Aktualitet

“Të frikësuarit nga Reforma në Drejtësi janë në sulm”/ Kim: Udhëheqësit të sigurojnë që Kushtetuesja të jetë funksionale

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka publikuar sot një shkrim mbi vendimin e Komisionit të Venecias të cilin e sheh si një mundësi për të ecur përpara.

“Këtë javë, pata mundësinë të vizitoja Krujën, kështjellën e heroit të Shqipërisë, Skënderbeut. Përballë sulmesh të njëpasnjëshme nga forca ushtarake më e madhe e kohës, Skënderbeu nuk u dorëzua. Përkundrazi, bashkoi vendin, refuzoi të hiqte dorë, dhe në fund doli fitimtar pavarësisht të gjitha gjasave. Katër vjet më parë, parlamenti – në përgjigje të kërkesave të popullit shqiptar – miratoi Reformën në Drejtësi. Pavarësisht gjithçkaje, zbatimi ka pasur përparim real: shumica e institucioneve të kërkuara janë ngritur, vetingu ka larguar gjyqtarë dhe prokurorë që nuk shpjegojnë dot pasurinë e tyre, dhe gjyqtarë dhe prokurorë të rinj po trajnohen dhe merren në punë. Reforma në Drejtësi ka qenë e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë në mënyrë që Shqipëria të sigurojë të ardhmen e saj si një anëtar edhe më me vlerë i NATO-s dhe anëtare e plotë e e Bashkimit Europian”, është shprehur Kim.

“Reforma në Drejtësi është në një fazë kritike. Ka bërë përparim të mjaftueshëm për të frikësuar ata që nuk e duan atë, por ende jo aq përparim sa të përmbushë kërkesat e popullit shqiptar për një sistem drejtësie që ka veçori integritetin dhe pavarësinë. Prandaj, ata që kanë frikë nga Reforma në Drejtësi janë në sulm. Ata që e duan Reformën në Drejtësi duhet të gjejnë frymëzim tek fryma e Skënderbeut, tani më shumë se kurrë”, ka theksuar ajo.

“Katër vjet pas përballjes me pengesa të shumta, është e natyrshme të ndjesh lodhje dhe ndoshta shkurajim. Por nëse shohim atë që është përftuar pavarësisht pengesave – dhe se sa shumë mund të përftohet për brezin e ardhshëm – atëherë ky është pikërisht momenti kur duhet të dyfishojmë përpjekjet dhe të shtyjmë përpara drejt synimit tonë”, ka shtuar Kim.

“Opinioni i fundit i Komisionit të Venecias mbi Emërimin në Shqipëri të Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ofron një mundësi për të gjitha palët që të bëhen bashkë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Nuk është rasti për akuza apo valle fitoreje. Asnjë institucion nuk ishte tërësisht fajtor. Asnjë institucion nuk e kishte tërësisht drejt apo tërësisht gabim. Komisioni i Venecias pranon se ekzistojnë interpretime të ndryshme, legjitime të dispozitave ligjore, të cilat “çuan në emërimin me pikëpyetje të dy gjyqtarëve’ për të njëjtin vend në Gjykatën Kushtetuese”, ka nënvizuar ambasadorja Kim.

Kim thekson se, “është me rëndësi që as presidenca dhe as parlamenti nuk është një gjykatë me autoritetin për të vendosur se si duhet ecur përpara kur në legjislacion ka një boshllëk. Komisioni i Venecias vë në dukje se “Varet nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë për interpretimin e dispozitave të Kushtetutës në një situatë që nuk parashikohet në procesin e hartimit.” Kjo këshillë thekson urgjencën e ngritjes së një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Në vend që të ngecin në qëndrimet e tyre, tani është përgjegjësi e udhëheqësve të Shqipërisë që të ndjekin këshillën e qartë të Komisionit të Venecias: “Kultura dhe pjekuria demokratike kërkojnë përmbajtje institucionale, mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë midis institucioneve të shtetit”.

Opinioni i Komisionit të Venecias hap një shteg përpara. Me qëndrimin në detyrë të gjyqtarëve të tanishëm, është e mundur që gjykata të arrijë kuorumin në vitin 2020. Presidenca dhe Parlamenti duhet të angazhohen në dialog përpara se të marrin listat e kandidatëve për emërimet. Edhe një herë, duhet të ekzistojë të kuptuarit e përbashkët të zbatimit për të harmonizuar ndonjë interpretim mosdakordësues të ligjit”, ka nënvizuar ambasadorja Kim.

“Duke rikujtuar shembullin e Skënderbeut, Ambasada e SHBA është në një mendje me Komisionin e Venecias: përballë korrupsionit dhe padrejtësisë – armiku ynë i përbashkët tek dera – populli i Shqipërisë duhet të bashkohet dhe udhëheqësit duhet të përgjigjen për detyrimin e tyre për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale, për t’i dhënë qytetarëve Reformën në Drejtësi që iu detyrohen, dhe për të siguruar të ardhmen e Shqipërisë”, ka shtuar Kim./atsh

“Të frikësuarit nga Reforma në Drejtësi janë në sulm”/ Kim: Udhëheqësit të sigurojnë që Kushtetuesja të jetë funksionale Read More »

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 14 fluturime të konfirmuara për nesër

Tirana International Airport njoftoi sot se janë 14 fluturime të konfirmuara për ditën e premte.

Sipas TIA-s janë konfirmuar për ditën e nesërme fluturimet me kompaninë “Albawings” në linjat Tiranë – Firence dhe kthim, Tiranë – Rimini dhe kthim, Tiranë – Duseldorf dhe kthim, Tiranë – Hamburg dhe kthim, Tiranë –Bari dhe kthim dhe Tiranë – Venecia dhe kthim.

Me kompaninë “Wizz Air” do të fluturohet në linjat Tiranë – Dortmund dhe kthim dhe Tiranë – Bolonjë dhe kthim.

Me kompaninë “Air Albania” fluturohet në linjat Tiranë – Luton dhe kthim; me “Jonika Airlines” në linjën Kiev – Tiranë (Çarter Turistik). Me kompaninë “Air Serbia” në linjën Tiranë – Beograd dhe kthim.

Me kompaninë “Austrian Airlines” në linjën Tiranë – Vjenë dhe kthim. Me “Aegean Airlines”, Tiranë – Athinë dhe kthim dhe me “Belavia” në linjën Tiranë – Minsk dhe kthim.

TIA u kërkon pasagjerëve të kontaktojnë kompanitë ajrore përpara çdo udhëtimi dhe shtetet pritëse për rregullat e karantinës dhe të respektojnë protokollet e higjienës. Sipas TIA-s, maskat janë të detyrueshme.⠀⠀
⠀⠀
“Nisjet nga Shqipëria janë ende të kufizuara për personat që nuk janë të pajisur me leje qëndrimi apo pasaportë për destinacionet e Bashkimit Europian. Lejohen të udhëtojnë vetëm rezidentët në Bashkimin Europian dhe nënshtetasit e Bashkimit Europian”, bën të ditur TIA. /atsh

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 14 fluturime të konfirmuara për nesër Read More »

Meta kthen në Kuvend ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ktheu sot në Kuvend për rishqyrtim ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

Në arsyet e kthimit të këtij ligji Meta shprehet se, “rregullimi i kuadrit normativ në këtë fushë me këtë ligj, duhet parë i lidhur me tre aspekte kryesore.

Së pari, lidhet me gjendjen aktuale në Shqipëri dhe nevojën e përmbushjes paraprake të disa parakushteve dhe standardeve që mundësojnë funksionimin efektiv të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë.

Së dyti, lidhet me rrezikun e shtuar të transaksioneve ilegale, të pastrimit të parave dhe të shmangies fiskale.

Së treti, lidhet me vetë disa problematika që paraqesin dispozita të ligjit dhe shpjegimet e dhëna në relacionin shoqërues”.

“Lidhur me gjendjen aktuale në Shqipëri dhe nevojën e përmbushjes paraprake të disa parakushteve dhe standardeve që mundësojnë funksionimin efektiv të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, Meta thekson se, “rregullimi i emetimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale edhe pse është një risi teknologjike që përmban anë pozitive, në kushtet akutale, për shkak të mungesës së plotësimit të kushteve dhe standardeve që kërkojnë tregje të tilla të regjistrave të shpërndarë, mund të jetë një proces i parakohshëm për t’u miratuar dhe/ose për t`u zbatuar. Kjo për shkak të rreziqeve dhe anëve negative të përdorimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale, që janë të shumta”, tha Meta.

“Ndaj, edhe në këtë rast, është momenti që të reflektohet mbi faktin se, zhvillimi tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, kërkon patjetër plotësimin e parakushteve, në mënyrë të veçantë adresimin e standardeve të dobëta të qeverisjes së korporatave, dhe nga ana tjetër forcimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore mbikëqyrëse të këtyre tregjeve, për të përballuar në kohë rrezikun që mund të shfaqet. Kjo për të rritur nivelin e sigurisë së produkteve financiare dhe të vetë stabilitetit ekonomiko-financiar, në mbrojtje të interesit publik”, shprehet Meta.

Lidhur me rrezikun e shtuar të transaksioneve ilegale, të pastrimit të parave dhe të shmangies fiskale, Meta shton se, “të dhënat publike tregojnë se, në të gjitha vendet ka patur një shqetësim mbi rastet e shumta të mashtrimit nëpërmjet emetimit dhe tregtimit të tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale”.

“Miratimi i ligjeve në këtë fushë mbetet ende një risi dhe për vendet e zhvilluara, ndërsa në Shqipëri, ndërmerren direkt hapa për implementimin e tyre pa një vlerësim të mirëfilltë, vlerësim ky që mungon në praktikën dokumentare parlamentare. Implementimi i dispozitave të tilla ligjore, në një realitet si ky i yni, bart me vete rrezikun e shumëfishimit të rreziqeve negative që kjo risi paraqet në vende të zhvilluara. Këto rreziqe mund të sjellin pasoja sociale brenda familjeve shqiptare dhe pasoja ekonomike, deri në atë masë sa mund të lëkundin stabilitetin e monedhës vendase, rritjen e inflacionit apo të kursit të këmbimit të lekut me monedha të huaja”, nënvizon Meta.

“Ndaj një nismë e tillë, e miratuar pa një vlerësim të thelluar të kushteve ekonomike dhe rregullatore të vendit, që nuk synon të përafrojë asnjë rregullore apo direktivë, rrezikon të cenojë interesin publik në tërësi, për shkak se prek shumë aspekte të jetës dhe veprimtarisë së përditshme”, thekson Meta./atsh

Meta kthen në Kuvend ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” Read More »

“Respektoni rregullat që të fitojmë betejën ndaj COVID-19″/ Manastirliu: Krenare për ekipin e specialistëve të shëndetit publik

“Respektimi i rregullave nga ana e të gjithë qytetarëve ndihmon për të fituar betejën ndaj COVID-19”, shprehet ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu.

Gjithashtu ministrja u bën apel qytetarëve që duke respektuar rregullat të gjithë bashkë do mundemi të fitojmë betejën me COVID-19.

“Kontribuo edhe ti, duke respektuar rregullat! Të gjithë bashkë mundemi ta fitojmë këtë betejë, duke treguar kujdes në të përditshmen tonë”, apelon Manastirliu.

“Ruani distancën 1.5 metër. Mbani maskë/barriera mbrojtëse kur nuk është e mundur të ruhet distanca. Lani shpesh duart. Dezinfektoni dhe ajrosni ambientet”, thekson Manastirliu.

Gjithashtu ministrja ka shprehur edhe njëherë mirënjohjen për punën e palodhshme të ekipit mjekësor dhe gatishmërinë e tyre në ndihmë të të prekurve me COVID-19.

“Vijojnë të bëjnë një punë të palodhur, ditë e natë, që përgjigjet e të dyshuarve për COVID-19 të jenë në kohë reale për të këputur në kohë zinxhirin e transmetimit të infeksionit dhe për të kufizuar përhapjen e virusit të rrezikshëm”, tha Manastirliu./atsh

“Respektoni rregullat që të fitojmë betejën ndaj COVID-19″/ Manastirliu: Krenare për ekipin e specialistëve të shëndetit publik Read More »

Basha: Çdo vonesë dhe zvarritje në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vonon daljen nga kriza politike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sot ndaj shkrimit të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim për vendimin e Komisionit të Venecias për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ripostuar Twitter-in e Ambasadës amerikane ku thuhet se, “duke rikujtuar shembullin e Skënderbeut, Ambasada e SHBA është në një mendje me Komisionin e Venecias: përballë korrupsionit dhe padrejtësisë – armiku ynë i përbashkët tek dera – populli i Shqipërisë duhet të bashkohet & udhëheqësit duhet të përgjigjen për detyrimin e tyre”.

“Çdo vonesë dhe zvarritje në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vonon daljen nga kriza politike dhe mban mbyllur dyert e BE për shqiptarët”, ka theksuar Basha.

“Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese shërben për plotësimin e 2 prej 15 kushteve për hapjen e negociatave dhe për rikthimin e legjitimitetit në qeverisjen vendore”, ka nënvizuar Basha./atsh

Basha: Çdo vonesë dhe zvarritje në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vonon daljen nga kriza politike Read More »

Shahini: UÇK-ja mishërimi i përpjekjes për liri, çdo përpjekje për ta cenuar duhet dënuar

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, e cilësoi sot UÇK-në ushtri çlirimtari dhe mishërimi i përpjekjes për liri.

Në një reagim lidhur me aktakuzat që Prokuroria e Hagës ka ngritur ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Shahini tha se UÇK është themeli i Republikës së Kosovës.

“UÇK-ja ishte ushtri çlirimtare dhe mishërimi i përpjekjes për liri. Ajo është themeli i Republikës së Kosovës. Çdo përpjekje për të cenuar këtë vlerë të Kosovës duhet dënuar nga të gjithë”, tha Shahini./atsh

Shahini: UÇK-ja mishërimi i përpjekjes për liri, çdo përpjekje për ta cenuar duhet dënuar Read More »

“S’mund të mbahet peng Shqipëria deri në Bruksel”/ Ruçi: Të plotësohen vakancat në Gjykatën e Lartë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, deklaroi sot se s’ka arsye ligjore që me mos hapjen e të gjitha vendeve të vakancave në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese të mbahet peng Shqipëria deri në Bruksel.

Duke iu drejtuar kryetares së KLGJ-së, Neureda Llagami, e cila mbajti raportin vjetor të Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë për vitin 2019, Ruçi theksoi se “kam vetëm një sugjerim për ju që është përsëritje e pikës së parë që i është vendosur institucionit që ju drejtoni për vitin 2020 që ka të bëjë lidhur me shpalljen e menjëhershme të të gjitha vendeve të lira në Gjykatën e Lartë dhe përmbylljen sa më shpejt të procesit të plotësimit të këtyre vendeve”.

“Kuvendi, publiku shqiptar dhe partnerët tanë janë të interesuar se kur do të plotësohen vakancat në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese që është rrjedhojë e mosplotësimit të Gjykatës së Lartë? S’ka asnjë arsye as ligjore që ju me mos hapjen e të gjitha vendeve të mbani peng Shqipërinë deri në Bruksel për këtë çështje. Lidhur me këtë rezolutë që Kuvendi do ta votojë sot për këtë pikë qoftë Komisioni përkatës i Ligjeve, qoftë edhe seanca e posaçme për këtë çështje, kur themi të hapen menjëherë dhe të përfundojë sa më shpejt, shumë shpejt të mos jemi tek momenti që të preokupohet Komisioni i Ligjeve për moszbatim të kësaj pike të rezolutës dhe të preokupohet një mbledhje e posaçme e Kuvendit vetëm për mosplotësim të kësaj rezolute”, – theksoi Ruçi.

Kryetarja e KLGJ-së, Neureda Llagami, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve tha se “jemi në fazën e e vijimit të procesit si Këshill për zbatimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa vetingu është proces paralel që bën identifikimin e personave të ekspozuar ndaj korrupsionit. Këshilli ka filluar punën dhe besoj që edhe Këshilli do marrë shumë masa për gjyqtarët e korruptuar apo që ka indicie se janë të tillë”./atsh

“S’mund të mbahet peng Shqipëria deri në Bruksel”/ Ruçi: Të plotësohen vakancat në Gjykatën e Lartë Read More »

Sezon turistik i sigurt/ Vijon dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane për eliminimin e vatrave aktive

Në kuadër të sezonit turistik të sigurt, nga veriu në jug të vendit po vijon procesi i dezinsektimit në zonat bregdetare dhe ato urbane, sipas vatrave të nxehta të përcaktuara nga Institui i Shëndetit Publik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se ky program i rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve dhe për një sezon turistik të sigurt, nuk do të ndalet.

Programi kombëtar i dezinsektimit nuk është ndalur që në javën e parë të muajit maj dhe po vijon në zonat bregdetare dhe urbane për eliminimin e vatrave aktive me prani të larvave të mushkonjave. Ky është një program kontrolli dhe parandalimi i cili po vazhdon të kryhet në zona të rëndësishme për turizmin dhe shëndetin publik.Për një sezon turistik të sigurt, aktualisht kanë përfunduar 3 trajtime në të gjitha zonat dhe ka filluar trajtimi i katërt. Trajtimi i katërt ka përfunduar në zonën e Kavajës, Divjakës, Sarandës dhe Vlorës dhe po vijon në zonën Tiranë-Durrës, Shkodër, Lezhë, Fier.

“Shërbimi i dezisektimit ka vazhduar në vatrat e specifikuara problematike gjatë monitorimit nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor. Monitorimi entomologjik dhe monitorimi i shërbimit është kryer në bazë të një udhëzuesi dhe protokolli pune të hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik”, informoi Manastirliu.

Sipas saj, “shërbimi i dezinsektimit parashikohet të vazhdojë deri në datë 20 tetor 2020”.

Programi i Kontrollit të Mushkonjave bazohet në kontrollin larvor me anë të agjenteve biologjik Bacillus thuringensis israelensis dhe barrierave fizike. Ky është një program kontrolli dhe parandalimi në zona të rëndesishme për turizmin dhe shendetin publik, me vektorë potenciale të pranishëm. Siperfaqet e trajtuara janë vatra pozitive për pranine e larvave të mushkonjave në zona urbane, në ligatina, parqe kombëtare dhe publike, kanale, moçale, puseta, bodrume, gropa septike etj. Në parqet kombëtare është rekomanduar përdorimi i agjenteve biologjik, si e vetmja alternative për kontrollin e mushkonjave dhe ruajtjen e biodiversitetit në këto habitate’.

Procesi i dezinsektimit nisi për herë të parë në vitin 2014, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti i Shëndetit Publik, për të reduktuar praninë e mushkonjave gjatë sezonit turistik, një proces me rëndësi për uljen e mundësisë së transmetimit të sëmundjeve infektive dhe shqetësimeve nga pickimet dhe reaksionet alergjike që shkaktojnë ato në persona të ndjeshëm. /atsh

Sezon turistik i sigurt/ Vijon dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane për eliminimin e vatrave aktive Read More »