Turizem

Fluks turistësh edhe në shtator/ Vizitorë gjermanë dhe polakë në shtigjet e malit të Tomorit dhe të Dajtit

Ditët me diell gjatë muajit shtator po shfrytëzohen nga turistët gjermanë dhe polakë të cilët po vizitojnë Parkun Kombëtar të Tomorit dhe malin e Dajtit.

Në këtë fillim vjeshte plot diell turistët të shumtë gjermanë dhe polakë shijuan një itinerar turistik për njohjen e natyrës dhe kulturës së këtyre zonave.

Ata gjithashtu përjetuan dhe aventurën duke bërë ecje në këmbë në shtigjet dhe bukuritë natyrore që këto zona ofrojnë.

“Turistë gjermanë dhe polakë që po eksplorojnë bukuritë natyrore në malin e Tomorit dhe malin e Dajtit janë vetëm një pjesë e vizitorëve të shumtë që frekuentojnë zonat e mbrojtura këto ditë shtatori”, shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Klosi shprehet se, “rritja e numrit të turistëve vijon të jetë e lartë dhe në 8 muajt e parë të vitit. Shqipëria shënoi 10,8 % më shumë turistë të huaj, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018”.

Eksplorimi dhe turizmi i aventurës në vitet e fundit në Shqipëri po kthehet në një atraksion mjaft interesant për vizitorët e huaj, kjo dhe për shkak të terrenit mahnitës dhe të shumëllojshëm që ofron vendi ynë. /atsh

Fluks turistësh edhe në shtator/ Vizitorë gjermanë dhe polakë në shtigjet e malit të Tomorit dhe të Dajtit Read More »

1.55 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë vetëm në muajin gusht

1.55 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë muajit gusht 2019, duke shënuar fluksin rekord të vizitorëve të huaja që hynë në vendin tonë, përgjatë gjithë vitit.

INSTAT bën të ditur se, të dhënat zyrtare faktojnë se hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Gusht 2019, janë 2.256.761. Krahasuar me Gusht 2018, ky tregues rezulton me rritje 6,4 %. Në Gusht 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 1.556.826, krahasuar me Gusht 2018, ky numër është rritur me 7,4 %.

“Ndërkohë numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë përgjatë tetë muajve të 2019 është 4.870.588, duke u rritur me 10,8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018” thuhet në publikimin e INSTAT.

Shifrat tregojnë për një ecuri të mirë të turizmit dhe një inertes në rritje të të hujave për vendin tonë si destinacion i preferuar i turizmit, ku gjeografia e turistëve nga vende të ndryshmetë botës është zgjeruar nga të katër kontinentet.

Sipas INSTAT përgjatë tetë muajve të 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra ka pasur rritjen më të madhe me 16,9 %, Maqedonia e Veriut ka pasur rritjen të ndjeshme me 19,2 %, ndërsa shifra në rritje shënojnë turistët nga Gjermani, Italia, Polonia, Norvegjia, etj. Duke mos harruar fluksin në rritje intensive të turistëvenga Kosova.

Ndër trendet më të pëlqyera nga vizitorët huaj janë çmimet e arsyeshme, shërbimet me standarde në hotele, ushqimet tradicionale, dhe infrastruktura e përmirësuar.

Shtetasit nga Kosova kanë pasur rritje edhe këtë vit duke qenë turistët kryesorë që kanë vizituar vendin tonë. Në gusht hyrjet ishin 781 mijë me një rritje 16.5 për qind në raport me gusht 2018 ndërkohë që si 8 mujor rritja ishte 14.9 për qind më shumë se një vit më parë, citon INSTAT./atsh

1.55 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë vetëm në muajin gusht Read More »

Vlorë, 37 mijë turistë vendas e të huaj vizituan Sazanin dhe Karaburunin në maj-gusht

Sazani dhe Karaburuni ishte destinacioni i 37 mijë turistëve vendas e të huaj nga muaji maj deri në fund të gushtit, të cilët kanë kanë udhëtuar nga porti i Vlorës me anijet turistike.

Porti i Vlorës bën të ditur për ATSH-në se “gjatë kësaj periudhe ka pasur një rritje të fluksit të turistëve si nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe të turistëve të huaj, të cilët kanë udhëtuar me 13 anije turistike drejt ishullit të Sazanit dhe Karaburunit”.

Sipas portit, turistët e huaj vinin nga vende të ndryshme të botës si Holanda, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja, Polonia, Italia, Amerika, Hungaria, etj.

Edhe gjatë ditës së sotme pavarësisht motit jo të qëndrueshëm turistët kanë frekuentuar anijet turistike me destinacion Karaburun Sazan.

Sazani dhe Karaburuni janë kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.
Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore./atsh

Vlorë, 37 mijë turistë vendas e të huaj vizituan Sazanin dhe Karaburunin në maj-gusht Read More »

Zvërnec/ Birdwatching, turistë vendas e të huaj njihen me shpendët e rrallë

100 turistë vendas dhe të huaj vizituan monumentin e natyrës “Ishulli i Zvërnecit”, pjesë e peizazhit të mbrojtur “Vjosë-Nartë”.

Drejtori i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Vlorë, Nexhip Hysolakoj, tha për ATSH-në se “të shoqëruar nga punonjës të ADZM Vlorë turistët realizuan një shteg mjedisor brenda ishullit ku u njohën me vlerat natyrore dhe kulturore të tij”.

“Aktiviteti vijoi më pas në lagunën e Nartës, e cila renditet e dyta në Shqipëri për nga rëndësia dhe shpendët e ujit”, – tha Hysolakoj.

Sipas tij, turistët ushtruan birdwatching dhe u njohën me llojet e shpendëve të rrallë, flamingo dhe pelikani kaçurrel.

Laguna e Nartës ndodhet në veriperëndim të qytetit të Vlorës, rreth 14 km larg saj dhe ka një sipërfaqe prej rreth 42 km2. Ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe plazhe të vegjël pa bimësi të dendur.

Në këtë lagunë bën pjesë dhe Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ku veç të tjerave dallon nga Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e vogël dhe ku mund të shkohet përmes një ure të ngushtë druri për këmbësorë.

Laguna e Nartës shpeshherë vizitohet nga flamingot, zogjtë me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme./atsh

Zvërnec/ Birdwatching, turistë vendas e të huaj njihen me shpendët e rrallë Read More »

Fluksi turistik/ Shënohet sërish rritje në sektorin e hotelerisë

Sektori i hotelerisë shënoi rritjen e dytë më të madhe, brenda këtij viti, si në shitje, fondin e pagave dhe të punësimit më të lartë, nxitur nga fluksi i shtuar i turistëve të huaj.

Sipas INSTAT, indeksi i shitjeve të hoteleve shënoi rritje 7,0 % në tremujorin e dytë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje 4,3 % dhe fondi i pagave u rrit me 14,3 %.

Treguesit mbi shërbimet, përfshijnë aktivitetet ekonomike Tregti me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikleta; Transport, Magazinim dhe Postë; Hotele; Bar-Restorante; informacioni dhe Komunikacioni; Aktivitete të Arkitekturës dhe inxhinierike dhe Agjenci udhëtimi.

INSTAT bën të ditur se, “Në tregtinë me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave shënoi rritje te shitjeve me 2,9 %, numri i të punësuarve shënoi rritje 3,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe fondi i pagave shënoi rritje 6,6 %.

Transport, Magazinimi dhe Posta shënuan rritje te shitjeve me 0,6 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2018. Numri i të punësuarve shënoi rritje 1,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe fondi i pagave u rrit me 2,9 %.

Bare dhe Restorantet shënuan rritje të shitjeve me 4,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje 8,8 % dhe fondi i pagave u rrit me 12,5 %”.

Ndërsa indeksi i shitjeve në sektorin në sektorin e Informacionit dhe Komunikimi shënoi rritje 2,8 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2018 dhe numri i të punësuarve shënoi rritje 17,5 %. Indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 7,0 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2018.

Aktivitetet ne Arkitekture dhe Inxhinieri shënuan rënie të shitjeve me 33,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i të punësuarve shënoi rritje 8,4 % dhe fondi i pagave u rrit me 0,4 %.

Agjencitë e udhëtimit shënuan rritje shitjeve me 5,6 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2018. Numri i të punësuarve shënoi rritje me dhe fondi i pagave u rrit me 12,4 %, bën të ditur INSTAT./atsh

Fluksi turistik/ Shënohet sërish rritje në sektorin e hotelerisë Read More »

Shqipëria rritje të fortë turistike, mbi 6 milionë në vit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Bari, Itali se “Shqipëria po përjeton një rritje të fortë turistike, po rritemi çdo vit. Në katër vitet e fundit praktikisht kemi dyfishuar numrin e turistëve, u nisëm nga 2,9-3,1 milionë në vit dhe tani jemi mbi 6 milionë në vit”.

Në fjalën e tij në forumin “Ekonomia blu e Mesdheut” në kuadër të panairit “Fiera del Levante”, në Bari, Itali, Kryeministri Rama theksoi se janë “shifra mjaft të rëndësishme, por edhe një sfidë për Shqipërinë, sepse duhet t’i përgjigjemi këtij fluksi me aftësi, mikpritje, infrastrukturë etj.”.

Kryeministri Rama u shpreh se “siç është e qartë që ka vetëm përfitim nëse bëhemi bashkë për të zgjeruar këtë hapësirë turistike, sigurisht duke përfituar nga ky ridimensionim i saj, i rajonit të Pulias, që është kthyer sot në një destinacion gjithmonë e më tërheqës, në të gjitha nivelet e konsumatorit turistik, por duke shtuar edhe Shqipërinë që po përjeton një rritje të fortë turistike”.

“Dua të them në fund që ka shumë dëshirë nga ana jonë për të ushqyer këtë lidhje me Puglian, një dëshirë që na vjen natyrshëm, jo vetëm se ne e shohim Puglian sot si një rajon të njohur. Është e qartë se suksesi i Puglias është një sukses edhe i bazuar në ndryshueshmërinë e instrumenteve të përdorura nga ato të 10-20 viteve më parë”, – nënvizoi Rama.

Sigurisht, vijoi ai, për këtë ne kemi një respekt të madh dhe një interes për të lidhur edhe botët universitare, botët akademike, shërbimet shëndetësore.

Kreu i Qeverisë u shpreh se “në fund të fundit jemi shumë afër. Për të ardhur dje në Bari na u desh gjysma e kohës për të shkuar në Verona. Sigurisht e bëmë me avion dhe koha e harxhuar ishte sa gjysma e asaj që duhet për të shkuar nga Tirana në Vlorë. Pra shumë afër”./atsh

Shqipëria rritje të fortë turistike, mbi 6 milionë në vit Read More »

Parku i Viroit, atraksion turistik edhe për të huajt gjatë shtatorit

Parku i Viroit, 3 km larg Gjirokastrës, një nga zonat më të bukura të qytetit të gurtë, po tërheq vizitorë të shumtë vendas e të huaj edhe në shtator.

Gjatë ditëve të fundit dhjetëra kampera, nga vende të ndryshme të Europës kanë zgjedhur ta kalojnë natën në mjediset e Parkut të Viroit.

Në territorin e parkut turistët kanë mundësi të kalojnë kohën në baret e restorantet që funksionojnë pranë tij, si dhe të argëtohen familjarisht në natyrë.

Turistët kanë zgjedhur ajrin e pastër, mjedisin e këndshëm, që ky park ofron për të kaluar momente relaksi.

Për të gjithë këtë infrastrukturë çdo ditë janë të angazhuar punonjësit e Agjencisë së Pastrimit dhe Mjedisit të bashkisë së Gjirokastrës.

Peizazhet mbresëlënëse të këtij parku janë një mundësi e mirë për qytetarët dhe turistët. Mundësia e ecjes në këmbë apo me biçikletë anës së liqenit, por edhe shijimi i peizazhit shumëngjyrësh po tërheq gjithnjë e më tepër qytetarët, por edhe turistët gjatë sezonit sezonit turistik në këtë zonë, e cila është bërë pjesë e guidave turistike.

Të apasionuarit pas zhytjes kanë mundësi të eksplorojnë një burim, që mendohet se ka lidhje me 4 burime të tjera, Syri i Kaltër, Skotini, liqenin e Kallpaqit dhe Janinës.

Ndryshimet e kryera në parkun e ndodhur në veriperëndim të qytetit të gurtë, kodrat rreth tij dhe pamja piktoreske me liqenin dhe burimin e Mëmës së Viroit e bëjnë mjaft joshës këtë Monument Natyre, status të cilin e ka përfituar në vitin 1982 dhe vazhdon ta mbajë me krenari./atsh

Parku i Viroit, atraksion turistik edhe për të huajt gjatë shtatorit Read More »

Dyfishim i turistëve në Shqipëri, 4 milionë e 850 mijë vetëm në tetë muaj

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të projektit për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, ka nënvizuar se vendi ynë është kthyer në një atraksion të rëndësishëm për të huajt, ku vetëm gjatë 8 muajve të parë kanë hyrë 4 milionë e 850 mijë të huaj.

Sipas Ramës, vetëm gjatë tre muajve të verës janë regjistruar në territorin e vendit tonë, 3.4 milionë, 400 mijë më shumë të huaj se vera rekord e vitit të kaluar.

“Në tetë muajt e parë të këtij viti nga janari në gusht, në territorin e Shqipërisë kanë hyrë 4 milionë e 850 mijë të huaj, që është një shifër shumë më e lartë, se sa shifra e tre katër viteve më parë dhe vetëm në tre muajt e verës, janë regjistruar 3.4 milionë, pra 400 mijë më shumë të huaj se vera rekord e vitit të kaluar apo 900 mijë më shumë se periudha e pikut të 2017-ës dhe këtu po flasim për shifra të nxjerra nga sistemi “TIMS”, e jo për shifra të nxjerra nga kalkulime imagjinare”, tha Rama.

“Faktikisht në pesë vite kemi dyfishuar numrin e vizitorëve të huaj në Shqipëri. Kjo ka krijuar një kontekst tjetër, një nivel tjetër interesi për ata që investojnë në turizëm dhe për ata që janë të interesuar të zhvillojnë infrastrukturë të mikpritjes, gjë që ne e shohim dhe nga kërkesat në rritje për investime në hoteleri nga kompani të huaja. Po ashtu kemi dhe kërkesa goxha mbresëlënëse me të cilat shpresojmë të arrijmë të prodhojmë marrëveshje për investime të mëdha në turizëm”, – bëri të ditur Rama. /atsh

Dyfishim i turistëve në Shqipëri, 4 milionë e 850 mijë vetëm në tetë muaj Read More »