Aktualitet

Mjekët e infermierët, të pajisur me mjetet e mbrojtjes personale si ditën e parë të epidemisë

“Mjekët dhe infermierët, aseti ynë më i çmuar janë sot e gjithë ditën në vijën e parë të përballjes me COVID19, vijojnë të jenë të pajisur me mjetet e mbrojtjes personale, si ditën e parë të epidemisë”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke publikuar foto nga qendrat spitalore ku mjekët e infermierët shërbejnë, theksoi se ata vijojnë të jenë të pajisur më së miri.

“Jo vetëm në spitalin infektiv, por kudo ku ata shërbejnë, nga qendrat shëndetësore në spitale, vijojnë të jenë të pajisur me mjetet e mbrojtjes personale, si ditën e parë të epidemisë, duke ofruar shërbime për çdo qytetar në nevojë, me rihapjen e sistemit shëndetësor”,- theksoi Manastirliu

“T’i ndihmojmë të gjithë bashkë, të kufizojmë përhapjen e COVID-19, duke respektuar rregullat e thjeshta të higjienës, vendosjen e maskës dhe distancimin fizik! Bashkë kundër COVID-19″,- bëri thirrje ministrja Manastirliu. /atsh

Mjekët e infermierët, të pajisur me mjetet e mbrojtjes personale si ditën e parë të epidemisë Read More »

Hapja e kufijve nga BE/ Xhafaj: Nisje e një procesi dinamik, situatën mund ta rikuperojmë të gjithë bashkë

Vendimi i Bashkimit Europianë për të mos hapur kufijtë me vendin tonë për shkak të rritjes së numrit të të prekurve me COVID-19 është një vendim që mund të rikuperohet, ndërkohë që nuk janë hapur kufijtë edhe për 150 vende të tjera.

Zëvendësministri i Jashtëm, Etjen Xhafaj, gjatë një interviste televizive, mbrëmjen e të martës, nënvizoi se Kryeministri dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme kanë lobuar për ta bërë Shqipërinë pjesë të listës, ndërsa theksoi se këto përpjekje do të vijojnë edhe në vijim.

Sipas Xhafajt, futja e Serbisë në këtë listë, edhe pse kjo e fundit nuk plotësonte kriteret, tregon për një vendim politik të BE.

“Kryeministri ka shumë më tepër informacion se unë. Lobimi, ju garantoj dhe siguroj se ka qenë një pjesë tejet aktive e punës sonë dhe Kryeministri është marrë vetë me këtë pjesë”,- tha Xhafaj.

“Tek lista ka pasur ndryshime që janë dukur pak të çuditshme, duke parë Serbinë dhe Malin e zi që janë mbi standardet e vendeve të BE, por janë pjesë e listës, përmes kriterit afër apo nën këtë numër mesatar të rasteve gjatë dy javëve të fundit, pra s’kemi pasur kriter fiks”,- tha Xhafaj.

“Vlera absolute e shpërndarjes së virusit nga 8 marsi, kur kemi regjistruar rastin e parë, duke parë statistikat kumulative, pra sa janë mbushur spitalet, sa shtretër të lirë ka, qoftë duke parë rastet dhe rritjet e rasteve, kemi pasur një kauzë që ne shpresonim se do të ndihmonte në hapjen dhe do përfshinte vendin tonë në këtë listë. Por fakti që nuk jemi nuk do të thotë asgjë, është nisje e një procesi dinamik, pasi çdo dy javë ka një përditësim të listës”,- tha më tej Xhafaj.

“Ky nuk është një vendim vetëm për Shqipërinë, por është një vendim shumë më i gjerë, duke lënë jashtë dhe vende të tjera. Në këtë vendim bëhet fjalë për udhëtime jo esenciale, pra për turizmin. Vendimi ka lejuar studentët, punonjësit sezonalë, edhe kategori të tjera nga vendet që janë jashtë kësaj liste. Këto janë që mund të udhëtojnë drejt BE, por jo për turizëm. Duke parë se si do të ndryshojë mesatarja gjatë këtyre dy javëve, ne do të lobojmë për t’u përfshirë në këtë listë. Nuk flasim për racizëm, por flasim për arsye politike që një vendi i jepet një prioritet i caktuar. Ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm jo vetëm përmes ambasadave, jo vetëm si ministri, por dhe kryeministri vetë me Italinë dhe Greqinë, dhe kemi kërkuar që nëse do kishte një tejkalim të kriterit teknik edhe ne të ishim brenda”,- tha Xhafaj.

“Ajo që parashikohet është se në bazë të kësaj liste do bëhet hapja graduale dhe për udhëtimet jo esenciale. Të gjithë vendet anëtare të udhëtojnë brenda kësaj liste. Italia s’mund të dilte nga linja tërësisht që ka pasur një akord të paravendosur. Fokusi ka qenë që të përfshihet Shqipëria”,- tha Xhafaj, i cili garantoi se përpjekjet vijojnë.

“Janë 150 vende të tjera që nuk janë në këtë listë. Duhet të shohim pak dhe realitetin. Është një situatë që mund ta rikuperojmë ë gjithë bashkë dhe institucionet janë në krye të punës për këtë.”,- tha Xhafaj. /atsh

Hapja e kufijve nga BE/ Xhafaj: Nisje e një procesi dinamik, situatën mund ta rikuperojmë të gjithë bashkë Read More »

Parashikimi i motit, e mërkurë 1 korrik 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet i kthjellët dhe i nxehtë me vranësira mesatare kalimtare në relievet malore nga orët e mesditës deri ato të pasdites.

Në këto orare shi i izoluar në relievet e larta malore në lindje të territorit.

Era do të fryjë me drejtim Verilindje – Veriperëndim e lehtë e mesatare në breg pasuar nga valëzim i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 21/35 diell
Kukës 20/34 diell re
Lezhë 19/35 diell
Dibër 17/32 diell re
Durrës 24/34 diell
Tiranë 23/36 diell re
Elbasan 21/36 diell re
Berat 18/36 diell re
Vlorë 21/36 diell
Korçë 17/31 diell re
Gjirokastër 16/35 diell re
Sarandë 19/33 diell/atsh

Parashikimi i motit, e mërkurë 1 korrik 2020 Read More »

Ndahet nga jeta mjeku Arjan Pushi, i prekur nga COVID-19, mesazhe ngushëllimi

Ministria e Shëndetësisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta të profesorit të Fakultetit të Mjekësisë, Arjan Pushi, i cili, referuar shërbimit Infektiv, ndërroi jetë pak momente më parë në spitalin Infektiv, i prekur nga COVID-19, pavarësisht përpjekjes maksimale të stafit mjekësor.

Prof. Arjan Pushi ka patur një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë dhe ka përgatitur shumë breza studentësh të Mjekësisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i shpreh ngushëllime familjarëve dhe miqve të profesor Arjan Pushit.

“Ndarja nga jeta e Profesor Arjan Pushit është një dhimbje e madhe për familjen, për miqtë e tij, për kolegët, pedagogët e Universitetit të Mjekësisë ku ka shërbyer për shumë vite.
Kontributi i çmuar i Profesor Arjan Pushit për mjekësinë shqiptare, do të mbetet i pashlyeshëm ndër breza. Megjithë përpjekjet e kolegëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në spitalin infektiv, prof. Arjani nuk ia doli dot, në betejën me virusin e rrezikshëm. U prehsh në paqe Profesor Pushi”, shprehet Manastirliu.

Meta: Humbja e parë e jetës nga mantelbardhët tanë

Presidenti Ilir Meta shprehu ngushëllimet më të ndjera familjes Pushi, të afërmve dhe kolegëve të Profesorit, për këtë humbje të madhe të pazëvendësueshme.

“Tepër e dhimbshme dhe shokuese humbja e jetës së Profesorit të nderuar të Universitetit të Mjekësisë, doktor Arjan Pushi, hematologut të shquar me një kontribut të spikatur në dekada në sistemin tonë shëndetësor. Kjo është humbja e parë e jetës nga mantelbardhët tanë, të cilët prej disa muajsh po ndeshen në vijën e parë me këtë pandemi, që tregon se jo vetëm rreziku nuk ka kaluar, por çdo nënvlerësim do të jetë me pasoja tepër serioze për shëndetin, jetën dhe ekonominë”, shprehet Meta.

“Ndaj apeloj nevojën për të forcuar përqendrimin e të gjithë institucioneve për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore, si dhe përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të garantuar me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin e tyre mbështetës, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne”, deklaron ai.

Ruçi: Sinjal alarmi për të gjithë se koronavirusi nuk ka ikur

Edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit Arjan Pushi.

“Doktor Arjani, i cili ua kushtoi jetën dhe karrierën e tij qytetarëve dhe pacientëve, humbi betejën për jetën e vet, në luftë me koronavirusin Covid-19. Ai u shërbeu të sëmurëve deri sa kishte frymë dhe energji, duke mos e marrë në sy rrezikun. I shpreh ngushëllimet familjes, e cila humbi njeriun e vet më të dashur. Mjekësia shqiptare humbi një model të spikatur përkushtimi, shërbimi e vetëmohimi”, shprehet Ruçi.

Ai thekson se “kjo humbje duhet të jetë një sinjal alarmi për të gjithë, se koronavirusi nuk ka ikur, rreziku prej tij është i madh për të gjithë qytetarët. Të gjithë duhet të mbrojmë jetën tonë, por të bëjmë kujdes edhe për jetët e njerëzve që na rrethojnë. Institucionet duhet të zbatojnë rreptësisht të gjitha protokollet e mbrojtjes, ndërsa qytetarët të ndërgjegjësohen se mbrojtja më e mirë nga Covid-19 është kujdesi individual dhe respektimi rigoroz i rregullave mbrojtëse. Mbrojtja e jetëve është sot një detyrë individuale, njerëzore e kombëtare, e institucioneve, por edhe e qytetarëve”.

Basha: Arjan Pushi ka përjetë mirënjohjen e thellë të gjithë shoqërisë për një jetë në shërbim të njerëzve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar tronditës lajmin për ndarjen nga jeta të profesor doktor Arjan Pushit, i cili ishte i prekur nga COVID-19

“Jam i tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të prof. dr. Arjan Pushit, një misionari të bluzave të bardha që përmes përkushtimit dhe angazhimit të palodhur i dha ndihmë te paçmuar qindra pacientëve të tij”, shkruan Basha.

“Gjatë muajve të fundit kam ruajtur një komunikim të rregullt me prof. Arjanin mbi krizën e COVID-19 dhe gjendjen e kujdesit spitalor në tërësi. Kam mbresa të pashlyeshme nga përkushtimi profesional dhe atdhetar dhe dhembshuria njerëzore e tij”, shprehet Basha.

“Asnjë ngushëllim nuk e lehtëson dot dhimbjen e thellë të të afërmve dhe kolegëve të tij. Prof. dr. Arjan Pushi ka përjetë mirënjohjen e thellë të gjithë shoqërisë për një jetë në shërbim të njerëzve. Lutjet dhe mendimet e mia janë për familjarët dhe miqtë e tij. Respekti im maksimal është për mjekët që luftuan deri në fund për ta mbajtur në jetë mikun dhe kolegun e tyre dhe që punojnë me të njëjtin përkushtim për çdo pacient. U prehtë në paqe!” – përfundon Basha.

Ambasadorja Kim: Do të kujtohet si hero

Edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim shprehu trishtimin për ndarjen nga jeta të mjekut Arjan Pushi, i cili ishte prekur nga COVID-19.

“Jemi thellësisht të trishtuar nga humbja e parakohshme e Dr. Arjan Pushit. Ai e dha jetën, ndërsa ishte në shërbim të të tjerëve dhe do të kujtohet si hero!”, u shpreh ambasadorja Kim./atsh

Ndahet nga jeta mjeku Arjan Pushi, i prekur nga COVID-19, mesazhe ngushëllimi Read More »

“Do të tërheq padinë ndaj Ramush Haradinajt”, Rama: Është shumë më e madhe ajo që sot duhet të na bashkojë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të tërheqë padinë që ka ngritur ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.

Në konferencën për shtyp që mbajti në Prishtinë pas vizitës zyrtare dyditore, kryeministri Rama sqaroi se “Ramushit i kam kërkuar takim si gjithë të tjerëve për ta vizituar në selinë apo shtëpinë e tij, siç pata kënaqësinë të vizitoja Isa Mustafën në shtëpi”.

“Si paditës te i padituri, besoj nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën. Më tepër do të doja të diskutoja me të, për këtë çështje që është më e madhe se unë, Ramushi dhe se emrat e përveçëm, sepse implikimet e kësaj historie mund të jenë marramendëse për Kosovën në të ardhmen”, u shpreh Kryeministri.

Rama tha se e kishte vënë në dijeni Haradinajn se nuk do të bënte komunikime me median gjatë takimeve, por do të kishte një konferencë në fund të vizitës, ku do ta bënte publike se do të tërhiqte padinë.

Kryeministri Rama theksoi se tërheqja e padisë nuk bëhej se ajo ishte një gjë e vogël për të, por sepse është shumë më e madhe ajo, që sot duhet të bashkojë të gjithë.

Rama tha se Ramush Haradinaj nuk është kryeministri, apo politikani, por një prej figurave historike dhe ka vendin e vet në histori dhe nuk e heq dot askush, as vet Haradinaj veten e tij, sado kryeministër i keq të ketë qenë.

Më tej, Kryeministri Rama informoi se kishte 22 padi me figura politike.

“Arsyeja është se dëshiroj që të kem mundësinë që djalit tim të vogël t’i lë një tufë fletësh që t’i ketë dhe ta ndihmojnë të kuptojë si mund të interpretojë lajmet e pafundme që do të ndeshë kur të hyjë në google dhe ku do të lexojë për një “monstër” të të gjitha të zezave të mundshme e të paimagjinueshme e mbase mund të mos e ketë mundësinë të më pyesë mua”, theksoi ai.

Rama tha se shpifja ndaj tij , nuk është shpifje e zakonshme. “Mitologjia e pazarit të territorit është një ndytësi, ku historia do të tregojë si një hapësirë debati u transformua në një arenë ku disa shqiptarë u përpoqën që të ‘vrasin’ disa shqiptarë”./atsh

“Do të tërheq padinë ndaj Ramush Haradinajt”, Rama: Është shumë më e madhe ajo që sot duhet të na bashkojë Read More »

“Kosova nuk mund të jetë mish për top”/ Vetëdijësim ndërkombëtar për t’u kuptuar se një paçavure si kjo është fyese për kombin shqiptar

“Kosova nuk duhet të barrikadohet, nuk duhet ta ndalë dialogun dhe nuk duhet të nënvlerësojë rrezikun që vjen nga implikimet e këtij brutaliteti për të cilin kam ardhur këtu”, deklaroi sot nga Prishtina, Kryeministri Edi Rama.

Rama kujtoi një fakt, kur Kosovës iu kërkua të plotësonte kushtet për liberalizimin e vizave, kur edhe pse të gjitha kushtet u plotësuan doli që duhej bërë dhe demarkacioni me Malin e Zi”.

“Se çfarë lidhje kishte kjo me liberalizimin e vizave këtë e dimë, politike, se lidhje teknike nuk kishte. Nuk më rezulton se kishte ndonjë rrugë në atë zonë të kufirit që lidhte Prishtinën me Parisin apo Londrën. Ishte politike dhe ajo histori mbeti si lëmsh përpara në këmbët e Kosovës duke i thënë: zgjidheni këtë, kur ta zgjidhni do liberalizohen vizat. U zgjidh kjo dhe vizat nuk u liberalizuan. Mos u çudisni, nëse e nënvlerësojmë sot këtë brutalitet dhe nëse sot nuk shfrytëzojmë si komb, por në radhë të parë këtë duhet ta bëjë Kosova, Shqipëria ka detyrë vetëm ta mbështesë, këtë moment për ta rikthyer në sytë e bashkësisë ndërkombëtare. Gjenerata që kanë bërë luftën nuk janë më aty, pjesa dërrmuese e tyre janë në pension, flas në botën ndërkombëtare. Të tjerët ca i dinë, ca s’i dinë. Të gjithë nuk e dinë fare, flas në nivelet më të larta se çfarë historie ka drejtësia ndërkombëtare në Kosovë dhe mbi luftën e Kosovës dhe Serbisë”, tha Rama.

“Ka më pak se 10 vendime nga Haga për autoritet serbe për deportim të 1 milion njerëzve me dhunë, pa llogaritur 20 mijë raste përdhunimesh dhe pastaj edhe të gjithë të vrarët e të zhdukurit. Ndërkohë le të numërojmë sa janë personat që janë të proceduar në të gjitha ato shkallë gjyqesh, edhe këtu edhe në Hagë nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sa janë në Serbi ata që janë gjykuar për krime të luftës dhe Serbia në raport me krimet e luftës nuk i ka vetëm me Kosovën? Bëhen 20 vetë? Pra ka një disproporcion kolosal për të mos thënë tjetrën, shikoni nivelet e goditjes. Sigurisht është e vërtetë se në Hagë ishin Millosheviçi, ishte Presidenti, zv.kryeministri, Ministri i Brendshëm, komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, por ai ishte një shtet policor dhe agresor, me një formacion ushtarak që vepronte në mënyrë vertikale dhe që u angazhua për spastrimin etnik që kapi 1 milion të deportuar”, tha Rama.

Rama tha se “po t’i kthehemi pasqyrës nga ana jonë, e Kosovës gjendja është alarmante nga kjo pikëpamje”.

“Po të hyjmë brenda zhvillimit të gjithë proceseve, të gjitha janë bërë nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Nuk di unë të të ketë pasur asnjë autoritet shteti i Kosovës për t’i devijuar, mbyllur, penguar ato procese që kanë qenë gjitha nën monitorim ndërkombëtar. Nëse kjo situatë nuk bëhet publike dhe nuk vihet në rendin e ditës që të kuptohet mirë se Kosova nuk mund të jetë mish për top në mënyrë të vazhdueshme. Këtu vajza të reja dhe djem të rinj, ndoshta dhe më të rinj se vetë Kosova. Ka kuptim që gjyshërit dhe baballarët tuaj lëviznin lirisht në kohën e ish-Jugosllavisë dhe juve ju kërkohet vizë. Pse ndodh kjo? Natyrisht ka arsye politike në Europë ka dinamika të brendshme. Dje, komunikoja me Brukselin për listën e vendeve që do të hyjnë apo jo në rrugët e hapura për dy javët e para për koronavirusin. Bëhej diskutimi në Bruksel dhe kishte shtete europiane që thoshin: nuk duam të na vijnë këtu nga Ballkani, Turqia dhe bota njerëz të infektuar. Kjo është politike”, tha Rama.

Rama theksoi se “Kosova sot duhet të përfaqësohet e bashkuar dhe e vetëdijshme që duhet të zhvillojë 3 procese njëkohësisht”.

“Së pari, në procesin e vetëdijësimit të bashkësisë ndërkombëtare për nevojën që drejtësia ndërkombëtare të jetë e drejtë dhe për nevojën që një paçavure si kjo të kuptohet pse është fyese për kombin shqiptar, pse është fyese për luftën, për ata që sot nuk jetojmë më jo thjesht për faktin se kryetari i shtetit merret dhe trajtohet si mostër që ha njerëz. E dyta, dialogu duhet të vazhdojë me kapacitete të plota dhe e treta, pa diskutim, nuk kam pikën e dyshimit që qëndrueshmëria në proces e Kosovës duhet të dëshmohet nga brenda jashtë, se nuk mund të vijë nga jashtë brenda”, tha Rama.

“Mendoj se të gjithë duhet të bashkohemi në qëllim. Secili ka këndvështrimin e vetë për arritjen e qëllimit, por sigurisht që duhet të jemi respektues ndaj njëri-tjetrit kur mendojmë ndryshe nga njëri-tjetri. Nuk mundemi dot, të paktën për këto tema të mëdha dhe kjo është tema më e madhe e jona. Nuk kemi asnjë temë tjetër ne më të madhe se kjo. Integrimi në BE i Shqipërisë dhe i vetë Kosovës është një temë shumë e madhe, por jo kaq e madhe sa vetë njohja përfundimtare e Kosovës si shtet sovran edhe nga Serbia. Në këtë pikë, ne kemi shumë pak për t’u ndarë në armiq dhe tradhtarë. Zakonisht ata që bëjnë patriotin më të madh në këto raste janë ata që janë më të dyshuar për paaftësi për të parë të ardhmen”, tha Rama./atsh

“Kosova nuk mund të jetë mish për top”/ Vetëdijësim ndërkombëtar për t’u kuptuar se një paçavure si kjo është fyese për kombin shqiptar Read More »

7 miliardë lekë mbështetje fermerëve/ Shpallen aplikimet e kualifikuara të Skemës Kombëtare 2020

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka shpallur sot, listën e aplikimeve të kualifikuara nga skema kombëtare e zhvillimit 2020.

AZHBR njofton se “Shpallja e Listës së Aplikimeve të Kualifikuara, gjendet në faqen zyrtare, në linkun: http://azhbr.gov.al/financim/skemat-kombetare/, për secilën masë mbështetëse të financuar nga Programi Kombëtar, viti 2020.”

AZHBR ka shpallur listën e aplikimeve të kualifikuara për “Tufën bazë 2020”, “Bletari 2020”, “Plastmas për serra 2020”, “Bimë medicinale aromatike 2020”, si dhe “Ferma Organike 2020” dhe “Global Gap 2020”.

Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë 2020, adreson një fond prej 7 miliardë lekë nga buxheti i shtetit në mbështetje të fermerëve. Këtë vit Skema Kombëtare mbulon sektorët ruralë, që nuk financohen nga IPARD-i, duke evituar kështu mbivendosjen e financimit.

Bletarët përfitojnë 10 mijë lekë për çdo koshere bletësh. Gjithashtu mbështetje përfiton edhe blegtoria, që është një sektor shumë i rëndësishëm në Shqipëri dhe nuk ka atë ritëm rritjeje që ka marrë bujqësia. Fermerët që operojnë në sektorin e bimëve mjekësore, përfitojnë 2 milionë lekë për hektarë të mbjellë me këto kultura./atsh

7 miliardë lekë mbështetje fermerëve/ Shpallen aplikimet e kualifikuara të Skemës Kombëtare 2020 Read More »

Regjistrimi i pronave në bregdetin e Jugut/ Kadastra: Prona do të shkojë tek i zoti me dokumente ligjore dhe jo me gjoba nga njerëz të panjohur

Prej gati një muaji Kadastra Shqiptare ka nisur procesin e regjistrimit fillestar të pronave në 8 zona kadastrale të Bregdetit: Palasë, Gjilekë, Dhërmi, Himarë, Vuno, Ilias, Nivicë, Lukovë.
Në një njoftimn për shtyp Kadastra Shqiptare njoftoi se procesi po ecën me ritme normale dhe punonjësit po trokasin në çdo derë, po takojnë çdo kryefamiljar dhe po masin çdo pronë.
“Por me keqardhje konstatojmë nga banorë të zonës të cilët na denoncojnë raste, kur persona të paautorizuar paraqiten si punonjës të Kadastrës dhe premtojnë regjistrimin kundrejt shumave të parave. Është shumë i vjetër ky kurthi i gjeometrit mashtrues që, me një metër në dorë, përpiqet të trembë ndonjë fshatar të lodhur”, thuhet në një njoftim të Kadastrës.
Kadastra apeloi qytetarët për kujdes. “Prona do të shkojë tek i zoti me dokumente ligjore qe do e provojnë dhe jo me gjoba të paguara njerëzve të panjohur. Procedurat në terren do të ndiqen nga këta djem që shihni në foto, të cilët kanë të dukshëm elementët e identifikimit: xhupat fluoreshentë të verdhë dhe mbajnë të gjoks librezën identifikuese me shenjat e Kadastrës”, thuhet në njoftim.
“Mos pranoni t’i hapni derën askujt që pretendon se vjen nga Kadastra dhe nuk mban këto elementë dallues. Denonconi në Policinë e Shtetit çdo rast që ju paraqiten persona të dyshimtë. Ne jemi aty për të regjistruar pronën tuaj! Mos u joshni! Besoni tek procesi dhe Kadastra Shqiptare! Punë të mbarë së bashku”, përfundoi Kadastra Shqiptare. /atsh

Regjistrimi i pronave në bregdetin e Jugut/ Kadastra: Prona do të shkojë tek i zoti me dokumente ligjore dhe jo me gjoba nga njerëz të panjohur Read More »