Aktualitet

Shqipëria në moment historik për integrimin/ Tryezë mes të gjithë aktorëve për bashkërendim

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se Presidenti Meta ka patur një sjellje korrekte gjatë periudhës së pandemisë.

Duke folur për situatën e pandemisë, i ftuar në një emision televiziv, Balla vlerësoi kontributin e Presidentit Meta.

“Përgjatë pandemisë ka patur një qasje institucionale nga ana e Presidentit të Republikës në ato pak kompetenca që ka Presidenti i Republikës dhe komunikimi me ekzekutivin, me ministrat e linjës së parë të përballjes me COVID-19. Ndërkohë mendoj se në një situatë të vështirë do duhej që të gjithë të silleshin njëlloj në mbështetje të qeverisë dhe modeli më i mirë ishte modeli i opozitës në Portugali, ku kryetari i opozitës i shprehu mbështetjen kryeministrit. Ndërkohë se çfarë bëri opozita këtu, qytetarët e dinë më mirë”, tha ai.

Balla shtoi se ndryshe nga Presidenti, opozita nuk pati qasje pozitive gjatë pandemisë.

“Opozita në periudhë të pandemisë ka patur një sjellje të pashoq, me histori denoncimesh të panevojshme. Kur ne po mbylleshim, opozita thoshte ‘pse po mbyllemi’. Kryeministri shfrytëzoi çdo mundësi të komunikimit publik për t’u bërë thirrje shqiptarëve për t’u ruajtur nga virusi, opozita bërtiste pse kryeministri përdor telefoninë celulare për të bërë këtë apel, ndërkohë kur po hapeshim, thoshte ‘pse po hapemi’”, tha ai.

Në vijim, Balla tha se shqiptarët sot kanë nevojë për mesazhe pozitive. “Jemi në një moment historik të Shqipërisë për integrimin europian, sepse përgjatë ditëve të betejës me COVID-19 kemi marrë një lajm të mirë, atë të konfirmimit për anëtarësim në BE. Mendoj se në fillim të qershorit Komisioni Europian do ta ketë përgatitur kuadrin e negociatave më Shqipërinë, që është dokumenti me të cilin do punojmë, ndërkohë dhe ne si Shqipëri do kemi gati dokumentin e strategjisë tonë të negociatave. Qershori duhet të jetë një muaj intensiv i të gjithë institucioneve që duhet të kontribuojnë, dhe këtu në këtë kontekst, edhe opozita merr një rol të rëndësishëm. Ne i kemi besuar opozitës drejtimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit, drejtohet nga Rudina Hajdari, por dhe opozita joparlamentare duhet të kontribuojë në këtë proces dhe është e lutur të kontribuojë”, tha ai.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se Komisioni Hetimor për Shkarkimin e Presidentit përfundon brenda këtij sesioni parlamentar.

“Përmbyllja nga Komisioni i Venecias edhe i opinionit që lidhet me betimin apo me çështjen e emërimit në Gjykatën Kushtetuese, përmbyll dhe dokumentin e fundit që pret Komisioni Hetimor Parlamentar për t’u konkluduar mbi çështjet në hetim si shkelje kushtetuese nga ana e Presidentit të Republikës. Unë nuk dua t’i paraprij raportit të këtij Komisioni Hetimor”.

Balla tha se “kur ndodhin hetime të tilla parlamentare, përveç gjetjeve që lidhen me shkarkimin ose jo të presidentit të Republikës rekomandohen një sërë ndryshimesh të nevojshme qoftë kushtetuese, apo ligjore, për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.

“Prandaj Komisioni Hetimor e ka vazhduar punën, jurisprundenca e nevojshme e vendosur në dispozicionin e dy opinioneve të Venecias që kanë lindur si nevojë e këtij hetimi duhen përkthyer në gjetje të raportit përfundimtar të këtij komisioni dhe për të qenë korrektë, në fund të këtij sesioni parlamentar përfundon dhe ky komision hetimor”, tha ai.

Në lidhje për një bashkëpunimin me opozitën, Balla tha se “Kryeministri Rama në mënyrë të vazhdueshme i ka bërë thirrje opozitës joparlamentare që drejtohet nga Basha dhe nevoja në këtë proces të rimëkëmbjes ekonomike, nevoja në këtë fazë të procesit të integrimit për të qenë bashkë me të gjithë aktorët politikë, nevoja për të pasur sa më shpejt një tryezë të madhe të të gjithë aktorëve, në nevojën e bashkërendimit të të gjitha forcave në dobi të vendit dhe kurrë nuk ka munguar dora e shtrirë e Kryeministrit”.

Balla duke iu referuar marrëveshjes së 2017, tha se ka qenë një marrëveshje e përkohshme për të risjellë në sistem PD, e cila nuk donte të hynte në zgjedhjet e 2017-s.

“Pra nuk ka qenë një marrëveshje afatgjatë, por e përkohshme, e cila nuk duhet dhe nuk ka për t’u ripërsëritur asnjëherë. Historia se një parti politike nuk hyn në zgjedhje, vë kushte të hyjë në qeveri me ty, mendoj se nuk është e nevojshme dhe besoj se PD dhe Basha janë maturuar, se që të qeverisësh duhet të fitosh zgjedhjet. Ne do të marrim një mandat të tretë për të qeverisur vendin”, tha ai./atsh

Shqipëria në moment historik për integrimin/ Tryezë mes të gjithë aktorëve për bashkërendim Read More »

Parashikimi i motit

Shërbimi Meteorlogjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet me kthjellime dhe shtim gradual të vranësirave në orët e mesdtës, të cilat do të pasohen nga reshje shiu me intensitet të ulët të karakterit lokal. Përgjatë relieveve malore reshjet do të marrin karakter shtrëngatash afatshkurtra.

Era nga veriperëndimi 1-6m/sek, në momentin e zhvillimit të vranësirave era fiton shpejtësi deri në 10m/s. Deti parashikohet i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 11/25 Diell shi
Kukës 10/20 Diell shi
Lezhë 12/24 Diell shi
Dibër 8/20 Diell shi
Durrës 12/23 Diell shi
Tiranë 13/25 Diell shi
Elbasan 11/24 Diell shi
Berat 10/25 Diell shi
Vlorë 12/24 Diell shi
Korçë 7/18 Diell shi
Gjirokastër 7/23 Diell shi
Sarandë 12/24 Diell shi/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Aktivitetet që lejohen nga 1 qershori, organizimet e mëdha të ndaluara deri në 23 qershor

Nga data 1 qershor në gjithë vendin do të hiqen kufizimet e orareve për qytetarët dhe bizneset në të gjithë vendin, ndërsa do të rinisë lëvizja në gjithë territorin si dhe një seri aktivitetesh sipas protokolleve strikte të sigurisë.

Po ashtu, pas datës 1 qershor hapen kufijtë tokësorë pa detyrim vetëkarantimi, përveç rasteve kur konsiderohet e domosdoshme nga autoritetet shëndetësore.

Plazhet do të hapen më 1 qershor vetëm për strukturat akomoduese, ndërsa në datën 6 qershor do të hapen për të gjithë qytetarët.

Kopshtet dhe çerdhet, parqet, këndet e lojërave, palestrat dhe qendrat e internetit do të rinisin po ashtu punën në gjithë vendin duke zbatuar protokollet e sigurisë.

Aktivitetet sportive do të lejohet të rinisin pa spektatorë, ndërkohë që do të hapen edhe kurset profesionale, edukative, argëtuese dhe konkurset e punësimit.

Por pavarësisht shtimit të aktiviteteve që do të rifillojnë nga puna nga data 1 qershor, ka disa aktivitete të tjera të cilat do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura deri më 23 qershor, kur është përcaktuar edhe kohëzgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Bëhet fjalë për aktivitete ku grumbullimet e njerëzve mund të jenë më të mëdha dhe si pasojë edhe rreziku i përhapjes së infeksionit është më i madh.

Kështu, do të ndalohet hapja e klubeve të natës, hapja e pishinave, hapja e teatrove dhe kinemave.

Po ashtu ndalohen edhe tubimet dhe konferencat, si dhe organizimet e mëdha, përtej atyre familjare, si për funerale, dasma etj./atsh

Aktivitetet që lejohen nga 1 qershori, organizimet e mëdha të ndaluara deri në 23 qershor Read More »

Urdhri i plotë për lehtësimin e masave/ Lejohet qarkullimi për këmbësorë dhe makina brenda “zonave të kuqe” në fundjavë, por jo jashtë tyre

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale ka lëshuar sot urdhëresën në lidhje me lëshimin e masave në fazën dy të pandemisë për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e COVID-19.

Në këtë urdhëresë të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se “lejohet lëvizja në të gjithë vendin për të gjitha kategoritë (këmbësorë, biçikleta, ciklomotorë dhe mjete) pa kufizim orari. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm për datën 30-31 maj 2020, ku ndalohet lëvizja nga ‘zonat e kuqe’ në ‘zonat jeshile’ dhe anasjelltas. Lejohet të kryejnë veprimtarinë e tyre të gjithë aktivitetet e nomenklaturës së aktiviteteve ekonomike, duke respektuar protokollet e sigurisë dhe rregullat e miratuara nga distancomi social dhe masat higjieno-sanitare. Përjashtim nga rregulli i përcaktuar në pikën 1 dhe 2, të urdhrit, bëhet për aktivitete e mëposhtme: klubet e natës, aktivitete kulturore, teatrot, kinematë, pishinat”.

Po ashtu, MSHMS thekson se ndalohen grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, konferencat, tubimet, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej familjarëve të ceremonisë mortore deri në një urdhër të dytë.

“Hapen pazaret dhe ‘zonat e gjelbra’, duke filluar nga data 01.06.2020. Hapen kurset e formimit profesional, edukimit dhe argëtimit, këndet e lojërave për fëmijë në ambiente të hapura, palestrat e internetet, sipas protokollit të miratuar dhe rregulloret e miratuara për distancat sociale dhe masat higjieno-sanitare, duke filluar nga data 01.06.2020″. Lejohet kryerja e konkurseve për punësim të personelit, konkurset e shkollimit dhe specializimit duke filluar nga data 01.06.2020 sipas protokolleve të miratuara dhe rregulloret e miratuara për distancim social dhe masat higjieno-sanitare. Hapen plazhet vetëm për strukturat akomoduese nga data 01.06.2020. Plazhet publike do të hapen më datë 06.06.2020, duke respektuar protokollet e miratuara dhe rregulloret e miratuara për distancim social dhe masat higjieno-sanitare. Lejohet lëvizja me mjetet e transportit për udhëtarët në hyrje dhe dalje në pikat e kalimit tokësor. Personat që do të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë në pikat kufitare tokësore nuk do të kenë detyrim për vetëkarantinim 14-ditor, me përjashtim të rasteve të veçanta, që do të përcaktohen me urdhër të autoriteteve shëndetësore. Ndalohet transporti publik i udhëtarëve qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas deri në një urdhër të dytë. Çdo parashikim tjetër që bie në kundërshtim me këtë urdhër shfuqizohet”, shprehet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale./atsh

Urdhri i plotë për lehtësimin e masave/ Lejohet qarkullimi për këmbësorë dhe makina brenda “zonave të kuqe” në fundjavë, por jo jashtë tyre Read More »

Të përparohet me Reformën Zgjedhore/ Soreca: Palët të arrijnë marrëveshje deri në 31 maj

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca ka reaguar sot në lidhje me ecurinë e bisedimeve të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore duke i ftuar palët të vazhdojnë para për të përmbyllur Reformën më 31 maj.

Soreca thekson se palët politike duhet të jenë konstruktive dhe duhet të bashkëpunojnë për ta lejuar Shqipërinë të pranohet në procesin e BE-së.

“E rëndësishme të përparohet me Reformën Zgjedhore në Këshillin Politik. Mirëpresim qëndrimin konstruktiv të të gjitha palëve dhe i ftojmë të vazhdojnë punën për arritjen e një marrëveshjeje të përgjithshme deri më 31.05. Për të lejuar Shqipërinë të përparojë në procesin e pranimit në BE”, shprehet Soreca. //atsh

Të përparohet me Reformën Zgjedhore/ Soreca: Palët të arrijnë marrëveshje deri në 31 maj Read More »

OSBE mbështetje në fushën e antitrafikimit/ Borchardt: Shqipëria vendi i parë në rajon në gjendje të ndërmarrë një qasje re

OSBE-ja mbështet zyrtarët shqiptarë në fushën e antitrafikimit për të hartuar trajnimin e parë simulues.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm dhe Koordinatorit të OSBE-së Kundër Trafikimit njohën grupin shqiptar të ekspertëve që do të hartojë trajnimin specifik për Shqipërinë me metodologjinë e kësaj përqasjeje të veçantë të OSBE-së për rritjen e kapaciteteve në këtë fushë.

Trajnimi do të ketë ushtrime reale, praktike dhe ndërdimensionale simuluese, që do të përmirësojnë aftësitë e punonjësve që luftojnë trafikimin për të identifikuar viktimat, për të hetuar rastet e dyshuara të trafikimit dhe për të ndjekur penalisht trafikantët.

“Shqipëria vijon të përballet me sfida të shumta në trajtimin e trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht në lidhje me identifikimin e viktimave, hetimin dhe ndjekjen penale të autorëve. Përmes këtij trajnimi, Shqipëria bëhet vendi i parë në rajon që do të jetë në gjendje të ndërmarrë një qasje krejtësisht të re për ngritjen e kapaciteteve në luftën kundër trafikimit të personave”, tha Bernd Borchardt, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Nga ana e saj, Rovena Voda, zëvendësministre e Brendshme dhe Koordinatore Kombëtare Kundër Trafikimit, tha se Shqipëria është angazhuar që, gjatë Kryesimit të OSBE-së në vitin 2020, të forcojë luftën kundër trafikimit të personave, një sfidë që është e ndjeshme në të gjithë OSBE-në. Duke u mbështetur në instrumentet ekzistuese, siç është ky trajnim simulues i krijuar nga Zyra e Koordinatorit të Posaçëm të OSBE-së Kundër Trafikimit, Kryesia shqiptare do të mbështetë praktikat zhvilluese për të parandaluar dhe luftuar trafikimin e personave”, tha Voda.

Grupi i ekspertëve – i përbërë nga një gamë e gjerë profesionistësh nga agjencitë ligjzbatuese, Inspektorati Shtetëror i Punës, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Universiteti i Tiranës dhe shoqëria civile – do të punojë gjatë muajve në vijim për të hartuar një trajnim ku profesionistët antitrafikim në Shqipëri do të punojnë në ekipe për të hetuar raste të simuluara të punës dhe shfrytëzimit seksual mes migrantëve, përfshirë fëmijët viktima të trafikimit.

“Trajnimet me bazë simulimin ofrojnë një mundësi unike për pjesëmarrësit që të praktikojnë dhe zotërojnë aftësitë e tyre në një mjedis të sigurt mësimi dhe të marrin reagime të menjëhershme nga profesionistë të tjerë”, tha Val Richey, Përfaqësuesi i Posaçëm dhe Koordinatori i OSBE-së për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Gjatë tetë trajnimeve me bazë simulimin të kryera që nga viti 2016, Zyra e tij ka trajnuar 529 ekspertë nga mbi 54 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së, 7 Partnerë për Bashkëpunim dhe 6 vende të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore.

Trajnimi është pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Veprim kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Shqipëri”, i cili financohet nga UNICEF-i, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar. /atsh

OSBE mbështetje në fushën e antitrafikimit/ Borchardt: Shqipëria vendi i parë në rajon në gjendje të ndërmarrë një qasje re Read More »

Vlerësime ndërkombëtare për finalizimin e ankandit për Parkun Fotovoltaik të Karavastasë: I suksesshëm, veçanërisht çmimi i arritur

Finalizimi me sukses i ankandit për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë, por mbi të gjitha çmimi prej 24,89 euro, për MWh, i ofruar nga kompania fituese “Voltalia”, ka marrë vlerësime mjaft pozitive nga institucione të ndryshme europiane.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, si dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në reagimet e tyre publike kanë vlerësuar maksimalisht procesin.

Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Sekretariatit, drejtori Janez Kopač shprehet se e mirëpret këtë ankand në fushën e energjisë së rinovueshme dhe veçanërisht çmimin e arritur.

Kopač shton më tej se ky është një përfitim i qartë për konsumatorët e energjisë dhe shënon kështu dhe një drejtim të rëndësishëm për rajonin.

“Ne përshëndesim ankandin e suksesshëm në lidhje me energjinë e rinovueshme në Shqipëri, duke theksuar veçanërisht çmimin e arritur. Ky ankand siguroi një proces përzgjedhës konkurrues, që rezultoi me një çmim energjie më të ulët. Kjo është një fitore e konsidrueshme për konsumatorët e energjisë dhe paraqet një trend shumë të rëndësishëm të kësaj energjie në rajon”, shprehet drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë Janez Kopač.

Ndërsa Zsuzsanna Hargitai, drejtoreshë rajonale e BERZH për Ballkanin Perëndimor, përmes një reagimi në rrjetet sociale e cilëson si një arritje të mahnitshme finalizimin e ankandit për Parkun Fotovoltaik të Karavastasë.

“Arritje e mahnitshme – 24,86 EUR /MW është më pak se gjysma e çmimit të çmimit prej 55 EUR/MW dhe një thyerje rekordi – rezultat i një tenderi të mirorganizuar diellor – një punë e përbashkët 3-vjeçare e Shqipërisë dhe BERZH”, shkruan Hargitai.

Finalizimi i ankandit për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë është pasqyruar edhe nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reurters, e cila raporton se kompania franceze “Voltalia”, është fituese e këtij ankandi pasi ofroi të shesë gjysmë e energjisë së prodhuar nga parku fotovoltaik i Karavastasë për më pak se gjysmën e çmimit fillestar të kërkuar.

“Volttalia do të shesë gjysmën e energjisë së saj në Shqipëri me 24,89 euro për MWh për 15 vitet e para të kontratës dhe pjesën tjetër në tregun e hapur”, shkruan Reurters.

Të mërkurën Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përmbylli me sukses ankandin ndërkombëtar për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, i cili do të jetë parku energjetik më i madh me energji diellore në Ballkan.

Kompania fituese u shpall “Voltalia”, një kompani me kapital tërësisht francez, e cila ofroi çmimin prej 24,89 euro, për MWh, një çmimi ky i konsideruar si fantastik, për leverdinë ekonomike që i sjell ekonomisë së vendit, nisur nga fakti se energjia elektrike me shumicë në Shqipëri llogaritet të jetë në nivelin 50-55 euro për MWh./atsh

Vlerësime ndërkombëtare për finalizimin e ankandit për Parkun Fotovoltaik të Karavastasë: I suksesshëm, veçanërisht çmimi i arritur Read More »

Vlorë/ Gjobiten dy subjekte për krim mjedisor

Policia e Vlorës vijon operacionin për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Sipas njoftimit për mediat, Policia e Vlorës gjatë ditës së enjte janë evidentuar dhe gjobitur dy subjekte për shkelje në zonën e Bunavisë, Vlorë.

Dy subjektet e Impianteve të Përpunimit të Inerteve, me administratorët përkatës F. H. dhe V. D., në zonën e quajtur Bunavi, Vlorë, kanë përpunuar dhe transportuar inerte në mënyrë të paligjshme, pasi iu është pezulluar leja e shfrytëzimit të aktivitetit të tyre, dhe pa leje mjedisore.

Në vijim të veprimeve, Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Vlorë, ka nisur procedimin penal ndaj administratorëve të këtyre subjekteve, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”.

Gjithashtu, IKMT ka ndëshkuar subjektet në fjalë me masë administrative, në total 4.000.000 lekë të rinj, për veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, konkretisht: Subjekti i Impiantit të Përpunimit të Inerteve, me administrator F. H. ka marrë masë administrative 2.000.000 lekë të rinj; Subjekti i Impiantit të Përpunimit të Inerteve, me administrator V. D. ka marrë masë administrative 2.000.000 lekë të rinj. /atsh

Vlorë/ Gjobiten dy subjekte për krim mjedisor Read More »