Aktualitet

“Fermerët shqiptarë, mundësi të eksportojnë në BE”/ Soreca: IPARD po funksionon shumë mirë pavarësisht krizës së COVID-19

Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca deklaroi sot se IPARD po funksionon shumë mirë pavarësisht krizës së COVID-19

Ambasadori Soreca ishte sot së bashku me kryeministrin Edi Rama, në Grabjan të Lushnjës në një nga fermat më të mëdha të mbarështimit të lopëve dhe përpunimit të qumështit, ku në bashkëpunim me financimet e BE-së, po modernizohen proceset në sistemin e mjeljes për një qumësht më të sigurt në treg.

“IPARD po funksionon shumë mirë pavarësisht krizës së COVID-19. Ne jemi vërtetë shumë të kënaqur që jemi këtu bashkë me Agjencinë (AZHBR) e që kontributi ynë po i ndihmon fermerët shqiptarë që ta kalojnë këtë krizë”, tha Soreca.

“Mund të shikoni këtu një teknologji mjaft të lartë që do të ndihmojë fermerët shqiptarë për t’i bërë ata më konkurrues dhe në përputhje të plotë me standardet e BE-së”, theksoi ambasadori i BE.

Kjo, u shpreh ai, “do të thotë që fermerët shqiptarë do të kenë mundësi që të eksportojnë në BE, por edhe më tej. BE ndihmon qytetarët në aktivitetet e përditshme duke siguruar që krizën ta tejkalojmë dhe të ndihmohet ekonomia shqiptare që të funksionojë”.

“Ne punojmë shumë mirë me AZHBR-në. Falënderoj drejtoreshën, por në veçanti dëshiroj të falënderoj të gjithë fermerët që po bëjnë një punë fantastike. Ne jemi këtu që të ndihmojmë qytetarët shqiptarë që të tejkalojnë këtë krizë”, theksoi Soreca./atsh

“Fermerët shqiptarë, mundësi të eksportojnë në BE”/ Soreca: IPARD po funksionon shumë mirë pavarësisht krizës së COVID-19 Read More »

Bonusi i bebes/ 10,275 fëmijë kanë përfituar nga janari 2020

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se 10,275 fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes nga janari 2020.

Kryeministri tha se “programi ynë i mbrojtjes sociale vijon të mbështesë çdo fëmijë që vjen në jetë”.

“Programi ynë i mbrojtjes sociale vijon të mbështesë çdo fëmijë që vjen në jetë me 40,000 lekë nëse është fëmija i parë, 80,000 lekë fëmija i dytë dhe 120,000 lekë fëmija i tretë. Binjakë 80,000+80,000”, tha Rama.

Për bonusin e lindjeve në buxhetin e vitit 2020 është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë ose 0.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Bonusi i bebes, është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019 dhe mbështet familjet e reja pavarësisht statusit social-ekonomik./atsh

Bonusi i bebes/ 10,275 fëmijë kanë përfituar nga janari 2020 Read More »

Sezoni turistik, Klosi: Korriku dhe gushti do ketë lëvizje, me hapjen e kufijve shtohet frekuentimi në hotele

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se, turizmi është sektori që ka më shumë shpresa që të ringrihet.

“Turizmi është më i prekuri, por është sektori që ka më shumë shpresa që të ringrihet. Ka shumë vëmendje për turizmin gjatë kësaj periudhe me shpresën e madhe që sezoni do sjellë para, do punësojë shumë njerëz”, tha Klosi.

Në një intervistë televizive Klosi tha se, “kemi shpresën që sezoni do rinisë me qershorin dhe me korrik-gushtin pastaj do kemi një sezon normal”. “Kam bindjen dhe besoj që e ndaj me kolegët operatorë, që korriku dhe gushti do ketë një lëvizje të madhe”, u shpreh ai.

I pyetur pse nuk lejohen njerëzit të lahen në det, Klosi tha larja në det në vetvete mbase s’ka asnjë problem tek personi. “Por larja në grup dhe grumbullimi i njerëzve, vajtja në plazh, përdorimi i shezlongëve, përdorimi i plazhit si vend grumbullimi do krijonte problematika”, u shpreh ai.

“Nga 17 maji janë hapur baret dhe restorantet në ambientet e hapura. Pra që nga 17 maji janë hapur baret dhe restorantet e hoteleve. Por kjo s’do të thotë që është hapur plazhi si aktivitet”, tha Kosi.

“Ju garantoj që ka pasur debate të forta sa i përket këtij momenti dhe po shkojmë me të njëjtin plan që kemi bërë prej shumë kohësh. Hapja e kufijve tokësorë do jetë në 1 qershor tha kryeministri. Besoj do ketë dhe një vendimmarrje të fundit për 1 qershorin. Me hapjen e kufijve tokësorë, me krijimin e mundësisë me hyrjen e më shumë qytetarëve shqiptarë me pasaporta të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, dhe Malit të Zi, do mund të frekuentohen shumë më tepër hotelet”, tha Klosi.

“Në 1 qershor do të hapen stacionet e menaxhimit të plazhit në hotele. Do hapen hotelet sepse janë struktura që kanë mundësi të krijojnë higjienën, të krijojnë kushtet e duhura për parandalimin e COVID-19”, u shpreh ai.

“Ka qytete si Berati, Korça, Kruja, Lezha Gjirokastra, Shkodra që humbjen më të madhe e kanë këtë periudhë. Pra nuk themi dot që nuk ka humbje sezoni. Por, bëhet ky debat i madh për një situatë sa i përket plazhit. Kjo është vendimmarrje”, tha Klosi./atsh

Sezoni turistik, Klosi: Korriku dhe gushti do ketë lëvizje, me hapjen e kufijve shtohet frekuentimi në hotele Read More »

Reforma në Drejtësi/ Ambasada gjermane: Vendimet merren nga institucionet përgjegjëse shqiptare

“Gjermania mbështet reformat e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Reforma në drejtësi është një element qendror për forcimin e shtetit të së drejtës si dhe të pavarësisë dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë”.

Kështu deklaroi sot Ambasada Gjermane në Tiranë e pyetur nga një medie mbi mesazhet e publikuara dje nga Presidenti Ilir Meta, ku shquhej qartë dhe emri i ambasadës gjermane.

Duke publikuar këto mesazhe, Meta tha se faktohej ndërhyrja politike në Reformën në Drejtësi.

“Në mbështetjen tonë bën pjesë sigurisht dhe një shkëmbim i rregullt me partnerë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Vendimet për zbatimin e axhendës së reformave merren në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vetëm nga institucionet përgjegjëse shqiptare, një pjesë e së cilave është krijuar pikërisht në kuadër të Reformës në Drejtësi”, thuhet në reagimin e ambasadës Gjermane./atsh

Reforma në Drejtësi/ Ambasada gjermane: Vendimet merren nga institucionet përgjegjëse shqiptare Read More »

“Gati të dëshmoj çdo krim”/ 26 maj 1996, kur krimi shtetëror mohoi të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur

“Jam dëshmitar dhe jam gati të dëshmoj para çdo prokurori që do të hetojë këtë krim dhe çdo krim shtetëror mbi të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur në këtë vend”, deklaron zëvendëskryeministri Erion Braçe.

Duke publikuar një foto, ndaj të cilit u ushtrua dhunë në zgjedhjet e 26 majit 1996, Braçe deklaroi sot se “në 26 maj 1996, në votimet e treta parlamentare që pas rënies së diktaturës, Partia Socialiste nuk kishte asgjë. As Presidentin, ai ishte kryetar i PD-së, as Kuvendin, as Qeverinë, as Policinë, as Ushtrinë, as SHIK, as Prokurorinë, as gjykatat e shkallës së parë, të dytë – gjykatësit ishin emëruar nga një shkollë në Plepa 6-mujore për jurist; as Gjykatën e Lartë – Zef Brozin, kryegjykatësin, e kishin përzënë me SHIK nga Shqipëria; as Gjykatën Kushtetuese, atje kishin venë kryegjyqtar dikë që ish-të përndjekurit e rrahur nga PD e shquanin si vegël të egër të ish-diktaturës. Nuk kishte as Kryetarin e partisë, ai kishte tre vite në një burg të mirëfilltë politik. Nuk kishte as ekonominë, ajo ishte mirëfilli piramidale e ndaj saj me zor të madh flisje se një pjesë e popullit që merrte e jepte lekë me fajde, të mbyste kundër kësaj “mirëqenie”. A po, nuk kishim as Teatër, ishte bërë Bingo Ylli; nuk di nëse Budinat punonin aty, por e di që në atë teatër fati, të madhin Kadri Roshi e nëmnin si të majtë”.

Braçe shton se “nuk kishte televizione, ishte vetëm një, publik e kishte statusin, por në të cilin shfaqej veç partia në pushtet, Presidenti i saj, Qeveria, një pjesë e Parlamentit dhe Partia Socialiste vetëm kur duhej sulmuar”.

“Nuk kishte Zgjedhje, por kishte votime mbi bazë dhunë shtetërore, kriminale e barbare, për shkak të bindjeve politike e zgjedhjes që bëje. Në një KQZ të stërmadhe – diku te 20 anëtarë, PS kishte vetëm një. Në komisione votimi, fiks pas orës 8:00 të mëngjesit, për shkak të dhunës shtetërore, PS nuk kishte më asnjë anëtar, por nëpër spitale ne kishim plot të tillë deri në mesditë!”, shprehet Braçe.

“Ndërkohe, PS kishte shumë idealizëm, shumë fuqi prej idealizmit, bashkim, solidaritet në çdo moshë, besim e vendosmëri për të mos u dorëzuar; Kishte përfaqësim vendosur me gare, kishte të rinj ardhur nga FRESSH si kandidatë, nuk kishte interesa ekonomike e pronësore atë kohë; Zotëruesit e tyre kishin hyrë si anëtarë në Piramida – Partia e Madhe Ekonomike e Presidentit, ishin rehat aty! Kjo është Lista 26 Maj”, shprehet Braçe. /atsh

“Gati të dëshmoj çdo krim”/ 26 maj 1996, kur krimi shtetëror mohoi të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur Read More »

Manastirliu: Hapen kopshtet dhe çerdhet më 1 qershor, rrisim vigjilencën e strukturave të shëndetësisë

“Strategjia e rihapjes do të vijojë sipas fazave që komiteti teknik i ekspertëve ka miratuar. Do të vijojmë me hapjen e çerdheve dhe kopshteve nga data 1 qershor, protokolli i të cilave është miratuar dhe është shpërndarë për t’u parapërgatitur për këtë datë. Vlerësojmë që ky protokoll, por edhe të gjithë protokollet e sigurisë duhet të zbatohen rreptësisht, pasi janë baza për ruajtjen e shëndetit të popullatës”.

Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila mori pjesë sot në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Sipas Ministres së Shëndetësisë, faza e dytë e rihapjes do të vijojë edhe me sezonin turistik, me protokolle sigurie në funksion të mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes së qytetarëve, për të kufizuar përhapjen e COVID-19.

Ministrja e Shëndetësisë kërkoi vëmendje maksimale nga strukturat e shëndetësisë në këtë situatë të fazës së dytë të rihapjes.

“Nuk duhet të harrojmë që ky virus vijon të qarkullojë dhe ne duhet t’i përgjigjemi me të gjitha strukturat në gatishmëri. Kemi hyrë në javën e 12 të epidemisë me mbi 1 mijë të prekur. Tashmë edhe puna bëhet më e vështirë për të gjurmuar kontaktet, ndaj duhet të intensifikohet puna nga strukturat tona të terrenit“, tha Manastirliu.

Duke paraqitur situatën e deritanishme, drejtuesja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP dr. Silva Bino kërkoi rritje të ndërgjegjësimit edhe të të rinjve.

“Rritja e numrit të rasteve, sidomos në Tiranë, tregon se sa të kujdesshëm duhet të jemi. Është koha që të rinjtë të jenë të përgjegjshëm, që e gjithë popullata të jetë e përgjegjshme në mënyrë që të ruajmë distancën dhe rregullat e higjienës”, tha Bino.

Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, prof. Najada Çomo deklaroi se situata është e qëndrueshme, por ka raste të rënda në spital dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve.

“Duhet të jemi realistë që ka persona të shtruar në spitalin Infektiv që janë në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe duke patur parasysh që kemi patur dy vdekje brenda pak ditësh tregon për vazhdimin e gravitetit të sëmundjes, pa çka se shifra është nën 20. Por kjo shifër mund të zvogëlohet ose të shtohet në ditët në vijim. Masat e marra dhe pjesa e ruajtjes së distancimit janë elementë shumë të rëndësishëm për të ruajtur shifrat e ulëta të pacientëve të shtruar në shërbimin infektiv”, tha Çomo.

Prof. Tritan Kalo apeloi për vetëndërgjegjësim nga qytetarët. “Sfida me COVID-19 ende nuk ka përfunduar, ndaj masat e vetëndërgjegjësimit dhe kujdesit ndaj vetes mbeten në fuqi sot, nesër dhe në të ardhmen”, tha Kalo.

Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vijojë vlerësimin mbi baza ditore dhe 14-ditore të situatës epidemiologjike të COVID-19 për vendimet e mëtejshme. /atsh

Manastirliu: Hapen kopshtet dhe çerdhet më 1 qershor, rrisim vigjilencën e strukturave të shëndetësisë Read More »

Reforma Zgjedhore/ Ambasadorja Kim takon Bashën: Duhet përmbushur premtimi për ta përfunduar deri më 31 maj

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha ku diskutuan për Reformën Zgjedhore.

Pas takimit në një prononcim për mediet, ambasadorja Yuri Kim e cilësoi “një takim shumë të mirë”. “Diskutimi ynë ishte pafundësisht i vendosur për të ardhmen, jo për të shkuarën dhe veçanërisht folëm për rëndësinë sesi udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin pritjet e popullit shqiptar, sikurse kanë premtuar për të përfunduar Reformën Zgjedhore deri më 31 maj”, u shpreh Kim.

Ambasadorja Kim theksoi se ky nuk është një afat kohor që e ka vendosur Ambasada e SHBA-së apo ndonjë faktor tjetër i jashtëm. “Ky është një afat kohor që e kanë caktuar mbi veten e tyre vetë udhëheqësit. Për nga përkufizimi, opozita ka një punë shumë të vështirë përpara. Po ndjehem shumë e inkurajuar nga diskutimi që kemi zhvilluar këtë pasdite dhe pres me kënaqësi rezultatet”, u shpreh ambasadorja Kim.

Nga ana e tij, Basha falënderoi ambasadoren Yuri Kim për mbështetjen që i jep Reformës Zgjedhore. “Organizmi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është prioriteti ynë absolut i PD-së dhe i opozitës së bashkuar dhe i gjithë shqiptarëve. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’u garantuar shqiptarëve që t’i drejtohen një orë dhe më parë kutive të votimit dhe të zgjedhin me votën e tyre të lirë të pandikuar nga bandat kriminale, të pandikuar nga shitblerja e votës, të pandikuar nga paratë e korrupsionit. Jemi të vendosur për këtë betejë dhe do bëjmë gjithçka që brenda 31 majit, një afat që ne ia kemi kërkuar dhe vendosur kësaj mazhorance”, u shpreh Basha.

“Do bëjmë gjithçka për të garantuar vullnetin politik për ta zbatuar ligjin, që është dhe problemi numër 1 me zgjedhjet në Shqipëri, në mënyrë që kjo krizë e thellë politike, kushtetuese dhe institucionale të marrë rrugëzgjidhje përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të zgjedhin parlamentin e tyre dhe njëkohësisht Shqipëria të ecë përpara të mos mbahet peng i së shkuarës, por të hapë rrugën e Integrimit Europian dhe anëtarësimit në BE që është dhe mbetet një nga zotimet kryesore, ekzistenciale që nga dita e saj e parë”, tha Basha. /atsh

Reforma Zgjedhore/ Ambasadorja Kim takon Bashën: Duhet përmbushur premtimi për ta përfunduar deri më 31 maj Read More »

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për aktivitetet e turizmit detar”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar sot kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit nr. 43/2020 “Për aktivitetet e turizmit detar”.

Në arsyetimet për kthimin e këtij ligji, Presidenti i Republikës vlerëson nismën e qeverisë dhe të Kuvendit për të rregulluar kuadrin ligjor, në të cilin do të duhet të ushtrohen veprimtaritë e turizmit detar, sepse garancia në ushtrimin e këtyre veprimtarive, si nga këndvështrimin ekonomik, ashtu dhe nga këndvështrimi i një shërbimi më të sigurt që u ofrohet qytetarëve në zonat turistike, ka rëndësi të veçantë për nxitjen e turizmit.

Megjithatë, sipas tij, ligji nr. 43/2020 “Për aktivitetet e turizmit detar”, pavarësisht objektivave të deklaruar në nenin 1, për shkak të formulimeve të paqarta të disa dispozitave të tij, duket se nuk shkon kah përmbushjes së këtyre objektivave.

“Ky ligj, ka nevojë për përmirësim dhe duhet të rishqyrtohet në tërësi nga Kuvendi i Shqipërisë, në përputhje me rregullat, parimet kushtetuese dhe legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Meta.

Ligji nr. 43/2020, në disa dispozita të tij, bie ndesh me nenet 3, 11, 14/1, 116, 118 të Kushtetutës dhe nuk është në harmoni me disa dispozita të Kodit të Procedurës Civile. Për këto arsye, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin e tij në Kuvend për rishqyrtim”, thuhet në arsyetimin e Presidentit.

“Ligji nr. 43/2020, duke filluar nga dispozita e përkufizimeve, apo në tekstin integral të tij përmban terma dhe fjalë që nuk janë në gjuhën shqipe. Përdorimi i termave në gjuhë të huaj, bën që ligji në tërësi të jetë në kundërshtim me nenin 14, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipëri, që përcakton se: “Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja”, shprehet Meta.

“Përdorimi i emërtimeve në gjuhë të huaj, duke u përpjekur t’u jepen edhe përkufizime, bie ndesh edhe me çdo rregull të teknikës legjislative, që dispozitën e përkufizimeve e njeh si një dispozitë jo për të përkthyer terma të huaj në një ligj, sikur të jetë fjalor, por për të zbërthyer për zbatuesin e ligjit, kuptimin e një emërtimi gjithmonë në gjuhën shqipe, duke dhënë një shpjegim të përmbledhur, qoftë edhe shkencor, të përmbajtjes dhe kuptimit të një fjale”, shtoi Meta.

Presidenti në arsyetimin e tij shton se, Ligji nr. 43/2020 “Për aktivitetet e turizmit detar” nuk përcakton rregulla të qarta dhe të kuptueshme, referuar të drejtave dhe detyrimeve që kanë subjektet e këtij ligji duke bërë që shumë dispozita të tij deleguese për rregullimin e çështjeve me akte nënligjore, të jenë në kundërshtim me nenin 11 dhe 118 të Kushtetutës, duke sjellë dhe implikime që lidhen me pasigurinë juridike dhe cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike.

“Neni 118, paragrafi 2 i Kushtetutës përcakton se: Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte.

Mungesa e qartësisë së vullnetit të shprehur të ligjvënësit, që rregullat që duhet të përcaktohen në ligj, ia ka deleguar për rregullim me akt nënligjor Këshillit të Ministrave, pa përcaktuar çështjet konkrete që duhen rregulluar dhe parimet që do të udhëheqin nxjerrjen e këtyre rregullave, jo vetëm që cenon kërkesat e nenit 118, paragrafi 2, i Kushtetutës, por krijon dhe një gjendje të theksuar pasigurie ligjore për operatorët e veprimtarive të turizmit detar”, thuhet në argumentet e presidentit Meta.

“Kjo gjendje pasigurie do t’i shoqërojë ata, sepse në çdo kohë rregullat mund të ndryshojnë, aq shpesh, duke rritur edhe rrezikun e trajtimit preferencial se cilët nga këta operatorë do të mbështeten mbi kriteret subjektive që qeveria herë pas here mund t’i ndryshojë, sipas vullnetit politik të kohës”, shprehet Meta.

“Shqetësimet për të cilat ky ligj kthehet për rishqyrtim, duhen mbajtur në vëmendje për procesin ligjbërës në vazhdimësi, duke i kushtuar rëndësi të veçantë gjuhës së akteve të miratuara, qartësisë dhe koherencës së dispozitave ligjore me pjesën tjetër të legjislacionit në fuqi, në mënyrë që edhe kjo fushë e aktiviteteve zbavitëse të turizmit detar, të zhvillohet nën një regjim të sigurt juridik”, përfundoi Meta./atsh

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për aktivitetet e turizmit detar” Read More »