Aktualitet

Vlorë/ Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura, investim strategjik për qytetin bregdetar

Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Vlorë është një vepër infrastrukturore e rëndësishme për mjedisin e turizmin, ku çdo ditë kryhen një sërë shërbimesh.

Ndërmarrja e Ujësjellës kanalizimeve Vlorë bën të ditur se për funksionin e tij, janë të përfshira një sërë shërbimesh. Në shërbimet ditore janë të përfshira kontrolli dhe pastrimi i paneleve LCP

“Punonjësit e bashkisë kanë kryer sot shërbimet ditore në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura si: grasatimet e kompresorit, krehërit të mbeturinave, kontrolli dhe pastrimet e paneleve LCP” , shprehet UK, Vlorë.

Po ashtu është realizuar marrja e monstrave, si dhe janë kryer analizat laboratorike.

Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Vlorë konsiderohet si një investim strategjik me rëndësi të madhe për qytetin, që disiplinon rrjetin e ujërave të zeza, si dhe shërben për një standard të ri të Vlorës turistike me bregdet të pastër./atsh

Vlorë/ Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura, investim strategjik për qytetin bregdetar Read More »

Viktor Zhusti vlerësohet me çmim në Festivalin e Filmit në Irak

Festivali i Filmit në Irak ka vlerësuar aktorin shqiptar Viktor Zhusti me çmimin ‘Best Actor’ (Aktori më i mirë), në edicionin e katërt të këtij festivali që u mbajt më 7 tetor 2019.

“Slemani International Film Festivl” u mbajt në qytetin Slemani në Kurdistan Irak dhe morën pjesë 154 filma nga 78 vende të botës.

Shqipëria garoi me filmin “Delegacioni” ku arriti të marrë çmimin prestigjoz nga aktori Zhusti.

Në këtë film Viktor Zhusti interpreton personazhin kryesor, që është një intelektual i burgosur, që nuk pranon lojën e pushtetit por preferon sakrificës në vend që të kthehet në vegël të tyre. /atsh

Viktor Zhusti vlerësohet me çmim në Festivalin e Filmit në Irak Read More »

Pastrimi i kanalit të “Naunkës” drejt përfundimit/ Leli: Të marr fund hedhja e mbeturinave

Në qytetin bregdetar të Vlorës vijon me ritme të larta puna për pastrimin e kanalit të “Naunkës”, një nga më kryesorët në qytet, ndërsa është realizuar edhe ndërtimi i katër urave të cilat ishin dëmtuar.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli inspektoi sot punën që po realizohet, shoqëruar nga nënkryetari, Shkëlqim Rama dhe drejtori i Ujësjellës Kanalizime, Dorian Xhelili.

“Punonjësit e bashkis se Vlorës po punojnë për muaj të tërë në kanalet e bllokuara dhe ta atyre që kanë vështirësuar gjithmonë rrjedhjen e ujërave nga qyteti në drejtim të hidrovorit apo detit. Ajo që dua tu tregoj qytetarëve është se duhet të marr fund ndërtimi në buzë të kanaleve dhe në hapësira të tjera që prishin vazhdimësinë normale të rrjedhjes së ujërave në drejtim të hidrovorit të qytetit”-, tha Leli.

Kryebashkiaku Leli falënderoi punonjësit e bashkisë dhe të Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë.

“Kemi punuar në këto vite që rrjeti i kanaleve të qytetit të jetë në funksion. Në këtë zonë informale ku ka ndërtime pa fund që kanë dëmtuar strukturën e kanalizimeve kanë ngelë edhe 70 metra e fundit për të pastruar. Me mbërritjen e shirave do e kemi përfunduar të gjithë kanalin dhe shpresojmë të kemi më pak problematika”-, theksoi Leli.

Sipas tij, kjo punë meriton vlerësimin e të gjithëve.

“Banorët para çdo godine, para çdo ndërhyrje infrastrukturore pa leje që kanë bërë 25 vitet e fundit kanë dëmtuar kanalet. Na është dashur të rindërtojmë katër ura, që ishin dëmtuar nga fondi i bashkisë dhe nga bashkëpunimi që kemi pasur me donatorët që të përmirësojmë jetën e këtij komuniteti”-, – shtoi ai.

Leli i bëri apel qytetarëve të mos hedhin mbeturina në kanalet kulluese të qytetit.

“Punonjësit e bashkisë kanë gjetur lavatriçe, goma makinash, qese me mbeturina etj. Janë qytetarë të papërgjegjshëm që shkaktojnë këtë kaos të madh bashkisë dhe qytetit”, – tha Leli.

Kryebashkiaku Leli tha se janë qytetarët ata që duhet t’i mbrojnë këto investime/atsh

Pastrimi i kanalit të “Naunkës” drejt përfundimit/ Leli: Të marr fund hedhja e mbeturinave Read More »

Kosovë/ Përfundon numërimi i votave të rregullta

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në Kosovë, ka numëruar 100% të votave të rregullta për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 202.968, vota apo 25,48%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka 197.702 vota, apo 24,82%, Partia Demokratike e Kosovës ka 169.211, apo 21.24%.

Koalicioni AAK-PSD ka marrë 92.149 vota apo 11,57%; Lista Serbe ka marrë 6.61 për qind ose 52.620 vota.

Koalicioni Nisma-AKR-PD mbetet nën pragun zgjedhor, pasi ka marrë 39.495 vota apo 4.96%.

Rezultatet nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta, të cilat pritet në numërohen gjatë ditëve të ardhshme.

Nga numërimi i 100% të votave, 40.732 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga ana e KQZ-së.

Në zgjedhjet për nivelin qendror në qershor 2017, mbi 42 mijë fletëvotimi të qytetarëve u shpallën të pavlefshme.

Shifra e votave të pavlefshme pothuajse u dyfishua në tetor të po atij viti kur vendi shkoi në zgjedhje lokale. Ishin rreth 80 mijë vota, të cilat KQZ-ja i shpalli të pavlefshme. /KosovaPress/

Kosovë/ Përfundon numërimi i votave të rregullta Read More »

“Tetori rozë”, Margarita Xhepa një mesazh të ndjerë për nënat

Margarita Xhepa, aktorja e dashur për shumë breza, i është bashkuar fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë “Tetori rozë” dhe ka një thirrje zemre për të gjitha gratë.

Në muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa bëri një thirrje të ndjerë për të gjitha nënat shqiptare, të kujdesen për veten, të kryejnë kontrollin rutinë sepse kancer i gjirit nëse kapet në kohë mund të shërohet.

“Nënat janë mbështetja më e madhe e fëmijëve dhe bashkëshortëve të tyre. Kur sëmuret nëna, sëmuret e gjithë shtëpia. Prandaj të dashura gra, shkoni për një vizitë rutinë te mjeku. Mendoni për shëndetin tuaj dhe të fëmijëve, të cilët gjithmonë kanë nevojë për kujdesin dhe dashurinë tuaj. Kanceri i gjirit po të kapet që në fillim nuk bën rrezik”, tha Xhepa në videomesazhin e saj./atsh

“Tetori rozë”, Margarita Xhepa një mesazh të ndjerë për nënat Read More »

Drejtues dhe efektivë të Gardës dhurojnë gjak

Punonjësit e Gardës së Republikës kanë dhuruar sot gjak për të sëmurët në spitale, si një gjest solidariteti dhe humaniteti. Fushatës për dhurimin vullnetar të gjakut nën emrin “10 minuta për të shpëtuar 3 jetë!” i janë bashkuar drejtues dhe efektivë të Gardës.

“Të dhurosh gjak është një akt humanizmi dhe solidariteti, ndaj të gjithë së bashku, mund të rrisim ndërgjegjësimin për të siguruar gjak”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Shumë punonjës të Gardës shprehën vullnetin dhe dëshirën për të dhuruar gjak duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë ndërkohë që vlen të theksohet se kësaj nisme punonjësit e Gardës i janë bashkuar çdo vit. /atsh

Drejtues dhe efektivë të Gardës dhurojnë gjak Read More »

Përkujtohet ekzekutimi i deputetëve të opozitës së parë të vitit 1945

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, kujton ekzekutimin e deputetëve të opozitës vrarë në shtator 1947, plot 72 vite më parë.

“Një ditë kujtese dhe mendimi. E paharruar seanca parlamentare ne përkujtim te rezistencës dhe martirizimit të grupit të deputetëve. Çdo tetor na kujton sa me fat jemi që jetojmë në demokraci!”, shprehet kryetarja e AIDSSH, Gentiana Mara Sula.

Në datën 10 shtator 2017, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit zhvilloi një aktivitet në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në kujtim të martirizimit të grupit të deputetëve të pushkatuar nga regjimi komunist.

Kjo ngjarje, mbetur e mbuluar për një kohë të gjatë, duhet të na shërbejë për një reflektim të thellë, jo thjesht për të nxjerrë të vërtetën e asaj ngjarjeje, por për të reflektuar për lirinë.

Ekzekutimi i deputetëve të opozitës së parë të vitit 1945

Në fillim të vitit 1947, pa iu hequr mandati i deputetit, u arrestuan: Riza Dani, deputet i Shkodrës; Shefqet Beja, deputet i Durrësit; Enver Sazani, deputet i Durrësit; Selaudin Toto, deputet i Gjirokastrës; Irfan Majuni, deputet i Dibrës; Faik Shehu, deputet i Dibrës; Kosta Boshnjaku, deputet i Tiranës dhe Gjergj Kokoshi, deputet i Shkodrës, i pari ministër i Arsimit pas Luftës së Dytë Botërore. Gjyqi u zhvillua në kinema “17 Nëntori” (Nacional) në Tiranë, me po atë dekor të brendshëm dhe të jashtëm, me po ato parulla të hedhura nga turma e irrituar, sikurse edhe në Gjyqin Special të zhvilluar në kinema “Kosova”. Shefqet Beja, pati guximin të zhvishet në sallën e gjyqit, për t’i treguar trupit gjykues dhe të pranishmëve në sallë, plagët e shkaktuara nga hekuri i skuqur në gjoks dhe në shpinë.

Një pjesë e mirë e të pandehurve, nën efektin e torturave, pranuan se kishin krijuar një “Grup opozitar”, për të vendosur në Shqipëri një regjim kapitalist. Vendimi u dha në fund të muajit shtator të vitit 1947 dhe ishte i paapelueshëm.

Vendimi

Më së fundmi, pas shumë akuzash dhe kundër akuza, Gjykata e Lartë nxori vendimin nr. 187, datë 27. 9. 1947:

“…Për veprën e tradhtisë së lartë për rrëzimin e shtetit demokratik shqiptar…” dënohen:Me vdekje me pushkatim: Selaudin Toto, Irfan Majuni, Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agothokli Xhitoni, Abdyl Kokoshi, Selim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Sogioti, Tefik Delialliasi, Pertef Karagjozi, Shefqet Beja, Sulo Klosi.

Në fund, numri i të ekzekutuarve arriti deri në 40 persona, pasi më mbrapa në këtë akuzë u përfshinë dhe ata që u konsideruan “bashkëpunëtorë të deputetëve”.

Ekzekutimi në Malin me Gropa

Të gjithë deputetët e dënuar me vdekje në qelitë e Burgut të Sigurisë së Lartë Nr. 313 në kryeqytet, në pritje të zbatimit të vendimit të ekzekutimit të tyre. Pas kësaj do të vinin orët e para të mesnatës së 10 tetorit, kur skuadra e pushkatimit do t’i merrte për t’i çuar në zonën e Malit me Gropa, ku do të ekzekutoheshin që të gjithë./atsh

Përkujtohet ekzekutimi i deputetëve të opozitës së parë të vitit 1945 Read More »

Në Kadastrën e Vlorës,Z.Vullnet Sinaj, zhvillon takim me qytetarët

Në Kadastrën e Vlorës, zhvillova një takim lidhur me disa problematika të qytetarëve të cilët i kishin adresuar ato pranë zyrës time.

Në hyrje të institucionit, u ndala dhe u takova me disa qytetarë, të cilët i dëgjova për problemet që kishin dhe i ftova të paraqiteshin në zyrën time nëse nuk do të mernin zgjidhje mbas takimit që ata do të zhvillonin në institucion.
Gjatë takimit, shtrova për zgjidhje dhe vura theksin te problematikat të cilat janë mbartur dhe lënë në harresë prej vitesh, siç ishin legalizimi i godinës së ish-Fabrikës së Makaronave për 22 qytetarë të Vlorës, kalimi në pronësi i parcelave ndërtimore për disa qytetarë që kanë legalizuar ndërtesat, zgjidhja e problematikave me AMTP-të për disa banorë të fshatit Peshkëpi, si edhe raste të legalizimeve të ndërtimeve informale në fshat dhe në qytet, si edhe banesave të ndërtuara para vitit 1991.

Vlerësoj gadishmërinë e stafit të Kadastrës së Vlorës, për prakticitetin dhe futjen në rrugën e zgjidhjes të të gjitha problematikave më sipër, të cilat do të ndiqen hap pas hapi nga stafi i zyrës time, deri në zgjidhjen përfundimtare të tyre, por nuk mund të lë pa kritikuar punën e këtij institucioni i cili ndër vite ka sjell mjaft problematika për qytetarët duke keqregjistruar pronat e tyre, ashtu sikundër shpresoj dhe jam i bindur se me krijimin e Institucionit të ri të Kadastrës, të gjitha këto problematika do të futen në rrugën e zgjidhjes.

Në Kadastrën e Vlorës,Z.Vullnet Sinaj, zhvillon takim me qytetarët Read More »