Turizem

“Smile Albania”, buzëqeshja e Shqipërisë përgjatë sezonit turistik

Ndërsa sezoni veror turistik tashmë është mbyllur, kartolina e buzëqeshjeve të të rinjve dhe të rejave të “Smile Albania 2”, do të mbetet kujtim jo vetëm për turistët e shumtë që përjetuan mikpritjen në pikat kufitare dhe vizitat e tyre në vend, por edhe për vetë ata.

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje një përmbledhje të aktivitetit të “Smile Albania 2”në këtë sezon turistik, duke thënë se ata janë “buzëqeshja e Shqipërisë”

“Me buzëqeshjen e Shqipërisë përgjatë këtij sezoni turistik, ju uroj një të dielë të bukur”, tha kryeministri.

Gjatë vitit 2019, projekti i ri “Smile Albania” solli jo vetëm buzëqeshjen turistike por dhe punësimin e 500 të reja e të rinj që vinin nga bankat e universiteteve, në vazhdim të Paktit për Universitetin.

Të rinjtë e të rejat, ofruan përgjatë dy muajve mikpritje, buzëqeshje, informacion për turistët që vizituan vendin tonë, në 35 infopoint-e nga veriu në jug të Shqipërisë në çdo pikë kufitare, porte e aeroport, qendra qytetesh, plazhe e site kulturore e historike. /atsh

“Smile Albania”, buzëqeshja e Shqipërisë përgjatë sezonit turistik Read More »

Kanioni i Setës zbulohet nga turistët si pjesë e shtegut të Liqenit të Luleve në Lurë

Turistë nga e gjithë bota dhe kryesisht Europa kanë zgjedhur të vizitojnë Kanionin e Setës që ndodhet në shtegun turistik Setë-Liqeni i Luleve në Lurë, me bukuri natyrore të rralla.

Ku shteg turistik është nga më të rrallët në Shqipëri, pasi malet ngrihen në qiell me Korabin në lindje dhe malin e Dejës në perëndim, e në mes të dy vargmaleve shpalosen bukuri magjepsëse të natyrës, të panjohura më parë.

Në këtë gjurmë turistike, ndodhen Fushat e Pelës që janë dhe porta hyrëse për në Lurë dhe sapo të shkelësh në këto livadhe has Liqenin e Luleve e më pas gjurmë pas gjurmë dhe gjashtë liqenet të tjera që ngjiten në “kalldrëm” natyrorë në shkallët e bukurisë së pashoqe të vetë Lurës.

Bimësi e harlisur, shkurre, lajthi, boronicë, 270 lloj bimësh medicionale, ahu dhe pishe shpalosen në të gjithë peizazhin e këtyre zonave dhe që thellohen me Grykën e Setës është pjesë e shtegut turistik Sete-Liqeni i luleve ne Lurë, dhe ofron një panoramë të mrekullueshme me një diversitet natyrore të papare bimësie dhe kafshësh të egra.

Po edhe më shumë, pasi në këtë shteg ka burimet të shumta natyrore që nga ujëvarat, shpellat, kanionet, liqene akullnajore, pyje, lëndina dhe deri tek monumentet historike që lidhen me vendlindjen e Skënderbeut dhe sekretet e familjes se Kastriotëve.

Në shoqërinë e guidave lokale dhe falë mikpritjes së banorëve të zonës turistët njohin traditën, kulturën dhe legjendat e shumta të kësaj treve, si dhe bukuritë e natyrës./atsh

Kanioni i Setës zbulohet nga turistët si pjesë e shtegut të Liqenit të Luleve në Lurë Read More »

Klosi: Shqipëria, destinacioni me më shumë të ardhme në tregun turistik europian

Në stadiumin e futbollit të qytetit të Sarandës ka nisur prej kohësh puna përgatitore, që i hap rrugë investimit për ndriçim shtesë.

Ditën e sotme puna për këtë investim është konkretizuar me betonimin e armaturës së hekurt të bazamentit për 4 shtyllat, që do të fuqizojnë dukshëm sistemin e ndriçimit të stadiumit në të dy krahët e tij.

Bashkia e Sarandës shprehet se është për t’u vlerësuar dhe falënderuar mbështetja e ofruar nga biznesi vendas, për ta realizuar këtë investim me kosto sa më të ulët.

Me përfundimin e këtij investimi, krijohen kushte optimale e komode për t’u stërvitur në një hark kohor shumë më të zgjatur ekipet zinxhir, pa përjashtuar orët e mbrëmjes dhe natën dhe duke mos marrë kohën e njeri-tjetrit.

Për specialistët e futbollit dhe drejtuesit e tij në Sarandë, kjo do të thotë më shumë mundësi për të prekur kuota të reja masiviteti në këtë lloj sporti kaq popullor, nga do të dalë edhe elementi më cilësor.

Sipas tyre, ofrimi i një ndriçimi të tillë është një hap i rëndësishëm përpara dhe një nxitje për t’i dhënë jetë idesë për ngritjen e një Akademie të mirëfilltë të Futbollit në Sarandë, me pjesëmarrje të nxënësve më pasionantë dhe më rezultativë në sportin e futbollit./atsh

Klosi: Shqipëria, destinacioni me më shumë të ardhme në tregun turistik europian Read More »

Shqiptarët shpenzuan jashtë vendit rreth 700 milionë euro

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në gjysmën e këtij viti, rritja e turizmit nuk ishte vetëm në kahun hyrës, por edhe shqiptarët shpenzuan rreth 700 milionë euro për udhëtime jashtë vendit, duke thyer një rekord të ri historik për këtë sezon veror.

Sipas statistikave në bilancin e pagesave, paratë që janë shpenzuar jashtë vendit kryesisht për udhëtime turistike, nga janari deri në qershor 2019 arritën vlerën e 697 milionë eurove.

Ndërsa për sezonin e verës, transfertat jashtë vendit për këtë qëllim arritën 425 milionë euro, duke thyer një tjetër rekord historik.

Tendenca për të pushuar më shumë jashtë vendit, është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Vetëm vitin e shkuar shtetasit shqiptarë shpenzuan jashtë vendit rreth 1 miliard e 382 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare, vitin e shkuar, hyrjet dhe daljet e tyre në kufi regjistruan shifrën e 8 milionë e 300 mijë lëvizjeve, ndërsa udhëtimet përmes ajrit u rritën me 10%. /atsh

Shqiptarët shpenzuan jashtë vendit rreth 700 milionë euro Read More »

Nga veriu në jug, çdo ditë një hap drejt zhvillimit të zonave me potenciale turistike

Investimet që pasojnë njëra-tjetrën në çdo skaj nga jugu e deri në veri të Shqipërisë, kanë nxjerrë në pah potencialet e pashfrytëzuara të vendit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, përmes një video informuese, bën të ditur ekspozenë e punëve që ka kryer dhe po vijon të bëj nga Tamara në skajin më verior e deri në Vlorë, në jug të Shqipërisë.

Në Tamarë ka nisur puna për fazën e e dytë të rikualifikimit urban të zonës. Ndërsa në Valbonë po investohet për qendrën e re të turizmit. Puna po vijon edhe në Pukë, për fazën e dytë të rikualifikimit urban, në qytezën alpine.

Në Shirokë vazhdon puna për shndërrimin e qendrës së Shirokës në një destinacion të mirëfilltë turistik. Në krijimin e hapësirave urbane dhe natyrore të dedikuara për të apasionuarit e natyrës, historisë apo dhe sportit.

Në zonën e Myzeqesë është drejt përfundimit Unaza Bujqësore 11 km e gjatë që u vjen në ndihmë 40 mijë banorëve të zonës. Së shpejti nis puna në segmentin Kallm i Vogël-Imesht, Kallm i Vogël-Vërri-Bubullimë-Kallm-Ura Belin.

Ndërsa në Gjirokastër, vazhdon puna për rindërtimin e mozaikut të Qafës së Pazarit, nga mjeshtrat e Gjirokastrës. Ndërsa kanë përfunduar punimet në infrastrukturën nëntokësore.

Në Theth fillon puna për ndërtimin e rrugës së Thethit, një investimi shumë pritur nga banorët e zonës dhe vizitorët e apasionuar pas turizmit malor. Qafë-Thore -Theth 16 km e gjatë është segmenti që e lidh me Bogën, Qafë-Thoren dhe Shkodrën.

Gusmar-Kuç nis së shpejti puna për të lidhur malet me bregdetin. Në Vlorë kanë përfunduar punimet në bulevardin Ismail Qemali dhe është drejt finalizimit Qendra Historike. Është gati të fillojnë punimet për fazën e dytë të Lungomares me shtrirje deri në Ujë të Ftohtë që siguron hapësirë për kalimtarët dhe biçikletat. /atsh

Nga veriu në jug, çdo ditë një hap drejt zhvillimit të zonave me potenciale turistike Read More »

Turizmi, industria e bujqësia rekord në punësimin e të rinjve

Turizmi, industria dhe bujqësia kryesojnë me numrin më të lartë të të punësuarve në tremujorin e dytë të këtij viti.

INSTAT publikoi shifrat zyrtare të “Anketës Tremujore të Forcave të Punës”, ku citon se, punësimi pësoi rritje në sektorin e shërbimeve me 2,3%, në sektorin e industrisë me 1,5% dhe në sektorin e bujqësisë me 2,2%.

Sipas INSTAT në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është 4,4% në sektorin e industrisë, 5,7% në sektorin e shërbimeve dhe 0,3% në sektorin e bujqësisë.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2019, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 2,1%.

Në vitet e fundit, turizmi është kthyer në një prej sektorëve më të rëndësishëm në rritjen e ekonomisë së vendit. I konsideruar nga qeveria si një nga motorët kryesorë të rritjes kombëtare, turizmi po përjeton një zhvillim radikal kohët e fundit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në tremujorin e tretë, i cili përbën edhe pikun e sezonit turistik, të huajt shpenzuan mbi 683 milionë euro në Shqipëri për turizëm apo udhëtime të ndryshme ose 16% më shumë se një vit më parë.

Sot sektori i turizmit ka gjeneruar zhvillim ekonomik, punësim dhe mundësi të vetëpunësimit.

Investimet në vepra publike dhe sipërmarrje private bashkëkohore, rritën ndjeshëm numrin e të punësuarve dhe të të ardhurave familjare. Numri i përgjithshëm i vizitorëve të huaj ka shënuar një rritje të konsiderueshme në vitet e fundit, rreth 5 milionë turistë ose 10% më shumë turistë erdhën në vendin tonë, për periudhën janar-gusht 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Ndërsa investimet e huaja kryesisht në atë të çelikut apo sektorin minerar dhe politikat që ka ndërmarrë qeveria në mbështetje të bujqësisë, krahas rritjen së prodhimit dhe eksporteve, po gjenerojnë në vijimësi rritje të numrit të të punësuarve. /atsh

Turizmi, industria e bujqësia rekord në punësimin e të rinjve Read More »

1 milion turistë u pritën në Morinë nga 10 të rinj të “Smile Albania 2”

Në pikën kufitarë të Morinit nga 10 qershor deri më 10 shtator, kanë kaluar 1 milion turistë që janë pritur nga 10 të rinj të “Smile Albania 2”.

“Për 60 ditë, 10 të rinj të përfshirë në projektin “Smile Albania 2” të Ministrisë së Turizmit e Mjedisit zbatuar nga AKZM, AdZM, punuan në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinit”, shprehet kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici.

Gjici shton se ata pritën me buzëqeshje dhe informacion për destinacionet turistike, historinë, traditat, vlerat natyrore, turistët e huaj që vizituan vendin tonë dhe çekuan në Shqipëri përmes kësaj Pikë Kalimi Kufitar.

“Nga periudha 10 qershor deri më 10 shtator, të këtij viti, në Pikën e Kalimit Kufitar Morin kanë kaluar mbi një milion vizitorë”, thekson ai./atsh

1 milion turistë u pritën në Morinë nga 10 të rinj të “Smile Albania 2” Read More »

“PaStε”: Shqipëria vend nderi si destinacion turistik

Ndërkohë që Ballkani është bërë tashmë një destinacion turistik i njohur, që rivalizon destinacionet tradicionale turistike evropiane, kishte ardhur koha e duhur që edhe Shqipëria të zinte vendin e saj të nderit midis simotrave ballkanike, me bregdetin e saj të mahnitshëm dhe një kulturë sa të bukur, po aq edhe të pasur, shkruan Molly Harris, në revistën e njohur ”PaStε”.

Riviera e Shqipërisë

“Nga prodhimet e freskëta të detit, në plazhet mbresëlënëse që zhyten në detin Jon. Qytete të tilla si Saranda, Dhërmiu dhe Ksamili janë mes qyteteve me plazhet më të frekuentuara nga turistët. Turistët mund ta kalojnë ditën edhe duke vizituar vende me peshë kulturore, në jug të Shqipërisë, siç është Parku Kombëtar i Butrintit.

Duke hyrë më në brendësi të Shqipëri gjejmë Gjirokastrën, qyteti që është tashmë pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s. E njohur për ruajtjen e një arkitekture të stilit otoman, të vizitosh këtë qytet dhe kështjellën e tij është njëlloj sikur të udhëtosh pas në kohë.

Peizazhi i mahnitshëm

Megjithëse një vend i vogël, Shqipëria paraqet një reliev mjaft të larmishëm dhe bimësi po aq të larmishme. Duke nisur nga Bjeshkët e Namuna në veri, ose Alpet Shqiptare, relievi të jep përshtypjen se rrokulliset drejt detit. Shqipëria Qendrore përbëhet kryesisht nga fusha rrëzë malesh më të ulëta, kurse luginat lartësohen e më pas bien në detin blu të Jonit. Përveç peizazhit skenik, turistët kanë mundësi të përjetojnë kulturën shqiptare nga një fshat në tjetrin. Falë relievit të larmishëm, nëpër vend krijohen mikroklima që bëjnë të mundur rritjen e kulturave ushqimore të ndryshme nga njëra zonë në tjetrën, prandaj edhe turistët do të kenë mundësi të provojnë gatime tradicionale të shumëllojshme anembanë vendit.

Kultura e larmishme

Gjatë viteve 1809-1810, poeti anglez, Lord Bajroni, bëri një udhëtim dyvjeçar nëpër Europë, gjatë të cilit përshkoi luginat jugore të Shqipërisë dhe mbeti i mahnitur nga kultura e pasur dhe kostumet popullore, që gjithashtu variojnë nga krahina në krahinë. Kultura tradicionale ruhet edhe sot e kësaj dite, megjithatë Shqipëria ia vlen të vizitohet edhe për historinë dhe kulturën e saj moderne. Ky shtet ballkanik mbeti nën hijen e komunizmit deri në vitin 1985, kur vdiq Enver Hoxha. Paranoja dhe presioni i ushtruar nga rivali i tij i ish-Jugosllavisë, Tito, e shtynë Hoxhën të ndërtonte më shumë se 170 000 bunkerë bërthamorë anembanë Shqipërisë. Në ditët e sotme, këta bunkerë po kthehen dalëngadalë në dyqane, kafene, madje edhe dhoma hotelesh, si edhe në muze, sidomos në kryeqytetin e vendit. Ndërsa vendi ka përparuar nga periudha komuniste, kultura moderne po përqafon të tashmen pa harruar edhe të kaluarën. Për shembull, rikonstruktimi i Kalasë së Toptanëve është një përzierje e traditës së vjetër dhe asaj të re. Rrënojat e kalasë së ndërtuar në fund të shekullit XVIII janë kthyer kohët e fundit në një qendër të hapur mbushur me dyqane që shesin produkte shqiptare dhe restorante që përdorin përbërës të vendit.

Aventurë autentike

Udhëtimet ndërkombëtare janë shtuar kohët e fundit dhe bashkë me to edhe turizmi. Duke udhëtuar në zona më pak të shkelura, por mjaft të sigurta, udhëtarët mund të përjetojnë aventurën e vërtetë. Të përshtatura për alpinizëm në veri dhe për turistë të pasionuar pas kulturës në jug, bujtinat paraqesin një prej përvojave më autentike, që mund të kenë udhëtarët në Shqipëri. Turistët mund të qëndrojnë në dhoma private apo shtëpi të veçuara, të mësojnë si të gatuajnë pjata tradicionale, të luajnë lojëra tradicionale dhe të dëgjojnë muzikë popullore vendase. Vaktet ushqimore janë gosti të vërteta me fruta e perime, prodhime bulmeti, që më së shumti vijnë nga fermat vendase. Djathërat dhe reçelrat e bërë vetë, ashtu sikurse edhe gatimet tradicionale si byreku, japraku me gjethe rrushi e bakllavaja, janë veçse fillimi. Turistët nuk duhet të ngurrojnë të provojnë edhe pijen tipike veriore me lëng trëndafili.

Pavarësisht se kemi paraqitur veç katër, arsyet pse një turist duhet të vizitojë Shqipërinë janë të shumta”, përfundon Molly Harris./atsh

“PaStε”: Shqipëria vend nderi si destinacion turistik Read More »