Aktualitet

OBSH: Larja e duarve është masë më e mirë parandaluese sesa dorezat

Dorashkat mund të japin ndjenjë të gabuar të sigurisë, për këtë shkak, larja e duarve është masë më e mirë parandaluese për infektim sesa mbajtja e dorashkave njëpërdorimëshe, deklaroi OBSH dhe Organizata për Bujqësi dhe Ushqim (FAO).

Në udhëzues theksohet se punëtorët mund të përdorin doreza njëpërdorimëshe, por duhet shpesh t’i ndërrojnë, dhe të lajnë duart.

”Larja e duarve është e domosdoshme edhe kur vihen dorashkat edhe kur hiqen”, thekson udhëzuesi.

“Virusi COVID-19 mund t’i kontaminojë dorezat në të njëjtën mënyrë siç kontaminon duart e punëtorëve. Heqja e dorezave mund të sjellë edhe kontaminimin e duarve me virus. Prandaj lani duart gjithmonë”, thekson OBSH. //atsh

OBSH: Larja e duarve është masë më e mirë parandaluese sesa dorezat Read More »

Vlorë/ Mbyllet tregu i fruta-perimeve në ish-fabrikën e orizit, rrezik për situatën aktuale

Në qytetin e Vlorës u mbyll sot tregu i fruta-perimeve në zonën e njohur si ish-fabrika e orizit, pasi nuk përmbush kushtet higjieno-sanitare dhe përbën rrezik në situatën aktuale.

“Referuar raporteve të përpiluara, pas kontrolleve të ushtruara nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë, Komisioni i Mbrojtjes Civile në Qark i propozoi Kryetarit të bashkisë Vlorë, Dritan Leli, mbylljen e tregut të tregtimit të fruta-perimeve”, – bëri të ditur prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj.

Sipas tij, autoritet do të marrin masa për vendosjen e tregtarëve në tregjet e tjera në qytet.

“Ndërkohë edhe tregu i madh në hyrje të qytetit është zhvendosur pranë Sahatit, duke siguruar tregtimin e produkteve në kushte optimale”, tha Mamaj.

Ndërsa drejtori i AKU-së në Vlorë, Syrja Binaj tha për mediet se “ky treg do të mbyllet deri në përmirësimin e masave dhe më pas mund të hapet sërish”.

Sipas tij, duhet të respektohet distanca, largësia, pikat e verdha, si dhe të mos qarkullojnë me mjete në treg.

“Është një nga tregjet që ka pasur problematikë më të madhe në qytet për zbatimin e masave ndaj COVID-19. Duke qenë se ky treg ka pasur qarkullim makinash, hapësira të kufizuara dhe dyndje të qytetarëve kemi hasur problematikë ku kemi këshilluar tregtarët dhe qytetarët për të respektuar masat. Por, duke qenë se nuk arritëm të shmangni këto probleme, vendosëm që kjo të mbyllet dhe të merren masat për rregullimin e tyre”, – tha Binaj. /atsh

Vlorë/ Mbyllet tregu i fruta-perimeve në ish-fabrikën e orizit, rrezik për situatën aktuale Read More »

Kalo: Një thirrje shoqërore etike dhe profesionale për gjithologët

Tritan Kalo, mjek pranë Shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, thotë se ekipi mjekësor është në gatishmëri në gjithë këtë situatë të vështirë, ndërsa ka kërkuar nga qytetarët të respektojnë masat e distancimit fizik.

Sipas Kalos, vetizolimi, ushqimi i larmishëm janë armët kryesore në këputjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit për sa kohë nuk ka ende një vaksinë kundër COVID-19. Mjeku ka edhe një thirrje të cilën ai e quan profesionale dhe etike për “gjithollogët”.

“KEMI ENDE PUNË PARA NESH…14.04.2020… Ndrim turnesh në Shërbimin Infektiv të QSUT-së… NE JEMI ATY për JU në çdo çast… RESPEKTIMI i distancimit fizik, vetëizolimi/vetëkuarantinimi, higjiena e lartë individuale dhe e mjedisit ku jetoni, ajrosja e shpeshtë e tij, ushqimi sa më i larmishëm sipas edhe mundësive të gjithësecilit, hidratimi i kujdesshëm, janë për momentin “armët” kryesore në këputjen e zinxhirit të transmetimit të infektimit, si dhe në shfaqjen e rasteve të reja me COVID-19 në MUNGESË të një mjekimi specifik dhe të një VAKSINE, për parandalimin e kësaj sëmundje me përhapje të lartë e tinëzare në format e shfaqjes klinike, si dhe të ndërlikimeve jo të pakta që e shoqërojnë në ecurinë e saj… NJË THIRRJE shoqërore, etike dhe profesionale për GJITHOLOGËT tanë… Në mungesë të një protagonizmi në këto kohë COVIDIANE në ato fusha që ju mbuloni, si dhe njihni më mirë për shkak të profilit të edukimit tuaj, JENI SULUR të gjithë të bëni ekspertin në Infektologji, Epidemiologji, Mikrobiologji, Imunologji, Imazheri, Anestezi-Reanimacion, Mjekësinë e Familjes, Shëndetësinë Publike, etj… Kur një pjesë e juaj kanë edhe formim mjekësor ky interes është i kuptueshëm, megjithëse jo shpesh i justifikueshëm, POR kur këtu përzihen në shumicë ata/ato që kanë njohuri vetëm periferike në këto fusha nga leximet poshtë e lartë në internet, këtu “pilafi informues” nuk mban shumë ujë… NJERËZIA në këto kohë stresi emocional, punësor, ekonomik dhe financiar kanë vetëm nevojë për një informacion shkencor të thjeshtë e të mirëkuptueshëm nga të gjithë, dhe jo për hollësira protokollesh mjekuese në testime të preparateve të shumta kudo në botë, në efektet dobiprurëse ose jo të qëndrimeve të shumta e të ndryshme për sa i përket testimeve virologjike apo imunologjike, të të dhënave të hollësishme nga studimet e ndryshme nëpër botë, etj., si dhe e kanë të nevojshme marrjen e informacioneve reale nga burime zyrtare dhe jo të bazuara në fantazira shpesh të kobshme… PUBLIKU e ka po ashtu të nevojshme edhe ushqyerjen e një OPTIMIZMI, bazuar në evolucionin e kësaj “flame në Shqipëri” nëse ka vend për optimizëm, POR JO në zbrazjen nëpër ekrane, mediet online apo të medieve sociale të mërive apo frustruacioneve tuaja personale, të inateve politike, të situatave depresive që një pjesë e juaja përjetojnë, apo edhe më keq thjesht e vetëm për PROTAGONIZËM… Bashkëkombasit e mi, evitoni ekranet, mediat e shkruara, mediat sociale kur individë të tillë shfaqen në to… ËSHTË diçka SHUMË E DOBISHME për sistemin tuaj Imunitar si dhe për Ekuilibrin tuaj mendor… BOLL STRES e vuajtje jeni duke përjetuar këto kohë Covidiane… JU DUAM SHUMË dhe për JU DO TË JEMI ATY KURDOHERË të gatshëm tju shërbejmë e të luftojmë për jetët tuaja!!!… NE SË BASHKU ME SIGURI DO JA DALIM MBANË!!!” – thotë Kalo. /atsh

Kalo: Një thirrje shoqërore etike dhe profesionale për gjithologët Read More »

Riatdhesimet/ “Kusht karantinimi në hotel”, Rama: Qeveria do të bëjë gjithçka mundet që kostoja financiare të jetë optimale

“Ne do të rihapim rrugën e riatdhesimeve siç e kemi bërë publike dhe nuk do të tërhiqemi nga kushti i karantinimit të detyruar në hotel”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama solli sot shembullin konkret të Singaporit që tregon se pse riatdhesimi në këtë fazë duhet të jetë absolutisht i kontrolluar.

“Singapori u mbajt si shembulli më fantastik i përballjes me epideminë, me numrin më të vogël të të infektuarve e të të vdekurve për numër popullsie. Por gjërat u përkeqësuan kur u lejua riatdhesimi i pak më shumë se 500 studentëve, të cilëve iu kërkua të vetëkarantinoheshin në familje, pa futur në karantinë gjithë familjen. Numri i të infektuarve u rrit ndjeshëm, përmes familjarëve të të riatdhesuarve dhe ky ishte një mësim, jo vetëm për Singaporin po edhe për vendet e tjera, të cilat fillimisht ulën ndjeshëm numrin e të riatdhesuarve, duke i detyruar të karantinohen në hotele dhe pastaj filluan të ndalonin fare riatdhesimet”, tha Rama.

Në këtë drejtim, ai tha se Shqipëria do të rihapë rrugën e riatdhesimeve, por nuk do të tërhiqet nga kushti i karantinimit të detyruar në hotel.

“Por ju lutem të gjithë atyre të cilët nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë se pse, kjo rrugë është e vetmja dhe s’ka një rrugë tjetër për të mbrojtur popullin e vendin tonë nga një valë e re infektimi, që të paktën, përpara se sa të shajnë e të mallkojnë a thua se kjo është punë qejfi apo dëshire e qeverisë për t’ua vështirësuar riatdhesimin, të të bëjnë edhe një çikë durim derisa ta shohin konkretisht paketën e riatdhesimit”, tha Rama.

Kryeministri siguroi që paketa do të jetë shumë e arsyeshme për ta dhe qeveria do të bëjë gjithçka mundet që kostoja financiare e riatdhesimit, të jetë optimale brenda kushteve ku po jetojmë e po veprojmë të gjithë.

“Boll me sharje, me akuza, me hesape në hava e me mallkime, sepse kjo është koha që provon se sa di secili të jetë një shqiptar i mirë që sheh përtej hundës së vet dhe që nuk e kthen në argument mllefin apo mosinformimin për atë që flet”, tha Rama./atsh

Riatdhesimet/ “Kusht karantinimi në hotel”, Rama: Qeveria do të bëjë gjithçka mundet që kostoja financiare të jetë optimale Read More »

Heronjtë shqiptarë/ Farmacisti i vijës së parë të frontit: Zbatimi i masave mënyra më e mirë për fitore

“Mënyra më e mirë për përballimin dhe fitoren e luftës kundër COVID-19 arrihet duke ndjekur me përpikëri masat parandaluese të përcaktuara nga Ministra e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”.

Ky mesazh vjen nga një farmacist i vijës së parë të frontit, shkruan deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, i cili ditët e fundit ka sjellë shembuj të heronjve shqiptarë që po përballen me COVID-19.

“Kamber Alikaj është një prej farmacistëve më të vjetër në Njësinë 11. Ai ka një eksperiencë 45-vjeçare në këtë profesion: human dhe i palodhur”, shkruan Bushati.

Farmacisti Alikaj shprehet se ”duhet të tregohemi sa më të ndërgjegjshëm për faktin se çdokush ka në dorë të parandalojë këtë sëmundje duke mbrojtur veten dhe të tjerët”. /atsh

Heronjtë shqiptarë/ Farmacisti i vijës së parë të frontit: Zbatimi i masave mënyra më e mirë për fitore Read More »

Klosi: Mënyrat se si do e shpëtojmë turizmin shqiptar

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë një interviste televizive renditi disa arsye, që sipas tij, do të mundësojnë shpëtimin e turizmit shqiptar këtë sezon veror të pazakontë për shkak të COVID-19.

“Ne kemi mundësi që 2020 ta shpëtojë turizmin shqiptar për disa arsye. Ne kemi akoma 80 për qind të turistëve që vijnë në rrugë tokësore. Kemi një avantazh me vendet e rajonit sa i përket hotelerisë, pasi kemi hotele të vogla, familjare. Greqia po mendon të mos i hapë fare strukturat e mëdha hoteliere që janë të vështira për t’u menaxhuar. Me hotelet e vogla kemi më shumë mundësi menaxhimi. Shqipëria është marrë si një rast pozitiv në trajtimin e situatës me COVID”, u shpreh Klosi.

Gjithashtu Klosi tha se nëse do hapen plazhet, do kemi distancim social dhe masa të shtuar për qytetarët.

“Ne kemi bërë gati së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë një material rregullash nëse plazhi do hapet. Problematikat e higjienës, distancës së çadrave, në hotele etj. Kemi marrë modelet që ka realizuar Italia, Kroacia dhe Turqia. Do kërkohet të paktën distancë tre metra në horizontal. Baret dhe restorantet të mos kenë aktivitete masive, reduktim në maksimum i festave”, tha Klosi. //atsh

Klosi: Mënyrat se si do e shpëtojmë turizmin shqiptar Read More »

Fjalë të çmuara/ Aftësia për të imagjinuar kohë më të mira do të thotë që ne nuk kemi lejuar që epidemia dhe frika të na marrin me vete

“Aftësia për të imagjinuar kohë më të mira do të thotë që ne nuk kemi lejuar që epidemia dhe frika të na marrin me vete”, citoi sot Kryeministri Edi Rama, duke zgjedhur të tjera fjalë të çmuara për të përcjellë mesazhin e tij.

Ishin këto fjalë të shkrimtarit izraelit David Grossman, që Kryeministri Rama përcolli mëngjesin e sotëm përmes rubrikës “Fjalë të çmuara”.

Ndërkohë që në Shqipëri vijojnë të zbatohen masat kundër përhapjes së COVID-19, duke kufizuar më tej lëvizjen e qytetarëve, autoritetet shtetërore vazhdojnë t’i bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të zbatojnë të gjitha rregullat e distancimit social./atsh

Fjalë të çmuara/ Aftësia për të imagjinuar kohë më të mira do të thotë që ne nuk kemi lejuar që epidemia dhe frika të na marrin me vete Read More »

Shahini për testin e maturës: Jo pyetje për tema që nuk janë zhvilluar në shkollë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini përmes një video-mesazhi ka adresuar çështjet e testit të maturës dhe tabletave në shkolla.

“Siç ju kemi njoftuar, në testin e maturës nuk do të ketë pyetje, të cilat janë mbuluar gjatë kohës që kemi mësuar në kushte shtëpie. Pra, në testin e maturës do të kemi pyetje nga klasa e 10-të, 11-të, si dhe nga klasa e 12-të për temat që janë zhvilluar sa kemi qenë ende duke mësuar në shkollë. Kjo për arsye se e kuptojmë që zhvillimi i koncepteve të reja në kushte shtëpie është i vështirë. Jo të gjithë nxënësit kanë mësuar mbi temat e reja në tempo dhe me të njëjtën cilësi. Ndaj që të jemi të drejtë, kemi vendosur që t’i heqim këto nga testi i matures”, ka thënë.

Shahini u shpreh se edhe “pse nuk po i përdorim tabletat që i kemi në disa shkolla, për t’u ardhur në ndihmë nxënësve që nuk kanë qasje në telefon smart, tabletë apo laptop që edhe ata të mund të zhvillojnë mësimin në kushte shtëpie”.

Në lidhje me këtë, shahini sqaroi se “janë rreth 60 shkolla që para shumë vitesh kanë filluar një projekt me disa tableta që kanë themeluar klasa digjitale. Pra, janë rreth 120 klasa digjitale dhe në ato shkolla nxënësit bëjnë lëndët e ndryshme duke përdorur edhe tabletin. Pra, është një formë tjetër e punës në kushte shkolle. Është e vështirë të nxirren ato tableta nga shkolla dhe t’u dërgohen nxënësve që nuk kanë një pajisje, sepse e para, ata janë pronë e shkollës dhe administrativisht është pak e vështirë, por këtë edhe do ta kishim tejkaluar disi. Praktikisht, është gati e pamundur sepse ato kanë një sistem që karikohen në një stacion brenda klasës, pra nuk kanë karikues mobil që ta çojnë në shtëpi. Dhe perderisa nxënësi nuk mund ta kthejë çdo ditë në shkollë për karikim, ai thjesht bëhet i papërdorshëm. Për fat të keq, kjo nuk është një mënyrë që mund t’u vijmë në ndihmë nxënësve që nuk kanë pajisje digjitale në shtëpi, por po bëjmë të pamundurën që në diskutim me kompani të ndryshme që janë ofruar edhe vullnetarisht të na vijnë në ndihmë, të gjejmë mënyrën më të mirë për të siguruar qasje në mësim digjital për të gjithë nxënësit”./atsh

Shahini për testin e maturës: Jo pyetje për tema që nuk janë zhvilluar në shkollë Read More »