Turizem

Parku i Orikut, thesar i çmuar i zbulimeve arkeologjike atraksion për brezin e ri

Qyteti antik i Orikut, i ndodhur pranë qytetit të sotëm të Orikumit, në Vlorë, i themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., vijon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve për shkak të vlerës historike dhe thesareve arkeologjike që fsheh.

Nxënësit e shkollës së mesme “Hasan Pulo”, Orikum, vizituan ditën e sotme parkun arkeologjik të Orikut, ku u njohën nga afër me zbulimet më të fundit arkeologjike nga projekti shqiptaro-zviceran. Prezantimi i të dhënave më të reja arkeologjike u krye nga vetë arkeologët e këtij projekti të cilët janë në përfundim të kësaj fushate gërmimi.

Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të aktiviteteve për “Ditët Europiane të Trashëgimisë” dhe “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”.

Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V p.e.r., si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnje), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.

Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore./atsh

Parku i Orikut, thesar i çmuar i zbulimeve arkeologjike atraksion për brezin e ri Read More »

Ja pse duhet të shkoni në Llogora

Te kilometri 31 i rrugës Sarandë-Vlorë, në dalje të Parkut, në të djathtë të rrugës kryesore, ndodhet Pisha Flamur, që është shpallur Monument Natyre dhe që është lehtësisht e dallueshme.

Ajo ndodhet në lartësinë 910 m mbi nivelin e detit, ka një moshë mbi 100 vjeçare dhe mbart vlera unikale, si vepër artistike e erërave të Jugut. Pisha i përket llojit Pinus nigera.

Ka formën e flamurit si rezultat i veprimit të erërave të forta të juglindjes. Është e gjatë 20 m, ka perimetër 3.30 m, diametri maksimal 75 cm, ka moshë rreth 100 vjeçare. Ky monument ka vlera shkencore, biologjike, estetike dhe turistike. Disa degë po thahen nga faktorët natyrorë.
Pisha flamur vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj dhe është botuar në guida të ndryshme turistike dhe botime shkencore. Natyrisht këtu nuk mund të rrish pa bërë një foto, me të cilën mund t’u mburresh miqve në Facebook, duke u thënë: “A e shihni ku kam qenë unë”?!
Për të vajtur tek ky monument merret rruga automobilistike Vlorë – Dukat – Llogora deri pra se të dalësh në Qafën e Llogorasë, në të djathtë të rrugës, pasi keni kaluar fshatin turistik. Por edhe po nuk patë Pishën Flamur të evidentuar si të tillë, në Llogara ka plot pisha të tilla, që për shkak të erërave, në një anë janë të zhveshura dhe në anën tjetër kanë plotë degë, si një flamur i shpalosur.
Kullat e Dervish Aliut në Dukat
Kullat e Dervish Aliut ndodhen në afërsi të fshatit Dukat i Vjetër, 4 km nga rruga nacionale Vlorë-Sarandë. I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator i revoltave fshatare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848. Banesa është e tipit Kullë, që i ngjan një keshtjellëze të fortifikuar.
Kullat e Dervish Aliut u ndërtua në vitin 1828 nga specialistë janinas, për të siguruar mbrojtjen e fshatit, si dhe për të shërbyer si strehim në kohë të vështira sulmesh a luftërash.
Tri kullat e Dervish Aliut kanë rreth 40 frëngji dhe prej andej mund të luftonin mbi 200 luftëtarë.
Në dhjetor 1977 Kullat e Dervish Aliut u shpallën shtëpi-muze dhe u morën nën kujdes nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Edhe sot ato gëzojnë statusin e Monumentit të Kulturës, por fatkeqësisht, me gjithë rikonstruksioneve që i janë bërë, po shkojnë drejt degradimit.
Për të vizituar këtë monument kulture ndiqet rruga që të çon në qendër të Dukatit të Vjetër. Pasi arrihet në qendër të fshatit merr rrugën që të çon në lagjen “Mazo”. Rruga që të çon deri në qendër të fshatit përshkohet nga makina, më tej rreth 1 km ecet në këmbë.
Specialitete të kuzhinës labe
Sipas dëshirave dhe shijeve këtu gjen të gjitha llojet e kuzhinave, që nga ato evropiane, por edhe të krahinave të tjera shqiptare. Por ajo që është e veçantë në artin kulinar të restoranteve të Llogarasë, është kuzhina tradicionale labe, mishi i pjekur në hell, kukurecët, arapashi dhe kosi me arra.
Të shkosh në Llogara dhe të thuash nuk kam ngrënë arapash, më mirë mos trego se ke qenë atje. Arapashi është specialiteti më tipik i kuzhinës së staneve të Labërisë. Bëhet në formë qulli me miell misri, gjalpë dhe të brendshmet e kecit dhe të qengjit. Se çfarë shije dhe sa i këndshëm është, nuk përshkruhet dot. Po të doni, shkoni dhe e shijoni!

Llogara-Dukat, Orikum-Karaburun: një zonë, dy ekosisteme
Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Liman).

Një kanal, tani i shndërruar në një kënetë lidhte lagunën me detin. Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme.

Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në nerv me vërshimin e turistëve të shumtë vendës dhe të huaj.

Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara. Ende një pjesë e tij, më e bukura, mbahet nga repartet ushtarake në një vijë të gjatë bregdetare.
Por Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pashaliman (tek Gjiri i Bristanit) duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit.

E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror t ë Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre.

Ja pse duhet të shkoni në Llogora Read More »

Rihapet “Syri i Kaltër”/ Prefekti Mamaj për ATSH-në: Rrethim i zonës dhe restaurim i ballkonit panoramik

“Syri i Kaltër” në Sarandë, një mrekulli natyrore që të befason, disa ditë pas incidentit të ndodhur rreth një javë më parë, rihapet për vizitorët.

Lajmi u konfirmua për ATSH- në nga prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, i cili së bashku me drejtorin e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Nexhip Hysolakoj dhe ekspertë të jashtëm, inspektuan këtë pikë turistike.

“Gjatë inspektimit të zonës dolëm në konkluzionin se është kjo pikë turistike është e parrezikshme për vizitorët”, – tha Mamaj.

Prefekti Mamaj bëri të ditur se u vërejtën disa mangësi, të cilat do t’i korrigjojë Administrata e Zonave të Mbrojtura, Vlorë, si rrethimi i gjithë zonës së Syrit të Kaltër dhe ballkoni panoramik që shërben për të fotografuar burimin”.

“Ballkonin panoramik do ta mbajmë të bllokuar për shkak të dëmtimit nga rënia e gurëve dhe pasi të përfundojë restaurimi do të hapet”, – tha ai.

Mamaj shtoi se bashkë me ADZM do t’i mbyllin sa më shpejt të jetë e mundur punimet.

Monumenti do të jetë i aksesueshëm per vizitorët prej ditës së enjte, duke respektuar këto masa sigurie: lëvizje e orientuar e vizitorëve me asistencën e rojeve mjedisore dhe guidave.

ADZM Vlorë kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vizitorëve dhe të agjencive turistike për respektimin e masave të sigurisë dhe konsultimin e rojeve mjedisore në terren për çdo problematikë.

Rreth një javë më parë si pasojë e rrëshqitjes së gurëve në Syrin e Kaltër u plagosën 2 turistë, një prej të cilëve grekë dhe tjetri izraelit.

“Syri i Kaltër” konsiderohet gjerësisht si një thesar kombëtar. Ai është i klasifikuar si një fenomen i befasues i natyrës, një vend i bukurisë natyrore që ndodhet në rrugën midis qyteteve të Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një burim 45 metra i thellë me ujë të kthjellët në mes të një pylli me lajthi, arra, qershi, pisha dhe drurë të tjerë gjelbërues./atsh

Rihapet “Syri i Kaltër”/ Prefekti Mamaj për ATSH-në: Rrethim i zonës dhe restaurim i ballkonit panoramik Read More »

Sarandë, rreth 10 mijë turistë me kroçera vetëm në shtator

Saranda në çdo stinë të vitit është një kërshëri që të tërheq, për plazhet mahnitëse, ujin e kristaltë dhe monumentet e shumta natyrore.

Edhe pse prag vjeshte gjatë muajit shtator në portin e Sarandës, pati një fluks të shtuar të udhëtarëve vendas e të huaj.

Porti i Sarandës bën të ditur për ATSH-në se “vetëm nga katër kroçera të ardhura nga Greqia në portin e Sarandës kanë mbërritur rreth 10 mijë turistë të huaj”.

Sipas portit, kroçerat kanë pasur në bord turistë nga Austia, Belgjika, Brazili, Bullgaria, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Irani, Italia, Spanja, Zvicra, Ekuadori, Polonia, etj.
“Turistët e huaj kanë vizituar pikat turistike të Sarandës si Butrintin, Ksamil, Syrin e kaltër, kalanë e Lëkurësit, Mesopotamin, etj”, shprehet porti.

Qëndrimi për 6 deri 8 orë në qytetin e Sarandës u ka dhënë mundësinë vizitorëve të jenë në kontakte me vendasit, ku sipërmarrësit privatë përpiqen të ofrojnë më të mirën e shërbimit.

Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike për turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë me kroçera dhe jahte turistike. Vetëm gjatë këtij viti në portin e qytetit bregdetar kanë rezervuar 42 kroçera.

Qyteti i Sarandës ka filluar që në muajin shkurt të këtij viti të presë turistët e parë, të cilët gjatë pikut të sezonit turistik ka një fluks të shtuar./atsh

Sarandë, rreth 10 mijë turistë me kroçera vetëm në shtator Read More »

10 arsyet pse Shqipëria u zgjodh nga më shumë se 5 milionë turistë

Çfarë dini për Shqipërinë? Sa nga miqtë tuaj kanë udhëtuar atje, këtë verë? Shifrat flasin qartë, më shumë se 5 milionë turistë e kanë zgjedhur Shqipërinë, këtë verë, duke e konfirmuar atë si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në zhvillim, në Mesdhe, shkruan Enrico Porfido për faqen e njohur turistike Todosobre.Travel.

”Shqipëria, që do të thotë “vendi i shqiponjave”, është një vend sa i kërkuar, po aq edhe i panjohur. I ndodhur në Gadishullin Ballkanik, midis dy destinacioneve të njohura turistike, Malit të Zi dhe Greqisë, ky vend do t’ju habisë me peizazhet e tij të virgjëra, traditat shekullore, mikpritjen dhe sidomos me gatimet shumë të shijshme.

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria po shndërrohen në një destinacion turistik gjithnjë e më të vlerësuar në Mesdhe.

Po përse? Le ta zbulojmë së bashku!

Pasi kam jetuar në këtë vend fantastik për tre vjet, mund t’ju them me plot siguri se do të jetë një nga udhëtimet më autentike të jetës tuaj. Dhe, për më tepër, është shumë pranë shtëpisë! Brenda pak orësh do të zbrisni në një vend krejtësisht ndryshe dhe magjepsës.

Mos u mundoni të merrni me mend se cilin vend tjetër ju sjell ndërmend, sepse do të çmendeshit! Nëpër rrugë do të dëgjoni të flitet italisht e anglisht, kafenetë plot njerëz do t’ju bëjnë të mendoni për Turqinë, gatimet tipike mesdhetare, karakterizuar nga djathi i freskët, ullinjtë e frutat ”do t’ju dërgojnë” në Greqi, Tunizi ose Marok.

Por, cilat janë 10 arsyet për të udhëtuar në Shqipëri?

1. Pëlqeni detin apo malin, kjo nuk ka rëndësi, peizazhet e virgjëra shqiptare do t’ju mahnitin! Ujërat e kristalta të bregdetit shqiptar, ashtu sikurse edhe shtigjet në Alpet veriore, do t’iu zhysin thellë në natyrë. A nuk do t’iu pëlqente të zgjoheshit nga zhurma e valëve të detit?

2. Shqipëria është pika e takimit midis kulturës romake dhe asaj osmane, kufiri gjeografik midis dy perandorive shekullore. Mund të vizitoni qytetet e Gjirokastër dhe Beratit, që bëjnë pjesë në UNESCO, kështjellat e Shkodrës dhe Porto Palermos, qendrën piktoreske të Korçës dhe rrënojat e Butrintit e Apolonisë. Bëjini thirrje shpirtit tuaj aventuresk dhe futeni në modalitetin arkeolog, do të shihni që nuk do të pendoheni!

3. Nëse kërkoni të udhëtoni shtruar, ky është destinacioni i përsosur. Duke qenë një vend mjaft i vogël, ju mund të vizitoni gjithçka në pak ditë, duke marrë kohën që ju duhet dhe duke përfituar nga çdo sekondë e udhëtimit tuaj. Logoja turistike e Shqipërisë është shumë e qartë “Ndiqni rrugën tuaj”. Çfarë tjetër prisni që të udhëtoni sipas mënyrës suaj?

4.Duke qenë se është një destinacion në zbulim e sipër, çmimet e strehimit, të makinave me qira dhe të ushqimit do t’iu mundësojnë të kaloni pushime me kosto të ulët. Dhe ofertat vazhdojnë, me hotelet super luksoze dhe bujtinat tërësisht të izoluara. Pra, cilado qoftë tipologjia juaj e udhëtimit, do të gjeni zgjidhjen e parapëlqyer.

5. Nga rajoni në rajon, kuzhina shqiptare është e shijshme dhe e larmishme. Lëndët e para janë të pabesueshme, perime e fruta sezoni shumë të shijshme, mish i freskët e peshk, djathëra të shumëllojshëm e shumë më tepër. Mund ta nisni ditën tuaj me një byrek fantastik dhe kos të bërë në shtëpi dhe ta përfundoni me një gosti të vërtetë me mish ose peshk, e denjë për një mbret. Dhe mos u shqetësoni se mos rëndoni stomakun, një gotë me raki, pija tradicionale e vendit, do t’ju ndihmojë të tresni çdo gatim.

6. Kryeqyteti i saj, Tirana, është nën një shndërrim të vazhdueshëm. Lërini veten ”të infektoheni” me energjinë e saj dhe të zbuloni klubet e saj të natës, mes lokaleve të koktejit dhe të tjerëve më tradicionalë, do të udhëtoni vazhdimisht në realitete paralele. Gjatë verës, rrugët janë plot me njerëz dhe ju duhet vetëm të kërkoni qoshen tuaj të preferuar, për të vëzhguar gjithë këtë dinamizëm. Dëshironi t’ju zbulojmë një sekret të vogël? Ngrini kokën lart dhe kërkoni nëpër tarraca, duke ndjekur muzikën dhe dritat.

7.Nëse ju pëlqen sporti, mos humbisni mijëra aktivitetet e organizuara, si fluturimet me deltaplan mbi bregdet, udhëtimet me kajak nëpër kanionet e lumit Osum, alpinizëm e shumë të tjera. Shkoni dhe shikoni Festivalin e Jugut në ambient të hapur dhe zgjidhni aktivitetet tuaja të parapëlqyera. Mos harroni t’i rezervoni, sepse vendet janë të kufizuara.

8.Je më shumë tip që të pëlqejnë festivalet dhe muzika? Epo, e përsosur! Gjatë viteve të fundit, në vend po organizohen gjithnjë e më shumë festivale në mjedise mbresëlënëse, si Festivali i Breshkave në Drimadhë ose Festivali i Varkave në liqenin e Komanit, në malet e veriut. Për të mos folur pastaj për Festivalin Ndërkombëtar “Jazz in Albania” dhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, që çdo vit mbledh mijëra vizitorë. E çfarë mund të dëshironi më tepër se të vallëzoni nën ritmet e një muzike të këndshme, në vende magjepsëse dhe me një kokteil të mirë në dorë?

9.Ju pëlqejnë gjërat e veçanta? Epo, edhe këtu, Shqipëria nuk do t’ju zhgënjejë. Duhet të dini se në të gjithë vendin ka mijëra bunkerë të ndërtuar gjatë regjimit komunist, për t’u mbrojtur ndaj një sulmi të mundshëm, që nuk ndodhi kurrë. Do t’i shihni nëpër plazhe, ndanë çdo rruge, në mes të qyteteve dhe në të gjitha qoshet më të fshehta të vendit. Dhe, nëse dëshironi të dini më shumë, në Tiranë do të gjeni tre muze, që përpiqen ta shpjegojnë këtë fenomen. Tani, mos më thoni se nuk u bëtë kuriozë!

10. Ende nuk jeni të kënaqur? Epo, e kam lënë më të mirën për në fund! Në Shqipëri do t’ju duket sikur jeni në shtëpinë tuaj. Lejoni t’ju drejtojnë dhe përfitoni nga të gjitha këshillat e vendasve, mirësia e tyre do t’ju mrekullojë. Në kulturën shqiptare, mysafiri është i shenjtë dhe brenda një kohe të shkurtër do të ndiheni sikur po vizitoni miq të vjetër dhe jo sikur jeni me pushime. E do të ktheheni në shtëpinë tuaj me disa miq më shumë!”, përfundon Enrico Porfido për faqen e njohur turistike Todosobre.Travel./ atsh

10 arsyet pse Shqipëria u zgjodh nga më shumë se 5 milionë turistë Read More »

Qershor-Gusht/ 13.1% më shumë turistë të huaj vizituan Shqipërinë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar

Shqipëria mbetet një ndër destinacionet e preferuara nga turistët e huaj dhe gjatë sezonit turistik të këtij viti.

Si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria gjithnjë e më shumë po bën për vete turistë dhe vizitorë të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror.

Kryeministri Edi Rama bëri publike sot të dhënat e INSTAT për numrin e turistëve në periudhën qershor-gusht 2019.

“Mirëmëngjes me Shqipëria turistike që duam. Në periudhën qershor-gusht 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë rritur me + 13.1%, krahasuar me qershor-gusht 2018”, shprehet Rama.

Gjatë stinës së verës kulmon edhe interesi i turistëve dhe vizitorëve të huaj, të cilët shprehin interes për turizmin bregdetar, malor, liqenor, historik dhe kulturor të Shqipërisë.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor./atsh

Qershor-Gusht/ 13.1% më shumë turistë të huaj vizituan Shqipërinë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar Read More »

Mbi 2 mijë turistë vendas e të huaj frekuentuan Sazanin dhe Karaburunin vetëm në shtator

Anijet turistike vazhdojnë udhëtimet nga porti i Vlorës drejt Karaburunit dhe Sazanit edhe gjatë muajit shtator.

Porti i Vlorës bën të ditur për ATSH-në se vetëm gjatë muajit shtator mbi 2 mijë turistë vendas e të huaj kanë frekuentuar anijet turistike.

Turistët e huaj kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës si Holanda, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja, Polonia, Italia, Amerika, Hungaria, etj.

“Pavarësisht motit jo të qëndrueshëm turistët kanë frekuentuar anijet turistike edhe gjatë muajit shtator”, – nënvizon porti.

Gjatë periudhës janar-gusht të këtij vitit ka pasur një rritje të fluksit të turistëve si nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe të turistëve të huaj, të cilët kanë udhëtuar me 13 anije turistike drejt ishullit të Sazanit dhe Karaburunit duke e çuar në 37 mijë numrin e tyre.

Sazani dhe Karaburuni janë kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë./atsh

Mbi 2 mijë turistë vendas e të huaj frekuentuan Sazanin dhe Karaburunin vetëm në shtator Read More »

10 qytetet e jashtëzakonshme të Shqipërisë

Në Shqipëri gjenden shumë qytete të bukura, për të cilat shumica e njerëzve nuk kanë dëgjuar, shkruan blogerja e njohur neozelandeze, Anita Hendrieka në faqen e saj të internetit anitahendrieka.com.

”Është vend relativisht i pazbuluar. Ka shumë për të ofruar duke nisur nga plazhet me rërë deri në një të kaluar komuniste interesante dhe të errët si dhe një lulëzim të gastronomisë. Në këtë shkrim do të gjeni 10 qytetet më të mira të Shqipërisë, të cilat duhet t’i vizitoni”, shkruan Hendrieka.

TIRANA

Kryeqyteti i pozicionuar në zemër të Shqipërisë, ka evoluar bukur gjatë viteve të fundit. I mbushur plot me kafene të bukura, ngjyra, vepra arti, afreske gjithashtu dhe restorante të mira.

Tirana është qytet shumë aktiv dhe tepër i veçantë krahasuar me qytete të tjera të Europës. Nëse doni të mësoni më shumë mbi të kaluarën e errët komuniste të Shqipërisë duhet të vizitoni muzetë Bunk Art 1 dhe Bunk Art 2. Të dy këto muze janë të vendosur në bunkerë nëntokësorë që t’iu lejojnë të kuptoni sesi ka qenë komunizmi në Shqipëri. Një tjetër muze që duhet vizituar është ”Shtëpia me gjethe”, ku mund të kuptoni edhe më thellë periudhën komuniste.

Nëse muzetë nuk janë në shijet tuaja, si thoni për klasa gatimi ku të mësoni mbi ushqimin shqiptar? Duke mësuar më tepër mbi ushqimin, mësoni më tepër dhe për mënyrën shqiptare të jetesës.

SARANDA

Qyteti i Sarandës, i pozicionuar në anë të detit, është një ndër të preferuarit e mi (kam jetuar këtu për më shumë se dy vite). Gjatë periudhës së verës, është qyteti më i populluar nga turistët për shkak të plazheve të bukura që ndodhen përreth. Saranda është porta për në Rivierën Shqiptare, ku ndodhen disa nga plazhet më të bukura të Shqipërisë.

Për të parë perëndimin fantastik, duhet të vizitoni Kalanë e Lëkurësit. Gjithashtu mos harroni të vizitoni “Maldivet e Shqipërisë”, ishullin e Ksamilit si dhe Butrintin, i shpallur zonë e mbrojtur nga UNESCO. Në dalje të qytetit gjenden disa plazhe të bukura të quajtura plazhi i Pasqyrave dhe plazhi i Manastirit.

DURRËSI

I pozicionuar vetëm 30 kilometra nga kryeqyteti, gjendet qyteti bregdetar i Durrësit, i cili njihet për historinë që daton para 3 000 vitesh. Aty ndodhet dhe amfiteatri i dytë më i madh në Ballkan, me kapacitet prej rreth 15 000 personash.

Durrësi është një qytet-port, gjë që tregon se nuk është qyteti më i bukur në Shqipëri, por historia, plazhet dhe arkitektura e qetë e bëjnë atë një qytet të famshëm ku turistët të ndalojnë.

BERATI

Qyteti i një mbi një dritareve, i gjendur jo larg nga Tirana, është qytet i mbrojtur nga UNESCO. Ky destinacion është ndër më të dallueshmit në Shqipëri për sa i përket arkitekturës dhe sharmit të Perandorisë Osmane.

Kur vizitoni Beratin sigurohuni të ecni më këmbë ose të ngjiteni me makinë lart në kala për të parë peizazhe fantastike. Gjeni kohën për t’u endur në rrugët me kalldrëm të qytetit të vjetër dhe të shkoni për degustim në ndonjë nga punishtet e verërave. ”Çobo” është e preferuara ime.

VLORA

Vlora është një tjetër qytet bregdetar si Saranda dhe është porta tjetër për në rivierën shqiptare. Ky qytet është shumë më i madh se Saranda dhe ka plazhe të bukura për të vizituar. Plazhi i Radhimës është zgjedhje e mirë!

Vlora është qytet i rëndësishëm për Shqipërinë pasi aty u shpall pavarësia nga Perandoria Osmane.

Vizita në ishullin e Sazanit do të ishte një tjetër aktivitet i këndshëm. Ky ishull ka shërbyer si bazë ushtarake dhe shtëpi për ushtarët si dhe familjet e tyre, por pas rënies së komunizmit, ishulli u braktis. Kohët e fundit, është lejuar që një pjesë e tij të vizitohet nga turistët.

KORÇA

Korça është një qytet i veçantë dhe i famshëm për prodhimin e birrës. Birra “Korça” është ndër birrat më të mira në treg. Për më tepër, në Korçë, pak para pashkëve ortodokse, mbahet festivali më i madh i birrës.

Qyteti është tepër tradicional dhe shumë turistë sapo kanë filluar ta zbulojnë.

SHKODRA

Shkodra nuk ngjason me asnjë qytet tjetër në Shqipëri. Arkitektura është shumë e ndryshme nga të tjerat. E pozicionuar në veri, Shkodra është një vend i famshëm për të eksploruar Alpet e Shqipërisë.

Nëse qëndroni në Shkodër, sigurohuni të vizitoni kalanë e Rozafës dhe të mësoni legjendën e gruas së murosur. Nëse ju pëlqejnë aktivitetet në natyrë, bëni një udhëtim në Theth dhe një shëtitje deri në Valbonë. Është udhëtimi më i bukur për të vizituar natyrën e pafundme të Shqipërisë.

KRUJA

Qyteti historik i Krujës, ose i njohur si qyteti i Skënderbeut, është ndër ndalesat e mia të preferuara në Shqipëri. Skënderbeu është heroi i Shqipërisë, i cili ndihmoi vendin të luftojë ndaj Perandorisë Osmane dhe të rimerrte kontrollin. Brenda kështjellës së Krujës gjendet një muze dedikuar Skënderbeut ku mund të mësoni më shumë mbi historinë e këtij qyteti malor.

Në Krujë ndodhet pazari më i madh që kam parë në Shqipëri. Është më i vjetri që daton në shekullin XIV. Aty mund të gjeni objekte të çmuara, qofshin këto të reja ose të vjetra.

GJIROKASTRA

Gjirokastra është një ndër qytetet e vogla të Shqipërisë, por pjesa e vjetër e qytetit duhet vizituar patjetër. Për shkak të historisë dhe bukurisë, ky qytet mbrohet nga UNESCO. Ju rekomandoj të paguani pak më shumë e të vizitoni Muzeun e Armëve dhe burgun e vjetër. Kjo vizitë do j’u sigurojë informacion më të thellë për sa i përket historisë.

Gjirokastra është vetëm një orë larg qytetit të Sarandës duke mundësuar kështu një udhëtim të bukur ditor ose qëndrim për një natë.

LEZHA

Lezha nuk është zgjedhja e parë për turistët, por duhet të jetë sepse po fillon të bëhet destinacion turistik dhe një ndër qytetet më të mira të Shqipërisë.

Kështjella e Lezhës, e pozicionuar mbi kodër, ofron disa nga pamjet më të bukura të qytetit. Brenda në qytet mund të vizitoni varrin e Skënderbeut. Nëse dëshironi të qetësoheni nën diell, plazhi me rërë i Shëngjinit gjendet vetëm 8 kilometra nga qendra. Për persona aventurierë, aty pranë ndodhen edhe duna rëre.

Adhuruesit e ushqimit mund të mësojnë më shumë mbi zhvillimin e ushqimit në Shqipëri. Ushqimi shqiptar po bëhet shumë i njohur sepse përbërësit janë biologjikë, të freskët e të thjeshtë, por të shijshëm. ”Mrizi i Zanave” është një restorant që duhet vizituar. Është dukshëm një ndër më të mirët në vend dhe është reklamuar në shumë programe televizive, përshirë atë të shefit të famshëm britanik, Rick Stein”, përfundon blogerja e njohur neozelandeze, Anita Hendrieka në faqen e saj të internetit anitahendrieka.com.=atsh

10 qytetet e jashtëzakonshme të Shqipërisë Read More »