Aktualitet

Parashikimi i motit, e enjte 2 korrik 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet kryesisht i kthjellët e vranësira kalimtare në orët e mesditës përgjatë relieveve malore. Në juglindje do të ketë reshje shiu të izoluara në formën e shtrëngatave në mesditë.

Era do të fryjë me drejtim Verilindje – Veriperëndim 1-8m/s, e pasuar nga valëzim i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 22/37 diell
Kukës 19/35 diell re
Lezhë 22/37 diell
Dibër 18/33 diell re
Durrës 23/34 diell
Tiranë 24/38 diell re
Elbasan 23/38 diell re
Berat 19/38 diell re
Vlorë 21/34 diell
Korçë 19/31 diell re shi
Gjirokastër 18/37 diell re
Sarandë 19/34 diell/atsh

Parashikimi i motit, e enjte 2 korrik 2020 Read More »

Shqipëria zgjidhet në postin e zv/presidentit të Asamblesë së OKB-së/ Kim uron Besiana Kadarenë: Pozicion i rëndësishëm

Shqipëria është zgjedhur sot në postin e Zëvendëspresidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka uruar sot ambasadoren e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Besiana Kadare për këtë arritje.

“Përgëzime Besiana Kadare për zgjedhjen e Shqipërisë në këtë pozicion të rëndësishëm”, është shprehur ambasadorja Kim.

Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare u shpreh sot se “është një nder i veçantë të shërbejë si Zv/Presidente e këtij sesioni historik dhe mezi pres të punoj me Ambasadorin Volkan Bozkir, Presidentin e sapozgjedhur të Asamblesë së Përgjithshme nga Turqia”, tha Kadare.

“Është një privilegj i madh dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme për t’i shërbyer vendit tim në këtë post të rëndësishëm, me një shikueshmëri të madhe në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ajo./atsh

Shqipëria zgjidhet në postin e zv/presidentit të Asamblesë së OKB-së/ Kim uron Besiana Kadarenë: Pozicion i rëndësishëm Read More »

Të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, OFL kërkesë për vetëdeklarim të pasurisë 4 personave

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 shtetasve.

Konkretisht i është nisur kërkesë shtetasit H. A., banues në Fushë Krujë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”; shtetasit M. K., banues në Krujë, nën hetim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Po ashtu, OFL i ka nisur kërkesë për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë edhe shtetasit A. H., banues në Fier, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”; si dhe A. B., banues në Krujë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special./atsh

Të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, OFL kërkesë për vetëdeklarim të pasurisë 4 personave Read More »

Greqia shtyn deri në 15 korrik ndalimin e hyrjes së shtetasve nga Shqipëria

Greqia shtyn deri më 15 korrik të ndalimit të hyrjes në Greqi (dhe BE) të shtetasve të vendeve të treta, përfshirë Shqipërinë.

Ambasada e Greqisë në Shqipëri njofton se, “në bazë të Vendimit të Përbashkët të Ministrave të Shëndetësisë, të Transportit dhe Infrastrukturës, të Marinës Tregtare dhe Politikës Ishullore, me titull: “Vendosja e masave të kufizimit të përkohshëm të lidhjeve me Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Suedinë, me qëllim kufizimin e përhapjes së COVID-19, për periudhën kohore nga 1.7.2020 deri më 15.7.2020’’, asnjë ndryshim nuk ka në regjimin e hyrjeve nga Shqipëria drejt Greqisë, në lidhje me periudhën e mëparshme që sapo lamë pas”.

Njoftimin e ka shpërndarë edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi e cila ka shtuar se, “ndalimi nuk përfshin ndër të tjera, vetëm: “banorët afatgjatë në shtetet anëtare të BE ose Marrëveshjes së Shengenit dhe shtetasit e vendeve të treta që kanë një leje qëndrimi në shtetet anëtare të BE-së ose Marrëveshjes së Shengenit; pasagjerët transit etj”. Në Greqi mund të hyjnë gjithashtu qytetarët që kanë shtetësi greke ose kartë homogjeni”.

“Vetëm, shtetasit e vendeve të treta që i nënshtrohen këtij ndalimi kanë të drejtë të dorëzojnë një kërkesë pranë Zyrës Konsullore Greke të vendbanimit ose qëndrimit të tyre për hyrjen e tyre përjashtimore në vend për arsye biznesi ose personale (urgjenca shëndetësore)”, thekson Ambasada./atsh

Greqia shtyn deri në 15 korrik ndalimin e hyrjes së shtetasve nga Shqipëria Read More »

Miratohet struktura e posaçme për mbikëqyrjen e shpërndarjes së dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë

Miratohet struktura e posaçme për mbikëqyrjen e shpërndarjes së dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë.

Në drejtimin e të dy kryetarëve të komisioneve përkatëse, Milva Ekonomi dhe Ulsi Manja, u zhvillua sot mbledhja e përbashkët e komisionit për Çështje Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe të komisionit të Ekonomisë dhe Financave.

Qëllimi i mbledhjes së sotme ishte shqyrtimi i projektvendimit “Për ngritjen e strukturës së posaçme për të mbikëqyrur shpërndarjen e dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politik të regjimit komunist”, propozuar nga deputeti Artur Roshi.

Manja dhe Konomi i paraqitën mbledhjes tre propozime për votim.

Së pari, mbledhja miratoi anëtarësinë e strukturës së posaçme me formatin e një nënkomisioni: Artur Roshi dhe Senida Mesi anëtarë nga komisioni i Ekonomisë dhe Financave, si edhe Korab Lita, Elena Xhina dhe Adnor Shameti anëtarë përfaqësues nga komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Së dyti, komisioni bashkërisht miratoi gjithashtu afatin e veprimtarisë së strukturës, që përkon me legjislaturën parlamentare zyrtare.

Propozimi i tretë, ai i kalimit te nënkomisioni i të drejtës për caktimin e kryesisë, hasi në debate dhe mbledhja e përbashkët ushtroi kompetencën e propozimit të kryesisë, nga ku në fund të diskutimeve dhe votimeve rezultoi si vijon: Senida Mesi u caktua me shumicë votash si kryetare, Korab Lita, zëvendëskryetar dhe Elena Xhina, sekretare e nënkomisionit.

Mbledhja e përbashkët kërkoi nga struktura e posaçme, që në mbledhjen e tyre të parë të kenë një rregullore në shembullin e nënkomisioneve të tjera të Kuvendit./atsh

Miratohet struktura e posaçme për mbikëqyrjen e shpërndarjes së dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë Read More »

Dita Ndërkombëtare/ Ambasada e SHBA-së: Roli i parlamentit më jetik se kurrë në kohë krize

Në ditën ndërkombëtare të parlamentarizmit, Ambasada amerikane në Tiranë ka përcjellë një mesazh për rolin e parlamentit, duke theksuar se “parlamentet e fortë janë një gur themeli i demokracisë”.

Ambasada e SHBA-së shprehet se “parlamentet përfaqësojnë zërin e njerëzve, miratojnë ligje, shpërndajnë fonde për të zbatuar ligje dhe politika, dhe i bëjnë qeveritë të japin llogari. Ata punojnë për të siguruar që të gjithë njerëzit të përfitojnë nga politikat, veçanërisht ata më të pambrojturit”.

“Në kohët e COVID-19, parlamentet dhe institucionet e tjera qeveritare i nënshtrohen të njëjtave masave distancimi shoqëror si organizatat e tjera publike dhe private. Megjithatë, në një kohë krize, roli i parlamentit është më jetik se kurrë për miratimin e ligjeve emergjente, shpërndarjen e burimeve dhe shqyrtimin e veprimeve të qeverisë”, thekson Ambasada e SHBA-së. /atsh

Dita Ndërkombëtare/ Ambasada e SHBA-së: Roli i parlamentit më jetik se kurrë në kohë krize Read More »

Basha: PD do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës

“Pavarësia, sovraniteti dhe tërësia territoriale e Kosovës janë të pacenueshme”, – tha kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë të martën, me ish-nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti dhe ish-zv.kryeministrin e ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Sipas Bashës, Partia Demokratike e Shqipërisë është e do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës dhe popullit të saj.

“Pata kënaqësinë të mirëpres sot ish-nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti dhe ish-zv.kryeministrin e ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj. Kosova ka ditur gjithmonë të tregojë maturi përballë sfidave jo të pakta që ka kaluar para dhe pas pavarësisë së saj. Pavarësia, sovraniteti dhe tërësia territoriale e Kosovës janë të pacenueshme”, – nënvizon Basha.

“Jam i bindur se së bashku me partnerët euroatlantikë, institucionet dhe forcat politike në Kosovë do të tejkalojnë çdo sfidë dhe do t’ia dalin të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj. PD e Shqipërisë është e do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës dhe popullit të saj”, – përfundoi Basha. /atsh

Basha: PD do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës Read More »

Amarildo, një nga 10548 qytetarët që kanë përfituar pagën e luftës në qarkun e Vlorës

Amarildo Kreka, përgjegjës salle në një prej hoteleve të qytetit të Vlorës është një nga 10548 qytetarët, të cilët kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë shqiptare në qarkun e Vlorës.

“Deri më sot 169 757 qytetarë dhe 46 754 biznese kanë përfituar nga Paketa e Zgjeruar prej 40 mijë lekë”, – bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, i cili publikoi një video me dëshminë e Amarildos.

“Kam tre vjet që punoj në këtë subjekt, bëmë aplikimet në muajin prill dhe në muajin maj kemi marrë rrogën 40 mijë lekë. Nga momenti që kompania bëri aplikimin kur u hap procedura, maksimumi dy javë morëm pagën e luftës”, – tha Amarildo./atsh

Amarildo, një nga 10548 qytetarët që kanë përfituar pagën e luftës në qarkun e Vlorës Read More »