Aktualitet

HAPËSIRË – ESA: Një asteroid 370 metra do të kalojë pranë Tokës

Një asteroid me gjatësi 370 metra do të kalojë pranë Tokës në një distancë prej rreth pesë milionë kilometrash, sipas një eksperti të agjencisë hapësinore europiane, ESA.

”Asteroidi do të jetë i dukshëm nga Toka, por nuk përbën kërcënim për njerëzit’’, theksoi Detlef Koschny i agjencisë ESA, një organizatë që përfshin 22 shtete anëtare të BE-së, pjesë e eksplorimit të hapësirës.

“Asteroidet që fluturojnë brenda orbitës hënore deri në 400 000 kilometra larg Tokës të rëndësishëm për ne,” tha Koschny duke shtuar se asteroidet me një rrugë më të largët fluturimi nuk duhet të monitorohen nga ESA.

Ajo që është e pazakontë për asteroidin në fjalë është madhësia e tij.

Nga 880 asteroide të vlerësuara nga agjencia, ai është një nga 20 më të mëdhenjtë për nga diametri.

“Njerëzit do të jenë në gjendje të shohin asteroidin me një teleskop standard gjatë fundjavës”, tha Koschny./ /os/ a.jor.

HAPËSIRË – ESA: Një asteroid 370 metra do të kalojë pranë Tokës Read More »

Aeroporti i Vlorës, Rama: Më i madh dhe me standarde më të larta se i Tiranës

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot në Vlorë, projektin për ndërtimin e aeroportit të ri të Vlorës, i cili do të jetë 3,2 kilometra i gjatë dhe 60 metra i gjerë.

Ky aeroport do të ketë tri shtylla kryesore: Aviacionin Civil, Cargo-n e tregtisë së mallrave dhe mirëmbajtja e avionëve.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, theksoi se aeroporti i Vlorës do të jetë më i madh se i Tiranës dhe do jetë shumë herë më shumë me standarde se ai i Rinasit.

“Më vjen shumë mirë që ne sot, kemi praktikisht gati projektin e aeroportit. Paraqitja e bërë këtu ishte një paraqitje e përmbledhur e imazhit të aeroportit, por projekti është shumë voluminoz i cili faktikisht është i gatshëm për t’u marrë në dorë nga ndërtuesi dhe për të filluar ndërtimin”, – tha Rama.

“Dua të vë theksin te një fakt që besoj është i rëndësishëm. Deri para pak vitesh, ky aeroport ishte një ëndërr shumë e hershme dhe një premtim i përsëritur rëndom në fushata elektorale, por askush nuk e besonte vërtetë se mund të vinte dita që Vlora do kishte aeroportin e saj ndërkombëtar”, – shtoi ai.

“Kjo, sepse konteksti ishte shumë i vështirë dhe ajo që unë vetë e kam kaluar si eksperiencë është që nuk kishte asnjë interes, nuk kishte investitorë apo kompani të interesuar dhe faktikisht, përpjekja e parë u bë si rezultat i një le të themi gatishmërie nga ana e qeverisë turke për të na ndihmuar, jo për arsye komerciale, por thjesht për të na dhënë një dorë për ta ndërtuar këtë aeroport”, – vijoi Rama.

“Ne u përpoqëm të gjejmë një marrëveshje me konsorciumin që erdhi në Shqipëri, që bëri vizitat e nevojshme, hartoi një projekt financiar dhe pas një negociate shumë të gjatë nuk gjetëm pikat e duhura të afrimitetit për një marrëveshje të favorshme të dyanshme, duke nisur nga kërkesat e konsorciumit se për çfarë duhet të garantonte shteti, dhe këto ishin kërkesa jashtë mundësive tona. Kjo në një kontekst ku Vlora nuk kishte marrë imazhin që ka sot dhe ku Shqipëria nuk ishte në kontekstin ku është sot në aspektin e turizmit”, – theksoi Kryeministri.

“Vlora nuk është më ajo që ishte disa vite më parë, një qytet ku edhe për vetë ata që banonin, kishin vështirësi të hynin për të shkuar në shtëpitë e tyre dhe jo më pas për të tërhequr investime të konsiderueshme deri dhe një aeroport ndërkombëtar. Patjetër, ajo që ka ndodhur me Vlorën është një histori e njohur dhe e pranuar nga të gjithë. Por, kjo nuk është fundi, por fillimi e një historie transformimi, pasi veprat e realizuara do të pasohen nga të tjera investimet dhe paralelisht me gjithë zhvillimin e akseve kryesore të sektorëve që transformojnë qytetin, duke nisur nga infrastruktura, hoteleria… etj”, – tha Rama.

“Do përpiqemi të intensifikojmë punët edhe brendapërbrenda qytetit. Unë marr shumë mesazhe nga zona e padurimit vlonjat, ku të gjithë thonë se mirë kjo e ajo është bërë, por shiko në çfarë lagje jetoj unë. Jam dakord që ka dhe lagje, zona, të cilat duhet investuar dhe i gjithë qyteti duhet të kthehet në një zonë të mikpritjes. Por sot për sot nuk është e mundur që shtëpitë në lagje të caktuara të shërbejnë për turistët, kur gjenden në kontekste antituristike, por për të ndërhyrë te kjo duhet koha e caktuar për investim. Kështu që paralelisht, ne duhet t’i bëjmë të dyja, infrastrukturën qendrore dhe atë në zonat brenda qytetit, te kjo e fundit puna i takon kryetarit të Bashkisë”, – tha Rama.

Duke folur për investimet, Kryeministri tha se “së shpejti do fillojmë pjesën e Lungomares me pikën ku është sot deri te tuneli, më pas nga tuneli deri në Orikum, e më pas drejt Llogorasë, ku ministrja po punon për tunelin e Llogorasë dhe mundësisht dhe për një marrëveshje me investitorë të mundshëm për tunelin e Llogorasë, pasi jo të gjithë kanë dëshirën të ngjiten në mal për të kaluar matanë në det”, – tha Rama.

“Më pas do ketë investime të vijimit të Lungomares te zona e Pyllit të Sodës dhe gjithashtu investimi tek porti, që do marrë formën e portit turistik. Por normalisht, qendra më e rëndësishme e gravitetit të zhvillimit është aeroporti ndërkombëtar, dhe ne sot e shohim që edhe për këtë ka jo pak shprehje interesi, aq sa dhe po shkruajnë në gazeta të huaja se kush është interesuar apo kush e ka marrë”, – tha Rama.

“Ama e vërteta është që ne akoma jemi në një proces diskutimit të brendshëm që do e mbyllim brenda pak javëve se si do funksionojmë. Tani që kemi projektin kemi opsionin e marrjes së një kompanie ndërkombëtare për ndërtimin e këtij aeroporti dhe më pas menaxhimin e tij, ose të nisim vetë investimin, pasi kemi përcaktuar në buxhet për të nisur punën për ndërtimin e aeroportit dhe pastaj për të kaluar në një garë ndërkombëtare për operimin, pasi shtetet nuk operojnë aeroporte. Vendimin do ta marrim së shpejti, duke parë se sa shprehje interesi real do të kemi, dhe se sa ky interes do i përgjigjet ambicies sonë për të hapur një garë, që i përgjigjet interesit të qeverisë sonë, se sa i takon ambicies së vlonjatëve nuk kapet ajo”, – theksoi Rama.

“Tani e di, që kur të mbarojmë takimin, do kem një mesazh, duke hyrë në Tiranë do më vijë një mesazh, ku është aeroporti, që natyrisht do kohën e tij. Prandaj duhet të kemi parasysh se nuk është vetëm aeroportit turistik, ku vetëm gjatë sezonit të verës duhet të ulen e ngrihen avionët gjatë periudhës së verës. Unë kam qenë kundra kësaj, pasi mendoj se aeroporti i Vlorës duhet të jetë shumë më shumë se kaq, pasi mendoj se Vlora duhet të ketë një aeroport shumë më të madh se aeroporti i Tiranës dhe me më shumë funksione se ai i Tiranës, me një standard shumë herë më të madh se aeroporti i Tiranës. Jo se Vlora është më e rëndësishme se Tirana, kjo nuk diskutohet, pasi Vlora është më e rëndësishme edhe se Nju-Jorku, Berlini, Parisi…”, – tha Rama. /a.g/

Aeroporti i Vlorës, Rama: Më i madh dhe me standarde më të larta se i Tiranës Read More »

Kryeministri Rama uron nisjen e vitit të ri shkollor

Kryeministri Edi Rama uroi sot nisjen e vitit të ri shkollor, me fotografitë e 10 nxënësve që shkëlqejnë me shembullin e tyre.

“Dhe me këta 10 yje që shkëlqejnë me shembullin e tyre në çdo lëndë mësimi, ju uroj të 455 mijë nxënësve nga klasa e parë në të dymbëdhjetën, mësuesve e prindërve të tyre në të gjithë Shqipërinë, një Vit të Ri Shkollor sa më të mbarë”, u shpreh kryeministri.

Këtë të hënë, hapin dyert të gjitha shkollat në vend, duke nisur nga ato të klasës së parë e deri në klasën e 12-të. /atsh

Kryeministri Rama uron nisjen e vitit të ri shkollor Read More »

Ndahet nga jeta Gjeneral Rahman Parllaku

Gjenerali Rrahman Parllaku, u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Gjeneral Parllakut, të cilit i akordoi para disa kohësh edhe titullin “Nderi i Kombit”.

“Me pikëllim të madh dhe dhimbje të thellë mora lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Gjeneralit legjendar Rrahman Parllaku, partizanit dhe komandantit fitimtar antifashist, qëndrestarit të pamposhtur të burgjeve komuniste, veteranit me arsye dhe zë të kthjellët në mbështetje të demokratizimit të Shqipërisë”, është shprehur Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

“Në udhëtimin e tij shekullor, Gjeneral Parllaku, jetoi luftën dhe paqen, fuqinë e pushtetit dhe persekutimin e pamëshirshëm, duke sfiduar kohët dhe regjimet, me përkushtim ndaj kombit, trimërinë dhe urtësinë e malësorit, shpirtin e lirisë dhe atdhedashurisë, duke mbetur i pathyer në çdo betejë që zgjodhi dhe iu imponua përgjatë 100 viteve”, ka theksuar Meta.

“Në 75-vjetorin e çlirimit të Atdheut, ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për të gjithë ne, që mësuam aq shumë nga vepra e tij, jo vetëm për karakterin e pathyer të njeriut të drejtë, por edhe për luftën, sakrificat sublime dhe kontributet e jashtëzakonshme të popullit tonë gjatë Luftës së II Botërore”, ka shtuar Meta.

“Duke u shprehur familjes Parllakut, të afërmve, miqve e dashamirësve të tij të shumtë, ngushëllimet më të sinqerta, jam i bindur se emri dhe vepra e tij nuk do të ndahen kurrë prej nesh. Lamtumirë Gjenerali ynë fitimtar”, është shprehur presidenti Meta.

Edhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Gjeneral Rrahman Parllakut.

“Ish-drejtuesi i formacioneve partizane në kohën e Luftës dhe gjenerali në paqe, Rrahman Parllaku ka ndërruar jetë. Veç të tjerash ishte një mik i tim eti, i cili nuk e hiqte nga goja edhe kur ai ishte në burg. Edhe për këtë arsye sa herë e takoja më nxirrte mallin e tim eti që ndërroi jetë përpara tij. Dhimbja sot për gjeneral Parllakun ka shumë kuptime. Një partizan më pak dhe një kujtim më shumë. Të qoftë dheu i lehtë gjeneral”, është shprehur ministri Majko./atsh

Ndahet nga jeta Gjeneral Rahman Parllaku Read More »

Basha: Vit shkollor të mbarë dhe të ndriçuar nga drita e dijes

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar sot nxënësit, mësuesit dhe prindërit për nisjen e vitit të ri shkollor.

“Të dashur nxënës, prindër dhe mësues, ju uroj nga zemra vit shkollor të mbarë dhe të ndriçuar nga drita e dijes!”, shprehet ai

Po ashtu Basha shton se “Lulet që mbajnë sot vogëlushët në duar janë simboli i shpresës dhe besimit tek një e ardhme më e mirë për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, që nuk do të vonojë!”.

Edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka uruar sot nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Një urim të veçantë për të gjithë nxënësit, që ulen sot në bankat e shkollës. Për ata të shkëlqyerit, që na kanë nderuar me rezultatet e tyre anembanë botës. Për ata, që me sakrificat e mëdha të prindërve të tyre përpiqen çdo ditë të jenë më të mirët. Për ata nxënës, që sfidojnë varfërinë, mjerimin dhe ndjekin shkollën në kushte të vështira. Për të gjithë ata fëmijë që, çdo mëngjes marrin bekimin dhe urimin e prindërve për të ecur në rrugën e dijes. Qoftë një vit i mbarë për të gjithë nxënësit në mbarë Shqipërinë!”, shprehet ajo./atsh

Basha: Vit shkollor të mbarë dhe të ndriçuar nga drita e dijes Read More »

Policia, plane masash për garantimin e sigurisë gjatë vitit të ri shkollor

Policia e Shtetit në përmbushje të misionit dhe detyrave të përcaktuara ka marrë një sërë masash për të garantuar sigurinë publike, rendin dhe qetësinë, për të parandaluar ngjarje kriminale apo aksidente rrugore, si dhe zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla apo edhe përreth tyre.

Drejtues Albert Dervishaj, Drejtor i Drejtorisë së Rendit Publik, në Departamentin për Sigurinë Publike gjatë një deklarate për shtyp në shkollën ” 1 Maji” në kryeqytet ka folur për masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2019 – 2020.

Kjo duke filluar nga sot, që është dita e parë e fillimit të vitit të ri shkollor dhe në vazhdimësi, për çdo ditë të zhvillimit të këtij procesi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka urdhëruar të gjithë drejtuesit e strukturave vendore të Policisë në Drejtori, Komisariate, Stacione dhe Posta Policie, të studiojnë e vlerësojnë situatën kriminale dhe atë të rendit publik. Mbi këtë bazë, strukturat vendore të policisë tashmë kanë hartuar Planet e Masave me detyra konkrete për shërbimet e kontrollit të territorit, të rendit, për policinë kriminale, policinë rrugore etj.

Në këto plane janë përcaktuar në mënyrë të detajuar detyrat që do kryejnë punonjësit e policisë me shërbim pranë shkollave, duke shtuar prezencën policore pranë ambienteve të tyre, me qëllim vlerësimin, sqarimin në kohë, ndjekjen me përparësi të informacioneve për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në këto ambiente apo pranë tyre.

Komisariatet dhe Stacionet e Policisë sipas Zonave Policore, për shkollat që kanë në juridiksion, në orët më të ngarkuara të lëvizjes së nxënësve dhe të personelit do të sigurojnë prezencë policore me Patrullën e Përgjithshme, ndihmës specialistët e policimit në komunitet, ndihmës specialistët e policisë kriminale, si dhe shërbimet e policisë rrugore, në afërsi të institucioneve arsimore, sidomos në orarin e fillimit të mësimit, gjatë pushimit të madh apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla dhe deri në përfundim të saj.

Nga punonjësit e policisë është vendosur bashkëpunimi me institucionin e Prefektit, drejtuesit e institucioneve arsimore, ato të qeverisjes vendore etj. duke përcaktuar masa dhe detyra të përbashkëta me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë publike në ambientet shkollore, për:

Kufizimin apo ndalimin e parkimit, qëndrimit dhe lëvizjes së automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave.

Vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale të domosdoshme për disiplinimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve.

Mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë kanë qenë pika të grumbullimit të personave me precedentë kriminal, përdorues të pijeve alkoolike e narkotike dhe burim rreziku për prishje të rendit publik apo veprime të tjera të dhunshme ndaj personelit mësimdhënës e nxënësve të shkollave.

Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete armë zjarri, armë të ftohta apo sende të tjera të forta të rrezikshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve, oficerit të sigurisë në shkollat e mesme, por nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë.

Mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme me rojet e shkollave dhe punonjësit e shërbimit të SHPSF-ve, në ato institucione arsimore që e kanë një shërbim të tillë.

Në zbatim të Vendimit të Qeverisë me nr. 600 të tetorit të vitit 2018, mbi bazën e eksperiencës së projektit pilot të zbatuar në qytetin e Tiranës në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar, nga strukturat e Policisë së Shtetit, do të bashkëpunohet ngushtësisht me oficerët e sigurisë në 150 shkollat e mesme në Shqipëri (personel i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, të cilët kanë përfunduar trajnimin në Akademinë e Sigurisë), për shkëmbimin e informacionit, përmirësimin e perceptimit, forcimin e bashkëpunimit midis OSSH-së, nxënësve dhe policisë.

Vlerësimin e çdo informacioni që ka të bëjë me prishjen e rendit publik, konflikte, mosmarrëveshje që mund të kenë nxënësit apo në përballje me fenomenin e bulizmit, me qëllim marrjen e masave të nevojshme për parandalimin e veprave penale, identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.

Për raste të veçanta dhe për shkolla të veçanta, në të cilat situata e rendit dhe sigurisë mund të paraqesë shqetësime do të planifikohen dhe kryhen shërbime fikse, sipas orarit të zhvillimit të procesit mësimor, për periudha kohore të caktuara.

Nga ana e strukturave të policisë kriminale, të policimit në komunitet, të rendit publik dhe të policisë rrugore, në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe organizatat joqeveritare që në fokusin e punës së tyre kanë institucione arsimore, do të organizohen dhe zhvillohen aktivitete të përbashkëta me mësuesit dhe nxënësit, si në ambientet e policisë ashtu edhe në ato të shkollave, për njohjen dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në qendrat urbane, për sigurinë dhe bashkëpunimin me policinë, pasojat e përdorimit të lëndëve narkotike, rrezikshmërinë e mbajtjes së armëve të ftohta dhe armëve të zjarrit etj.

Specialistët për krimet dhe ndihmës specialistët e policimit në komunitet / SPZ, sidomos funksioni që ka drejtimin e punës me të rinjtë, nxënësit dhe me shkollat, do të marrin pjesë në takimet që zhvillohen në shkolla, si në bordin e prindërve, senatin e nxënësve, duke diskutuar dhe trajtuar problemet apo shqetësimet që lidhen me sigurinë në këto institucione.

Policia e Shtetit siguron nxënësit dhe prindërit, Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe ato të shkollave, se do të jetë e gatshme në çdo kohë lidhur me vlerësimin dhe realizimin e masave të sigurisë në shkolla.

Ata do të gjejnë tek punonjësit e policisë partnerë bashkëpunues e seriozë, por njëherësh kërkojmë edhe bashkëpunimin e tyre, për të bërë prezent tek strukturat policore çdo shqetësim dhe problematikë që mund të kenë.

Policia e Shtetit fton cilindo shtetas të denoncojë çdo shkelje ligjore dhe siguron se do të vlerësojë maksimalisht çdo telefonatë që do të adresohet, duke vepruar në kohën e duhur për sigurimin e rendit dhe të qetësisë, parandalimin e ngjarjeve, kapjen e autorëve të tyre dhe në bashkëpunim me prokurorinë, për zbulimin, identifikimin dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore.

Në përfundim me lejoni që ne emër të Policisë së Shtetit të uroj nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, suksese në këtë vit shkollor.

Policia e Shtetit garanton mësuesit dhe prindërit se do të kryejë me përgjegjësi të plotë detyrimet e saj për garantimin e rendit publik në ambientet shkollore./atsh

Policia, plane masash për garantimin e sigurisë gjatë vitit të ri shkollor Read More »

U rindërtuan 200 shkolla në gjithë vendin, Rama: Hoqëm trupën mësimore nga kthetrat e politikës

“Përveç infrastrukturës arsimore që po transformohet në gjithë vendin numërohen rreth 200 shkolla që janë rindërtuar me standarde optimale apo janë ndërtuar nga e para”.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama i pranishëm në përurimin e shkollës “Servete Maçi” në Tiranë.

Rama tha se këtij grupi do t’i shtohen edhe shkolla të tjera siç është grupi i 17 shkollave të reja të bashkisë së Tiranës që do të realizohen përmes një projekti të mbështetur financiarisht nga qeveria.

“Ne kemi një ambicie të re për të pasur shkolla, që duke qenë se ndërtohen nga themelet dhe nuk kushtëzojnë funksionalitetin të jenë një model i ri i shkollës së kësaj kohe të re që jetojmë”, tha Rama.

Por, sipas tij, “kur infrastruktura është aty dhe kur kushtet dhe logjistika janë aty, ajo që ka ende më shumë rëndësi është përmbajtja e procesit mësimor dhe e marrëdhënieve mes nxënësve dhe shkollës”.

Në këtë aspekt, Rama tha se nuk është aspak e ekzagjeruar të vlerësohet progresi që është bërë.

“Kemi një sistem mësimor goxha më cilësor e më miqësor për nxënësit në aspektin e ngarkesës dhe të organizimit të brendshëm. Kemi një trupë mësimore përfundimisht të mbrojtur nga sulmet e jashtme të politikës, nga kthetrat e interesave politike apo edhe nga imponimet e deridjeshme të korrupsionit dhe ryshfetit”, tha Rama.

Kryeministri tha se “sigurisht që jo gjithçka është flori, pasi ka edhe brenda gjithë këtij procesi elementë ende për t’u adresuar, por mund ta them me plot gojë se nëse shohim sistemin e funksionimit të sotëm dhe bëjmë krahasime me më parë, e shohim ndryshimin”. /atsh

U rindërtuan 200 shkolla në gjithë vendin, Rama: Hoqëm trupën mësimore nga kthetrat e politikës Read More »

225 mijë nxënës përfituan libra falas

Në gjithë vendin janë rreth 225 mijë nxënës që i kanë marrë librat falas, ndërkohë që ky numër do të rritet në vitet në vijim.

Nga shkolla e rikonstruktuar “Servete Maçi” në Tiranë, Kryeministri Edi Rama tha se ‘këtë vit kanë përfituar tekste falas nxënësit e klasave nga e para te e pesta, të gjithë pa përjashtim, si dhe të gjithë ata që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, apo nevoja të veçanta”.

Vitin e ardhshëm, Rama tha se “do të përfshihen në këtë skemë edhe nxënësit e klasës së 6-të apo të 7-të, ndërsa në vitin 2021 do të përfitohen libra falas deri në klasën e 9-të”.

Rama iu përgjigj edhe ankesës së disa prindërve apo spektatorëve të këtyre proceseve lidhur me nevojën për t’i ruajtur librat dhe për t’i përcjellë te të tjerët.

“Nuk është një çështje thjesht materiale, është një çështje edukimi me një dashuri dhe respekt të veçantë për librin. Që të vegjël jemi mësuar që libri është miku më i mirë dhe si i tillë duhet trajtuar me respektin dhe kujdesin maksimal. Vende shumë më të zhvilluara se ne si Suedia, Franca apo Kanadaja nuk do të kishin këtë praktikë të kushtëzuar, që nëse do të marrësh libra falas vitin e ardhshëm duhet që librat t’i kalosh të mirëmbajtur te ata që vijnë pas”, tha Rama.

Rama tha se edhe rezultati i këtij viti ka qenë shumë më pozitiv se e kishim parashikuar dhe librat e kthyer janë shumë më tepër se sa ne mendonim.

Duke u ndalur te cilësia në arsim, Rama tha se “çdo vit janë një numër nxënësish që mbarojnë shkollën e mesme dhe i çojmë në Universitetin e Teknologjisë në Stamboll, ku kemi një marrëveshje që gjithçka mbulohet nga universiteti”.

“Çdo vit zgjedhim 10-15 nxënës pa ditur se kush janë e nga vijnë, por thjesht vetëm nga rezultatet. Në sezonin që mbaroi, studenti më i mirë që u celebrua nga gjithë universiteti ishte një vajzë shqiptare. Shumica e atyre nxënësve që ne i zgjedhim thjesht dhe vetëm duke u nisur nga pasqyra e rezultateve, vijnë nga familje të varfra, disa prej tyre me ndihmë ekonomike”, tha Rama. /atsh

225 mijë nxënës përfituan libra falas Read More »