Turizem

Majorca Daily Bulletin: Shqipëria, destinacion tërheqës për investime nga hoteleritë spanjolle

Hoteleria e Majorkës, e shqetësuar nga një rënie e të ardhurave nga Karaibet në vitet e fundit, ka kthyer sytë nga një tjetër destinacion për t’u zgjeruar. Një destinacion në rritje dhe shumë tërheqës, Shqipëria, ku qeveria ka futur stimuj tatimorë për investimet e huaja për zhvillimin e turizmit të vendit, shkruan revista spanjolle “Majorca Daily Bulletin”.

Muajin e kaluar kishte pasur një seri kontaktesh mes përfaqësuesve të hotelerisë dhe qeverisë. Të drejtuar nga “Iberostar”, grupe të tjera të hotelerisë përfshirë “Viva” dhe “MAC. Jet2” ishin gjithashtu të ftuar për të parë për krijimin e linjave mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.

Presidentja e “Iberostar”, Miguel Fluxa deklaroi në mars gjatë ITB-së (Panairi Ndërkombëtar i Turizmit) në Berlin se grupi i tij do të investojë 300 milionë euro gjatë pesë viteve të ardhshme në krijimin e gjashtë hoteleve me nga 3000 dhoma.

“Melia” ishte ndër grupet e para mes hotelerisë spanjolle që lëvizën dhe do të ketë dy godina kur të hapet “Melia Tirana” në vitin 2021.

Sikurse pritet, kompanitë më të vogla të hotelerisë janë në pritje dhe do të shohin çfarë ndodh para se të investojnë. Ata bënë të njëjtën gjë kur destinacione si Riviera Maya u bënë popullore./atsh

Majorca Daily Bulletin: Shqipëria, destinacion tërheqës për investime nga hoteleritë spanjolle Read More »

Të rinjtë e Smile Albania, aksion pastrimi në plazhet e Karaburunit

Të rinjtë e Smile Albania si dhe stafi i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Vlorë kanë bërë të mundur grumbullimin e afërsisht 220 kg mbetje, në një prej plazheve natyror të Karaburunit.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë, ju bën thirrje vizitorëve të Parkun Kombëtar Detar Karaburun të mbajnë pastër këto zona turistike

”Kur vizitoni Parkun Kombëtar Detar Karaburun Sazan merrni padyshim kujtime të bukura. Ju lutemi, kujdesuni të mos lini pas mbetjet tuaja. Është e papranueshme që në vetëm 80 m2, të një prej plazhe natyror të Karaburunit të rinjtë e Smile Albania dhe stafi i AdZM Vlorë, arrijnë të grumbullojnë afërsisht 220 kg mbetje”, thekson AdZM Vlorë.

Të rinjtë e Smile Albania, janë jo vetëm promotorë të turizmit gjatë sezonit veror, por po kryejnë edhe një mision të rëndësishëm në përçimin e mesazheve ndërgjegjësuese përmes pjesëmarrjes në operacionet simbolike të pastrimit, organizuar kudo në Shqipëri nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Të rinjtë e Smile përgjatë dy muajve kanë ndihmuar në pastrimin e të gjitha zonave bregdetare dhe turistike. /atsh

Të rinjtë e Smile Albania, aksion pastrimi në plazhet e Karaburunit Read More »

Rritje e numrit të turistëve polakë në Shqipëri

Në kuadër të forumit ekonomik në Krynica Zdrój të Polonisë, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi zhvilloi një takim me Kryeministrin e Polonisë, Mateusz Morawiecki dhe Ministrin e Investimeve dhe Zhvillimit Ekonomik, Jerzy Kwieciński.

Ministri Shalsi bën të ditur se gjatë këtyre takimeve u bisedua për çështje me interes reciprok, por veçanërisht numri në rritje i turistëve polakë në vendin tonë.

“Përpos diskutimeve të realizuara në panel me Ministrin e Investimeve dhe Zhvillimit Ekonomik, biseduam edhe për çështje me interes reciprok duke u ndalur kryesisht tek numri në rritje i turistëve polak në Shqipëri. Një kënaqësi e veçantë ishte edhe takimi me Kryeministrin e Polonisë”, shprehet Shalsi.

Ministri po merr pjesë në punimet e forumit ekonomik në Krynica Zdrój të Polonisë nga ku përfaqësues nga shtete të ndryshme ndanë praktikat më të mira të bashkëpunimit rajonal.

Strategjia e BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), e cila konsiston në një platformë bashkëpunimi, ishte një ndër temat kryesore për të cilën ministri foli në konferencë.

“Forumi Ekonomik ishte edhe një rast shumë i mirë për të marrë pjesë si dëgjues në panele të tjera, ku diskutoheshin tematika shumë interesante, të vlefshme, aktuale edhe për vendin tonë”, -tha Shalsi. /atsh

Rritje e numrit të turistëve polakë në Shqipëri Read More »

6.7 milionë turistë vizituan Shqipërinë deri në muajin gusht

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i ftuar në një studio televizive, foli mbrëmjen e sotme për incidentin e ndodhur në Porto Palermo në muajin gusht ku Mihal Kokëdhima dhunoi familjen e turistëve spanjollë që kishte ardhur në restorantin e tij për të konsumuar një drekë.

Duke folur për këtë ngjarje dhe takimin që zhvilloi me familjen spanjolle, Klosi tha se “ata ishin të shokuar nga ngjarja, familja ishte e shqetësuar. Djali ishte akoma me atë bluzën e grisur, kryefamiljari ishte i çarë në buzë, pastaj situata mori ndryshe. Video është e tillë, ata ndaluan në atë lokal nga dita e bukur, nga mikpritja e njerëzve. Të vetmin justifikim që i vinin ngjarjes është se zotëria nuk ishte në terezi. Ata nuk kishin konsumuar asnjë gotë ujë në atë lokal”, tha Klosi.

Ministri solli në vëmendje edhe reagimin e turistit spanjoll i cili është shprehur se : “Unë tashmë jam një ambasador i Shqipërisë”, për mënyrën se si të gjithë reaguan lidhur me ngjarjen.

Klosi shtoi se pas publikimit të kësaj ngjarje duhej që shteti të reagonte, jo të shpresonte të mos publikohej video. “Unë nuk e dija se cfarë familje ishte, as se kush ishte ai zotëria”, tha ministri.

Përsa i përket restorantit të Mihal Kokëdhimës i cili u shëmb nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ministri tha se “ishte një ndërtim pa leje, ka qenë në proces legalizimi po ai ndërtim nuk do legalizohej. Edhe pse ka qenë djali i xhaxhait të ish-deputetit socialist nuk është legalizuar pasi ajo zonë është e një rëndësie të veçantë”.

Ministri deklaroi se deri në muajin shtator, Shqipëria u vizitua nga 6.7 milionë turistë. “Nëse kemi një arsye që kemi 6.7 milionë turistë këtë vit deri në këto momente qe po flasim, nëse kemi pasur 1.5 milionë turistë vetëm në muajin gusht, natyrisht është edhe oferta që ne kemi përsa i përket turistit të huaj”, tha Klosi.

Më tej, Klosi tha se rritja e numrit të turistëve në Shqipëri me pothuaj 1.6 milionë të huaj, nxjerrin problemet më në pah. “Por të gjitha problemet po vihen në rrugën e zgjidhjes. Kontrolli mbi bregdetin nuk ka qënë më përpara dhe as nuk bëhej fjalë që të diskutohej për t’u kontrolluar. Vendimi i qeverisë për kontrollet e plazheve, plazhet publike, stacioneve të plazhit, nuk kanë qënë dhe kjo ka ardhur nga ajo që pamë vjet. Kemi licencuar rreth 300 guida”, tha Klosi, duke shtuar se Shqipëria krahasohet me vende si Greqia, Kroacia, Italia Mali i Zi dhe Turqia që kanë 50 vjet që bëjnë turizëm, ndërsa ne deri para 5 vitesh e kishim detin të bllokuar, nuk kishte mjete lundruese”.

Përsa i përket sigurisë në plazhe, Klosi deklaroi se “ sivjet kanë humbur jetën më pak se 11 persona si pasojë e masave të marrë që nga vendosja e sistemit të rojeve në plazhe dhe menaxhimit të plazhit”.atsh

6.7 milionë turistë vizituan Shqipërinë deri në muajin gusht Read More »

Misteret e “Shpellës së Pëllumbasit”, atraksion turistik

Turizmi speleologjik në mbarë botën është kthyer në një dukuri mjaft tërheqëse për vizitorët kuriozë të natyrës dhe historisë.

Shqipëria është e pasur me një larmi të madhe shpellash, ku një grup turistësh gjatë këtyre ditëve të para të shtatorit kanë zgjedhur të eksplorojnë “Shpellën e Pëllumbasit”, apo siç quhet ndryshe edhe “Shpella e Zezë”.

Kjo shpellë tashmë e kthyer në një atraksion turistik mjaft të veçantë gjendet në juglindje të Tiranës mbi grykën panoramike të Skorranës e krijuar nga lumi Erzen. Pamja në këtë vend është mjaft interesante, pasi ndërthuren bukuritë e peizazhit përreth dhe pamja mistike e shpellës. Turistët aventurier kanë bërë një itinerar në këtë vend duke eksploruar bukuritë dhe misteret e kësaj shpelle.

Gjithashtu turistët kanë shijuar dhe rrugëtimin drejt shpellës përmes shtegut i cili është i mbrojtur nga parmakë druri të ndërtuara vitet e fundit përmes një pylli të dendur shkozash. Ata gjithashtu shijuan në stolat prej druri një soditje të madhështisë së maleve të Pashkasheshit, Priskës (Skëterrës) dhe Dajtit përbri.

Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet 350 metra mbi nivelin e detit. Ajo të shfaqet befas dhe vjen duke u zgjeruar përherë dhe më shumë kur i afrohesh. Shpella e Zezë e Pëllumbasit shtrihet në një thellësi prej 300 m (e eksploruar) dhe të tërheq vëmendjen me formën e saj, por edhe me ndërtimin e brendshëm, si në thellësinë e një galerie të stërmadhe miniere.

Tavani shkëmbor është i mbushur me stalagmite gjithfarë formash dhe dyshemeja e saj me stalaktite. Interesante janë gropat në dysheme, por edhe tavani i shpellës me togëzimet gëlqerore të gurëzuara dhe me struktura nga më të çuditshmet.

Shpella e Zezë e Pëllumbasit është një ndër gjashtë shpellat më unikale në Europë./atsh

Misteret e “Shpellës së Pëllumbasit”, atraksion turistik Read More »

1.5 milion turistë gjatë gushtit, Klosi: Nevojë për rregulla të reja në turizmin shqiptar

“Viti 2019 në 8-mujorin deri më 31 gusht ka shënuar plot 4 milionë e 850 mijë turistë të huaj që kanë hyrë në vendin tonë e që janë 10% më shumë së i njëjti 8-mujor i vitit 2018”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë një interviste televizive për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Klosi tha se, “gushti cilësohet si muaj i suksesshëm turistik pasi 1.5 milionë turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë, pra 8% më shumë se gushti i 2018. Në datat 5-25 gusht i gjithë kapaciteti në bregdet ka qenë i ezauruar”.

“Tashmë në turizmin shqiptar ka ardhur koha për rregulla të reja dhe nëse ne nuk kuptojmë që sot që kemi nevojë për një strukturim tjetër të turizmit shqiptar vitin tjetër do kemi problem më të mëdha”, vijoi Klosi.

“Ne ndjehem pozitiv për sa i përket shërbimeve në turizëm si mikpritja dhe gjithashtu po ecim shumë në strukturat akomoduese, Ka një moment të fortë zhvillimi përsa i përket hotelerisë në gjithë zonën e bregdetit, pasi ka me mijëra shtretër të shtuar të rinj në gjithë strukturën turistike të vendit”, shtoi ai.

“Ky vit gjithashtu shënoi progres përsa i përket rregullave përsa i përket hapësirave publike, menaxhimit të plazheve dhe hapësirave të mbrojtura”, përfundoi ministri Klosi. /atsh

1.5 milion turistë gjatë gushtit, Klosi: Nevojë për rregulla të reja në turizmin shqiptar Read More »

Zviceranët i adhurojnë pushimet në Shqipëri

Kërkesat për rezervime për vendin ballkanik po rriten nga viti në vit, shkruan faqja e njohur zvicerane m20min, në një shkrim kushtuar Shqipërisë.

”Sidomos kryeqyteti, Tirana, është shumë popullor për turistët zviceranë”, thekson m20min.

”Shqipëria është një destinacion turistik në rritje mes zviceranëve. Kjo është e dhëna e fundit statistikore nga platforma online Ebookers.

Mes janarit dhe korrikut 2019, kërkesat për rezervime në hotele u rritën 80%, krahasuar me vitin e kaluar.

Dhe, nëse krahasojmë vetëm për kërkesat për muajin korrik, rritja është 180% krahasuar me një vit më parë.

Sipas Ebookers, gjysma e rezervimeve u bënë për destinacionet bregdetare.

Nëse Tirana është në krye të kërkesave, Durrësi dhe Saranda janë shumë popullore për pushime në det”, përfundon faqja e njohur zvicerane m20min./atsh

Zviceranët i adhurojnë pushimet në Shqipëri Read More »

Shqipëria, ndër gjashtë vendet më të bukura për t’u vizituar në shtator

Shqipëria dhe plazhet e saj janë përzgjedhur mes gjashtë destinacioneve turistike botërore, ndër to Gjermania, Bullgaria, Norvegjia dhe Kina, të cilat duhet të vizitohen gjatë muajit shtator.

Agjencia çeke e udhëtimeve “Kiwi.com” shkruan se nga të gjitha vendet e preferuara për pushime deri më sot, me bregdetin dhe plazhet e saj mahnitëse, Shqipëria ka të gjitha tiparet e një destinacioni klasik mesdhetar.

Moti është ende shumë i mirë, por megjithatë sezoni turistik thuajse ka përfunduar. Por çfarë u ofron vizitorëve muaji shtator?

Fëmijët pothuajse në të gjitha vendet tashmë janë rikthyer në shkollë dhe çmimet ndërkohë janë ulur. Për këtë arsye, shtatori është muaji kur mund t’u gëzoheni pushimeve paksa të vonuara verore. Ne kemi disa ide që mund t’ju frymëzojnë për të zgjatur edhe pak sezonin e pushimeve verore.

Plazhet e Shqipërisë

Jeni në kërkim të pushimeve diku në bregdet, ku numri i pushuesve nuk është më edhe aq i lartë, ndërkohë që moti është ende i mirë? Greqia? Ende plot e përplot me turistë. Kroacia? Sigurisht, por një vend gjithnjë e më i zhurmshëm. Spanja? Praktike, por e eksploruar së tepërmi. Shqipëria? Epo… sigurisht, përse jo?

Deri më sot, nga të gjitha vendet e preferuara turistike, Shqipëria ka të gjitha tiparet e një destinacioni klasik mesdhetar. Në pjesën jugore, Shqipëria ka një vijë të gjatë bregdetare dhe plazhe, që, në shumicën e tyre, janë vërtet mahnitës. Në atë që tashmë njihet si Riviera Shqiptare ju do të gjeni plazhet e Gjipesë dhe Jalit, rreth 13 kilometra larg njëri-tjetrit, dhe që të dy të fshehur në gjire magjepsës shkëmborë.

Jugu i Shqipërisë ofron edhe dhjetëra opsione të tjera. Plazhi i Dhërmiut, që shtrihet pranë fshatit me të njëjtin emër, është vendi që duhet ta vizitoni patjetër nëse ju mundon dilema e përjetshme e përzgjedhjes mes plazhit me rërë dhe atij me gurë. Në mënyrë të pazakontë, ky plazh i ofron të dyja. Kepi i Rodonit është një gadishull mahnitës i rrethuar nga plazhe dhe me një kështjellë mbi të; ky vend mund të arrihet lehtësisht nga kryeqyteti i vendit, Tirana. Po kështu, nëse ju pëlqen historia, në Parkun Kombëtar të Butrintit mund të vizitoni rrënojat romake rrethuar nga një peizazh i mrekullueshëm.

Atëherë, të vizitoni Shqipërinë? Përse jo?/atsh

Shqipëria, ndër gjashtë vendet më të bukura për t’u vizituar në shtator Read More »