Aktualitet

Shpërblim financiar për punonjësit që denoncojnë punën në të zezë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “brenda 24 orëve ne do të kemi edhe një ofertë të re për të gjithë ata që kanë punuar në të zezë dhe sot gjenden pa mbështetje, sepse nuk figurojnë askund”.

Rama tha se “ne do t’ju japim një shpërblim financiar dhe do të marrim përsipër të ndjekim punën e tyre duke kërkuar nga pronarët e kompanive të jenë në mbështetje të kësaj nisme përndryshe duhet të përballen me ligjin”.

Por, sipas tij, vetë punonjësit duhet të kenë kurajon të denoncojnë.

“Kjo është koha për të ndihmuar sa më shumë. Ne do t’i kërkojmë pronarëve të ndihmojnë ata që u kanë borxh. Por vetë punonjësit duhet ta denoncojnë punën në të zezë. Kuptojeni vetë, asnjë shtet nuk e bën dot se është e pabëshme të ndash atë që vjen dhe thotë të vërtetën dhe atë që vjen e gënjen. Dhe na del sikur të gjithë janë rropatur në të zezë ndërkohë që kanë jetuar me paratë e prindërve, duke dhënë mend në Facebook”, tha Rama.

Rama tha se “punën në të zezë ne e kemi luftuar me të gjitha forcat dhe kemi nxjerrë nga ajo skllavëri një numër të madh që janë regjistruar, por asnjë vend i planetit, askush nuk ka në asnjë paketë për ata që punojnë në të zezë”.

“Kjo për një arsye shumë të thjesht. Si identifikohet kush punon vërtetë në të zezë? Është e pamundur ndaj informaliteti është një plagë që duhet luftuar përditë dhe ata që punojnë në të zezë duhet të kenë kurajon të denoncojnë”, tha Rama.

Ai theksoi se “ne po bëjmë gati edhe një shpërblim financiar për ata që do të thonë: ‘unë kam punuar në të zezë në filan kompani se nuk më ka regjistruar pronari’”.

“Por si ta zgjidhim ne, kur ti edhe pse je në hall të madh nuk ke kurajon të luftosh për veten tënde? Pronarët kanë sanksione shumë të forta nëse mbajnë dikë në të zezë. Nëse nuk ka nga brenda një zë, atëherë kjo nuk zgjidhet, edhe pse në shumë raste ne kemi arritur të bëjmë spostime nga e zeza, falë përpjekjeve të mëdha që kemi bërë dhe presionit të madh që kemi ushtruar ndaj kompanive”, tha Rama./atsh

Shpërblim financiar për punonjësit që denoncojnë punën në të zezë Read More »

Ndryshimet në Kodin Penal/ Ndëshkimet do të jenë ekzemplare vetëm për periudhën e pandemisë

Ashpërsimi i Kodit Penal kundrejt mosrespektimit të masave të sigurisë në periudhën e pandemisë do të kenë afat vetëm për periudhën e pandemisë.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimit me qytetarët tha se masat ndëshkimore do të jenë ekzemplare, pasi nuk do lejohet që rezultati i kësaj lufte të cenohet nga disa të papërgjegjshëm.

“Ne do të miratojmë futjen në Kodin Penal të masave që lidhen me situatë epidemie, që nuk i kemi pasur fare në Kodin Penal, ku kemi patur karantinimin e kafshëve, por jo të njerëzve. Këto janë kushte lufte, masat janë për këtë periudhë dhe nuk janë për t’u shtrirë përtej periudhës së epidemisë dhe ndëshkimet do të jenë ekzemplare, shembullore për të gjithë ata që do na kërcënojnë rezultatin që kemi arritur dhe fitoren e kësaj lufte”, – tha Rama.

“Kush thotë që gjobat janë për popullin, ai është një individ, nuk është populli, pasi populli nuk i shkel rregullat, populli po t’i kishte shkelur rregullat epidemia do kishte shkaktuar shumë më shumë të sëmurë e mijëra të vdekur. Por jo, gjobat janë për të pabindurit, të papërgjegjshmit, për fajtorët. Nuk janë për të mbushur buxhetin, nuk janë fare për këtë. Nuk mbushet buxheti për ato fare pak gjoba, se janë pak në raport me popullin, por gjobat janë për të dhënë mesazhin se kjo luftë, por dhe jo vetëm kur ka luftë, ka rregulla, jo kush është më i forti”, – tha Rama. /atsh

Ndryshimet në Kodin Penal/ Ndëshkimet do të jenë ekzemplare vetëm për periudhën e pandemisë Read More »

Programi i hapjes graduale/ Restorantet dhe baret do të jenë të fundit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se restorantet dhe baret do të jenë aktivitetet e fundit që do të hapen.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga qytetarët, Kryeministri Rama bëri të ditur se po përgatitet program i hapjes graduale që do të bëhet publik ditët në vijim, si dhe rregullat që do të ndiqen për të gjithë ata që do të happen.

“Restorantet do të jenë të fundit që do të hapen. Ne po përgatisim programin e hapjes graduale që do të bëhet publik ditët në vijim, si dhe rregullat që do të ndiqen nga të gjithë ata që do të hapen”, deklaroi Rama.

Kryeministri shpjegoi se asnjë vend nuk ka folur për një hapje të restoranteve apo bareve. /atsh

Programi i hapjes graduale/ Restorantet dhe baret do të jenë të fundit Read More »

Gjendja civile funksionale vetëm për rastet e lindjeve apo të vdekjeve, nis dhe shpërndarja e pasaportave edhe ID

Shërbimi i gjendjes civile është funksionale vetëm për rastet e lindjeve apo të vdekjeve për të bërë çregjistrimin.

Drejtori i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, gjatë një interviste televizive theksoi se janë vetëm dy shërbime që ofrohen sot nga zyrat e gjendjes civile, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19

“Të vetmet shërbime që ofron shërbimi i gjendjes civile janë lindjet dhe vdekjet. Të gjitha shërbimet e tjera nuk ofrohen sot, për arsye të radhës në sportele dhe përcjelljes së infeksionit”,- tha Doracaj.

“Prej disa ditësh në të gjitha sportelet ofrohet shërbimi i lindjeve dhe vdekje. Isha sot personalisht tek materniteti “Koço Gliozheni” ku ndoqa nga afër procesin, i cili po ecën mirë në të gjithë vendin dhe para datës 7 prill e kishim të bllokuar për shkak të pandemisë, tashmë e ofrojnë, por nëpunësit janë me masa mbrojtëse”,- shtoi Doracaj.

“Ne ofrojmë shërbime në 4 maternitete, 2 shtetërore dhe 2 private, dhe në të gjitha maternitetet në vend, në maternitetet e mëdha kemi një punonjës përgjatë gjithë kohës atje, ku ka më pak nëpunësi funksionon sapo merret në telefon, dhe atje ka gjithë infrastrukturën teknike për ta kryer shërbimin në maternitet”,- tha Doracaj.

“Martesa është një kontratë ligjore, por dhe një traditë, sot kur tradita nuk mund të respektohet, edhe kjo pjesë ligjore, akti i martesës para nëpunësit të gjendjes civile, nuk mund të ofrohet. Nuk është kontrata para nëpunësit ajo që i bën dy njerëz të bashkëjetojnë apo të krijojnë familje”,- u shpreh Doracaj.

Prej ditës së shtunë ka filluar procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit dhe të pasaportës, biometrike, por dhe ky proces realizohet përmes masave të rrepta të sigurisë

“Sot është dita e dytë, po ecën normalisht mirë. Qytetarëve u kërkohet të ruajnë distancën fizike, si dhe të jenë të pajisur me maska dhe doreza. Pa këto masa mbrojtëse nëpunësit nuk do t’i ofrojnë shërbim. Mesazhi lajmëron qytetarin të paraqitet në orën e caktuar, 10-15 minuta distancë nga njëri-tjetri”,- tha Doracaj.

“I/E Nderuar! Në datë 11 Prill 2020 ora xx:yy, ju lutemi të tërhiqni Pasaportën Tuaj pranë sportelit Aleat. Respektoni orarin! (nëse paraqiteni me vonesë nuk mund të merrni shërbimin). Ruani distancën 2 metër nga qytetarët e tjerë, mbani maske dhe doreza, përndryshe nuk mund të procedojmë me procesin e shpërndarjes së Dokumentit. Tregojini këtë SMS punonjësve në hyrje të Rajonit të Policisë. Ju falënderojmë në emër të Ministrisë së Brendshme, ALEAT”, – është teksti i mesazhit që njofton qytetarët./atsh

Gjendja civile funksionale vetëm për rastet e lindjeve apo të vdekjeve, nis dhe shpërndarja e pasaportave edhe ID Read More »

Kamatëvonesat e energjisë janë falur, pagesat mund të bëhen online

“Nuk do të paguani kamatëvonesën. Kamatëvonesat janë falur”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me qytetarët në lidhje me situatën që ka krijuar pandemia COVID-19.

Rama tha se nuk është nevoja të shkohet në sportel për të bërë pagesën, por mund ta bëni pagesën siç bëni këtë komentin në Facebook, përmes celularit. “Edhe pagesën e OSHEE mund ta bëni njësoj”, tha ai.

I pyetur nëse përfitojnë nga paketa ata që po punojnë aktualisht, Rama tha se, “për çfarë do të përfshihen ata që punojnë. Edhe unë vazhdoj të punoj, por rrogën time e marr përgjysmë. Natyrisht nuk them që t’i duhet të bësh të njëjtën gjë. Ti do e marrësh rrogën siç e ke marrë gjithmonë. Ministrat e marrin rrogën përgjysmë. Deputetët e PS e marrin rrogën përgjysmë. Për çfarë arsyeje? Për solidaritet. Edhe unë punoj, bile të them të drejtën, më shumë se gjithmonë. Por nuk është se duhet të kërkoj ndonjë shpërblim për këtë përkundrazi. Kështu që ti punon. Shumë mirë, vazhdo punën me shëndet me të gjitha të mirat. Po nuk mundet dot që t’u themi të tjerëve që nga taksat tuaja ne do të paguajmë dhe Albanin sepse Albani pavarësisht se punon, pavarësisht se asgjë s’ka ndryshuar në jetën e tij. Dhe për më tepër diçka e ke kursyer, sepse nuk ke dalë për kafe apo për birra, për gjëra të tjera që janë pjesë e jetës. Nuk e di për çfarë?”

I pyetur nëse përfitojnë pagesë punonjësit në Call Center, Rama tha se, “do të marrësh 400 mijë lekë nga paketa e zgjeruar ti dhe të gjithë ata, të cilët janë në situatën tënde, punonjës në Call Center, me kusht që të jesh i siguruar, të figurosh në listën e të punësuarve, dhe pa diskutim të gjithë do të marrin 400 mijë lekë”.

“Janë 176 mijë familje që do të marrin 400 mijë lekë në llogarinë tënde. Pa kaluar nga pronari, thjesht dhe vetëm do të hapet faqja e aplikimit dhe ti nuk do të bësh asgjë më shumë sesa do të konfirmosh që t’i Guxim Zeneli je punonjës në Call Centerin X. Kaq”, tha Rama.

I pyetur për përfshirjen e biznesit të transportit në paketën ekonomike, Rama tha se, “të gjithë ata, të cilët punojnë në transport dhe janë biznes i vogël, janë të përfshirë në paketën e parë dhe do të marrin një për një atë që ne kemi dhënë. Të gjitha ata që janë punonjës transporti në biznes të madh do të përfitojnë që të gjithë nga paketa e zgjeruar, marrin të gjithë 400 mijë lekë, shoferë, fatorino, çfarëdo qofshin, pa dallim. 400 mijë lekë”.

I pyetur në lidhje me ata që punojnë në tregje, Rama tha se, “ata që punojnë në tregje dhe që janë të regjistruar, jo në të zezë, të regjistruar, janë brenda paketës së zgjeruar 400 mijë lekë”. /atsh

Kamatëvonesat e energjisë janë falur, pagesat mund të bëhen online Read More »

Mbrojtja Civile/ Prefekti i qarkut Vlorë: Rritja e temperaturave do të shtojë shkeljet për të shkuar në plazh, gjë që duhet ndaluar

Problematikat e hasura dhe hartimi i planit të masave në vijim lidhur me menaxhimin e situatës për COVID-19 ishin në qendër të mbledhjes së Komisionit të Mbrojtjes Civile të zhvilluar nga Prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj.

Çështjet të cilat hasën më tepër diskutim konsistojnë në shtimin e kontrolleve në subjekte shërbimi si lokale apo restorante, me qëllim shmangien e hapjes së tyre, si dhe shmangien e abuzimeve me fashën orare në disa subjekte të tjera.

“Rritja e temperaturave të motit do të sjellë shtim të shkeljeve për të shkuar në plazh, gjë e cila duhet ndaluar në mënyrë kategorike. Mbeten problem tregjet e tregtimit të fruta-perime, ku qytetarët nuk respektojnë distancën, ndërsa shitësit nuk përdorin maskë dhe dorashka”, – tha prefekti Mamaj.

Sipas tij, lidhur me këtë situatë, Komisioni vendosi të bëjë shenjëzimin në çdo treg dhe mbylljen e përkohshme të tregjeve ku nuk mund të menaxhohet situata.

“Pavarësisht zgjatjes së fashës së orarit për lëvizjen e qytetarëve, lejohet lëvizja vetëm, pasi të jetë aprovuar leja, për të bërë blerjet e produkteve të nevojshme”, – tha Mamaj.

Prefekti bën të ditur se “çdo bashki ka evidentuar të moshuarit e vetmuar dhe familjet në nevojë dhe gjatë gjithë kohës së karantinës ka bërë shpërndarjen e ndihmave”.

Sa i përket dezinfektimi të ambienteve të brendshme dhe të jashtme Mamaj shprehet se “ka qenë i përditshëm në çdo bashki”.

“Policia Vendore, Policia Bashkiake, ushtria dhe inspektoratet do të vijojnë bashkëpunimin e ngushtë për të vlerësuar situatën dhe për të marrë masat për të parandaluar shtimin e qarkullimit pa kriter të qytetarëve”, – tha Mamaj./atsh

Mbrojtja Civile/ Prefekti i qarkut Vlorë: Rritja e temperaturave do të shtojë shkeljet për të shkuar në plazh, gjë që duhet ndaluar Read More »

Nga mobilieritë, te serviset dhe taksitë/Rama: Sot në orën 19:00 prezantohet paketa e zgjeruar

Sot në orën 19:00 do të prezantohet paketa e zgjeruar në ndihmë të biznesit dhe qytetarëve.

Lajmin e ka dhënë Kryeministri Edi Rama, i cili është shprehur se, “sot në 19:00 paketa e zgjeruar”.

Më herët, Kryeministri Rama ka deklaruar se “në paketën e zgjeruar ne do të adresojmë të gjithë bizneset e vogla që nuk janë mbyllur, por që nuk kanë funksionuar pothuajse fare”.

“Objekti i paketës së zgjeruar do të jenë bizneset e vogla si mobilieri të vogla, rrobaqepësi të vogla, servise makinash, fizioterapi, lavazhe të licencuara, agjenci turistike, hidraulikë, elektricistë, të gjithë taksixhinjtë, punonjës të linjave urbane apo ndërurbane”, ka deklaruar Rama.

Së dyti, Rama renditi, “individët që jetojnë me qira, pra jetojnë me të ardhura nga qiraja si e ardhur e vetme, që s’kanë të ardhura dytësore, janë dy për të cilët ne po punojmë”.

Së treti, theksoi Rama, “punonjësit e goditur të gjithë biznesit mbi 14 milionë”.

Gjithashtu, Kryeministri ka bërë të ditur se “do të mbështeten edhe sektori i turizmit, industria fason dhe bizneset prodhuese”./atsh

Nga mobilieritë, te serviset dhe taksitë/Rama: Sot në orën 19:00 prezantohet paketa e zgjeruar Read More »

Kryebashkiaku i Selenicës për ATSH-në: Deri tani ndihma me ushqime për 400 familje në nevojë

Bashkia e Selenicës ka shpërndarë deri tani ndihma në 400 familje në nevojë.

Kryetari i bashkisë së Selenicës, Pëllumb Binaj, tha sot për ATSH-në se “punonjësit e bashkisë kanë dërguar pako me ndihma pranë 400 familjeve në nevojë njësitë administrative të bashkisë”.

Sipas tij, bashkia Selenicë ka shpërndarë ndihma ushqimore ditët e fundit në 204 familjet në nevojë në njësitë administrative Selenicë, Armen, Kotë dhe Sevaster.

“Ndërsa në njësitë administrative Vllahinë dhe Brataj janë shpërndarë ndihma në 208 familje në nevojë”, – tha Binaj, duke shtuar se do të kujdesen për çdo nevojë të banorëve deri në përfundim të kësaj “lufte”.

Kryetari Binaj bëri të ditur gjithashtu se “ndihma ekonomike e dyfishuar për familjet që trajtohen nga skema e ndihmës ka kaluar dhe falë këshillit bashkiak Selenicë ndihma që ofron bashkia do të dyfishohet për 3-mujorin e epidemisë”.

Bashkia e Selenicës do të vazhdojë edhe ditët e ardhshme shpërndarjen e ndihmave për t’iu gjendur sa më pranë në këto ditë të vështira. /atsh

Kryebashkiaku i Selenicës për ATSH-në: Deri tani ndihma me ushqime për 400 familje në nevojë Read More »