Aktualitet

“Shqipëria e bukur”/ Rama publikon foto nga Ksamili, destinacioni më i kërkuar nga turistët

Rëra e bardhë dhe deti Kristal në Ksamil tërheq çdo vit turistët vendas e të huaj për të kaluar pushimet verore.

I ndodhur 12 km larg Sarandës Ksamili ofron një pamjeje mbresëlënëse me ishujt e vegjël shkëmborë me një bimësi të egër të dendur.

Kryeministri Edi Rama në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur” publikoi sot fotografi nga Ksamili, duke ftuar turistët të vizitojnë këtë parajsë të vendit tonë.

Turizmi në plazhet e Ksamilit po rritet çdo vit. Tërheqja kryesore e Ksamilit është e përfaqësuar nga plazhet e tij të kristalta për mijëra turistë që duan të gëzojnë detin e bukur, një tipar pothuajse i të gjitha plazheve në Shqipëri, ku rëra është e mirë dhe e pastër, ndërsa deti ofron një pamje të plotë të jetës marine me qartësinë e tij./atsh

“Shqipëria e bukur”/ Rama publikon foto nga Ksamili, destinacioni më i kërkuar nga turistët Read More »

“Sezon turistik të suksesshëm”/ Kryebashkiaku Leli: Presim fluks turistësh, Vlora destinacion turistik elitar në vitet që do vijnë

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, deklaroi sot se “ne pretendojmë të kemi një sezon turistik të suksesshëm , por e gjithë kjo ka një varësi të fortë nga ajo që ka përgjunjur njerëzimin COVID-19”.

Në një intervistë televizive, kryetari Leli tha se “situata në të cilën ndodhemi na bën të mendohemi të jemi skeptikë, të mendohemi më shumë për të lëvizur dhe absolutisht është e justifkikuar dhe e pritshme pavarësisht përpjekjeve të mëdha që ne jemi duke bërë bashkë me operatorët turistikë në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës, por jo vetëm në Vlorë, në të gjithë Shqipërinë janë duke u përpjekur të sjellin fluks turistësh në qytet”.

“Situata që kemi kaluar , apo që po përjetojmë akoma janë ato ngërçet tek njerëzit që bëjnë më pak skeptikë për të ndërmarrë udhëtime”, – tha Leli.

Duke folur për turizmin, Leli tha se “plazhet në qytetin bregdetar në fundjavë kanë qenë e të populluara, qyteti plot, hotelet kanë një rritje të numrit e të pronotimeve dhe shpresoj se përmirësimi i kushteve atmosferike do të sjellë më shumë vizitorë”.

Më tej ai tha se “qytetarët e Vlorës e duan cilësinë e jetës, infrastrukturën që ju shërben. 450 biznese të reja janë hapur vetëm në Lungomare. Këtu ka pasur situata vetëm të ndërtonin objekte sot ka shumë ndërtues që lejet për pallate duan t’i kthejnë në hotele për t’ju shërbyer qytetarëve. Kemi arritur në një situatë shumë pozitive ku më shumë leje i japim për hotele dhe jo për pallate”.

Lidhur me vendosjen e çadrave në plazhe, Leli tha se “midis hapësirës me çadra ka pjesë pa çadra, janë për banorët që të dalin si turistë të lirë pa pasur nevojë të paguajnë për një çadër. Kjo ka ndodhur brenda të gjithë vijës bregdetare”.

Kryebashkiaku Leli bëri të ditur se “nga zona e tunelit në drejtim të Orikumit do kemi një tjetër projekt, ku do të bëhet rikonstruksion total, do ketë 2 bypass-e që të devijohet trafiku. Do bëhet një shëtitore jo si Lungomare, por me një standard shumë të mire”.

Ai u shpreh se me rikonstruksionin e bulevardit “Ismail Qemali”, Vlora është bërë edhe një atraksion historik.

“Bulevardi Ismail Qemali është rikonstruktuar. Kur isha në Kosovë thashë të ftoj ata që e ndjejnë dhe duan të vijnë në një vend që ka shumë histori. Dhe pastaj të shkosh tek rruga historike ku kaloi Ismail Qemali kaloi tek shtëpia e Marigosë që qëndisi flamurin është diçka e papërsëritshme”, – tha Leli.

Kryebashkiaku Leli tha se “kemi shumë për të bërë, por në sezonin turistik na takon të promovojmë më tepër vlerat të tregojmë anët pozitive, se po të shikojmë problematikat janë aty dhe do vazhdojnë të zgjidhen. Por duhet të ketë një klimë pozitive për të bërë më tepër ekonomi”.

“Qasja pozitive nuk është vetëm politike, por është strategjike për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri Vlora është nga ato potencialet turistike më të rëndësishme qe ne kemi në gjithë territorin e vijës bregdetare dhe çdo investim ka justifikuar shpenzimin e parave publike për të shndërruar Vlorën në destinacionin turistik elitar në vitet që do të vijnë”, – tha Leli. //atsh

“Sezon turistik të suksesshëm”/ Kryebashkiaku Leli: Presim fluks turistësh, Vlora destinacion turistik elitar në vitet që do vijnë Read More »

Ambasadorja Kim nga Vlora: Reformat, të rëndësishme për mjedis të favorshëm për investime

“Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi, janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë”, u shpreh ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, gjatë një takimi që zhvilloi mëngjesin e së hënës me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Kim theksoi se, “këto dy reforma janë të rëndësishme në funksion të forcimit të demokracisë dhe të përmirësimit të mjedisit të favorshëm për investime, qoftë të qytetarëve shqiptarë, por edhe atyre amerikanë në Shqipëri”.

“Ju falënderoj për mbështetjen që ju jepni për SHBA-në këtu në Vlorë”, ju drejtua ajo kryebashkiakut Leli.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Vlorës vlerësoi vizitën e ambasadores Yuri Kim, duke e cilësuar atë shprehje të mbështetjes dhe të vlerësimit për qytetarët dhe qytetin e Vlorës.

“Vizita e një ambasadori të SHBA-së në Vlorë është rikonfirmim i marrëdhënieve të ngushta reciproke mes dy vendeve, një marrëdhënie shumëplanëshe për të cilën ne, shqiptarët jemi krenarë, duke qenë njëkohësisht një nga popujt me amerikandashës në Europë”, theksoi Leli. Sipas tij, kjo është një vlerë e madhe që mbartin shqiptarët.

“Vlerat që ju sillni, janë vlera që rrisin ditë pas dite besueshmërinë tek demokracia, shembulli më i madh i së cilës janë SHBA”, nënvizoi më tej kryebashkiaku Leli.

Ai falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që japin për Reformën në Drejtësi, e cila, sipas tij, “është pika më fondamentale për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të gjithë ata që kanë zgjedhur të ndërtojnë jetën këtu, për fëmijët tanë, për ta parë më më shumë dashuri vendin tonë, Shqipërinë, falë vlerave që po rithemelohen në një dimension tjetër falë mbështetjes së SHBA”.

Leli falënderoi gjithashtu Ambasadoren Yuri Kim për mbështetjen për Reformën Zgjedhore, duke shprehur besimin dhe optimizmin që pas kësaj reforme të ketë të zgjedhur me më shumë vlera, njerëz që e duan këtë vend, që janë përpjekur të jenë korrektë gjatë jetës së tyre për t’u bërë qytetarë të denjë në një sistem vlerash demokratike.

Ai e cilësoi misionin e Ambasadores së SHBA-së, një mision sa diplomatik po aq edhe human, në funksion të konsolidimit të vlerave të demokracisë në Shqipëri.

Leli e cilësoi Vlorën e këtyre 5 viteve, një shembull të bashkëpunimit mes qeverisjes qendrore dhe pushtetit lokal, për ta ndryshuar faqen e qytetit. Ai vlerësoi mbështetjen e Kryeministrit, Edi Rama për Vlorën, në funksion të shndërrimit të saj në një pol shumë të fuqishëm turistik në të gjithë pellgun e Mesdheut, për të patur zhvillim të qëndrueshëm të turizmit dhe për ta përkthyer atë në ekonomi.

“Investimet e realizuara gjatë 5 viteve të fundit në infrastrukturë janë shoqëruar me ndryshime në investime të biznesit, të cilat as nuk mund të mendoheshin pak vite më parë”, tha ai.

Në emër të komunitetit të banorëve të zonës së Babicës, Leli falenderoi Ambasadoren Yuri Kim, për projektin e financimit dhe transformimit të shkollës “Selam Musai” në këtë njësi administrative të Bashkisë Vlorë, me mbështetjen e ushtrisë amerikane.

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ndodhet prej dy ditësh në qytetin e Vlorës. Mbrëmjen e të dielës, ajo ishte në një darkë pune me përfaqësues të shoqërisë civile në këtë qytet, ndërkohë që, në vazhdim do të zhvillojë vizita në objekte muzeale në Vlorë, në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj”, ku funksionon edhe Këndi Amerikan, në mjediset e Bazës Ushtarake të Pashalimanit etj./atsh

Ambasadorja Kim nga Vlora: Reformat, të rëndësishme për mjedis të favorshëm për investime Read More »

Ministri Zemaj: Mosrespektuesit e rregullave do të kenë sanksione ligjore

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se sot nis zbatimi i masave të reja antiCovid-19, të cilat vijnë jo nga dëshira, por nga imperativi i situatës së krijuar nga mosrespektimi i masave liruese.

Ai tha se në mbikëqyrje të zbatimit të masave do të jenë inspektorët e inspektorateve (Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Inspektoratet Komunale, dhe mekanizmat e sigurisë etj). Komunat do të riaktivizojnë plotësisht shtabet emergjente.

“Sot nis zbatimi i masave të reja anti-Covid-19. Jo nga dëshira, por nga imperativi i situatës së krijuar nga mosrespektimi i masave liruese. Mosrespektuesit e rregullave do të kenë sanksione ligjore. Në mbikqyrje të zbatimit të masave do të jenë inspektorët e inspektorateve (Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Inspektoratet Komunale, dhe mekanizmat e sigurisë etj). Komunat do të riaktivizojnë plotësisht shtabet emergjente.

MASAT PARANDALUESE: Për të parandaluar virusin është vendosur që të ndalohet lëvizja në disa komuna gjatë orarit të caktuar, reduktim të numrin të të punësuarve në institucione, reduktim të shërbimeve shëndetësore jo esenciale në institucione shëndetësore, krijim të kapaciteteve të reja testuese në regjione, licencim të institucioneve shëndetësore private për të kryer testime për Covid-19, blerje të 100,000 testeve virologjike, 500,000 vaksinave të gripit sezonal, porosi të vaksinës eventuale kundër Covid-19, blerje të 7 aparateve për testim, sigurim të terapive të Covid-19, pagesë dhe buxhet shëndetësor shtesë për personelin shëndetësor, pajisje mbrojtëse për personelin mjekësor, etj.

Ministria e Shëndetësisë ka përgaditur “Planin e veprimit për zbatimin e procedurave të testimit me Covid-19” që do të zbatohet menjëherë.

KAPACITETET: Institucionet shëndetësore do të rrisin kapacitetet me shtretër dhe pajisje mjekësore për të trajtuar rastet me Covid-19, do të riorganizohen klinikat në SHSKUK-së, do të krijohen kapacitetet shtesë me shtretër në spitalet rajonale, në institucionet private shëndetësore do të krijohen kapacitete shtesë më shtretër, do të riorganizohet dhe rritet personeli mjekësor shëndetësor, mobilizimi stafit mjekësor në nivel vendi, në veçanti shtohen kapacitetet në shërbimin e mikrobiologjisë, infektologjisë dhe shërbimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me rastet Covid-19./KosovaPress/

Ministri Zemaj: Mosrespektuesit e rregullave do të kenë sanksione ligjore Read More »

Përcaktohen zonat prioritare për zhvillimin e akuakulturës/ Kapaciteti rreth 10 mijë tonë peshk në vit

Shqipëria ka përcaktuar tashmë zonat prioritare për zhvillimin e akuakulturës dhe kapacitetet prodhuese pas një studimi të financuar dhe kryer nga ekspertë të Bashkimit Europian.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ishte në Gjirin e Vlorës aty ku ushtrojnë aktivitet 7 subjekte të rritjes së kocës dhe levrekut. Duke iu referuar studimit, ministri tha se kapaciteti i Shqipërisë për zhvillimin e akuakulturës në det është 10 mijë tonë peshk.

Saranda dhe Vlora janë dy zonat prioritare për zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë blu.

“Ka pasur mangësi në një planifikim dhe strategji më të mirë të këtij sektori. Prandaj ne bashkë me ekspertët e huaj përmes fondeve të Bashkimit Europian kemi bërë studimin për të gjithë sektorin dhe kemi arritur në përfundimin që kapaciteti i Shqipërisë për akuakulturë është rreth 10 mijë ton në det. Po të fusim këtu edhe ujërat e brendshëm, pra akuakulturën nëpër liqene artificiale, dhe troftikulturën shkojmë deri në 15-20 mijë ton prodhim peshku nga akuakultura”, tha ministri Çuçi.

Studimi parashikon që koshat ku rritet peshku do të largohen nga bregu me qëllim që edhe impakti mjedisor të ulet duke rritur cilësinë dhe garantuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin.

Në periudhën janar – maj 2020 janë eksportuar rreth 1200 tonë prodhime shqiptare të akuakulturës drejt tregjeve të BE, si prodhime me vlerë të lartë të certifikuar sipas standardeve më të mira, deri edhe në standardin pa asnjë antibiotik, që është shumë i rrallë në Mesdhe

“Edhe pse ne kemi pranë Greqinë dhe Turqinë, që janë kampionë për sa i përket akuakulturës, produktet tona e sidomos këto të Gjirit të Vlorës, konkurrojnë denjësisht në tregjet italiane”, tha ministri Çuçi.

Aktualisht nga subjektet e akuakulturës në Gjirin e Vlorës prodhohen rreth 3200 ton peshk, ndërsa investimet e kryera në stabilimentet e prodhimit vlerësohen në rreth 25 milionë euro.

Tendenca zhvillimit të akuakulturës në botë vlerësohet me rreth 20% rritje. Edhe në Shqipëri prej vitit 2014 akuakultura është rritur me rreth 48%./atsh

Përcaktohen zonat prioritare për zhvillimin e akuakulturës/ Kapaciteti rreth 10 mijë tonë peshk në vit Read More »

Mandati i shqiptares në parlamentin kroat/ Meta: Përfaqësim dinjitoz i komunitetit

Shqiptarja nga Hasi, Ermina Lekaj Prljaskaj ka arritur të fitojë mandatin e deputetes për herë të tretë në zgjedhjet parlamentare në Kroaci.

Fitoren e Ermina Lekaj Prljaskaj e ka përshëndetur edhe presidenti Ilir Meta, i cili është shprehur se “është tepër e rëndësishme që komuniteti shqiptar të ketë zërin dhe përfaqësimin dinjitoz në Parlamentin kroat me një deputete të nderuar, një tregues i lidhjeve të forta tradicionale shqiptaro-kroate”.

“Përvoja e saj është garanci edhe për të ardhmen e shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve”, ka theksuar Meta.

“Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve do t’i japë një impuls të ri forcimit të tyre, si dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë”, ka shtuar Meta./atsh

Mandati i shqiptares në parlamentin kroat/ Meta: Përfaqësim dinjitoz i komunitetit Read More »

Leskaj dorëzon detyrën / Meta: Rol në modernizimin e KLSH

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim ish-kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, me rastin e dorëzimit të detyrës së tij në krye të këtij institucioni tepër të rëndësishëm kushtetues.

Presidenti Meta e falënderoi Leskaj për ushtrimin me përgjegjshmëri të kësaj detyre deri në fund, dhe vlerësoi rolin e tij për modernizimin e KLSH-së, përdorimin e standardeve të auditimit suprem publik të pranuara ndërkombëtarisht (ISSAI-t), për forcimin e llogaridhënies, transparencës, luftës kundër korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike në administratën shtetërore.

Leskaj e falënderoi kreun e Shtetit për mbështetjen maksimale institucionale që i ka dhënë për përmbushjen e detyrës në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjit.

Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi në seancën e 2 korrikut kreun e ri të KLSH-së, Arben Shehun.

Me 108 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi vendosi të miratojë kandidaturën e katërt të propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit./atsh

Leskaj dorëzon detyrën / Meta: Rol në modernizimin e KLSH Read More »

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, projekti më i ri i Rilindjes Urbane në Vlorë

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, projekti më i ri i rilindjes urbane në Vlorë.

Rama tha se Parku i Shtëpisë së Pavarësisë do të marrë jetë së shpejti në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës, deri tek porti.

Ai do të lidhë bulevardin e ri “Ismail Qemali” me Lungomaren.

“Parku i Shtëpisë së Pavarësisë është projekti më i ri i Rilindjes Urbane të Vlorës, i cili do të marrë jetë së shpejti në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës deri tek porti, ku do të lidhë bulevardin e ri Ismail Qemali me Lungomaren. Vlora që duam”, tha Rama./atsh

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, projekti më i ri i Rilindjes Urbane në Vlorë Read More »