatimin strikt të çdo rregulli të vendosur. Telefononi nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19.Mos i neglizhoni shenjat e sëmundjes. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID-19”, tha ndër të tjera, Daja.

Numri i viktimave në vendin tonë prej COVID-19 ka shkuar në 55./atsh

Dy humbje jete brenda 24 orëve të fundit, shkon në 55 numri i viktimave prej COVID-19 Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 77 raste të reja dhe 2 humbje jete në 24 orët e fundit, 48 të shëruar

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemik në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi sot se “gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 402 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 77 raste pozitive.

“Situata epidemiologjike në vend po vijon në javën e 16 të epidemisë, por në 3 javët e fundit kemi një intensitet të lartë të hasjes së rasteve pozitive me COVID-19. Kemi gjithashtu dhe një numër të lartë të rasteve që kërkojnë trajtim spitalor dhe terapi intensive. Kjo situatë, lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me kriterin epidemiologjik, siç është periudha e gjatë e inkubacionit 14 ditor, si dhe mos respektimi i masave të vendosura për ndërprerjen e transmetimit të virusit”, tha Tomini.

Ndaj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon të gjithë qytetarët, bizneset, institucionet, të respektojnë masat e vendosura dhe protokollet e miratuara të sigurisë, si e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten dhe të afërmit tuaj.

Tomini tha se “gjatë 24 orëve të fundit, për fat të keq dy qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen, pavarësisht asistencës së madhe të mjekëve dhe trajtimit mjekësor”.

“Dy humbjet e jetës kanë qenë të papritura. Një 76-vjeçar nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, pasi ishte përmirësuar pas 15 ditësh trajtim, ka pësuar tromboemboli pulmorare. Dhe një 54-vjeçar në gjendje të rëndë, me insuficencë renale, ka ndërruar jetë në urgjencën e spitalit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve”, tha Tomini.

Ajo tha se “situata paraqitet serioze në spitalin Infektiv ku aktualisht po trajtohen 87 pacientë, 15 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar”.

Lajmi i mirë, sipas Tominit, “është se në 24 orët e fundit janë shëruar 48 qytetarë, duke e çuar në 1298 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë”.

Ndërkohë kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP dhe gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 402 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 77 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: Tirana 28 raste, Shkodra 13 raste, Durrësi dhe Korça me nga 5 raste; nga 4 raste Delvina dhe Berati; nga 3 raste në Fier, Kurbin dhe Pukë; nga 2 raste në Elbasan dhe Kamëz; nga 1 rast përkatësisht në Krujë, Tropojë, Librazhd, Gjirokastër, Sarandë.

Në vendin tonë aktualisht janë 920 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Kanë vazhduar testimet serologjike në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT. Janë kryer 3380 testime në personel shëndetësor me një pozitivitet të përgjithshëm 6%.

COVID-19 – Statistika (26 Qershor 2020)
Testime totale 25563
Raste pozitive 2269
Raste të shëruara 1298
Raste Aktive 920

Humbje jete 51 (Qarku Tiranë 30, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1, Elbasan 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 375
Durrës 174
Shkodër 154
Vlorë 84
Fier 44
Lezhë 27
Korçë 25
Kukës 13
Elbasan 12
Gjirokastër 7
Berat 5/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 77 raste të reja dhe 2 humbje jete në 24 orët e fundit, 48 të shëruar Read More »

“Rritje e ndjeshme e të shtruarve me COVID-19″/ Mjekja Kolovani: Zbatoni rregullat, deri tani situata e përballueshme

Mjekja infeksioniste Entela Kolovani u bëri thirrje sot qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat kundër COVID-19, ndërsa theksoi se “ky virus nuk është si gripi, ashtu sikurse pretendohet në masë”.

E ftuar në një studio televizive, ajo theksoi se “javët e fundit numri i rasteve është rritur ndjeshëm dhe për pasojë po ashtu është rritur edhe numri i të shtruarve në spitalin Infektiv”.

Kolovani tha se “deri tani situata është e përballueshme në spital, ndërsa kanë në dispozicion 120 shtretër”.

“Deri tani me këtë trend jemi duke e përballuar me numër shtretërish. Në funksion të shërbimit tonë janë vendosur që në fillimi 2 pavione shtesë. Kemi 120 shtretër. Njëri pavion i është kushtuar terapisë intensive. Nëse vazhdojmë me këto shifra e përballojmë. Edhe pse dëshira jonë është sa më pak të sëmurë me koronavirus. Kthimi mbrapa nuk do të ishte i falshëm për ne si qytetarë. Shpresoj shumë që qytetarët të na mirëkuptojmë. Nuk mund t’i kthehemi më karantinës”, tha Kolovani.

“Çdo person ka të drejtë të informohet. Kanë dëgjuar që thuhet është grip, por ky virus e ka treguar se nuk mund të jetë shumë i parashikueshëm. Nuk ngjan me gripin. Nëse shohim prekjet pulmonare të personave që kalojnë koronavirusin janë krejt ndryshe nga ato të gripit. Nëse do të shohim çfarë ndodhi në fillim në mars dhe prill me botën, vërtet u mendua se janë moshat e treta ato më vulnerabël, por kjo u lidh me sëmundjet bashkëshoqërues. Më pas u tregua se sëmundja nuk zgjedh mosha”, tha ajo.

Lidhur me infektimin e personelit shëndetësor, ajo tha se “është e pashmangshme kur mendon se edhe në botë ka pasur personel shëndetësor të infektuar”.

“Edhe tek ne nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Mjekët i kanë pajisjet e mbrojtjes thjeshtë duhet ta kenë në vëmendje që nuk mund të futen te pacientët pa i mbajtur ato. Epidemiologët u përpoqën që të ndërprisnin këtë zinxhir infektimi në QSUT. Realisht kanë qenë disa mjekë dhe infermierë të hospitalizuar dhe tashmë kanë dalë të shëruar”, u shpreh ajo. /atsh

“Rritje e ndjeshme e të shtruarve me COVID-19″/ Mjekja Kolovani: Zbatoni rregullat, deri tani situata e përballueshme Read More »