Aktualitet

Vetëm një person për familje/ Hapat që duhet të ndiqni për të marrë lejedaljen në “e-Albania”

Duke nisur nga dita e hënë, qytetarët përmes e-Albania do të mund të marrin leje për daljet nga shtëpia për pazar, vetëm një person për familje.

Ju duhet leje për të dalë në pazar, por ja çfarë duhet të dini. Nëse dërgoni SMS, duhet të prisni.

Konkretisht, qytetari hap faqen e-Albania dhe klikon në shërbimin “Leje për dalje”. Pasi vendos emrin, një person i vetëm i familjes, orën e lëvizjes (1 orë në fashën 05.00-13.00) dërgon kërkesën, e cila miratohet menjëherë. Në email do merrni konfirmimin. Por e-albania ka publikuar një listë me shjegime mbi këtë proces.

Ja çfarë duhet të dini:

1. Çfarë lejesh janë këto?

Këto janë leje për këmbësorët, që duhet të dalin nga shtëpia për të blerë: ushqime, ilaçe apo për shërbesa të tjera.

2. Si mund të aplikoj për këtë leje?

Aplikimi nëpërmjet internetit:

Klikoni www.e-albania.al ose nëpërmjet aplikacionit e-albania, të cilin mund ta shkarkoni në smartphone-n tuaj dhe të kërkoni shërbimin: “Leja për Dalje”.

Për të aplikuar për këtë shërbim ju duhet të jeni i identifikuar në portal. (Regjistrohu në portal nëpërmjet të dhënave të kartës suaj të identitetit nëse nuk jeni regjistruar më pare.)

Aplikimi me anë të sms-së në telefon:

Ata qytetarë, që nuk kanë mundësi të aplikojnë në internet, mund të dërgojnë një mesazh të thjeshtë në numrin: 55155 me tekst: Numri i kartës së identitetit dhe orën e daljes.

Psh: J12345678L 0930

3. Kur e marr miratimin e lejes, kur aplikoj nga e-Albania?

Aplikimi nga aplikacioni e-Albania, miratohet automatikisht në moment dhe vjen në e-mail-n tuaj, dhe në numrin e telefonit nëse keni regjistruar numrin tuaj gjatë aplikimit.

4. Kur e marr miratimin, kur aplikoj me sms në 55155?

Kur aplikohet me sms, miratimi për lejen e kërkuar vjen 1 ditë më vonë, pra të nesërmen.

Psh: Nëse dergon një mesazh ditën e hënë, miratimi me sms vjen ditën e martë dhe qytetari mund të dalë ditën e mërkurë.

5. Për sa kohë është kjo leja?

Leja është për një datë të caktuar dhe zgjat vetëm 1 orë, brenda fashës orare: 05.00-13.00.

6. A mund të lëviz me automjetin tim me këtë leje?

Jo, “Leja per dalje” është për këmbësorët.

7. Sa herë që më duhet të dal, duhet të aplikoj?

Po, ju duhet të aplikoni sa herë që ju nevojitet të dilni për të bërë pazar, për të shkuar në farmaci apo shërbesë tjetër. Por, vetëm 1 orë brenda një dite.

8. Shtetasit e huaj si mund të aplikojnë? / How can foreign citizens apply for a permission?

Shtetasit e huaj mund të aplikojnë një leje për dalje ditore, duke dërguar një sms në numrin 55155 me formatin “F IDnumber Time”

Foreign citizens may apply for a one time per day pemission by sending a text message at the number 55155 with the format “F IDnumber Time” (F stands for Foreigner)

Example: F J1234567G 0930

9. Po, për të shkuar në punë duhet të aplikoj?

Jo, për të shkuar në punë si këmbësor nuk nevojitet aplikim për leje-dalje.

10. Po, kur jemi në një certifikatë unë dhe prindërit e mi, por ata jetojnë në një qytet tjetër nga unë si mund të aplikojmë për të dalë të dyja palët?

Në rastet kur disa anëtarë të certifikatës suaj familjare jetojnë në një qytet tjetër dhe ju punoni e jetoni në një qytet të tjetër, të dyja palët mund të aplikojnë për leje duke qenë se verifikohet vendndodhja e ndryshme e punës për anëtarë, që i përkasin së njëjtës certifikatë familjare.

11. Po, për të shkuar në spital vlen kjo leje?

Në rast se ju do të shkoni në këmbë në spital, patjetër që vlen./atsh

Vetëm një person për familje/ Hapat që duhet të ndiqni për të marrë lejedaljen në “e-Albania” Read More »

Ndihma kundër COVID-19/ Mesazhi i doktoreshës shqiptare në Ankona: Shqipëria tregoi virtytet që e karakterizojnë

“Nё kёto ҫaste tё vёshtira Shqipёria e vogёl, por me zemёr tё madhe tregoi edhe njёherё virtytet qё e karakterizojnё si: bujaria, mirёnjohja, gatishmёria dhe mbёshtetja ndaj miqve”.

Kështu u shpreh sot doktoresha Sonila Dhima, drejtuese e SOD ORL, në spitalin Universitar të Ankonës, Itali, përmes një mesazhi drejtuar Kryeministrit Edi Rama.

“Ҫdo ditё mendimet e mia janё per kolegёt, infermierёt, operatorёt sanitarё dhe pёr tё gjithё ata qё janё nё vijё tё parё nё luftёn kundёr Covid-19. Ka shumё masa dhe strategji qё po aplikohen nё kёto momente tё vёshtira nё tё gjithё spitalet e Italisё, por do jetё puna e palodhur, solidariteti dhe ndihma e ndёrsjelltё qё do na lejojnё ta fitojmё kёtё betejё pёrpara sё cilёs ndodhemi tё gjithё ne”, – thekson Dhima.

Doktoresha Dhima shpreh falenderimet dhe mirёnjohjen ndaj kolegёve bashkatdhetarё, tё cilёt po japin kontributin e tyre nё kёto momente brenda dhe jashtё vendit.

“Nё kёto ҫaste tё vёshtira Shqipёria e vogёl, por me zemёr tё madhe tregoi edhe njёherё virtytet qё e karakterizojnё si: bujaria, mirёnjohja, gatishmёria dhe mbёshtetja ndaj miqve. Ndihem krenare si kurrё mё parё! Bashkimi bёn fuqinё! Ju lutem qёndroni nё shtёpi”, – tha Dhima.

Kryeministri Rama duke përcjellë mesazhin e doktoreshë Dhimës shprehet se ata që kanë shkruar janë të shumtë, ”superfaleminderit dhe ndjesë që nuk postoj dot më shumë”./atsh

Ndihma kundër COVID-19/ Mesazhi i doktoreshës shqiptare në Ankona: Shqipëria tregoi virtytet që e karakterizojnë Read More »

Ja si do të jetë moti

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet të jetë me kthjellime e vranësira deri në mesatare në mesditë e pasdite.

Përgjatë relieveve malore do të ketë reshje shiu të izoluara në orët e mesditës.

Era do të fryjë me drejtim juglindje-verilindje 1 deri 8 m/sek e përkohësisht në bregdet deri 10m/sek.

Valëzimi në dete parashikohet i forcës 2 deri 3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 7/19 diell re
Kukës 1/16 diell re
Lezhë 7/20 diell re
Dibër 1/14 diell re
Durrës 7/20 diell re
Tiranë 7/21 diell re
Elbasan 6/20 diell re
Berat 4/21 diell re
Vlorë 7/21 diell re
Korçë 1/14 diell re
Gjirokastër 2/20 diell re
Sarandë 6/19 diell re/atsh

Ja si do të jetë moti Read More »

Rama jep lajmin e mirë: Nënë Haxhireja nga Durrësi, plot 80 vjeç u shërua

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme se një 80-vjeçare është shëruar duke fituar betejën me COVID-19.

80-vjeçarja nga Durrësi ka dalë negative në testin e kryer pasi qëndroi për trajtim në spitalin Infektiv në QSUT.

“LAJM I MIRË: NËNË HAXHIREJA NGA DURRËSI, PLOT 80 VJEÇ, U SHËRUA”, deklaron Rama, duke publikuar edhe një foto të saj me mjekët që u kujdesën për të moshuarën në Spitalit Infektiv në Tiranë.

Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 212 raste gjithsej me COVID-19, 162 raste aktive, 40 të shëruar, 10 të vdekur, ndërsa janë kryer 1436 teste gjithsej.

Shifrat bëhen të ditura nga adresa zyrtare e platformës “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare, vetëm për situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri./atsh

Rama jep lajmin e mirë: Nënë Haxhireja nga Durrësi, plot 80 vjeç u shërua Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 0800 40 40 linjë e dedikuar këshilluese, shmangni numrin unik 127 përveç rasteve që lidhen me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale publikon linjën e gjelbër falas, 0800 40 40 për të gjithë qytetarët që kërkojnë informacione që nuk lidhen me infeksionin COVID-19.

“Linja 0800 40 40 do të jetë në dispozicion të qytetarëve që duan të dinë se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim, si të lidhen me mjekun e familjes, por edhe për këshilla se si duhet të sillemi gjatë periudhës së qarkullimit të COVID-19”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ministria bën të ditur se 0800 40 40 do të jetë linjë e dedikuar këshilluese, ndërsa numri unik 127 i Urgjencës Kombëtare do të shërbejë për urgjencat, edhe për ato që lidhen me COVID-19. Urgjencat për sëmundjet, përfshi edhe COVID-19 do të vijojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127./atsh

Ministria e Shëndetësisë: 0800 40 40 linjë e dedikuar këshilluese, shmangni numrin unik 127 përveç rasteve që lidhen me COVID-19 Read More »

Vlorë, Leli për ATSH-në: 1800 familje po mbështeten me pako ushqimore e medikamente

Bashkia e Vlorës po vijon pa ndërprerje operacionin humanitar për mbështetjen e pensionistëve të vetmuar dhe familjeve në nevojë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli në një prononcim për ATSH-në deklaroi se janë 1800 familje në nevojë në bashkinë që ai drejton, që janë mbështetur me pako ushqimore.

1500 familje, tha ai, janë identifikuar se kanë nevojë për tu ndihmuar bazuar në kriteret e vendosura në vendimet e qeverisë të nxjerra përmes Akteve Normative.

Ndërsa 300 familje të tjera që kanë kërkuar ndihmë janë mbështetur me pako ushqimore nga vet kreu i bashkisë si dhe qytetarë të Vlorës, të cilët janë solidarizuar në këtë situatë.

Leli tha se janë 80 punonjës të strukturave të bashkisë si dhe 20 vullnetarë çdo ditë në terren, në mbështetje të kujtdo që ka nevojë.

Po ashtu, ai bëri të ditur se po ndihmohen edhe pensionistët e vetmuar dhe ata që kanë kërkuar ndihmë, duke u dërguar pensionin në banesë, duke kryer pazarin, ose duke u siguruar medikamentet e nevojshme.

“Kushdo ka nevojë të telefonojë në numrin e vënë në dispozicion nga Bashkia dhe do të asistohet menjëherë nga stafi ynë“, bëri të ditur Leli./atsh

Vlorë, Leli për ATSH-në: 1800 familje po mbështeten me pako ushqimore e medikamente Read More »

22 553 qytetarë kanë aplikuar në “e-Albania” për të marrë lejedalje

22 553 qytetarë kanë bërë aplikimin në “e-Albania” për të marrë lejen e daljes për të realizuar pazarin, në kuadër të masave të marra nga qeveria për të minimizuar përhapjen e COVID-19.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karcanaj, ka bërë të ditur të dielën, se aplikantët kanë marrë miratimin e lejes menjëherë. Dalja do të realizohet brenda orarit të lejuar 05:00-13:00, duke nisur nga e hëna dhe leja është e vlefshme vetëm për një orë.

“Deri tani 22 mijë e 553 qytetarë kanë bërë aplikimin në ‘e-Albania’ dhe kanë marrë menjëherë miratimin e lejes për dalje nga dita e hënë. Kjo shifër tregon besimin e qytetarëve te teknologjia dhe tek ‘e-Albania’, që tashmë është familjar për këdo”, – theksoi Karcanaj.

“Përtej mërzisë, acarimeve të momentit, tërësisht të kuptueshme në kushtet e izolimit, qytetarët kanë treguar një maturi dhe sjellje për t’u admiruar. Me durim, minutë pas minute, ata po ndjekin procedurën e thjeshtë të marrjes së lejedaljes, në ‘e-Albania’! Kjo sjellje do na shpërblehet në ditët dhe javët në vazhdim me më pak të dala dhe me më shumë jetë të mbrojtura”, – theksoi drejtoresha e AKSHI-t, Karcanaj.

Qeveria në kuadër të masave të marra për mospërhapjen e pandemisë COVID-19, ka ndaluar daljen nga banesat të pensionistëve dhe përmes aplikimit online ose me SMS, do ketë lejedalje vetëm një person nga familja për nevojat urgjente, si blerja e ushqimeve dhe medikamenteve./atsh

22 553 qytetarë kanë aplikuar në “e-Albania” për të marrë lejedalje Read More »

E gjithë Shqipëria, solidaritet me Italinë mike në luftë me COVID-19

Të gjithë shqiptarët janë solidarizuar këto ditë të vështira me shtetin fqinj Italinë në luftën e saj kundër COVID-19.

Qytetet e ndryshme të vendit kanë ndriçuar sheshet qendrore apo godinat publike me tri ngjyrat e flamurit italian: të bardhë, të kuqe dhe jeshile.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot videon e realizuar nga Ambasada italiane në Tiranë, ku shprehet solidariteti i të gjithë qyteteve në Shqipëri.

“Faleminderit, Shqipëri! Një vend që nuk i braktis miqtë”, thuhen në mesazhin e përcjellë përmes kësaj videoje.

Italia mike, është shteti që ka mirëpritur me mijëra shqiptarë gjatë eksodit të vitit 1990-1991.

Aktualisht, Italia është vendi me numrin më të lartë të vdekjeve në Europë prej koronavirusit. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/625812958258529/?t=0

E gjithë Shqipëria, solidaritet me Italinë mike në luftë me COVID-19 Read More »