Aktualitet

Tre anëtarët e rinj të SPAK, betohen para Presidentit të Republikës

Në institucionin e Presidentit të Republikës u zhvillua sot ceremonia solemne e betimit të tre anëtarëve të rinj të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Sotir Kllapi, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para Presidentit të Republikës Ilir Meta: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”

Presidenti Meta u uroi suksese dhe punë të mbarë prokurorëve të rinj të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke ju kërkuar të nisin menjëherë nga puna dhe të zhvillojnë hetime në mënyrë efikase, profesionale dhe të pavarur, ashtu siç duhet të funksionojnë të gjitha institucionet qeverisëse të sistemit të drejtësisë.

Me këtë rast, Presidenti i Republikës apelon për të gjithë përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë që të përmbushin detyrën e tyre në mënyrë efikase, profesionale dhe të pandikuar nga çdo ndërhyrje e brendshme apo e huaj, si dhe t’i qëndrojnë përherë besnik vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në respekt të saj. /atsh

Tre anëtarët e rinj të SPAK, betohen para Presidentit të Republikës Read More »

Kopshtet dhe çerdhet hapen nga 1 qershori, protokoll masash për prindërit dhe stafin

Kopshtet dhe çerdhet do të hapen duke nisur nga 1 qershori dhe pas më shumë se dy muajsh, fëmijët do t’i kthehen aktiviteteve të tyre ditore, ndërkohë që institucionet do të zbatojnë masat e reja të nevojshme, të vendosura për parandalimin e COVID-19.

Protokolli i specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik ka përcaktuar rregullat që duhet të ndiqen nga të gjitha palët, si nga ana e personelit, ashtu edhe nga fëmijët dhe prindërit.

Në hyrje e në dalje të institucionit do të vendoset higjienizues për duart në trajtë solucioni me përmbajtje aktive të alkoolit 60%. Ai duhet të jetë gjatë gjithë kohës i pranishëm në mënyrë që fëmijët të pastrojnë duart kur të vijnë dhe kur të ikin.

Ndërkaq, fëmija do të shoqërohet nga një prind i cili do të qëndrojë jashtë ambienteve të institucionit dhe pret në distancë 1/5 metra nga prindërit e tjerë për ta dorëzuar fëmijën tek personeli i çerdhes.

Disa prej masave të marra janë:

– Kopshtet dhe çerdhet do të hartojnë një grafik për sjelljen e marrjen e fëmijëve në këto institucione. Prindërit duhet ta respektojnë me përpikëri.

– Në hyrje e në dalje të institucionit do të vendoset një higjienizues për duart në trajtë solucioni me përmbajtje aktive të alkoolit 60%. Ai duhet të jetë gjatë gjithë kohës i pranishëm në mënyrë që fëmijët të pastrojnë duart kur të vijnë dhe kur të ikin.

– Fëmija do të shoqërohet nga një prind i cili do të qëndrojë jashtë ambienteve të institucionit dhe pret në distancë 1/5 metra nga prindërit e tjerë për ta dorëzuar fëmijën tek personeli i çerdhes.

– Rekomandohet që fëmija të shoqërohet nga prindi, jo gjyshërit.

– Fëmija do të pritet dhe shoqërohet nga një edukatore e cila e merr fëmijën në hyrje të kopshtit.

– Çdo ditë fëmijës do i matet temperature me termometër digjital.

– Dera e institucionit qëndron e mbyllur kur fëmijët janë brenda, ndërsa dritaret të hapura për ajrosje.

– Nëse fëmija shfaq temperaturë njoftohet prindi për ta marrë menjëherë.

– Fëmijët e një grupi do të qëndrojnë në të njëjtën sallë çdo ditë dhe me të njëjtën edukatore.

– Rekomandohet të mos kryhet asnjë aktivitet jashtë ambienteve të kopshtit.

– Fëmijët do të qëndrojnë në distancë nga njëri-tjetri (p.sh rreth një tavoline me 10 karrige të ulen 5 fëmijë).

– Të kryhet dezinfektimi i çdo dhome çdo ditë.

– Pas largimit të fëmijëve të kryhet pastrimi i sipërfaqeve dhe orendive me lëndë dezinfektuese

– Lodrat të cilat nuk mund të dezinfektohen nuk duhet të përdoren.

– Rekomandohet mos të organizohen festa ditëlindjesh

– Të vendosen postera informues.

– Të ketë ujë të rrjedhshëm, sapun të lëngshëm, letra për fshirjen e duarve.

– Sanitaret të kenë gjithë kohës maska dhe doreza.

– Personeli që përgatit ushqimin duhet të mbajë gjithmonë maskë.

– Drejtuesi duhet të pajisë stafin me maska, doreza, solucione dezifektuese.

– Nëse stafi ka probleme shëndetësore do njoftohet njësia vendore e kujdesit shëndetësor./atsh

Kopshtet dhe çerdhet hapen nga 1 qershori, protokoll masash për prindërit dhe stafin Read More »

Rikthimi i maturantëve në shkolla/ Vlorë, vijon respektimi i masave ndaj COVID-19

Stafi infermieror i Sektorit të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Vlorë së bashku me punonjësit e qendrave shëndetësore vijojnë monitorimin e gjendjes shëndetësore të maturantëve dhe zbatimit rigoroz të protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Gjatë ditës së sotme punonjësit e shëndetësisë në Vlorë ishin pranë maturantëve të shkollave të mesme “Perla”, “Elite”, Shkolla Tregtare, “Qemal Ataturku” dhe “Ali Demi”.

Ata i informuan maturantët mbi mbajtjen e higjienës personale, larjen e duarve dhe dezinfektimin e objekteve që prekin me shpesh.

Po ashtu i këshilluan të ruajnë distancimin social si një tjetër mënyrë e parandalimit të përhapjes së COVID-19, që do të thotë shmangia e vendeve të populluara dhe mbajtja e largësisë nga njëri-tjetri.

Stafi mjekësor realizoi edhe termometrimin e çdo nxënësi për të evidentuar çdo problematikë shëndetësore. Ata i këshilluan nxënësit të zbatojnë rregullat për të parandaluar përhapjen e infeksioneve respiratore si COVID-19./atsh

Rikthimi i maturantëve në shkolla/ Vlorë, vijon respektimi i masave ndaj COVID-19 Read More »

Sezoni turistik/ Njësitë akomoduese nisin përgatitjet, plotësim i kushteve të higjienës sipas protokollit shëndetësor

Në kohën kur po lehtësohen gjithnjë e më shumë masat për lëvizjen, diskutohet mundësia e hapjes së kufijve dhe nisjes së fluturimeve, njësitë akomoduese në të gjithë vendin kanë nisur të marrin masat për të plotësuar kushtet e higjienës në përputhje me protokollet shëndetësore.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi publikoi sot pamje se si këto njësi akomoduese po përgatiten, si dhe po trajnojnë stafin e tyre me protokollet shëndetësore.

Ministri Klosi prej disa ditësh po zhvillon bisedime jo vetëm me operatorët turistik shqiptarë por dhe me homologët në rajon e më gjerë për të diskutuar mbi mundësitë për rivitalizimin e kësaj industrie, duke respektuar njëkohësisht edhe këshillat që jepen nga institucionet e shërbimit shëndetësor në situatën e krijuar prej COVID-19.

Gjatë kësaj jave ai zhvilloi një takim me përfaqësues të Unionit Turistik, ku u diskutua mbi modalitetet e veprimtarisë turistike të plazheve, të guidave, turizmin e brendshëm, për mundësitë e hapjes së kufijve tokësorë, linjave të dedikuara, transportin turistik në respektim të protokolleve shëndetësore.

Turizmi është një nga sektorët më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare dhe është konsideruar nga qeveria si një nga motorët kryesorë të rritjes kombëtare. Shqipëria po rekomandohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik nga operatorë turistikë të ndryshëm dhe udhëzuesit ndërkombëtarë të udhëtimit. /atsh

Sezoni turistik/ Njësitë akomoduese nisin përgatitjet, plotësim i kushteve të higjienës sipas protokollit shëndetësor Read More »

Ambasadorja Kim: Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi të mos jenë të vërteta

“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta”, deklaroi sot ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.

Kim tha se, “Reforma në Drejtësi po bën përparim dhe duhet të vazhdojë”.

“Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo perfekte, por është e nevojshme, po bën përparim dhe duhet të vazhdojë”, tha Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë./atsh

Ambasadorja Kim: Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi të mos jenë të vërteta Read More »

“Ferri është bosh dhe gjithë djajtë janë këtu”/ Rama dakord me deklaratat e ambasadores Kim për Reformën në Drejtësi

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratës së ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, e cila tha se “shpreson që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta”.

Kryeministri Edi Rama duke rënë dakord me deklaratat e ambasadores, citoi një thënie të Shekspirit: “Ferri është bosh dhe gjithë djajtë janë këtu”.

Ambasadorja Kim tha sot se “Reforma në Drejtësi është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo perfekte, por është e nevojshme, po bën përparim dhe duhet të vazhdojë”./atsh

“Ferri është bosh dhe gjithë djajtë janë këtu”/ Rama dakord me deklaratat e ambasadores Kim për Reformën në Drejtësi Read More »

Teatri duhej shembur shumë e shumë vite më parë, problemet në godinë që në vitin 1941

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Teatri Kombëtar që u shemb nuk mund dhe nuk duhej ruajtur. “Ai duhej shembur shumë e shumë vite më parë”, tha Rama.

Në një intervistë televizive të zhvilluar në ambientet e rikonstruktuara të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Kryeministri Rama theksoi se “ka një kronologji fantastike që për fat të keq nuk e njeh askush, se të gjithë flasin për monument, kulturë, për identitet, traditë, por nuk dinë historinë sesi ka rrjedhur të asaj godine dhe se sa shumë në shumë vite, qysh prej saktësisht vitit 1941 kur është bërë ekspertiza e parë dhe kur shkruhej ‘nevojiten riparime urgjente për tavanin dhe taracën’, e deri vonë është thënë dhe stërthënë se çfarë dëshpërimi është ajo që s’është më”.

“Në këtë aspekt unë jo nuk jam vetëm, përkundrazi, mbase më qëlloi mua të isha i vetmi ta kaloja këtë det në këmbë. Kjo betejë e nisur prej 21 vitesh për të arritur për ta pastruar atë shesh, ndërkohë që nuk kam thënë do rindërtojmë atë atje, por kam thënë diçka të rëndësishme”, u shpreh ai.

Ndërsa duke folur për TKOB, Rama theksoi se “e vërteta është se këtu ishin mundësitë për ta bërë këtë rindërtim”.

“Është kryer një punë spektakolare e cila është shumë më tepër në pjesën e padukshme se në pjesën e dukshme, sepse kjo sallë ka pasur një problem të madh me akustikën dhe siç e shihni përtej mikrofonave këtu ka një akustikë fantastike, me akusticienë të huaj. Ndërkohë në pjesën e mbrapme ka një skenë super teknologjike, që do të bëjë që qoftë trupat tona, talentet tona që shkëlqejnë nëpër botë kur të ngjiten në këtë skenë të ndjehen si në Tokio, Milano, Paris dhe si në çdo teatër që meriton këtë emër në botën e qytetëruar”, tha Rama.

“Ne nuk e kemi përuruar sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por thjesht kemi ardhur për të ndarë me publikun frutet e një pune të bukur, e një pune të dhunuar me dhjetëra e dhjetëra vite e një pune që u jep më në fund në historinë e këtij vendi dinjitet njerëzve të skenës dhe dinjitet atyre që vijnë për të shijuar ngjarjet në skenë, gjë që nuk e kanë pasur kurrë as ata që ngjiteshin në skenë, dhe as ata që i ndiqnin në kushtet më mizerabël që turpëronin Shqipërinë qoftë këtu, dhe më keq akoma në godinën e saposhembur më në fund, të atij që u quajt gabimisht Teatri Kombëtar”, – tha Rama. /atsh

Teatri duhej shembur shumë e shumë vite më parë, problemet në godinë që në vitin 1941 Read More »

47 vjet nga revolta e Spaçit/ Basha: Thirrja e parë, Shqipëria do të bëhet si Europa

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka kujtuar 47-vjetorin e revoltës në burgun e Spaçit, ku thirrja e parë e të burgosurve politik ishte Shqipëria do të bëhet si Europa.

Basha shprehet se “47 vjet më parë, kur diktatura komuniste e kishte zhytur Shqipërinë në izolimin e saj më të madh, një grup të burgosurish politikë ngritën në Spaç flamurin kuqezi, pa yllin komunist, dhe shpallën aty një zonë të lirë nga diktatura. Ato 3 ditë lirie e tronditën nga themelet Sigurimin e Shtetit, aty u thirr për herë të parë me zë të lartë se Shqipëria do të bëhej si Europa”.

“4 heronjtë martirë të Revoltës së Spaçit, Hajro Pashaj, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, ishin lajmëtarët se shqiptarët asnjëherë s’do të pajtoheshin as me dhunën, as me diktaturën komuniste e as me çfarëdo regjimi që do synonte t’u hiqte atyre lirinë. Në dokumentet e Sigurimit të Shtetit, aty ku raportohet për dhunën çnjerëzore që diktatura përdori për ta shembur rezistencën e të burgosurve politike raportohet me tmerr paralajmërimi profetik që qëndrestarët i bënë zv/ministrit të Brendshëm të diktaturës: “Edhe ju do të përfundoni këtu, sepse është ngushtuar rrethi dhe diktatura po ha bijtë e vet”-tha ai.

Po ashtu, Basha kujton qëndresën 3 ditorë të të burgosurve politikë në revoltën e Spaçit e cila u shtyp me gjak.

“Revolta e Spaçit dhe qëndresa 3-ditore e të burgosurve të Spaçit pati një jehonë të gjerë në të gjithë vendin. Ideja e qëndresës e tmerroi regjimin diktatorial. Për të treguar këtë trashëgimi të qëndresës së shqiptarëve, të cilët nuk e pranuan asnjëherë diktaturën, fiks 11 vjet më vonë, në përvjetorin e Revoltës së Spaçit, ish-të burgosurit politikë u ngritën sërish në revoltë në burgun famëkeq të Qafë-Barit. Të burgosurit politikë po e mposhtnin makinën e regjimit, jo vetëm me qëndresë madhështore, shembull në të gjitha vendet ish-komuniste, por edhe me simbole”-tha ai.

Në vijim Basha kujton dhe revoltën e të burgosurve politik të Qafë-Bari që pasoi atë të Spaçit.

“Qafë-Bari ishte një përkujtim i denjë i revoltës së Spaçit, 11 vjet më pas, dhe që të dyja revoltat janë sot një trashëgimi politike që e gëzon çdo rezistencë qytetare kundër padrejtësisë dhe kundër çfarëdo regjimi që e gënjen mendja se mund t’ju marrë shqiptarëve të drejtat e fituara në Lëvizjen e Dhjetorit ’90. Burrat që kryen revoltat e Spaçit dhe të Qafë-Barit janë një frymëzim se kauzat fitojnë, edhe nëse ato kanë kundër falanga të armatosura. Nga Revolta e Spaçit vjen edhe paralajmërimi profetik se askush s’duhet të qëndrojë mënjanë, kur atdheu përballet me sfida të mëdha, sepse mekanizmi keqbërës i diktaturës herët a vonë do të mbërrijë edhe tek ata”, tha Basha.

Gjithashtu Basha shtoi se “nga revoltat e Spaçit dhe të Qafë-Barit ne trashëgojmë shembullin e atdhedashurisë. Duke nderuar kujtimin e martirëve të Spaçit dhe Qafë-Barit, shqiptarët nderojnë sot historinë e tyre të lavdishme të qëndresës ndaj diktaturës dhe rinovojnë angazhimin për të mos iu shmangur përgjegjësisë kombëtare që kanë, për ta shkëputur përfundimisht vendin nga kthetrat e diktaturës së hajdutëve dhe kriminelëve dhe për ta rikthyer atje ku i takon, në gjirin e Perëndimit”./atsh

47 vjet nga revolta e Spaçit/ Basha: Thirrja e parë, Shqipëria do të bëhet si Europa Read More »