Aktualitet

Gjeni sa trekëndësha janë në foto, provoni aftësitë tuaja

Teste të tilla në dukje janë të thjeshtë, por kur mëson përgjigjen pastaj vërtetohet e kundërta.
I tillë është edhe ky rast me disa trekëndësha në foto.

Shikojeni me vëmëndje dhe merrni kohën e nevojshme, pa u nxituar të jepni përgjigje.

Dhe nëse mendoni se e keni gjetur, atëherë jepni përgjigje.

Në foto janë gjshtë trekëndësha. /noa.al/

Gjeni sa trekëndësha janë në foto, provoni aftësitë tuaja Read More »

Bypass-i Vlorës – Drejt përfundimit ‘Rrethrrotullimi i Tragjasit’ (Foto)

Bypass-i Vlorës eshte një ndër veprat më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në jug të vendit dhe deri tani janë realizuar më shumë se 50% e punimeve dhe vijon puna me ritme të larta, në mënyrë që kjo vepër të jetë në një kohë sa më të afërt në dispozicion të qarkullimit të automjeteve.Ky eshte një investim strategjik për Rivierën Shqiptare dhe Njesine Administrative Orikum, që do të sjellë më shumë turizëm, ekonomi, punësim.
Ne afersi te hyrjes per ne fshatin Tragjas, ne piken ku bashkohet me rrugen Orikum-Tragjas eshte bere “Rrethrrotullimi i Tragjasit’ i cili lidh Bypass-in e Vlores me rrugen Orikum_tragjas.

Nje pjese e udhetareve dhe banoreve te zones kane filluar te perdorin rrugen e asfaltuar te Bypassit per vajtjen dhe kthimin nga fshati Tragjas. Tashme ofrohen dy mundesi per te banoret e zones per te shkuar ne fshatin Tragjas dhe anasjelltas,rruga ekzituese e cila del te Ura e Izvorit dhe rruga e re e bypass-it e cila del ne pjesen jug-lindore te Orikumit.

Progresi fizik i punimeve është rreth 50%, ndërsa në rrethrrotullimin në km 0, kanë përfunduar shtresat asfaltike, sinjalistika dhe punimet e gjelbërimit.

Po ashtu ka përfunduar shtresa e parë asfaltike në 9 km gjatë gjithë gjatësisë së projektit. Ka përfunduar montimi i trarëve tek Ura 1, si dhe montimi i trarëve dhe betonimi i soletës tek ura 5.

Bypass-i i Vlorës po ndërtohet me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë.
Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.
Vepra është financim i BERZH, BEI dhe BE-së.
Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me impaktin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. Ajo nis nga Rrethrrotullimi, në fund te autostradës Levan-Vlorë.
Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet.
Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit europian.

Bypass-i Vlorës – Drejt përfundimit ‘Rrethrrotullimi i Tragjasit’ (Foto) Read More »

Film i ri i Holly.wood për familjen Haklaj/ Ky është aktori që do luaj rolin e Fatmir Haklajt

30 milion Euro filmin e ri të Holly.wood it për familjen Haklaj, ky është aktori që do luaj rolin e Fatmirit

Filmi i Hollywood me 4 seri mbi ngjarjet tr agjike në Tropojën e viteve 1990 dhe 2000 do të bëhet realitet. I titulluar “HAKLAJ”.

Filmi do të ketë protagonist Fatmir Haklajn dhe familjen e tij.Projekti-film është ideuar dhe organizuar nga një regjisor suedezo-amerikan, si dhe nga një regjisor shqiptar i krahinës shqiptare të Kosovës. Në rolin e Fatmir Haklaj të jetë Doktor Jurgen Malaj.

Film i ri i Holly.wood për familjen Haklaj/ Ky është aktori që do luaj rolin e Fatmir Haklajt Read More »

Mori pasaportën shqiptare në moshën 102 vjeçare, ndahet nga jeta Shefqet Gavoçi

Është ndarë nga jeta, Shefqet Gavoçi, i moshuari i cili pak muaj më parë u pajis me pasaportë shqiptare.

Një video e regjistruar nga nipi i tij Usama Gavoçi, ku 102-vjeçari i emocionuar puthte pasaportën, u bë mjaft virale në rrjetet sociale.

Kush ishte Shefqet Gavoçi?

Gavoçi rridhte nga një familje patriotike me tradita të forta. Ai ishte djali i madh i imamit Sulejman Gavoçi, i cili ishte një luftëtar i shquar në luftërat kundër serbëve që u zhvilluan nga Shkodra në Tuz. Kjo familje, me shumë ndikim në Shkodër, u detyrua të linte qytetin e tyre të dashur pasi u përcoll nga përkrahësit e Mbretit Zog.

Në vitin 1946 u vendosën në qytetin e Damaskut, Siri. Ndërsa më vonë më shumë shqiptarë erdhën dhe u vendosën në të njëjtin fshat, i cili u bë i njohur si “Fshati Arnaout”, që do të thotë “Fshati shqiptar”.

Kur u vendosën në Siri, qeveria e Enver Hoxhës i hoqi familjes shtetësinë shqiptare.

Shumë dekada më vonë, në moshën 102 vjeçare, Gavoçi arriti të rimerrte shtetësinë aq të dëshiruar shqiptare dhe pasaportën.

“Ai kurrë nuk e harroi origjinën e tij dhe me krenari thoshte se ishte shqiptar”, thotë nipi i tij.

Gavoçi është një shembull i forcës për të gjithë dhe është një shembull frymëzimi për kulturën dhe njerëzit e vendit të tij, pasi ai kurrë nuk u lodh duke ndihmuar popullin e tij për dekada të tëra.

Vitet e fundit të jetës ai i ndau mes Sirisë, Arabisë Sauditë dhe Suedisë.

Mori pasaportën shqiptare në moshën 102 vjeçare, ndahet nga jeta Shefqet Gavoçi Read More »

Akademiku Artan Fuga zbërthen me detaje situatën për detin

Akademiku Artan Fuga e ka cilësuar si shqetësuese për Shqipërinë faktin që Greqia po zgjerohet me 12 milje në detin Jon.

Fuga në një shënim të tijin në Facebook, shkruan se forcimi i komshiut është dobësimi jot, dhe pavarësisht kushteve që ndodh zgjerimi detar i Greqisë, nuk e bën Shqipërinë të thotë s’ka problem.

Sipas Fugës, raporte të reja do të vendosen mes Greqisë e Shqipërisë në rast zgjerimi edhe nëse nuk preket territor.
Po ashtu Fuga kritikon qeverinë që nuk ka një program rritjeje në det duke mos ia ditur vlerën territorit të saj.

STATUSI NGA ARTAN FUGA:
A mundet “rritja” e Greqisë, të jetë “zvoglim” i Shqipërisë?
Shënim
Menjëherë pas kryeministri grek bëri lajmërimin në Parlamentin e shtetit fqinj se Greqia do ta çojë hapësirën e vet ujore në 12 milje, te ne nisën debatet shpesh të hidhura, por edhe në formën e frazave goditëse të ndërsjella midis politikanëve nga të cilat qytetari qendron i hutuar, i habitur, dhe nuk kupton asgjë!
Ka edhe nga ata zemërgjerë, hyjnorë, ëngjëllorë që nuk mungojnë të shkruajnë në media duke u tallur me shqetësimin qytetar, për ta quajtur këtë thjesht një alarm i kotë, me qëllime politike ose për t’u evidentuar. Megjithatë problemi mbetet në rend të ditës dhe shumë serioz.
Pikëpyetjet shumë të mëdha, kurioziteti po ashtu, shqetësimi atdhetar dhe pragmatik është për t’u përgëzuar. Sigurisht unë nuk jam asapk specialist i gjeopolitikës as i hartave dhe as edhe i teknologjive GPS, për të hyrë në detajet e çështjes apo në klauzolat e konventave ndërkombëtare. Megjithëse si cdo qenie racionale, homo sapiens, jam në gjendje t’i kuptoj edhe shpjegimet e specialistëve për konventat edhe hartat e paraqitura. Mirëpo, para se të jetë një çështje teknike, kemi një çështje politike mes dy vendeve, një çështje diplomatike dhe një çështje komunikimi ndërkombëtar.
Imagjinoj në ëndërr sikur nga pesëdhjetë a gjashtëdhjetë deputetë nga ata të listave që janë në Kuvendin e Shqipërisë, të ngriheshin në këmbë dhe të duartorkisnin një fjalim patetik rreth sloganit : Shqipëria po rritet! Do t’u kisha hequr kapelen dhe do të kisha lënë lotë të më rridhnin në faqe. Dhe nëse Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia, Greqia, do të dridheshin nga frika nga ato çaste solemne, ndonjeri nga deputetët do të sqaronte: Mos kini frikë fqinjë të dashur sepse Shqipëria do të rritet vertikalisht, pa u cënuar juve asnjë centimetër të territorit. Do të çpojë më thellë galeritë e minierave nëntokë si edhe do të lëshojë një sondë në galaktikat e ariut të murmë, për të vendosur në yjet e atjeshëm sonda observimi të hapësirës!
Pasi u zgjova nga kjo ëndërr, mendova me një lloj simpatie për fjalimin e z. Kryeministër të vendit fqinj kur e pashë dhe dëgjova te shprehej solmenisht nën duartrokitjet e deputetëve të krahut të tij, se Greqia po rritet, dhe se kjo është realizimi i projekteve sikurse e kuptova të një lloj të kaluare që m’u duk sikur simbolizonte traditën! Një shtet dhe një komb që kërkon të rritet dhe të zmadhohet horizontalisht apo vertikalisht dëshmon që ka nevojë për këtë, një lloj lebensbraum, si edhe ka energji dhe forca për ta realizuar. Kombe të tilla nga energjia që kanë janë për t’u marrë shembull. Se çfarë lidhje ka kjo gjë pastaj me konfliktin Greqi – Turqi për platformat e naftës në det, me dobësimin e kontrollit të BE ndaj politikës të jashtme të vendeve të veçanta, me një lloj gjeopolitike ballkanike ku një sërë vendesh, si ne, kemi status inferior me Greqinë përsa i përket integrimit europian, me politikat e sotme amerikane, me krizën në Biellorusi dhe ndërmjetësimin e OSBE atje, apo me nuk e di se çfarë tjetër, duke vazhduar ta zemë me krizat e familjes mbretërore britanike, etj., kjo është tjetër gjë.
Unë mendoj që politika jonë nuk ka asnjë arsye as se përse zemërohet me shtetin tonë të dashur fqinj të Jugut, por as edhe nuk ka përse deklaron se kjo “rritje” nuk prek Shqipërinë, interesat e saj, prandaj nuk ka përse të shqetësohemi. Sigurisht ka të drejtë të shqetësohet opinioni publik, shyqyr thuaj, ka të drejtë të shqetësohet opozita, ka të drejtë të shqetësohet Presidenti i republikës, madje edhe Gjykata Kushtetuese t’i ngrejë veshët përpjetë. Pa paragjykime, pa stereotipime, por me analiza, informacione dhe shqyrtime të hollësishme dhe shumë të matura.
Ne nuk mund të themi, hajde flemë gjumë sepse interesat e Shqipërisë nuk preken!!! Nëse nuk ka një marrëveshje, nuk ka një sqarim të hollësishëm diplomatik sepse pritet të vijë ministri i jashtëm grek të sqarojë shtetin tonë, ku e dimë ne se ka apo nuk ka probleme për Shqipërinë? Edhe nuk dimë gjë, por edhe e dimë që nuk ka asnjë problem!!! Kjo është një kontradiktë e rëndësishme në arsyetimin llogjik.
Greqia dhe Shqipëria janë dy shtete që nuk kanë asnjë arësye që të mos i zgjidhin në interes të përbashkët çështjet e tyre. Unë nuk dua të mendoj që ndryshimi drastik i ambasadores dhe i stafit të ambasadës të Shqipërisë në Athinë, si edhe kriza e emigrantëve në kufi, të kenë asnjë lidhje me “rritjen” e Greqisë. Por, gjithçka bën vaki në këto kohë të turbullta dhe të pista me Covid19 në botën që jetojmë!
Kryeministri grek i kërkoi ministrit të vet të jashtëm që për vendimin e marrë për “rritjen” e Greqisë, të njoftojë shtetet fqinje si Italinë dhe Shqipërinë! Vendimmarrje krejt zeusiane! E fortë, e vendosur!!! Por, duhet të jemi të qartë dhe mos fshehim hënën pas gishtit! Nuk u konsultua njëherë me Italinë dhe Shqipërinë, por fillimisht deklaroi solemnisht “rritjen” e shtetit të vet, dhe pastaj me një lloj vendosmërie neglizhuese kërkoi të njoftoheshin fqinjët për vendimin e marrë!
Pra, ai e di shumë mirë se çdo rritje, edhe nëse është në det dhe nuk prek territore të tjera, është një ndryshim raporti forcash midis një shteti dhe fqinjëve të tij. I madhi i gjeopolitikës në filozofi Rajmond Aron theksonte se pushteti nuk është një vlerë absolute, por një vlerë relative, pra ka kuptim sesa më i fuqishëm bëhesh ti me një veprim ose mosveprim në krahasim dhe mbi të tjerët me të cilët je në marrëdhënie.
Nisur këtej edhe sikur fare të mos cënohen interesat detare të Shqipërisë, fakti që vendi fqinj mik, Greqia e bukur, shteti i një kombi mik dhe mikpritës i shqiptarëve “rritet”, Shqipëria ka nevojë të reflektojë, të arsyetojë, të masë, të shqetësohet për mirë a keq, dhe jo të thotë “nuk ka problem”. “Rritja” e komshiut sigurisht është dobësimi yt, por pastaj tjetër është sesi krijohen aleancat dhe energjitë më pas.
Unë nuk e di nëse politikanët tanë dhe sidomos qeveritarët e dinë teorinë e shkollës realiste të gjeopolitikës, të themeluar nga Lakostë. Nëse u duhet edhe teoritë e Aronit, Lakostës, etj., mund t’i qëmtojmë me kujdes! Por shkolla realiste e gjeopolitikës ka argumentuar se gjeografia është një një shkencë për të bërë luftë! Nuk ka nevojë të alarmohemi.
Greqia dhe Shqipëria nuk kanë asnjë arsësye për t’u acaruar sepse janë shtete të dy popujve miq që jetojnë pranë e pranë prej shekujsh të tërë. Por, nëse Greqia do të “rritet”, sigurisht nuk është sepse Uliksi do të bëjë shëtitje me varkë nëpër detin Jon duke mos gjetur dot rrugën e kthimit në Itakë!
Sigurisht që shteti fqinj ka interesa ekonomike, financiare, ushtarake, turistike, etj. Nga kjo pikëpamje ne e kemi për detyrë si shtet i Natos si vetë Greqia të dimë çfarë raporti i ri vendoset mes nesh dhe Greqisë në planin e strategjisë të mbrojtjes dhe të sigurimit të rrugëve të kalimit në detin Jon, me rëndësi mesdhetare dhe botërore. Kjo sigurisht nuk është vetëm çështja jonë sepse interesat e vendeve të Aleancës të Atlantikut të Veriut janë gjithashtu aktive dhe në lojë.
Në fjalën e zotit kryeministër grek në Parlament pati edhe nota nostalgjie sepse deklarimi i tij sigurisht bën pjesë në një ëndërr kombëtare. Të gjithë popujt e Ballkanit, mirë a keq, me delir, a me realizëm, me miqësi, a me dhunë, ushqejnë të njejtën ëndërr të “rriten”. Por, nuk ka zbuluar kot psikanaliza që kalimi në realitet nis me censurimin e ëndërrave kur ato sidomos krijojnë neuroza të ndryshme. Edhe ne si popull në të kaluarën kemi ëndërrime të rritjes, ndofta jo në dete, por në tokë patjetër. Sepse ne e kemi harruar detin dhe nuk kemi qenë aq lundërtarë që nga Teuta e këtej. Por, ëndërr rritjeje kemi pasur dhe kemi.
Imagjinoj një grup deputetësh nga këta tanët të komisionit të edukimit dhe medias që në këmbë ngrihen në Komision dhe njeri prej tyre deklaron: Njoftoni Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi se ne do të “rritemi”! Sigurisht komshinjtë tanë grekë, italianë, kombe të zgjuar dhe me humor, do të mbanin barkun me dorë nga të qeshurat!
Prandaj ajo “ëndërra e rritjes” e detyron politikën shqiptare të jetë e kujdeshme dhe ta analizojë mirë semantikën e retorikës politike, duke hequr dorë nga një lloj sigurie e shtirur sikur i ka të gjitha krizat e botës në dorë! Mos harrojmë se jemi një komb e shtet i vogël, mikroskopik në popullsi dhe territor, sado i lavdishëm dhe heroik në tradita! Mos na rrejë mendja shumë!
Ka vend që politika qeveritare të dijë edhe të vërtetat e mëdha që ka përpunuar Fridrih Ratzel i shkollës romantike gjermane të gjeopolitikës. Sado i përdorur keq që teoritë e tij kanë qenë. E them këtë sepse brenda konceptit të tij mbi shtetin si një sistem organicist, shteti i ngjan një peme që për t’u rritur lart i duhet që rrënjët të hapen sa më shumë horizontalisht.
Pra nuk ka kuptim që sikurse është bërë këto ditë, çështja e “rritjes” të Greqisë mike të shihet në mënyrë abstrakte, numerikisht, jo 6 po 8, jo 8 po 12 milje!!! Ratzel thekson se çështja kufitare është një çështje që nuk lidhet thjesht me hapësirën sikur të kemi në hartë figura gjeometrike trekëndësha apo elipsoidë. Një majë mali shpesh vlen sa mijra metra në tokë fushë, një grykë vlen sa mijra kilometra, kujto Torviollin Termopilen, etj., në imagjinatën e popujve tanë, një ngushticë vlen sa mijra dallgë me shkumë deti, një minierë vlen sa pesë krahina. Pra, relievi dhe territori janë realitete konkrete dhe aspak thjesht figura gjeometrike.
Prandaj, mbi gjithçka nuk duhet thënë “s’ka problem”, janë norma konventash ndërkombëtare sepse nuk janë gjeometri, janë gjeopolitikë. Nëse politika qeveritare nuk e kupton këtë do të bënte gabim!
E në fund, sa keq më vjen që ne nuk shpallim dot programe rritjeje në det!!! Sepse suprina e detit te ne është bosh! Peshkimi, turizmi detar në anije, kërkimi i naftës, flota detare, transporti detar, janë braktisur ose asnjëherë menduar si projekte madhështore. Ne po rritemi në Lanë!!! Sepse ne nuk ja dimë vlerat territorit! Por kjo është një çështje që kërkon shqyrtime të tjera dhe që unë personalisht modestisht i kam paraqitur në botimin tim, nga Papirus, “Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë në Shqipërinë pastotalitare” ku argumentoj që ne jo vetëm jemi shtyrë nga fqinjët dhe nga perandoritë në breg të deteve, gati sa nuk na kanë hedhur në det, në kënetë, por edhe atë rryp toke që na ka mbetur, ne e braktisim duke e lënë bosh, e mbledhur si minjtë rreth Lane. Por edhe kjo do biseda të gjate në netë dimri ku brenda ka zjarr në vatër dhe jashtë Covid.

Akademiku Artan Fuga zbërthen me detaje situatën për detin Read More »

Parashikimi i motit për të dielën

Po kalon kështu një ditë tjetër e kthjellët dhe e nxehtë, kryesisht në zonat e ulëta dhe bregdet.

Dita e fundit e kësaj jave, e diela 30 gusht, parashikohet përgjithësisht me diell e vranësira të lehta kalimtare.

Era, do të fryjë juglindje e veriperëndim e lehtë në tokë.

Në të gjithë vijën bregdetare era përkohësisht do të fitojë shpejtësi mesatare në mesditë.

Valëzimi në dete parashikohet i forcës 2 dhe 3 ballë.

Temperaturat parashikohen në:

zonat malore 17°C deri në 30°C zonat e ulëta 18°C deri në 37°C zonat bregdetare 20°C deri në 34°C

Parashikimi i motit për të dielën Read More »

Rama për detin: Nuk bën vaki të tradhëtoj amanetin e të parëve të mi

“Shoh që vazhdojnë disa të shajnë e të mallkojnë, lidhur me “shitjen” e detit dhe meaezallah se hanë pykë, kur u thua nuk ekziston as shitja, as falja, as vetë marrëveshja për detin!”, ishte reagimi i fundit i kryeminisrit Edi Rama mbi çështjen e detit, në kufirin me Greqinë.

“Për kufijtë mes dy shteteve s’mund të ekzistojë asnjë marrëveshje e fshehtë”, – tha Rama.

“E drejta e 12 miljeve buron nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtës së Detit dhe Greqia nuk ka kufij detarë vetëm me Shqipërinë, po edhe vende të tjera, kështu që kryeministri grek është në të drejtën e vet kur flet në parlamentin e tij, për detet e Greqisë” – nënvizoi kryeministri.

“Ndërkohë, për sa i përket deteve tona, Shqipëria e ka ushtruar në vitin 1990 të drejtën e saj të shtrirjes në ato milje, në bazë të asaj konvente ndërkombëtarë të vitit 1982. Zgjerimi i bërë nga Shqipëria në marsin e 1990-ës është depozituar në Kombet e Bashkuara dhe as është kontestuar, as mund të kontestohet nga Greqia.”

Rama tha se nuk ka diskutuar asnjëherë me kryeministrin grek për këtë çështje.

“Mbajeni vath në vesh dhe as kur ju bie në kokë rakia e pështirë e fuçive politike e mediatike mos e vini kurrë në dyshim, se nuk bën dot vaki që unë të tradhëtoj amanetin e katragjyshërve e stërgjyshërve të mi, nga gjaku familjar apo nga gjaku shpirtëror; as amanetin e Kristaq Ramës së parë, stërgjyshit tim që shkriu pasurinë për hapjen e shkollave shqipe dhe nënshkroi në Durrës pavarësinë e Shqipërisë; as amanetin e Odise Kasnecit, stërgjyshit të Anetës dhe mikut për kokë të Abdyl Frashërit, që ishte anëtar i Lidhjes së Prizrenit dhe u vra si përhapës i gjuhës shqipe nga një komando ekstremistësh grekë të asaj kohe; as amanetin e atij Plakut të Vlorës, që e mbaj mbi kokë çdo ditë në zyrën time, as amanetin e Imzot Nolit, që më mësoi shqipen e gjuhës e të Faik Beut, që më mësoi shpatën e gjuhës dhe as, as, as… me radhë se janë shumë që t’jua numëroj këtu”, – tha kreu i qeverisë, përmes një reagimi të gjatë.

REAGIMI I PLOTE I EDI RAMA

NJE KOMERDARE LOGJIKE PËR ATA QË DUAN TË DALIN NGA LOJA E DETIT, DY FJALË PËR GREQINË DHE NJË VATH NË VESH NGA UNË PËR JU

Padija nuk është faj, askush nuk i di të gjitha dhe sa të rrosh do mësosh, thotë populli. Faj është ta ushqesh padijen, ta shfrytëzosh padijen, ta ushtrosh padijen si armë ndaj tjetrit.

Shoh që vazhdojnë disa të shajnë e të mallkojnë, lidhur me “shitjen” e detit dhe meazallah se hanë pykë, kur u thua nuk ekziston as shitja, as falja, as vetë marrëveshja për detin! Disa prej tyre janë të verbër e të shurdhët me sytë e veshët top, por mendja e mbledhur top me litarët e opozitës sonë në krizë për mend, i bën të pakurueshëm. Disa të tjerë janë sinqerisht të shqetësuar për këtë çështje, megjithëse e kemi sqaruar që nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Të parëve s’kemi ç’u bëjmë, nuk duan të dëgjojnë, të lexojnë, të kuptojnë. Të dytëve po u ridrejtohem, me shpresën që do mund të dalin nga dallga artificiale e kësaj loje të ulët politike!

Për kufijtë mes dy shteteve s’mund të ekzistojë asnjë marrëveshje e fshehtë. Nuk bëhen marrëveshje të fshehta për këtë punë, sepse s’kanë asnjë vlerë mbi detin e mbi tokën për sa kohë janë të fshehta. Bëhen marrëveshje të negociuara me vite, të cilat emrin marrëveshje e marrin kur bëhen publike dhe vlerën si marrëveshje e marrin vetëm kur kalojnë provën e institucioneve kushtetuese të shtetit. Prandaj marrëveshjet nuk merren vesh me telefonin e prishur të thashethemit të radhës, që shkumëzon në gojën e politikanëve pa atdhe apo në detin e internetit pa kufij, po vetëm kur shihen me sy, me lexim, bashkë me firmat e me vulat e tyre!

A keni pare ndonje dokument te firmosur e te vulosur per kete detin që paskam dhënë, shitur a falur une? Jo nuk keni pare, sepse nuk ka dhe s’ka se si të ketë një të tillë. Se po të kishte do të dilte, po s’mund të dalë gjëkundi asnjë marrëveshje e tillë me firma e me vula, që unë nuk e di apo që unë mund ta mbështes, nëse cënon interesin kombëtar të Shqipërisë! Kush e luan me ju këtë lojë do t’ju bëjë për budallenj, tallet paturpësisht me ndjenjat tuaja për të përfituar politikisht prej çoroditjes që synon t’ju shkaktojë, duke ju prekur ndjenjat.

Sa për kujtesë isha unë në krye të opozitës, kur çova në Gjykatën Kushtetuese, një marrëveshje të mëparshme, për kufijtë detarë me Greqinë, të firmosur e të vulosur nga Lulëzim Basha, me bekimin e me mbrojtjen publike të Sali Berishës e të Ilir Metës. Sipas meje ajo marrëveshje cënonte interesin kombëtar. Po jo se ashtu ma thoshte mendja mua, por sepse kështu e gjykoi një ushtarak patriot si Myslim Pasha, i cili e ngriti publikisht e profesionalisht shqetësimin mbi çfarë kishte firmosur i njëjti Lulëzim që sot merret me thashetheme të ulëta për të kapur ndonjë sardele më shumë për tiganin e ndryshkur të opozitës.

Dhe unë, që isha krejt i paditur për të Drejtën e Detit, mblodha ekspertët, dëgjova sa munda, hapa librat, mësova sa munda, e së bashku me të tjerë vendosa ankimimin e asaj marrëveshjeje në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata e rrëzoi marrëveshjen e Lulëzimit, Saliut dhe Ilirit, me rezultatin kuptimplotë 9 me 0. Pikërisht sepse cënonte interesin kombëtar. Por ama ne çuam në gjykatë një dokument shtetëror, jo një thashethem digjital për tradhëti kombëtare dhe nuk hapëm një gjyq publik llogjesh nacional-folklorike rrugëve, po një gjyq serioz në nivelin më të lartë të pushtetit gjyqësor.

Sot po këta që e bënë atë marrëveshje antikombëtare dhe e futën edhe detin në çorbën e Shqipërisë që qeverisën, prej padijes së tyre të dhimbshme a prej shpërfilljes sportive të interesit kombëtar ose të dyjave bashkë, kanë kapur kallamat me dorë e kanë dalë për gjahun politik të radhës.

Për të mbrojtur detin nga unë!

O Zot!

Duhet të jesh peshk i trullosur komplet që ta hash karemin se Lulëzim Basha, Ilir Meta dhe Sali Berisha (shyqyr Monika ia ka lënë Peço peshkatarit grepin këtë herë, se është e zënë me skuqje karkalecash me muzikë Desperado:-), po mbrojnë sot nga unë detin që e bënë kos e dhallë, sa herë zunë dybekun me dorë. Megjithatë, fatkeqësisht, u ka zënë grepi gjithnjë peshq të trullosur dhe s’kanë faj që vazhdojnë ta hedhin përditë në detin e muhabetit publik, karemin e politikës së tyre pa din e as iman.

Njësoj si më parë, kur ministri i jashtëm grek foli andej në një televizion për ushtrimin e të drejtës së Greqisë për t’u shtrirë në miljet e famshme që Konventa Ndërkombëtare e të Drejtës së Detit ia njeh çdo shteti me dalje në det dhe këtu plasi peshku me dinamitin e luftës politike, edhe sot përsëritet e njëjta poshtërsi ndaj publikut shqiptar pasi kryeministri i Greqisë thotë të njëjtën gjë në parlamentin grek, pas firmosjes së marrëveshjeve detare të shtetit të tij me Italinë dhe Egjiptin.

Plas dinamiti i politikës së trullosjes të shqiptarëve në pellgun e llokoçitjeve opozitare dhe pllaf, pllaf, pllaf, dalin me barkun jashtë në sipërfaqe peshqit e urrejtjes nacionaliste, të mllefit partiak e të paditurisë për temën, duke krijuar një tollovi absurde si sherret e rakisë në klubin e fshatit. Si zakonisht në këto raste, sado të flasësh me logjikë, pa dalë rakia s’ka shans të mbarojë tollovia! Po le të kthehemi tek marrëveshja në fjalë mes Shqipërisë e Greqisë, për ta ndihmuar daljen e rakisë dhe hequr dhimbjen e kokës së atyre që duan të kuptojnë.

Kush do vërtetë të dëgjojë dhe të kuptojë si qëndron e vërteta e kësaj historie, le të më ndjekë me vëmendje sepse fatmirësisht, është shumë e thjeshtë.

Fjala e kryeministrit grek në parlament, siç e kam shpjeguar më parë, nuk ka asnjë lidhje me ujërat territorialë të Shqipërisë, me ndonjë marrëveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë apo me ndonjë punë të Shqipërisë që lidhet me të drejtën e vendit fqinj për ato 12 miljet e stëpërfolura, sikur të ishin 12 kamiona me ujë deti që unë i paskesha kaluar fshehurazi në shtetin fqinj.

E drejta e 12 miljeve buron nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtës së Detit dhe Greqia nuk ka kufij detarë vetëm me Shqipërinë, po edhe vende të tjera, kështu që kryeministri grek është në të drejtën e vet kur flet në parlamentin e tij, për detet e Greqisë. Ndërkohë, për sa i përket deteve tona, Shqipëria e ka ushtruar në vitin 1990 të drejtën e saj të shtrirjes në ato milje, në bazë të asaj konvente ndërkombëtarë të vitit 1982. Zgjerimi i bërë nga Shqipëria në marsin e 1990-ës është depozituar në Kombet e Bashkuara dhe as është kontestuar, as mund të kontestohet nga Greqia.

Por kjo mbase është shumë teknike për disa që vazhdojnë të mbrojnë detin e Shqipërisë nga fjala e kryeministrit të Greqisë, megjithëse e kemi shpjeguar disa herë, që deti nuk ndahet me gardhe si parcelat në fshat, po ka edhe hapësira të ndërmjetme ujrash ndërkombëtare mes “parcelave” ujore të çdo shteti. Kështu që po ju shpjegoj, informoj, sqaroj edhe njëherë, se Shqipëria dhe Greqia nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për përcaktimin e dakordësuar të kufijve detarë mes tyre.

Unë dhe kryeministri i Greqisë, Kiriakos Micotaqis, nuk kemi folur ende për këtë çështje, as kur jemi ulur në takimin e parë në Neë York, as kur jemi ulur në takimin e dytë në Athinë dhe as në ndonjë rrethanë tjetër, kur jemi takuar në këmbë apo kemi komunikuar në telefon – njëherë pas tërmetit të 26 nëntorit, kur ai është treguar një mik shumë i çmuar i Shqipërisë dhe ka kontribuar megjithë zemër për operacionet e shpëtimit të jetëve nën rrënoja. Dhe herën tjetër kur kemi këmbyer opinionet për masat kundër Covidit.

Qeveria jonë dhe qeveria greke nuk kanë biseduar asnjëherë dhe nuk kanë këmbyer asnjë opinion për këtë çështje, qyshse në krye të punëve në Greqi ka ardhur zoti Micotaqis. Negociatat për arritjen e një marrëveshjeve për të ashtuquajturin delimitim të ujërave mes Shqipërisë e Greqisë, i kemi zhvilluar me qeverinë e mëparshme greke dhe marrëveshja nuk është arritur të mbyllet, pavarësisht progresit të konsiderueshëm nga pika zero ku jemi rinisur pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese, të marrëveshjes së nënshkruar nga ata që sot po e mbrojnë detin nga unë.

Ne duam ta arrijmë një marrëveshje me Greqinë për këtë çështje, siç kemi arritur edhe të tjera e siç duhet të arrijmë të tjera akoma. Ne Greqinë e konsiderojmë një nga tre partnerët strategjikë më të afërt të Shqipërisë, së bashku me Italinë dhe Turqinë. Ne nuk kemi pretendime territoriale ndaj Greqisë dhe Greqia nuk ka të tilla ndaj nesh (përtej klubeve respektive dhe primitive, të peshkatarëve që gjuajnë për trupeshq me karemin e nacional-folklorizmit nëpër harta elektorale), por ne kemi pretendime reciproke për bashkëkombasit që jetojnë në shtetin tjetër, të cilëve së bashku, të dyja qeveritë, me dialog konstruktiv e mirëkuptim njerëzor në radhë të parë, duhet t’u bëjmë hyzmet të posaçëm për të drejtat e tyre.

Ne jemi fqinj të shkëlqyer në nivelin e marrëdhënies mes popujve, por s’kemi shkëlqyer gjithnjë në marrëdhëniet politike mes shteteve e qeverive. S’kemi ditur gjithnjë në dekadat para e pas vitit 1990, as ne e as grekët, ta vëmë politikën në shërbim të miqësisë mes popujve tanë dhe të mos bëjmë politikë ditore me historinë në kurriz të tyre. Sot marrëdhëniet mes dy qeverive në Athinë e në Tiranë, janë të mira dhe kanë një potencial të madh për t’u bërë të shkëlqyera. Unë punoj qysh nga dita e parë për këtë, pa ngurruar ta ngre zërin kur e kërkon interesi i Shqipërisë dhe ndjesia ime e fortë është që edhe kryeministri Micotaqis po punon për këtë.

Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë, por po përparojmë duke lundruar në ujrat e dëshirës reciproke për mirëkuptim.

Po shtoj këtu edhe një detaj teknik, por kuptimplotë. Grupi ynë negociator për çështjen e detit ka nevojë për ndryshime, pasi disa anëtarë të tij janë larguar nga pozicionet që mbulonin kur janë zgjedhur në grupin negociator. Këto ndryshime do të bëhen nëse do të rinisin negociatat dhe këto ndryshime nuk bëhen pa miratimin nga Presidenti të anëtarëve të rinj – jashtë grupit negociator askush, as kryeministri, nuk negocion dot asgjë dhe nuk shet e as blen dot asnjë litër ujë deti. E dyta, çfarëdo marrëveshje që arrihet në nivelin e grupit negociator, duhet të marrë miratimin e Presidentit, i cili ka thënë se marrëveshjen e mundshme do t’ia çojë Gjykatës Kushtetuese. Dhe e treta, marrëveshja që të marrë vlerë përfundimtare, shkon në parlament për të marrë vulën përfundimtare të Sovranit.

Miq!

Mbajeni vath në vesh dhe as kur ju bie në kokë rakia e pështirë e fuçive politike e mediatike mos e vini kurrë në dyshim, se nuk bën dot vaki që unë të tradhëtoj amanetin e katragjyshërve e stërgjyshërve të mi, nga gjaku familjar apo nga gjaku shpirtëror; as amanetin e Kristaq Ramës së parë, stërgjyshit tim që shkriu pasurinë për hapjen e shkollave shqipe dhe nënshkroi në Durrës pavarësinë e Shqipërisë; as amanetin e Odise Kasnecit, stërgjyshit të Anetës dhe mikut për kokë të Abdyl Frashërit, që ishte anëtar i Lidhjes së Prizrenit dhe u vra si përhapës i gjuhës shqipe nga një komando ekstremistësh grekë të asaj kohe; as amanetin e atij Plakut të Vlorës, që e mbaj mbi kokë çdo ditë në zyrën time, as amanetin e Imzot Nolit, që më mësoi shqipen e gjuhës e të Faik Beut, që më mësoi shpatën e gjuhës dhe as, as, as… me radhë se janë shumë që t’jua numëroj këtu.

Tani ata që nuk heqin dot dorë nga ajo raki e pështirë, le të vazhdojnë të pinë e le t’i hedhin sa të duan tapat e trurit në detin e internetit! Prodhuesve të asaj rakie do t’u vijë prapë nga radha e gjykimit nga populli bashkë me faturën e kripur, siç u erdhi në vitin 2017. Unë do të vazhdoj të bëj sa të mundem gjithçka duhet bërë, në respekt të amanetit të atyre pleqve që përmenda më lart dhe në shërbim të këtij vendi e të këtij populli.

Ndërsa Madhëria e Saj, Koha, do t’i verë gjitha në vendin e tyre dhe do të tregojë se ku e ka vendin gjithkush në historinë e këtij vendi.

/NOA.al

Rama për detin: Nuk bën vaki të tradhëtoj amanetin e të parëve të mi Read More »

Ish-deputeti i PS Fatmir Toçi fiton betejën me COVID-19

Ish-deputeti i PS, njëherazi botuesi i Toenës, Fatmir Toçi fiton betejën me COVID-19.

Ai tha se fitoi pas 55 ditësh luftëm në kufijtë e të pamundurës, për t’i rikthyer pranë familjes.

“Pas një lufte 55 ditore në kufijtë e të pamundurës me sëmundjen e rëndë të Covid-19 (11 ditë i vetëkarantinuar dhe 44 ditë i shtruar në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë,” – tha Fatmir Toçi, – “sot besoj se kam dalë fitimtar dhe jam kthyer pranë familjes time të shtrenjtë, dashuria dhe përkujdesjet e së cilës ishin, padyshim, pjesë e rëndësishme e terapisë në luftën për mbijetësë”.

Më në fund, Fatmir Toçi është rikthyer pranë gjirit të familjes me një mal falenderimesh për mjekët e ‘Shefqet Ndroqit’, që e ndihmuan dhe e rikthyen në jetë pas një lufte të vështirë që dukej se po e humbte.

Reagimi i plotë i Ish-deputetit Fatmir Toçi:

PRANË FAMILJES, MË NË FUND…

Pas një lufte 55 ditore në kufijtë e të pamundurës me sëmundjen e rëndë të Covid-19 (11 ditë i vetëkarantinuar dhe 44 ditë i shtruar në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, sot besoj se kam dalë fitimtar dhe jam kthyer pranë familjes time të shtrenjtë, dashuria dhe përkujdesjet e së cilës ishin, padyshim, pjesë e rëndësishme e terapisë në luftën për mbijetësë.

Falenderime pa fund dhe mirënjohje e thellë, aq sa fjalët janë të varfëra ti shprehin deri në fund, për personelin e Spitalit “Shefqet Ndroqi”, mjekët, infermierët, specialistët, sanitaret etj., në mënyrë të veçantë prof. dr. Perlat Kapisyzi, drejtuesi i këtij institucioni të destinuar për të shpëtuar jetë njerëzish nga kthetrat e vdekjes.

Jam aq shumë i detyruar ndaj kujdesit dhe përkushtimit te tyre, sa që sot mund ta them pa hezitim e me bindje se nëse nëna ime e mirë më bëri kokën para 62-vjetëve, ata më rikthyen në jetë pas një lufte që dukej e humbur.

Me qindra të afërm, miq, shokë, të njohur e të panjohur që kanë qenë afër meje gjatë kësaj periudhe me interesimin dhe urimet e tyre për shërim të shpejtë, i falënderoj nga zemra, ma kanë lehtësuar gjendjen time shpirtërore psikologjike dhe më kanë dhënë kurajë e besim se do të dilja.

Miqtë e mi kudo që jeni, jeta është e bukur dhe e vlefshme kur është e shëndetshme, ndaj të bëjmë çmos për mbrojtjen e saj!

/NOA.al

Ish-deputeti i PS Fatmir Toçi fiton betejën me COVID-19 Read More »