Shendetesi

Koronavirusi/Nuk ka prova që ushqimi është një burim apo rrugë transmetimi

Autoriteti Europian i Sigurisë së Ushqimit (EFSA) po monitoron nga afër situatën në lidhje me shpërthimin e sëmundjes koronavirus (COVID-19) që po prek një numër të madh vendesh në të gjithë globin.

Aktualisht nuk ka asnjë provë që ushqimi është një burim ose rrugë e mundshme e transmetimit të virusit.

Shkencëtarja e EFSA-s, Marta Hugas, shprehet se përvojat nga shpërthimet e koronaviruseve të mëparshëm, të tilla si koronavirusi i sindromës së rëndë respiratore akute (SARS-CoV) dhe koronavirusi i sindromës së frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (MERS-CoV), tregojnë se nuk ndodhi transmetimi përmes konsumit të ushqimit.

“Për momentin, nuk ka prova që të sugjerojnë se koronavirusi është i ndryshëm në këtë drejtim”, tha ajo.

Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) thotë se ndërsa kafshët në Kinë ishin burimi i mundshëm i infeksionit fillestar, virusi po përhapet nga personi në person – kryesisht nga pikat e frymëmarrjes që njerëzit thithin, kolliten ose nxjerrin.

Shkencëtarët dhe autoritetet në të gjithë botën janë duke monitoruar përhapjen e virusit dhe nuk ka pasur raporte të transmetimit përmes ushqimit.

Për këtë arsye, EFSA aktualisht nuk është e përfshirë në përgjigjen ndaj shpërthimeve të COVID-19. Sidoqoftë, po monitorojnë literaturën shkencore për informacion të ri dhe të rëndësishëm.

Lidhur me sigurinë e ushqimit, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka lëshuar rekomandime paraprake duke përfshirë këshilla për ndjekjen e praktikave të mira të higjienës gjatë trajtimit dhe përgatitjes së ushqimit, siç është larja e duarve, gatimi i mishit në tërësi dhe shmangia e kontaminimit të mundshëm ndër ushqime të gatuara dhe të pjekura. /atsh

Koronavirusi/Nuk ka prova që ushqimi është një burim apo rrugë transmetimi Read More »

COVID-19/ Largoni frikën dhe informohuni nga burime zyrtare, Rakacolli: Shqipëria i ka kapacitetet për ta përballuar këtë sfidë

“Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për ta përballuar këtë sfidë”, deklaroi sot gjatë një interviste televizive zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli.

“Unë e them me bindje që ne i kemi kapacitetet për të përballuar këtë situatë. E them me bindje, sepse është një gjë që ne e kemi menduar. Fatmirësisht ardhja në Shqipëri dy muaj pasi epidemia vazhdonte në Kinë, na dha kohë që të përgatiteshim, që ta njihnim më mirë se si zhvillohej virusi dhe na dha kohë të përfitonim dhe nga masat që kanë marrë vendet e tjera rreth nesh. Pra ne i kemi bërë përllogaritjet në bazë të parimeve të epidemiologjisë dhe mendojmë që Shqipëria i ka të gjitha kapacitete për ta përballuar këtë sfidë”, – tha Rakacolli.

Mbi dy rastet e konfirmuar me COVID-19 Rakacolli tha se, “kontakteve të afërta të dy të infektuarve me COVID-19 janë marrë mostrat që mbrëmë. Përgjigjen e analizave të tyre nuk mund ta di, mund të jetë çështje minute, apo çështje ore. E rëndësishme është që ato akoma nuk kanë mbaruar dhe akoma nuk e kemi informacionin, sapo ta kemi në dorë, informacioni do bëhet menjëherë publik”.

Gjithashtu Rakacolli theksoi se personeli ynë shëndetësor dhe sistemi ynë shëndetësor është i aftë ta përballojë edhe këtë.

“Shërbimi ynë shëndetësor ka kaluar disa prova të tilla epidemish: poliomelitin, fruthin vitin e kaluar dhe gripin para dy vitesh, që ishte një grip shumë i fortë që pati dhe vdekje në mosha të reja dhe numri i vdekjeve në Shqipëri ishte pak më ulët se numri i vdekjeve në Europë. Prandaj e themi me bindje që personeli ynë shëndetësor dhe sistemi ynë shëndetësor është i aftë ta përballojë edhe këtë”, – tha Rakacolli.

Mbi mjekimet e rasteve me COVID-19, Rakacolli shpjegoi se, “përderisa nuk dihet akoma një medikament që të veprojë specifikisht për këtë virus, kurimi bëhet me ato preparate që ulin temperaturën, që ulin inflamacionin, pra mjekim specifik nuk ka”.

“Disa vende kanë tentuar dhe provuar disa medikamente antiviral të cilët ne ato fatmirësisht i kemi. Nëse shërbimi infektiv në protokollin e bërë gjykon që do përdoren këto medikamente ne i kemi disponibël”, – vijoi ajo.

Gjithashtu Rakacolli apeloi se nuk duhet pasur frikë, thjesht duhet të informohemi nga burime zyrtare dhe mos biem pre e infodemisë.

“Në botë deri tani kanë vdekur 500 mijë veta nga gripi vetëm në këtë periudhë, por fakti është që të tremb gjithmonë më shumë gjëja e panjohur. Pra është frika nga e panjohura dhe kjo është normale, por frika duhet të shoqërohet jo me panik, po me marrje informacioni. Marrja e informacionit në burime zyrtare dhe në vende të sigurta ta largon dhe frikën. Fatkeqësisht bien shumë shpesh pre e asaj që i themi infodemi”./atsh

COVID-19/ Largoni frikën dhe informohuni nga burime zyrtare, Rakacolli: Shqipëria i ka kapacitetet për ta përballuar këtë sfidë Read More »

Koronavirusi/ Fico: Dy të prekurit në gjendje të qëndrueshme, personat e afërt janë në vetëkarantinim

Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico deklaroi sot se “dy të prekurit me koronavirus janë stabël, ndërsa personat e afërt janë futur në vetëkarantinim”.

E ftuar në një studio televizive, Fico u shpreh se janë ndjekur të gjitha protokollet e parashikuara në planin e organizuar më herët për masat parandaluese të koronavirusit.

“Me daljen pozitive të testit, dy pacientët janë shoqëruar në shërbimin infektiv, ku gjenden nën trajtimin mjekësor në dhomat e izolimit. Janë stabël temperatura po u normalizohet, ndërsa vijojmë me protokollet e trajtimit të kësaj sëmundje. Komuniteti Mjekësor nuk ka një protokoll të përcaktuar, nuk ka mjekim specifik dhe vaksinë. Pacientët janë nën protokollin e trajtimit të atyre infeksioneve të sëmundjeve me natyrë virale”, tha ajo.

Fico inkurajoi qytetarët që të vetëdeklarohen në rastet kur kanë probleme, të hyjnë në vetëkarantinim. “Kjo është detyrë kombëtare, jo vetëm personale. Ne kemi marrë kontakt me këta persona për të kuptuar rrethin e parë të kontakteve të tyre dhe rrethin e dytë. Kemi identifikuar pacientin zero, kontaktin e tij më të ngushtë, rrethin e ngushtë prej 8 personash dhe sot në mëngjes kemi vijuar me një rreth më të gjerë. Është punë në vijimësi”, tha ajo.

Fico tha se këtyre personave u janë marrë monstrat dhe po përpunohen, brenda 24-orëshit të parë duhet të kemi rezultate, ndërkohë që janë vetëkarantinuar e survejuar në pritje të përgjigjes së ekzaminimeve.

“Janë njerëz që deri tani konsiderohen të shëndetshëm, nuk kanë shfaqur shenja të sëmundjes. E rëndësishme është që pacientët të kontaktojnë me 127 dhe të mos u drejtohen urgjencave. Ne duam në këtë fazë të shmangim përhapjen e virusit. Kemi bërë një plan herët në kohë që është ndihmesë shumë e madhe që në momentin e identifikimit të pacientit masat e ndërmarra përforcohen”, tha ajo.

Fico tha se “kemi marrë ato masa që duhen marrë sa i takon situatës ku gjendet Shqipëria”. “Bota ka histori të ndryshme, ka pasur murtajën, gripëra të tmerrshme dhe nuk kemi pasur poste kufitare e trena, por ndërkohë ka pasur një përhapje të caktuar. Jemi konform planeve të hartuara herët dhe të përditësuara”, tha Fico.

E pyetur nëse do të ketë një frenim të virusit me ngrohjen e kohës, ajo tha se “në botën e viruseve ka dy kategori virusesh: viruse që një nga karakteristikat që kanë është membranë me përqindje shumë të lartë të yndyrnave që ka tentativën të dobësohen, por është shumë pak. Për COVID -19 ne pak dimë. Jemi para një virusi të ri, ndaj të sillemi me kujdes dhe të marrim masat personale që të kemi mundësi t’ia dalim. Fondet e alokuara në këtë moment në fushën tonë e bëjnë ndryshimin”, tha Fico.

Duke folur për masat, ajo ritheksoi se “vlen shkolla e vjetër e higjienës. T’i kthehemi larjes së duarve më shumë se 20 sek me ujë e sapun, të vijojmë të ushqehemi mirë brenda mundësive dhe të shmangim grumbullimet e panevojshme”./atsh

Koronavirusi/ Fico: Dy të prekurit në gjendje të qëndrueshme, personat e afërt janë në vetëkarantinim Read More »

Konfirmohet rasti i pare i nje shqiptari te prekur nga coronavirusi, eshte nga …

Është konfirmuar rasti i parë i një shqiptari nga Kuçova i prekur nga koronavirusi banues në Codogna, 43 vjeç, ne Itali.

I shtruar në spital e të afërmit thonë se e ka kaluar virusin, por vazhdon të qëndrojë në spital.
Autoritetet dhe te afermit nuk japin më shumë informacion për shkak të ruajtjes së privatësisë, por thonë që ai tani është në gjendje të mirë shendetesore, citon ora.

Nderkohe Ministria e shendetesise ne Tirane reklaroi sot se asnje qytetar shqiptar nuk eshte prekur nga koronavirusi. Ne nje njoftim per mediat, ministria e Shendetesise sqaron se ne total jane verifikuar 59 persona dhe te gjitha rastet kanë rezultuar negative për COVID-19.

Keta qytetare kane pasur shenja te infeksionit respirator dhe kane udhetuar ne vendet ku ka pasur shperthim te koronavirusit; por analizat kane dale negative.

Konfirmohet rasti i pare i nje shqiptari te prekur nga coronavirusi, eshte nga … Read More »

Ministria e Shëndetësisë jep informacion të përditësuar: Asnjë rast me koronavirus në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) informon se Shqipëria deri pasditen e së martës, datë 3 mars 20202 nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19.

Gjatë ditës së djeshme janë testuar 5 raste të reja në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP nga ku në total numri i rasteve të testuara ka shkuar në 36. Të gjitha rastet kanë rezultuar negative për COVID 19. Rastet kanë pasur shenja të infeksionit respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthim epidemik dhe komunitar të koronavirusit të ri dhe janë testuar pranë Laboratorit e Virologjisë në ISHP, i vetmi i certifikuar nga OBSH.

Në 24 orët e fundit në total kanë hyrë 17830 udhëtarë dhe në vijimësi po kryhet survejanca e përforcuar në pikat kufitare ajrore, detare dhe tokësore duke kryer monitorimin e temperaturës për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu në 24 orët e fundit thirrjet kundrejt numrit 127 ka arritur nivelin e 1649 telefonatave, nga të cilat 39 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksion viral respirator dhe histori udhëtimi me Italinë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën apel udhëtarëve që vijnë nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë patur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhë 14-ditore.

MSHMS rekomandon qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral të telefonojnë në numrin 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore.

Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së është si më poshtë:

Në nivel global, janë raportuar në total 90 663 raste të konfirmuara me COVID-19, dhe në total 3124 vdekje:

Azi: 263 raste të konfimuara – 3055 vdekje
Afrikë: 9 raste të konfirmuara
Amerikë: 145 raste të konfirmuara – 6 vdekje
Oqeania: 34 raste të konfirmuara – 1 vdekje
Europë: 2507 raste të konfirmuara – 56 vdekje
Tabela 1. Numri i rasteve të konfirmuara deri në datën 3 mars 2020 sipas shteteve (sipas ECDC): https://www.ecdc.europa.eu/en/novel-coronavirus-china

Shteti Nr i rasteve të konfirmuara (3 mars 2020)
Kontinenti i Azisë 87 263
Kina 80261
Republika e Koresë 4812
Iran 1501
Japoni 254
Singapor 108
Kuvajt 56
Bahrain 47
Tajland 43
Tajvan 41
Malajzi 29
Emiratet e Bashkuara Arabe 21
Irak 21
Vietnam 16
Liban 13
Izrael 10
Oman 7
Indi 5
Pakistani 4
Katar 3
Filipine 3
Indonezia 2
Kamboxhia 1
Afganistan 1
Nepal 1
Jordania 1
Sri Lanka 1
Arabia Saudite 1
Raste të tjera 705
Rastet e tjera në një mjet transporti detar Japoni 705
Amerika 145
USA 103
Kanada 27
Ekuador 7
Meksika 5
Brazili 2
Republika Domenikane 1
Oqeania 34
Australia 33
Zelanda e Re 1
Afrika 9
Egjipt 2
Algjeria 3
Nigeria 1
Tunizia 1
Maroku 1
Senegali 1
Total 88 156/atsh

Ministria e Shëndetësisë jep informacion të përditësuar: Asnjë rast me koronavirus në Shqipëri Read More »

Asnjë i prekur me koronavirus në Kosovë, 6 raste të dyshuara rezultuan negativë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se në Kosovë ende nuk është shënuar asnjë rast me koronavirus.

Në një komunikatë për mediet, IKShP-ja ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme edhe 6 raste të dyshimta kanë rezultuar negative.

Ky është njoftimi i plotë i IKShP-së:

Nga data 08.02 deri më 03.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 42 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për gjashtë raste të dyshimta në COVID-19.

Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2.

Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjashtë pacientë për virusin SARS CoV-2 dhe kanë rezultuar negative, prej të cilave dy të ritestuara negative në virusin SARS CoV-2 dhe një pozitive në Influencën A.

Nga data 01.02.2020 deri më 03.03.2020 nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 1879 udhëtarë. Nga aeroporti “Adem Jashari” 327 udhëtarë, Merdare 779, Vërmicë 599, Jarinje 85, Dheu i Bardhë 40, Hani i Elezit 29, Kullë 7, Qafë Morinë 7 dhe Bërnjak 6 udhëtarë.

Masat që duhen marrë në lidhje me monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së COVID-19

Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka konstatuar se janë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së COVID-19 që konsistojnë në:
Vazhdimin e zbatimit të parimeve themelore nacionale të reagimit në sistemin e mbikëqyrjes së rasteve;
Depistimin dhe detektimin e rasteve të dyshimta, si dhe përcjelljen e dinamikës së sëmundjes;
Konfirmimin laboratorik të rasteve të raportuara;
Aktivizimin e ekipeve për hulumtim të epidemisë.
Ekipet e IKSHPK dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me Coronavirus në pikat hyrëse tokësore dhe aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Aktivitetet e rekomanduara nga Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse kanë vazhduar me masat për parandalimin e virusit në institucionet arsimore të Kosovës që konsistojnë në:
Shpërndarjen e materialeve të edukimit dhe promovimit shëndetësor, posterave dhe lifleteve.
Organizimin e ligjëratave përkushtuar njohurive për Coronavirusin COVID-19, të organizuara nga arsimtarët dhe profesorët me përkrahje të specialistëve të shëndetësisë publike të IKSHPK.
Ndërmarrjen e hapave sipas rekomandimeve të IKSHPK që në të gjitha institucionet shkollore të bëhet dezinfektimi i shtuar i të gjitha sipërfaqeve dhe nyjeve sanitare.
Është ngritur shkëmbimi i informatave ndërinstitucionale mes Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK, Qendrës së Situatave, Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave, SHSKUK, AUV, QKMF-ve, Policisë së Kosovës, FSK, MASHT.
IKSHPK, thekson se nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar duke përsëritur rekomandimet:
Shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes!
Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!
Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga infeksionet respiratore!
Lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
Lani duart porsa hyni në shtëpi!
Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit!
Lani duart pas përdorimit të tualetit!
Lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
Evitoni përdorimin e tualeteve publike!
Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni!
Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me facoletë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj hidhni facoletat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!
Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit!
Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes!
Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!
Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike nëse përdorin transportin publik të përdorin maska!
Gjatë udhëtimit përdorni ushqime të paketuara!
Personat të cilët kanë histori udhëtimi në zonat të cilat raportojnë për përhapje lokale të COVID-19 brenda 2 javëve të fundit, kanë kontakt të afërt me personat e konfirmuar ose të mundshëm me COVID-19, dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore!
Nëse personi nuk ka kontakt të afërt me të sëmurin por vetëm është kontakt potencial për atë se ka qëndruar në vendet ku ka raste me COVID-19, personit të tillë i rekomandohet izolimi vetë-shtëpiak edhe në prani të anëtarëve tjerë të familjes.
Kontaktet këshillohen për monitorim të shëndetit për 14 ditë pas datës së fundit të ekspozimit dhe të kërkojnë kujdes të menjëhershëm shëndetësor nëse shfaqin
ndonjë simptomë, veçanërisht ethe, temperaturë, simptoma të frymëmarrjes, siç janë kollitja ose vështirësi në frymëmarrje ose diarreja.

Kontaktet duhet të konsiderojnë ushtrimin e vetizolimit për 14 ditë në shtëpi
Është me rëndësi që ky person nuk duhet të shkojë në punë, shkollë, kinema dhe ambientet publike ku ka grumbullim të shumë personave.
Rregulla e parë e izolimit në shtëpi është:

Personat e moshuar dhe fëmijët të ndahen nga anëtarët tjerë të familjes.
Të shfrytëzohen peceta, të dezinfektohen sipërfaqet dhe gjësendet, sa më shpesh të lahen rrobat, mbajtja e higjienës së duarve është esenciale dhe të shmanget prekja e hundës, gojës dhe syve.
Gjatë kollitjes dhe teshtitjes të përdoret peceta dhe ato të hidhen në vende të sigurta.
Nëse ka mundësi secili të bëjë gjumin në shtratin e vet dhe të shfrytëzojë banjo personale.
Mos pranoni vizita nga të afërmit dhe miqtë në shtëpi.
Nëse keni kafshë shtëpiake largoni ato ose pas çdo kontakti me to lani duart me ujë dhe sapun.
Monitoroni simptomat tuaja.
Thirrni mjekun tuaj para vizitës në kujdesin shëndetësor.
Menaxhoni në mënyrën e duhur mbeturinat.
Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës!
IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt zonave/ shteteve me Koronavirus, nëse nuk e kanë të domosdoshme!
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 03 mars 2020, janë raportuar gjithsej 90 663 raste me COVID-19 dhe gjithsej 3 124 raste të vdekjes, derisa në BE dhe Mbretëri të bashkuar, janë raportuar 2 495 raste me COVID-19 dhe 56 raste të vdekjes. Itali (52), Francë (3) dhe San Marino (1).

Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë ndryshime. Qytetarët do të jenë të informuar në kohë reale për çdo ndryshim eventual të tillë.

/KosovaPress//

Asnjë i prekur me koronavirus në Kosovë, 6 raste të dyshuara rezultuan negativë Read More »

Nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus në Shqipëri/Tomini: U testuan 29 raste

Ministria e Shëndetësisë tha sot se Shqipëria vijon të mos preket nga COVID-19.

Në një deklaratë publike, drejtuesja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemiologjike, pjesë e Task-Forcës së Ministrisë së Shëndetësisë, Eugena Tomini, deklaroi se 3 persona të dyshuar që u testuan mbrëmjen e djeshme në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, rezultuan negative.

“Nga periudha e shfaqjes së epidemisë në Kine e deri mbrëmjen e djeshme janë testuar në total 29 raste të dyshuar, të cilët kanë rezultuar negative për COVID-19. Rastet kanë pasur shenja të infeksionit të sipërm respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthime komunitare”, tha Tomini.

Po ashtu Tomini tha se “nga survejanca e përforcuar në pikat kufitare ajrore detare dhe tokësore, po kryhet monitorimi i temperaturës në vijimësi për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë.Në 24 orët e fundit janë monitoruar për temperaturë 13,672 persona në pikat kufitare ajrore, tokësore dhe detare.Në 24 orët e fundit thirrjet në nr e Urgjencës Kombëtare 127 kanë arritur nivelin e 1485 telefonatave, nga të cilat 57 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksion viral respirator dhe histori udhëtimi me Italinë”.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon udhëtarët që vijnë nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë patur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore. MSHMS rekomandon qytetarët që kane udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral të telefonojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore”, tha ajo./atsh

Nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus në Shqipëri/Tomini: U testuan 29 raste Read More »

Koronavirusi/ Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore vijon trajnimet me ekipet mjekësore

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe strukturat në varësi të saj vazhdojnë jo vetëm këshillimin e qytetarëve për masat parandaluese mbrojtëse ndaj koronavirusit, por edhe trajnimin e stafeve mjekësore në vend.

Kështu, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) po vazhdon trajnimet me stafet e urgjencave mjekësore për Coronavirusin COVID-19, në lidhje me simptomat, masat parandaluese dhe përdorimi i PPE-ve (Personal protective equipment – Pajisje personale mbrojtëse).

Trajnimi i radhës ishte për stafin e Spitalit Universitar të Traumës (SUT) dhe ekipet mjekësore të urgjencave të rretheve./atsh

Koronavirusi/ Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore vijon trajnimet me ekipet mjekësore Read More »