Aktualitet

Keto jane 2 shenjat e horoskopit që e kanë gjithmonë fatin me vete

Astrologët thonë se shenjat e Horoskopit që vijojnë si më poshtë, e kanë gjithmonë fatin me vete.

Akrepi

Njëlloj si insekti me të njëjtin emër, edhe akrepi i horoskopit duket sikur pickon fatin dhe lumturinë. Edhe pse shquheni për qasjen tuaj jo fort pozitive, në situatat më të vështira duket sikur fati troket pikërisht në derën tuaj. Kjo gjë ju ka ndihmuar t’ua hidhni paq shumë situatave pa u sforcuar. Epo kot nuk thoni, është fati s’ke ç’i bën.

Shigjetari

Është një ndër shenjat më të përkëdhelura të fatit, edhe pse nuk është kurrë në kërkim të tij. Ia dilni të kaloni me sukses çdo sfidë, çdo situatë të vështirë pa u munduar fare. Duket sikur fati është gjithmonë në anën tuaj dhe ju mbron gjithmonë.

Keto jane 2 shenjat e horoskopit që e kanë gjithmonë fatin me vete Read More »

Regjistrimi në bregdetin e Jugut/ Deri tani 3400 pasuri të verifikuara nga Kadastra, dokumentacion i plotësuar

Deri tani rezultojnë rreth 3400 pasuri të verifikuara dhe për të cilat është plotësuar dokumentacioni sa i përket regjistrimit të pronave në jug.

Kadastra Shqiptare njoftoi sot se, “procesi i regjistrimit fillestar në Zonat Kadastrale të Jugut vijon me sukses. Në të tre zyrat e hapura nga Kadastra Shqiptare në Dhërmi, Himarë dhe Lukovë, çdo ditë paraqiten qytetarë që dëshirojnë të informohen rreth dokumentacionit të nevojshëm, si edhe për t’u konsultuar për problematika të mbartura të pronave të tyre”.

“Nga ana tjetër, ekipet e Kadastrës çdo ditë vijojnë matjet në terren për çdo pasuri të veçantë toka, kullota, banesa, etj. Deri tani rezultojnë rreth 3400 pasuri të verifikuara dhe për të cilat është plotësuar dokumentacioni”, thekson Kadastra Shqiptare.

“Meqenëse tashmë kemi krijuar një bazë të madhe të dhënash, të siguruar nga puna në terren, jemi në gjendje të planifikojmë me siguri hapat e mëtejshëm të këtij procesi. Në lidhje me qytetarët, gjeja më e rëndësishme është data se deri kur ata mund të paraqesin dokumentacionin që zotërojnë lidhur me pronat e tyre”, thekson Kadastra Shqiptare.

Kadastra bën të ditur se, “qytetarët kanë kohë deri në momentin e fillimit të afishimit publik, të depozitojnë dokumentacion që ata mendojnë se mund të jetë i nevojshëm në përcaktimin e pronave të tyre”.

“Në disa raste, gjatë kontakteve derë më derë në fshatrat e Bregut, qytetarë të ndryshëm kanë shprehur shqetësimin e tyre që, një pjesë e pronarëve momentalisht nuk gjenden në Shqipëri, pasi janë jashtë atdheut, kryesisht për arsye emigracioni. Në këto kushte, megjithë avancimin e punës tonë, kemi gjykuar që në raste të veçanta të mundësojmë shtyrjen e këtyre afateve, deri në kthimin e këtyre qytetarëve për pushimet tradicionale gjatë muajit gusht”, thekson Kadastra.

Kadastra fton qytetarët që ta mbështesin si deri më sot këtë proces, që mund të përfundojë veç me bashkëpunim.

Kadastra ka paraqitur edhe grafikun e fillimit të afishimit publik të materialit të hartuar nga Kadastra për konsultim publik për t’iu dhënë mundësi qytetarëve të shprehin ankesat e tyre rreth punës së bërë.

2863 Palasë Blloku 1, Java III Dhjetor 2020 Blloku 2, Java II Prill 2021
1739 Gjilekë Blloku 1, Java II Gusht 2020 Blloku 3, Java III Janar 2021
1481 Dhërmi Blloku 1, Java II Tetor 2020 Blloku 3, Java III Shkurt 2021
1982 Ilias Blloku 1, Java I Dhjetor 2020 Blloku 1, Java III Janar 2021
3844 Vuno Blloku 1, Java II Dhjetor 2020 Blloku 2, Java II Prill 2021
1952 Himarë Blloku 1, Java V Shtator 2020 Blloku 4, Java III Shkurt 2021
2518 Lukovë Blloku 1, Java III Shtator 2020 Blloku 3, Java III Shkurt 2021
2806 Nivicë Blloku 1, Java I Janar 2021 Blloku 2, Java III Prill 2021/atsh

Regjistrimi në bregdetin e Jugut/ Deri tani 3400 pasuri të verifikuara nga Kadastra, dokumentacion i plotësuar Read More »

Ndryshimet kushtetuese/ Mbledhja e Këshillit Politik mbahet të hënën në orën 11:00

Të hënën në ora 11:00 pritet të mbahet mbledhja e tryezës së Këshillit Politik me temë diskutimi ndryshimet e miratuara nga Komisioni i Ligjeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Fillimisht ishte Damian Gjiknuri ai që u dërgoi një e-mail anëtarëve të tjerë të Këshillit Politik duke propozuar mbajtjen e një mbledhjeje të hënën ose të martën.

“Duke ndjekur deklarimet e opozitës jashtëparlamentare në lidhje me procesin e shqyrtimit nga Kuvendi të propozimit të deputetëve të opozitës parlamentare, për ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me vullnetin për të ballafaquar pikëpamjet tona përmes dialogut konstruktiv, ju propozoj mbledhjen ditën e hënë apo të martë (përkatësisht në 20 ose 21 korrik, sipas disponimit tuaj), ora 11:00, të një tryeze të Këshillit Politik me temë diskutimi ndryshimet e miratuara nga Komisioni i Ligjeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Gjiknuri.

Më pas ka ardhur edhe përgjigja nga përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, teksa përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, konfirmuan pjesëmarrjen në Këshillin Politik.

“Në emër të opozitës, mirëpresim reflektimin tuaj për të vijuar diskutimin dhe vendimmarrjen konsensuale në Këshillin Politik për çdo çështje lidhur me zgjedhjet, siç kemi rënë dakord me shkrim në Marrëveshjen Politike të 14 Janarit dhe Dakordësinë e 5 Qershorit. Paraprakisht ju konfirmojmë se dokumenti i depozituar nga një grup deputetësh të mazhorancës dhe që përmban produktin e dakordësuar në Tryezën e Këshillit Politik duhet të miratohet sa më parë dhe pa asnjë ndryshim, dhe për këtë arsye, nuk mund të rihapet asnjë çështje që është dakordësuar aty”, u shprehën përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare./atsh

Ndryshimet kushtetuese/ Mbledhja e Këshillit Politik mbahet të hënën në orën 11:00 Read More »

Takimi me të rinjtë/ Soreca: Vlora, qytet i projektuar drejt së ardhmes

Lungomare, një nga projektet më të rëndësishëm të financuara nga BE-ja në Shqipëri, e ka rigjallëruar qytetin e Vlorës. Ai ka ndryshuar jetën dhe biznesin të shumë banorëve, si dhe ka krijuar mundësi të reja për të rinjtë.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ishte në vlorë të mërkurën para fillimit të fushatës Europa është këtu, së bashku me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli. Ata u takuan gjithashtu me një grup të rinjsh që ishin të interesuar të dinin më shumë rreth Erasmus+ dhe programeve të tjera të financuara nga BE-ja për të rinjtë.

“Vlora është një qytet i projektuar drejt së ardhmes. Dhe roli i të rinjve është më i rëndësishëm se kurrë. Programet e shkëmbimit janë një nga mënyrat më të mira që ju të njihni Bashkimin Europian dhe pastaj të sillni përsëri në Shqipëri atë që keni mësuar”, tha ambasadori Soreca gjatë takimit./atsh

Takimi me të rinjtë/ Soreca: Vlora, qytet i projektuar drejt së ardhmes Read More »

Veliaj: Edi Rama do të fitojë më thellë në zgjedhjet e ardhshme, nuk diskutohet që PS është forcë e parë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj shprehet i sigurt se mazhoranca do të fitojë edhe mandatin e tretë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Duke folur për emisionin “Pa protokoll” në Report tv, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Rama do të arrijë një tjetër fitore në 2021 për të vijuar bashkëpunimin edhe me pushtetin vendor.

“Unë mendoj se Edi Rama do të fitojë më thellë në zgjedhjet e ardhshme sepse mendoj se puna titanike për menaxhimin e pasojave të tërmetit, s’besoj se ka nevojë për fushatë. Unë mendoj për fitoren që të kemi një superfitore. Unë jam në këtë punë deri në vitin 2023. Edi Rama do ta fiillojë mandatin e tij në 2021 dhe do ta mbarojë në 2025. Për fitoren këtu nuk diskutohet që PS është forcë e parë. Ne do të synojmë 71 që është fitorja minimale apo 74- 75 që është fitorja komode. Jo komode për të qenë Edi Rama rehat, por komode për punë. Bovilla nuk do ishte inauguruar dje nëse ne do të ishim me atë koalicion që mua më tradhëtoi ditën kur ne miratonim atë investim”, tha Veliaj.

Duke folur për projektet në Bashkinë e Tiranës, Veliaj deklaroi se, në zonat me 24 orë ujë do nisë çmontimi i depozitave.

Veliaj tha se, sot 62 % e Tiranës furnizohet me ujë 24 orë dhe në këto zona do të nisë dhe çmontimi i depozitave në pallate.

“Kur unë mora bashkinë asnjë lagje nuk kishte ujë 24 orë. Sot ka 62% e Tiranës si Xhamlliku, rruga e Durrësit, Tregu çam, Myslym Shyri, Tirana e Re e shumë të tjera. Në zonat ku ka 24 orë ujë do të filloj pak nga pak dhe çmontimi i depozitave në pallat. Zonat e tjera që nuk kanë ujë 24 orë kanë një përmirësim në 15-16 orë furnizim me ujë”, tha Veliaj.

Sa i përket transportit urban, Veliaj tha se rritja e çmimit të biletës së autobusit me 10 lekë bëri që flota e tyre të shtohet me 50 %.

“Kemi pasur në Tiranë 200 autobusë me 30 lekë dhe sot kemi 300 autobusë me 40 lekë pra kemi një rritje të flotës me 100 mjete”, tha ai.

Veliaj tregoi edhe sesi se si po përballohet situata me pandeminë dhe projektet e reja për kryeqytetin.

Veliaj tha se në lidhje me pandeminë Bashkia ka bërë gjithçka që qytetit të mos i mungojë asgjë duke u adaptuar me situatën e re.

“Pandemia ka një kosto të paevitueshme si shtim i pastrimit, dezinfektimit, shtim i kostove për maskat e doreza në institucionet që në menaxhojmë, një ndryshim i buxhetit kur bëhet fjalë për të ardhura që prisje nga turistët, një situatë e vështirë. Çdo fundjavë bëhet dezinfektimi në kopshte e çerdhe që të jenë gati për javën kur rikthehen fëmijët. Tashmë kjo u bë një praktike punë dhe po adaptohemi dhe krahasuar me fillimin, tani po bëhet pjesë e një rutine. Për buxhetin është dashur që të shtyjmë disa investime në një apo dy rrugë dhe se shpenzimet janë fokusuar më shumë tek dezinfektimi dhe çështjet që lidhen me pandeminë. Kostoja ndryshon sa herë shtyhet pandemia dhe çdo gjë është në vazhdim, duhet të presim fundin e vitit për të bërë faturimin e saj. ndryshime dhe reflektime në buxhetë ka pasur vazhdimisht në varësi të situatës me pandeminë, por ndihem mire që qytetit nuk i ka munguar asnjë nga shërbimet”, tha Veliaj./atsh

Veliaj: Edi Rama do të fitojë më thellë në zgjedhjet e ardhshme, nuk diskutohet që PS është forcë e parë Read More »

Vija bregdetare, jo më një aksesor i ekonomisë sociale, por një nga shtyllat e forta të zhvillimit të vendit

Masterplani i zonës së bregdetit do të bëjë që plazhi të mos ketë vetëm detin dhe rërën, por t’i hapë rrugë dhe zhvillimit të shumë aktiviteteve të tjera, duke e kthyer vijën tonë bregdetare të konkurueshme me simotrat e saj europiane.

Kështu theksoi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në dëgjesën publike me grupet e interesit të zhvilluar në Spille.

“Një pasuri e madhe që nuk mund të lihet të zhvillohet papasur plane të menaxhuara saktë të pa ndërtuara të cilat i afrohen standardit të menaxhimit të kohës. Ne nuk mund të pranojmë që vija bregdetare shqiptare të vazhdojë të shikohet si një aksesor i ekonomisë sociale, vija bregdetare shqiptare do të jetë një nga shtyllat e forta të zhvillimit të ekonomisë së vendit”, – tha Klosi.

Tashmë, vijoi Klosi, në diskutimin qeveritar e më pas në parlament do të kemi Ligjin e ri për kontrollin e vijës bregdetare, ligji i ri i cili nuk do të duhet të bie ndesh me interesat e zhvillimit, por duhet të ruaj në mënyrë sa më të plotë një ekulibër të qëndrueshëm ndërmjet kërkesës edhe mundësisë për zhvillim jo vetëm në Spille, jo vetëm në plazhin e Rrogozhinës, Kavajës por gjithë Shqipërisë.

“Pra të kemi zhvillim për të bërë turizëm por edhe të ruajmë pasurinë tonë të madhe kombëtare që kemi, të ruajmë natyrën”, tha Klosi.

Ligji i ri menaxhimit të vijës bregdetare është një ligj, i cili kërkon të ruajë në mënyrë shumë strikte edhe fanatike, vijën bregdetare, e cila është një pasuri e madhe në të cilën nuk do të lejohen ndërtime dhe zhvillime të pa kontrolluara të bizneseve.

“Na duhet ta shohim këtë breg, këtë hapësirë më varka, shumë më tepër jahte, mjete lundruese. Ligji i ri do të përcaktojë rregullat e turizmit detar, të ketë mundësi që të afrojë biznes shumë më tepër në det, por njëkohësisht të kujdesemi shumë më mirë për tokën. Pra ligi i ri dhe plani i ri zhvillimor që ne do të bëjmë për këtë zonë do tu japim mundësi atyre që duan të bëjnë biznes të vërtet përsa i përket zhvillimeve të zonës së Spilles dhe në gjithë zonën”, – tha Klosi.

Kjo është vetëm një dëgjesë e parë e Masterplanit të zonës së bregdetit, e cila do të vazhdojë dhe në zonat e tjera bregdetare./atsh

Vija bregdetare, jo më një aksesor i ekonomisë sociale, por një nga shtyllat e forta të zhvillimit të vendit Read More »

Ekspertja e ISHP-së: Përdorimi i maskës, mjet plotësues për të mos rrezikuar infektimin nga COVID-19

“Përdorimi i maskës në mënyrë të detyrueshme në ambientet e mbyllura duke respektuar rregullat bazë të distancimi, përbën një mjet plotësues për të mos rrezikuar infektimin nga COVID”.

Kështu deklaroi Gentiana Qirjako, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik në një nga mediet e vendit.

Ajo tha se “Akti Normativ që ka dalë ditën e mërkurë lidhet me detyrimin për të mbajtur maskë në të gjitha mjediset e mbyllura, pavarësisht nëse respektohet ose jo distancimi fizik të paktën 1 deri në 1 metër e gjysëm nga njëri-tjetri. Por kjo nuk do të thotë që vetëm përdorimi i maskës është një mjet mbrojtës që të mbron 100% nga transmetimi i sëmundjes. Është një mjet plotësues, duhet ta theksoj këtë sepse njerëzit mendojnë që në momentin që vënë një maskë, i gjithë rreziku kaloi. Jo nuk ka evidenca të tilla. Është një mjet plotësues që shkon paralelisht me të gjithë respektimin e masave të tjera bazike që i kemi thënë tashmë dhe që njerëzit e dinë, që lidhet me distancimin fizik, me larjen e duarve, shmangien e kontakteve të afërta dhe me ruajtjen e higjienës respiratore”.

Sipas saj, gjatë gjithë kësaj pandemie në botë janë mbajtur qëndrime të ndryshme referuar përdorimit të maskave.

“Në nivel botëror, qëndrimet që u mbajtën karshi maskave kanë qenë të ndryshme. Them që është momenti i duhur sepse jemi tashmë në një fazë të transmetimit komunitar të sëmundjes, në disa bashki kjo është një situatë evidente. Kështu që, kur nuk bëhet më i mundur gjurmimi i çdo rasti apo çdo kontakti të rasteve, vendosja e maskave bëhet e detyrueshme”, tha Qirjako.

“Ideale do të ishte që të gjithë njerëzit të përdornin maskat mjekësore por në situatën kur e gjithë bota ka nevojë për maskën mjekësore sidomos personeli mjekësor, të gjithë kemi rënë dakord që këto maska të jenë prioritet për personelin shëndetësor. Për publikun e gjerë, ka alternative të tjera siç janë barrierat apo maska të bëra vetë. Sigurisht, nuk ka evidence të mbajtjes të së njëjtës ngarkesë, filtrimit të ngarkesës virale por padiskutim që ato përbëjnë pengesë sidomos nëse ndjekin disa parametra. OBSH rekomandon që maskat e bëra vetë janë një mjet shumë i mirë tek personat që nuk janë të sëmurë por ndoshta janë asiptomatikë dhe që mund të pengojnë transmetimin e virusit nga personi asiptomatikë tek personat e shëndetshëm. Sipas OBSH-së rekomandohen maska me 3 shtresa ku shtresa e brendshme duhet të jetë material pëlhurë ku qarkullon lehtësisht ajri”, u shpreh ajo. /atsh

Ekspertja e ISHP-së: Përdorimi i maskës, mjet plotësues për të mos rrezikuar infektimin nga COVID-19 Read More »

ADISA nis punën në Elbasan me 19 sportele, dhjetëra shërbime në një zyrë të vetme

ADISA ka filluar punën në Elbasan me 19 sportele që ofrojnë dhjetëra shërbime në një zyrë të vetme.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deputetja e PS-së, Evis Kushi si dhe kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, inspektuan sot nga afër ambientet e ADISA-s, ku qytetarët tani marrin shërbimet në kushte bashkëkohore të infrastrukturës, por mbi të gjitha një shërbim të qytetëruar dhe korrekt.

Zyrat e shërbimeve me një ndalesë i kanë dhënë fund ecejakeve të qytetarëve nga një zyrë në tjetrën, shpenzimeve të panevojshme dhe kanë minimizuar mundësitë për korrupsion në zyrat e shtetit.

Në kushtet e pandemisë një vëmendje e veçantë i është kushtuar ruajtjes së protokollit të sigurisë së qytetarëve dhe punonjësve.

“Jam shumë e impresionuar nga numri i madh i shërbimeve që ofrohen dhe nag cilësia e shërbimeve, sistemi elektronik, menaxhimi i radhës dhe shumë elementë të tjerë që minimizojnë kohën e pritjes së qytetarëve që të mos sorollaten më në zyra të ndryshme. Ne e kemi mbështetur shumë këtë projekt gjigant në gjithë Shqipërinë dhe një nga drejtimet që kemi punuar më shumë ka qenë dixhitalizimi i shërbimeve publike për qytetarët”, tha Kushi.

Ndërsa Balla vlerësoi se “kjo zyrë me standardet më të mira europiane përmbledh pothuajse të gjitha shërbimet publike që qytetarët kanë nevojë të marrin”. “Qytetarët janë të lutur të mos vijnë më vërdallë nëpër zyra, por t’i drejtohet zyrës së ADISA-s që është në pozicion qendror në Elbasan. Janë të lutur të vijnë në këtë zyrë, ku 19 operatorë ofrojnë shërbim. Në kushtet e pandemisë të COVID-19, në hyrjen e çdo zyre shtetërore ka një person që kërkon mbajtjen e maskës, matet dhe temperatura. Gjithashtu dua t’u them edhe punonjësve të ADISA-s që halli i çdo qytetari duhet zgjidhur. Edhe në rast se nuk zgjidhet dot duhet dëgjuar me vëmendje, pasi unë kam bindjen se çdo hall e ka një zgjidhje, por veshi i punonjësit të administratës duhet të jetë i dëgjueshëm”, tha Balla. /atsh

ADISA nis punën në Elbasan me 19 sportele, dhjetëra shërbime në një zyrë të vetme Read More »