Aktualitet

Rama në TG5: Dërgimi i mjekëve, një qiri që ndezëm për Italinë, nuk mund të rrinim duarkryq

Kryeministri Edi Rama ishte i ftuari i gazetares Cesara Buonamici në kanalin TG5 për të shpjeguar disa nga arsyet që e shtynë për dërgimin e mjekëve dhe infermierëve në vendin fqinj, ku gjesti ka shkaktuar shumë emocione.

”Na goditën dhe entuziazmuan këto ditë ardhja e mjekëve dhe infermierëve, ndërsa thatë: “Ne jemi të varfër, por kemi memorie të mirë. Mirëmbrëma Kryeministri Rama. Dëgjoni kryeministër, çfarë ju shtyu të bëni këtë gjest memorie drejt italianëve?”, ishte pyetja e gazetares Buonamici.

“Më erdhi natyralisht. Ne jetojmë në Shqipëri, por jetojmë me Italinë, thithim ajrin e Italisë nëpërmjet televizioneve”, ishte përgjigjja e kryeministrit Rama.

“Duke parë ato konferenca funerale me shumë e shumë të vdekur, duke qenë se edhe ne e përjetojmë këtë agresion vrasës, nuk mundeshim më. Ne nuk jemi në gjendje t’i ndihmojmë me të gjitha, por jemi në gjendje t’u demostrojmë solidaritetin tonë, dashurinë tonë dhe sigurisht impenjimin tonë për të qenë aty”, shtoi Rama.

”Nuk është se kemi burime të palimituara, edhe ne kemi këtë frikë se sistemi jonë mund të shpërthejë, por deri tani po ia dalim dhe sa kishim këtë forcë rezervë thamë, përse duhet t’i mbajmë rezervë dhe nuk i dërgojmë atje në front që është shtëpia jonë në fund të fundit”, shtoi ai.

”Mjekët dhe infermierët qe dërguat besoj se e flasin mirë si ju italishten sepse shumë janë formuar në Itali dhe imagjinoj se e flasin mirë si ju?”, ishte pyetja e gazetares.

”Shqiptarët e flasin të gjithë italishten. Gjëja më e bukur është se kur bëmë këto telefonata për të kuptuar se a ishin gati të niseshim të gjithë ishin gati, madje kishte nga ata që nuk u kishin thënë as prindërve. Kemi marrë pak nga leksioni i Nënë Terezës që thotë se: “Në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri”. Është një qiri që shpresojmë t’i bëjë mirë Italisë, sepse me të vërtetë nuk mund të rrijë secili në dhomë duke menduar që shtëpia nuk do digjet, duke pasur lajme nga ana tjetër që po digjet”, ishte komenti i Kryeministrit Rama.

”Faleminderit Kryeministri Edi Rama. Faleminderit për atë që bëtë dhe për këtë shembull të shkëlqyeshëm solidariteti”, theksoi në mbyllje gazetarja Buonamici.

”Faleminderit! Rroftë Italia, rroftë Shqipëria!”, uroi kryeministri Rama./atsh

Rama në TG5: Dërgimi i mjekëve, një qiri që ndezëm për Italinë, nuk mund të rrinim duarkryq Read More »

Parashikimi i motit, e mërkurë 1 prill 2020

Moti sot parashikohet të nis me reshje shiu, të cilat do të vijojnë gati përgjatë gjithë ditës. Në bregdet e zonat e ulëta hera herës reshjet e shiut do të jenë edhe në formën e shtrëngatave me rrufe.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se në alpe e verilindje nisin prej orëve të mesnatës reshjet e dëborës të cilat do të jenë të dendura në këto zona.

Me rënien e ndjeshme të temperaturave gjatë ditës reshjet e dëborës do të përfshijnë lartësitë fushore ne rajonin verior. Në lindje e juglindje reshjet e dëborës nisin prej orëve të paradites deri në lartësitë 500-600 metër me intensitet deri mesatar. Në mbrëmje reshjet e shiut e dëborës ndërpriten, për ti lënë vendin kthjellimeve.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim hera herës e fortë, kryesisht në bregdet, zonat e ulëta e lugina. Valëzimi në dete parashikohet i forcës 4 dhe 5 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 1/8 re shi borë
Kukës -2/2 re borë
Lezhë 1/9 re shi borë
Dibër -3/2 re shi borë
Durrës 5/12 re shi rrufe
Tiranë 3/11 re shi rrufe
Elbasan 2/10 re shi
Berat 2/12 re shi
Vlorë 4/13 re shi
Korçë 0/6 re shi borë
Gjirokastër 0/7 re shi
Sarandë 5/14 re shi/atsh

Parashikimi i motit, e mërkurë 1 prill 2020 Read More »

Masat ndaj COVID-19/ Përgjysmohen pagat e kabinetit qeveritar dhe administratës shtetërore

Këshilli i Ministrave vendosi sot që Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat, gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 deri në përfundim të saj, por jo më shumë se tre muaj, përfitojnë page mujore neto në masën 50% të pagës mujore neto aktuale.

Në mbështetje të ligjit “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave vendosi që nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, të bordeve apo të komisioneve të institucioneve të administratës shtetërore, të institucioneve publike të arsimit të lartë, të njësive të fondeve speciale, të ndërmarrjeve shtetërore dhe të shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, për periudhën nga data 1 prill 2020 deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, por jo më shumë se tre muaj, nuk e përfitojnë shpërblimin mujor përkatës.

“Përjashtohen nga zbatimi i pikës 2, të këtij vendimi, nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, bordeve apo komisioneve të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në kuptim të këtij vendimi, institucione të administratës shtetërore janë ato të përcaktuara sipas ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”. Institucionet përkatëse, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, të derdhin shumat e papaguara në buxhetin e shtetit, në fondin anti COVID-19, të miratuar për vitin 2020, në bankën e nivelit të dytë Credins Bank, me numër llogarie në lekë nr. 1348338, me IBAN: AL 152121 1016 0000 0000 0134 8338.6”, – theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Kryeministria, aparatet e ministrive, ndërmarrjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital mbi 50% shtetëror si dhe institucionet e administratës shtetërore, të cilat sipas legjislacionit të tyre specifik, kanë këshilla apo borde drejtuese me të drejtë pagese.
Atsh
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare./

Masat ndaj COVID-19/ Përgjysmohen pagat e kabinetit qeveritar dhe administratës shtetërore Read More »

Fjalët e shenjta/ Nuk është koha për gjykimin tuaj, por koha e gjykimit për të gjithë ne

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot të tjera fjalë të shenjta për të përcjellë mesazhin e tij, ndërkohë që gjithë bota po përballet me pandeminë e COVID-19.

“Nuk është koha për gjykimin tuaj, por koha e gjykimit për të gjithë ne, koha për të zgjedhur çfarë ka vlerë dhe çfarë kalon, për të ndarë çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo”.

Ishin këto fjalë të shenjta Papa Françeskut, që zgjodhi sot Kryeministri Rama për të përcjellë mesazhin e tij, ndërkohë që autoritetet shtetërore kanë marrë masa drastike duke kufizuar lëvizjen, si masë parandaluese për kufizimin e përhapjes së COVID-19./atsh

Fjalët e shenjta/ Nuk është koha për gjykimin tuaj, por koha e gjykimit për të gjithë ne Read More »

Indeksimi i pensioneve në masën 2.3%, nga sot realitet për 669 500 pensionistë të çdo kategorie

Nga sot indeksimi i pensioneve në masën 2.3% bëhet realitet për çdo pensionist në vend.

Pavarësisht situatës me Pandeminë COVID19, Qeveria mbetet e angazhuar të bëjë realitet cdo masë për të mbuluar nevojat ekonomike të pensionistëve, prindërve dhe gjyshërve.

Nga vendim i Qeverisë shqiptare për indeksimin e pensioneve përfitojnë 669 500 qytetarë, që marrin pension të çdo kategorie nga shteti shqiptar.

Me indeksimin prej 2.3% e ardhura minimale nga pensioni bëhet 16 219 lekë në muaj, ndërsa ajo maksimale nga pensioni bëhet 28 639 lekë në muaj.

“Ky indeksim favorizon edhe 12 mijë nëna të vetpunësuara në sektorin bujqësor dhe 14 mijë përfitues të ardhshëm të pensioneve, duke e çuar në total numrin e përfituesve në 682 800”, bëri të ditur ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj./atsh

Indeksimi i pensioneve në masën 2.3%, nga sot realitet për 669 500 pensionistë të çdo kategorie Read More »

“Faleminderit Edi!”/ Ish-kryeministri Berlusconi: Shqipëria, komb i vogël me tradita të mëdha

Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi ka falenderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për solidarizimin me situatën e rëndë që po kalon Italia për shkak të COVID-19, duke dërguar 30 mjekë e infermierë në Breshia, në një nga zonat më të prekura nga koronavirusi.

Ish-kryeministri Berlusconi shprehet se marrëdhënia mes dy vendeve është historike. Ai nënvizon se Shqipëria është një vend i vogël, por me një histori dhe traditë të madhe dhe me një qytetërim antik.

“E njoh kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe kam vlerësuar shumë gjestin dhe fjalët fisnike kundrejt Italisë. Shqipëria është një komb i vogël, por është një tokë me tradita të mëdha dhe me një qytetërim antik, me të cilin vendi ynë ka një marrëdhënie historike, që gjatë qeverisjes sime, kam bërë gjithçka për ta konsoliduar”, – u shpreh Berlusconi. /atsh

“Faleminderit Edi!”/ Ish-kryeministri Berlusconi: Shqipëria, komb i vogël me tradita të mëdha Read More »

Kurba e COVID-19/ Do t’ia dalim po nuk lëshuam asnjë centimetër në vijën tonë të mbrojtjes

“Me ndihmën e Zotit dhe rezistencën e madhe të të gjithëve ju, ne do t’ia dalim po nuk lëshuam asnjë centimetër në vijën tonë të hekurt të mbrojtjes”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa publikoi kurbën e përditësuar të ritmit të përhapjes së COVID-19 në Shqipëri.

Në grafikun e paraqitur nga Kryeministri, vihet re se Shqipëria po ruan një ritëm më të ulët se vendet e tjera sa i takon përhapjes së COVID-19.

Ditën e sotme në vendin tonë u regjistruan 20 raste të reja me COVID-19 duke e çuar në 243 numrin e të prekurve./atsh

Kurba e COVID-19/ Do t’ia dalim po nuk lëshuam asnjë centimetër në vijën tonë të mbrojtjes Read More »

“coronavirus.al”/ 243 të prekur, 52 të shëruar, 13 viktima dhe 1671 teste të kryera

Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 243 raste gjithsej me COVID-19, 178 raste aktive, 52 të shëruar, 13 të vdekur, ndërsa janë kryer 1671 teste gjithsej.

Shifrat bëhen të ditura nga platforma “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare lidhur me situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.

Përmes kësaj platforme qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19. /atsh

“coronavirus.al”/ 243 të prekur, 52 të shëruar, 13 viktima dhe 1671 teste të kryera Read More »