Aktualitet

Jap dorëheqjen nëse konfirmohet aktakuza, Kosova shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se “nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqjen si President dhe do të përballem me akuzat”.

Në një mesazh për popullin e Kosovës dhe shqiptarët kudo ku jetojnë, Presidenti Thaçi theksoi se “Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam”.

“Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Europian”, – tha Thaçi.

Presidenti Thaçi u shpreh se “Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.Një shtet europian e një shoqëri multietnike. I them edhe një herë jo hakmarrjes dhe po tolerancës ndëretnike. Vetëm duke ndërtuar demokracinë qytetare ndërtojmë të ardhmen euroatlantike”.

“Kosova duhet të sigurojë funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë. Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejshëm. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, – tha Thaçi.

Më tej, Presidenti Thaçi theksoi se “zemra ime është e lënduar, por jo e thyer. Mendja ime është e rënduar, por jo e turbulluar. Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njëjtësuar me gjakun e bashkëluftëtarëve që humba në luftë. Është i njëjtë me gjakun e atyre që më kanë dashur e më kanë mbështetur pa kursim në këtë rrugëtim për liri dhe shtetndërtim. E në këto çaste edhe me gjakun e atyre që më kanë kundërshtuar, më kanë paragjykuar apo gjykuar ndryshe nga çfarë unë do të dëshiroja”.

“Ndjehem sot, si asnjëherë më parë, krejt i çliruar prej brengave dhe peshës së ballafaqimeve politike. Këto brenga nganjëherë kanë marrë përmasa më të mëdha se sa që e kanë merituar. Kanë mjegulluar në sytë tuaj faktin e thjeshtë se jemi të gjithë bij e bija të kësaj toke dhe të gjithë e duam më të mirën për atdheun tonë, Kosovën”, – tha Thaçi duke shtuar se politika i ka edhe këto.

Është krejt e natyrshme, vijoi ai, që në këtë moment jo të lehtë për mua, më janë kujtuar ata që kanë dhënë jetën për liri.

“E kam kuptuar shumë herët se ne, luftëtarët e UÇK-së, do të paguanim një çmim të madh njerëzor, familjar e politik. Ky është çmimi për lirinë e Kosovës. Është e drejtë që duhet të zbardhet çdo pretendim e çdo akuzë për krime lufte, prej kujtdo dhe kudo që ka ndodh. Bashkëluftëtarët e mi, me disa prej të cilëve paqja na ka ndarë shpesh në taborë të ndryshëm politikë, i kanë sfiduar me forcën e madhe të së vërtetës shumë fabrikime të ulëta dhe në fund pafajësia e tyre ka shkëlqyer mbi plehun e akuzave monstruoze. Njësoj do të jetë edhe me mua dhe me vëllain tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli”, – nënvizoi Thaçi.

Kreu i Shtetit të Kosovës u shpreh se “gabime politike në paqe mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë! Edhe po të kthehesha mbrapa, në kohën e zezë të Sllobodan Millosheviqit, do të bëja të njëjtën gjë, duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke mos i hyrë kurrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar. Por, një gjë më lejoni ta bëj shumë të qartë: Mbi dy dekada i kam mbështetur iniciativat për ngritjen e gjykatave me përfshirje apo mbikëqyrje ndërkombëtare. Ky parim mbetet i njëjtë edhe sot, kur jam unë, Hashim Thaçi, që personalisht do të mund të përballem me një gjykatë për të cilën kam dhënë mbështetjen time politike, me fjalë e me votë. Në atë kohë, kishim përballë vetëm dy rrugë.
Njëra, të cilës i kam besuar tërë jetën e i besoj edhe sot – ecjes përpara në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian; Dhe e dyta, që kjo çështje t’i lihet në dorë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku kanë ndikim të fuqishëm vendet që e kundërshtojnë shtetin e Kosovës”.

Vendimi im, shtoi Thaçi, ishte strategjik në përputhje me vizionin për të ardhmen e Kosovës.

“Dhe nuk kam shikuar për përfitime ditore e politike. Sot, kush thotë se qenkam bërë pengesë, madje edhe sabotues i kësaj gjykate, në rastin më të mirë është i keqinformuar dhe në rastin më të keq është tendencioz. Por, nga ana tjetër, dikush duhet ta bëjë bilancin e këtyre 21 viteve hetime, procese dhe gjykime për krimet e luftës në Kosovë”, – tha Thaçi.

Ai u shpreh se “unë do të isha njeriu më i lumtur nëse do të shihja se bashkësia ndërkombëtare aplikon standarde të njëjta mes Kosovës e Serbisë në adresimin e krimeve të luftës. Fatkeqësisht, jo vetëm që nuk e shoh këtë standard e proporcionalitet, por shoh të kundërtën e tij. Dhe ja ku jemi sot. Serbia ecën në rrugën e negocimeve për anëtarësim europian, ndërsa Kosova nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë! Natyrisht që unë nuk shoh këtu ndonjë komplot kundër Kosovës. Por është fakt dallimi në qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj dy vendeve”.

Presidenti Thaçi tha se “padyshim edhe ne kemi gabimet dhe përgjegjësitë tona. Unë i pari dhe bashkë me mua krejt udhëheqësit e partive politike në Kosovë, që prej disa vitesh nuk kemi arritur ta ruajmë kohezionin politik. Por asnjë faj a gabim i yni apo i imi, nuk e justifikon faktin që Kosova qe 21 vjet vazhdon me proceset e ballafaqimit me krime lufte në hapësirën e saj”.

“E në anën tjetër, në Serbi ka rënë heshtja e varrit për krimet e luftës. Këtë heshtje të Serbisë e bën edhe më të rëndë heshtja e bashkësisë ndërkombëtare. Ne jemi angazhuar, unë personalisht jam angazhuar fuqimisht, për dialog e paqe me Serbinë. Por, nuk pajtohem, as nuk e pranoj dot faktin që për mijëra shqiptarë të zhdukur nga makineria vrastare e Sllobodan Millosheviqit, eshtrat e të cilëve janë në dheun e Serbisë, të mos ketë as deklarata të ndërkombëtarëve”, – theksoi Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se, “a mos vallë duhet të presim edhe ditën kur të na thuhet se duhet t’i kërkojmë falje Serbisë për të zhdukurit tanë, për nënat e motrat tona të përdhunuara, për spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër nesh? Kjo pyetje absurde lind natyrshëm, pasi askujt në Serbi më nuk i kërkohet llogari për krimet e luftës. Megjithatë, nuk dua të zgjatem sot me këtë temë krahasimi të proporcioneve të drejtësisë për krimet e luftës, e cila me siguri do të zërë vend në historinë e drejtësisë dhe politikës ndërkombëtare si një faqe e zymtë e tyre për këto dy dekada”.

“Jetoj për misionin historik të cilit i përkas bashkë me Kadri Veselin, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, e shumë të tjerë që ishin të parët në luftën për liri, por edhe të parët të goditur e të sulmuar pas lufte. Ne nuk shkuam në luftë për të fituar zgjedhje e as për të marrë pushtet. Shkuam ja për të jetuar të lirë, ja për të vdekur për liri! Nuk kishim asgjë përveç ëndrrës së madhe për liri dhe pavarësi. Bashkërisht ëndrrën e bëmë realitet. Por, kalimi nga shtigjet e luftës çlirimtare në korridoret e institucioneve nuk mund të ishte për ne as i thjeshtë, as i lehtë. As nuk e kam mohuar ndonjëherë kur kam qenë në krye të qeverisë, as nuk e mohoj sot, se ashtu siç ka pasur arritje në zhvillimin e Kosovës, po ashtu kam pasur sfida në qeverisje dhe drejtim të shtetit”, – tha Thaçi, duke shtuar se kjo është e natyrshme për një lider.

Por, shtoi ai, një gjë është e sigurt: nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë qoftë edhe një provë të vetme në adresën e Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji.

“Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit”, – tha Thaçi.

Ai theksoi se “nuk gjendet as në Kosovë e askund në këtë botë dikush që t’i kem borxh. Por, kujtdo që ma ka dhënë edhe vetëm një herë votën përgjatë gjithë kësaj pjese të karrierës sime që ende vazhdon, sonte dua t’i them: Më fal, në qoftë se s’kam bërë gjitha ato që ke pritur prej meje, por të jesh i bindur që besimin tënd nuk e kam shpërdoruar”. /atsh

Jap dorëheqjen nëse konfirmohet aktakuza, Kosova shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë Read More »

“Turizmi patriotik i nevojshëm”/ Klosi: Vetëm në 20 ditët e para të qershorit 120 mijë turistë të huaj

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi sot se “këtë vit turizmin patriotik e kemi shumë të nevojshëm dhe bëmë një gjë shumë të madhe e hapëm kufirin të parët në rajon. Vetëm në 20 ditët e para të qershorit janë 120 mijë pasaporta të huaja që janë futur në Shqipëri”.

Në një interviste televizive, Klosi tha se “është një shifër më pak se qershori i 2019-s, ku ishin 600-700 mijë, është një rënie e madhe e lëvizjes, por shpresojmë që në korrik dhe gusht, që ka dhe numrin më të madh të pasaportave të huaja, të ketë më shumë lëvizje”.

Sipas tij, çarteri parë turistik në Europë erdhi në Shqipëri nga Bjellorusia.

“Deri tani nga data 12 kanë ardhur 6 çarterë nga Bjellorusia. Çarteri i parë që Ukraina nxori me turistë ka ardhur në Shqipëri të premten, ndërkohë që do vijnë 5 çarterë në javë nga Ukraina. Ne bëmë disa lëvizje në kuadër të politikave që po ndjek secili shtet për të promovuar Shqipërinë si destinacion i qëndrueshëm”, – theksoi Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “jemi në shifra shumë të mira për sa i përket menaxhimit të koronavirusit”.

Më tej, ministri Klosi u shpreh se “dakordësitë dhe politikat e hartuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit kanë bërë që turizimi të shndërrohet në një degë të rëndësishme të ekonomisë, por që padyshim ka nevojë për ndryshime të mëdha në infrastrukturë. Ka gjithashtu nevojë për investime nga bashkitë për të trajtuar zonat e turizmit, ka nevoja shumë të mëdha për politika fiskale, për politikat e ruajtjes së jetës së qytetarëve nga pikëpamja e rendit dhe shëndetësisë”.

“Është një sektor kaq miks, i cili pa i bërë qytetet të vizitueshme, pa investimet që janë bërë në infrastrukturën rrugore, në të gjithë imazhin e Shqipërisë turistike, por edhe pa investimet e jashtëzakonshme që janë bërë nga komuniteti lokal i biznesit do të ishte e pamundur të kishte progres”, – nënvizoi Klosi.

Ministri Klosi tha se “rritja e shifrave në këto 7 vite të qeverisë së Edi Ramës krahasuar me atë që gjetëm në 2013 është e dukshme. Nga më pak se 3 milionë turistë kemi vajtur në 6.4 milionë turistë e kjo dëshmon që ka një investim të jashtëzakonshëm nga pikëpamja e zhvillimit të infrastrukturës turistike”.

“Këtë vit kemi më shumë të nevojshëm se kurrë turizmin patriotik, në mënyrë që të afërmit tanë të vijnë t’i kalojnë pushimet në Shqipëri”, – tha Klosi./atsh

“Turizmi patriotik i nevojshëm”/ Klosi: Vetëm në 20 ditët e para të qershorit 120 mijë turistë të huaj Read More »

Ophidiaster ophidianus, ylli i parkut detar kombëtar Karaburun-Sazan një nga thesaret më të bukura

Ophidiaster ophidianus, ylli i parkut detar kombëtar Karaburun-Sazan është një nga thesaret më të bukura në këtë vend,

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura tha sot se Ophidiaster ophidianus është një specie e jashtëzakonshme që gjendet në parkun detar kombëtar Karaburun-Sazan.

“I pajisur me 5 krahë cilindrikë dhe me përmasa të diametrit që variojnë nga 20-40 cm, ylli i detit Ophidiaster ophidianus përfaqëson një prej thesareve më të bukura të parkut detar. Gjendet në shkëmbinjtë detarë në thellësi 5 deri 25 m”, shprehet AKZM.

Po ashtu, AKZM shton se Ophidiaster ophidianus mund të ketë ngjyrë të kuqe, lejla apo portokalli.

“Karakteristikë është se nga një krah i këputur i yllit të detit mund të formohet një individ i ri. Marrin frymë nëpërmjet qeskave të vogla të quajtura papilla, të cilat gjenden në sipërfaqe të trupit”, bën të ditur AKZM. /atsh

Ophidiaster ophidianus, ylli i parkut detar kombëtar Karaburun-Sazan një nga thesaret më të bukura Read More »

Shtimi i rasteve me COVID-19/ Meta: Nevojitet strategji konkrete afatgjatë, për përballimin e përhapjes së pandemisë

“Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19, veçanërisht të numrit të viktimave, krahasuar me periudhën e fillimit të pandemisë dhe të karantinës, kërkojnë urgjentisht një reflektim serioz, të përgjegjshëm dhe transparent”, deklaroi sot Meta.

“Nevojitet një strategji konkrete afatgjatë, jo sporadike dhe mediatike, për përballimin dhe vënien nën kontroll të përhapjes së kësaj pandemie që po rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën e qytetarëve”, u shpreh ai.

Gjithashtu, shtoi ai, “është i domosdoshëm një komunikim edhe më intensiv me vendet e rajonit dhe ato të BE, si dhe me OBSH, për të harmonizuar veprimet dhe shkëmbyer informacionin në kohë reale për orientimin e një strategjie që lejon daljen sa më të sigurt dhe të shpejtë nga pandemia”.

“Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre më të dashur, si dhe duke ju uruar shërim sa më të shpejtë gjithë të prekurve, theksoj domosdoshmërinë për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore dhe masave parandaluese”, tha Meta.

“Është me rëndësi jetike rritja e efikasitetit të këtyre masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë vetëm mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare”, u shpreh ai.

“Në veçanti është e domosdoshme të rritet besueshmëria e menaxhimit të pandemisë, tani kur po hyjmë në pikun e sezonit turistik, në mënyrë që të përfitojmë maksimalisht prej tij”, theksoi Meta./atsh

Shtimi i rasteve me COVID-19/ Meta: Nevojitet strategji konkrete afatgjatë, për përballimin e përhapjes së pandemisë Read More »

Ruçi takon Kim: Kuvendi maksimalisht i angazhuar për suksesin e reformës në drejtësi dhe të “Zgjedhores”

Kuvendi është maksimalisht i angazhuar për suksesin e reformës në drejtësi, të reformës zgjedhore dhe realizimin e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.

Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi, të reformës zgjedhore dhe përshpejtimin e plotësimit dhe bërjes funksionale sa më shpejt të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, vuri në dukje se Kuvendi është maksimalisht i angazhuar për suksesin e reformës në drejtësi, të reformës zgjedhore dhe realizimin e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë, si kushte thelbësore për të nxitur e mbështetur progresin e Shqipërisë, konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e vendit./atsh

Ruçi takon Kim: Kuvendi maksimalisht i angazhuar për suksesin e reformës në drejtësi dhe të “Zgjedhores” Read More »

Parashikimi i motit, 29 qershor 2020

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet i kthjellët dhe i nxehtë me vranësira mesatare kalimtare në relievet malore nga orët e mesditës deri ato të pasdites.

Në këto orare, parashikohet shi i izoluar në relievet e larta malore në lindje të territorit.

Era do të fryjë me drejtim juglindje-veriperëndim e lehtë e mesatare në bregdet e pasuar nga valëzim i forcës 2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 20/35 diell
Kukës 18/34 diell re shi
Lezhë 21/34 diell
Dibër 16/31 diell re shi
Durrës 23/33 diell
Tiranë 22/34 diell re
Elbasan 21/35 diell re
Berat 19/35 diell re
Vlorë 21/32 diell
Korçë 17/31 diell re shi
Gjirokastër 19/34 diell re shi
Sarandë 18/32 diell/atsh

Parashikimi i motit, 29 qershor 2020 Read More »

Aktakuza nga Gjykata Speciale/ Thaçi shtyn për nesër daljen para mediave

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte paralajmëruar për sot daljen e tij të parë para mediave pas propozim-aktakuzës nga Gjykata Speciale ndaj tij dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli për qëllim krime lufte.

Dalja për media ishte pritur sonte, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Kjo pasi Zyra e Presidencës ka njoftuar se adresimi publik i presidentit Hashim Thaçi shtyhet për nesër në orën 20:00./atsh

Aktakuza nga Gjykata Speciale/ Thaçi shtyn për nesër daljen para mediave Read More »

Zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, u rrit në mbi 15 mijë tonë në 2019-n

Në vitin 2019, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, ka qenë 15.011 tonë nga 14.875 tonë që ishte në vitin 2018, duke shënuar një rritje me 0,91 %.

Kategoritë ujore të peshkimit janë: det, bregdet, laguna, ujëra të brendshme, akuakulturë dhe molusqe.

Dy janë kategoritë kryesore që zënë përqindjen më të lartë të peshkimit, përkatësisht peshkimi “Detar” me 36,64 % dhe “Akuakultura” me 34,83 %, pasuar nga ujërat e brendshme me 18,46 %, ndaj prodhimit gjithsej.

Në vitin 2019, rritjen më të madhe, e ka shënuar kategoria “Ujërat e brendshme” me 14,20 % të zënieve gjithsej, krahasuar me një vit më parë, ndjekur nga kategoria “Bregdeti” me 8,56 % dhe kategoria “Akuakultura” me 1,77 %.

Kategoria ujore “Laguna” ka pësuar rënie me 73,25 %, krahasuar me një vit më parë, pasuar nga kategoria “Molusqe” me 2,98 %./atsh

Zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, u rrit në mbi 15 mijë tonë në 2019-n Read More »