Aktualitet

Bashkia e Vlorës/ Më shumë se 2 mijë pako me ndihma me ushqime për familjet në nevojë

Bashkia e Vlorës vijon të shpërndajë ndihma për t’i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë në kuadër të aksionit të gjerë humanitar.

Punonjës të administratës nga të gjitha hallkat dhe të tjerë të përfshirë në këtë proces si vullnetarë, janë bërë pjesë e këtij aksioni që po vazhdon me intensitet gjatë gjithë orëve të ditës.

Bashkia e Vlorës, bën të ditur sot për ATSH-në se “deri tani janë shpërndarë më shumë se 2000 pako, 1340 nga bashkia Vlorë dhe rreth 660 nga donatorë të ndryshëm”.

Sipas bashkisë, janë shpërndare pako për komunitetin rom dhe egjiptian si në Vlorë dhe në njësitë e tjera administrative.

“Jane kontaktuar rreth 3500 pensionistë, të cilët jetojnë vetëm, ndërkohë që mbahet kontakt i përhershëm me ata të cilët kanë kërkuar ndihmë në blerjen e ushqimeve”, – tha bashkia.

Përveç të moshuarve, pensionistë të vetmuar, të sëmurë, familjeve në asistencë, janë përfshirë në targetin e familjeve në nevojë edhe të tjera me probleme që nuk arrijnë të sigurojnë nevojat ushqimore.

Bashkia e Vlorës ishte ndër të parat në shkallë vendi që filloi shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë dhe pensionistët. /atsh

Bashkia e Vlorës/ Më shumë se 2 mijë pako me ndihma me ushqime për familjet në nevojë Read More »

Lufta ndaj COVID-19/Më shumë se gjysmë miliardë euro humbje për 4 muaj

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kjo shtëpi, ky shtet, kjo qeveri për pasojë, ka humbur si rezultat i kësaj lufte 100 milionë euro në muajin mars, 170 milionë euro pak a shumë në muajin prill dhe me gjasë do të humbasë po kaq, 170 milionë euro në muajin maj dhe pak a shumë 100 milionë euro në muajin qershor”.

Rama tha se në total janë më shumë se gjysmë miliardë euro.

“Nuk po ju qahem e as ankohem, as që do ju kthej kurrizin, por thjesht po ju sjell në vëmendje që si në shume shtëpi të zakonshme edhe në shtëpinë tonë të përbashkët të ardhurat janë goditur fort”, u shpreh Rama, duke shtuar se “kjo do të thotë vetëm kaq: Kur kërkoni nga unë në këto kushte të vështira për të gjithë, të mos e dyshoni që unë dua të merrni jo aq sa kërkoni, po edhe më shumë nga sa kërkoni, sepse besojeni ose jo sot më shumë së kurrë ju jeni të gjithë familja ime dhe çfarë është e shtetit, nuk është imja, është juaja. Por çfarë është e imja është përgjegjësi që kjo shtëpi të qëndrojë me dinjitet sot dhe të jetë dinjitoze edhe nesër. Prandaj ju lutem, mos i dëgjoni as kukuvajkat që predikojnë vdekjen për bukë, as bilbilat gjyzare që recitojnë recetat çudibërëse që detin e kthejnë në kos”.

Rama theksoi se “ne do ta fitojmë këtë luftë dhe lehtësimi do të vijë pas gjithë dhimbjes së saj, do të na bëjë të kuptojmë se sa e forte dhe se sa e mirë mund të jetë Shqipëria”./atsh

Lufta ndaj COVID-19/Më shumë se gjysmë miliardë euro humbje për 4 muaj Read More »

Të gjithë në shtëpi/ Nesër lejohen pensionistët deri në orën 11:00 si dhe automjetet e autorizuara për punë

Kryeministri Edi Rama tha sot se nga nesër pensionistët do të lejohen të dalin në qendra urbane në këmbë deri në orën 11:00, si dhe do lëvizin me automjete, punë-shtëpi të gjitha kategoritë e lejuara.

Rama tha se “nesër në qendrat urbane do të dalin në këmbë vetëm pensionistët deri në orën 11.00″.

“Me automjet do të lëvizin shtëpi-punë-shtëpi me asnjë ndalesë rrugës, të gjithë ata që kanë autorizim për të punuar gjatë fundjavës me makina”, tha ai.

Po ashtu Kryeministri thekson se “të gjithë të tjerët, në shtëpi dhe të gjitha dyqanet mbyllur deri të hënën në orën 05.00, siç është njoftuar më parë nga ministrja e Shëndetësisë”./atsh

Të gjithë në shtëpi/ Nesër lejohen pensionistët deri në orën 11:00 si dhe automjetet e autorizuara për punë Read More »

Shahini: Brenda prillit vendosim si do ta mbyllim vitin shkollor, provimet e Maturës pa leksionet nga shtëpia

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini tha sot se “nuk do të përsërisim vitin shkollor dhe provimet e maturës do të jenë më të lehta dhe nuk do të përfshihen leksionet nga shtëpia”.

Në një intervistë televizive, Shahini foli për ndikimin e situatës së COVID-19 në arsimin në Shqipëri.

“Dua që ta mbyllim gjithë procesin në kohë që nxënësit që duan të aplikojnë për të studiuar jashtë të kenë mundësi ta bëjnë këtë gjë dhe të mos penalizohen”, tha ajo.

Shahini tha se “brenda muajit prill duhet ta vendosim përfundimisht se si do ta mbyllim vitin shkollor”.

“Kemi dy skenarë të përgatitur, një nëse nuk kthehemi në shkollë fare dhe tjetri nëse kthehemi gradualisht në shkollë duke ruajtur distancën sociale. Të dy skenarët po i zhvillojmë. Kemi udhëzuesin për vlerësimin e fundvitit, udhëzuesin për maturën shtetërore dhe thjesht presim të kalojë kjo periudhë dyjavore që jemi tani që ta marrim një vendim
përfundimtar për mënyrën se si do të mbyllet vitit shkollor”, tha Shahini.

Por ajo tha se “ka disa elementë që i dimë tashmë dhe e e para është se nuk do të përsërisim vitin shkollor”. “Është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo. Të gjithë nxënësit do ta mbyllin vitin shkollor nëse duan. Për ata që duan ta përsërisin vitin shkollor, apo duan ta bëjnë maturën vitin tjetër, do e kenë këtë mundësi pa u penalizuar. Do të jetë një vendim që do e marrin familjet nëse duan ta përsërisin, por pa shkruar në diplomë që janë përsëritës”, tha ajo.

Shahini tha se “vendimi nuk është marrë ende por dua shumë që provimet e maturës t’i mbyllim në qershor dhe maturantët të aplikojnë në shkollë të lartë”. Por, ky është skenar që po diskutohet dhe po lëvizim nga dita në ditë duke shtuar elemente të reja. SHBA dhe Britania e madhe vendosën t’i anulojnë provimet, Gjermania insiston t’i mbaj provimet e maturës, Franca vendosi në momentin e fundit t’i anuloj provimet e maturës do të kthehen në shkollë. Italia ka vendosur nëse do të kthehen në shkollë deri në 18 maj do t’i mbajnë provimet e maturës. Pra, po shohim edhe çfarë po ndodh që të marrim elementët më të aplikueshëm”, tha Shahini.

Lidhur me mësimin online, Shahini tha se 97-98% e nxënësve janë të përfshirë në një formë komunikimi me mësuesit e tyre dhe një pjesë tjetër edhe më e madhe po i shtohen ndjekjes së leksioneve përmes TVSH-së. “Nuk është situatë ideale por po bëhet e pamundura si nga ana e mësuesve dhe nga ana e nxënësve”, tha ajo./atsh

Shahini: Brenda prillit vendosim si do ta mbyllim vitin shkollor, provimet e Maturës pa leksionet nga shtëpia Read More »

Riatdhesimi, Balluku: Personat me sëmundje të ndryshme karantinim në shtëpi bashkë me gjithë familjen

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi sot se për personat e sëmurë, të cilët duan të rikthehen në Shqipëri, përmes procesit të riatdhesimit, të nisur nga Qeveria shqiptare, do të ketë një skemë tjetër nga kjo që është prezantuar dhe po realizohet gjatë këtyre ditëve.

Përmes një lidhjeje telefonike në një prej emisioneve televizive, Balluku bëri të ditur se personat, të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe që e provojnë këtë përmes dokumentacionit të lëshuar nga autoritetet shëndetësore, do të lejohen të karantinohen në banesat e tyre dhe jo në hotelet e përcaktuara, por duke futur në karantinim të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes për 14 ditë.

Ministrja Balluku sqaroi se pas konsultimeve me Ministren e Shëndetësisë, por edhe me grupin e punës ndërministror, i cili po merret me procesin e riatdhesimeve, është vendosur që personat, të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme do të riatdhesohen dhe pas verifikimeve nga stafet mjekësore për sëmundjen e tyre, do të karantinohen në banesa, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes për 14 ditë, duke mos pasur asnjë kontakt me njerëz të tjerë.

Për të realizuar këtë procedurë, familjet duhet të deklarojnë pranimin e kushteve, përmes nënshkrimit të një formulari dhe vetëm pas 14 ditësh dhe verifikimeve të mjekëve ata do të lejohet të lëvizin, duke respektuar masat që janë në fuqi ashtu sikundër pjesa tjetër e qytetarëve. Sipas ministres, familja duhet të marrë masat që një person i afërm apo i njohur, të merret me furnizimet e tyre, duke jua lënë jashtë shtëpisë dhe ata nuk do kenë asnjë kontakt me njerëz të tjerë për 14 ditë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, tha se ky vendim u mor pasi ka pasur disa kërkesa riatdhesimi të shtetasve shqiptarë, të cilët ndodhen jashtë vendit, por vuajnë nga sëmundje të ndryshme./atsh

Riatdhesimi, Balluku: Personat me sëmundje të ndryshme karantinim në shtëpi bashkë me gjithë familjen Read More »

Mesazhi i Ramës për koronavirusin, mes 10 më të mirëve! Lista e plotë e kryesuar nga Papa Françesku

Në pikun e një krize globale të krijuar prej COVID-19, fjalimet apo mesazhet drejtuar qytetarëve kanë qenë edhe një provë e aftësive të komunikimit të drejtpërdrejtë të liderëve, në mbarë botën.

Gazeta italiane “Il Post” ka bërë një vlerësim të 10 fjalimeve më të mirë për stilin, kontekstin, përmbajtjen dhe rezultatet.

Pjesë e kësaj liste vlerësimi është edhe Kryeministri Edi Rama, i renditur në vendin e 9.

Lista kryesohet nga fjala e Papa Françeskut, më 27 mars në sheshin tërësisht të zbrazur të Shën Pjetrit, në Vatikan, me mesazhin ‘mos kini frikë’, dhe pasohet nga dalja publike e Mbretëreshës Elisabeth II.

Me fjalimet solemne si ai i Mbretëreshës, “Il Post” bën analogji edhe me mesazhin e Kryeministrit Rama me rastin e dërgimit të 30 mjekëve dhe infermierëve në vendin fqinj, pasi thotë se mbështetet mbi historinë dhe qytetërimin dhe përçon një motivacion të thellë.

“Rezultati i kësaj rruge historike të përshkruar në mesazhin e Ramës, është një integrim paqësor aq i thellë saqë e bën Italinë për shqiptarët një atdhe tjetër për t’u ndihmuar, si të ishte atdheu i tyre”, thuhet në shkrim.

“Il Post” shkruan se edhe pse i thjeshtë, ai ishte i veçantë edhe nga fakti që nuk i drejtohej popullit të tij, por një vendi fqinj dhe vinte si gjest solidariteti në një kohë kur kombe të tjera shumë më të pasura se Shqipëria i kthyen krahët Italisë. Ky gjest dhe ky mesazh, theksohet më tej, kanë patur një jehonë të dukshme në Itali, më shumë sesa vetë ndihma, pasi “Rama ka forcuar në kohën më të mirë një partneritet që ka qenë gjithmonë strategjik për të”.

Në listë janë fjalimet e kryeministres së Zelandës së Re, Presidentit francez Macron, ish-Presidentit amerikan Obama, kryeministrit britanik Johnson, Presidentit italian Mattarella, Presidentit gjerman Steinmeier dhe Presidentit të Brazilit, Bolsonaro, që mbyll klasifikimin./atsh

Mesazhi i Ramës për koronavirusin, mes 10 më të mirëve! Lista e plotë e kryesuar nga Papa Françesku Read More »

6 të shëruar në 24 orët e fundit, 283 në total

Gjatë 24 orëve të fundit, 6 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 283.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, tha sot në komunikimin për mediet se “siç shihet edhe në kurbën e epidemisë vijojmë me rritjen e numrit të rasteve të shëruara, të cilat për disa ditë rresht kalojnë numrin e rasteve të infektuara”.

Sipas saj, deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.

Fico tha se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social./atsh

6 të shëruar në 24 orët e fundit, 283 në total Read More »

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Shkodër dhe Krujë, 2 raste edhe në Kurbin

Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë në Kurbin dhe zgjerohet në Tiranë, Shkodër dhe Krujë.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico, tha sot në komunikimin për mediet se “nga rastet e reja 11 i përkasin Shkodrës dhe kemi 4 raste në Tiranë, 4 raste në Krujë dhe hartës i shtohet Kurbini me 2 raste”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.

“Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19”, – tha Fico.

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 245 raste

– Durrës 42 raste

– Lushnje 6 raste

– Elbasan 16 raste

– Fier 35 raste

– Kavajë 9 raste

– Rrogozhinë 4 raste

– Korçë 19 raste

– Vlorë 5 raste

– Shkodër 94 raste

– Lezhë 14 raste

– Berat 2 raste

– Has 13 raste

– Krujë 11 raste

-Tropojë 4 raste

– Pukë 5 raste

– Mirditë 3 raste

– Kukës 9 rast

-Mallakastër 1 rast

– Kurbin 2 raste/atsh

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Shkodër dhe Krujë, 2 raste edhe në Kurbin Read More »