Aktualitet

Monitorim ishujve lagunorë të Karavastasë për folezimin e shpendëve të ujit

“Shpendët e Shqipërisë” së bashku me Administratën e Zonave të Mbrojtura Fier realizuan monitorimin e plotë të ishujve lagunorë të Karvastasë për folezimin e shpendëve të ujit.

“Qëllimi i këtij aktiviteti kërkimor është për të realizuar hartëzimin e plotë të folezimit në zonat ishullore të lagunës me qëllim përshtatjen dhe përmirësimin e veprimeve menaxhuese në funksion të ruajtes afatshkurtër dhe afatgjatë të popullatave të shpendëve folezues”, thekson “Shpendët e Shqipërisë”.

Më tej, ky studim ka për qëllim vlerësimin dhe krahasimin e parametrave fizikë të zonave ishullore apo sopeve sikurse njihen në gjuhën vendase, për të evidentuar faktorët që favorizojnë folezimin e këtyre llojeve, pjesa dërrmuese e të cilëve mbart një status kërcënimi sipas listës së kuqe të faunës së Shqipërisë, si dhe janë lloje me interes të lartë ruajtje në nivel Europian dhe më gjerë.

Po ashtu ky studim ka për qëllim krijimin e një momenti apo baze të dhënash reference për monitorimin afatgjatë të shpendëve folezues si dhe ndryshimit të parametrave fizikë të vendfolezimeve të tyre.

“Rezultatet e fazës së parë të monitorimit janë tejet interesante. Të gjitha zonat ishullore u vrojtuan dhe aktivitet folezues u has në vetëm 7 prej tyre. Në 4 zona ishullore aktiviteti folezues ishte në fazat fillestare: kolonitë ishin pothuajse të stabilizuara plotësisht dhe procesi i inkubimit kishte filluar në shumicën e foleve. Në një prej ishujve aktiviteti folezues tashmë ishte në fazën përfundimtare ku të gjithë zogjtë kishin lënë foletë e tyre. Ndërsa në 2 ishuj të tjerë u vrojtuan përpjekje të qarta folezimi”, bëri të ditur “Shpendët e Shqipërisë”.

Për sa i përket llojeve, tha më tej kjo shoqatë, një numër total prej 196 çiftesh folezuese të dallëndyshes së detit të zakonshme (Sterna hirundo) u numërua në të gjithë zonën e studimit, më tej rreth 50 çifte të pulëbardhës këmbëverdhë (Larus michahellis) pothuajse kishin përfunduar tërësisht folezimin.

“Në anën tjetër, për lloje të tjera si dallëndyshja e detit ballëbardhë (Sternula albifrons), kalorësi (Himantopus himantopus), sqepbiza (Recurvirostra avosetta), vrapuesi gushëbardhë (Charadrius alexandrinus) etj, në këtë fazë të parë të monitorimit u vrojtuan vetem sjellje folezuese dhe shpresojmë që në fazën e dytë të monitorimit edhe këta lloje t’i gjejmë në proces të stabilizuar folezimi”, shtoi shoqata.

“Shpendët e Shqipërisë” bën të ditur se është tepër e rëndësishme që në këtë periudhë të shmanget plotësisht shqetësimi (hyrja në ishujt) në zonat e folezimit, si një ndër faktorët thelbësorë që ndikon suksesin e riprodhimit./atsh

Monitorim ishujve lagunorë të Karavastasë për folezimin e shpendëve të ujit Read More »

Kontributi në luftën kundër COVID-19/ Mjeku Pipero shpallet “Qytetar Nderi” nga bashkia e Skraparit

Mjekut infeksionist Pëllumb Pipero iu akordua sot titulli “Qytetar Nderi” nga bashkia e Skraparit.

Me propozim të kryetarit të bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema, këshilli i bashkisë Skrapar i dha sot titullin “Qytetar Nderi”, profesor doktor Pëllumb Piperos.

Titulli iu dha me motivacionin: “Për veprimtari të shquar profesionale dhe akademike gjatë karrierës së tij në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive, si dhe për kontributin e çmuar profesional dhe publik në përballimin e situatës së pandemisë të shkaktuar nga COVID-19”.

Mjeku Pëllumb Pipero është në vijën e parë të frontit të luftës kundër koronavirusit./atsh

Kontributi në luftën kundër COVID-19/ Mjeku Pipero shpallet “Qytetar Nderi” nga bashkia e Skraparit Read More »

“Reforma në Drejtësi e çimentuar në Kushtetutë”/ Ambasadorja Kim takon kryetarin e komisionit të Ligjeve

Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja zhvilloi sot një takim me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ku ndanë mendimet mbi ecurinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi.

“U dakordësuam se themelet e kësaj reforme janë të çimentuara në Kushtetutën e vendit dhe tani është koha që institucionet e drejtësisë të përmbushin pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë te drejtësia e re”, tha Manja.

Manja tha se ambasadorja Kim mori sigurinë se komisioni i Ligjeve, do të vazhdojë të mbështesë pa hezitim zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi në koordinim me bashkautorët e kësaj reforme: SHBA dhe BE”./atsh

“Reforma në Drejtësi e çimentuar në Kushtetutë”/ Ambasadorja Kim takon kryetarin e komisionit të Ligjeve Read More »

Skema Kombëtare/ Çuçi publikon hapat e aplikimit për fermerët

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi pak orë përpara hapjes së aplikimeve në Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2020, u bën thirrje fermerëve se “kush aplikon i pari, përfiton i pari”.
Ministri ka sjellë në vëmendje se aplikimi është shumë i thjeshtë në portalin e-Albania, nga data 29 maj, deri më 16 qershor.
“4 hapa të thjeshtë për të aplikuar online për fondet e skemës kombëtare:
1. Regjistrohu në e-Albania, si qytetar, me të dhënat e kartës tuaj të identitetit.
2. Zgjidh shërbimin “Aplikim për Skemën Kombëtare të mbështetjes për fermerët’’.
3. Zgjidh llojin e fermerit, vendndodhjen e fermës, masën, si dhe sasinë për të cilën do të aplikoni.
4. Kliko dërgo”, informon ministri Çuçi./atsh

Skema Kombëtare/ Çuçi publikon hapat e aplikimit për fermerët Read More »

Pandemia/ Dekorohen dy infermierë ushtarakë të Forcave të Armatosura në Kabul

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura në kuadër të Aleancës së NATO-s në çdo cep të globit.

Xhaçka shprehet se “nga njëri cep i globit në tjetrin, ushtarakët shqiptarë vijojnë të vlerësohen për kontributin e tyre”.

“Në këtë periudhë pandemie vëmendja ndaj personelit shëndetësor është shtuar edhe në misionet e NATO-s. Infermierët ushtarakë shqiptarë nëntoger Eno Shyti dhe tetar Viktor Skuqi janë dekoruar nga komandanti turk i bazës së tyre në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit”, shprehet ajo.

Forca e Armatosura të Shqipërisë kontribuojnë në Afganistanin, Letoni, Kosovë, detin Egje dhe në shumë struktura e komanda të NATO. Po ashtu, uniformat ushtarake shqiptare janë pjesë në misionet e Bashkimit Evropian në Bosnjë-Hercegovinë dhe Mali. /atsh

Pandemia/ Dekorohen dy infermierë ushtarakë të Forcave të Armatosura në Kabul Read More »

“Paga e luftës”, Balla: 65 078 qytetarë që i përkasin 38 672 subjekteve e kanë marrë ndihmën financiare

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla paraqiti sot në Kuvend ecurinë e procesit të “pagës së luftës” prej 26 mijë lekësh dhe bonusit prej 40 mijë lekësh për të gjithë ata punonjës që u prekën në punën e tyre për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19.

“Unë e mirëkuptoj çdonjërin prej jush që kompleksohet me xhiron nëpër kafe që bën Luli. Kur je pa punë xhiro nëpër kafe do të bësh, se s’ke çfarë të bësh tjetër. Luli nuk ka nevojë për bonusin prej 40 mijë lekësh, sepse Luli është klienti më i madh i oligarkëve, në këtë vend, nëse ka oligarkë, por atyre që Luli i quan ‘oligarkë’, biznesmenëve të mëdhenj, me të cilët ka kontrata të mëdha financiare familjare të përditshme”, deklaroi Balla.

Sipas tij, të dhënat janë bërë publike nga dy deputetët Ervin Bushati dhe Klotilda Bushka.

Më tej, Balla publikoi edhe shifrat e përfituesve të dy paketave financiare të mbështetjes.

“Në paketën e parë, në total numri i aplikime është 64 093 tatimpagues për 124 670 punonjës. 65 078 qytetarë që i përkasin 38 672 subjekteve e kanë marrë ndihmën financiare. Nga totali i aplikimeve kanë kaluar për pagesë të këstit të parë 64 964 me një shumë në vlerën 1.678 miliardë lekë“, tha Balla.

Lidhur me paketën e dytë, Balla bëri të ditur se janë 43 430 aplikime.

“38 851 subjekteve ose e përkthyer në numër punonjësish, 141 351 qytetarë shqiptarë janë të trajtuar financiarisht nga shteti shqiptar. Numri i kërkesave të aprovuara është aktualisht 36 693 për 111 830 mijë punonjës. Janë paguar 109 664 që u përkasin 34 416 subjekteve tregtare. Vlera e paguar është 4.386 miliardë lekë“, u shpreh kreu i grupit socialist.

Balla tha se nga paketa e dytë financiare kanë përfituar 4 265 punonjës të angazhuar në strukturat akomoduese si dhe 720 naftëtarët e rafinerisë së Ballshit./atsh

“Paga e luftës”, Balla: 65 078 qytetarë që i përkasin 38 672 subjekteve e kanë marrë ndihmën financiare Read More »

Parashikimi i motit, e enjte 28 maj 2020

Moti sot parashikohet me kthjellime dhe zhvillime vranësirash në mesditë deri në orët e pasdites vonë. Në mbrëmje do të ketë më tepër kthjellime.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se reshjet e shiut do të bëhen të pranishme përgjatë relieveve malore-kodrinore si dhe zonat e ulta pranë tyre prej orëve të mesditës deri ato të pasdites vonë. Përkohësisht reshjet do të marrin formë shtrëngate shoqëruar me shkarkesa elektrike të izoluara si dhe breshër.

Era do të fryjë nga kuadrati i veriut mesatare. Në momentet me reshje dhe përgjatë bregdetit era do të fitojë shpejtësi e vrullshme deri në 20-25 m/s, duke u shoqëruar me valëzim të forcës 2 deri 4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 9/26 Diell re
Kukës 10/21 Diell shi/stuhi
Lezhë 12/26 Diell re
Dibër 7/19 Diell shi/stuhi
Durrës 12/26 Diell re
Tiranë 11/28 Diell re
Elbasan 10/28 Diell pak shi
Berat 6/28 Diell pak shi
Vlorë 12/25 Diell pak shi
Korçë 7/18 Diell shi/stuhi
Gjirokastër 9/25 Diell shi/stuhi
Sarandë 10/25 Diell pak shi/atsh

Parashikimi i motit, e enjte 28 maj 2020 Read More »

“Me protestuesit e vërtetë është zhvilluar dialog”, Rama: I kam mbaruar fjalët e mia për teatrin, ju sjell fjalët e atyre që janë teatri

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “i kam mbaruar fjalët e mia për teatrin, nuk kam asgjë për të thënë dhe këtu thjesht do të shfrytëzoj këto 20 minuta për të lexuar fjalët e atyre që e kanë bërë teatrin, e atyre që janë teatri, e atyre që e nisën protestën për teatrin”.

Në një interpelancë të kërkuar nga deputetët e opozitës për Teatrin Kombëtar, Kryeministri Rama tha se “kur ata e nisën protestën për teatrin as ju as, ata të tjerët që tani janë kthyer në bijtë e lënduar të Shekspirit dhe Molierit jo vetëm nuk ishit aty, por edhe iu ishte thënë që të mos guxoni të dukeni aty”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “në atë protestë kanë qenë të gjithë anëtarët e familjes së komunitetit teatror dhe në krye të asaj proteste nuk ishin dy Budina, por ishte Robert Ndrenika dhe Arben Derhemi”.

“Po vazhdoj t’i përgjigjem zonjës Hajdari dhe të gjitha zonjave dhe zotërinjve të lënduar për çështjen e Teatrit Kombëtar duke përcjellë thjesht fjalët e protestuesve të vërtetë, jo e aktorëve politikë që luajnë teatrin e tyre pavarësisht se është tek Unaza e Re, tek Unaza e vjetër apo aty ku bashkohen dy unazat”, – tha Rama.

Më tej Rama tha se “Robert Ndrenika ka këtë përgjigje për ju zonja Hajdari: “Ju lutem mos më kryqëzoni kam qenë prej vitesh dhe jam për një Teatër Kombëtar të ri dhe bashkëkohor, të cilin ka për detyrë ta bëjë shteti shqiptar, paratë le t’i marrë ku të dojë, ndoshta edhe atje ku i merrte Josif Bros Tito”.

“Më pas Arben Derhemi, sepse është e rëndësishme të kujtohet që protesta e vërtetë ka ndodhur më shumë se dy vjet e gjysmë përpara dhe me protestuesit e vërtetë është zhvilluar dialog, si për asnjë çështje tjetër më parë në historinë e këtij vendi. Grupi i artistëve pjesë e lëvizjes së mbrojtjes së teatrit vendosën se duhet të ishim pjesë e bisedave dhe negociatave me kryetarin e bashkisë, sipas asaj që kishim rënë dakord me njëri-tjetrin ne grupi i përfaqësuesve dhe artistëve shtruam dy probleme të rëndësishme; të mos preket trualli i territorit të Teatrit Kombëtar dhe të shpallej një konkurs ekspertësh për teatrin. Skena e tij na njeh të gjithëve se kush jemi dhe sa vlejmë . Ata që duan të bëjnë shfaqje jashtë kësaj skene dhe historisë së atij tempulli janë jashtë historisë për të gjitha arsyet”-, – tha Rama duke shtuar siç jeni ju (deputetët e opozitës) në fakt dhe ata që ishin këtu e kanë ikur jashtë historisë.

“Jeni një zhvillim konfuz dhe anormal në një korsi paralele me historinë por jeni në kundravajtje”, shtoi ai.

Kryeministri Rama citoi fjalët e aktorit Bujar Asqeriu, i cili ka thënë “unë jam për unitetin dhe paqen sociale nuk e mbështes protestën që bëhet tani, s’ka me sens, logjika më e thjeshtë është që artistët të mendojnë ndryshe. Unë në atë godinë nuk futem më sepse është sëmundje. E kam thënë gjithmonë dhe nuk e pranoj. Nga ajo godinë që vdiqën shokët e mi, më duket se jam sëmurë edhe unë. Jam për paqe sociale dhe nuk më përdor dot as PS-ja dhe as PD-ja. Dua një teatër të ri dhe nuk ka më kuptim të vihemi kundër njëri–tjetrit dhe t’ia lëmë këtë çështje arkitektëve. Boll se u teprua”.

Më pas Rama citoi fjalët e Reshat Arbanës: “Nëse një pjesë e mirë e territorit qenka i bashkisë le t’ia lërë teatrit. E kemi parë të gjithë se në çfarë gjendje është dhe si është katandisur, ta mendojnë këtë punë ata që janë specialistë a bëhet një teatër në atë sallë apo një i ri. Lërjani territorin teatrit”.

“Luftar Paja ka thënë “që të kemi këtë teatër ne si artistë harrojmë gjërat kryesore dhe merremi me llaç dhe tulla. Ne si artistë duhet të shtojmë forcat për llaçin dhe betonin artistik. Teatri Kombëtar e ka emrin Teatri Kombëtar dhe aty nuk duhet të vijnë vetëm ata që banojnë në Tiranë, por ata që e meritojnë të vijnë në teatër. Teatri është i gjithë Shqipërisë”, citoi Rama.

Më tutje, Rama citoi regjisorin Altin Basha: “Kemi negociuar, ramë dakord që të mos cenohej trualli, ramë dakord për dy përfaqësues të komunitetit që do të jenë në komisionin e negociimit për kontratën. Unë mendoj se duhet një godinë e re, pjesa muzeale mund të zgjidhet brenda godinës së re. Jam gati të debatoj me këdo për këtë pikëpamje. Si regjisor po ju deklaroj me përgjegjësi se ajo godinë nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore dhe si rrjedhim një cilësi të ulët produkti për spektatorët”.

Ndërsa Enver Petrofci është shprehur: “Për mua është një budallallëk mos me u ndërtu një teatër i ri. Mendoj se duhet ndërtuar sepse çdo teatër vlen për një komb sidomos Teatri Kombëtar. Jam kundër që toka t’i falet dikujt mirëpo të ndërtohet një teatër i ri është absolutisht një budallallëk me e kundërshtu. Ai teatër që ekziston nuk ka kurrëfarë vlere”.

Artan Imami ka thënë se “më vjen ndër mend një takim i vitit ‘87 apo ‘88 me Ismail Kadarenë dhe ndërkohë që po bisedonim në një nga studiot dikush e pyeti si i duket teatri dhe ai ndërkohë që i kishte ngulur sytë në një qoshe të tavanit ku i binte suvaja thotë: Po ja ashtu si kjo godinë”.

Aktori Bruno Shllaku ëhstë shprehur se “për sa i përket teatrit më vjen keq që shumë nuk e dinë që i përket një stalle kuajsh që Italia fashiste ndërtoi për kapanon truprojesh. Ai vërtet që ka vlera, por do të marrë vlerë më të madhe kur të bëhet një godinë e re bashkëkohore që t’i përkasë Teatrit Kombëtar, i cili shumë shpejt duhet të jetë në bashkëbrinjë me qytete të mëdha të Europës. Reliket, figurat, objektet e suveniret e këtij teatri të jenë në një seli të shenjtë si teatri i ri modern që jam i bindur se duhet të ndërtohet”./atsh

“Me protestuesit e vërtetë është zhvilluar dialog”, Rama: I kam mbaruar fjalët e mia për teatrin, ju sjell fjalët e atyre që janë teatri Read More »