Aktualitet

Për t’u mbrojtur nga COVID-19 të paktën një vit duhet të mbahet maskë

Sekretari i Përgjithshëm i Departamentit të Shëndetësisë në Florida të SHBA-së, Scott Rivkees tha se për t’u mbrojtur nga koronavirusi i ri (COVID-19) të paktën një vit duhet të mbahet maskë.

“Deri sa të bëhet gati vaksina duhet të mbajmë maskë dhe ne duhet të mësohemi me këtë dhe të mbrohemi”, tha Rivkees për televizionin CBS Miami.

Në lidhje me pyetjen se sa do të ketë nevojë për mbajtjen e maskës, ai tha se “nëse nuk zgjat më shumë, një vit”.

Sipas dr. Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, si dhe ekspertëve të tjerë vaksina nuk do të mund të jetë gati para 12 deri në 18 muajve. /atsh

Për t’u mbrojtur nga COVID-19 të paktën një vit duhet të mbahet maskë Read More »

Fiton betejën me COVID-19/ Brataj: Lutjet dhe solidariteti i shumë njerëzve më dhanë kurajo për të luftuar me të gjitha forcat

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ia ka dalë të mposhtë COVID-19.

“Për herë të parë u kënaqa pa masë me fjalën dy herë negativ”, shprehet Brataj.

“I nderuar koronavirus i pabesë! Ju erdhët fshehtas… Fshehtas punuat dhe kërkuat me çdo kusht trupin tim, ndërsa isha me kolegë në front duke u përgatitur si të mbroheshim nga ty. Ju filluat të më kafshoni dhe të më bëni që të vuaj duke më hequr buzëqeshjen, duke tentuar të më merrnit edhe frymën!” – tha Brataj.

E vërteta, vijon ai, në mesazhin e tij, është se edhe më frikësuat për një moment, më bëtë të ndjehem i pasigurt, sepse këtë herë isha pacient, isha i dobët, i zbehtë, i hutuar dhe i lënduar. Isha i pa përgatitur sepse ishte hera e parë që takoheshim.

“Por ju koronavirus harruat se pas sulmit tuaj, që shkaktonte shumë dhimbje, kishte një mbështetje shumë të madhe të qindra njerëzve, miqve, shokëve dhe mbi të gjitha familjes.
Lutjet e shumë njerëzve në të gjitha besimet, më bënë që të ndjehem i mbrojtur, i rrethuar me humanizëm, me dashuri dhe solidaritet dhe unë normalisht do të nxisja vullnetin dhe kurajon, për të të luftuar me të gjitha forcat.
Uau, uau, ja dola!
Ju humbët me mua, por na ndryshuat dhe na bëtë të reflektojmë të gjithëve, se një qenie kaq e vogël si ju, mundët të bllokonit një botë kaq të madhe në pak kohë. Ju na mësuat që lufta me ju do të vazhdojë, prandaj ne po studiojmë të gjitha pikat e dobëta që keni, sepse jemi të sigurt që do ta fitojmë luftën kundër jush.
Mendoni se bota nuk ka çfarë t’ju bëj? Mendoni se bota do të rri duarkryq? GABONI!
Na mësuat që Jeta është e shtrenjtë, jeta është e bukur, ajo jetohet vetëm njëherë, jeta është pasuria më e madhe që kemi, është gjëja më e çmuar, prandaj ajo duhet jetuar!
Për këtë keni të drejtë, ajo duhet respektuar, asaj duhet ti kushtohemi më shumë.
Ju na rikujtuat që jeta e të gjitha shtresave të shoqërisë para sëmundjeve është e barabartë, vijon Brataj.

“Por, për ju koronavirus, pra COVID-19, është pak ndryshe; jeni më i shpejtë, shpërndahesh shumë, në një kohë të shkurtër dhe shkakton shumë dëmtime. Është hera e parë që trajtimi yt është i njëjtë për të gjithë. Është hera e parë që COVID-19 kurohet dhe vlerësohet njësoj për të gjithë pa dallim: pa privilegje,pa arrogancë,pa njohje,pa moshë, pa besim fetar,pa pasuri, pa pozitë,pa ngjyrë politike!
Ne do ta fitojmë luftën kundër teje, sepse do të privohemi nga liria, nga pasuria, nga mirëqenia, nga privilegjet, nga përqafimet, nga shumë gjëra te tjera për aq kohë sa do të na duhet për të të mundur! Do ja dalim të gjithë së bashku”, – përfundon mesazhin tij Brataj. /atsh

Fiton betejën me COVID-19/ Brataj: Lutjet dhe solidariteti i shumë njerëzve më dhanë kurajo për të luftuar me të gjitha forcat Read More »

“Nëse numrat do lëvizin në drejtimin e gabuar, do përdorim frenat e emergjencës”

Kryeministri Edi Rama deklaron se “nëse numrat do të lëvizin në drejtimin e gabuar, ne do përdorim frenat e emergjencës që do të jenë gati në çdo moment”.

Rama sjell shembullin e Austrisë, që sipas tij, “ka një plan hapjeje të ngjashëm me tonin”.

“Austria ka një plan hapjeje të ngjashëm me tonin dhe më të avancuar në kohë me rreth 10 ditë. Ja çfarë ka shkruar para pak minutash në Twitter kancelari austriak: “Qasja jonë në muajt e ardhshëm do të jetë e qartë: Aq liri sa të jetë e mundur, aq shtrëngime sa të jetë e nevojshme. Nëse numrat do të lëvizin në drejtimin e gabuar, ne do përdorim frenat e emergjencës që do të jenë gati në çdo moment”. FIKS”, shprehet Kryeministri Rama. /atsh

“Nëse numrat do lëvizin në drejtimin e gabuar, do përdorim frenat e emergjencës” Read More »

Masat e reja kufizuese/Policia: Nuk nënkupton “qarkullimin e pakufizuar”

Policia e Shtetit u bën apel drejtuesve të mjeteve se lëvizja e fashave të orarit nuk nënkupton “qarkullimin e pakufizuar” të mjeteve.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit deklaron se “duke konsideruar urdhërin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë nr. 256, datë 10 prill 2020, ku është zgjeruar fasha orare e lejuar për qarkullimin e automjeteve nga ora 05:00 deri në 17:30, Policia e Shtetit tërheq vëmendjen e drejtuesve të mjeteve të kategorive të lejuara dhe të autorizuara dhe sqaron që kjo fashë orare nuk nënkupton “qarkullimin e pakufizuar” të mjeteve të mësipërme. Është e lejuar vajtja në qendrat e punës, i punonjësve të bizneseve, në fashën e parë orare 05:00-8:00 dhe kthimi nga puna në fashën e dytë orare 16:00-17:30”.

Policia thekson se “lëvizjet e tjera të pamotivura në qendrat urbane te automjeteve 4+1 nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit, pavarësisht autorizimeve, të cilat në raste të përsëritura të abuzimit do të pezullohen me penalitetet përkatëse”.

“Nisur edhe nga denoncimet e qytetarëve në adresat zyrtare të saj, për persona të caktuar që shkelin orarin e karantinës, për grup banorësh në lagje periferike të qyteteve apo për lokale që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ, Policia e Shtetit ka marrë masa duke nxjerrë në patrullim punonjës policie të Policisë Kriminale dhe së fundmi dronë inteligjentë në të gjithë territorin. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë me rigorozitet çdo masë kufizuese, duke kontribuuar të gjithë së bashku për të parandaluar përhapjen e COVID-19”, thekson policia./atsh

Masat e reja kufizuese/Policia: Nuk nënkupton “qarkullimin e pakufizuar” Read More »

“Mirënjohje ndaj kujtdo që sot është në detyrë”, Balla: Do të dalim dhe më të fortë nga kjo luftë

“Mirënjohje ndaj mjekëve, infermiereve, por edhe punonjësve të policisë, Forcave të Armatosura, çdo punonjësi që sot është në detyrë, në çdo detyrë të pazëvendësueshme, në çdo njësi prodhuese apo shërbimi”.

Ky ishte mesazhi me të cilin e nisi sot ditën kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndërsa ndau një foto të ekipit të bluzave të bardha të angazhuar në vijën e parë të frontit të luftës kundër COVID-19.

“Teksa fillojmë një ditë të re të luftës, t’i shprehim mirënjohje mjekëve, infermiereve, por edhe punonjësve të policisë, Forcave të Armatosura, çdo punonjësi që sot është në detyrë, në çdo detyrë të pazëvendësueshme, në çdo njësi prodhuese apo shërbimi. Me ndihmën e Zotit ne do të dalim më të mirë dhe më të fortë nga kjo luftë”, tha Balla. /atsh

“Mirënjohje ndaj kujtdo që sot është në detyrë”, Balla: Do të dalim dhe më të fortë nga kjo luftë Read More »

16 të shëruar në 24 orët e fundit, rritet në 248 numri në total

Gjatë 24 orëve të fundit, 16 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 248.

Eugena Tomini, Shefe e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP ka njoftuar se është rritur në 248 numri i të shëruarve. “Gjatë 24 orëve të fundit, 16 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve”,- tha Tomini.

“Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”, tha Tomini.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale.”,- nënvizoi Tomini/atsh

16 të shëruar në 24 orët e fundit, rritet në 248 numri në total Read More »

Meta përshëndet qëndrimin e Këshillit të Europës: Virusi nuk duhet lejuar të shkatërrojë vlerat tona themelore

Presidenti i Republikës, Ilir Meta përshëndeti sot qëndrimin e Këshillit të Europës, mbi domosdoshmërinë e mbrojtjes së demokracisë, pluralizmit, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në kuadrin e krizës sanitare të COVID-19.

“Siç me të drejtë thekson Këshilli i Europës: “ky virus po shkatërron shumë jetë dhe shumë gjera të tjera të shtrenjta për ne, por ne nuk duhet ta lejojmë të shkatërrojë vlerat tona themelore dhe shoqëritë tona të lira”, thekson Meta.

“Veprimet dhe masat e qeverive, për kufizimin e së drejtës së jetës private, lirisë së ndërgjegjes, lirisë së shprehjes dhe lirisë së organizimit, tërheq vëmendjen Këshilli i Europës, duhet të vendosen vetëm me ligj, në proporcion me rreziqet dhe për aq kohë sa është e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit”, shton Meta.

Meta nënvizon se, “është me rëndësi që çdo masë kufizuese dhe ligj i ri, të jetë në përputhje vetëm me Kushtetutën dhe me interesin e përgjithshëm publik dhe kombëtar”.

“Mbështes qëndrimin për shmangien sado që të jetë e mundur të vendosjes së dënimeve të ashpra penale për moszbatimin e masave kufizuese, pasi siç thekson Këshilli i Europës, ato krijojnë shqetësime serioze për respektimin e të drejtave të njeriut”, shton Meta.

Duke i ftuar të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale, Meta thekson, “domosdoshmërinë e respektimit të parimeve të demokracisë e shtetit ligjor, Kushtetutës dhe hierarkisë të ligjeve në fuqi dhe konventave ndërkombëtare”.

Sepse, shton Meta, “siç nënvizon edhe Këshilli i Europës: “Sfida, me të cilën përballen sot shoqëritë tona, është një sfidë e paprecedentë. Edhe pas fazës urgjente të kësaj krize, shoqëritë tona do të duhet të gjejnë mënyrat për të vënë në vend dëmet sociale dhe ekonomike dhe për të rritur më tej besimin tek institucionet tona demokratike. Duhet të nisë një reflektim i gjerë për mbrojtjen e individëve dhe grupeve më të prekshme në shoqëritë tona dhe për mënyrat e ruajtjes së të drejtave të tyre në një model më të qëndrueshëm dhe solidar qeverisjeje”./atsh

Meta përshëndet qëndrimin e Këshillit të Europës: Virusi nuk duhet lejuar të shkatërrojë vlerat tona themelore Read More »

Paketat e mbështetjes financiare/ Në total ndihmohen drejtpërdrejt më shumë se gjysma e të punësuarve në sektorin privat

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “pas publikimit të paketës së zgjeruar të mbështetjes për 176 mijë familje, bashkë me familjet që u përfshinë në paketën e parë, ne jemi në një shifër që prek dhe ndihmon drejtpërdrejt më shumë sesa gjysmën e të punësuarve në sektorin privat në Republikën e Shqipërisë”.

Kryeministri Rama sqaroi sot qytetarët mbi pyetjet e ndryshme që kanë lidhur me paketën e zgjeruar të mbështetjes financiare.

Rama tha se “ne duam që kjo pagë prej 400 mijë lekësh të vijë drejtpërdrejt tek qytetari, jo të kalojë nëpërmjet pronarit apo kompanisë”.

Duke folur mbi përzgjedhjen e punonjësve, Rama tha se është bazuar në listëpagesat e paraqitura nga kompanitë.

“Të gjithë ata që figurojnë të larguar, të papaguar javë pas jave në këto lista janë të identifikuar dhe do të duhet vetëm që në momentin që do të hapet faqja përkatëse në adresën online të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, thjesht të konfirmojnë. Ne e disponojmë emrin e qytetarit i cili duhet vetëm të konfirmojë”, tha Rama.

Ai theksoi se “është një konfirmim shumë i thjeshtë, pa asnjë procedurë verifikimi siç ndodh me paketën e parë ku është e detyrueshme të bëhet një verifikim edhe në terren nga inspektorët”. “Për paketën e parë është një procedurë pak më e gjatë. Sot që flasim janë paguar 31 mijë persona, mbeten ende edhe 40 mijë të tjerë pa u paguar”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se “askush nuk do të mbetet pa marrë pagën, por verifikimi kërkon kohën e vet sa i përket kontabilitetit shtetëror”.

Ndërsa për personat e përfshirë në paketën e zgjeruar është thjesht dhe vetëm një klik, një konfirmim që “po, jam unë dhe kaq”.

“Të gjithë ata që janë si në kategorinë e parë dhe të dytë, do t’i marrin paratë në llogarinë e tyre të drejtpërdrejtë, jo duke kaluar nga pronari. Ne duam që paratë siç janë të vijnë drejtpërdrejt në arkën e familjes tuaj”, tha Rama. /atsh

Paketat e mbështetjes financiare/ Në total ndihmohen drejtpërdrejt më shumë se gjysma e të punësuarve në sektorin privat Read More »