Aktualitet

Riatdhesimi me anije i 99 qytetarëve italianë dhe shqiptarë/ Ambasada e Italisë falënderon institucionet shqiptare

Ambasada e Italisë në Tiranë ka falënderuar sot institucionet shqiptare, GDF dhe kompaninë “Adria Ferries” të cilat në një moment kaq të vështirë kanë bërë të mundur riatdhesimin me anije të 99 shtetasve italianë dhe shqiptarë për në Itali.

Në një deklaratë për mediet, Ambasada e Italisë shprehet se “sot në mëngjes mbërriti në portin e Barit një traget i kompanisë “Adria Ferries”, i cili transportoi 99 persona, shtetas italianë dhe disa qytetarë shqiptarë me leje qëndrimi të rregullt në Itali, të cilët mbetën të bllokuar në Shqipëri”.

“Kjo procedurë u autorizua në mënyrë të jashtëzakonshme nga institucionet dhe autoritetet kompetente shqiptare me qëllim riatdhesimin në Itali të shtetasve te cilët informuan ambasadën italiane se kishin mbetur të bllokuar në Shqipëri me automjetin e tyre, duke dhënë arsye urgjente për kthimin në Itali për nevoja shumë serioze familjare. Midis tyre edhe dy mjekë shqiptarë te cilët iu përgjigjën menjëherë thirrjeve të strukturave shëndetësore në Itali, duke paraqitur kërkesë për kthim të menjëhershëm. Në këtë periudhë te madhe emergjence, shfaqet edhe me më shumë forcë marrëdhënia e veçantë midis vendeve tona dhe solidariteti i madh i një vendi mik si Shqipëria. Duartrokitje të veçanta për dy mjekët shqiptarë, të cilët kanë vendosur t’i përgjigjen menjëherë thirrjeve të strukturave të tyre shëndetësore për të ndihmuar kolegët italianë, duke iu bashkuar grupit të 30 mjekëve dhe infermierëve të dërguar të shtunën e kaluar nga Kryeministri shqiptar Edi Rama”, deklaroi ambasadori italian Bucci.

Ambasada italiane shton se “ për çdo kërkesë për asistencë, të gjithë qytetarët italianë janë të ftuar të përdorin adresën e e-mail-it të veçantë: [email protected]. Të gjithë aplikantët e tjerë të mundshëm janë të ftuar të lexojnë me kujdes urdhrin e fundit të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit të datës 28 mars 2020 – e konsultueshme në faqen e internetit”. /atsh

Riatdhesimi me anije i 99 qytetarëve italianë dhe shqiptarë/ Ambasada e Italisë falënderon institucionet shqiptare Read More »

8 pacientë të tjerë rezultojnë negativë, deri tani 52 të shëruar nga COVID-19

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se 8 persona të infektuar me COVID-19 janë shëruar.

Personat kanë rezultuar negativ pas testeve të bëra, duke e fituar betejën me koronavirusin.

“Lajm i mirë: 8 të shëruar sot”, deklaron Rama.

Edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e ka cilësuar lajm të mirë shërimin e 8 personave.

“Lajm i mirë… Edhe 8 të shëruar sot. Deri tani 52 të shëruar nga COVID-19”, deklaron ministrja.

Deri tani në vendin tonë janë 223 persona të infektuar nga koronavirus, ndërsa 11 raste të reja u shënuan gjatë 24 orëve të fundit./atsh

8 pacientë të tjerë rezultojnë negativë, deri tani 52 të shëruar nga COVID-19 Read More »

Katër gra nga e gjithë bota për një qëllim/ Infermierja shqiptare në faqen e parë të “La Repubblica”

Infermierja shqiptare, Ornela, së bashku me tre koleget e saj nga Kolumbia, Afrika dhe Italia, ishin sot në faqen e parë të përditshmes italiane, “La Republica”.

Gazeta italiane i ka kushtuar një artikull falënderues dhe vlerësues shqiptares dhe vendeve të ndryshme që janë sensibilizuar me situatën e rëndë që ka prekur Italinë për shkak të pandemisë COVID 19, ku vetëm në Itali kanë humbur jetën mbi 10 000 persona.

Sipas gazetës në fjalë, Ornela është në mesin e katër grave që së bashku përbëjnë një ekip të palodhur, vendosur në dhomën e urgjencës ku vijnë dhjetëra ambulanca çdo ditë.

“Katër gra nga e gjithë bota për një qëllim: të ndihmojnë pacientet e COVID-19 në spitalin e Cremona. Protagonistë të kësaj fotoje janë Bea, Ornela, Iolanda dhe Chiara”, thekson “La Repubblica”.

Shqipëria ka dërguar dy ditë më parë 30 mjekë dhe infermierë në Breshia, një nga zonat më të prekura nga COVID 19, në shenjë solidariteti./atsh

Katër gra nga e gjithë bota për një qëllim/ Infermierja shqiptare në faqen e parë të “La Repubblica” Read More »

Fjalët e shenjta/ Gabimin e bën duke menduar se ke të drejtë kur nuk ke, mëkatin kur e di që nuk ke të drejtë

“Gabimin e bën duke menduar se ke të drejtë, kur nuk ke. Mëkatin e bën duke e ditur që nuk ke të drejtë”, tha sot Kryeministri Edi Rama, duke përcjellë të tjera fjalë të shenjta me mesazhin e tij.

Ishin këto fjalë të shenjta nga Imam Anwar Al Awlaki që Kryeministri Rama përcolli mëngjesin e sotëm përmes rubrikës “Fjalë të Shenjta”.

Duke cituar fjalë të shenjta nga librat e shenjtë, por edhe nga personalitete botërore, Kryeministri Rama ka përcjellë këto muaj apelin e solidaritetit dhe ndihmës njerëzore ndaj të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit./atsh

Fjalët e shenjta/ Gabimin e bën duke menduar se ke të drejtë kur nuk ke, mëkatin kur e di që nuk ke të drejtë Read More »

Mjeku Kalo: Antibiotikët nuk janë karamele, distancimi social e higjiena masat e duhura

Mjeku i njohur dhe infeksionisti Tritan Kalo, këshillon për mospërdorim pa kriter të antibiotikëve, pasi siç thotë ai nuk janë karamele.

Mjeku Kalo thekson në një shkrim të publikuar prej tij, lidhur me trajtimin e COVID 19, se, vetëizolimi, distancimi social, higjena, janë thelbi për mospërhapjen e COVID 19.

“Kohë Covidiane-19….Më shumë hapësirë profesionistëve dhe më pak politikbërësve… Vetëm 1 në 6 persona të prekur nga Sars-Cov2, shkaktari i Covid-19 kanë shenja të evidentueshme klinike, çka e bën të nevojshme një konsultë mjekësore…”,- thekson Kalo.

“Vetëizolimi, distancimi social, higjena vetjake dhe kolektive, ajrimi i mjedisit ku jetojmë, Ushqimi sa më i variueshëm e rehidrimi i mjaftë, janë treguar mëse të efektshme në raste të tilla, si në ndërprerjen e transmetimit po ashtu edhe në vetëshërimin e rasteve jo simptomatike ose me siptoma minimale…”,-sqaron Kalo.

“Vetëm një pjesë e tyre mundet të marrin mjekim ose të adresohen për asistencë spitalore…skema e këtij mjekimi nuk është standarte, në mungesë të një mjekimi specifik anti-Covid19… Në ndihmë ne na vinë eksperiencat praktike të mjekëve në Kinë, Kore, Iran, Itali, Spanjë, Gjermani, SHBA, Angli e gjetkë, Por edhe ato të gjykuara e të modifikuara rast pas rasti…”,- thekson Kalo

Antibiotikët/Antibakterialët nuk janë karamele që po përdoren në shumicë ambulatorisht si dhe të kombinuara jo si duhet…Janë antibakterialë dhe jo antiviralë…Të mos harrojmë se ANTI-BIOS = Kundër Jetës…”,- vijon ai.

“Nga bisedat me kolegë e të sëmurë kam mbërritur këto ditë në përfundimin se, tashmë janë shpalosur plotësisht shumica e efekteve anësore të këtyre produkteve farmaceutike…. Nëse nuk janë të domosdoshmë përse po përshkruhen ato???…Me durim dhe besim reciprok ne së bashku do t’ia dalim mbanë!!!!”,- nënvizon Kalo. /atsh

Mjeku Kalo: Antibiotikët nuk janë karamele, distancimi social e higjiena masat e duhura Read More »

Kurba e COVID-19 në Shqipëri / Rama: Sa më fort të rezistojmë sot, aq më e butë do jetë ngjitja

“Sa më fort të shtrëngohemi dhe rezistojmë sot, aq më e butë do jetë ngjitja e shigjetës së kuqe, aq më pak viktima e plagë të rënda do te kemi dhe aq më shpejt mund të fillojmë të dalim, pak nga pak, nga ky rrethim i hekurt në mbrojtje”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama publikoi një grafik që tregon ritmin e përhapjes së COVID-19 në Shqipëri dhe në vende të tjera të rajonit dhe botës.

Rama kërkoi nga qytetarët të bëjnë rezistencë në këtë situatë. “Rezistencë, rezistencë rezistencë”, tha Kryeministri, ndërkohë që autoritetet shtetërore kanë vendosur masa drastike për kufizimin e lëvizjes.

Në grafikun e paraqitur nga Kryeministri duket qartë se deri tani kurba e pandemisë së COVID-19 në Shqipëri po rritet me ritme më të ngadalta se në vendet e tjera./atsh

Kurba e COVID-19 në Shqipëri / Rama: Sa më fort të rezistojmë sot, aq më e butë do jetë ngjitja Read More »

Rama për ”La Stampa”: Ja se si Shqipëria ime e ndihmoi Italinë

Unë kurrë nuk kam parë që një luftë të fitohet duke u mbrojtur, duhet të sulmosh, ky është një armik i vështirë dhe ne duhet të bëjmë si Milani i Arrigo Sacchit, të gjithë në mbrojtje dhe të gjithë në sulm, ai që luan vetëm humbet, deklaroi kryeministri Edi Rama për gazetën e njohur italiane ”La Stampa”.

”Nuk e tradhton dashurinë e tij për Italinë edhe te metaforat kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili dje goditi imagjinatën italiane me fjalët e tij të solidaritetit dhe dërgimin e 30 vullnetarëve, përfshirë mjekë dhe infermierë, për të ofruar ndihmën për qendrat më të prekura në Lombardi”, shkruan ‘La Stampa”.

Kryeministri Rama, pikërisht në një kohë kur Europa po mundohet të tregojë solidaritet, Shqipëria nuk mungoi për t’i dhënë mbështetjen e saj Italisë. Si lindi ideja?

“Ne kemi jetuar me Italinë çdo ditë, përgjithmonë, dhe kur kuptuam se kishte nevojë për forcat e vijës së parë i thashë vetes: “Le të bëjmë diçka, nuk do të jetë shumë, por prapë një ndihmë është… “Kështu që telefonova ministrin Luigi Di Maio dhe së bashku organizuam operacionin, duke u koordinuar edhe me Shëndetësinë. E shkëlqyer ishte përgjigjja e menjëhershme nga mjekët dhe infermierët tanë. Edhe këtu kemi vdekje dhe të infektuar, por situata italiane është më serioze, dhe mobilizimi është ndjerë “.

Si mendoni si po sillet Bashkimi Europian në këtë fazë?

“Për ne, Bashkimi Europian është rruga e vetme dhe destinacioni i vetëm, edhe nëse është një projekt i papërsosur, i cili ndonjëherë është bllokuar, është i vetmi që mund të ketë sukses. Ky është një armik i padukshëm, i cili nuk ka nevojë për viza, që nuk shikon kufijtë e Schengenit dhe që nuk mund të hidhet në det: përballë një armiku që sfidon vetë kuptimin e komunitetit tonë njerëzor, frikësohet të shohë vendet europiane të cilat mbyllen dhe bëjnë dekrete shpesh kontradiktore. Kjo jep idenë e pamundësisë për të luajtur të gjithë së bashku ”.

A mendoni se dobësia europiane rrezikon të lërë një boshllëk politik që të tjerët mund ta mbushnin?

“Askush nuk mund të zëvendësojë Bashkimin Europian dhe shpresoj se kjo dobësi do të shndërrohet në mundësi për të gjetur një kohezion të ri të brendshëm”.

Shqipëria ka parë bllokimin e negociatave vetëm disa muaj më parë. Si e konsideroi këtë opinion publik shqiptar?

“Ishte një tërmet i tmerrshëm psikologjik, madje edhe para atij gjeologjik që pasoi. Për ne, BE është i vetmi vend ku mund të ulemi, një hapësirë ​​ku fati është në duart tona dhe jo në duart e të tjerëve. Në fund të fundit, nuk është hera e parë që ka ndodhur: Unë kam parë mirë zhgënjimin e Italisë të lënë vetëm në krizën e migrantëve, dhe pjesërisht edhe tani, ndërsa po lufton një luftë që nuk është një luftë italiane … ”

Çfarë prisni nga Komisioni i Ursula von der Leyen?

“Ne kemi marrë ‘po’-në për të hapur negociatat vetëm disa ditë më parë, kam një admirim të madh për të, ajo është një grua e jashtëzakonshme, me një ndjeshmëri të veçantë, dhe me një sens të fortë gjeopolitik, mendoj se ajo dëshiron t’i japë një kthesë të thellë strategjike Europës. ”

Cili është mësimi politik që duhet të nxirret nga kjo krizë e madhe globale?

“Unë nuk mendoj se ky virus ka mbërritur për të mirën tonë, por siç tha papa Françesku gjithashtu na jep mundësinë të reflektojmë mbi marrëdhëniet që kemi me natyrën, me familjet tona, me nivelin e komunikimit midis shteteve. Askush nuk mund të përjashtojë që Kina në vetvete nuk do të bjerë viktimë e virusit ose se infeksioni nuk do të kthehet në vendin ku dukej i zhdukur. Është një iluzion të mendosh që nuk duhet të veprojmë së bashku ”.

Çfarë mendoni për menaxhimin aktual të pandemisë?

“Unë mendoj se duhet të reagojmë nga ana ekonomike. Nuk mund ta mbyllim veten për të bërë vetëvrasje, përsëris, ne nuk e fitojmë ndeshjen vetëm në mbrojtje, e as nuk mund ta imagjinojmë se jemi mbyllur në shtëpi për një vit. Por, reagimi duhet të jetë i zakonshëm, i koordinuar, pasi fenomenet nuk mund të funksionojnë të vetmuar. Unë nuk kam iluzione, njeriu nuk u krijua të jetë i përsosur, por duhet të mësojmë të jetojmë me gabimet tona, jo të jetojmë me mëkatet tona “./atsh

Rama për ”La Stampa”: Ja se si Shqipëria ime e ndihmoi Italinë Read More »

Delegacioni i BE-së: Të duartrokasim në orën 20.00 për punonjësit në frontin e luftës

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri apelon për të gjithë qytetarët që sonte në orën 20.00 të duartrokasim për profesionistët e shëndetësisë, zjarrfikëset, policët që po shërbejnë në këto ditë të emergjence në luftë kundër COVID-19

“Ne jemi me gjithë zemër për të kapur duart sonte për profesionistët e kujdesit shëndetësor, studiuesit, zjarrfikëset, policët dhe të gjithë ata që janë atje duke luftuar kundër COVID-19”, shprehet delegacioni i BE-së.

Po ashtu delegacioni i BE-së shprehet se “bashkohuni me ne duke duartrokitur sonte në 20:00″./atsh

Delegacioni i BE-së: Të duartrokasim në orën 20.00 për punonjësit në frontin e luftës Read More »