Aktualitet

Ministria e Shëndetësisë: 23 raste të reja dhe 28 të shëruar në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 276 qytetarë si të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe janë konfirmuar 23 raste pozitive, 12 prej të cilave në Tiranë, 8 janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitive dhe 4 janë raste të reja në proces hetimi.

Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur se nga hetimi i thelluar epidemiologjik në QSUT janë testuar 57 personel shëndetësor dhe pacientë, dhe të gjithë kanë rezultuar negativë.

Sipas Tominit, 6 raste janë konfirmuar në Mat, kontakte të një paciente në QSUT dhe 4 raste në Lushnje, kontakte të rasteve pozitive të konfirmuar më herët në Tiranë dhe 1 rast i ri në Durrës.

“Në Spitalin Infektiv aktualisht po trajtohen 23 pacientë, nga të cilët 5 janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit janë të shëruar 28 qytetarë, duke e çuar në 851 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë”, bëri të ditur ajo.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15 500 testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1099. Prej tyre, mbi 77% janë të shëruar.

Në vendin tonë, tha Tomini, aktualisht janë 215 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregohen të kujdesshëm. Këshillohet ruajtja e distancimit fizik mbi 1.5 metër. Kur nuk arrihet distancimi fizik, përdorimi i maskës është i domosdoshëm. Këshillohet ruajtja e etiketës respiratore.

Kur kolliteni apo tështini këshillohet përdorimi i shamisë letres ose këndit të brrylit.

Masat e higjienës personale duhet të kombinohen me larjen sa më të shpeshtë të duarve për më shumë se 20 sekonda.

MSH apelon qytetarët të evitojnë ambientet e mbyllura dhe grumbullimet me shumë njerëz dhe kujdesuni për të moshuarit.

“Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes prandaj telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, thuhet në apelin e MSH-së.

COVID-19 – Statistika (29 Maj 2020)
Testime totale 15595
Testime molekulare 14269
Testime serologjike 1326
Raste pozitive 1099
Raste të shëruara 851
Raste Aktive 215
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 121
Durrës 42
Krujë 17
Shkodër 11
Kamëz 9
Mat 6
Lushnje 4
Berat 2
Fier 2
Korçë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 23 raste të reja dhe 28 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

Aplikimi online për pasaportë dhe kartë ID/ Hapat që duhet të ndjekin qytetarët

Pajisja me pasaportë biometrike tashmë bëhet online nëpërmjet e-Albania. Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda shpjegoi hapat që duhen kryer për një aplikim të suksesshëm.

Qytetari pasi hyn te e-Albania klikon fillimisht në opcionin “Aplikim i formularit për lëshim ose rinovim pasaporte” dhe vijon procedurat. Ai duhet të zgjedhë, nëse do të aplikojë për vete, apo për fëmijë nën moshën 16 vjeç.

Pas këtij hapi, ai plotëson çdo kuti me të dhënat personale, si emër, mbiemër, atësi, vendlindje dhe vendbanimin përkatës, Bashki, fshat apo njësi administrative ku jetojnë.

“Së pari aplikohet tek një formular, që është formulari i Policisë së Shtetit. Qytetari hedh të gjitha të dhënat personale. Brenda 7 ditësh qytetarit i vjen një përgjigje, konfirmim për formularin e Policisë së Shtetit. Me ardhjen e këtij njoftimi, me e-mail apo me SMS nuk duhet të printojnë asgjë, sepse kemi pasur edhe keqkuptime nga qytetarët, por duhet të aplikojë në hapin 2, që është linku ku rezervohet aplikimi te zyra e aplikimit. Duhet të kenë kartën e vjetër të identitetit dhe kuponin e blerë në zyrat postare”, u shpreh Voda.

Ndërsa për aplikimin për një kartë ID në portalin e-Albania paraqitet një dritare ku aplikanti, pasi shkruan të dhënat personale, lë ditën dhe orarin kur do të paraqitet në zyrat e ALEAT, në mënyrë që të shmangen pritjet e gjata në radhë dhe grumbullime para këtyre zyrave.

Në ditën e caktuar aplikanti shkon aty për të vendosur shenjat e gishtave, së bashku me kuponin e blerë në postë dhe për të ofruar foton digjitale për këtë dokument.

Kjo metodë e aplikimit online do të funksionojë edhe pas pandemisë, duke reduktuar radhën e gjatë në komisariate apo zyrat e aplikimit.

Momentalisht shërbimi online nëpërmjet e-Albania funksionon vetëm për qytetarët që jetojnë brenda territorit shqiptar. Me hapjen e kufijve kjo metodë do të jetë funksionale edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit./atsh

Aplikimi online për pasaportë dhe kartë ID/ Hapat që duhet të ndjekin qytetarët Read More »

Gati protokollet e sigurisë në plazhe/ Manastirliu: Çadrat me 3.5 metra distancë nga njëra-tjetra

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se “ne jemi ende në periudhë epidemie dhe nuk duhet ta ulim për asnjë moment vigjilencën sepse ky është momenti i vigjilencës maksimale për t’u mbrojtur”.

E ftuar në një studio televizive, Manastirliu tha se “shtimi i rasteve të reja ditore ishte i pritshëm pasi nga data 18 maj ne hymë në një prej fazave më të mëdha të hapjes dhe gjatë 2 javëve në vijim pritej edhe rritje e numrit të infeksionit”.

Ajo tha se “kurba e epidemisë vijon e sheshtë dhe ajo që përcakton kthimin mbrapa janë disa kritere së bashku: rastet pozitive ditore, rastet e shtrimeve në spital, rastet në terapi intensive dhe fatalitetet”.

“Për momentin kemi vatra dhe janë kontakte në të njëjtën zonë. Ne aktualisht në Shqipëri kemi mbi 20 vatra. Vatrat janë familjare dhe janë të përqendruara 60% e rasteve në Tiranë. Kemi një rritje të numrit të të infektuarve, që kryesisht janë asimptomatikë. Për momentin nuk ka studime deri më sot shkencore që të vërtetojnë që klima ka ndikim. Nuk kemi asnjë të intubuar për momentin”, tha ajo.

Manastirliu tha se “nëse do të kishim 2-3 fishim të rasteve të reja, rritje të numrit të të shtruarve, 80 të shtruar në Spitalin Infektiv dhe të intubuar 15-20 raste ne stopojmë nuk bëjmë hapa para, por rrimë në vend. Nëse kjo rritet përtej bëjmë hapa mbrapa”.

Ulja e vigjilencës në këto momente, sipas saj, “mund të na sjellë pasoja për të cilat mund të pendohemi”. “Nëse vijojmë të mos kujdesemi patjetër që mund të kemi agravime dhe përhapje të infeksionit në nivel komunitar që do të na kthente mbrapsht”, tha ministrja.

Nga 1 qershori, Manastirliu tha se do të kemi një hapje brenda territorit të vendit në të gjitha zonat. “Lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve, automjeteve. Nuk do të ketë më zona të kuqe, por kjo nuk do të thotë se bie risku dhe Tirana është zonë ende e nxehtë. Hapim çerdhet dhe kopshtet, hapim kufijtë tokësorë. Në momentin që ne kemi vendosur të hapim edhe kufijtë bie vetëkarantimi 2-javor”, tha ajo.

Lidhur me transportin publik, Manastirliu tha se “është shqetësim për qytetarët dhe për ne, por jemi duke punuar për një plan që shumë shpejt do të bëhet i njohur për publikun për transportin e sigurt”.

Lidhur me plazhet, ministrja kujtoi se në Spanjë edhe sot nuk është dhënë datë se kur do të fillojnë plazhet. “Është çështja te protokollet e sigurisë dhe masat që duhet të marrin qytetarët sepse plazhet janë vende të grumbullimeve publike, dhe nëse ne nuk do të kemi vendosje të strukturave që zbatojnë protokolle të sakta, për të cilat jemi duke punuar dhe besoj se nga data 1 qershor do të kemi protokolle që do të përcaktojnë kritere për plazhe me çadra e shezlonge në largësi të përcaktuar 3.5 metra nga çadra në çadër”, tha ministrja.

Ajo tha se “protokolli është gati, është i miratuar dhe nesër bëhet publik për turizmin”.

Lidhur me respektimin e masave, Manastirliu tha se “ne jemi duke punuar me një grup si taskforcë ku përfshihen struktura të ndryshme shtetërore që nuk do të shqetësojnë biznesin për t’i vajtur 10 herë në derë me kontrolle”.

Ne ishim të suksesshëm në përballjen me COVID-19, tha ministrja duke shtuar se “ne jemi vendi në rajon me fatalitetet më të pakta, në Europë jemi të 2 pas Sllovakisë, dhe sa i përket numrit të infektimeve jemi të katërtit në Europë”. /atsh

Gati protokollet e sigurisë në plazhe/ Manastirliu: Çadrat me 3.5 metra distancë nga njëra-tjetra Read More »

Meta: Pres përmbylljen me konsensus të Reformës Zgjedhore, do ta firmos menjëherë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se pret mbylljen e marrëveshjes për reformën zgjedhore brenda 31 majit.

“Për çështjen e Kodit Zgjedhor, edhe unë jam i kënaqur që ndjek në media pasqyrimin e deklaratave të aktorëve politikë dhe diplomatikë, që ka përparime. Mezi pres që palët të mbajnë fjalën dhe në datën 31 maj 2020 të përmbyllen me konsensus në këtë tryezë të Këshillit Politik të gjitha ndryshimet që kërkohen me aq ngulm prej kohësh nga Bashkimi Europian, por dhe nga partnerët e tjerë. Menjëherë do t’i firmos këto ndryshime sapo të vijnë, në mënyrë që të japim një lajm të mirë nga Tirana edhe për qytetarët, por sidomos për partnerët ndërkombëtarë, pavarësisht se do të jetë një lajm i pamjaftueshëm për atë që pritet sepse serioziteti i këtyre ndryshimeve do verifikohet nga zgjedhjet në terren”, tha Meta.

“Jam shumë i entuziazmuar nga lajmet e fundit, nga të gjithë llojet e cicërimave që ka një progres për çështjen e Këshillit Politik. Mezi po pres të duartrokas si të gjithë ju këtë konsensus dhe kudo që të jem në Shqipëri do të kthehem këtu që ta firmos menjëherë dhe të lajmërojmë të gjithë botën që kjo është një arritje shumë e madhe”, u shpreh Meta.

“Ta zëmë se palët nuk ranë dakord apo jo. Unë nuk e di se për çfarë arsye por nuk e dëshiroj kurrë këtë gjë. Unë do të shikoj nëse miratohet në mënyrë të njëanshme është ose jo në përputhje me Kushtetutën me ligjet, me rekomandimet. Mundësia ime është ta rikthej vetëm një herë për reflektim për çdo rast dhe kaq. Pastaj sesi veprojnë është në varësi të aktorëve të tjerë nuk është në varësinë time. Por në çdo rast me konsensus që këtë po e presim të gjithë edhe dy ditë kohë kanë ngelur. Por edhe në mënyrë të njëanshme, që nuk do të habiteshim sepse këtu ka zhvillime të paparashikueshme dhe të befasishme, përsëri si President i Republikës do të bëj të qartë që në hapësirën kohore që Kodi do më lejojë me konsensus apo jo në ditën më të parë të mundshme, në momëntin që do kem hapësirën ligjore, do të shpall ditën e ardhshme të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri dhe nuk do të bëj asnjë konsultim formal me asnjë forcë politike”, u shpreh Meta.

“Kjo, sepse jam i sigurt që të gjithë mezi presin një parlament të ri, plotësisht legjitim. Pra që do të thotë kur palët kanë vullnetin për zgjedhje të lira, të ndershme që ato të mos jenë më një bllokim për integrimin europian të Shqiëprisë, por edhe sadopak më legjitim le të jetë sesa ky që është. Kjo do të thotë që nëse Kodi nuk miratohet me konsensus, zero, jua kam thënë dhe vjet, zero, po s’u bënë zgjedhje lokale gjithëpërfshirëse, hapen negociatat në tetr për tetorin e kalaur. Mbajeni të regjistruar edhe këtë zero çelje negociatash të Shqipërisë me BE, jo deri në zgjedhjet që vijnë por edhe pas zgjedhjeve që vijnë, pra nja 5 vjet të paktën i keni të humbura. Përgjegjësia do të jetë e atyre aktorëve që bëjnë këto gjëra. Apeli im është ju lutem ecni në ëktë rrugë konsensusi dhe unë i inkurajoj të gjithë fuqimisht në këtë drejtim. Mos harroni se kemi dhe kryesinë e radhës së OSBE dhe do ishte turp i madh që Shqipëria të mos përmbushë rekomandimet e OSBE/ODIHR. Do ishte rast i paprecedentë në historinë e OSBE. Megjithatë Presidenti është shumë i qartë. Firmoset dekreti, nuk kthehet më mbrapa. Kush të dojë të hyjë në zgjedhje, kush të dojë të iki nga zgjedhjet”, tha Meta.

“Natyrisht kjo nuk do të mjaftojë. Presidenti do të bëjë punën e tij. Presidenti do t’i drejtohet të gjithë botës demokratike, organizatave ndërkombëtare, mediave të huaja, do të marrë masat e tij për monitorimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe kushdo që do të hyjë për të marrë pjesë në zgjedhje ka inkurajimin e Presidentit që të marrë pjesë dhe të luftojë për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët që janë në opozitë dhe që sot kanë ngelur në rrugë sepse nuk përfaqësohen në asnjë institucion”, tha Meta.

Meta tha gjithashtu se, “Institucioni i Presidentit ka vijuar komunikimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke kërkuar ndjekjen me përparësi të procedurave për plotësimin e të gjitha vakancave në Gjykatën e Lartë, sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.

“Kam zhvilluar një bashkëbisedim, nëpërmjet një videokonference, me përfaqësuesit e “Europa Nostra”, të cilët i falënderova për angazhimin e tyre për promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit tonë. U ra dakord për domosdoshmërinë e nisjes së një hetimi ndërkombëtar për çështjen e shembjes së paligjshme dhe arbitrare të Teatrit Kombëtar, çka tronditi të gjithë opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar. Po kështu u ra dakord për të vijuar bashkëpunimin edhe për shumë çështje të tjera në vendin tonë që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, edhe si pjesë e trashëgimisë europiane të kulturës”, theksoi Meta.

“Njëkohësisht dua t’ju sqaroj se pas furtunës në gotë që u ngrit javën e kaluar, kam bërë disa prononcime publike për t’i bërë plotësisht të qartë dhe transparente opinionit publik përpjekjet e mia të sinqerta për të ndërtuar konsensus mbi axhendën e integrimit europian të Shqipërisë.

Brenda disa javësh do të propozohet edhe kuadri negociator për Shqipërinë nga Komisioni Europian. Por për fat të keq, edhe kësaj here përpjekjet e mia që ky moment ta gjente vendin më të bashkuar, më të përgatitur dhe më të angazhuar në axhendën e reformave, u minua. Tashmë secili aktor le të marrë barrën e përgjegjësive të veta përballë qytetarëve dhe partnerëve europianë. Siç e bëra publike gjatë kësaj jave, unë do të kaloj tani më pak kohë me Tiranën politike, dhe do t’u përkushtohem më shumë Shqipërisë së qytetarëve”, tha Meta.

Lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, Meta nënvizoi se “si President i Republikës së Shqipërisë gjithmonë kam respektuar Kushtetutën dhe institucionet e Republikës së Kosovës, dhe këtë do ta bëj gjithmonë. Është shumë e rëndësishme që në Kosovë të mbizotërojë sjellja europiane ndaj institucioneve”./atsh

Meta: Pres përmbylljen me konsensus të Reformës Zgjedhore, do ta firmos menjëherë Read More »

Nga 1 qershori lejohet lëvizja në të gjithë territorin/ Hapen kufijtë tokësorë pa vetëkarantinim, nisin punën kopshtet e çerdhet

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se nga 1 qershori lejohet lëvizja në të gjithë territorin e vendit, si dhe hapen një seri aktivitetesh dhe kufijtë tokësorë pa vetëkarantinim.

Gjatë një komunikimi me publikun, Manastirliu bëri të ditur të gjitha aktivitetet që do të lejohen prej 1 Qershorit duke zbatuar në mënyrë strikte masat dhe protokollet e sigurisë.

Pas rekomandimeve nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, Manastirliu deklaroi se prej datës 1 Qershor do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin dhe do të hapen çerdhet e kopshtet, një seri aktivitetesh dhe kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin e detyruar dyjavor dhe duke e vendosur atë vetëm për raste specifike.

“Nisur nga vlerësimi epidemiologjik deri tani, në konsultim me Komitetin Teknik është vendosur që të ndjekim planin e miratuar në strategjinë e rihapjes dhe nga data 1 qershor lejohet lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin, në të gjitha qytetet dhe qarqet e vendit”, tha Ministrja.

Po ashtu, ajo se rihapen çerdhet dhe kopshtet publike dhe private duke zbatuar protokollet e sigurisë të miratuara.

“Nga 1 qershori kufijtë tokësorë, duke pezulluar karantinimin dyjavor, si një masë e cila është ndjekur nga vendet europiane. Masa e vendosjes së karantinës dyjavore do të mbetet si masë në raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas kritereve të përcaktuara nga ECDC – Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve”, tha ministrja.

Po ashtu, Manastirliu theksoi se “nga data 1 qershor plazhet do të jenë të hapura, nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt”.

“Plazhet sipas zonave të miratuara do të jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një Autoritet i Përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe do të administrojë lejet për vendosje të pajisjeve të plazhit nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçantë për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjieno-sanitare në plazhe. Ndaj ftojmë të interesuarit të zbatojnë procedurat e publikuara, duke informuar së çdo kush që shkel rregullat në plazh do të penalizohet”, tha Ministrja.

Po ashtu ajo theksoi se nga data 1 qershor do të lejohen kampionatet sportive, pa praninë e publikut. “Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit sipas protokolleve të sigurisë, si dhe palestrat sipas protokolleve të miratuara”, tha ajo.

Ndërkohë, Manastirliu tha se “do të vijojë të jetë i mbyllur transporti publik, për të cilin po punohet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transporteve për një plan i cili do të bëhet publik në një kohë të shpejtë”.

Po kështu, ajo theksoi se “do të vijojnë të jenë të ndaluara, aktivitetet kulturore, kinema, teatër, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferenca, dëgjesa publike, tubimet e çdo lloji, duke bërë dhe një thirrje për të mos pasur përsëritje të grumbullimeve masive, efektet e të cilave do të ishin shumë të dëmshme”.

Manastirliu bëri thirrje për më shumë përgjegjshmëri për të gjithë aktorët, palët politike, organizatat, që të mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe të mos rrezikojnë duke thyer rregullat në një kohë kur virusi nuk është zhdukur dhe ku grumbullimet publike favorizojnë përhapjen e tij, në një kohë që çdo grumbullim, lëvizje dhe destinacion nëse konsiderohet jo i domosdoshëm të vlerësohet për t’u kryer në kohë apo forma të tjera të komunikimit. /atsh

Nga 1 qershori lejohet lëvizja në të gjithë territorin/ Hapen kufijtë tokësorë pa vetëkarantinim, nisin punën kopshtet e çerdhet Read More »

Hiqen kufizimet e orareve në fundjavë, por nuk lejohet dalja nga zonat e kuqe

“Duke filluar nga nesër, gjatë fundjavës e në vijim hiqen kufizimet e orareve për qytetaret dhe bizneset në zonat e kuqe dhe të gjelbra”.

Kështu informoi sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu, e cila theksoi se “edhe këtë fundjavë, në kuadër të monitorimit të situatës dyjavore, nuk do të lejohet lëvizja nga zonat e kuqe për rezidentët e këtyre zonave”.

“Po përmbyllim javën e 12 nga fillimi i epidemisë së COVID-19 në vendin tonë. Pas disa javësh masash kufizuese të marra në kohën e duhur, pas gjithë përpjekjes tuaj për zbatimin e tyre dhe rezistencës së secilit prej jush, ja dolëm që të kemi kufizim të përhapjes së infeksionit. Edhe pse deri më sot kemi një ecuri të qëndrueshme të epidemisë, nuk duhet harruar se rihapja që ka filluar me faza para dy javësh, kërkon disiplinë dhe një sjellje individuale korrekte që i përshtatet normalitet të ri”, tha Ministrja.

Ajo tha se këto dy javë të fundit kemi vijuar punën me intensifikimin e hetimit epidemiologjik.

“Rastet e katër ditëve të fundit tregojnë vatra të reja të infeksionit, të cilat po ndiqen. Analiza e situatës deri më sot na lejon hapjen, por kjo situatë do kërkojë gjithnjë e më shumë vigjilencë, distancim fizik dhe higjienë personale”, tha Manastirliu.

Ajo tha se nëse zbatojmë masat, protokollet e sigurisë gjatë punës, në aktivitetin tonë të përditshëm, do të mundemi të ecim përpara me planin e rihapjes. Manastirliu paralajmëroi se nëse analiza epidemiologjike dhe kriteret do të na thonë se do duhet të tërhiqemi, do duhet të ngremë frenat e emergjencës.//atsh

Hiqen kufizimet e orareve në fundjavë, por nuk lejohet dalja nga zonat e kuqe Read More »

Shtyrja e re 3-mujore për këstet e kredisë/ Përfitojnë të gjithë individët dhe bizneset në vështirësi për shkak të pandemisë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot se, “të gjithë individët, bizneset dhe SME-të, përfitojnë nga shtyrja e dytë e pagesës së kësteve të kredisë, në bankat tregtare, deri në afatin e përcaktuar që është data 31 gusht 2020”.

Gjatë një interviste televizive, Sejko tha se, vendimi për një shtyrje të re 3- mujore, për pagesën e kredive, u mor në bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama dhe i vjen në ndihmë, të gjithë kredimarrësve që ndodhen në vështirësi për shkak të situatës së covid-19.

Sejko tha se, individët do të duhet të kontaktojnë me bankën për parashtrimin e vështirësive që kanë në shlyerjen e kredisë dhe në këto raste kredia do të shtyhet. Ashtu sikurse tha ai, ka raste kur klientët nuk kanë vështirësi financiare dhe vijojnë normalisht pagesën e kësteve të kredisë.

“Në total portofoli i kredisë në bankat tregtare është rreth vlerës 4 miliardë euro. Ndërkohë që bankat kanë qenë proaktive dhe portofoli total i kredive të shtyra është 2 miliardë euro. Pra, 50% e të gjithë klientëve kanë pasur nevojë për shtyrjen e pagesës së këstit të kredisë dhe 50% të tjerë kanë vijuar me pagesat. Pra, jo 100% e kientëve kanë pamundësi të pagesave. Procedura e shtyrjes do të jetë njësoj si në shtyrjen e parë të kësteve të kredisë”- tha Sejko.

Guvernatori tha se kjo është shtyrja e fundit që bëhet për kreditë.

“Po, kjo është shtyrja e fundit, është aplikuar si një qasje standarde. Janë marrë edhe vendime të tjera për t’iu mundësuar bankave ristrukturim më të thellë për klientët që kanë vështirësi të mëdha, siç janë fasonët apo sektori i turizmit, apo të tjerë që përballen me më shumë vështirësi dhe që do kenë mundësinë e ristrukturimit të kredisë. Kjo do jetë specifike për secilin rast. Vendimi i djeshëm i ka lehtësuar bankat dhe klientët. Në 3-mujorin e parë përfituan 23 mijë klientë me total portofoli 2 miliardë euro”- tha Guvernatori. /atsh

Shtyrja e re 3-mujore për këstet e kredisë/ Përfitojnë të gjithë individët dhe bizneset në vështirësi për shkak të pandemisë Read More »

Deri në 5 qershor paga e luftës te të gjithë punonjësit/ Kalim automatik nëse bizneset nuk aplikojnë, rritet numri i përfituesve

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha se, prej datës 18 maj pothuajse të gjitha bizneset në të gjithë vendin janë në punë, pas kufizimit të diktuar nga situata e COVID-19.

Gjatë një interviste televizive ajo theksoi se, aktualisht ka shumë biznese që po aplikojnë për likujditet financiar me qëllim që të mos reduktojnë numrin e punonjësve dhe kësaj nevoje të tyre i ka shërbyer garancia sovrane e qeverisë.

“Në total për të gjithë periudhën janë rreth 80 mijë persona të larguar nga puna, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve janë adresuar në paketat e ndihmës të qeverisë. Ndërkohë që numri i pezullimit të bizneseve është shumë i reduktuar, pasi ata po e shohin këtë si një situate të përkohshme”- tha Denaj .

“Nga paketa e parë numri i përfituesve të pagës së luftës ishte 62 mijë e 421 persona, ndërkohë pagesën e parë dhe të dytë e kanë marrë 64 mijë 964 persons. Ndërkohë që deri më sot pagesën 40 mijë lekë e kanë marrë 110 mijë persona nga 176 mijë të anaoncuar”, u shpreh Denaj .

Denaj tha se, “për këtë pagë kemi pasur probleme proceduriale pasi me afatin 10 prill që u morë si bazë për aplikim, ne pamë që shumë biznese kishin ankesa për pjesën e deklarimit për punonjësit e larguar dhe ndaj me një VKM kemi shtyrë afatin edhe për të lehtësuar pjesën proceduriale por edhe për të adresuar një grup tjetër punonjësish të cilët vijnë nga grupi i personave të larguar nga puna”.

Kjo do të thotë shpjegoi Denaj që ne do zgjerojmë bazën e përfituesve të pagës së luftës, përtej 176 mijë individëve në më shumë persona.

“Obligimi ynë është që pagesa prej 40 mijë lekë të shkojë te individët që janë anoncuar si përfitues dhe kjo do të ndodhi në afatin e parashikuar që është data 5 qershor”, – tha ministrja.

Pavarësisht pengesave nga biznesi, punonjësit do të marrin pagën, deklaroi ajo.

Denaj tha se, në garancinë e parë sovrane e vënë në dispozicion të biznesit për pagat e punonjësve, bankat nuk kërkojnë kolateral dhe interesi është i subvencionuar nga qeveria për të gjithë bizneset.

“Janë 342 kredi të miratuara me një fond prej 4.2 miliardë lekë nga 674 aplikime që i adresohen një shume prej 6.8 miliardë lekë. Ndërkohë që fondi total i garancisë është 11 miliardë lekë. Ndërsa garancia e dytë sovrane është në një shumë prej 15 miliardë lekë dhe kjo përfaqëson 60% të kolateralit për biznesit. Për 40 % banka mund të kërkojë kolateral. Norma e interesit këtu është 5% dhe nuk është e subvencionuar”, – tha Denaj.

Për këtë garanci sovrane shpjegoj ministrja, kemi nënshkruan marrëveshjen me 8 banka dhe nesër nënshkruajmë me 4 të tjera për t’i bërë të gjitha bankat aktive./atsh

Deri në 5 qershor paga e luftës te të gjithë punonjësit/ Kalim automatik nëse bizneset nuk aplikojnë, rritet numri i përfituesve Read More »