Aktualitet

Tomini për ATSH-në: Monitorim intensiv i zonave të kuqe e të gjelbra, rikthimi mund të jetë i mundshëm nëse nuk respektohen udhëzimet

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaron se marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienës personale dhe respiratore patën peshën madhore në atë ç’ka epidemia COVID-19 u paraqit në Shqipëri.

Në një intervistë për ATSH-në, Tomini shprehet se COVID-19 në vendin tonë pati karakteristikën e një epidemie të butë, krahasuar me peshën që pati në vendet e tjera europiane, duke krijuar mundësinë për një menaxhim cilësor dhe shërbim shëndetësor korrekt dhe në kohë.

“Kjo epidemi u paraqit me pikun në javën e fundit të muajit mars dhe me një trend të qëndrueshëm në vijim, duke sjellë një menaxhim cilësor dhe shërbim shëndetësor korrekt dhe në kohë, për sa i përket përgjigjes së sistemit shëndetësor ndaj të gjitha rasteve, sigurisht nën efektin e masave të marra kundrejt distancimit fizik, por dhe strategjisë së ndjekur kundrejt testimit të çdo rasti të dyshuar dhe të gjithë kontakteve të evidentuara nga gjurmimi i thelluar epidemiologjik. Marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienës personale dhe respiratore patën peshën madhore në atë ç’ka epidemia COVID-19 u paraqit në Shqipëri”, thekson Tomini për ATSH.

Në vend, thekson ajo, vazhdon prezenca e rasteve sporadike, prezenca e vatrave dhe nuk vërehet qarkullim i dendur në popullatë. “Por, transmetimi komunitar në disa zona është evident, sepse kemi shfaqjen e rasteve pozitive COVID-19 të pa lidhur epidemiologjikisht me njëri-tjetrin”, shprehet Tomini.

Monitorimi në mënyrë intensive i “zonave të kuqe” dhe ”të gjelbra”, shpjegoi Tomini, njëkohësisht sjell evidentimin e rasteve të reja aktive dhe kjo është në sajë të gjurmimit epidemiologjik të rasteve.

“Rastet e hospitalizuara, paraqiten në një nivel shumë të ulët aktualisht dhe kjo situatë flet në mënyrë pozitive për një klinikë jo agresive, sepse vetëm këto raste kërkojnë shërbim shëndetësor spitalor”, shprehet Tomini për ATSH.

Por sipas saj, këto të dhëna nuk flasin për faktin që pas rasteve me klinikë dhe me tampon pozitiv COVID-19, probabilisht kemi shumë herë më tepër raste asimptomatike në popullatë.

Megjithatë, Tomini thotë se aktualisht COVID-19 është nën kontroll, por vlerëson ajo, rikthimi mund të jetë i mundshëm dhe mund të mos përjashtohet nëse udhëzimet nuk do të respektohen.

“Duhet të kemi vazhdimësi në respektimin e distancimit fizik dhe masave të higjienës personale pavarësisht lehtësimit të masave, janë mundësitë e vetme të parandalimit dhe të shkëputjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit”, apelon Tomini./atsh

Tomini për ATSH-në: Monitorim intensiv i zonave të kuqe e të gjelbra, rikthimi mund të jetë i mundshëm nëse nuk respektohen udhëzimet Read More »

Nga 11 maji qytetarët aplikim në e-Albania për pasaportë dhe kartë identiteti, procedura zgjat vetëm 2 minuta

Nga data 11 maj përmes platformës e-Albania qytetarët mund të aplikojnë për pajisjen me pasaportë dhe kartë identiteti.

Kryeministri Edi Rama publikoi një video ku shpjegoi se si qytetarët mund të aplikojnë.

Rama tha se qytetarët do të paraqiten vetëm një herë pranë zyrave, pasi formulari dhe rezervimi i takimit do të kryhen online dhe është një procedurë e thjeshtë, që zgjat vetëm 2 minuta.

“Në platformën e-Albania gjeni shërbimin: “aplikim i formularit për lëshim ose rinovim të pasaportës”. Në sms dhe e-mail ju vjen linku për të rezervuar datën dhe orën e takimit pranë zyrës aleat. Ju do të paraqiteni vetëm 1 herë pranë zyrave të aplikimit, pasi formulari dhe rezervimi i takimit do të kryhen online. Procedurë e thjeshtë, që zgjat vetëm 2 minuta. Ditën e takimit, ju duhet të keni me vete kuponin e ri për pasaportë apo kartë identiteti dhe dokumentet e vjetra, që duhet t’i dorëzoni në zyrat e aplikimit”, bëri të ditur Kryeministri Rama./atsh

Nga 11 maji qytetarët aplikim në e-Albania për pasaportë dhe kartë identiteti, procedura zgjat vetëm 2 minuta Read More »

Balla: Basha sa herë ka gjyq ngujohet në çadër ose në teatër

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi se sa herë që Lulzim Basha ka një gjyq ka një ashpërsim të toneve ngujohet në çadër ose kthehet tek Teatri Kombëtar.

“Sa herë që Lulzim Basha ka një gjyq ka një ashpërsim të toneve dhe një kthim tek teatri. Në dhjetor kishte gjyqin në Shkallë të Parë dhe Lulzim Basha flinte tek Teatri Kombëtar, dje kishte gjyqin në Gjykatën e Apel dhe mbrëmë fjeti në sallën e Teatrit Kombëtar. Sa herë Luli ka gjyq shkon tek teatri për të bërë teatër. Mos e merrni seriozisht asnjëherë, pasi kur ka hall mundohet të kapet pas vagonit të fundit të zhvillimit të pakthyeshëm pas të Tiranës. Teatri nuk është vagoni i fundit, por është një prej vagonëve të shumtë të ndryshimit dhe zbukurimit të Tiranës, për ta bërë atë kryeqytetin e Shqipërisë europiane”, tha Balla.

I ftuar në emisionin ‘Kapital’ në Vizion Plus, Balla ka folur edhe lidhur me debatin për prishjen e Teatrit Kombëtar, ku u shpreh se ky është rasti i radhës që vendos përballë botën e të bukurës dhe botën e Partisë Demokratike.

“Bashkia e Tiranës qeveriset nga PS, nga një këshill bashkiak që kanë mandatin e qytetarëve të Tiranës për të bërë punë publike dhe do të do të bëhet nga fondet e Bashkisë Tiranë. Njerëzit janë plotësisht dakord që të mos shkojnë më kurrë në një teatër që rrezikon të shembet, në një teatër ku të ha miu, por të shkojnë në një teatër të ri, i cili për nga projekti do të jetë një prej veprave arkitekturore më të mira në Ballkan. Prandaj është demokracia, populli mandaton përfaqësuesin dhe ai merr vendimet. Mundohem ta mirëkuptoj PD që është në një krizë të thellë programi, lidershipi dhe ekipi dhe mundohen të kapen pas gjithçkaje. Fatkeqësia e madhe e PD-së është pasi ata rendin pas çështjeve që në fakt kanë mbështetjen e njerëzve. Sot i gjithë publiku shqiptar është njohur me një grup të madh artistësh të vërtetë. Unë njoh për artistë shqiptarë Robert Ndrenikën, Ndrek Lucën apo Sandër Prosin. Nuk di të them se mund të krahasosh emrin e Robert Ndrenikës, Luftar Pajës e shumë artistësh të tjerë të popullit që i janë drejtuar sot Presidentit të Republikës apo dhe politikës së mbrapshtë të PD, ku i kërkojnë të heqin dorë nga kjo histori kundër të bukurës në vend. Procesi ligjor në lidhje me këtë çështje ka përfunduar dhe këshilli bashkiak ka bërë një vendimmarrje të cilët duhet ta respektojnë vendimmarrjen e ligjvënësve të këshillit bashkiak. Vetë PD kur ka qenë në pushtet nuk e ka përcaktuar atë godinë si godinë të trashëgimisë kulturore shqiptare”, u shpreh Balla.

Duke folur për situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, Balla tha se qeveria po administron situatën e vështirë dhe ftoi qytetarët të ruajnë distancat dhe higjienën, për të dalë faqebardhë në luftën me armikun e padukshëm./atsh

Balla: Basha sa herë ka gjyq ngujohet në çadër ose në teatër Read More »

Parashikimi i motit

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet me diell si dhe vranësira shtresore por të larta dhe transparente.

Prani grimcash pluhuri dhe rëre në pjesën më të madhe të vendit. Zagushi për shkak të tyre.

Era do të fryjë me drejtim juglindje – verilindje dhe shpejtësi 1-10m/s. Valëzimi në dete parashikohet i forcës 0-1 ballë duke u shoqëruar me lartësi dallge 0.5-1.0 metër.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 17/29 Diell re transparente
Kukës 18/31 Diell re transparente
Lezhë 25/33 Diell re transparente
Dibër 18/31 Diell re transparente
Durrës 15/29 Diell re transparente
Tiranë 20/34 Diell re transparente
Elbasan 19/35 Diell re transparente
Berat 20/36 Diell re transparente
Vlorë 20/36 Diell re transparente
Korçë 16/30 Diell re transparente
Gjirokastër 18/35 Diell re transparente
Sarandë 17/34 Diell re transparente/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Fjalë të çmuara/ Dita e sotme është sa dy të nesërme

“Dita e sotme është sa dy të nesërme”, janë fjalët e çmuara të zgjedhura nga Kryeministri Edi Rama për të nisur komunikimin me qytetarët këtë mëngjes.

Më këtë thënie të një prej etërve themelues të SHBA-së, Benjamin Franklin, Kryeministri Edi Rama përcolli një tjetër mesazh në rubrikën “Fjalë të çmuara”.

Shqipëria ka nisur lehtësimin gradual të masave kundër COVID-19, ndërkohë që këshilla kryesore e autoriteteve vijon të mbetet vetëndërgjegjësimi qytetar ndaj situatës, si dhe përgjegjësia që ka gjithsecili në këto kohë për të dhënë kontributin si qytetar për të shpëtuar veten, familjen e shoqërinë./atsh

Fjalë të çmuara/ Dita e sotme është sa dy të nesërme Read More »

Dita Ndërkombëtare e Familjes/ Meta citon Nënë Terezën: Aktuale në çdo kohë

Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar qytetarët me një thënie të Shenjtores “Nënë Tereza”.

“Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde!”, shkruan Presidenti Meta.

“Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Familjes, me këtë thënie të mençur dhe aktuale në çdo kohë të Shenjtores sonë Nënë Tereza!”, thekson Presidenti Meta.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e ka shpallur 15 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Familjes, në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për problemet dhe çështjet e familjes dhe për të ndihmuar që këto çështje të fitojnë rol të rëndësishëm në politikat e shteteve anëtare.

Qëllimi i shënimit të ditës ndërkombëtare të familjes është që të promovojë familjen dhe vlerat e saj, nxitjen e barazisë midis grave dhe burrave në familje, mbrojtjen e familjes si njësi bazë e shoqërisë dhe për të ndihmuar familjet për të përmbushur përgjegjësinë e tyre për komunitetin./atsh

Dita Ndërkombëtare e Familjes/ Meta citon Nënë Terezën: Aktuale në çdo kohë Read More »

Teatri Kombëtar, Basha: Grabitja në mes të pandemisë është akt lufte

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përcolli sot një deklaratë të Organizatës Europa Nostra në mbështetje të Teatrit Kombëtar.

“Afera me TK është vjedhja më e dhunshme që u bëhet shqiptarëve nga Rama. Grabitja e TK në mes të pandemisë është akt lufte ndaj shoqërisë dhe ekonomisë që po rrënohen: varfëri masive, krizë e thellë, papunësi e lartë, institucione të kapura dhe korrupsion rekord”, tha Basha, duke mbajtur qëndrim solidariteti personal dhe të opozitës për këtë kauzë.

Europa Nostra, organizatë europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore europiane, e ka shpallur Teatrin si një nga 7 ndërtesat më të rrezikuara në Europë, që duhet mbrojtur dhe restauruar.

Në deklaratën e mbrëmshme Europa Nostra shprehet se kundërshton propozimin për prishjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar në Tiranë, sipas saj, një nga 7 sitet kulturore më të rrezikuara në Europë.

Europa Nostra ka vënë në dijeni për këtë qëndrim disa institucione dhe personalitete europiane, prej të cilëve kërkohet reagim, David Sassoli, President i Parlamentit Europian, Maryia Gabriell, Komisionerja europiane për Kulturën, Josep Borell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Luigi Soreca, ambasador i BE në Shqipëri./atsh

Teatri Kombëtar, Basha: Grabitja në mes të pandemisë është akt lufte Read More »

Ministria e Shëndetësisë: Rastet e reja në Tiranë, Durrës, Berat e Krujë, 916 të prekur në total e 705 të shëruar

Në 24 orët të fundit janë testuar 219 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 18 qytetarë, duke e çuar në total numrin e të prekurve në 916, ndërsa janë shëruar deri tani 705 persona.

Silva Bino, përgjegjëse e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik në komunikimin e përditshëm të Ministrisë së Shëndetësisë për situatën COVID19 në vend tha sot se “pjesa më e madhe e tyre janë kontake të rasteve të mëparshme, ndërkohë që vazhdon hetimi epidemiologjik në terren. Në Durrës janë identifikuar 7 raste në një fasoneri, kontakte të një rasti pozitiv. Në Berat janë edhe 5 raste të reja; në Tiranë 4 raste dhe në Krujë 2 raste”.

“Këto të dhëna na tregojnë se ka shumë rëndësi të zbatohen rregullat nga të gjithë qytetarët, të mos e ulim vigjilencën. Kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë. Vetë bizneset duhet të respektojnë protokollet e përcaktuara për të ruajtur qytetarët dhe punonjësit”, – shtoi ajo.

COVID-19 – Statistika (15 Maj 2020)

Testime totale 11988

Testime molekulare 11458

Testime serologjike 530

Raste pozitive 916

Raste të shëruara 705

Raste Aktive 180

Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 77

Krujë 46

Shkodër 16

Kamëz 12

Berat 10

Durrës 9

Fier 5

Elbasan 2

Kurbin 1

Mirditë 1

Korçë 1

/atsh

Ministria e Shëndetësisë: Rastet e reja në Tiranë, Durrës, Berat e Krujë, 916 të prekur në total e 705 të shëruar Read More »