Shendetesi

Shtohen kapacitetet e respiratorëve për terapinë intensive, Kalo: Rrini në shtëpi që të mos kemi skenarin e Italisë

Në një bisedë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, mjeku i Shërbimit Infektiv prof. Tritan Kalo është shprehur se vetëm përforcimi i masave në vendin tonë dhe ndërgjegjja individuale për të respektuar largimin social, mund të shmangë skenarët e ngjashëm me Italinë për infektimin nga COVID-19.

“Jam shumë dakord për masat e marra për distancimin social, është mirë që janë përforcuar, në mendimin tim mund edhe të përforcohen më tepër. Sepse është e vetmja mundësi që u tregua efikase në eksperiencën kineze në ngadalësimin e sëmundjes dhe mbi të gjitha për ta shuar atë gradualisht. Nëse do të tregoheshim liberal, siç u treguan fqinjët tanë në Itali, me tej britanikët e spanjollët, kjo do të bënte të shfaqeshin në vendin tonë skenarë të ngjashëm me to”, tha Kalo.

Duke ju përgjigjur interesit të ministres Manastirliu për gjendjen e të sëmurëve në infektiv, Kalo tha se 4 të sëmurët janë në gjendje mesatarisht të rëndë, por që e kanë të domosdoshme praninë në terapi intensive.

“Të sëmurët në reanimacion janë në një gjendje mesatarisht të rëndë por që e kanë të domosdoshme praninë në mjedis të terapisë intensive, pasi në çdo moment mund të bëhen objekt i ventilimit mekanik”, tha Kalo.

Sa i përket kapaciteteve ne Shërbimin Infektiv Kalo tha se po shtohen kapacitetet, ku aktualisht janë 16 vende që kanë respiratorë.

“Aktualisht është 12+4, plus është dhe një kat i veçantë i cili është parashikuar që 24 poste të jenë tashmë të pajisura për të vendosur ventilatorë në një moment nëse do të kemi shtrirje të formave të rënda të infeksionit tek këta të sëmurë dhe shkon pothuajse tek 36-40 poste të asistencës respiratore brenda strukturës së infektivit. Urojmë që të mbetemi në këto kapacitete për të mirën e njerëzve, pavarësisht se janë parashikuar dhe COVID -2 dhe skenare të tjerë”, tha Kalo.

Ministrja Manastirliu ka vlerësuar frymën e ekipit të Infektivit dhe sakrificën që po bëjnë në shërbim të të sëmurëve me COVID-19./atsh

Shtohen kapacitetet e respiratorëve për terapinë intensive, Kalo: Rrini në shtëpi që të mos kemi skenarin e Italisë Read More »

Ruçi: Bekim për mjekët, gladiatorët e mbrojtjes së jetëve tona

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka dhënë sot një mesazh për besimtarët bektashianë dhe të gjithë shqiptarët, me rastin e Festës së Sulltan Nevruzit.

“Gëzuar Sulltan Nevruzin, festën e rigjallërimit të natyrës dhe jetës njerëzore!”, është shprehur Ruçi.

“Besimi, sakrifica e shpresa janë një trashëgimi e vyer e Bektashizmit, të cilat sot kanë vlerë më tepër se kurrë”, ka theksuar ai.

“Vetëm e drejta e jetës është supreme dhe sot e drejta për të jetuar përmban dhe imponon detyrime e solidaritet nga të gjithë qytetarët, kudo në botë. Qofshin të bekuar mjekët, gladiatorët e mbrojtjes së jetëve tona!”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi./atsh

Ruçi: Bekim për mjekët, gladiatorët e mbrojtjes së jetëve tona Read More »

Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve me gjithë standardet e sigurisë shëndetesore, gati për të pritur 120 qytetarë

Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës i ka të gjitha kapacitetet për të pritur deri në 120 qytetarë me të gjitha standardet e sigurisë shëndetësore.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i shoqëruar nga këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare, Bahri Shaqiri dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi vizitoi sot paradite Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës, të kthyer në një qendër karantinimi për shkak të pandemisë COVID-19./atsh

Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve me gjithë standardet e sigurisë shëndetesore, gati për të pritur 120 qytetarë Read More »

Katër arsye pse distancimi social është i rëndësishëm

Instituti i Shëndetit Publik ka renditur katër arsye kryesore pse është i rëndësishëm distancimi social në kuadër të situatës së COVID-19.

Sipas ISHP-së, e rëndësishme është që ndërpritet zinxhiri i transmetimit nga njeriu tek njeriu, ç’ka frenon përhapjen e sëmundjes.

Katër arsye pse distancimi social duhet të respektohet:

Ndërpret zinxhirin e transmetimit nga njeriu tek njeriu
Parandalon transmetimin e mëtejshëm të virusit
Redukton intensitetin e epidemisë
Ngadalëson rritjen e rasteve me COVID-19.

Katër arsye pse distancimi social është i rëndësishëm Read More »

“Ti që mendon se je kaq i fortë sa t’i ndalësh jetën dikujt”/Apeli i mjekes Selenica: Unë të kërkoj ty që të ndalësh virusin

“Ti që mendon se je kaq i fortë sa të prishësh gjumin tim, t’i ndalësh jetën dikujt, sot unë të kërkoj ty që të ndalësh virusin”.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka publikuar sot mesazhin e mjekes Romina Selenica e cila punon në Itali.

Mjekja Selenica ka apeluar të gjithë qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi si masa e vetme për të ndalur virusin.

“Ti që mendon se je kaq i fortë sa të prishësh gjumin tim, t’i ndalësh jetën dikujt, t’i plagosësh zemrën një nëne, vetëm sepse të duket një masë ekstreme qëndrimi në shtëpi. Unë nuk i kërkoja dot Zotit të ndalte tërmetin, vetëm i lutesha atij. Ama sot unë të kërkoj ty që të ndalësh virusin”, ka qenë mesazhi i mjekes Romina Selenica./atsh

“Ti që mendon se je kaq i fortë sa t’i ndalësh jetën dikujt”/Apeli i mjekes Selenica: Unë të kërkoj ty që të ndalësh virusin Read More »

Kini besim te stafi mjekësor dhe na ndihmoni/ Apeli i shefes së Shërbimit Infektiv, Najada Çomo: Mos dilni nga shtëpia

Kryeministri Edi Rama ndau sot apelin e Najada Çomos, shefes së Shërbimit Infektiv në Tiranë, ku po trajtohen rastet e prekura me COVID-19, e cila u bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi.

“Najada, shefja e forcës speciale në vijën e zjarrit, ku luftohet orë e minutë për të shpëtuar pengjet e armikut, ka një mesazh dhe një lutje për ju: mos dilni nga shtëpia”, tha Rama.

Nga Shërbimi Infektiv i QSUT, Najada Çomo, në cilësinë e shefes së shërbimit dha një informacion të shkurtër lidhur me situatën.

“Lufta është hapur, kemi shtim të numrit të pacientëve në shërbimin infektiv. Një pjesë janë në gjendje të mesme, ndërsa 3 prej tyre janë në repart terapie intensive dhe janë duke marrë ndihmën e duhur nga ana mjekësore. Dua të siguroj qytetarët e Shqipërisë që ne jemi staf i mirëtrajnuar me mjekë, infermierë, kryeinfermierë, sanitarë, laborantë, imazheristë e shumë të tjerë që janë në vijën e parë të betejës”, tha ajo.

Çomo u kërkoi qytetarëve të kenë besim te mjekët dhe ne do të bëjmë punën tonë në maksimum. “Kërkojmë mirëkuptimin tuaj lidhur me qëndrimin tuaj në shtëpi, sepse kjo është një fitore madhe për ne, sepse ulni rrezikun e infeksionit tek personat e tjerë. Nuk është sakrificë e madhe të qëndrosh në shtëpi, sakrificë e madhe është të përballesh me sëmundjen. Urojmë dhe besojmë që bashkëqytetarët të na mirëkuptojnë duke na besuar dhe duke mos frekuentuar ambiente publike, familje të sëmura, apo të shmangin qëndrimet që rrezikojnë për të infektuar persona të tjerë”, tha ajo./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/522274932004279/?t=0

Kini besim te stafi mjekësor dhe na ndihmoni/ Apeli i shefes së Shërbimit Infektiv, Najada Çomo: Mos dilni nga shtëpia Read More »

Forcimi i sistemit imunitar, arma më e mirë kundër koronavirusit

Arma më e mirë kundër koronavirusit është forcimi i sistemit imunitar, deklaroi mjeku turk, Faruk Yorulmaz, drejtuesi i Departamentit të Shëndetit Publik pranë Universitetit Trakya.

”Trupi i njeriut e ka të vështirë të luftojë kundër viruseve kur sistemi i tij imunitar dobësohet, kështu që është me rëndësi të hahet shëndetshëm dhe të bëhet gjumë i mirë”, shtoi ai.

“Nuk ka asnjë trajtim të njohur ose vaksinë kundër virusit deri më tani. Pra, forcimi i sistemit tonë imunitar është arma jonë më e mirë kundër koronavirusit”, tha Yorulmaz.

“Ne mund të forcojmë sistemin tonë imunitar me ushqim të shëndetshëm” tha ai, duke shtuar se njerëzit mund të ekspozohen në diell për të fituar vitaminë D.

”Duhen konsumuar të paktën dy litra ujë në ditë, mjeku tha që duhet përmbajtur nga të ngrënit ushqime “junk”, pasi mbipesha ndikon negativisht në imunitet. Po ashtu edhe gjumi i pandërprerë për 7-8 orë është gjithashtu i dobishëm”, tha ai dhe rekomandoi bërjen e aktiviteteve fizike.

“Trupi i njeriut është programuar të lëvizë, prandaj aktiviteti fizik do të ndihmojë në përmirësimin e sistemit imunitar”, tha Yorulmaz. /atsh

Forcimi i sistemit imunitar, arma më e mirë kundër koronavirusit Read More »

Mjeku Kalo apel qytetarëve: Vetëndërgjegjësimi ende i çalë, bashkëpunim që të kapërcejmë me sa më pak humbje njerëzore këtë “flamë botërore”

Mjeku i njohur, Tritan Kalo u është drejtuar me një tjetër mesazh qytetarëve shqiptarë lidhur me parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Kalo thekson se vetëndërgjegjësimi mbetet ende i çalë, prandaj ai apelon të zbatohen masat e marra dhe qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.

“Vetëndërgjegjësimi mbetet ende i çalë. Ju kemi informuar dhe kurrë nuk do të lodhemi duke ju informuar. Ekipi punëmadh e fjalëpak i Shërbimit të Sëmundjeve Infektive po ju gjendet pranë në çdo minutë të ditës. Qëndroni në shtëpi dhe respektoni rregullat e distancimit social, për t’i ngadalësuar vrullin e përhapjes COVID-19. Pak ose më mire, aspak politikë dhe politizim e politikë të gjithçkaje”, shprehet ai.

Mjeku apelon për bashkëveprim dhe bashkëpunim për të kapërcyer këtë “flamë botërore” me sa më pak humbje njerëzore.

“Koha lyp vetëm e vetëm bashkëveprim dhe bashkëpunim, për të kapërcyer me sa më pak humbje njerëzore këtë “flamë botërore”. Shuplakat tona ndaj sistemit apo politqenërve të këtyre 30 viteve demon-kraci do të kemi mundësi t’i përdorim që në zgjedhjet më të afërt. Ne ndërkohë më shumë dashuri e respekt për njeri tjetrin. Sa më pak ndasi në mendimet dhe në qëndrimet tona, përkundrejt armikut të përbashkët, tinzarit COVID-19”, apelon Kalo.

“Pas fitores së kësaj beteje, shpresoj dhe uroj që të kemi vullnetin dhe dëshirën për të bërë ndryshimet e duhura në këtë sistem të dështuar, që nga mënyra e instalimit të tij po ashtu edhe përgjatë 30 viteve të një tranzicioni asfiksues, për burimet njerëzore, natyrore dhe zhvillimore të Nënlokes Shqipëri….Punë ,përkushtim, e profesionalizëm nga kushdo dhe kudo….E vetmja PPP dobiprurëse për kapërcimin e kësaj situate, optimizmi ynë kërkon mbështetjen dhe mirëkuptimin nga të gjithë ju….Së bashku do t’ia dalim”, shprehet ai./atsh

Mjeku Kalo apel qytetarëve: Vetëndërgjegjësimi ende i çalë, bashkëpunim që të kapërcejmë me sa më pak humbje njerëzore këtë “flamë botërore” Read More »