Lajmi i fundit

11 të shëruar brenda 24 orëve të fundit, 50 të shtruar në spitalin Infektiv

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 11 qytetarë mes të cilëve 2 personel shëndetësor, duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1055.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në komunikimin e përditshëm lidhur me situatën e krijuar prej COVID-19, ka raportuar se aktualisht në spitalin Infektiv po marrin shërbim 50 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe një i intubuar. Mosha mesatare e rasteve të hospitalizuara është 60 vjeç, mbi 60 % e tyre janë nga Tirana.

Në vendin tonë janë aktualisht 499 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë. Ministria e Shëndetësisë ka rikujtuar thirrje ndaj bizneseve dhe qytetarëve për kujdes dhe respektim të protokollit të sigurisë.

“Nisur nga fakti se ditët e fundit po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje dhe subjekte tregtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: Kur dilni, qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse kur nuk mund te ruhet distanca fizike, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni. Lidhuni me mjekun tuaj të familjes nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 për barnat me rimbursim apo pyetje në lidhje me COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes, qëndroni të izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare, 127”, apelon ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale./atsh

11 të shëruar brenda 24 orëve të fundit, 50 të shtruar në spitalin Infektiv Read More »

69 të prekur me COVID-19 në 24 orë/ Tomini: Shkak ulja e vigjilencës dhe moszbatimi i rregullave

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëvë të fundit janë identifikuar 69 raste pozitivë me koronavirus.

Eugena Tomini, shefe e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP, deklaroi se “gjatë javës së fundit ka rezultuar rritje e numrit të rasteve të identifikuara pozitive, ka një rritje të të shtruarve në spital, por qëndrueshmëri sa i takon fataliteteve. Kjo rritje lidhet me uljen e vigjilencës dhe moszbatimin e rregullave të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore. Por duhet theksuar se kjo periudhë nuk mund të krahasohet me periudhën e pikut nën efektin e masave të karantinës, për vetë faktin se kemi kohë më të gjatë ekspozimi dhe numër më të lartë kontaktesh gjatë aktiviteteve rutinë të ditës, ku aktualisht 97 % e subjekteve janë në aktivitet. Për këtë arsye, duhet kujdes i shtuar për zbatimin e rregullave”.

Sipas Tominit, “kanë vijuar me intensitet testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 319 testime për të dyshuar të prekur me CCOVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 69 raste pozitive kryesisht në ndërmarrje dhe aktivitete biznesi, kontakte të rasteve te konfirmuara më herët pozitive, të identifikuara nga gjurmimi dhe hetimi epidemiologjik, si dhe raste te reja.

Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë është si vijon: Tirana 28 të prekur, 16 në Shkodër, 8 raste pozitive në Krujë, 6 në Vlorë, 5 në Durrës, 2 në Elbasan, dhe nga 1 rast në Kamëz, Mallakastër, Pukë dhe Lushnje. Ndërkohë që janë në hetim disa raste të reja në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Kamëz dhe Durrës”.

COVID-19 – Statistika (15 Qershor 2020)
Testime totale 20813
Raste pozitive 1590
Raste të shëruara 1055
Raste Aktive 499
Humbje jete 36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 249
Shkodër 68
Krujë 63
Kamëz 27
Durrës 25
Vlorë 21
Lushnje 13
Pukë 11
Elbasan 6
Fier 4
Lezhë 3
Tropojë 2
Mallakastër 2
Korçë 1
Librazhd 1
Berat 1
Ura Vajgurore 1
Gjirokastër 1/atsh

69 të prekur me COVID-19 në 24 orë/ Tomini: Shkak ulja e vigjilencës dhe moszbatimi i rregullave Read More »

Ndahet nga jeta në moshën 71-vjeçare, akademiku dhe shkrimtari Moikom Zeqo

Akademiku, studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo është ndarë sot nga jeta në moshën 71-vjeçare pas sëmundje të rëndë.

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Pasi mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi, do të niste punën si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”.

Në vitet 1979-1987, Zeqo punoi pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit, e më tej si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë.

Më 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 u zgjodh deputet i PS dhe shërbeu deri më 1996. Më pas, do të shkëputej nga politika dhe do të zgjidhej drejtor në Muzeun Historik Kombëtar.

Moikom Zeqo ka lënë pas rreth 100 tituj librash në poezi, prozë, eseistikë, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe një numër skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor.

Veprat e tij janë përkthyer më disa gjuhë të huaja, anglisht, esperanto, gjermanisht etj.

Historiani Zeqo është vlerësuar me Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”./atsh

Ndahet nga jeta në moshën 71-vjeçare, akademiku dhe shkrimtari Moikom Zeqo Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 48 raste të reja në 24 orët e fundit, rritje e numrit të rasteve në disa biznese dhe grumbullime

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 270 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19 nga të cilat janë konfirmuar 48 raste pozitive, kontakte të rasteve të konfirmuara pozitivë, por ka shumë të reja në proces hetimi në Tiranë, Krujë, Fier, Durrës, Kamëz.

Dr. Flutura Beqo pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi sot se “kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, hetimi dhe gjurmimi aktiv i rasteve në terren”.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 270 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19 nga të cilat janë konfirmuar 48 raste pozitive”, tha ajo duke shtuar se “shpërndarja e rasteve të reja është si vijon: 24 raste në Tiranë, 8 në Krujë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 2 Lezhë, 2 Pukë, 3 Kamëz, 1 Gjirokastër, 1 Elbasan.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 5 qytetarë dhe aktualisht më shumë se 70% e të prekurve që nga fillimi i epidemisë janë shëruar. Por vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv. Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 52 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive dhe një i intubuar. Në vendin tonë janë aktualisht 389 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë”, tha Beqo.

Ajo tha se “ditët e fundit është vënë re rritje e numrit të rasteve në disa aktivitete biznesi, në institucione të ndryshme, në pjesëmarrje në ceremoni mortore dhe grumbullime”.
“Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët, bizneset, që në mënyrë strikte të respektojnë zbatimin e masave të rekomanduara: distancën fizike, përdorimin e maskave në shërbim dhe kur nuk është e mundur të respektohet distanca, higjienën personale, dezinfektimin e ambienteve, ajrosjen e tyre, në mënyrë që të kufizohet përhapja e COVID-19”, apeloi Beqo.

Ajo tha se inspektorët e Task-Forcës anti-covid do të vijojnë kontrollet në çdo subjekt, në institucione apo biznese tregtare të çdo lloji, për zbatimin e protokolleve të sigurisë.
“Do të vijojë bashkëpunimi me forcat e rendit për kontrollin e vazhdueshëm për zbatimin e karantinës të qytetarëve të konfirmuar pozitive që janë pa shenja dhe që duhet të respektojnë detyrimin për të qëndruar të izoluar. Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve”, thekson Beqo.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale edhe një herë ka një lutje për qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes sepse virusi është ende mes nesh. Mos i neglizhoni shenjat e sëmundjes. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID-19”.

COVID-19 – Statistika (13 Qershor 2020)

Testime totale 20132
Raste pozitive 1464
Raste të shëruara 1039
Raste Aktive 389
Humbje jete 36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 220
Shkodër 45
Krujë 40
Kamëz 26
Durrës 19
Pukë 9
Lushnje 6
Vlorë 6
Elbasan 4
Lezhë 3
Fier 3
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1
Berat 1
Ura Vajgurore 1
Gjirokastër 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 48 raste të reja në 24 orët e fundit, rritje e numrit të rasteve në disa biznese dhe grumbullime Read More »

AKU kryen 247 inspektime, asgjëson 87,5 tonë produkte ushqimore dhe 20 masa administrative

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me fokusin e pandërprerë në garantimin e sigurisë ushqimore ka kryer gjatë ditës së sotme 247 inspektime dhe monitorime në kuadër të Planit Vjetor dhe si pjesë e Taskforcës kundër përhapjes së COVID-19.

AKU shprehet se “referuar konstatimeve gjatë kontrolleve janë vendosur 20 masa administrative “paralajmërim”. Janë asgjësuar 87,5 tonë produkte ushqimore me kërkesë të vetë subjektit, duke mbajtur kështu pastër tregun nga produkte të papërshtatshme për konsum.”

Siguria dhe cilësia e produkteve sezonale është në vëmendjen e veçantë të AKU-së, ku gjatë ditës së sotme janë marrë 42 mostra për kryerjen e analizave laboratorike.

AKU është çdo ditë në punë, pa ndaluar për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e secilit konsumator si dhe duke siguruar produkte të shëndetshme në tavolinat e çdo familjeje./atsh

AKU kryen 247 inspektime, asgjëson 87,5 tonë produkte ushqimore dhe 20 masa administrative Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 31 raste të reja, 48 pacientë të shtruar në Spitalin Infektiv

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 31 raste të reja me COVID-19.

Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se “kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, hetimi dhe gjurmimi aktiv i rasteve në terren. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 300 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19 nga të cilat janë konfirmuar 31 raste pozitive, pjesa më e madhe kontakte familjare të rasteve të konfirmuara pozitivë, por ka disa raste të reja në proces hetimi në Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë”.

Sipas saj, shpërndarja e rasteve të reja është si vijon: 8 raste në Tiranë, 6 në Pukë, 5 në Shkodër, 5 në Vlorë, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Elbasan dhe 1 rast në Lushnje.

“Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 71-vjeçar nga Durrësi, i shtruar prej më shumë se dy javësh”, – tha Tomini.

Aktualisht, bëri të ditur ajo, në spitalin infektiv po marrin shërbim 48 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive.

Në vendin tonë janë aktualisht 346 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje për ndërgjegjësim për të gjithë popullatën, të jemi më të kujdesshëm për shëndetin tonë dhe të afërmve tanë ndaj Covid19, të respektojmë distancimin fizik jo më pak se 1.5 m, aty ku nuk është e mundur të respektohet të përdoret maska mjekësore, të evitojmë grumbullimet masive, në ceremoni festive, mortore, fetare, të evitojmë kontaktet, dhënien e duarve dhe përqafimeve, të respektojmë higjenën respiratore, kollitje e teshtime të kryhen në këndin e brrylit dhe të gjitha masat duhet të kombinohen me higjienën e larjes së duarve. Është shumë e rëndësishme që në këtë luftë kundër Covid 19 të jemi të gjithë bashkë”, – tha Tomini.

Ajo shtoi se duhet mos ulur vigjilenca në asnjë moment.

Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.

COVID-19 – Statistika (12 Qershor 2020)
Testime totale 19862
Raste pozitive 1416
Raste të shëruara 1034
Raste Aktive 346
Humbje jete 36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 199
Shkodër 45
Krujë 32
Kamëz 23
Durrës 15
Pukë 7
Lushnje 6
Vlorë 6
Elbasan 3
Mat 2
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1
Lezhë 1
Berat 1
Ura Vajgurore 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 31 raste të reja, 48 pacientë të shtruar në Spitalin Infektiv Read More »

44 raste të reja, 52 pacientë të shtruar në Spitalin Infektiv

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 44 raste të reja me COVID-19.

Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u shpreh se “kanë vijuar testimet për të dyshuar të prekur me Covid19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve”.

Në 24 orët e fundit janë kryer 291 testime nga të cilat janë konfirmuar 44 raste pozitive, përkatësisht, 22 raste në Tiranë, 6 në Krujë, nga 4 raste në Durrës, Kamëz, Shkodër, 2 raste në Lushnje dhe nga 1 rast në Vlorë, Elbasan. Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve pozitive por edhe shume raste të reja që janë në hetim në Shkodër, Elbasan, Vlorë’.

Sipas saj, nga 40 personel shëndetësor të testuar kanë rezultuar pozitivë 9 prej tyre, të gjitha kontakte, ndërsa janë shëruar 21 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve mbi 1 mijë që nga fillimi i epidemisë.

Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv kryesisht nga Tirana. Aktualisht janë 52 pacientë të shtruar, ndërsa 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive. Në vendin tonë janë aktualisht 349 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrengimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës personale. Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.

COVID-19 – Statistika (11 Qershor 2020)
Testime totale 19562
Raste pozitive 1385
Raste të shëruara 1001
Raste Aktive 349
Humbje jete 35 (Qarku Tiranë 21, Durrës 6, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 211
Shkodër 42
Krujë 32
Kamëz 23
Durrës 16
Mat 9
Lushnje 5
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1
Lezhë 1
Pukë 1
Berat 1
Ura Vajgurore 1
Vlorë 1
Elbasan 1/atsh

44 raste të reja, 52 pacientë të shtruar në Spitalin Infektiv Read More »

Ndërron jetë në Spitalin Infektiv 59-vjeçari nga Lushnja

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv një pacient 59- vjeçar nga Lushnja i shtruar prej 6 ditësh në terapi intensive, i konfirmuar me COVID-19.

59-vjeçari vuante nga kardiomiopati e dilatuar, sëmundje renale kronike, diabet mellitus, anemi. Pas asistencës së madhe të stafit mjekësor në terapi intensive, 59- vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë i ka shprehu ngushëllime familjarëve të të ndjerit./atsh

Ndërron jetë në Spitalin Infektiv 59-vjeçari nga Lushnja Read More »