Aktualitet

Në këtë luftë ne jemi të gjithë shqiptarë, nuk jemi qeveritarë dhe opozitarë

“Mund t’i japim llogari PD në kohë reale për çdo gjë që ose e konstaton nga procedurat nga komunikimet tona ose e konstaton nga ankesat e drejtpërdrejta që shumë qytetarë mund t’i bëjnë në adresën e tyre. Dhe vetëm pasi të marrë përgjigjen tonë atëherë mund të bëjë një dallim mes gjërave që bëjnë sens dhe gomarllëkut”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

I pyetur në një intervistë televizive në lidhje me akuzat e Partisë Demokratike ndaj Ministres së Mbrojtjes, Rama tha se, “nuk dua të komentoj akuzën, dua të komentoj hipokrizinë. Sepse kemi pasur dhe e kam thënë në një rast apo dy raste të tjera, një mbledhje përmes kompjuterit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur nga Presidenti i Republikës dhe aty ka qenë i pranishëm dhe kreu i PD. Dhe ka qenë një mbledhje shumë e veçantë për nga përgjegjshmëria, aftësia për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe shprehjet e konstruktiviteti që unë i kam çmuar realisht. Sikur politika shqiptare të kishte tonin e asaj mbledhjeje, ku natyrisht nuk ishim dakord me të gjitha për sa i përket. Këtu kam parasysh kryetarin e PD sepse me zotin President, për hir të së vërtetës dhe kjo duhet thënë dhe e kam falënderuar edhe publikisht, pavarësisht se çfarë ndodhi përpara fillimit të kësaj lufte, kemi pasur dakordësi të plotë në çdo gjë. Kemi bashkëpunuar në nivel të ministrisë së Jashtme dhe zyrës së Presidentit për të adresuar problemin e atyre shqiptarëve që tanimë janë riatdhesuar, që ishte realisht një problem dramatik. Dhe kisha parasysh pra kryetarin e PD”.

“Më vjen shumë keq për këtë hipokrizi, sepse kryetarit të PD i kam thënë dhe po ia them përsëri edhe publikisht që në këtë kohë lufte gjëja e parë që duhet menduar, nga të gjithë ata që kanë një kamera përpara, kamera në një studio televizive siç keni dhe ju apo kamera në një smartfonë për të bërë komunikime e tyre siç kemi edhe ne. Pra çdokush nga ne, ju që po flisni me mua tani dhe unë që po flas me ju dhe të gjithë përfshirë kryetarin e PD dhe ata që dalin në emër të tij, gjëja e parë që duhet të kemi parasysh është, këta që janë në shtëpi, këta që kanë mbyllur biznesin, këta që po jetojnë me ankthin e humbjes së vendit të punës, këta që nuk paguajnë dot detyrimet kreditore sot në këtë luftë. Këta që janë kompani që mbajnë në punë qindra mijëra njerëz. Janë të gjithë njerëzit tanë”, u shpreh Rama.

“Në këtë luftë ne jemi të gjithë shqiptarë, nuk jemi socialistë, nuk jemi demokratë, nuk jemi qeveritarë, nuk jemi opozitarë, jemi shqiptarë. Ku secili ka një detyrë. Natyrisht detyra e opozitës është të bëjë atë pjesë të kësaj lufte që të garantojë që zëri i çdokujt të dëgjohet dhe i kam ofruar gjënë më të thjeshtë në botë. Përpara sesa të dilni dhe të flisni gomarllëqe, nuk ia kam thënë kështu, por po ia them kështu gomarllëqe, ju lutem shumë informohuni. Ne ju vëmë në dispozicion gjithçka, plus edhe argumentet tona, përpara sesa të dilni dhe t’u thoni shqiptarëve që qeveria po shpërndan maska të skaduara që helmojnë dhe që krijojnë probleme frymëmarrjeje për personelin mjekësor. Çka është një gomarllëk, por që në kohë lufte është një faj që hyn në sferën krimit ndaj njerëzve, na kërkoni ne llogari. Na thoni ju lutem shumë ne kemi këtë informacion, po. Këto maska janë të skaduara. Si ka mundësi që këto po shpërndahen. Dëgjojeni argumentin tonë dhe vetëm nëse argument jonë nuk ju pëlqen, nuk ju bind, ju duket një gënjeshtër, dilni dhe thojani publikut”, tha Rama.

“E njëjta gjë dhe për këtë që më pyetët ju. Është një gomarllëk dhe më vjen shumë keq, sepse nëse do të kishin marrë paraprakisht informacionin që u kemi ofruar, jam i bindur që nuk do të dilnin të flisnin dhe të ndanin me publikun gomarllëkun e tyre”, u shpreh Kryeministri.

“Më vjen shumë keq që flas kështu. Nuk dua në asnjë mënyrë të humbas kohë të merrem me ta dhe nuk duam të merremi me çfarë thonë, janë të lirë ta bëjnë. Sepse njerëzit nuk kanë nevojë për politikën e para luftës, njerëzit kanë nevojë për një polikë të luftës. Për një politikë të bashkuar me një qëllim të madh, me një qëllim shumë të madh që të fitojmë luftën. Dhe kjo luftë fitohet me njerëzit dhe njerëzit që janë në shtëpi dhe që e kanë syrin tek televizori dhe që e kanë syrin tek ne nuk mund të ushqehen me gënjeshtra, nuk mund të ushqehen me falsifikime, nuk mund të ushqehen as me gomarllëqe sepse këto gjëra i helmojnë, i mërzisin, i demotivojnë. Dhe kjo histori nuk mund të jetë që dil në televizor, sulmo dhe dalim ne pastaj përgënjeshtrojmë se kjo pastaj na kthen jo në shërbëtorë të popullit në këtë kohë lufte, jo prijës të luftës, por thjesht në persona qesharakë dhe të papërshtatshëm”, tha Rama.

“Kjo është përgjigja ime dhe e përsëris kryetari i PD duhet ta dijë mirë se ka në dispozicion çdo përgjigje. Mund t’i japim llogari PD në kohë reale për çdo gjë që ose e konstaton nga procedurat nga komunikimet tona ose e konstaton nga ankesat e drejtpërdrejta që shumë qytetarë mund t’i bëjnë në adresën e tyre. Dhe vetëm pasi të marri përgjigjen tonë atëherë mund të bëjë një dallim mes gjërave që bëjnë sens dhe gomarllëkut”, theksoi Rama. /atsh

Në këtë luftë ne jemi të gjithë shqiptarë, nuk jemi qeveritarë dhe opozitarë Read More »

Të shmangen shfaqjet që në kohë paqeje janë të padenja dhe në kohë lufte moralisht të dënueshme

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të organizuar nga Presidenti i Republikës kemi pasur një shkëmbim shumë pozitiv konstruktiv dhe një sens dëgjimi dhe mirëkuptimi, pavarësisht se nuk kemi qenë dakord me të gjitha. Pra edhe me kryetarin e Partisë Demokratike kemi shkëmbyer dhe kemi dëgjuar me kujdes njëri-tjetrin”.

Në një intervistë televizive, Kryeministri Rama tha se “sikur toni dhe gatishmëria e përfaqësuesve politikë të këtij vendi të ishte çdo ditë siç ishte në atë takim, ju siguroj se politika do të ishte shumë më pak interesante për ata që e shikojnë si një fushë komunikimesh skandaloze dhe humbje kohe skandaloze”.

“Në atë takim unë i kam thënë kryetarit të PD-së se kjo është luftë dhe në luftë lihen armët mënjanë dhe bashkohen të gjitha forcat me një qëllim, që është mbrojtja e jetës së njerëzve dhe fitorja e luftës me sa më pak viktima. Kjo nuk do të thotë që ata që vetë quhen opozitë të heqin dorë nga puna e tyre, puna e tyre është patjetër që duhet komunikuar me publikun të ngrenë edhe shqetësime, por kjo do të thotë se përpara se të ngrihen shqetësime në publik ato duhen filtruar përmes informacionit”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “i kam thënë që ne jemi ta gatshëm të japim informacion për çdo gjë që atyre iu duket shqetësuese përpara se ta ndajnë me publikun në mënyrë që të informohen saktë dhe t’i dëgjojnë shpjegimet tona dhe pastaj nëse shpjegimet tona nuk iu duken bindëse mund ti ndajnë me publikun, për të shmangur shfaqje të cilat në kohë paqeje janë të padenja. Ndërsa në kohë lufte janë të dënueshme, moralisht si faje që marrin formën e krimit. Siç ishte rasti i tollovitjes kombëtare me ato maskat e skaduara që do helmonin personelin mjekësor të Republikës së Shqipërisë dhe do të krijonin probleme me frymëmarrjen e gjithë mjekëve dhe infermierëve”.

“Nëse do kishin marrë informacion më para dhe do kishin dëgjuar edhe ekspertë, mjekë të cilët dihet botërisht e kanë simpatinë e tyre nga ana tjetër, nga ana ime, atëherë do ia kishim kursyer popullit shqiptar një maskaradë me maska si ajo”, – shtoi Rama./atsh

Të shmangen shfaqjet që në kohë paqeje janë të padenja dhe në kohë lufte moralisht të dënueshme Read More »

Baba Mondi i dhuron policisë 1 mijë maska dhe 1 mijë litra dezinfektant

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjëve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i ka dhuruar Policisë së Tiranës, 1 mijë maska mbrojtëse dhe 1 mijë litra me dezinfektantë.

‘Kryegjyshata si gjithmonë ka qenë në ndihmë të njerëzve, të atyre që punojnë në frontin e parë sic është Policia, Mjekësia dhe kemi menduar që të bëjmë një donacion në këto momente të vështira që të jemi të gjithë bashkë, solidarë, për të përballuar këtë armik të padukshëm dhe kemi menduar që të porosisim një mijë copë maska dhe 200 litra dezinfektantë ambientesh, të cilët po t’i shumëzosh me 5, 1 mijë litrat për të pastruar ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë kudo që janë. Por edhe policia duke u ndeshur çdo ditë me mikrobet të ketë mundësi edhe ti ndërrojë edhe ti ruajë, për të përballuar këto vështirësi që ka në këto momente, duke u ndeshur me njerëzit. Nëse mjekësia është në front të parë me virusin, por edhe ju jeni në frontin e dytë dhe nuk e di kush e ka atë virus, kështu që jemi mundur që t’iu mbrojmë edhe ju si bijtë tanë, që jeni në shërbim dhe punoni pa pushim, natë e ditë, 24 orë. Nuk e dimë sesa do të zgjasë, por ne do të jemi gjithmonë në ndihmën tuaj”, tha ai.

Nga ana tij, Drejtori i Policisë së Tiranës u shpreh se policia është në mbrojtje të qytetarëve, ndërsa falënderoi Baba Mondin për gjestin solidar, por edhe të gjithë qytetarët që janë korrekt me orët e lejuara. /atsh

Baba Mondi i dhuron policisë 1 mijë maska dhe 1 mijë litra dezinfektant Read More »

Rënie e ndjeshme e temperaturave/ Reshje shiu dhe dëbore gjatë gjithë ditës

I gjithë vendi ynë sot është përfshirë nga reshjet e shiut dhe dëborës në zonat malore, ndërsa është shoqëruar edhe me uljen e temperaturave.

Edhe pse jemi në stinën e pranverës në alpe e verilindje reshjet e dëborës janë të dendura në këto zona.

Dëbora ka zbardhur disa qytete dhe zona të vendit si në Kukës, Pukë, Tropojë, Shkodër, Has, Bulqizë, Mat, etj.

Shqipëria prej gati tre javësh ndodhet në izolim për shkak të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Gjatë ditës së sotme në rrugët e qyteteve kryesore ka shumë pak lëvizje për shkak edhe të motit të keq.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak me rënien e ndjeshme të temperaturave gjatë ditës reshjet e dëborës do të përfshijnë lartësitë fushore ne rajonin verior. Në lindje e juglindje reshjet e dëborës nisin prej orëve të paradites deri në lartësitë 500-600 metër me intensitet deri mesatar. Në mbrëmje reshjet e shiut e dëborës ndërpriten, për ti lënë vendin kthjellimeve./atsh

Rënie e ndjeshme e temperaturave/ Reshje shiu dhe dëbore gjatë gjithë ditës Read More »

Moti i keq përfshin vendin, Balluku: Skuadrat e ARRSH-së në terren për të mbajtur akset të hapura

Moti i keq ka përfshirë të gjithë territorin e vendit këtë të mërkurë, por situata paraqitet më problematike kryesisht në verilindje dhe juglindje të vendit, për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve të dëborës.

Trashësia e dëborës në Tropojë, Dibër, Peshkopi, Pukë, Kukës, Shkodër e pjesërisht në Lezhë shkon deri në 40 cm.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bën të ditur se skuadrat e Autoritetit Rrugor Shqiptar ndodhen në terren për të mbajtur të gjitha akset të hapura.

Ministrja apelon që në këto kushte, thelbësore mbetet respektimi i sinjalistikës rrugore.

Qarkullimi në autostradën Milot-Morinë kryhet, por shoqëria koncesionare apelon për reduktim të shpejtësisë nga ana e drejtuesve të mjeteve dhe përdorim të gomave dimërore dhe zinxhirëve./atsh

Moti i keq përfshin vendin, Balluku: Skuadrat e ARRSH-së në terren për të mbajtur akset të hapura Read More »

Lejedalje në e-Albania/ Çfarë duhet të dinë qytetarët për aplikim të suksesshëm

Përmes portalit e-Albania u është dhënë sot përgjigje pyetjeve më të shpeshta nga qytetarët për lejet që nevojiten për të dalë nga shtëpia gjatë fashës orare 05:00-13:00.

Pyetje të shpeshta

1. Çfarë lejesh janë këto?
Këto janë leje për këmbësorët, që duhet te dalin nga shtëpia për të blerë: ushqime, ilaçe apo për shërbesa të tjera.

2. Si mund të aplikoj për këtë leje?

Aplikimi nëpërmjet internetit:
Klikoni www.e-albania.al ose nëpërmjet aplikacionit e-albania, të cilin mund ta shkarkoni në smartphone-n tuaj dhe të kërkoni shërbimin: “Leja për Dalje” (https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx…).
Për të aplikuar për këtë shërbim ju duhet të jeni i identifikuar në portal. (Regjistrohuni në portal nëpërmjet të dhënave të kartës suaj të identitetit nëse nuk jeni regjistruar më parë)

Aplikimi me anë të sms-së në telefon:
Ata qytetarë, që nuk kanë mundësi të aplikojnë në internet, mund të dërgojnë një mesazh të thjeshtë në numrin: 55155 me tekst: Numri i kartës së identitetit dhe ora e daljes
Psh: J12345678L 0930

3. Kur e marr miratimin e lejes, kur aplikoj nga e-Albania?
Aplikimi nga e-Albania miratohet automatikisht në moment dhe vjen në e-mail-n tuaj, dhe në numrin e telefonit nëse keni regjistruar numrin tuaj gjatë aplikimit.

4. Kur e marr miratimin, kur aplikoj me sms në 55155?
Kur aplikohet me sms miratimi për lejen e kërkuar, në varësi të orës së kërkesës, vjen brenda orëve të para të ditës pasardhëse, dhe vlen vetëm për ditën e nesërme.
Psh: Nëse dërgon një mesazh ditën e sotme deri në orën 23:59, miratimi ose refuzimi ju vjen në orët në vijim, dhe qytetari mund të dalë të nesërmen nëse miratohet.

5. Për sa kohë është kjo leja?
Leja është për një datë të caktuar, dhe zgjat vetëm 1 orë, brenda fashës orare: 05:00-13:00.

6. A mund të lëviz me automjetin tim me këtë leje?
Jo, “Leja per dalje” është për këmbësorët.

7. Sa herë që më duhet të dal, duhet të aplikoj?
Po, ju duhet të aplikoni sa herë që ju nevojitet të dilni për të bërë pazar, për të shkuar në farmaci apo shërbesë tjetër. Por, vetëm 1 orë brenda një dite.

8. Shtetasit e huaj si mund të aplikojnë? / How can foreign citizens apply for a permission?
Shtetasit e huaj mund të aplikojnë një leje për dalje ditore, duke dërguat një sms në numrin 55155 me formatin “F IDnumber Time”
Foreign citizens may apply for a one time per day pemission by sending a text message at the number 55155 with the format “F IDnumber Time” (F stands for Foreigner)
Example: F J1234567G 0930

9. Po për të shkuar në punë, duhet të aplikoj?
Jo, për të shkuar në punë si këmbësor nuk nevojitet aplikim për lejedalje.

10. Po për të shkuar në spital, vlen kjo leje?
Në rast se ju do të shkoni në këmbë në spital, patjetër që vlen.

11. Po nëse jam ende në të njëjtën certifikatë familjare me pjesëtarët e tjerë të familjes që jetojnë në qytet tjetër?
Ligji nr. 10129 “Për gjendjen civile” i ndryshuar: Brenda 30 ditësh nga ndryshimi i vendbanimit shtetasi duhet të paraqitet te zyra e gjendjes civile për të kryer veprimet e ndryshimit.
Pra, cilido qytetar që ndërron vendbanimin e tij, ndryshe nga ai i kaluari apo ai i anëtarëve të tjerë të familjes, brenda 30 ditëve duhet të beje deklarimin për vendbanimin e ri dhe të dalë në certifikatë më vete./atsh

Lejedalje në e-Albania/ Çfarë duhet të dinë qytetarët për aplikim të suksesshëm Read More »

Ndihma me ekip mjekësor për Italinë, Rama: 30 persona janë vetëm një qiri në të ftohtin e sotëm europian

Stadiumi ”Air Albania” është më i bukur nga ”Allianz Stadium”, deklaroi kryeministri Edi Rama për gazetën më të madhe sportive italiane ”Gazzetta dello Sport”.

Më poshtë intervista e kryeministrit Rama:

Kryeministër, si lindi ky mision shqiptar për Italinë?

Ky mision lindi nga një memorie e fortë. Brezi im ka jetuar nën lëkurë qoftë kohët e shëmtuara të diktaturës, ashtu sikurse ashpërsinë e detit të lirisë, kur dolëm nga bunkeri i komunizmit për të notuar drejt Amerikës sonë, Italisë! Por ndoshta, lindi edhe nga frika se katenaço europiane që po vërehet ndaj koronavirusit të transformohet në një vetëvrasje kolektive, ndërsa armiku i padukshëm po na bën një presing të paparë ndonjëherë. Të shohësh Italinë të lënë vetëm bëhet çdo ditë e më e turpshme. Çdo anëtar i shtëpisë europiane nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë i mbyllur në dhomën e tij. Prandaj për mua ishte shumë herë më mirë që të ndiqja këshillën e Nënë Terezës: “Në vend që të mallkojmë errësirën, le të ndezim qiriun tonë”.

E prisnit që vetë drita të ishit ju?

Shkëndijën e parë e mora nga reagimi i ministrit Di Maio, kur ia propozova me modesti idenë time. 30 persona janë vetëm një qiri i cili nuk mund t’i japë ngrohtësi një katedraleje të vuajtur si Italia në të ftohtin e sotëm europian. Por sapo ia thashë idenë time, Luixhi (Di Maio) më tha: “Tallesh! Do të ishte e paharrueshme”. Realisht nuk e prisja këtë mallëngjim, i cili më lumturon aq shumë, por edhe më drithëron.

Por, kjo zgjedhje e imja erdhi si rrjedhojë e vuajtjes në vetmi që po përjeton Italia. Ne e bëjmë këtë gjest pikërisht sepse ndoshta jemi të varfër dhe në detin e mesazheve që kam lexuar në italisht, ai që më goditi më shumë ishte i një djali nga jugu se “Shqipëria më kujtoi babain. Ai më thoshte: mos e harro të varfrin. Në momentin e nevojës do të jenë të vetmit që do të të ndihmojnë”.

Ka pasur një kohë kur shqiptari vuante shumë racizmin në Itali…

Shumë e vërtetë, por dilnim nga 50 vite në bunker. Dukej sikur ne dolëm në sipërfaqe nga deti vetëm për të trembur fëmijët. Një herë më kanë arrestuar në Bolonja, pasi u revoltova ndaj një polici, i cili pyeste një grua shtatzënë se çfarë kishte në bark. I afroi qenin dhe ajo, e cila nuk dinte italisht, ra në gjendje të fikëti.

Ne ishim gjyshërit tuaj në Amerikë, ku për të gjithë, ju ishit mafiozë e hajdutë. Kemi vuajtur, po, por dashuria e pakushtëzuar për Italinë na ka ndihmuar që t’i mbijetojmë poshtërimit, për t’jua bërë të njohur më mirë se kush ishim dhe të pranoheshim për atë që ishim.

Si është situata në Shqipëri, gjatë kësaj pandemie?

Luftojmë, si të gjithë. Por të ndërgjegjshëm mbi dobësinë tonë, ishim të parët që vendosëm të parkojmë autobusin përpara portës, siç do të thoshte i madhi Zhoze Murinjo. Fatmirësisht dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu, numrat aktualë të të prekurve deri tani po na japin të drejtë për vendimin e marrë.

Ju citoni Murinjon, por mbani tjetër gjë brenda zemrës suaj, apo jo?

Unë kam qenë juventin që fëmijë. Mbi kokën e krevatit tim ishte fotografia e Dino Xofit. Çdo nate, përpara se të fikja dritën e shihja dhe i kujtoja gjyshes sime se Dino ishte madhështor falë gjyshes së tij që i jepte të hante shumë vezë. Dje, sot e në vazhdim, Xof mbetet lojtari im i preferuar. Por edhe pse juventin, e pranoj njollën time për Zhoze Murinjon. Kur stërviti në Itali, u afeksionova aq shumë ndaj tij, sa festova për të gjitha fitoret e Zhozesë. E di, mund të duket një mëkat vdekjeprurës, por si një lexues i rregullt i “Gazzetta dello Sport” nuk mund ta fsheh.

Çfarë përfaqëson për ju Juventusi?

Shpirtin e grupit që të garanton fitoren, madje duke thyer shpesh edhe parashikimet. Më kanë fotografuar me xhupa të ndryshëm të Juves, por ato janë shumë të bukur. Mbi të gjitha më shkojnë për kohët e vështira si këto. Madje, ia vlen të rrezikoj që të humb edhe ndonjë votues timin interist…

Le ta hapim pak sirtarin tuaj të kujtimeve bardhezi…

Ato jo të bukurat lidhen me dy emra konkretë dhe më vijnë drithërima vetëm për t’u cituar mbiemrat: Rep dhe Magat (ndëshkuesit e Juventusit në finalet e vitit 1973 dhe 1983, respektivisht ndaj Ajaksit dhe Hamburgut, në finalet e Kupës së Kampioneve). Dhe mjaft me kaq sepse nuk dua të flas as për atë tipin e çuditshëm me bilbil në dorë, që arbitronte në Madrid… Ndërsa kujtimet e bukura janë aq të shumta sa më mirë të mos flas dhe mbi të gjitha të mos provokoj lexuesit e shumtë të frontit anti-juventin.

Po nga vizita juaj e kohëve të fundit në “Allianz Stadium” çfarë kujtoni?

Më tepër se një stadium i bukur, ajo që më godet është fakti i të qenit një strofkë mahnitëse që mbështjell shpirtin juventin. Gjithsesi, “Air Albania” ynë është më i bukur dhe nuk është një provokim… Për mua ishte një nder që të takoja presidentin Andrea Anjeli, të cilit i vlerësoj guximin për t’i mbijetuar hijes së rëndë të “Avokatit”.

Fëmijët që i mbijetuan realisht tërmetit iu dhurua të takonin Kristianon dhe Bufonin, dy fëmijë kolosë me një zemër madhështore.

Ju ka bindur deri tani Juventusi i Sarrit?

Ah, nuk dua të them asgjë këtu, pasi Italia ka mjaft njerëz që dinë gjithçka për futbollin, ndonëse nuk e kanë prekur asnjëherë topin. Ne futboll unë shoh fragmente jete, mësoj mënyra të ndryshme për të arritur te fitorja. Për mua, trajnerët e mëdhenj janë mestro të lidershipit, si Murinjo.

Po futbolli në Shqipëri si shkon? Pas shpërthimit të De Biazit keni nisur një cikël të ri me Edi Rejën…

Jam krenar për miqësinë me De Biazin, jo vetëm sepse frymëzoi një komb të tërë, por sepse ka shpirt dhe një inteligjencë mahnitëse. Ndërsa me Edi Rejën më takoi miku i vëllait tim, Igli Tare. Personalisht jam i lumtur që kemi me ne një dhelpër të vjetër, një figurë atërore edhe për futbollistët tanë.

Jo të gjithë e dinë, por basketbolli është sporti i jetës suaj?

Kur luaja isha shumë i gjatë për standartet shqiptare dhe në këtë mënyrë u shndërrova në një pivot shumë të vogël për standartet ndërkombëtare. I kërkova federatës sonë që të bëja përkthyesin për skuadrën e madhe të Skavolinit, e cila na bëri vizitë në Tiranë për eliminatoret e Kupës së Kampioneve. Aty njoha Valerio Biankinin dhe ndihmësin e tij të ri, një Serxho Skariolo. Me “Vate”-n më pas u bëmë miq shumë të mirë dhe e prita që ta vizitonte siç duhej Shqipërinë.

Po NBA-së i hidhni ndonjë sy tashmë?

Që kur i madhi “Air” Xhordan dhe banda e tij e Çikagos nuk janë më, NBA-ja më duket thjesht një paradë yjesh madhështorë, por pa asnjë betejë deri në pikën e fundit të gjakut.

Gjeni shkëndija personale në sporte të tjera?

Unë pasionohem me copa, ose më saktë lidhem me personazhe të ndryshme si për shembull: saga e Italisë së volejbollit të Velaskos; mrekullitë e Zhan Todit dhe Shumakerit; imagjinatën e Kasparovit; hakmarrjet e Federika Pelegrinit; sprintin e pastërtisë etnike të arit olimpik të Majlinda Kelmendit; goditjet dhe rigoditjet pa moshë të Federerit dhe Xhokoviçit, apo edhe të Nadalit së fundmi; por edhe luftën ekzemplare jashtë fushe të Sinisha Mihajloviçit. Këto janë mrekullira që vetëm sporti mund t’ia dhurojë zemrës dhe mendjes./atsh

Ndihma me ekip mjekësor për Italinë, Rama: 30 persona janë vetëm një qiri në të ftohtin e sotëm europian Read More »

Vendimi/ Ndalohen operacionet e planifikuara deri në përfundim të situatës së epidemisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka firmosur sot urdhrin për shtyrjen e ndalimit të ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara deri në përfundim të situatës së epidemisë të shkaktuar prej COVID-19.

Kështu, në pikën 1 të urdhrit nr. 147 datë 09.03.2020 “Për ndërprerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale të planfikuara në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” tofjalëshi “deri në datën 3 prill 2020″ zëvendësohet me togfjalëshin “deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19./atsh

Vendimi/ Ndalohen operacionet e planifikuara deri në përfundim të situatës së epidemisë Read More »