Shendetesi

Kalo: Njerëzit të vetëndërgjegjësohen, duhet të shkëpusim zinxhirin e transmetimit që të mos tejkalojmë kapacitetet

Mjeku infeksionist, Tritan Kalo deklaron se njerëzit duhet të vetëndërgjegjësohen dhe të zbatojnë masat për frenimin e përhapjes së COVID-19 duke i dhënë mundësi mjekëve që t’u shërbejnë me cilësi.

“Njerëzit duhet të vetëndërgjegjësohen dhe të na krijojnë mundësi të shkëpusim zinxhirin e transmetimit dhe të kemi nën kontroll evolucionin e kësaj sëmundje që të mos tejkalojmë kapacitetet aktuale dhe ato të parashikuara për t’iu ardhur në ndihmë cilësisht atyre që do të preken me COVID-19”, tha Kalo.

Sipas tij, janë mbi 84 mijë të shëruar plotësisht nga COVID-19 në botë, që i bie gjysma e të infektuarve.

“Kjo është shenjë optimizmi që na bën ne me optimizmin se një ditë do ta përfundojmë punën me këtë virus tinzar”, u shpreh ai.

Kalo theksoi se në 70-80% të rasteve kalohet pa simptoma. Në Shqipëri, tha ai, kemi 25 pacientë të shtruar në pavion dhe tre në terapinë intensive që janë forma më e rëndë e infeksionit. “Po asistohen në aspektin e ventilimit”, deklaroi Kalo.

Më tej Kalo vuri në dukje se ajo që ne na shqetëson, është fakti që jo të gjithë njerëzit janë ndërgjegjësuar për ndërprerjen e përhapjes në popullatë përmes izolimit në shtëpi.

“Në përputhje me evolucionin e rasteve janë përgatitur edhe skenarët për kapacitetet. Të ndërpresim sa më shumë të jetë e mundur zinxhirin e transmetimit” apeloi ai.

Sa i takon kapaciteteve, Kalo siguroi se mjetet janë dhe po përditësohen.

“Shërbimi i sëmundjeve infektive që u përgjysmua në fillim të viteve ‘90 për shkak të politikave të mbrapshta, tashmë po ripërditësohet duke i përshtatur atij edhe pavijone që ishin më parë. Konkretisht po krijohen 21 spote për terapinë intensive dhe vendosjen e ventilatorëve dhe mund të shihni bombolën e madhe pas godinës. Është instaluar edhe një aparat për ujin, duke iu mundësuar edhe dializën atyre pacientëve që mund të jenë me COVID-19, në të ardhmen e afërt”, u shpreh mjeku Kalo./atsh

Kalo: Njerëzit të vetëndërgjegjësohen, duhet të shkëpusim zinxhirin e transmetimit që të mos tejkalojmë kapacitetet Read More »

Kalo: Profesionalizmi dhe Përkushtimi i ekipit tone, jam mëse i sigurtë se në një kohë jo të largët, do ta “zërë shah-mat” këtë sëmundje mjaft të rrezikshme

Përkushtimi, puna e profesionalizmi i ekipit mjekësor pranë shërbimit infektiv, do t’a zërë shah-mat sëmundjen e koronavirusit në një kohë jo të largët.

Kështu është shprehur mjeku Tritan Kalo teksa ka theksuar se fillimi i mbarë shënon gjysmën e punës.

‘FILLIMI I MBARË shënon edhe gjysmën e punës….Negativizimi dhe pragshërimi i plotë i të sëmurit të parë me COVID-19, shënon një SUKSES të merituar të ekipit të Shërbimit të Sëmundjeve Infektive….SUKSESE edhe të mëtutjeme të gjithë Mantelbardhëve, Infermjerëve, Imazheristëve, Farmacistëve, Sanitarëve, Barelistëve, Koordinatoreve dhe Administratoreve të Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUT “Nënë Tereza”…..Jemi për momentin “remi” në ndeshjen e gjatë të shahut me supertinzarin COVID-19…PUNA, èProfesionalizmi dhe PËRKUSHTIMI i ekipit tone, jam mëse i sigurtë se në një kohë jo të largët, do ta “zërë shah-mat” këtë sëmundje mjaft të rrezikshme por jo të pamposhtëme…. Durimi, Guximi dhe Këmbëngulja e të gjithëve NE, por edhe e të gjithë kolegëve në QSUT si dhe në ngrehinat e tjera të Shëndetit Publik të paracaktuara për ndjekjen e të sëmurëve me COVID-19, do të na nxjerrë PATJETËR faqebardhë në këtë betejë për triumfin e JETËS!!!’, -thotë Kalo./atsh

Kalo: Profesionalizmi dhe Përkushtimi i ekipit tone, jam mëse i sigurtë se në një kohë jo të largët, do ta “zërë shah-mat” këtë sëmundje mjaft të rrezikshme Read More »

Testet për koronavirusin, Rama: Jemi absolutisht në mesataren europiane, OBSH ishte e qartë

Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste televizive, mbrëmjen e sotme, është shprehur se testet për të infektuarit nga koronavirusi i ri në vendin tonë janë në mesataren europiane dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ishte e qartë për këtë.

Duke folur për shifrat të infektuarve deri më sot, Rama tha se “është ende shumë herët për të qenë optimist, apo entuziast”.

Lidhur me numrin e teseteve, Rama u shpreh se “përgjigja është e thjeshtë, OBSH para pak minutash këtu në Shqipëri ka bërë një deklaratë shumë të qartë, që do ju lutesha ta publikoni, se si gjithnjë për fat të keq në vendin tonë të vogël është krijuar konfuzion nga burime që s’kanë qenë ndonjëherë në lartësinë e sfidës njerëzore kur është dashur unitet. Ne jemi absolutisht në mesataren europiane, për sa i përket testeve”,- theksoi Rama.

“Jo më larg se sa para se të hyja këtu, po lexoja një urdhëresë të autoriteteve shëndetësore zvicerane që kanë deklaruar që nuk do bëjnë teste askënd nën moshën 65 vjeç përveçse ato raste që janë kritike. Pra, kjo është tani një histori që zhvillohet duke u bazuar te praktikat më si të thuash të arsyeshme dhe duke u bazuar në çka Italia në përpjekjen e saj thotë se mund të kishte bërë me shpejt dhe siç thotë duhet ta kishte bërë më shpejt. Si edhe në rastin e Kinës, rast që studiohet në vijimësi, kështu që kjo polemika mbi testet është e kotë. Ne po bëjmë gjënë e duhur dhe këtë e konfirmon dhe OBSH përmes përfaqësisë së saj këtu në Tiranë. Ne nuk kemi marrë hapa pa u konsultuar me ekspertët tanë dhe kam shumë besim dhe jam shumë i impresionuar nga profesionalizmi i tyre që marrin vendime në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë dhe kolegë dhe patjetër me OBSH”,- theksoi Rama./atsh

Testet për koronavirusin, Rama: Jemi absolutisht në mesataren europiane, OBSH ishte e qartë Read More »

Meta, negativ në testin e COVID 19: Detyrim pasi qëndrova në një ambient me një person të infektuar

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se ka bërë testin e COVID 19 dhe doli negative.

Në një intervistë televizive, Meta u shpreh se, “unë vetë kam bërë testin, për arsye se mora një informacion që kisha qenë në një palestër, ku kishte rezultuar dikush, një qytetar, që unë e njihja, por që nuk ia kisha dhënë dorën, kishte qëlluar rastësisht”.

“Unë u informova që kishte rezultuar me koronavirus dhe atëherë ishte detyra ime, jo thjeshtë për të mbrojtur veten time, por edhe bashkëpunëtorët apo për të verifikuar nëse unë kisha patur një virus të tillë”, tha Meta.

Ndërkohë, shtoi kreu i Shtetit, “unë i kisha dhënë dorën më parë dhe shumë të tjerëve, përfshi dhe drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët janë çdo ditë në vijën e parë të kësaj beteje”.

“Duhet të shprehim mirëkuptimin dhe solidaritetin tonë me të gjithë ata që janë të prekur. Askush nuk duhet të hezitojë, sepse ndoshta ndonjëherë dhe ndjesia jo e këndshme që mund të identifikohesh në publik si bartës i këtij virusi mund t’i çojë njerëzit te frenimi për të bërë testin, për ta pranuar këtë gjë dhe për ta kaluar atë, dhe kjo mund të çojë në pasoja të tjera. Që nga humbja e jetës apo përkeqësimi i shëndetit dhe komplikacionet e ndryshme, që mund ta shoqërojnë për shkak të problemeve të tjera shëndetësore që mund të ketë kushdo. Por, edhe deri te rrezikimi i jetës së familjarëve, të gjyshërve, të fëmijëve dhe njerëzve tanë më të dashur”, tha Meta.

“Ishte kontroll i dyfishtë sepse, theksoj edhe njëherë secili nga ne nuk duhet të mendojë vetëm për veten e tij, por duhet të mendojë dhe për të gjithë te tjerët duhet të jemi shumë të vëmendshëm në të gjithë këtë histori. Padyshim për gjyshërit tanë, për prindërit tanë, që mund të jenë më të rrezikuar edhe për shkak të moshës dhe për shkak të komplikacioneve, sepse kjo është edhe stinë virozash në tërësi, por edhe për fëmijët dhe për të rinjtë se po dalin statistikat të reja që tregojnë se edhe ata janë të kërcënueshëm dhe të rrezikuar”, tha Presidenti Meta.

Meta theksoi se, “kjo është një situatë e jashtëzakonshme, jo vetëm për vendin tonë. Është një situatë e përgjithshme globale. Është një situatë e re, me të cilën duhet të mësohemi çdo orë e më shumë, për të nxjerrë përvojat e reja për ta përballuar me kosto minimale, së pari në interes të mbrojtjes së jetës e të shëndetit të çdo qytetari të vendit tonë, që mund të rrezikohet nga pakujdesia e secilit prej nesh. Pra të çdo qytetari, të çdo familjari, e cilitdo që është në kontakte e në marrëdhënie të vazhdueshme në familje, në mjediset e punës apo kudo që jeton. Është një situatë e detyrueshme me qëllim për të parandaluar rrezikun e përhapjes së këtij virusi ende të panjohur mirë në kuptimin e reagimit apo të vaksinimit për të qenë i mbrojtur prej tij”.

Meta shpreh “mirënjohje për të gjithë personelin mjekësor, për mjekët, për infermierët, sanitarët, por jo vetëm për ata. Për të gjithë që janë në mbështetje të tyre e që janë në kontakt të parë, duke përbërë murin mbrojtës për të gjithë shoqërinë tonë ndaj kësaj pandemie”.

Ndaj, shtoi ai, “dhe vëmendja e parë duhet të shkojë për ta, për mbrojtjen e tyre, sepse kjo kuptohet që do të jetë një betejë e gjatë, që do të zgjasë ende në një kohë të pacaktuar”.

Dhe së dyti, vijoi Meta, “kujdesi duhet të shkojë për të gjithë ata, të cilët aktualisht janë të identifikuar të prekur nga ky virus, për të bërë gjithçka që ata ta kalojnë këtë moment pa rrezikuar jetën e tyre, por edhe të familjarëve të personelit që është në shërbimin e tyre”.

Padyshim, ka nënvizoi Meta, “që impakti do të jetë i përgjithshëm edhe në aspektin e ekonomisë, shoqëror, për sa i takon arsimit, sepse kuptohet që jemi në një moment vetëmbrojtjeje, ku kujdesi duhet të jetë maksimal”.

“Çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, duhet të përmirësojmë mekanizmin reagues, parandalues, mbrojtës, në mënyrë që të bëjmë të mundur të funksionojmë edhe si shtet, edhe si shoqëri, edhe si familje, edhe si institucione, por edhe si biznese, sa më mirë që të jetë e mundur pa cenuar kurrë objektivin e parë: Të mbrojmë shëndetin dhe jetën e çdo qytetari shqiptar nga ky virus e nga ky rrezik”, theksoi ai.

Meta u shpreh se nevojitet bashkëpunim nga të gjithë dhe se taskforca në Presidencë nuk dublon asnjë strukturë

“Shqetësimin për këtë çështje unë e kam bërë publik që më 31 janar 2020, kur për herë të parë u identifikuan dy shtetas italianë. Dhe kuptohet se ky do të ishte një rrezik që do të vinte në rritje për arsye sepse përmasat që mori në Kinë, por edhe në vende të tjera, dhe fakti se jetojmë në një epokë të globalizimit, ku jo vetëm të mirat shpërndahen shpejt, por ku edhe rreziqet menjëherë marrin përmasa gjithëpërfshirëse. Dhe në vazhdimësi kam qenë në komunikime me të gjitha institucionet shtetërore e të qeverisë për të kërkuar marrjen e masave brenda kompetencave të secilit prej tyre, në parandalimin dhe përballimin e këtij fenomeni. Jemi në mënyrë të vazhdueshme në këto komunikime, dhe do të vazhdojmë pasi është prioritare që kjo situatë të normalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur, në parametrat në të cilët ndodhemi, sepse janë disa faktorë që nuk varen vetëm nga ne, por edhe përsa u takon përshkallëzimeve të ndryshme që mund të vihen re në të ardhmen”, tha Meta.

“Pra përshkallëzime përsa u takon përballimit të të gjitha skenarëve të zhvillimit të kësaj pandemie, të përmirësimit apo të përkeqësimit, dhe njëkohësisht edhe të skenarëve të tjerë që duhet të ndiqen paralelisht, të situatës ekonomike, sociale, të sipërmarrjes, sepse impakti padyshim që tashmë ka filluar të mos jetë pozitiv. Pra kjo nuk është vetëm për ne. Kjo është edhe për vende e tjera, por natyrisht këtu nuk kemi të bëjmë me një avantazh, po të kemi parasysh që është një situatë kur çdo vend mobilizon resurset e tij për të mbrojtur veten e vet në radhë të parë, pra nuk është si në rastin e një fatkeqësie tërmeti kur të gjithë përpiqen të ndihmojnë atë që goditet”, shtoi Meta.

Megjithatë, nënvizoi ai, “përvojat e vendeve të tjera: të Kinës, Italisë, që janë goditur më fort e më përpara, duhet të na shërbejnë edhe ne për të ardhmen. Apo të vendeve që kanë arritur të jenë më të mbrojtura në rajonin tonë dhe të na ndihmojnë për të adaptuar masa të reja, edhe parandaluese, edhe përmirësuese të të gjithë mekanizmit reagues të shtetit e të shoqërisë”.

“Përsa i takon Task-Force-s, mund të ketë pasur ndonjë keqkuptim apo dëshirë për spekulim: Task-Forca në Institucionin e Presidentit është në funksion të Presidentit. Pra nuk është se ajo dublon Task-Force-n e Ministrisë së Shëndetësisë, sepse Presidenti i Republikës nuk ka as këshilltarë funksionalë për shëndetin, pavarësisht se këshillohet në mënyrë të vazhdueshme me profesorë të kësaj fushe, nga më të njohurit në vend, por ajo është një Task-Force, e cila ndihmon, për shkak se jemi në një situatë të jashtëzakonshme, për të monitoruar të gjitha zhvillimet, për të komunikuar me institucionet, shqetësimet që vijnë këtu apo që evidentohen nga mediat me qëllim të vetëm përmirësimin e reagimit shtetëror të menaxhimit të kësaj krize, emergjence”, tha Meta.

Në lidhje me masat e marra Meta tha se, “Duhet të kemi parasysh se dhe vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk është se ka patur një vizion të qartë që në fillim për përballimin e kësaj sfide, të cilën dhe ajo me pak vonesë e konsideroi si Pandemi. Në mënyrë të vazhdueshme ka nxjerrë udhëzime të ndryshme apo të ndryshueshme në varësi edhe me eksperiencat e reja duke qenë se kemi të bëjmë me një virus të ri dhe të panjohur mirë shkencërisht”.

“Ajo që mund të them është se të gjithë duhet të jemi bashkëpunues, të gjithë duhet të jemi reflektues, sepse është një eksperiencë e re, që asnjëri prej nesh nuk e kishte menduar më parë dhe sigurisht që Shqipëria ka patur disa eksperienca të rëndësishme pozitive në të kaluarën në përballimin e SARS-it apo të gripit të derrit apo të disa fenomeneve relativisht të ngjashme”, theksoi Meta.

Megithatë, Meta, theksoi se, “e para mbrojtja e personelit shëndetësor është prioritet mbi prioritetet, sepse jo vetëm ata janë të rrezikuar në çdo sekondë për shkak të profesionit dhe për shkak të kontaktit të parë dhe të vazhdueshëm që kanë me të gjithë personat e infektuar, apo potencialisht të infektuar, pra ende të pakonfirmuar apo të paverifikuar. Kjo e theksoj edhe një herë që është prioritet mbi çdo prioritet, se është një betejë që do vazhdojë gjatë dhe ata do të jenë gjithmonë në vijën e parë të kësaj beteje”.

Së dyti, shtoi Meta, “padyshim që testimi është mjaft i rëndësishëm dhe marrja e masave për të patur infrastrukturën e duhur është e domosdoshme për të gjithë ata të cilët kanë shqetësime”.

Së treti, tha Meta, “mbetet prioritet marrja e masave për terapinë intensive për të gjithë ata gjendja e të cilëve mund të rëndohet, sepse këtu bëhet fjalë, jo thjeshtë për t’i shëruar, po për t’i shpëtuar jetën e tyre, dhe në këtë drejtim unë kam marr garancitë edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe ekipi që po merret me këtë çështje që janë marr masat edhe për sa i takon respiratorëve shtesë edhe për sa i takon posteve shtesë për sa i takon reanimacionit, në mënyrë që në çdo rast të jepet ndihma dhe të shpëtohet çdo jetë e çdo qytetari në vendin tone”.

Ndërkohë, ënnvizoi Meta, “padyshim që jam takuar edhe me përfaqësues të opozitës të cilët kanë një qasje kritike, që edhe është normale për sa i takon këtij pozicioni opozitar, ashtu sikurse jam i sigurt që edhe vetë përfaqësuesit e qeverisë çdo ditë mendojnë se ka vend për përmirësime, sepse është një eksperiencë e re. Dhe disa nga shqetësimet e tyre ua kam transmetuar edhe përfaqësuesve të qeverisë, dhe është e rëndësishme thellimi i procesit të bashkëpunimit në përballimin e kësaj sfide në interes të përmirësimit të masave parandaluese dhe njëkohësisht të qetësimit, të ruajtjes së një atmosfere sa më pozitive të jetë e mundur në shoqëri në përgjithësi, në familjet tona kudo, sepse paniku në çdo rast nuk është një aleat i mirë, përkundrazi është një kundërshtar që mund të jetë dhe i pamëshirshëm në momente të caktuara. Të gjithë duhet të punojmë për të dhënë këto mesazhe përgjegjshmërie, bashkëpunimi, transparence”.

Në lidhje me shtetasit shqiptarë që janë jashtë dhe kërkojnë të kthehen në atdhe Meta tha se, “ne kemi marrë vazhdimisht shqetësime në këtë drejtim dhe kemi bërë edhe komunikimet tona me institucionet këtu për të evituar disa raste të cilat mund të lehtësonin moslëvizjen e tyre ndoshta të panevojshme apo për disa arsye në këtë situate”.

“Megjithatë, duhet të kemi parasysh që duhet të jemi pranë çdo qytetari të vendit tonë, i cili dëshiron të vijë në vendin tonë, sidomos të atyre që janë rezidentë në Shqipëri. Duhet të gjejë mënyrën e duhur në mënyrë që kjo gjë të jetë e kontrolluar, të jetë e menaxhueshme dhe sigurisht ata t’i nënshtrohen edhe një karantine të plotë dhe të sigurt”, shtoi Meta.

“Në këtë drejtim sot jam informuar që në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës, të Konvaleshenca janë krijuar të gjitha kushtet për të patur një karantinë sa më funksionale për të gjithë ata që do ta kenë të domosdoshme që ta realizojnë këtë detyrim”, tha Meta.

Ndërkohë, theksoi Meta, “do të ndiqen besoj të gjitha hapat për t’iu përshtatur kësaj situate në të gjitha dimensionet që ajo do të shfaqet, kur nuk varet nga ne. Sepse ka edhe faktorë që nuk varen plotësisht nga ne”.

“Nga ne varet që gjithsecili të jetë i kujdesshëm në të gjitha sjelljet e tij, në veprimet e tij dh të respektojë të gjitha ato këshilla dhe instruksione të cilat janë në mjetet e informimit publik në mënyrë të vazhdueshme”, tha Meta./atsh

Meta, negativ në testin e COVID 19: Detyrim pasi qëndrova në një ambient me një person të infektuar Read More »

Rama falënderon shqiptarët në Itali për mesazhet mbështetëse: Ndihmoni që ata që s’e kanë kuptuar akoma që jemi në një luftë të vërtetë

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar qytetarët shqiptarë që jetojnë në Itali, për mesazhet mbështetëse të përcjella prej tyre në këtë situatë, ndërsa u ka kërkuar atyre të sensibilizojnë edhe të afërm të tyre në Shqipëri, që të zbatojnë masat.

“Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve ju që jeni në Itali dhe shkruani në faqen time fjalë të ndjera, të mençura, të vërteta nga zona e dhimbjeve më të mëdha të luftës.
Ju lutem shkruani sa të mundeni, kurdo e kudo mundeni përmes fejsbukut tuaj dhe foluni sa më shumë nëpër telefona të afërmve e miqve tuaj këtu në Shqipëri, jepuni kurajo e forcë duke u thënë të vërtetën! Ndihmoni që ata që s’e kanë kuptuar apo s’duan ta kuptojnë akoma, që jemi në një luftë të vërtetë dhe ankohen sikur jemi në një lojë kukamçefthi, të vijnë sa më shpejt në vete e të mbledhin mendjen! Viva l’Italia, Rroftë Shqipëria”, u shpreh Kryeministri./atsh

Rama falënderon shqiptarët në Itali për mesazhet mbështetëse: Ndihmoni që ata që s’e kanë kuptuar akoma që jemi në një luftë të vërtetë Read More »

Shërbim online për pacientët kronikë

Mjekët specialistë të QSUT gjenerojnë recetën në sistemin eRx për të sëmurët kronikë.

Në kuadër të situatës së krijuar nga COVID-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nxjerrë një urdhërin ku mjeku gjeneron recetën përkatëse në sistemin e recetës elektronike eRx dhe i komunikon pacientit kodin e recetës me të cilën paraqitet në farmaci.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor thotë se “mjeku i Familjes do të kontaktojë me telefon me pacientët kronikë ose të afërm të tyre. Në rastet kur mjeku e gjykon që pacienti është i stabilizuar me mjekimin aktual, udhëzon pacientin të mos paraqitet në ambientet e Qendrës Shëndetësore. Mjeku gjeneron recetën përkatëse në sistemin e recetës elektronike, eRx, dhe i komunikon pacientit kodin e recetës, me të cilin pacienti paraqitet në farmaci’. /atsh

Shërbim online për pacientët kronikë Read More »

Kirurgu Bollano: Ju na ndihmoni duke respektuar rregullat, ne ju shërbejmë me vetëmohim

Kirurgu Enton Bollano i bën apel qytetarëve se duhet të zbatojnë me rigorozitet të gjitha masat e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, së pari për familjet e tyre por edhe për të gjithë shoqërinë.

Përmes një videomesazhi, kirurgu dhe pedagogu i njohur i mjekësisë shprehet se, “këshilla ime është një dhe vetëm një. Zbatoni në mënyrë të rreptë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, në këto momente jo të zakonshme. Këtë bëjeni për vete. Për fëmijët tanë dhe për ne. Higjienë, higjienë dhe vetëm higjienë, këtë bëjeni për veten tuaj dhe për të tjerët . Ju na ndihmoni duke respektuar rregullat, ne ju shërbejmë me vetëmohim”. /atsh

Kirurgu Bollano: Ju na ndihmoni duke respektuar rregullat, ne ju shërbejmë me vetëmohim Read More »

Mjeku Kalo: Distancimi social dhe higjiena personale, kyç në ‘luftën’ kundër koronavirusit

Mjeku Tritan Kalo siguroi qytetarët që stafi mjekësor i cili po i shërben pacientëve të prekur nga koronavirusi, janë të mirëtrajnuar dhe po shërbejnë me përkushtim.

Përmes një videomesazhi të publikuar në faqen zyrtare të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Kalo thotë se edhe qytetarët duhet të ndihmojnë në mospërhapjen e sëmundjes. Sipas tij, distancimi social dhe masat e higjienës personale, janë të rëndësishme për mospërhapjen e sëmundjes.

“Masat e higjienës personale, kolektive, të vetë ndërgjegjësimit dhe mbi të gjitha atë që quhet distancim social janë në eficencën maksimale për arritur që të mundim mospërhapjen e mëtejshme të këtij infeksioni në vendin tonë sepse mospërhapja dhe ulja e të sëmurëve përbën një nga kyçet më të arta të suksesit, krahas asaj që është e domosdoshme ndihma e kualifikuar që do të merrni në çdo kohë nga strukturat të cilat tashmë kanë filluar të merren me të sëmurët nga COVID-19. Mjekët, infermierët, personeli teknimi, imazhernik, sanitari dhe farmacistet në spitalin Infektiv janë një trupe e vetme e mirëtrajntuar, në çdo sekondë, t’iu shërbejë në mënyrë maksimale dhe me cilësinë më të mirë sepse kanë një eksperiencë tashmë të konsoliduar në trajtimin e sëmundjeve me karakter epidemik”, -thotë Kalo./atsh

Mjeku Kalo: Distancimi social dhe higjiena personale, kyç në ‘luftën’ kundër koronavirusit Read More »