Lajmi i fundit

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 14 fluturime të konfirmuara për nesër

Tirana International Airport njoftoi sot se janë 14 fluturime të konfirmuara për ditën e premte.

Sipas TIA-s janë konfirmuar për ditën e nesërme fluturimet me kompaninë “Albawings” në linjat Tiranë – Firence dhe kthim, Tiranë – Rimini dhe kthim, Tiranë – Duseldorf dhe kthim, Tiranë – Hamburg dhe kthim, Tiranë –Bari dhe kthim dhe Tiranë – Venecia dhe kthim.

Me kompaninë “Wizz Air” do të fluturohet në linjat Tiranë – Dortmund dhe kthim dhe Tiranë – Bolonjë dhe kthim.

Me kompaninë “Air Albania” fluturohet në linjat Tiranë – Luton dhe kthim; me “Jonika Airlines” në linjën Kiev – Tiranë (Çarter Turistik). Me kompaninë “Air Serbia” në linjën Tiranë – Beograd dhe kthim.

Me kompaninë “Austrian Airlines” në linjën Tiranë – Vjenë dhe kthim. Me “Aegean Airlines”, Tiranë – Athinë dhe kthim dhe me “Belavia” në linjën Tiranë – Minsk dhe kthim.

TIA u kërkon pasagjerëve të kontaktojnë kompanitë ajrore përpara çdo udhëtimi dhe shtetet pritëse për rregullat e karantinës dhe të respektojnë protokollet e higjienës. Sipas TIA-s, maskat janë të detyrueshme.⠀⠀
⠀⠀
“Nisjet nga Shqipëria janë ende të kufizuara për personat që nuk janë të pajisur me leje qëndrimi apo pasaportë për destinacionet e Bashkimit Europian. Lejohen të udhëtojnë vetëm rezidentët në Bashkimin Europian dhe nënshtetasit e Bashkimit Europian”, bën të ditur TIA. /atsh

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 14 fluturime të konfirmuara për nesër Read More »

Aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit/ Hoti: Askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës; Osmani: Kosovës i duhet drejtësi

“Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit”, deklaroi sot Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti tha se “Qeveria e Republikës së Kosovës, si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, është njoftuar sot nëpërmjet një deklarate për shtyp, se Zyra e Prokurorit Special ka deponuar pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale një aktakuzë ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës. Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi”, tha ai.

Ndërsa Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa R. Osmani tha se “në këto momente, Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi”.

“I duhet edhe mbrojtje e dinjitetit, integritetit e imazhit shtetëror. Por mbi të gjitha, Kosovës i duhet drejtësi. Drejtësia duhet të kryej punën në mënyrë të pavarur e pa presion. Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet e llahtarshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë. Serbia është shtet gjenocidal. Dhe këtë duhet ta themi sot e çdo ditë, në Kosovë, në SHBA, në Europë e çdo kund në botë”, tha Osmani./KosovaPress//

Aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit/ Hoti: Askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës; Osmani: Kosovës i duhet drejtësi Read More »

Akuzat e Prokurorisë Speciale për Thaçin e Veselin, reagime

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë njoftoi përmes një komunikate për media se më 24 prill 2020 iu ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, thuhet në komunikatën e ZPS-së.

Aktakuza thuhet se është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e Zyrës së Prokurorit tё Specializuar se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Komunikata vijon duke potencuar se një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. Thaçi dhe z. Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, nëpërmjet këtyre veprimeve, z. Thaçi dhe z. Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Meta: Besojmë në pafajësinë e Thaçit, Veselit dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre

Presidenti Ilir Meta ka reaguar ndaj kësaj aktakuze dhe shprehet se vlerëson luftën e UÇK-së të popullit të Kosovës kundër dhunës dhe gjenocidit të regjimit serb të drejtuar nga Millosheviçi, si dhe beson te pafajësia e presidentit Hashim Thaçi, e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të bashkëluftëtarëve të tyre.

Meta tha se “lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit tonë”.

“Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre”, theksoi ai.

Po ashtu Meta shton se “edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar. Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri”.

Gjithashtu ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka reaguar sot në lidhje me padinë e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës kundër presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Cakaj: Nuk ka forcë në botë që të rishkruajë historinë e të njollosë UÇK-në

Cakaj në reagimin e tij thekson se, “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë! UÇK-ja është jo vetëm pika më e lartë e përpjekjeve historike të popullit të Kosovës për liri e vetëvendosje, por edhe kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë kombëtare. PIKË”.

“Prandaj, sot, duke qenë krejtësisht të bindur në pafajësinë e tyre të plotë e duke njohur me nderim të thellë punën e tyre në shërbim të kombit shqiptar e vlerave njerëzore, mbështetje e pakursyer për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, gjithnjë duke kujtuar kryelartë e ballëhapur gjithë historinë e ndritur e të paqtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Cakaj.

Ai shtoi se, “atë që mund ta mbulojë mjegulla e politikës ditore, nuk mund ta fshehë kurrë as historia: krenar me punën e tyre për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetësisë së saj që nga themeli. Kaq”.

“Mirënjohje, nderim e krenari, natyrisht, për çdo pjesëtar të UÇK-së për shërbimin e pastër ndaj vendit dhe qëndrimit në faqen e bardhë të historisë. Mbase në botë mund të ndodhin shumë çudira, por nuk ka asnjë forcë mbi rruzullin tokësor që mund ta rishkruajë historinë, njollosë UÇK-në, a tjetërsojë përpjekjen e popullit shqiptar për drejtësi dhe çlirim! Nderim udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, përfundoi Cakaj reagimin e tij.

Majko: UÇK-ja është luftë për liri

Edhe ministri i Shtetit për Diasporën dhe ish-kryeministër në kohën e luftës së Kosovës, Pandeli Majko ka reguar sot në lidhje me padinë e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës kundër presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Majko shprehet se është në krah të tyre dhe se UÇK është lufta për liri.

“Drejtësia e Gjykatës së Hagës ka ngritur akuza ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaci dhe Kadri Veseli”, shprehet ai.

Majko theksoi se “UÇK-ja është luftë për liri! Lufta për liri është “shkelje e ligjit”. Është ligji i agresorit mbi viktimën. Kështu ka qenë dhe do të jetë! Jam në krah të Hashimit dhe Kadriut”. /atsh

Akuzat e Prokurorisë Speciale për Thaçin e Veselin, reagime Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 67 raste të reja, 22 të shëruar gjatë 24 orëve të fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 67 me raste me koronavirus.

Marjeta Dervishi, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik u shpreh se “vijon të ketë sërish shtrime të reja në Spitalin Infektiv ku aktualisht po trajtohen 82 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive”.

Por lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 22 qytetarë, mes tyre 7 mjekë dhe infermierë, duke e çuar në 1217 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 347 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive.

Sipas Dervishit, numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Kruja me 18 raste, kemi 16 të prekur në Tiranë, 10 në Shkodër, 6 në Vlorë, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kurbin, Lushnje, dhe nga 1 rast përkatësisht në Durrës, Fier, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Tropojë, Berat, Vau i Dejës dhe Divjakë. Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me ndërmarrje me shumë punëtorë, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja.

Në vendin tonë janë aktualisht 850 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

COVID-19 – Statistika (24 Qershor 2020)
Testime totale 24367
Raste pozitive 2114
Raste të shëruara 1217
Raste Aktive 850
Humbje jete 47 (Qarku Tiranë 26, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1, Elbasan 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 377
Durrës 165
Shkodër 135
Vlorë 69
Fier 39
Lezhë 24
Korçë 18
Kukës 10
Elbasan 9
Gjirokastër 2
Berat 2/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 67 raste të reja, 22 të shëruar gjatë 24 orëve të fundit Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 52 raste të reja dhe 36 të shëruar në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 52 raste të reja pozitë me koronavirus.

Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik u shpreh se “pavarësisht shërimeve, ka sërish shtrime të reja në spitalin infektiv ku aktualisht po marrin trajtohen 81 pacientë, 11 prej tyre janë në terapi intensive. Mosha mesatare e të shtruarve është rreth 61 vjeç, ndërsa gjysma e të shtruarve është nga Tirana.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 36 qytetarë, duke e çuar në 1195 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 328 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19 nga të cilat janë konfirmuar 52 raste pozitive, kryesisht raste të reja ne proces hetimi si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive.

Ajo tha ndër të tjera se “shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 22 të prekur në Tiranë, 9 në Vlorë, 7 në Krujë, 5 në Kurbin, 2 në Fier dhe nga 1 rast në Kamëz, Kavajë, Lezhë, Pukë, Rrogozhinë Delvinë dhe Tepelenë.
Në vendin tonë janë aktualisht 807 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës’.

COVID-19 – Statistika (23 Qershor 2020)
Testime totale 24020
Raste pozitive 2047
Raste të shëruara 1195
Raste Aktive 807
Humbje jete 45 (Qarku Tiranë 25, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 374
Durrës 152
Shkodër 124
Vlorë 63
Fier 37
Lezhë 20
Korçë 17
Elbasan 10
Kukës 7
Gjirokastër 2
Berat 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 52 raste të reja dhe 36 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 33 raste të reja dhe 25 të shëruar në 24 orë, rriten të shtruarit në Infektiv

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëvë të fundit janë identifikuar 33 raste pozitive me koronavirus.

Eugena Tomini shefe e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik u shpreh se “vijon të ketë shtrime të reja te qytetarëve që kanë nevojë për trajtim spitalor si pasojë e Covid19. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin trajtohen 82 pacientë, 10 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar”.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 239 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 33 raste pozitive, kryesisht raste të reja ne proces hetimi si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive.

Tomini shtoi se “shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 23 të prekur në Tiranë, 8 në Shkodër dhe nga 1 rast në Pogradec dhe Kamëz. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 25 qytetarë, duke e çuar në 1159 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë janë aktualisht 792 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës”.

COVID-19 – Statistika (22 Qershor 2020)
Testime totale 23692
Raste pozitive 1995
Raste të shëruara 1159
Raste Aktive 792
Humbje jete 44 (Qarku Tiranë 24, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 366
Durrës 150
Shkodër 133
Vlorë 54
Fier 37
Korçë 18
Lezhë 14
Elbasan 10
Kukës 8
Gjirokastër 1
Berat 1/atsh

COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 33 raste të reja dhe 25 të shëruar në 24 orë, rriten të shtruarit në Infektiv Read More »

Sot, dita me numrin më të lartë të shtrimeve që nga fillimi i epidemisë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ripërsëritur thirrjen për ndërgjegjësim pas trendit në rritje të rasteve të konfirmuara pozitivë.

Ministria e Shëndetësisë ka informuar se sot është dita me numrin më të lartë të shtrimeve që nga fillimi i epidemisë. Sipas shifrave të bëra publike, aktualisht janë 82 të shtruar dhe më shumë se 790 raste aktive në të gjithë vendin.

Eugena Tomini shefe e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik u shpreh se “gjatë javës që lamë pas kemi patur një trend të rritur të rasteve të konfirmuara pozitiv, zgjerim të fashës së moshës së prekur me simptoma të shprehura, shtim të rasteve të hospitalizuara, por kemi pasur edhe humbje jete. Kjo situatë ka reflektuar faktin që kemi ende ndërgjegjësim të ulët për respektimin e masave, por dhe prezencë të virusit me të njejtin nivel trasmetueshmërie. Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve, të tregojnë kujdes në ambientet e punës, aty ku ofrohen shërbime dhe në çdo ambient publik, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangni kontaktet dhe vendosni maskat kur nuk është e mundur të ruhet distanca”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka apeluar qytetarët për vetëndërgjegjësim, që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura, për të ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri-tjetri, për të ruajtur higjienën personale dhe për të mbajtur maskat kudo ku nuk respektohet dot distanca.

“Bizneset të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve. Shmangni çdo lloj grumbullimi, pasi janë rrezik për përhapjen e infeksionit.Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, kurse të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet me qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë nëpërmjet telefonit me mjekun e familjes për barnat me rimbursim.
Telefoni në linjën e gjelbër 0800 40 40 me mjekun tuaj të familjes, për këshillim psikologjik apo informacion për Covid19.Nëse keni shenja klinike, nëse dyshoni se jeni i prekur me Covid19, eshte e rendesishme te qendroni te izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127″, tha Tomini./atsh

Sot, dita me numrin më të lartë të shtrimeve që nga fillimi i epidemisë Read More »

Rinis transporti ndërkombëtar detar i pasagjerëve/ Monitorim rigoroz protokolleve të sigurisë

Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme Detare po punon për të bërë të mundur rifillimin gradual dhe të sigurt të transportit ndërkombëtar detar të pasagjerëve.

Përmes një njoftimi për shtyp, ministria njoftoi se i gjithë ky proces ka në fokus garantimin e sigurisë së shëndetit të pasagjerëve, duke përmbushur në mënyrë rigoroze të gjitha protokollet e sigurisë të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë, bazuar në udhëzimet e organizmave ndërkombëtare.

“Duke marrë në konsideratë kërkesat e operatorëve të licensuar në transportin detar të pasagjerëve dhe deklaratën e Komisionit Evropian të datës 11 qershor 2020, për heqjen e kufizimeve të udhëtimit duke filluar nga 1 korrik 2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se duke nisur nga dita e hënë, 22 qershor 2020, do të lejohen të gjitha linjat e transportit ndërkombëtar të pasagjerëve”, thuhet në njoftimin e MIE-s.

Në këtë situatë të re, sipas MIE-s, përgjegjësia do të jetë e shoqërive të transportit ndërkombëtar detar të pasagjerëve, të cilat duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm, për të mundësuar rezervimin e lundrimit për dhe nga Portet e Republikës së Shqipërisë.

“Shoqëritë e Transportit ndërkombëtar detar të pasagjerëve do të jenë përgjegjëse edhe për të informuar pasagjerët për kufizimet e mundshme në fuqi për nisjet nga portet e Republikës së Shqipërisë dhe destinacionin e synuar si dhe rregullat e kujdesit dhe sigurisë së shëndetit në destinacionin ku ata do të mbërrijnë” shprehet MIE.

Drejtoria e Përgjithshme Detare do të monitorojë zbatimin e të gjitha masave si dhe planin e veprimit për zbatimin e detyrimeve të parashikuara në Protokollin e Operimit të Transportit Detar, të miratuar nga Ministria.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme Detare dhe portet detare në vend është e angazhuar për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm në mënyrë që të garantohen lundrime të sigurta duke mos cenuar sigurinë e shëndetit të punonjësve të sektorit dhe të pasagjerëve”, thuhet më tej/atsh

Rinis transporti ndërkombëtar detar i pasagjerëve/ Monitorim rigoroz protokolleve të sigurisë Read More »