Aktualitet

Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, Shahini takon rektorët e universiteteve

Në prag të nisjes së vitit të ri akademik 2019-2020, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka zhvilluar një takim me rektorët e universiteteve për zbatimin e kontratës sociale me studentët, kontratë kjo e njohur ndryshe si “Pakti për Universitetin”.

Shahini ka kërkuar vijueshmëri në zbatimin e këtij pakti duke nisur nga politika për ofrimin e bursave të studimit për më të mirët, e deri te shpërndarja e kartave për t’i ardhur në ndihmë studentëve në marrjen e shërbimeve të ndryshme.

“Gati për fillimin e vitit të ri akademik. Takova rektorët për zbatimin e Paktit për Universitetin, politikën tonë për bursat dhe përjashtimin nga tarifat, kontrollin e plagjiaturës, investimet në konvikte, shpërndarjen e kartës së studentit dhe çështje të tjera që lidhen me mbarëvajtjen e vitit akademik 2019-2020”, – thotë Shahini./atsh

Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, Shahini takon rektorët e universiteteve Read More »

300 vende të lira pune në Forcat e Armatosura

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka jep lajmin se mbi 300 vende të lira pune ofrohen në mbarë vendin në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Ministrja fton çdo të ri i cili është në kërkim të një vendi pune dhe ka dëshirë t’i shërbejë atdheut, të aplikojë për t’u bërë pjesë e FA.

“Për çdo të ri me vullnet që do t’i shërbejë atdheut dhe vetes, Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë vendi i duhur!

Mbi 300 pozicione të lira pune ofrohen anembanë vendit, për çdo të ri me arsim të mesëm e sipër.

Nëse ke një zanat eja shërbe në FA, nëse s’ke, eja përfitoje”, – njoftoi ministrja Xhaçka.

Afati kohor për dorëzimin e dokumentacionit pranë është deri në 30 dhjetor 2019. Për më shumë info: https://bit.ly/2MoTqBs

300 vende të lira pune në Forcat e Armatosura Read More »

Dhuna ndaj grave e vajzave/ Së shpejti, instrumente shumë të rrepta ligjore për autorët

“Procesi i kalbur i drejtësisë ka krijuar një zinxhir të gjatë ngjarjesh tragjike, presione e dhune në familje, ndaj ne duhet të shkojmë në një nivel më lartë me kuadrin ligjor dhe rregullativ dhe me instrumente që luftojnë dhunën në familje”, tha sot kryeministri Edi Rama.

Rama mori pjesë sot në Forumin Rajonal që u organizua në Tiranë me temë: “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”.

Ai tha se po punohet dhe shumë shpejt do të dalim me një propozim shumë të rreptë për dhunuesit dhe autorët e dhunës në familjes.

Duke u ndalur te reforma në drejtësi, Rama tha se “po jetojmë në një moment shumë jetik për vendin tonë por edhe në një kthesë dramatike sa i takon reformës në drejtësi që është shumë e qartë për të ardhmen, por nuk është një vend ku mund të bëjmë një gjumë të qetë për të tashmen”.

“Kemi nisur procesin e Vetingut, një proces i detajuar, shumë i vështirë dhe që faktikisht po prodhon një situatë pastrimi rrënjësor dhe madhor. Kemi mbi 100 raste që nuk e kanë kaluar Vetingun dhe janë jashtë deri tani dhe po flasim për nivelet më të larta të drejtësisë. Por kemi edhe një sërë prokurorësh dhe gjyqtarësh që janë në vendin e tyre, e dinë që nuk mund ta kalojnë Vetingun dhe po luajnë sikur është vakti i fundit dhe duan t’i kenë të gjitha”, tha Rama.

Kryeministri tha se për shkak të sistemit të kalbur të drejtësisë kemi parë raste të padurueshme kur gratë janë dhunuar dy herë, pasi janë dhunuar brenda mureve të shtëpisë janë dhunuar për së dyti për shkak të sistemit të drejtësisë që ka mbajtur anën e burrit.

“Dhuna ndaj grave është një kri i rëndë, nuk është një krim nga ata të zakonshmit. Tani që flasim jam i sigurt se është një grua diku që po vuan dhe nuk ka shansin dhe mundësinë që të kërkojë ndihmë. Për rreth 1 muaj apo 1 muaj e gjysmë ne do të dalim me një propozim, mund të jetë kontrovers, por më mirë të kemi propozime se sa të rrimë në vendnumëro dhe të jemi të kënaqur që kemi konferenca e flasim. Ligji është thjesht një përmbledhje e gjitha frikërave tona. Ne duhet të kemi një ligj që duhet të përmbledhë të gjithë frikërat e burrave që të jenë gratë e sigurta”, tha Rama. /atsh

Dhuna ndaj grave e vajzave/ Së shpejti, instrumente shumë të rrepta ligjore për autorët Read More »

Mbi 20 ushtarakë shqiptarë, trajnim nga ekspertë amerikanë

avë përgatitje intensive për mirëmbajtjen e mjeteve të blinduara Humvee M1114.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bën të ditur se përgatitja u drejtua nga ekspertë të mirëmbajtjes së automjeteve të ushtrisë amerikane të caktuar në Organizatën e Menaxhimit të Trajnimit të Ndihmës për Sigurinë.

Ushtarët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë ishin pjesëtarë të Batalionit te dytë, të Grupit të Betejës të Këmbësorisë së Motorizuar (MIBG), thekson ambasada e SHBA në Tiranë.

“Javën e kaluar, më shumë se 20 anëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë përfunduan tre javë përgatitje intensive për mirëmbajtjen e mjeteve të blinduara Humvee M1114, të drejtuar nga ekspertë të mirëmbajtjes së automjeteve të ushtrisë amerikane të caktuar në Organizatën e Menaxhimit të Trajnimit të Ndihmës për Sigurinë. Ushtarët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë ishin pjesëtarë të Batalionit te dytë, të Grupit të Betejës të Këmbësorisë së Motorizuar (MIBG)”, njofton ambasada amerikane në Tiranë./atsh

Mbi 20 ushtarakë shqiptarë, trajnim nga ekspertë amerikanë Read More »

Qendra riedukimi për burrat që trajtojnë keq gratë, mbrojtje direkte për të dhunuarat

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “duhet të mendojmë edhe për qendra riedukimi për burrat që i trajtojnë keq gratë”, pasi sipas tij, “dhuna në familje ka po ashtu ndikim në gjithë shoqërinë në aspektin ekonomik e social”.

Rama mori pjesë në Forumin Rajonal që u organizua në Tiranë me temë: “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”.

“Jam dakord me të gjitha përpjekjet e deritanishme që janë vënë në dispozicion përmes qendrave për trajtimin e grave që janë objekt i dhunës në familje e me radhë. Por duhet të mendojmë edhe për qendra riedukimi për burrat që i trajtojnë gratë keq. Nuk duhet të jetë kaq e thjesht, nëse thjesht e bën dhe i shpëton kësaj për shkak të një sistemi të kalbur të drejtësisë”, tha Rama.

Sipas tij, nuk duhet të mjaftohemi me faktin se burrat dhunues thjesht denoncohen, por duhet të ketë edhe një të mesme që do t’i bëjë këta burra të japin llogari për çdo veprim të gabuar që bëjnë kundrejt grave apo familjes”.

“Është shumë e rëndësishme që ta çojmë përpara këtë axhendë. Dhuna në familje nuk është një çështje e izoluar në rrethin e grave, por ka ndikim në gjithë shoqërinë në aspektin ekonomik e social, ndaj duhet të bëjmë më tepër për t’i bërë burrat të mbajnë përgjegjësi”, tha Rama.

Ai theksoi se “duhet t’i ofrojmë grave një mbrojtje të drejtpërdrejt dhe të menjëhershme dhe nuk duhet të presim që procesi të zgjas pafundësisht”.

“Unë marr shumë mesazhe nga njerëz përditë dhe nuk ka një ditë të vetme që unë të mos marrë një mesazh nga një grua e cila ndihet e braktisur, e lënë mënjanë apo që nuk po merr mbrojtjen që ka nevojë. Kjo është shumë shqetësuese, pasi nuk mjafton vetëm të themi shko raportoje e denoncoje, duhet që të ofrojmë një garanci dhe mbështetje direkte dhe të drejtpërdrejtë. Mendoj se edhe burrat që janë të dyshuar, apo që kanë gjasa se mund të ushtrojnë dhunë, duhet të largohen nga shtëpia dhe të izolohen. Se ku dhe se si, kjo është një pikëpyetje shumë e madhe për të cilën duhet të diskutojmë”, tha Rama. /atsh

Qendra riedukimi për burrat që trajtojnë keq gratë, mbrojtje direkte për të dhunuarat Read More »

Rihapet “Syri i Kaltër”/ Prefekti Mamaj për ATSH-në: Rrethim i zonës dhe restaurim i ballkonit panoramik

“Syri i Kaltër” në Sarandë, një mrekulli natyrore që të befason, disa ditë pas incidentit të ndodhur rreth një javë më parë, rihapet për vizitorët.

Lajmi u konfirmua për ATSH- në nga prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, i cili së bashku me drejtorin e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Nexhip Hysolakoj dhe ekspertë të jashtëm, inspektuan këtë pikë turistike.

“Gjatë inspektimit të zonës dolëm në konkluzionin se është kjo pikë turistike është e parrezikshme për vizitorët”, – tha Mamaj.

Prefekti Mamaj bëri të ditur se u vërejtën disa mangësi, të cilat do t’i korrigjojë Administrata e Zonave të Mbrojtura, Vlorë, si rrethimi i gjithë zonës së Syrit të Kaltër dhe ballkoni panoramik që shërben për të fotografuar burimin”.

“Ballkonin panoramik do ta mbajmë të bllokuar për shkak të dëmtimit nga rënia e gurëve dhe pasi të përfundojë restaurimi do të hapet”, – tha ai.

Mamaj shtoi se bashkë me ADZM do t’i mbyllin sa më shpejt të jetë e mundur punimet.

Monumenti do të jetë i aksesueshëm per vizitorët prej ditës së enjte, duke respektuar këto masa sigurie: lëvizje e orientuar e vizitorëve me asistencën e rojeve mjedisore dhe guidave.

ADZM Vlorë kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vizitorëve dhe të agjencive turistike për respektimin e masave të sigurisë dhe konsultimin e rojeve mjedisore në terren për çdo problematikë.

Rreth një javë më parë si pasojë e rrëshqitjes së gurëve në Syrin e Kaltër u plagosën 2 turistë, një prej të cilëve grekë dhe tjetri izraelit.

“Syri i Kaltër” konsiderohet gjerësisht si një thesar kombëtar. Ai është i klasifikuar si një fenomen i befasues i natyrës, një vend i bukurisë natyrore që ndodhet në rrugën midis qyteteve të Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një burim 45 metra i thellë me ujë të kthjellët në mes të një pylli me lajthi, arra, qershi, pisha dhe drurë të tjerë gjelbërues./atsh

Rihapet “Syri i Kaltër”/ Prefekti Mamaj për ATSH-në: Rrethim i zonës dhe restaurim i ballkonit panoramik Read More »

Prokurorët dhe gjyqtarët që nuk kaluan Vetingun, Rama: Janë sot grupi më i madh kriminal

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga foltorja e Kuvendit se “ka ardhur koha që të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar Vetingun dhe që e dinë që nuk e kalojnë atë”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se këta prokurorë dhe gjykatës kanë nxjerrë edhe një togfjalësh me njëri-tjetrin, ‘Kap çfarë të kapësh”. Këtë grupin KÇK, ky duhet ta shpallë në kërkim dhe e them jo në mënyrë metaforike, por në mënyrë të drejtpërdrejtë. Këtë grupin duhet ta shpallim në kërkim me çdo mënyrë, duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu të gjithë së bashku”

“Është e kotë t’i bëjmë njëri tjetrit predikime dhe është e kotë nga tryezat e opozitës të ngrihemi dhe të fajësojmë qeverinë apo nga tryezat e qeverisë të ngrihemi dhe të justifikojmë”-, theksoi Rama.

Sipas tij, procesi i Vetingut për të përfunduar kuptohet do të kërkojë disa vjet.
Por, vijoi Rama, ne nuk mund të lejojmë që edhe për disa vjet të tjera prokurorë si ai Durrësit, gjykatës si ai në Durrës apo plot të tjerë si ata të bëjnë kërdinë mbi njerëzit.

Kreu i qeverisë u shpreh se “çdo ditë marr mesazhe siç i merrni ju të gjithë ose nga situata që i njihni ju të gjithë nga njerëz që po capëlohen nëpër prokurori dhe gjykata.

“E dëgjova të nderuarin gojëtar të opozitës, madje kur erdha thashë kush po zihet në sallë se dëgjohej ulërima deri jashtë kur po fliste të mëdhenj e të vegjël, kur po thoshte shteti është ai që merret me të mëdhenjtë e me të fortët. Jam shumë dakord , por si i bëhet kur shteti, ai kishte parasysh vetëm ne, por shteti nuk jemi vetëm ne , shteti janë edhe prokuroritë dhe gjykatat, që s’kanë lidhje me ne. Si i bëhet kur çon në prokurori dhjetëra sipërmarrje të mëdha, jo të vogla që bëjnë abuzime skandaloze me tatimin për vlerën e shtuar dhe askush prej tyre nuk mbahet brenda, por përkundrazi paguajnë dhe ikin. Paguajnë dhe ikin se bien në duar prokuroresh se janë KÇK”-, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama ritheksoi edhe njëherë se shpallja në kërkim e KÇK është objektivi që duhet “të kemi ne si parlament një orë e më parë”.

“Nuk ka asgjë që ne mund të na ndalojë apo justifikojë para njerëzve. Nuk mjafton më, përkundrazi po bëhet bajate. Një grua më shkruante tani nga Gjirokastra, e dhunuar nga burri, me urdhër mbrojtje detyrohet të përballet me një vendim tjetër të një KÇK, që vë mbrojtje burrin, dhunuesin dhe detyron me urdhër mbrojtje gruan që ti hapë derën burrin, se përndryshe gruaja kthehet në objekt të forcave të rendit. Si i bëhet, si mundem unë të mjaftohem t’i them këta janë kriminelë janë më keq se burri yt”-, tha Rama./atsh

Prokurorët dhe gjyqtarët që nuk kaluan Vetingun, Rama: Janë sot grupi më i madh kriminal Read More »

Çelja e negociatave, Meta: Shqipëria nuk është në rregull me “detyrat e shtëpisë”

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se Shqipëria nuk është në rregull me “detyrat e shtëpisë” për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Në një bashkëbisedim me studentët ekselentë të Universitetit Europian të Tiranës, Meta tha se “jo çdo gjë mund të zgjidhet me lobingje”.

“Sa kohë ka Bundestagu që ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme çështjen e hetimit të dosjeve të zgjedhjeve në prokurori? Sa herë kanë folur përfaqësuesit e CDU/CSU për këtë çështje, sepse në fund fare çështja e zgjedhjeve është themelore, sepse nga zgjedhjet varet gjithë funksionimi i së drejtës, i demokracisë, ligjit e me radhë. Kjo është bazike, jo një gjë që mund të anashkalohet. Po mesazhi që dhanë para krizës sonë, kur thanë se shikoni mundësinë për dialog dhe bëni zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore se kjo do t’ju ndihmojë për rrugën europiane të Shqipërisë”, – tha Meta.

Presidenti tha se “ata flasin si europianë, pastaj nëse ne nuk duam t’i dëgjojmë do të thotë se ne nuk jemi në atë standard që ata janë dhe këto deficite që ne i shtojmë hap pas hapi ata i mbajnë shënim dhe kur vjen dita e llogarisë t’i vendosin në tavolinë”.

“Shqipëria sot për fat të keq ka një lidership në tërësi që nuk do të mbajë përgjegjësi për asgjë. Ne nuk jemi në rregull me ‘detyrat e shtëpisë’. Kemi detyrime që janë mbartur nga viti në vit. Ne vetëm i kemi shtuar këto detyrime në vend që t’i realizonim. Sepse gjëra të thjeshta janë këto, me vullnet politik ato janë gjëra të thjeshta, por nëse ti do të futësh hundët te drejtësia, kuptohet që kjo nuk është rruga për të krijuar atë besim që ata të shohin si partner kaq të qëndrueshëm e serioz”, – tha Meta.

“Dikush mund të thotë se, pse na i vënë këto kushte Bundestagu? Ata kanë 3 vite që na i thonë këto gjëra. Europa ka disa standarde”, – tha Meta.

Presidenti shtoi se “ne këto gjëra i kemi ditur por interesi politik afatshkurtër ka dominuar mbi një interes më të madh të vendit dhe të gjithë shoqërisë”. “Por edhe një iluzion i gabuar se ndonjëherë gjërat mund të zgjidhen me lobingje. Jo çdo gjë zgjidhet me lobing. Janë disa standarde të cilat në fund të ditës ka disa vende që nuk i tolerojnë, sepse mbrojnë veten e tyre nuk është se kanë diçka me ne”, – tha Meta.

I pyetur se sa ndikon euroskepticizmi në këtë proces, Meta tha se “nuk është ndihmues, por të mos harrojmë liberalizimin e vizave se si ndodhi, u plotësuan mijëra kritere në kohë rekord dhe pasi u plotësuan të gjitha, ato u bënë”.

Duke bërë një retrospektivë pas, Meta tha se “kemi humbur shumë kohë, pasi në vitin 2001-2002 ne kemi qenë sa i takon BE-së, me të njëjtin ritëm si Kroacia dhe kemi qenë shumë përpara Serbisë dhe Malit të Zi”. “Ne kishim nisur procesin e MSA-së ata se kishin nisur akoma. Tani ku jemi? Ata janë shumë më përpara me kapitujt e negociatave dhe ne ende po rikthehemi për të marrë një autorizim, sepse data nuk është dhe kaq e thjesht”, – tha Meta.

Presidenti tha se “kjo nuk është përgjegjësi e popullit shqiptar që është proeuropian, por politika në nivelet e larta është mjaft toksike, mjaft konfliktuale dhe është artificiale çdo gjë”./atsh

Çelja e negociatave, Meta: Shqipëria nuk është në rregull me “detyrat e shtëpisë” Read More »