Aktualitet

Rama feston 56-vjetorin e lindjes, publikon foton me nënën e tij Anetën

Kryeministri Edi Rama feston sot 56-vjetorin e lindjes. Ai ka ndarë një foto me nënën e tij, Anetën.

“Me gruan që më dha jetën”, shprehet Rama, ndërsa publikon foton nga ambientet familjare, ku duket duke përqafuar nënën e tij.

Kryeministri Rama ka lindur në Tiranë më 4 korrik 1964 dhe është i martuar me Linda Ramën. Ai është baba i dy djemve, Gregut dhe Zahos./atsh

Rama feston 56-vjetorin e lindjes, publikon foton me nënën e tij Anetën Read More »

“Në 2021 fitojmë për Vlorën, për Shqipërinë”/ Spiropali: Qytetet nuk kthehen më tek ata që i mbajtën peng

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali zhvilloi një takim në qytetin e Vlorës nga ku bëri të ditur se nuk do të ndalemi në rrugën e transformimit dhe të zhvillimit, për të mos u kthyer kurrë pas tek ata që qytetet tona i mbajtën peng të politikës së tyre të urrejtjes.

“Bashkë, gra dhe burra, nuk do të ndalemi në rrugën e transformimit dhe të zhvillimit, për të mos u kthyer kurrë pas tek ata që qytetet tona i mbajtën peng të politikës së tyre të urrejtjes. Në 2021-shin ne do të fitojmë për Vlorën, për Shqipërinë”, deklaroi Spiropali.

Ministrja Spiropali mori pjesë në takimin “Përfaqësimi gjinor në Partinë Socialiste, vlerë e forcës politike më progresiste”.

Falë vizionit të Kryeministrit Rama, tha ajo, PS është sot forca politike ku gratë dhe vajzat janë pjesë e pandarë e progresit, në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste, këshilla bashkiakë, administratë, Parlament dhe qeveri.

Në takim morën pjesë disa prej deputeteve dhe përfaqësueseve të Partisë Socialiste./atsh

“Në 2021 fitojmë për Vlorën, për Shqipërinë”/ Spiropali: Qytetet nuk kthehen më tek ata që i mbajtën peng Read More »

I rëndësishëm forcimi i të gjithë masave dhe ruajtja e distancimi fizik”, përfaqësuesja e OBSH-së: Moshat mbi 60 vjeç duhet patjetër të mbajnë maskë

Përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Shqipëri Bettina Menne deklaroi se për të shmangur rimbylljen për shkak të infeksionit të COVID-19, duhen zbatuar masat strike.

Në një intervisë në një nga mediet në vend, përfaqësuesja e OBSH këshillon që të gjithë personat mbi 60 vjeç të mbajnë patjetër maskë.

“Të gjithë personat që janë mbi 60 vjeç duhet të mbajnë patjetër maskë, çdo person që ka një sëmundje duhet të mbajë maskë. Nëse shkoni në spital dhe shikoni se një mjek apo infermier nuk ka maskë, ju lutem ngriheni zërin dhe bëjani të ditur këtë domosdoshmëri atyre”.

Deri tani, theksoi Menen, jemi ende nën numrin 100 të shtruar në spital dhe kjo është një situatë që ka qenë pak a shumë kontastante. Megjithatë, shton Menne, ka shumë mënyra që mund ta kontrollojmë këtë situatë pa qenë e nevojshme që të kalojmë në mbyllje totale sërish, por vetëm me masa të caktuara.

Sipas Menne, është shumë e rëndësishme që të merren të gjitha masat parandaluese dhe sidomos në ambiente të tilla, siç janë instituciontet shëndetësore, spitalet, qendrat shëndetësore e kështu me radhë.

Menne theksoi rëndësinë e të gjitha masave mbrojtëse në kompani të ndryshme industriale, në restorante, në bare dhe të gjitha ato ambiente ku kemi një numër të madh njerëzish të cilët mblidhen aty.

Mbas stinës së verës, thotë Menne, do të kemi shumë shpejt dimrin dhe siç e dimë gripi është një nga sëmundjet që shfaqet më tepër në dimër sepse njerëzit rrinë më tepër në dhoma të mbyllura për një kohë më të gjatë dhe sigurisht që do të rezultojë në një numër më të lartë të sëmurësh dhe në mosha të reja, kryesisht nga 18-50 vjec.

“Ky është skenari le të themi, situata më e keqe që ne kemi parashikuar dhe të shpresojmë, shpresojmë shumë që një vaksinë të arrijë të bëhet e mundur ndoshta për një periudhë maksimale një vjeçare”, deklaron ajo.

Lidhur me debatin mbi shtimin e testimeve, Menne thotë se “nëse rrisim testimet nuk do të thotë se patjetër do të kemi më pak njerëz të infektuar”.

“Mesazhi është i qartë, izolohuni, karantinohuni dhe pastaj mund të testoheni. Vetëm nëse keni simptoma gjatë izolimit, gjatë kësaj periudhe karantine do të testoheni. Pra nuk është vetëm që në fazë të parë testim testim testim”, u shpreh përfaqësuesja e OBSH-së.

Për doktoreshën Menne përgjegjësia e luhatjeve në shifrat e infektimeve është edhe e vetë qytetarëve.

“Është shumë e rëndësishme që të forcohen të gjitha masat paraprake dhe mbi të gjitha të ruhet distancimi fizik. Të rinjtë kanë një rol kryesor në të gjithë këtë proces, për tu mbrojtur, për tu ruajtur dhe për të mos u infektuar, sepse të rinjtë me anë të propagandës, në mediat sociale, në komunikimet që kryejnë ti transmetojnë të tjerëve të gjitha këto mesazhe, duke mbrojtur veten tuaj ju mbroni nënë tuaj, babanë tuaj, gjyshin, gjyshen, të gjithë njerëzit që keni pranë. Ky është mesazhi im kryesor për të gjithë ju për të gjithë njerëzit e këtij vendi të mrekullueshëm”, tha Menne.

Përfaqësuesja e OBSH Bettina Menne tregon se aktualisht ka 18 vaksina kandidate, njëra është në fazën 3, pra në fazën e fundit./atsh

I rëndësishëm forcimi i të gjithë masave dhe ruajtja e distancimi fizik”, përfaqësuesja e OBSH-së: Moshat mbi 60 vjeç duhet patjetër të mbajnë maskë Read More »

Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i Portit të Vlorës/ Komisioni i Ekonomisë takim në Portin dhe Doganën e Vlorës

Në ditën e dytë të vizitës së komisionit të Ekonomisë dhe Financave në qarkun e Vlorës me mbështetjen e OSBE-së u zhvillua një takim informues dhe monitorues në Portin dhe Doganën e Vlorës.

Anëtarët e komisionit dhe drejtuesit e dy agjencive, Kosta Vjerro dhe Admir Malaj diskutuan për problematikat e punës në port dhe doganë shkaktuar nga COVID-19.

Diskutimi u përqëndrua te rishikimi i buxhetit dhe situata e të ardhurave në kushtet e pandemisë, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i Portit të Vlorës, rritja e investimeve për përpunimin e mallrave në kalatat e portit, rritja e eficensës së terminalit të lëvizjes së udhëtarëve etj.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave e zhvilloi takimin, në terminalin e ri të pasagjerëve, ndërtuar nga autoriteti portual në vitin 2019. Ky investim i ka dhënë mundësi portit të Vlorës të konkuroj denjësisht me porte të ngjashme në vende fqinje si Italia dhe Greqia./atsh

Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i Portit të Vlorës/ Komisioni i Ekonomisë takim në Portin dhe Doganën e Vlorës Read More »

Edhe të rinj me simptoma të rënda në Spitalin Infektiv/ Manastirliu: Merrni përgjegjësi individuale për zbatimin e masave mbrojtëse

Në Spitalin Infektiv mes qytetarëve të shtruar, ka të rinj që po trajtohen për simptoma të rënda të shkaktuara si pasojë e COVID19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apeloi sot të rinjtë të zbatojnë rregullat e higjienës personale, distancimin social dhe vendosjen e maskave në mënyrë që të frenohet përhapja e COVID19, duke ndarë edhe një videomesazh drejtuar qytetarëve nga këngëtarja e njohur Julka Gramo.

“Sot në spitalin infektiv mes qytetarëve të shtruar, ka të rinj që po trajtohen për simptoma të rënda të shkaktuara si pasojë e COVID19, sepse virusi nuk bën dallim moshe.
Sot, ka shumë të rinj që me kontaktet e shpeshta me njëri-tjetrin, pa i respektuar rregullat, rrisin mundësinë e përhapjes së infeksionit dhe e përcjellin atë tek prindërit, gjyshërit, duke i vënë ata në rrezik serioz. Vetëm me kontributin e të rinjve, për të marrë përgjegjësi individuale në këtë kohë të pazakontë, përhapja e koronavirusit të rrezikshëm mund të frenohet. Vendose maskën, ruaj distancën, laj shpesh duart, ruaj veten, ruaj të tjerët”, apeloi Manastirliu.

Në vijim të fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë për përdorimin e maskës mbrojtëse, këngëtarja Julka Gramo tha se përdorimi i maskës mbron veten dhe familjarët tanë.

“Unë mbaj maskë të mbroj ty, kështu që të lutem më mbro edhe ti mua. Le të mbrojmë njëri-tjetrin, të mbrojmë familjet tona, të mbrojmë edhe të tjerët. Nëse unë dhe ti mbajmë maskë rreziku i transmetimit të virusit sipas disa statistikave që unë pashë sot ishte vetëm 1.5%”, thotë Gramo. /atsh

Edhe të rinj me simptoma të rënda në Spitalin Infektiv/ Manastirliu: Merrni përgjegjësi individuale për zbatimin e masave mbrojtëse Read More »

Rama uron Festën Kombëtare të Amerikës: Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara

Kryeministri Edi Rama uroi sot 4 Korrikun, festën kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Happy Birthday Amerika. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara”, tha Rama ndërsa ndau një video me disa mesazhe të rëndësishme të presidentëve amerikane, por edhe me pamje nga vizitat në Shqipëri të autoriteteve më të larta amerikane.

Rama veçoi mesazhin e Presidentit Xhorxh Bush, gjatë vizitës së tij në Tiranë, ku deklaroi mbështetjen për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. “Mjaft është mjaft. Kosova duhet të jetë e pavarur. Ky është qëndrimi im. Kosova duhet ta dijë. Ky është një qëndrim i prerë dhe i fortë”, deklaroi Presidenti Bush nga Tirana.

Në video citohet thënia e Presidentit Abraham Lincoln: “Kur bëj mirë ndihem mirë, kur bëj keq ndihem keq”.

Një tjetër mesazh i veçuar përmes kësaj videoje është ai i presidentit Woodrow Wilson: “Ne duhet të besojmë në atë që u mësojmë fëmijëve”.

“Ky komb i madh do të durojë, ashtu siç ka duruar. Do të ringjallet dhe do të begatohet”, Franklin D. Roosevelt.

“Mos pyet çka bërë atdheu yt për ty, por çfarë bën ti për atdheun tënd”, John F. Kennedy.

“Unë kam një ëndërr”, Martin Luther King Jr./atsh

Rama uron Festën Kombëtare të Amerikës: Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara Read More »

Dita e Pavarësisë/ Mesazhi i ambasadores Kim: Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me Shqipërinë për reformat dhe integrimin në BE

“Historia ka treguar se në moment vendimtare, SHBA dhe Shqipëria kanë zgjedhur të jenë pranë njëra-tjetrës, krah për krah. Ne vazhdojmë të qëndrojmë me ju sot dhe do të qëndrojmë me ju nesër, si aleatë të fortë, të lirë dhe të vendosur për të formuar një bashkim më të përsosur”.

Kështu u shpreh sot ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim në një mesazh me rastin e Ditës së Pavarësisë së Amerikës, ku veçon ndër të tjera partneritetin e ngushtë mes dy vendeve.

“Së bashku ne kemi punuar për më shumë se 1 shekull për të formuar një bashkim më të përsosur midis kombeve tona. 100 vjet më parë, SHBA përdorën fuqinë e tyre për të mbështetur një Shqipëri të pavarur dhe shtruan rrugën që ju t’i bashkoheshit Lidhjes së Kombeve në 1920. Presidenti amerikan punoi për të promovuar mirëqenien e përgjithshme të shqiptarëve në mënyrë që ata të gëzonin bekimet e lirisë”, tha ambasadorja Kim.

Për të siguruar një mbrojtje të përbashkët, ajo nënvizoi se, “Shqipëria u anëtarësua në NATO në vitin 2009”. “Që prej asaj kohe Shqipëria ka qenë një partner i besueshëm për sigurinë e rajonit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë krenare krah jush, ndërsa zgjerojmë dhe thellojmë marrëdhëniet tona të mbrojtjes dhe e bëjmë Shipërinë një aleate më të fortë dhe më të aftë”, tha ajo.

Kim u ndal edhe te Reforma në Drejtësi, ndërsa u shpreh se “në vitin 2016, kur Kuvendi miratoi njëzëri Reformën në Drejtësi, vendi hodhi hapat e parë drejt vendosjes së drejtësisë së re në Shqipëri për të çrrënjosur korrupsionin, për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe për të vendosur me vendosmëri sundimin e ligjit”.

“Ky është një proces që kërkon kohë dhe përpjekje për të sjellë rezultate, por si gjithmonë SHBA do të vazhdojnë t’ju mbështesin”, tha ajo.

Sot, vijoi Kim, “Shqipëria është në rrugën drejt një bashkimi tjetër, BE”. “Reformat e nevojshme për këtë do të sjellin më shumë drejtësi dhe begati për popullin shqiptar.
Shtetet e Bashkuara ishin me ju në fillim të këtij procesi dhe ne do të qëndrojmë me ju derisa ju të arrini synimin tuaj”, siguroi ajo.

Në mesazhin e saj, Kim theksoi se “festimi i ditës së pavarësisë së Amerikës këtë vit nuk është si asnjë tjetër. Për herë të parë po përballemi me një pandemi, e cila nuk na ka lënë të mblidhemi në një çati për të festuar ditëlindjen e 244-rt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa duhet të qëndrojmë të distancuar fizikisht, ne amerikanët dhe shqiptarët, jemi po aq afër dhe të bashkuar si gjithmonë. Mbetemi të lidhur nga dashuria dhe mbrojtja e lirisë sonë, e pavarësisë sonë dhe e vizionit tonë të përbashkët për të ardhmen”.

Kim u shpreh se “më 17 shtator 1787, anëtarët e Konventës Kushtetuese nënshkruan draftin përfundimtar të Kushtetutës së SHBA-së”. “52 fjalët e para të këtij dokumenti, në hyrjen e tij, janë disa nga më të fuqishmet në historinë amerikane. Ato thonë: Ne populli i Shteteve të Bashkuara, me qëllim që të krijojmë një bashkim më të përsosur, të vendosim drejtësinë, të sigurojmë qetësinë në vend, të sigurojmë mbrojtjen e përbashkët, të nxisim mirëqenien e përgjithshme dhe të sigurojmë bekimet e lirisë për veten tonë dhe pasardhjen tonë, caktojmë dhe vendosim këtë Kushtetutë të SHBA-së”, tha Kim.

Për dy shekuj e gjysmë, ajo theksoi se, “Amerika ka ndjekur atë ëndërr për të formuar një bashkim më të përsosur. Sipërmarrja jonë demokratike ka arritur sukses në një mënyrë unike dhe të pashembullt në historinë e njerëzimit. SHBA kanë përdorur fuqinë e tyre për të sjellë paqe dhe begati më të madhe, jo vetëm për popullin amerikan, por edhe për botën. Historia e Amerikës është vërtetë një histori unike suksesesh. Sukses që nuk përcaktohet nga mungesa e dështimeve apo gabimeve, por nga vendosmëria jonë për t’u përballur me çdo dështim dhe gabim dhe për të bërë më të mirën. Me fjalë të tjera vendosmëria jonë për t’u përpjekur që gjithmonë të formojmë “një bashkim më të përsosur”. Dhe i tillë është rasti me miqësinë midis Shqipërisë dhe SHBA-së”. /atsh

Dita e Pavarësisë/ Mesazhi i ambasadores Kim: Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me Shqipërinë për reformat dhe integrimin në BE Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 67 raste të reja, 2 humbje jete dhe 45 të shëruar në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 67 raste pozitivë me COVID-19.

Mirela Cami, drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u shpreh se “aktualisht po trajtohen 88 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar”.

Fatkeqësisht 2 qytetarë kanë humbur betejën me Covid19 gjatë 24 orëve të fundit. Një 67 vjeçare dhe një 73 vjeçare, të dyja nga Tirana me disa sëmundje bashkëshoqëruese, kanë humbur jetën në spitalin infektiv, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerave.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 376 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 34 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 6 në Kavajë, 4 në Elbasan, nga 3 raste në Kurbin, Korçë, nga 2 raste në Kukës, Krujë, nga 1 rast në Fier, Lezhë, Lushnje, Kamëz. Në 24 orët e fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar në 1637 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1108 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

COVID-19 – Statistika (4 Korrik 2020)
Testime totale 28409
Raste pozitive 2819
Raste të shëruara 1637
Raste Aktive 1108
Humbje jete 74 (Qarku Tiranë 41, Durrës 12, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 11, Kukës 1, Elbasan 2)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 428
Durrës 199
Shkodër 164
Vlorë 115
Fier 46
Lezhë 59
Korçë 35
Kukës 20
Elbasan 16
Gjirokastër 10
Berat 8
Dibër 8/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 67 raste të reja, 2 humbje jete dhe 45 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »