Shendetesi

Kosovë/ 40 të shëruar dhe 216 raste të reja me COVID-19

Më 12 korrik 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 493 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 216 raste pozitive.

Numri total i rasteve pozitive është 4.931 raste nga 28.216 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 102 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Më 12 korrik 2020, janë shëruar 40 pacientë ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më 12 korrik është gjithsej 2.267 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.562.

Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 115 raste, komuna Drenas 16 raste, komuna Fushë Kosovë 16 raste, komuna Lipjan 14 raste, komuna Podujevë 12 raste, komuna Mitrovicë 10 raste, komuna Skenderaj 6 raste, komuna Obiliq 4 raste, komuna Vushtrri 4 raste, komuna Shtime 3 raste, komuna Kaçanik 3 raste, komuna Suharekë 3 raste, komuna Prizren 2 raste, komuna Deçan 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Ferizaj, Klinë, Malishevë, Pejë, Rahovec dhe Viti./atsh

Kosovë/ 40 të shëruar dhe 216 raste të reja me COVID-19 Read More »

Pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë për terapinë intensive në spitalin rajonal të Vlorës

Pas spitaleve të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, edhe në spitalin rajonal të Vlorës janë forcuar kapacitetet me pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë për terapinë intensive.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se personeli mjekësor është në shërbim të pacientëve 24 orë në ditë, në shtatë ditë të jetës.

“Pas spitaleve të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, edhe në spitalin rajonal të Vlorës janë forcuar kapacitetet me pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë për terapinë intensive. Ekipet tona janë në shërbim të pacientëve, 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës. T’i ndihmojmë duke treguar kujdes individual:Distancim fizik, zbatim i rregullave të higjenës dhe mbajtja e maskës”, thote Manastirliu./atsh

Pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë për terapinë intensive në spitalin rajonal të Vlorës Read More »

Apeli i ministres Manastirliu: Tre veprimet e thjeshta që duhet të bëjmë çdo ditë për ta mundur Covid 19

Ministrja e Shëndetësië, Ogerta Manastirliu ka një tjetër apel për qytetarët, ndërkohë që situata me Covid 19 është serioze.

Ajo këshillon të respektohen tre veprime të thjeshta çdo ditë me qëllim që ta mundim Covid 19.

STATUSI I PLOTË

Lutemi respektoni këto tre veprime të thjeshta, çdo ditë, për t’ju bashkuar përpjekjes së mjekëve dhe infermierëve, për t’a mundur 🤜COVID19🤛

↔️Respekto distancën
😷 Vendose maskën
🧼Ruaj higjienën vetjake dhe kolektive

#RespektoniRregullat
#RuaniShëndetin

Apeli i ministres Manastirliu: Tre veprimet e thjeshta që duhet të bëjmë çdo ditë për ta mundur Covid 19 Read More »

Manastirliu inspekton spitalin e Vlorës: Fuqizojmë terapinë intensive, përgatitemi për çdo situatë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, Sociale Ogerta Manastirliu, në kuadër të fuqizimit të njësive të terapisë intensive në spitalet rajonale dhe universitare, ka inspektuar spitalin rajonal të Vlorës.

“Në fokus të punës tonë është fuqizimi i shërbimeve në spitalet rajonale, me synimin për të ofruar shërbime cilësore afër vendbanimit, por veçanërisht në këtë situatë të epidemisë COVID-19 jemi duke forcuar kapacitetet në të gjithë spitalet universitare dhe rajonale, sa i përket rrjetit të terapisë intensive”, – tha Manastirliu.

Pas spitaleve rajonale në Durrës, Elbasan, Shkodër, edhe në Vlorë janë instaluar pajisjet moderne të reanimacionit, duke filluar nga shtretërit, respiratorët, aspiratorë, shiringa elektrike, pompat e infuzionit dhe një set i plotë i pajisjeve të nevojshme jetëshpëtuese.

Përveç fuqizimit me aparatura, spitali rajonal i Vlorës do të ketë këtë vit një investim tërësor për reanimacionin.

“Spitali Rajonal i Vlorës do të jetë një ndër spitalet që do të mbështetet nga qeveria shqiptare nëpërmjet fondeve të alokuara në kuadër të luftës kundër COVID-19 për fuqizimin e terapisë intensive. Brenda vitit do të kemi një reanimacion të ri sipas standarteve bashkëkohore, për të ofruar shërbime më cilësore dhe me dyfishin e kapaciteteve, që do të mbulojnë zonën e jugut, që i shërben gjithashtu edhe turistëve e pushuesve gjatë sezonit turistik” tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh nga spitali i Vlorës se po merren masat për t’u përgatitur për çdo situatë.

“Kemi rritur kapacitetet në rast të shtimit të rasteve me COVID-19, por duhet të përgatisim spitalet rajonale për çdo situatë, pasi, ndërsa trajtimi i pacientëve me COVID është përqendruar në Tiranë, spitalet rajonale duhet t’ju përgjigjen edhe patologjive të tjera”, – tha Manastirliu.

Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë po investon në rritjen e kapaciteteve në terapitë intensive për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e COVID-19, duke fuqizuar spitalet rajonale dhe universitare me aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë. /atsh

Manastirliu inspekton spitalin e Vlorës: Fuqizojmë terapinë intensive, përgatitemi për çdo situatë Read More »

Kalo apel qytetarëve: Mos ulni vigjilencën ndaj masave, COVID-19 është një realitet jetësor

Mjeku infeksionist Tritan Kalo ju bënë apel qytetarëve të kujdesen për masat ndaj virusit, pasi Sars-Cov2/Covid-19 është një realitet jetësor.

“Dhoma e parë në të djathtën e fotos së korridorit të pavijonit të parë është zyra ime në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në QSUT, ose sikundër edhe njihet Spitali Covid-1. Përkujdesi ndaj të sëmurëve realizohet vetëm aty dhe shumë më pak në studiot televizive, si dhe njohuritë për këtë sëmundje ende me shumë e shumë të panjohura përftohen po aty, krahas njohjes me eksperiencën e kolegëve tanë në Shqipëri dhe në mbarë botën”, shprehet ai.

Po ashtu, Kalo shton se “gjendem aty që herët në mëngjes jo i frikësuar, por i ndërgjegjësuar për të qenë sa më pranë jush në çdo rast nevoje. Miq e dashamirës, përkujdesuni në vijimësi për shëndetin e jetën tuaj dhe të afërmve tuaj. Sars-Cov2/Covid-19 është një realitet jetësor. imagjinatën e sëmurë për konspiracionin e mosekzistencës së kësaj “flame mbarëbotërore”, lërjani të dashuruarve pas teorive konspirative apo atyre gjithollogëve, që janë në kërkim të protagonizmit të munguar”.

“Kurrë mos harroni se janë aty që prej 9 Marsit 2020, në 24 orët e ditës me dhjetëra e dhjetëra motra e vëllezër tuaj mantelbardhë, infermierë, sanitarë, imazheristë, administratorë, farmacistë, barrelistë, shoferë e punonjës të rendit, për të vigjiluar mbi shëndetin tuaj. Mendoni edhe për sakrificat e privimet e tyre të pafundme. Jo rrallë ne edhe nuk ja kemi dal mbanë dhe kemi humbur jetë njerëzish, shpirtrat e të cilëve pushofshin në Parajsë. Fëmijët kanë humbur nënën apo babanë, të afërmit motrën apo vëllanë, ne kemi humbur kolegët tanë të çmuar. Ju lutem si mjek e vëlla, që kurrë të mos e braktisni për asnjë çast përkujdesin ndaj vetes, si dhe vigjilencën për të mos rënë PRE e këtij infeksioni sa tinëzar edhe jetë-marrës”, apelon Kalo.

“Me mirëbesim reciprok si dhe me përpjekje të palodhshme do mundet t’a fitojmë sfidën me Sars-Cov2/Covid-19”, shprehet Kalo. /atsh

Kalo apel qytetarëve: Mos ulni vigjilencën ndaj masave, COVID-19 është një realitet jetësor Read More »

Manastirliu: Mbi 4 mijë vizita dhe shërbime në 28 qendrat verore, identifikohen rastet e para me COVID-19

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar qendrat shëndetësore verore në Vlorë, ku ka kërkuar angazhim maksimal për respektimin e protokolleve antiCOVID, për të identifikuar në kohë rastet e dyshuara dhe për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksionit në zonat turistike, të cilat pritet të kenë fluks të shtuar pushuesish.

“Në protokollet e vendosura në 28 qendrat shëndetësore verore është gjithashtu një protokoll i posaçëm, i cili përcakton të gjitha hapat që duhet të marrë një mjek apo një infermier, në momentin kur ballafaqohet me një rast të dyshuar me COVID-19. Janë deri tani disa dhjetra raste të dyshuara në qendrat verore, të cilët janë evidentuar nëpërmjet protokolleve të përcaktuara nga stafet mjekësore dhe më pas kanë ndjekur rrugëtimin dhe protokollin nga epidemiologët dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se vetëm në këto javë që nga hapja, në qendrat verore janë realizuar mbi 4 mijë shërbime shëndetësore për qytetarët dhe turistët.

“Vetëm në këto javë janë ofruar më shumë se 4000 shërbime, konsulta, mjekime nga të gjithë qendrat shëndetësore verore nga Shkodra në Sarandë. Të gjithë qendrat shëndetësore verore janë të pajisura me mjetet e mbrojtjes personale kur flasim për protokollet antiCOVID. Nga ana tjetër, të 18 pikat e ambulancave të Urgjencës Kombëtare janë të vendosura në postacione specifike për të garantuar mbërritjen e shpejtë në vendin ku ndodh urgjenca”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu nënvizoi se i gjithë sistemi shëndetësor është në gatishmëri dhe aktualisht po përballet me fluksin më të madh gjatë gjithë epidemisë.

“Epidemiologët janë në terren, gjurmimi dhe hetimi po vijon dhe mjekët e familjes janë duke bërë një punë të jashtëzakonshme, pasi janë më shumë se 800 raste Covid pozitivë, të cilët po ndiqen në banesa ku janë të karantinuar nga mjeku i familjes, duke marrë terapitë e mjekimit. Puna po vijon dhe është në fluksin më të madh gjatë gjithë epidemisë, pasi kemi një rritje të numrit të rasteve pozitive, gjë që tregon se kemi shumë punë për të bërë sa i përket këputjes së zinxhirit të infeksionit në vatrat aktive”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë kërkoi rritjen e vigjilencës në çdo strukturë dhe apeloi qytetarët të tregojnë kujdes për respektimin e rregullave, për të kufizuar përhapjen e COVID-19.//atsh

Manastirliu: Mbi 4 mijë vizita dhe shërbime në 28 qendrat verore, identifikohen rastet e para me COVID-19 Read More »

“Maska ul mundësinë e infektimit me COVID-19 deri në 95%”/ Pipero: Nëse nuk na bëhet mënyrë jetese, duhet të vendoset me ligj

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero thotë se numrat e shtuar të të infektuarve javët të fundit si dhe të rritjes së shtrimeve në spital referojnë një situatë shqetësuese ku qytetarët duhet të ndërgjegjësohen duke vendosur maska.

Ndonëse komplikacionet më të mëdha vijojnë t’i paraqesin të moshuarit apo të sëmurët kronikë ka dhe të rinj që kanë nevojë për trajtim spitalor.

“Moshat e reja janë në marrëdhënie punë janë më të ekspozuar. Së dyti, moshat e vjetra ende vazhdojnë të kenë më shumë kujdes Kanë kujdes të shtuar dhe ne vazhdojmë t’i bëjmë presion që të ruhen, kësisoj në numrat e shtuara prevalojnë moshat e reja. Graviteti dhe komplikacionet më të mëdha janë te të sëmurët kronikë, tek obezët dhe të moshuarit. Numri i shtuar i rasteve të konsideruara, të konfirmuara pozitivë është shoqëruar me rritjen e numrit të rasteve të shtuara në spital, disa prej tyre në format e rënda të sëmundjes dhe midis tyre humbje jetësh. Në kompleks situata është shqetësuese por besoj fort që nuk është ende problematike”, shprehet Pipero.

“Askush nuk e di nëse është pozitiv. Sot bota trembet nga transmetuesit e heshtur. Kam qenë dhe jam në parim kundër maskës në rrugë. Por nëse maska nuk na bëhet mënyrë jetese, duhet të vendoset me ligj, me detyrim edhe në rrugë. Është e domosdoshme në mjedise të mbyllura dhe hapësira publike, qofshin në grumbullime, qofshin në biseda, qofshin në lokale. Kudo ku mjediset janë të mbyllura, ku distanca është e pamundur të ruhet, duhet doemos të vendoset maska. Një maskë sado e thjeshtë e ul mundësinë e infektimit së paku deri në 95%”, tha Pipero.atsh

“Maska ul mundësinë e infektimit me COVID-19 deri në 95%”/ Pipero: Nëse nuk na bëhet mënyrë jetese, duhet të vendoset me ligj Read More »

“100 mijë kontrolle në të gjithë vendin për masat antiCOVID”, Rakacolli: Pas hapjes rritja normale, duhet të respektohen protokollet e sigurisë

“Kemi ushtruar mbi 100 mijë kontrolle në të gjithë vendin në lidhje me respektimin e protokolleve të hapjes”, tha sot zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, e ftuar në një emision televiziv, ndërsa thekson se rritja e numrit të infektuarve nuk ka të bëjë me rikthim virusi, por është një normalitet pas hapjes.

Në lidhje me rritjen e numrit të të infektuarve pas hapjes dhe a është rikthim i virusit, Rakacolli tha se “nuk është një rikthim i virusit, është një vazhdimësi që ka ndjekur protokollin e hapjes. Pra, nuk është një gjë e papritur, është një gjë që ka ndodhur në të gjithë botën, dhe pas mbylljes në protokollin e hapjes ka rritje të numrit të të infektuarve”.

“Në Shqipëri kjo rritje numrash ishte parashikuar, por nuk ishte parashikuar që të ndodhte më këtë ritëm që kemi sot. Kjo është një tendencë normale dhe ka ndodhur në të gjithë botën, që pas mbylljes së fortë dihet se në rihapje do të këtë rritje numrash, por sa shkon kjo rritje mbetet për t’u vlerësua”, tha ajo.

Rakacolli tha se kur bëhet fjalë për një sëmundje infektive ka të bëjë shumë shkaktarë që e jep sëmundjen infektive dhe shkaktari siç dihet është virusi, dhe fatkeqësisht deri më tani nuk ka asnjë vaksinë dhe nuk ka një mjekim specifik dhe e vetmja mënyrë është mos kontaktimi, është parandalimi, marrja e masave për të mos e kontaktuar këtë virus. Në rastin kur virusi është respirator është akoma më e vështirë që të mbrohesh nga ky. Pra që të mos marrës virusin ka vetëm një mundësi që të mos e kontaktosh. Në momentin që hapemi, nëse ne nuk i marrim ato masa që të mos e kontaktojmë virusin, patjetër që do të infektohemi.

Në lidhje me përhapjen e virusit nga ajri, Rakacolli tha se “OBSH i përmendi 200 studime por përsëri e la për t’u konfirmuar, por që të shpjegohet mirë se shpërndahet nga ajri do më tepër kohë. Përhapja kryesore është nga spërklat dhe mendohet që spërklat nuk mund të qëndrojnë në ajër për një kohë të gjatë. Tashmë OBSH i ka vlerësuar dhe mundet që këto copëza mund të copëzohen dhe mund të qëndrojnë në ajër për një kohë më të gjatë, prandaj në ambientet e mbyllura është më e madhe mundësia për ta marrë këtë virus dhe prandaj në këto ambiente duhet të përdoret barrierë mbrojtëse”.

Në lidhje me masat dhe kontrollet, Rakacolli tha se, “kur janë bërë protokollet e hapjes të gjitha protokollet janë të shoqëruara me masat që duhet të marrë çdo aktivitet me hapjen. Pra, të gjithë ne duhet ta dimë se ka ndryshuar jeta jonë në drejtim të qasjes dhe normalitetit. Pavarësisht se u hapëm nuk do të thotë se sëmundja mbaroj, duhet të ruajmë distancimin social”.

“Ne kemi marrë masa, kemi bërë inspektime në të gjithë vendin dhe që nga fillimi i epidemisë janë bërë mbi 100 mijë inspektime dhe janë vendosur gjoba, ku rreth 70 kanë qenë me pezullim të aktivitetit. Forcimit të këtyre masave i ka shërbyer edhe Akti Normativ që u kalua në parlament në lidhje me masat që merren për zonat turistike, që në qoftë se nuk respektohet protokollet mund të kaloj në një gjobë 700 mijë lekë dhe nëse përsëriten mund të shkojnë deri në pezullim të aktivitetit”, përfundoi Rakacolli. /atsh

“100 mijë kontrolle në të gjithë vendin për masat antiCOVID”, Rakacolli: Pas hapjes rritja normale, duhet të respektohen protokollet e sigurisë Read More »