Aktualitet

Policia e Shtetit është sjellë në mënyrë proporcionale sipas protokolleve për një protestë të palajmëruar

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha sot gjatë një interviste televizive se Policia e Shtetit ka zbatuar ligjin gjatë ndërhyrjes për largimin e protestuesve ditën e shembjes së godinës së teatrit.

Lleshaj tha se ndërhyrja në teatër ka ardhur pas vlerësimit të riskut, duke parë dhe artikulimin publik me nota agresive të organizatorëve të protestës që kishin okupuar objektin.

“Unë dhe gjithë zinxhiri drejtues i Policisë së Shtetit identifikohemi me atë që ndodh në terren. Kjo na sjell kosto, na sjell konsum. Ka punonjës policie që cedojnë dhe ne duhet të mbajmë këto kosto përsipër”, – tha Lleshaj.

“Atë ditë ministri Lleshaj nuk ka qenë as në Tiranë. Unë them që Policia Shtetit është sjellë në mënyrë proporcionale sipas protokolleve që kërkohet nga policia për një protestë të palajmëruar që u shoqërua dhe me akte dhune ndaj policisë”, – tha Lleshaj.

“Pse nuk e përmendi emrin e punonjësit të policisë që u qep në spital pasi u plagos, jo një, shtatë të tillë. Por duhet të dini se policët kanë më shumë të drejta se protestuesit. Punonjësit kanë shkuar të urdhëruar dhe zbatojnë urdhrin dhe nëse nuk shkojnë duhet të largohen nga detyra. Njerëzit e shtypit kanë një mision për të bërë shtypin, jo për të ushtruar dhunë. Dhuna është monopol i shtetit, dhe ka të drejtë ta bëjë në mënyrë të ligjshme atë. Kushdo tjetër që ngre dorën është në kapërcim ligji. Punonjësi i Policisë ka për detyrë të ushtrojë dhunë në dobi publike”, – tha Lleshaj.

“Jemi në fazën e foshnjërisë politike në demokraci. Dhuna nuk është opsion dhe duhet të heqim dorë. Politikanët e nivelit të lartë e përdorin shpesh, në artikulimin e tyre publik dhunën si mungesë alternative dhe argumenti. Ne duhet ta heqim nga artikulimi dhe përdorimi i dhunës”, – tha Lleshaj.

“I kam kërkuar policisë vetëpërmbajtje disa herë. Një moment më vonë në kohë të reagosh ndaj atyre që ke përballë, një nivel më pak dhune se ata që ke përballë dhe ka viktima. Po t’i rrimë strikt ligjit, policia do kishte vepruar më përpara. Nuk i lejonte fare njerëzit të mblidhen, pasi nuk lejohet tubimi dhe po ashtu ishte dhe pandemia, pra mund të kishte mënjanuar grumbullimin. Policia mund të kishte pajisje mbrojtëse nëse do pritej dhunë, pasi nuk pritej dhe nuk kërkonim të provokonim dhunë. Në vende të tjera, punonjës të policisë vijnë jo vetëm të veshur me masa mbrojtëse, por dhe të armatosur”, – tha Lleshaj.

Lidhur me shoqërimin e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, Lleshaj shtoi se “të gjithë ato skenat ishin të filmuara, të gjitha, ndërsa kjo skenë shihej vetëm në një sekuencë që po futej në furgon dhe nuk shihet arsyeja se për çfarë e dërgonin në furgon. Po nuk pati zhurmë. Përse shkoi, përse e kanë çuar? Është çështje që s’ka marrë vëmendje, as nga ajo vetë që u shoqërua nuk u tha gjë”, – tha Lleshaj.

“Gazetari Lela ka qenë aty nuk e di në çfarë statusi, por ka ndërhyrë në një moment kur tri punonjëse policie femra po përpiqeshin të ndalonin një protestuese femër. Një standard që e aplikojmë me sforco të madhe, Policia shqiptare po përpiqet ta realizojë këtë për etikë të shtuar. Nuk i shkonte për etikë, një mashkulli, gazetari… etj., të ndërhynte me dorë ndaj punonjësve femra që ishin aty, gjë që e ka bërë provokimin edhe më të madh në sytë e punonjësve meshkuj të policisë”, – tha Lleshaj.

“Ne na bën bashkë ligji, Kushtetuta dhe kundërshtimi i punonjësit të policisë është vepër penale. Tani, nëse ti merr përsipër të kryesh një vepër që Kodi Penal e sheh të tillë, duhet të jesh i gatshëm dhe për konsekuencat e tij. Këtu është krijuar një traditë që polici mund të rrihet, bëhet objekt anekdotash, është krijuar një perceptim, që këta që e ndiejnë veten përtej ligjit, mbi ligj, anash ligjit apo tjetër, apo vetë ligji, i duket vetja sikur nuk duhet farë të merren me policinë, por ky person, apo grup personash duhet të jenë të parët që gjobiten dhe penalizohen”, – tha Lleshaj.

“Policia vepron me iniciativë ose kërkesë. Objekti publik në fjalë ka një zot, administrator. Më datë 17 maj u kërkua ndërhyrja e policisë. Po të ishte kërkuar më parë do ndërhynte më parë. Duhet dikush ta konstatojë paligjshmërinë. Nëse nuk ka denoncim apo fakt publik të madh… Nuk ka qenë publikisht për ne i njohur fakti se ai objekt nuk ishte në dispozicion të administratorit të atij objekti”, – tha Lleshaj.

“Është e ligjshme që policia të mos ketë numër identiteti. Jo çdo polici e përdor. Sot takova një numër të konsideruar të punonjësve të “Frontex” të kufirit tonë. Të vetmit që kishin numra ishin policët shqiptarë. Asnjëri nga punonjësit e huaj nuk e kishte. Policia kur vepron në mënyrë të strukturuar, identiteti është i barabartë me atë të drejtuesit të tyre. Ju kërkoj që të bëni dy-tri minuta kërkim në internet të një proteste të dhunshme në Itali dhe do shikoni që janë pa numra punonjësit e policisë atje”, – tha Lleshaj.

“Në dijeninë time, punonjësit e Policisë nuk kanë qenë të armatosur. Ndërhyrja në objekt ka qenë një ndërhyrje e lidhur me një analizë risku, pasi në artikulime kemi pasur dhe përdorimin e dhunës prezent. Policia ka pasur dijeni se mund të kishte elementë të cilët mund të sillnin risk ndaj policisë, duke parë dhe artikulimin verbal të protagonistëve të kësaj situate. Është folur dhe për gjakderdhje dhe policia ka patur drojen se mund të kishte një reagim të ashpër dhe ka vepruar në mënyrë të detajuar. Nuk e di çfarë mjetesh janë përdorur, por kanë qenë të pajisur për të kontrolluar çdo eventualitet, apo konflikt, besoj se ka patur dhe qen që ka kontrolluar për eksploziv. Kur bëhen ndërhyrje të tilla duhet kontrolluar për shumë rreziqe”, – tha Lleshaj.

“Unë s’kam parë armë, s’di që është e ndaluar, as ato armë që janë të detyruar t’i kenë aty, si shkop gome… Këta as ato s’i kanë pasur me vete. Atë armë që ua jep ligji dhe jo më të marrin armë që s’ua lejon ligji”, tha Lleshaj.

“Drojen e politizimit të policisë jua heq shumë thjesht. Unë jam 1 vit e gjysmë që jam Ministër i Brendshëm e nga unë mund të jenë emëruar tre vetë gjithsej, që mund të jenë promovuar. Mbi 90% është policia e vitit 2011. Ndryshimi që mund të konstatoni është nivel tjetër, respekti për pavarësinë e tyre për të vepruar. Unë nuk i përzihem në veprimet e tyre. Nuk lejon ligji që unë të përfshihem në veprimet operacionale. Është detyrë e ministrit ndaj Policisë që ta kontrollojë atë, për këtë është Shërbimi i Ankesave dhe Kontrollit të Brendshëm dhe për ankesat dhe për rastet që flasim ka nisur hetimet e veta, pasi nuk presupozohet se janë engjëj punonjësit e policisë. Jam i hapur dhe inkurajoj këdo që ndihet i trajtuar jo në mënyrë profesionale, apo jo siç e ka ligji, të trokasë tek ankesat”, – tha Lleshaj./atsh

Policia e Shtetit është sjellë në mënyrë proporcionale sipas protokolleve për një protestë të palajmëruar Read More »

Riatdhesimet/ Fluturimi nga Franca në Shqipëri më 5 qershor

Ambasada e Francës në Shqipëri ka publikuar sot datën dhe oraret e fluturimeve nga Franca në Shqipëri.

Ambasada thekson se, “për të gjithë të interesuarit, bëjmë me dije se fluturimi i radhës mes Francës dhe Shqipërisë është parashikuar të kryhet në datën 5 qershor 2020, nga aeroporti Paris Charles de Gaulle”.

Ambasada fton të interesuarit për rezervime që t’i bëjnë direkt tek faqja e internetit: www.airalbania.com.al

Oraret e fluturimeve të riatdhesimeve më 5 qershor janë Tiranë- Paris ora 12:00- 14:45 dhe Paris – Tiranë ora 15:45-18:15./atsh

Riatdhesimet/ Fluturimi nga Franca në Shqipëri më 5 qershor Read More »

Nuk duhen penalizuar qytetarë për tejkalim të afateve, Qeveria shqiptare në negociata të ngushta me autoritetet greke

Qeveria shqiptare është në negociata dhe kontakte të ngushta me qeverinë greke për të adresuar problemin e gjobave të vëna për qytetarët shqiptarë, që u penalizuan nga pamundësia për të lëvizur për shkak të mbylljes së kufirit si pasojë e COVID-19

Kështu deklaroi sot nga pika kufitare e Kakavijës, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i pyetur nga gazetarët lidhur me qytetarët shqiptarë të cilët kanë kaluar afatin 90-ditor dhe janë vendosur gjoba nga shteti fqinj.

“Vetë ne si qeveri shqiptare kemi vendosur që të huajt që janë në Shqipëri dhe janë në tejkalim të afateve të mos i penalizojmë. Pra, kemi pranuar faktin që pandemia si forcë madhore duhet njohur dhe nuk duhen penalizuar qytetarë për shkak të tejkalimit të afateve të qëndrimit në pamundësi të rinovimit të dokumenteve. Shpresojmë që edhe qeveria greke do ta bëjë të njëjtën gjë”, deklaroi Lleshaj.

Ministri tha se “mesa jam i informuar kjo gjë do të ndodhë. Por kryeministri ka premtuar publikisht që gjithsesi qeveria shqiptare edhe në rast se qeveria greke nuk do të gjejë mundësi për ta adresuar këtë problem, qeveria shqiptare do të marrë përsipër kostot e të gjithë penaliteteve që janë adresuar ndaj qytetarëve shqiptarë”./atsh

Nuk duhen penalizuar qytetarë për tejkalim të afateve, Qeveria shqiptare në negociata të ngushta me autoritetet greke Read More »

Suksesi i familjes nga Malësia e Madhe në sipërmarrjen e prodhimit të djathrave, Rama: Shqipëria e vërtetë punon

“Shqipëria e vërtetë punon, Shqipëria e vërtetë prodhon”, u shpreh Kryeministri Edi Rama, teksa publikoi historinë e suksesit të familjes Hasanaj në Hot të Malësisë së Madhe, e cila pas ngritjes së një ferme blegtorale, ka investuar në një punishte të prodhimit të djathërave.

Produktet e saj familja Hasanaj i tregton më së shumti në restorantet e vendit.

Për këtë punishte, kujdeset djali i ri i familjes, Gjovalin Hasanaj i cili rrëfeu për ERTV se punishtja ishte ngritur falë mundit të babait të tij para disa vitesh me shumë pak kapacitet prodhimi, ndërkohë që sa vjen e rritet.

Vetë Gjovalini është specializuar në prodhimin e djathërave, duke ndjekur vazhdimisht kurse dhe trajnime jashtë vendit për të marrë dhe sjellë në Shqipëri eksperiencat më të mira të prodhimit të bulmetit.

Në punishten e sipërmarrjes “Veleçik Milk” prodhohen djathërat me përbërës të ndryshëm si boronica, sherbela, erëzat pikante dhe lloje farërash.

Paralelisht, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka firmosur me këtë subjekt një marrëveshje për një tjetër financim në stallën e fermës së tyre blegtorale. Me fondet e programit IPARD, aty do të ndërtohet një sistem teknologjik i mjeljes që rrit sigurinë e prodhimit të qumështit.

Gjatë vizitës në këtë fermë, drejtorja e AZHBR-së, Frida Krifca njoftoi se sapo është shpallur edhe Skema Kombëtare e Financimit të Bujqësisë dhe Blegtorisë nga qeveria shqiptare.

Për këtë vit, fermerët dhe blegtorët mund të aplikojnë nga data 29 maj deri më 19 qershor për subvencione nga fondet e kësaj skeme.

Krifca tha më tej se “fermerët duhet të aplikojnë vetëm përmes portalit e-Albania për të eliminuar çdo lloj burokracie”, tha Krifca./atsh

Suksesi i familjes nga Malësia e Madhe në sipërmarrjen e prodhimit të djathrave, Rama: Shqipëria e vërtetë punon Read More »

Dita Botërore e Biodiversitetit/ Pasuritë natyrore të Shqipërisë kthehen në atraksion turistik

22 maji, Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të përkujtuar 22 majin e vitit 1992, kur u miratua teksti i Konventës së Biodiversitetit në të cilën edhe Shqipëria është palë.

Në kuadër të kësaj dite, Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video me disa nga pasuritë natyrore në vendin tonë ku shquhet për larmi të peizazheve e atyre biologjike dhe radhitet ndër vendet me biodiversitet të lartë në Europë.

Zonat e mbrojtura, tashmë janë habitate të qeta dhe të sigurta, ku fauna shtohet e pasurohet në vazhdimësi.

Ligatinat bregdetare dhe liqenet brenda vendit janë zona veçanërisht të rëndësishme për dimërimin e llojeve migratore.

Janë rreth 70 lloje shpendë uji me një popullatë prej 180,000 individësh që dimërojnë në këto zona. Të paktën katër prej tyre (Karavastaja, Narta, Shkodra dhe Ohri), konsiderohen si zona me rëndësi ndërkombëtare për shpendët e ujit njohur si IBA (Zona të Rëndësishme për Shpendët), apo zonat Ramsar, me më shumë se 20.000 lloje shpendësh uji për një zonë.

Por, vendosja e moratoriumit të gjuetisë ishte një iniciativë që me gjithë qëndrimin kundër të gjuetarëve e rriti ndjeshëm numrin e kafshëve të egra apo zogjve shtegtarë, madje edhe të atyre në rrezik zhdukjeje në Zonat e Mbrojtura, duke sjellë në vendin tonë disa nga llojet e shpendëve më të rrallë në botë.

Listës së shpendëve në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, iu shtua edhe 1 lloj i ri: pelikani rozë (Pelecanus onocrotoalus).

Pelikani rozë është një prej 8 llojeve të pelikanëve që ekzistojnë në botë dhe 1 prej 2 llojeve që hasen në vendin tonë, së bashku me atë që gjithkush e njeh: pelikanin kaçurrel (Pelecanus crispus) apo shpendin më të madh në botë të ujërave të ëmbla.

Si pasojë e moratoriumit të gjuetisë, në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë është rritur numri i shpendëve të ujit, ku flamingot i gjejmë në këtë park si asnjëherë më parë.

Shtim të llojeve të faunës së egër kemi edhe në Kune-Vain; në Liqenin e Shkodrës, në Nartë, Butrint, Orikum, Patok, në Karpen, Seman dhe në liqenin e Tiranës.

Pasuritë natyrore, bukuria e krahinave dhe pyjeve shqiptare janë kthyer edhe në një atraksion turistik për vizitorët vendas dhe të huaj ku kanë mundësi të vëzhgojnë kafshë dhe shpendë të rrallë qëllon t’i hasësh në përditshmëri./atsh

Dita Botërore e Biodiversitetit/ Pasuritë natyrore të Shqipërisë kthehen në atraksion turistik Read More »

Xhaçka: Për herë të parë një ekip Komando në KFOR në Kosovë, një togë tjetër në misionin e NATO-s në Afganistan

Forca Tokësore e Shqipërisë do të dërgojë një togë nga batalioni i Poshnjes për të shërbyer në misionin e NATO-s në Afganistan.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila thekson gjithashtu se për herë të parë një ekip Komando do të shërbejë në KFOR në Kosovë.

“Në këtë periudhë pandemie, Forcat e Armatosura jo vetëm që nuk e kanë ulur ritmin e aktiviteteve, por kanë qenë më të angazhuara se kurrë”, – tha Xhaçka.

Ministrja shprehet se “stërvitjet kanë vijuar, sidomos për trupat e kontingjenteve të reja që do të nisen muajin e ardhshëm në misionet jashtë vendit dhe po trajnohen për të shërbyer nën masat kundër COVID-19”./atsh

Xhaçka: Për herë të parë një ekip Komando në KFOR në Kosovë, një togë tjetër në misionin e NATO-s në Afganistan Read More »

“Koha që mos të bëni lojëra e pazare”/ Ambasadorja Kim: Pa reformën në drejtësi dhe “Zgjedhoren”, s’mund të jeni pjesë e BE

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se duhet të përmbyllen reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore me të cilat s’mund të bëhet pazar.

Në një prononcim për mediet, Kim u shpreh se, “mesazhi im është shumë i qartë”. “SHBA-të duan të njëjtën gjë që populli shqiptar do. Ne duam që Shqipëria të jetë një aleat i fortë dhe i aftë i SHBA. Ne duam që ju të jeni pjesë e familjes europiane”, tha Ambasadorja Kim në një prononcim për gazetarët ndërsa i drejtohej Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Ambasadorja Kim theksoi se, “ju s’mund ta keni këtë pa reformë zgjedhore, nuk mund ta keni këtë pa reformë në drejtësi. Këto të dyja nuk janë për t’u bërë pazar. Janë domosdoshmëri. Ka ardhur koha të reshtet së bëri lojëra”.

“Është koha që të realizohet reforma në drejtësi. Është koha që të realizohet reforma zgjedhore, sikurse drejtuesit i kanë premtuar popullit shqiptar dhe njësoj si SHBA dhe populli shqiptar presin”, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim./atsh

“Koha që mos të bëni lojëra e pazare”/ Ambasadorja Kim: Pa reformën në drejtësi dhe “Zgjedhoren”, s’mund të jeni pjesë e BE Read More »

Kreu i FLO-së në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, kalon vetingun

Drejtori i Forcave Lëvizëse Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga kalon vetingun.

Vendimi u mor sot nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit.

Drejtuesi Bizhga doli i pastër në kriterin e vlerësimit të figurës, ku nuk u konstatuan të dhëna për veprimtari kriminale, denoncime apo të dhëna për kontakte me botën e krimit./atsh

Kreu i FLO-së në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, kalon vetingun Read More »