Aktualitet

“Presidenti t’i rrijë tonit institucional”, Spiropali: Nëse të gjithë bëjnë detyrën, Gjykata Kushtetuese funksionale në korrik

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali tha sot se mandati i tretë i kësaj mazhorance është tejet i rëndësishëm për finalizimin e të gjitha reformave të marra, për të mos pasur një kthim pas.

Ministrja Spiropali, gjatë një interviste televizive, u shpreh se Partia Socialiste është një parti shumë e organizuar në terren dhe organizimi elektoral ka nisur.

“Ne motorët e organizimit tonë partiak i kemi gjithnjë ndezur. Ne jemi një parti shumë e organizuar në territor dhe ka një frymëzim politik që buron nga mazhoranca në Kuvend, nga qeveria, nga reformat e marra dhe nga besimi që kemi për të marrë një mandat të tretë për të përfunduar reformat e nisura dhe çdo kthim pas do ishte fatal. Deklaratat e ish-kryeministrit Berisha apo elementëve të tjerë të opozitës që flasin për rishikim të Reformës në Drejtësi dhe reformave të tjera, që janë reforma të rëndësishme për shtetformimin, janë të rrezikshme. Këto reforma ne do t’i vazhdojmë edhe në mandatin e tretë”,- tha Spiropali.

“Organizimi ynë elektoral në territor ka nisur dhe si bashkëkryetare e PS në Qarkun e Tiranës, duam të vazhdojmë në këtë rugë në Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Vorë dhe sigurisht në Tiranë ku transformimet janë të dukshme”,- tha Spiropali.

Duke folur për Reformën Zgjedhore ajo tha se nuk pati depolitizim të procesit, por vetëm ndarjen e KQZ në tre komisione. “Me forcimin e ligjit për zgjedhjet dhe me depolizitimin do kishim bërë një hap më tej për modernizimin e procesit zgjedhor. Kjo nuk u pranua, por u bë një hap përpara me KQZ, që do të ndahet në tre komisione dhe ku u gjet një rrugë e mesme”, tha Spiropali.

“Lidhur me listat e hapura, ne nuk i kemi hyrë kësaj analize, pasi jemi në fazën ku Këshilli Politik duhet të na sjellë një produkt tërësor. Ne jemi të fjalës e i qëndrojmë marrëveshjes. Jemi të përgjegjshëm që duhet të gjejmë rrugë komunikimi me opozitën parlamentare. Në këtë pikë jemi shumë të qartë, politika është tripolare sot në vendin tonë dhe nuk e kemi realizuar ne këtë trepolarizim, por largimi i PD e LSI nga Kuvendi. Ne do të bëjmë çfarë kemi mundësi për të bërë një Reformë Zgjedhore për t’i shkuar për shtat integrimit në BE”,- tha ministrja Spiropali.

E pyetur për opozitën, Spiropali tha se e sheh opozitën si gjellë e vjetër e ringrohur.

“E shoh në pozitat e atij që do të rikuperojë në një betejë shumë të gjatë humbjesh. I uroj të mira opozitës së vendit tim. S’jam nga ata njerëz që duan ta shohin opozitën të shkatërruar, edhe pse vihet re një tendencë e tillë, nga vendimmarrja e drejtuesve. Bëhet fjalë për kthim të figurave, u bëhet ftesë. Por në dijeninë time ato figura nuk janë larguar nga partia, por janë përzënë. Janë thjesht mëkëmbës. Një pjesë e madhe e PD është ende tek Berisha. PD se ka ‘vrarë babain’ për të ndryshuar qasjen ndaj politikës. Dominohet nga gjuha e urrejtjes, se ka bërë këtë kapërcim kulturor. Besoj se tani pas betejës së tyre të dështuar me miell e bojë në Kuvend, me protesta e sabotime, nuk do ta kenë të lehtë pasi besimi tek ata si forcë politike është rrënuar. S’më takon mua që të bëj një analizë për situatën brenda tyre. Çdo nismë është e mirëpritur në arenën politike. Por më duket si një nismë e re me histori të vjetër. Më duket pak si gjellë e vjetër e ringrohur.”,- u shpreh Spiropali.

E pyetur për pandeminë, Spiropali bëri thirrje për zbatimin e masave antiCovid. “Është një situatë që përsëritet këtu dhe kudo. Rrezikshmëria nuk ka kaluar dhe ende nuk dihen të gjitha karakteristikat apo virulenca e virusit, ndaj është e rëndësishme që të respektohen deri në detaj masat. Dëgjoj teori konspirative mbi mosekzistencën e virusit apo një plan të Ramës për të kontrolluar pushtetet apo dhe të Sorosit për të kontrolluar botën. Nuk mund të dalin qytetarët në protesta tufa-tufa dhe të përfundojnë në spitale, apo akoma më keq, të infektojnë dhjetëra të tjerë. Ne duhet të jemi si ditën e parë, ku qyetarët u treguan shembullorë në zbatimin e masave. Duhet të kemi durim dhe duhet të rrimë vigjilent. Është e papranueshme që të dalim në grupe dhe të bëjmë takime masive pa asnjë maskë. Sistemi shëndetësor ka qenë shembullor. Në këtë luftë ka dhe bluza të bardha, viktima të virusit. I ftoj ata qytetarë që ndoshta nuk besojnë, se në sa kushte të vështira punojnë sistemi shëndetësor. Nuk mund t’i kthehemi një mbyllje të dytë, pasi do të ishte shumë serioze për financat tona”,- tha Spiropali.

“Komiteti i Ekspertëve, Ministria e Shëndetësisë, është në diskutime të vazhdueshme. Nuk e kemi diskutuar çështjen e mbylljes së dytë, pasi do të shkaktonte dëme në ekonominë e vendit. Deri tani nuk ka rrezik për një mbyllje të dytë, ama ministrja e Shëndetësisë merr vendimet e duhura sa i përket situatës. Gjithçka është e mundur”,- shtoi ajo.

Duke folur për Reformën në Drejtësi, Spiropali tha se nëse Presidenti realizon siç duhet emërimet, në fund të korrikut, Gjykata Kushtetuese do jetë funksionale me shtatë anëtarë.

“Ne gjithmonë i kemi vlerësuar opinionet e Komisionit të Venecias. Ato janë të specializuara. Jemi të qartë se në raporte të tilla, nuk ka asnjëherë një fjalë të fundit, por një mënyrë për t’i lexuar. Ne besoj i kemi lexuar drejt dhe kemi marrë vendimet e duhura, për ne Reforma në Drejtësi është shtylla e reformave të ndërmarra nga kjo mazhorancë. Nuk kemi bërë kurrë kompromis e pazare për të. Gjykata Kushtetuese është një nga kushtet që kemi për të ecur përpara. Sa i përket Kuvendit të Shqipërisë, e ka bërë detyrën për përzgjedhjen e dy anëtarëve. Presidenti duhet të zgjedhë anëtarët e tij dhe në fund të korrikut do kemi një Gjykatë Kushtetuese, me 7 anëtarë, nëse të gjithë bëjnë detyrën e tyre”,- tha Spiropali.

“Ne jemi mësuar në fakt me uljet dhe ngritjet e tonit të ardhura nga zyra e presidentit të Republikës. Por vlerësojmë dhe respektojmë tonet institucionale. Pasi ka pasur fatkeqësisht nga zyra e presidentit, deklarata të rënda, aspak profesionale dhe aspak përfaqësuese të popullit. Këtë e kemi deklaruar dhe kemi një komision hetimor. Do të donim që presidenti t’i rrijë tonit institucional, na bën nder të gjithëve”,- nënvizoi Spiropali. /atsh

“Presidenti t’i rrijë tonit institucional”, Spiropali: Nëse të gjithë bëjnë detyrën, Gjykata Kushtetuese funksionale në korrik Read More »

Klosi: Me ligjin e ri të pyjeve, Bashkitë janë pronarë legalë të tyre

“Me ligjin e ri të pyjeve, Bashkitë janë pronarë legalë të tyre”, deklaroi sot ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi.

Në një takim me krerët e bashkive të Prefekturës, Berat ku u diskutua mbi ligjin e ri të pyjeve, Klosi tha se, “ligji i ri i pyjeve, miratuar së fundmi i ndan pyjet në kombëtar, të cilët janë në Zonat e Mbrojtura dhe administrohen nga AKZM dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ndërsa zonat e tjera pyjore jashtë Zonave të Mbrojtura do të administrohen nga Bashkitë dhe njësitë vendore të saj.

“Kjo do të thotë që nga pyjet, të cilat janë në proces regjistrimi kadastral, pasi t’i kalojnë si pasuri pushtetit vendor dhe komunitetit të vilen dhe të ardhura dytësore prej tyre”, tha ai.

“Tashmë me ligjin e ri Bashkitë jo vetëm janë pronarë legalë të pyjeve, por janë dhe përfitues të drejtëpërdrejtë të të ardhurave që mblidhen nga ky aktivitetet, por fatkeqësisht vazhdojmë ti pranojmë pyjet shqiptare si I vetmi burim dhe e vetmja e mirë që na vjen prej tyre janë drutë e zjarrit”, shtoi Klosi.

“Ndërkohë, që në shekullin që jetojmë në 10 vjeçarin 2020/2030, ne duam ta shpallim si një 10 vjeçar që shkon shumë më shumë drejt një ekonomie të gjelbër në vendin tonë. Pyjet nuk duhet të jenë një hambar i madh i druve të zjarrit, drutë duhet të jenë një pasuri kombëtare”, tha ministri Klosi.

“Ne po zhvillojmë një turizëm i cili bazën e ka tek turizmi i natyrës. Kjo do të thotë që kjo pasuri e madhe kombëtare duhet të shfrytëzohet nga komuniteti, apo bizneset në përputhje me ligjet e natyrës, duke e mbrojtur atë”, theksoi ai.

“Pylli është një pasuri e madhe për të prodhuar para, për të prodhuar punësim, për të prodhuar ekonomi”, theksoi Klosi duke rreshtuar disa arsye në favor të pushtetit vendor që do të marrë në administrim këto pyje, si fushata “Clean and Green 2020”, që arriti të mbjellë 20 milionë e 200 mijë pemë.

“Vënia para përgjegjësisë të bizneseve, për të zhdëmtuar dëmin mjedisor, duke bërë pyllëzime, moratoriumi i pyjeve ka dhënë efektet e veta pozitive, pasi nuk ka më prerje të pyjeve masive siç ka ndodhur vite më parë në pyje, duke i lënë kohë rigjenerimit të tij, si dhe krijimi i një tregu të mirë të bimëve medicinale, mbrojtja dhe studimi i bimëve endemike, të rralla në vendin tonë, etj”, tha Klosi./atsh

Klosi: Me ligjin e ri të pyjeve, Bashkitë janë pronarë legalë të tyre Read More »

Basha: Plani ynë ekonomik është taksa e sheshtë 9%

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha sot se “plani ynë ekonomik është taksa e sheshtë 9%.

Basha shprehet se strategjia e Fondi Monetarë Ndërkombëtarë është taksa e sheshtë.

“Taksa e sheshtë 9% dhe plani ynë ekonomik do të inkurajojë investimet e brendshme dhe të huaja, do të nxisë punësimin dhe do të rrisë fuqinë blerëse. Shqipëria në punë, mirëqenia për shumicën dhe jo një pakicë, do të jetë realitet i prekshëm për të gjithë”, tha Basha.

Po ashtu, Basha shton se taksimi i qeverisë zbrazi xhepat e shqiptarëve, rriti çmimet, uli fuqinë blerëse, falimentoi bizneset dhe solli shkatërrimin e ekonomisë në çdo hallkë të saj.

“Raporti i FMN mbështet atë që PD do bëjë realitet: taksimin e thjeshtë dhe transparent”, deklaron ai. /atsh

Basha: Plani ynë ekonomik është taksa e sheshtë 9% Read More »

Sa ulet paga e punonjësve të policisë me propozimin e Bashës

Punonjësit e Policisë, nëse zbatohet taksa e sheshtë 9% e propozuar nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, secili prej tyre do të marrë rreth 8 mijë lekë më pak në muaj apo 98,000 lekë më pak në vit.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj ka reaguar ndaj propozimit të kreut të PD, Lulzim Basha për taksimin e sheshtë 9%.

“Punonjësit e policisë. Të ardhurat mesatare mujore të rreth 7 mijë punonjësve të Policisë së shtetit janë rreth 77 mijë lekë (paga bruto dhe shtesa për vështirë, orë pune natën etj). Aktualisht, këta punonjës marrin pagë neto mujore 62,260 lekë. Nëse zbatohet taksa e sheshtë 9 %, paga e tyre neto mujore do të jetë 61,450 lekë. Pra, seicili prej tyre do të marrë rreth 8 mijë lekë më pak në muaj apo 98,000 lekë më pak në vit. Ndërsa të gjithë 7000 policët së bashku do të paguajnë rreth 690 milionë lekë më shumë taksa në vit”, është shprehur Beqaj./atsh

Sa ulet paga e punonjësve të policisë me propozimin e Bashës Read More »

Punonjësit e transportit do të marrin edhe për muajin qershor pagën e luftës

Punonjësit e transportit publik do të përfitojnë edhe për muajin qershor pagën e luftës.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja bëri të ditur se është rënë dakord që këta punonjës të përfitojnë edhe pagën e muajit qershor.

“Është bërë prezantimi para të gjithë institucioneve të nevojës për pagën e qershorit, për të gjithë llojet e transportit. Bëhet fjalë për një vlerë prej 2.4 milionë euro, pasi përfshihen një numër i madh punonjësish”, tha Gonxhja në një intervistë në media.

Kreu i DPSHTRR theksoi se është bërë një protokoll për funksionimin e transportit publik. Ai u shpreh se zbatimi rigoroz i tij lidhet me nevojën për t’u hapur lëvizja.

“Është bërë një protokoll. Protokollet nuk janë dëshirë, por janë një detyrim reciprok. Nëse duam që Shqipëria të hapet, apo vendet e tjera të hapen ndaj nesh, dhe të qarkullojmë duhet të kemi protokolle të këtyre standardeve. Do të zbatohet protokolli për ato gjëra që janë të nevojshme dhe të realizueshme”, shprehet Gonxhja.

Për sa i përket terminaleve, Gonxhja u shpreh se janë bashkitë ato që do të kryejnë dezinfektimin.

Më tej, kreu i DPSHTRR tha se Taskforca e Transportit Rrugor po kujdeset për kontrollin e zbatimit të masave.

Gonxhja u shpreh se institucionet shtetërore po bashkërendojnë punën për të mbështetur këtë sektor përmes një reforme të qëndrueshme, ku përfshihet edhe krijimi i një rrjeti eficient linjash.

Synimi, sipas tij, është një transport publik cilësor udhëtarësh, pa rritur çmimet për qytetarët dhe duke mbështetur fuqimisht sektorin./atsh

Punonjësit e transportit do të marrin edhe për muajin qershor pagën e luftës Read More »

Shqiptarët dhe turistët do të arrijnë më shpejt Rivierën/ Soreca: BE është krenare që mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës

Bypass-i i Vlorës po merr çdo ditë e më shumë formë, duke u kthyer në një realitet, i cili shumë shpejt do jetë i prekshëm për të gjithë.

Në kilometrat e parë të kësaj vepre ka nisur hedhja e shtresave të asfaltit dhe deri në fund të muajit korrik 11,5 kilometra të këtij aksi do të jenë të asfaltuara.

Paralelisht po vijon puna me ritme të larta edhe në pjesën tjetër të këtij segmenti, përfshi edhe ndërtimin e veprave të artit.

Ambasadori i Bashkimit Europian, në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi sot se BE është krenare që mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës.

“Bashkimi Europian është krenar që mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës me një grant prej 20 milionë eurosh dhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane për Investim prej 18 milionë eurosh kredi secila. Shqiptarët dhe turistët do të arrijnë më shpejt Rivierën, dhe cilësia e jetës në Vlorë do të përmirësohet më tej”, deklaroi ambasadori Soreca. /atsh

Shqiptarët dhe turistët do të arrijnë më shpejt Rivierën/ Soreca: BE është krenare që mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës Read More »

Zbatimi i sistemeve dhe procedurave moderne doganore/ Dogana Shqiptare merr pjesë në Këshillin e Bashkëpunimit Doganor të OBD-së

Përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në Sesionin e 135-të /136-të të Këshillit të Organizatës Botërore të Doganave.

OBD është një qendër ndërkombëtare e njohur për ekspertizën doganore dhe ka një rol kryesor në zhvillimin, promovimin dhe zbatimin e sistemeve dhe procedurave moderne doganore.

Në kushtet e pandemisë COVID-19, takimi i kryetarëve të Delegacionit të Këshillit, i cili u mbajt virtualisht miratoi ndryshimet e propozuara në sistemin e harmonizuar të vitit 2022, të miratuar nga Komiteti i Sistemit të Harmonizuar, rekomandimet e sesionit të 103-të të Komitetit të Financave, konfirmimin për zgjatjen e jashtëzakonshme të përkohshme deri në dhjetor 2020 të mandatit të kryetarit dhe zv/kryetarëve të Komitetit të Auditimit dhe Komisionit të Financave, si dhe konfirmimin për nënkryetarët rajonalë të emëruar në Komisionet e Politikave, Komitetit të Auditimit dhe Komitetit të Financave.

Qëllimi kryesor i Organizatës Botërore të Doganave është rritja e efikasitetit të administratave doganore ku janë anëtare 183 shtete, duke ndihmuar në realizimin me sukses të objektivave të përcaktuara në nivelin kombëtar, në fushën e mbledhjes së taksave, siguria kombëtare, lehtësimi i tregtisë, mbrojtja e shoqërisë dhe mbledhja e të dhënave statistikore. /atsh

Zbatimi i sistemeve dhe procedurave moderne doganore/ Dogana Shqiptare merr pjesë në Këshillin e Bashkëpunimit Doganor të OBD-së Read More »

Ambasadorja e Greqisë në Korçë: Zgjerimi bashkëpunimit ndërkufitar për nxitjen e turizmit

Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Sofia Philippidou vizitoi të premten qytetin e Korçës, ku u prit nga kryetari i bashkisë Sotiraq Filo.
Bashkëpunimi ndërkufitar, ekonomik, kulturor dhe turistik me shtetin fqinj, ishin në qendër të bashkëbisedimit.
Kryetari i Bashkisë së Korçës Filo, bëri një panoramë mbi investimet që janë rritur ndjeshëm vitet e fundit në këtë qytet, veçanërisht në sektorin e turizmit, bujqësisë, përpunimit të produkteve bujqësore etj.
Ai vlerësoi zhvillimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë duke shprehur përkrahjen e tij për zhvillimin e bashkëpunimit midis ndërmarrjeve vendëse e palës greke.
Ambasadorja nga ana e saj, vlerësoi Korçën si një qytet të pasur me trashëgimi kulturore dhe atraksione turistike, të cilat e bëjnë një nga qytetet më të dashura për tu vizituar në Shqipëri. /atsh

Ambasadorja e Greqisë në Korçë: Zgjerimi bashkëpunimit ndërkufitar për nxitjen e turizmit Read More »