Aktualitet

Vlorë, epidemiologët punë shembullore për gjurmimin e rasteve me COVID-19 dhe izolimin e vatrave

Përveç mjekëve dhe infermierëve që janë në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19, edhe epidemiologët në qytete të ndryshme të vendit po bëjnë një punë të palodhur për gjurmimin e rasteve.

Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Vlorë solli sot shembullin e epidemiologut Agron Bashllari dhe laborantëve të virologjisë për punën e palodhur derë më derë për të bërë gjurmimin e rasteve.

“Heronj që testojnë orar pa orar edhe në mesnatë, duke bërë të pamundurën për të kapur në kohë rastet dhe për të frenuar përhapjen e epidemisë së COVID-19. Faleminderit epidemiologut Agron Bashllari dhe laborantëve të virologjisë. Punë e shkëlqyer në gjurmimin e rasteve”, – shprehet NJVKSH Vlorë./atsh

Vlorë, epidemiologët punë shembullore për gjurmimin e rasteve me COVID-19 dhe izolimin e vatrave Read More »

OBSH: COVID-19 dhjetë herë më vdekjeprurës sesa gripi H1N1

Koronavirusi i ri është dhjetë herë më vdekjeprurës sesa virusi përgjegjës për gripin A(H1N1), i cili u shfaq në fund të marsit 2009 në Meksikë, raportuan sot autoritetet botërore të shëndetit, duke bërë thirrje për një heqje të ngadaltë të masave kufizuese.

“Të dhënat nga disa vende na japin një panoramë më të qartë të këtij virusi, si sillet, si ta ndalojmë atë”, tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konference shtypi virtual nga Gjeneva.

“Ne e dimë se COVID-19 po përhapet shpejt dhe e dimë se është fatal, dhjetë herë më shumë sesa virusi përgjegjës për pandeminë e gripit 2009”, paralajmëroi ai./atsh

OBSH: COVID-19 dhjetë herë më vdekjeprurës sesa gripi H1N1 Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 21 raste të reja, shkon në 467 numri i të prekurve me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë te ditur se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 21 raste të reja, duke e çuar numrin e të prekurve me COVID-19 në 467.

Drejtoresha e Institutit te Shëndetit Publik, Albana Fico u shpreh se “në 24 orëshin që lamë pas ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive.

Dje janë testuar 193 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 21 raste të reja me COVID-19, nga të cilët 1 personel shëndetësor dhe dy fëmijë asimptomatikë.

Deri në këto momente janë testuar 4070 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 467 raste’

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 221 raste
– Durrës 42 raste
– Lushnje 6 raste
– Elbasan 15 raste
– Fier 32 raste
– Kavajë 8 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 17 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 70 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 2 rast
– Has 13 raste
– Krujë 6 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 5 raste
– Mirditë 3 raste/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 21 raste të reja, shkon në 467 numri i të prekurve me COVID-19 Read More »

15 pacientë të shëruar në 24 orët e fundit, 52 të shtruar në dy spitalet COVID

Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 232.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në shërbimin infektiv aktualisht janë 43 të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 2 prej tyre janë të intubuar.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 5 prej tyre janë të intubuar.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 52 pacientë. Ndërkaq, betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor./atsh

15 pacientë të shëruar në 24 orët e fundit, 52 të shtruar në dy spitalet COVID Read More »

Harta e të prekurve me COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Shkodër, Durrës e Has

Harta e të prekurve nga COVID-19 është zgjeruar në Tiranë me 6 raste, Shkodër 13 raste, Durrës me 1 rast dhe Hasi me 1 rast.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kontakte të rasteve të mëparshme të prekura me COVID-19, ndërkohë që vazhdon procesi i hetimit epidemiologjik në terren.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ka kërkuar qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Zgjerimi i fashës orare të lëvizjes është një lehtësim që kërkon përgjegjësi nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit, ruajtjen e higjienës personale.

“Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhen të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”,-u shpreh drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico./atsh

Harta e të prekurve me COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Shkodër, Durrës e Has Read More »

“Heronj shqiptarë”, Albi Rema me orë të zgjatura në vijën e parë të frontit kundër COVID-19

Albi Rema nga Njësia 9 punon Operator Koordinator pranë Urgjencës në QSUT, në vijën e parë të frontit të luftës kundër COVID-19.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, përmes rubrikës “Heronj shqiptarë”, ndau sot shembullin e Albi Remës, i cili punon me orë të zgjatura në shërbim të pacientëve.

Bushati tha se me korrektësinë e tij ai bën një punë me 3 turne dhe më këto detyra funksionale: hedhjen e të dhënave të pacientit në sistemin online të punës; bëhen shtrimet, transferimet e pacientëve në pavione të ndryshme sipas diagnozës së tyre; jep informacione për vendndodhjen e pacientit; hedh në sistem terapitë online; bën kostot dhe fletë daljet nga spitali, e shumë të tjera.

“Për luftën me COVID-19, deri tani në Urgjencën 1 e kemi menaxhuar në mënyrë shumë mirë situatën duke marrë masat e përcaktuara nga Protokolli Mjekësor. Ne, si Urgjenca e Zemrës dhe Tensionit, rastet me COVID-19 i transferojmë direkt në Infektiv apo Sanatorium. Për mua është kënaqësi kur i jap informacion familjarëve kur pyesin pacientët”, shprehet Albi./atsh

“Heronj shqiptarë”, Albi Rema me orë të zgjatura në vijën e parë të frontit kundër COVID-19 Read More »

Parashikimi i motit, e hënë 13 prill 2020

Moti sot parashikohet me alternime kthjellimesh dhe vranësira deri në mesatare ndërsa në orët e mesditës deri ato të pasdites hera herës deri të dendura.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se përgjatë orëve të mesditës deri ato të pasdites në lindje të territorit do të ketë reshje shiu të dobta dhe lokale në formën e pikave.

Era do të fryjë me drejtim juglindje – jugperëndim 1 deri 8m/s. Përgjatë bregdetit era do të fryjë e vrullshme hera herës 20m/sek.

Valëzimi në dete parashikohet i forcës 3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 13/25 re diell
Kukës 8/20 re diell
Lezhë 10/25 re diell
Dibër 10/20 re diell
Durrës 10/24 re diell
Tiranë 11/25 re diell
Elbasan 9/26 re diell
Berat 6/24 re diell
Vlorë 8/25 re diell
Korçë 7/18 re diell
Gjirokastër 5/23 re diell
Sarandë 9/25 re diell/atsh

Parashikimi i motit, e hënë 13 prill 2020 Read More »

Nga sot zgjatet fasha orarit deri në 17:30 dhe 90 minuta për pazar, në fundjavë ndalim qarkullimi nga e premtja në të hënë

Duke nisur nga sot deri në një urdhër të dytë është zgjatur fasha e orarit për mbajtjen hapur të bizneseve të lejuar gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga koronavirusi.

Në urdhërin e sotëm të firmosur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu theksohet se bizneset e lejuara do të qëndrojnë të hapura nga ora 05:00 deri me 17:30, ndërsa orari i lejuar për të lëvizur me lejedalje vetëm një person brenda familjes për 90 minuta, do të jetë brenda kësaj fashe orari nga 05:00 deri në 17:30.

“Lejohen të kryejnë aktivitetin e tyre vetëm në fashën orare 05:00-17:30, duke filluar nga dita e hënë 13.04.2020, pikat e shitjes së produkteve ushqimore, me pakicë dhe shumicë, pikat e tregtisë së barnave, produkteve mjekësore dhe institucionet financiare. Hyrja në aktivitete e përcaktuara lejohen vetëm për një person të autorizuar, për çdo familje për kryerjen e shpenzimeve familjare ditore. Autorizimi do të jetë vetëm një herë në ditë dhe do të ketë një afat prej 90 minutash gjatë fashës orare 05:00 deri në 17:30”, theksohet në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjithashtu, në urdhër e publikuar sot është vendosur zgjatja e ndalim qarkullimit të qytetarëve dhe çdo lloj mjeti në fundjavë duke filluar nga e premtja, 17 prill në orën 17:30 deri të hënë e 20 prillit në orën 05:00 deri në një urdhër të dytë.

Gjatë kësaj fashe orari në fundjavë nuk do të lejohet asnjë lloj biznesi hapur, as farmacitë, marketet apo bizneset e tjera që lejohen të hapura gjatë javës nga ora 05:00-17:30. Përjashtim nga urdhri bëjnë vetëm transporti i mallrave, policia, urgjenca, mediet dhe shërbimet delivery.

“Kufizim lëvizje në të gjitha qendrat urbane në Shqipëri për të gjitha kategoritë, këmbësor, biçikleta, ciklomotor, motomjete dhe mjete dhe ndalim ofrimi të shërbimeve për qytetarët nga aktivitete e lejuara, çdo fundjavë duke filluar nga e premtja, 17 prill, nga ora 17:30 deri të hënën në orën 05:00. Përjashtohen nga ky rregull të gjitha mjetet e transportit të mallrave, policia e shtetit, forcat e armatosura, njësitë kritike të shërbimeve shtetërore dhe kompanitë mediatike dhe shërbimet delivery”, thuhet në urdhërin e firmosur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. /atsh

Nga sot zgjatet fasha orarit deri në 17:30 dhe 90 minuta për pazar, në fundjavë ndalim qarkullimi nga e premtja në të hënë Read More »