Aktualitet

Ndryshimet në ligjin Antimafia/ Lleshaj: Luftë aseteve ekonomike të krijuara prej krimit të organizuar

“Suksesi në luftën ndaj krimit të organizuar arrihet vetëm përmes goditjes së aseteve ekonomike të krijuar prej tij”.

Kështu deklaroi sot gjatë fjalës së tij në Kuvend ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili i ka kërkuar deputetëve të parlamentit të Shqipërisë të votojnë ndryshimet në ligjin e ashtu quajtur “Antimafia”, për të rritur edhe më tej efikasitetin e Policisë në luftën ndaj krimit të organizuar.

Në argumentat e tij për të mbrojtur këto ndryshime, Lleshaj u shpreh se, lufta ndaj krimit të organizuar do të ketë sukses në momentin kur të bindim çdo qytetarë se rruga e pasurimit përmes krimit nuk të çon gjëkundi.

” Lufta ndaj krimit të organizuar është një ndër prioritetet më të mëdha të qeverisë shqiptarë në përpjekje për të rritur standardet e nivelit të jetës së qytetarëve shqiptarë dhe gjithashtu në kuadër të përpjekjeve në rrugën drejt Bashkimit Europian”, – tha Lleshaj.

“Së fundmi jemi dëshmitarë të një serie aktesh ligjore, një pakete për luftën kundër krimit të organizuar dhe në këtë kuadër vijnë dhe këto ndryshimet në ligjin Antimafia. Përgjatë tre dekadave shumë të rinj shqiptarë i janë futur rrugës së krimit duke përfunduar në qeli brenda vendit, shumë janë nëpër burgjet e botës, ose i janë fshehur drejtësisë. Dhe që të marri fund kjo histori, nuk mjafton vetëm dënimi penal, pra futja në burg e autorëve. Ka shumë të rinjë, të paedukuar, që o futen rrugës së shkurtër të krimit, që i nxjerr shumë gjatë dhe nuk mjafton që politika penale të përqendrohet tek burgosja, por jetike është adresimi bizneseve që gjenerohen nga krimi”, – tha Lleshaj.

“Duhet të bindim çdo qytetar që është futur, apo joshet për rrugët kriminale, që s’do sa do sukses të ketë, sado para të grumbullojë, sado pasuri të grumbullojë, do të vijë një ditë që do t’i merren të gjitha, pasi krimi s’mund të jetë model suksesi i biznesit. Dita kur do mësohet kjo, do jemi në rrugën e suksesit për të parandaluar krimin e organizuar”, – tha Lleshaj.

“Për këtë arsye pr/ligji që flasim sot adreson këtë çështje, se si të fuqizojmë kapacitetet e administrimit të pasurive që konfiskohen. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara të marrë kompetenca dhe atribute të reja, që japin efektivitet në administrimin e aseteve. Kemi patur një situatë, që gjykatat caktonin administrator për çdo rast konfiskimi, gjykata me këto ndryshime cakton një administrator, pra agjencinë. Ky është një ndryshim i madh e i rëndësishëm. Ndryshim tjetër, është që një pjesë e aseteve, do të shkojnë në favor të viktimave të krimit të organizuar, agjencive që luftojnë krimin e organizuar, për të rritur forcën goditëse të policisë ndaj krimit të organizuar”, – tha Lleshaj.

“Dua të them me kënaqësi që përpjekja e qeverisë ka shënuar suksese. OFL, që funksionon nga janari, po shënon rezultatet në rritje. Një numër i madh çështjes janë përcjellë tek SPAK dhe po ashtu një numër i madh janë referuar në gjykatë. 48 pasuri të ndryshme, automjete luksoze, resorte, qindra të tjerë në proces. E gjithë përpjekja është orientuar drejt parimit shkatërrim modelit të biznesit përmes krimit. Kjo është një rrugë me garanci për dështim”, – tha Lleshaj. /atsh

Ndryshimet në ligjin Antimafia/ Lleshaj: Luftë aseteve ekonomike të krijuara prej krimit të organizuar Read More »

Braçe reagon ndaj akuzave të Bashës: Banorët e Divjakës në punë, i papuni i Tiranës në plazh

“Natyrisht, një njeri që nuk bën asgjë, nuk punon por punë quan videoselfie, as e ka idenë se ku punohet, kur punohet, sa orë punohet, kur vilet prodhim, kur tregtohet”, deklaroi sot zëvendëskryeministri Erion Braçe, në reagim të akuzave të kreut të PD-së nga Divjaka i cili tha se “plazhet janë bosh, turizmi është në krizë të thellë dhe punonjësit janë përgjysmuar”.

Ndaj, shkon në Divjakë, tha Braçe dhe kërkon njerëzit në ditë pune, orë pune, në resort e restorant, plazh, ndërkohë që ata janë në fushat e serrat e punës.

Braçe shprehet se “në ditë pune sot, në ditë pazari, në orarin e punës kryeministri në fryrje, shkon në Divjakë e bërtet me të madhe, ja plazhi më i bukur i Divjakës, është bosh, s’ka njerëz, nuk pushon njeri, ja plazhi, ja plazhi”.

“Natyrisht, një njeri që nuk bën asgjë, nuk punon, por punë quan videoselfie, as e ka idenë se ku punohet, kur punohet, sa orë punohet, kur vilet prodhim, kur tregtohet. Ndaj, shkon në Divjakë dhe, kërkon njerëzit në ditë pune, orë pune, në resort e restorant, plazh, ndërkohë që ata janë në fushat e serat e punës”, shprehet Braçe.

Po ashtu, Braç shton se “ule kokën dhe shprehu mirënjohjen atyre njerëzve që janë në punë e jo në plazh, prej tyre, tamam atyre në Myzeqe-Divjakë, Lushnje, Berat, Fier, Belsh”.

“E para puna, pastaj restoranti e pishina, puna Lulzim, puna. Puna vlen, puna mban, puna nderon! Ti s’e kupton këtë, ndaj ke ditë që rri tek pishina. E dyta, ti nuk di gjë, ti je thjesht nja nga agjitatorët e hiçit. Ti flet për COVID-19 në Divjakë? Për katër muaj rresht, Divjaka mbeti e pastër, jo me facebook, por me mundin e sakrificat e disa dhjetëra mjekëve të familjes, epidemiologëve, policëve, administratorëve vendorë, të cilët iu gjenden çdo banori, vendas apo kthyer nga emigrimi; Vizituan, karantinuan, mbrojtën nga COVID-19. Hapja e mbushur me të papërgjegjshëm si ty, të pakujdesshëm, solli disa të infektuar në Divjakë; sot, shumica e tyre janë të shëruar dhe një pakicë në shërim e sipër, pa asnjë humbje! Klodi Fish duhet të ta kish thënë këtë. Ashtu siç duhet të detyronte të mbaje maskë, mos jepje dorën, të laje duart”, thekson Braçe.

Po ashtu, Braçe shton se “e treta, kur premton si lopa, të paktën mëso. Urdhëro, njerëzit nuk ishin në plazh sepse çmimi i shalqirit prej dy ditësh është edhe më lart se mesatarja, 170 lekë për kilogram dhe, ata duhet t’i përgjigjen tregut, po vjelin. Janë të ardhurat e punës, jo paratë e premtimeve si lopa”. /atsh

Braçe reagon ndaj akuzave të Bashës: Banorët e Divjakës në punë, i papuni i Tiranës në plazh Read More »

Miratohen 4 projektligje, Kuvendi rrëzon dekretin e Metës

Kuvendi i Shqipërisë në përfundim të seancës së sotme plenare, miratoi katër projektligje dhe katër projektrezoluta, si dhe u rrëzua një dekret i Presidentit të Republikës.

Raporti vjetor i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2019, i cili u prezantua nga Genci Mamani, Drejtori i Përgjithshëm i ADS-së mori miratimin e deputetëve. Projektrezoluta për këtë institucion u miratua me 91 vota pro, 12 kundër dhe 10 abstenim.

Raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë për vitin 2019 u prezantua për deputetët, nga guvernatori Gent Sejko. Projektrezoluta për BSH u miratua me 97 vota pro, 9 kundër dhe 8 abstenime.

Raporti vjetor i Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2019, u paraqit në këtë seancë nga Kryetari i AMA-s, Gentian Salaj. Projektrezoluta për AMA-n u miratua me 84 vota pro, 14 kundër dhe 16 abstenime.

Projektrezoluta “Për vlerësimin e Veprimtarisë së Radio-Televizionit Shqiptar, për vitin 2019”, u miratua me 85 vota pro, 16 kundër dhe 14 abstenime.

Projektligji “Për ratifikimin e ndryshimit të Protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë të ratifikuar “Produkte origjinuese” dhe “Metoda e bashkëpunimit administrativ” , u miratua me 104 vota pro, 7 kundër dhe 5 abstenim.

Projektligji i radhës, në rend dite që u miratua me 107 vota pro, 5 kundër kishte të bënte me “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën e ndryshuar të Organizatës Evropiane të Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT)”.

Projektligji “Për pranimin e vendimit II/1 të palëve, që ndryshon “Konventën e Aarhusit për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”, u miratua me 96 vota pro, 9 kundra dhe 6 abstenim.

Më pas u vijua me shqyrtimin e projektligjit, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar”, i cili u miratua me 91 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenim.

Dekreti i Presidentit të Republikës “Për kthimin në Kuvend të ligjit “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”, u rrëzua me 84 vota kundër, 21 vota pro dhe 8 abstenim./atsh

Miratohen 4 projektligje, Kuvendi rrëzon dekretin e Metës Read More »

Eksodi historik i 2 korrikut/ Basha: Ambasada gjermane dhe seli të tjera diplomatike u shndërruan në qiellin e lirisë për shqiptarët

Kryetari i PD-së Lulzim Basha kujton sot ditën e hapjes e dyerve të Ambasadës gjermane në Tiranë duke e konsideruar goditjen më të fortë të diktaturës komuniste dhe fillimin e ndryshimit të madh për shqiptarët.

Basha shprehet se “si sot 30 vjet më parë hapja e dyerve të Ambasadës gjermane në Tiranë shënoi fillimin e ndryshimit të madh për shqiptarët dhe një nga goditjet më të forta për diktaturën komuniste. Mijëra qytetarë shqiptarë që u strehuan për gati dy javë në Ambasadën gjermane, u bënë ato ditë simboli i qëndresës dhe kurajos ndaj një regjimi që edhe në grahmat e fundit kishte treguar mizori çnjerëzore”.

“Edhe pse në kushte të vështira, Ambasada gjermane dhe të tjera seli diplomatike në Tiranë, u shndërruan në qiellin e lirisë së munguar për mijëra shqiptarë që diktatura ua kishte mohuar të drejtat për 50 vite me radhë. Ditët e nxehta të korrikut ’90 ishin vendimtare për ndryshimin e madh që ndodhi në Shqipëri vetëm pak muaj më pas. Shumë të rinj sot, të lirë për të udhëtuar kudo në Europë, e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë ndodhi ato ditë të nxehta korriku në Tiranë. Të tjerë, në moshë më të madhe i kane ende të freskëta në kujtesë ngjarjet e Rrugës së Ambasadave, pasigurinë për të ardhmen e atyre që ishin brenda dyerve, padurimin për t’u larguar drejt perëndimit të ëndërruar, apo dyzimin dhe frikën e të tjerëve që shihnin nga larg se si regjimi po shkërmoqej”, tha ai.

Po ashtu Basha shtoi se “sot si 30 vjet më parë ëndrra e shqiptarëve që thyen muret e diktaturës për të mos u kthyer më pas është liria dhe Europa. Janë vlerat e një bashkimi që na frymëzon dhe na shtyn përpara. Shqiptarët përmbushën një pjesë të kësaj ëndrre kur 10 vite më parë ne mundësuam liberalizimin e vizave. I jam kthyer jo pak herë me mendje dhe me emocionet e pashlyeshme të 16-vjeçarit, 2 korrikut 1990, e në veçanti ditën kur si Ministër i Brendshëm ndërmora bashkë me një grup të rinjsh dhe studentësh udhëtimin e parë pa viza të shqiptarëve drejt Europës”.

“Le të jetë kjo ditë një shtysë dhe frymëzim për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve, për të rrëzuar çdo mur që na mban larg Europës së cilës i përkasim”, shprehet ai./atsh

Eksodi historik i 2 korrikut/ Basha: Ambasada gjermane dhe seli të tjera diplomatike u shndërruan në qiellin e lirisë për shqiptarët Read More »

Rolando, një nga 10 mijë e 548 qytetarët të cilët kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë në Vlorë

Rreth 169 mijë e 757 qytetarë dhe 46 754 biznese kanë përfituar deri tani nga Paketa e Zgjeruar prej 40 mijë lekë e akorduar nga qeveria shqiptare si ndihmë financiare për të gjithë ata qytetarë që u prekën në punën e tyre, për shkak të masave në kuadër të parandalimit të përhapjes së infeksionit COVID-19.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj publikoi rastin e një prej punonjësve që është përfitues i ndihmës financiare të qeverisë prej 40 mijë lekësh.

Ai është Rolando, punonjës në kompaninë Stamplast. Rolando është një nga 10 mijë e 548 qytetarët të cilët kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë Shqiptare në qarkun Vlorë.

Prej muajit maj bizneset i janë rikthyer aktivitetit të tyre, ndërsa mbetet prioritet zbatimi i protokollit të masave të sigurisë që parandalojnë përhapjen e infeksionit COVID-19./atsh

Rolando, një nga 10 mijë e 548 qytetarët të cilët kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë në Vlorë Read More »

30 vjet nga eksodi historik i shqiptarëve, një kohë për të kuptuar çmimin e lirisë

Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot eksodin historik të shqiptarëve pas rënies së regjimit komunist.

Në videon e publikuar nga Kryeministri Rama shfaqen pamjet e shqiptarëve 30 vjet më parë duke hyrë në ambasadat e huaja dhe në anijet që u nisën drejt Barit, Itali.

“Mirëmëngjes, 30 vjet nga eksodi historik i shqiptarëve, një kohë për të kuptuar çmimin e lirisë dhe dëshirën e zjarrtë të shpirtit shqiptar që u përball me diktaturën dhe luftoi për lirinë”, – thekson Rama.

30 vjet më parë, 2 korrik 1990 mijëra vetë hyjnë në ambasadat e huaja në Tiranë, duke shënuar fillimin e ndryshimit politik në Shqipërinë komuniste. Ai që u quajt si eksodi i madh i shqiptarëve i dha goditjen e fundit regjimit komunist duke u hapur mijëra vetëve portën e lirisë./atsh

30 vjet nga eksodi historik i shqiptarëve, një kohë për të kuptuar çmimin e lirisë Read More »

Një jetë mes metrazheve dhe makinës qepëse, historia e veçantë e Afërditës, 56-vjeçarja që ëndërronte të bëhej arkitekte

Në zonën e pallateve në Unazën e Re në kryeqytet, ndodhet një atelie e vogël, rrobaqepësie. Aty janë të punësuara dy gra, përfshirë edhe pronaren. Ato presin, qepin, qëndisin e mundohen të bëjnë modë sipas kërkesave të klientëve, konceptit të tyre, por edhe tendencave të fundit.

Afërdita Dule nuk është shefe e punishtes, por rrobaqepësja që ideon, skicon dhe që prej 7 vitesh punon tek “Reti Collection” duke ushtruar një profesion që i pëlqen dhe e bën me pasion. Por historia e Afërditës është krejt e veçantë.

Ajo tregon për Agjencinë Telegrafike Shqiptare që dhuntinë e saj e zbuloi që e vogël, e rritur në një familje të kulturuar shkodrane dhe në gjendje të mirë ekonomike.

Pasioni i saj për të qepur e prerë nuk ka ardhur duke u zbehur me kohën, por sipas Afërditës, çdo ditë i duket sikur po merr porosinë e parë, ku nga ai moment kanë kaluar 38 vjet.

“Kam një pasion që pavarësisht se janë punonjëse, unë e bëj punën sikur ta kem dyqanin tim. Kam mbaruar shkollën për konfeksione në Shkodër, për rrobaqepësi. Kam qenë me të gjitha 10-ta, e para shkollës gjithmonë si në 8-vjeçare si në shkollën e mesme. Unë jam rritur në një familje me shumë kulturë, të shkolluar. Babai im ka qenë ekonomist. Jemi rritur me një kulturë të jashtëzakonshme, rrethi familjar i babait kanë qenë intelektualë. Jam rritur në një familje të lumtur në Shkodër, familje model që ma merr mendja që nuk mund të ketë, me një kulturë të jashtëzakonshme të babait dhe mamasë, të cilët na edukuan për ndershmëri dhe pasionin ndaj të lexuarit. Jam rritur me libra, me pasion për artin, pikturën dhe këngën. Si më e madhja e fëmijëve, pas vdekjes së gjyshes, m’u desh që të merresha më shumë me shtëpinë, po ashtu edhe me motrën dhe vëllain që ishin të vegjël. Për shkak se u fejova e vogël, ende pa mbushur 18 vjeç, m’u desh që të hiqja dorë nga ëndrrat e mia për të vazhduar shkollën, edhe pse isha me të gjitha 10-ta”.

Prej tridhjetë e tetë vitesh, ajo gdhihet dhe ngryset mes copave, mes metrazheve e makinës qepëse.

“Pasionin për rrobaqepësinë e kuptova që herët, qëkur bëja rroba për kukullat. Copat nuk më mungonin asnjëherë sepse na vinin nga Ulqini që para viteve ’90. Ne ishim fëmijët më të veshur në Shkodër. Unë shkoja tek rrobaqepëset më të mira në Shkodër, që kur isha e vogël për të qepur rroba sepse ishim në gjendje të mirë ekonomike. Kam pasur një gjysh që ka ditur 5 gjuhë të huaja sepse ka qenë detar. Deri në 1964, gjyshi im ka punuar me anije, ka transportuar mallra në Itali, Serbi e shumë vende të tjera. Kështu që jam rritur në kulturën dhe edukatën e tyre. Pas fejesës nuk mund ta vazhdoja dot shkollën. Më pas kur linda vajzën, nisa të qep për vajzën time të gjitha rrobat me dorë pasi tek familja e re nuk ishim në gjendje shumë të mirë ekonomike. Nisa të punoja në shtëpi, më vinin porosi edhe nga të tjerë dhe nuk u thoja jo. Kurrë nuk kam thënë nuk di, as sot nuk di të them jo nëse me vjen një porosi. Isha vetëm 18 vjeç kur nisa të punoja me porosi. Punoja 22 orë. Kur kisha vajzën vetëm 2 vjeçe, babai im shkoi në Jugosllavi në kohën e partisë së punës dhe më pyeti çfarë doja që të më sillte prej andej. I kërkova një makinë qepëse. Ka qenë makina e parë në Shkodër me korent “bagat’. Pas 1990-ës kam punuar aq shumë sa çdo personi i kam thënë po, mund ta bëj. Edhe në atë kohën kur ishte bosh tregu, unë kam furnizuar tregu, kam fituar nga 1 milion e gjysmë duke punuar tërë natën. Kam punuar për tërë Shkodrën, nga gra pedagogësh deri tek shtresat më në nevojë. Stilimi i rrobave është art. Skicimet i bëj në mendje, nuk kam nevojë për laps e letër. Kostume, fustane fëmijësh, xhupa burrash gra e fëmijë. Kam bërë xhupa për të gjithë mjekët e Shkodrës”, rrëfen ajo.

Afërdita i referohet edhe internetit për të parë modelet e reja, trendet e fundit ndërsa skicimet nuk i hedh asnjëherë në letër, por është mësuar të ideojë në mendje gjithçka. Shumë klientë kërkojnë imitime të fustaneve, xhaketave, pantallonave të brendeve ndërkombëtare si “Dolce Gabbana”, Versace, Valentino, Max Mara apo stilistë të tjerë të famshëm, tepër të shtrenjtë për standardin shqiptar.

“Mua më pëlqen më shumë të pres xhaketa, kostume, fustane, këshilla, pantallona. Mund të them që nuk kam një sektor që preferoj më shumë, mjafton që ta bëj shumë mirë porosinë e klientit dhe ndjej kënaqësi të veçantë”.

Afërdita rrëfen për ATSH-në se ka një moto të veçantë që thotë: Vip është çdo person që hyn në dyqan. Mëgjithëse nuk mohon se ka marrë porosi edhe nga këngëtarë të famshëm shqiptarë mes të cilëve Arilena Ara.

“Kam punuar me çdo lloj shtrese, të pasur, të varfër, të kulturuar apo personazhe të njohur në Shqipëri. Për ne, vip është çdo person që hyn në dyqanin tonë. Kemi marrë porosi edhe nga Arilena Ara. Stilimin e kam thjesht pasion, dhunti nga i madhi Zot, por çdo ditë mësoj gjëra të reja”.

Afërdita tregon se qëndrojnë gjithë ditën në krye të detyrës me dy orë pushim në drekë.

“E hapim në mëngjes në orën 07:30 dhe e mbyllim në darkë në orën 20:00. Kemi shumë punë por në drekë shkëputemi dy orë për të ngrënë dhe për t’u çlodhur”, tregon Afërdita.

Klientët e saj thonë që është e veçantë, jo vetëm për shkak të çmimeve dhe dashamirësinë e saj, por edhe sepse pak kush mund ta besojë, pasi Afërdita të përfundon porosinë me sy ku ndonjëherë edhe përmasat i gjen të sakta sapo sheh klientin. Në këtë atelie vijnë adoleshente, të reja, por edhe gra në moshë. Qepin e presin fustane, pantallona, kostume, këmisha. Të dyja gratë mundohen t’u plotësojnë kërkesat duke iu përshtatur çdo preference të klientit.

“Jam e kënaqur me punën, e bëj me dëshirë. Edhe sikur të më jepnin rrogë më të lartë, nuk do të largohesha sepse jemi në një mendje me shefen, ideojmë të dyja së bashku dhe çdo gjë na shkon mbarë. Jam e martuar e kam dy fëmijë të rritur tani, të shkolluar jashtë vendit pasi kam punuar shumë për ta. Shpesh edhe ata më sjellin shoqet që t’u qep fustane”, – thotë 56-vjeçarja.

Afërdita ëndërronte të vazhdonte studimet për arkitekturë ndërsa ende sot vijon të ushtrojë edhe pasionin e të pikturuarit gjatë kohës së lirë për t’u relaksuar.

Në mes të qëndismave, penjve, por edhe porosive të pafundme, një gjë e dimë tashmë…në duart e Afërditës jemi të sigurt!/atsh

Një jetë mes metrazheve dhe makinës qepëse, historia e veçantë e Afërditës, 56-vjeçarja që ëndërronte të bëhej arkitekte Read More »

Mjekët dhe infermierët e shërbimit të Urgjencës në gatishmëri nga veriu në jug

Mjekët dhe infermierët në shërbimin e Urgjencës nga veriu në jug të vendit janë në gatishmëri për përballimin e situatës së krijuar prej COVID-19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu theksoi se personeli mjekësor bën një punë të palodhur për identifikimin dhe izolimin e çdo rasti të dyshuar me COVID-19, në mjedise të veçanta.

“Punë e palodhur e mjekëve dhe infermierëve në shërbimet e Urgjenës në spitale nga veriu në jug, për identifikimin dhe izolimin e çdo rasti të dyshuar me COVID-19 në mjedise të veçanta, në zbatim të protokolleve antiCOVID, duke garantuar që shërbimi të mos mungojë për nevojat e çdo pacienti. Respektoni rregullat, vendos maskën, ruaj shëndetin”, u shpreh Manastirliu. /atsh

Mjekët dhe infermierët e shërbimit të Urgjencës në gatishmëri nga veriu në jug Read More »